• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

MARLENE LARUELLE DHE SHËMBJA E PUTINIT

September 29, 2022 by s p

Nga PAOLO LEPRI/

“Rusia është e  shqetësuar”, shkruan Marlene Laruelle, doçente e çështjeve ndërkombëtare në George Washington University. Në fakt, së bashku me të tjerë shënja që tregojnë një pakësim të miratimit, zhvillimet johenike të luftës në Ukrainë, kanë nxjerrë njerëzit nëpër sheshe me një vendosmëri befasuese. Si do të përfundojë? “Nuk ka siguri që skajorët në pushtet të pranojnë shtypjen e brëndëshme në këmbim të suksesit ushtarak”, vëren studjuesja franceze në një artikull në New York Times, duke shtuar që “me një ushtri të drobitur”, Putini “duhet të gjejë një mënyrë për të patur një rezultat ushtarak që të mund të inkuadrohet së paku si një fitore e pjesëshme “. Nuk e ndihmon pastaj fakti që Kina dhe Hindia, “kanë filluar të shprehin shqetësimet e tyre”. Kjo nuk do të thotë se për presidentin rus po avitet përfundimi. “Edhe me të gjitha këto vështirësi – vazhdon – do t’ishte një gabim parashikimi i një shëmbjeje. Por Putini, ashtu si çdo drejtues, varet nga përligjia që siguron pushtetin e tij. Në javët e muajt e ardhshëm mund të zbulojë që toka nën këmbët e tij ka filluar të lëvizë”.  

Me gjithë maturinë thelbësore  të tyre, përimtimet e drejtoreshës së studimeve evropiane, ruse e dhe evroaziatike  të universitetit amerikan – 49 vjeçe, studimet e kryera në Inalco dhe Sciences-po të Parisit – duken të përpikta dhe hapin një rreze shprese mbi mundësinë e ndryshimeve në kohë të shkurtëra në ish mbifuqinë, që synon , siç ka thënë Joe Biden, të “fshijë të drejtën e Ukrainës për të qënë si popull”. Më pak bindëse duken qëndrimet e saj mbi shkaqet e konfliktit, përgjegjësia e të cilit bie tërësisht mbi projektet zotëruese të Putinit. Autore e një syzimi të botuar vitin e shkuar, Is Russia fascist?, Marlene Laruelle pohon se ideologjia në pushtet në Rusinë e sotme është “iliberalizmi”. Një shëmbëllesë mjaft aktuale, që gjen të tjerë ndërpretues ende më të afërt me ne, si Hungaria e Orbánit – pikat e palëvizëshme të të cilit janë ngjitëse rrezikshmërisht: mos pranimi i institucioneve shumëpalëshe, përparësia e Shtetit-komb, sulmi të drejtave të pakicave.

“Corriere della Sera”, 23 shtator 2022      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente

Vëllezërit…

September 29, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Dulja, një fshatar nga Lumi i Vlorës, rreth të pesëdhjetave , kishte dalë jashtë fshatit vetëm dy herë , një herë për vizituar gruan kur e operuan në spital dhe herën e dytë për të çuar vajzën në qytet në shkollën mjeksore. Gruaja shyqyr zotit ishte mirë dhe tashmë Dulja bënte rrugën vajtje-ardhje në tokat e kooperativës; kur kishte ndonjë lek në xhep kthehej te klubi i fshatit e hidhte ndonjë gotë raki. Ishte i lumtur se pas lutjeve të pafundme, kohë më parë e kishin pranuar në Parti dhe vajzës i kishin nxjerrë të drejtën e studimit në shkollë të mesme për mami. Prej asaj dite ishte komunist me tesër partie dhe me kohë mund ta caktonin brigadier. Duke kaluar pranë shtëpisë së vëllait Seferit, u vrenjt dhe i dolën djersë të ftohta. Një nga kushtet që i kishin vënë në organizatën bazë të partisë, ishte të mos shkelte në shtëpinë e të vëllait, që ishte shpallur armik i klasës madje kishte bërë dhe burg. Ai duhet të ndiqte rrugën e vëllait, që kishte rënë dëshmor gjatë luftës së dytë botërore. Përndryshe tesera e partisë do t’i hiqej dhe do ndërpritej dhe shkolla e vajzës.

 Seferi, vëllai i madh që dhe ky kishte dalë dikur partizan, rebel i lindur, sherrin me njerëzit e partisë e kishte nisur, që kur i detyruan të bëheshin kooperativë. Pasi e pa që mund të vinin t’ia merrnin me forcë dy lopët, qetë e parmendës  dhe bagëtinë e imët, si kishin vepruar me shumë fshatarë të tjerë kishte deklaruar: Tu hanë bajgat lopëve të mia këta zagarët me xhaketë mushamaje. Janë djersa ime, gjaku im. Ca do t’i  shes, të tjerat do t’i therr dhe mishin do ta shpërndaj falas në fshat! Dhe ashtu bëri. Shokët e partisë e thirrën, i thanë që kishte vepruar gabim dhe duhet të kërkonte falje.

-Unë falje juve? Përse? A  nuk ishin bagëtitë e mia? Do të bëj ç’të duan me to….  

-Jep shëmbullin negativ dhe vepron si armiku i klasës, duke sabotuar krijimin e kooperativës që është direktivë e partisë. Je shpallur kulak dhe…

– Mua do më flisni, që dola partizan që çilimi e vura kokën në rrezik? Po paskeni qenë bajga fare! Ik ore pirdhuni me gjithë kooperativë e kulakë,! ulëriu si i marrosur Seferi. Në darkë erdhën në shtëpi dy civilë të armatosur, i hodhën prangat dhe e morën me vete. E shpallën armik dhe e dënuan me pesë vite burg nga të cilat bëri tre. Dulja qysh atëherë i preu vizitat, te i vëllai kulak dhe shkonte rrallë.

– Bëj si të duash!- i kishte thënë Seferi. – Unë nuk të detyroj, por hajde hidhi ndonjë sy sat’ëme se me një këmbë në varr ështe dhe nuk të heq nga goja.- Ditën që e ëma shkoi në botën e të shumtëve Dulja qau me të madhe. 

– Boll o Dule! Qaj sa të duash! Plaka nuk ngjallet më,- i thoshnin miqtë.  Po Dulja nuk mbahej: -Se ç’kam një xhëng këtu në zemër e mezi marr frymë. Po si nuk më lajmëroi fare ky Seferi, të kisha marrë bekimin para vdekjes? Sipas zakonit Dulja mori pjesë në drekën e shtruar pas varrimit, zakon shumë i lashtë ky dhe i shenjtë për banorët dhe nuk u duk më në shtëpinë e të vëllait. Pas disa muajsh një darkë nga ato të qetat, se në fshat jeta shkonte pa asnjë ngjarje ( shtëpi-punë, punë-shtëpi) Dules ia dha mendja të shkonte te i vëllai. Priti sa u errësua mirë dhe hapi ngadalë derën e oborrit të shtëpisë, ku ishte lindur e rritur, ( kishte mall për atë derë e sytë iu mbushën me lot) la opingat te shkallët dhe trokiti lehtë. Vëllai e priti me krahëhapur, urdhëroi gruan të therrte një zog e të binte bodilen e rakisë. – Nuk do rri shumë. Po ja erdha për tu parë se edhe malli më kishte marrë.- Vëllai qeshi hidhur, Shtëpitë e tyre nuk ishin më shumë se pesëdhjetë metra larg e Dulja kalonte aty çdo çdo ditë, kur shkonte e vinte nga puna. Uli zërin, iu afrua edhe më vëllait dhe i tha me zë të ulët: – Kam vendosur të vij o vëlla! Po do të vij natën, kur rruga të mos ketë njeri, se këta shokët e partisë… Seferi u nxi i si ajo reja e detit ngarkuar me shi por nuk tha gjë. I trembur e pak i leshtë kishte ardhur Dulja që fëmijë e nuk ia vlente të zemërohej me të. Ngriti kokën e pa gjatë në sy dhe ashtu dhe duke buzëqeshur hidhur i tha: Medemek o Dule vëllai do më vish në shtëpi ëë? 

Dulja u gjallërua dhe u përgjigj: – Po vëlla, po. Natën do të vij…! 

Seferi thithi fort çibukun me dru dëllinje, mbushur me duhan të fortë fshati, e pa gjatë në sy dhe i tha: Vëlla i dashur! Hajde kur të dojë zemra natën, pas mesnate ose në të gdhirë. Dera ime është e hapur për ty gjithmonë. Ama ngule mirë në atë kokën tënde prej komunisti këtë që do të them tani: Sidoqë të vejë puna unë do të vdes ditën, jo natën. Kjo është e sigurt. Ti në daç hajde në daç mos hajde. Punë për ty!

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

“STATUTI I ZGJERUAR I LUSHNJES-1922” – KUSHTETUTA E II SHQIPTARE DHE PUSHTETI LEGJISLATIV NË STATUT

September 29, 2022 by s p

Nga Kevin Haxhiu – JURIST

-“STATUTI I ZGJERUAR I LUSHNJES-1922”

Shteti Shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 do të kishte vetëm në vitin 1914 ligj themeltar të shtetit pra një kushtetute e cila quhej “Statuti Organik”.Ky Statut për nga renditja e Kushtetutave në këto 109 vite Pavarësi shënon të parë kushtetutë në historinë e shtetit Shqiptarë por kjo është vëtëm për nga renditja pasi ky Statut u hartua dhe u vendos nga një organ ndërkombëtar i huaj pra nga Komisioni Ndërkombëtarë i Kontrollit – (KNK).Stauti ose kushtetuta e parë e shtetit Shqiptarë është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe si “Statuti i Lushnjes 1920”.Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtarë siç ishte Kongresi Kombëtarë i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjësë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e shtetit Shqiptarë ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptarë në çdo Prefekturë të Shqipërisë.Statuti i Lushnjes ishte i përkohëshëm pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese.Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth 2 vite.Në Shqipërinë e viteve 1921-1924 pati zhvillime të shumta politike.Në prill të vitit 1921 u zhvilluan për herë të parë zgjedhje parlamentare në Shqipëri.Deputetët e zgjedhur kishin garuar si individ dhe jo si kandidat të partive politike ndërsa këto të fundit do të themeloheshin më vonë dhe ato ishin:Partia Popullore dhe Partia Përparimtare.Zhvillimi i zgjedhjeve si dhe krijimi i partive politike shënuan një zhvillim për vendin si dhe në Shqipëri filloi pluralizmi politik.Këshilli Kombëtarë  (parlamenti) që doli nga këto zgjedhje krijoi një komision të posaçëm prej 12 vetash për hartimin e projektkushtetutës dhe në dhjetor 1922 Këshilli Kombëtarë do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej  “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”.Forma qeverisëse që sanksionohej në “Statutin e Zgjeruar të Lushnjes-1922” ishte e njëjtë si në “Statutin e Lushnjes-1920” pra Monarki por që vendin e Mbretit përkohësisht e zinte Këshilli i Naltë.Në këtë Statut sanksionohej një parim tepër i rëndësishëm siç është ai i ndarjes së pushteteve.Pushtetin legjislativ e ushtronte Parlamenti,pushtetin përmbarues (ekzekutiv) e kishte Këshilli i Naltë funksion të cilin ai e kryente më anë të Kabinetit (Qeveria/Këshilli i Ministrave),pushteti gjyqësor ushtrohej nga Gjykatat.“Statuti i Zgjeruar i Lushnjes (1922)” po ashtu si “Statuti i Lushnjes (1920)” nuk ishte i përhershëm por i përkohshëm por ndryshimi i “Statutit të Zgjeruar të Lushnjes” nga “Statuti i Lushnjes” ishte vetëm për nga përmbajtja ngaqë ishte shumë më i madh.Statuti i Zgjeruar i Lushnjes ishte i ndarë në katër kaptina.Kaptina e parë e emërtuar “Formimi i Shtetit” ndahej në katër pjesë të emërtuara me gërmat A,B,C,D.Në pjesën “A” parashikoheshin Dispozitat e pergjithshme.“Statuti i Lushnjes-1920” dhe “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes-1922” përbëjnë arritje madhore si dhe përfaqësojnë themelet e historisë të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.

-PUSHTETI LEGJISLATIV – PARLAMENTI NË STATUTIN E ZGJERUAR TË LUSHNJES (1922)

Parlamenti përbëhej nga deputetë të zgjedhur nga populli më votim universal sipas ligjit.Deputetët zgjidheshin për një mandat 4-vjeçar dhe përgjegjësia e tyre mbaronte me perfundimin e afatit por për këtë parlament të dalë nga zgjedhjet e vitit 1921 ky mandat nuk u aplikua.Në Statut përcaktoheshin standarte që duhet të plotësoheshin për zgjedhjen e deputetëve.Deputet pranohej vetëm ai që ishte nënshtetas shqiptar,që kishte mbushur moshën 25-vjeç,që gëzonte të drejta civile e politike si dhe që plotësonte cilësi të tjera të kërkuara prej ligjit.Detyra e deputetit ishte e papajtueshme me çdo nënpunësi të shtetit me rrogë,me nënpunësi komunale si dhe me shërbimin aktiv fetar.Deputeti përfaqësonte jo vetëm qarkun ku e kishin zgjedhur por të gjithë kombin.Zgjedhësit nuk mund t’i jepnin porosi apo urdhër deputetit të tyre.Deputetët paguheshin për punën që bënin me një pagë 5000 franga ari në vit.Kjo pagë e deputetit mund të ndryshohej herë pas herë me ligj.Mënyra e organizimit dhe funksionimit të parlamentit përcaktohej në rregulloren e tij të brëndshme.Kryesia (Parija) e parlamentit zgjidhej nga vetë parlamenti dhe zgjidheshin individ nga rradhët e parlamentit në fillim të çdo sesjoni për gjatë gjithë mandatit të parlamentit.Zgjedhja e Kryesisë dhe e nënpunësve të Parlamentit organizohej sipas rregullores së brëndshme të tij.Parlamenti kishte detyrë që të shqyrtonte cilësitë dhe fuqitë ligjore të anëtarëve të tij dhe më pas gjykonte dhe vendoste për këto sipas parashikimeve të rregullores së brëndshme të tij (Artikulli 14).Secili anëtarë i parlamentit bënte dy betime të parin përpara shqyrtimit të cilësive të tij dhë të dytin përpara nisjes së mandatit si deputet (Artikulli 15).Deputeti që ishte zgjedhur rishtas dhë që pa arsye të justifikuara dhë të vërtetuara siç duhet nëse nuk paraqitej për një afat dy mujor përpara Parlamentit që të kryente betimin që sanksionohej në Statut,ai deputet quhej i shkarkuar nga detyra e tij.Parlamenti në këtë rast kishte të drejtën e gjykimit (funksion “quasi gjyqësorë”) në lidhje mbi pranueshmërinë ose jo të arsyeve të justifikimit të deputetit.Deputeti që mungonte për gjashtë muaj rresht në seancat e Parlamentit,pa autorizimin e Parlamentit ishte vetvetiu i shkarkuar nga detyra.Ku vendi i një deputeti mbetej vakant për çfarëdolloj arësye atëherë brenda dy muajve nga dita e vakancës  por jo më parë se një muaj duhet të zgjidhej një deputet tjetër në vendin e tij.Deputetëve nuk mund t’ju kërkohej llogari apo të mbanin përgjegjësi për votimin apo mendimet e shfaqura në Parlament.Deputetët gjatë sesionit parlamentar nuk mund të gjendeshin në burg për borxh.Deputeti gjatë mandatit të tij kishte imunitet ndaj dhe nuk mund të ndiqej apo arrestohej për cështje penale,pa lejuar dhe vendosur Parlamenti por më një përjashtim  në rast se kapeshin në faj e sipër për krim atëherë autoritetet gjyqësore kishin për detyrë të njoftonin Parlamentin nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë brënda 24 orëve.Deputetët në rast se kryenin krime politike dhe delikte gjykoheshin dhe dënoheshin gjithmonë si gjatë por edhe jashtë sesionit parlamentar nga Gjykata e Naltë me autorizimin e Parlamentit duke u mbështetur në ligjin e posaçëm.Parlamenti kishte të drejtën e dekretimit të lirimit të një deputeti të tij për të gjithë periudhën e sesionit nëse kishte qenë kapur në periudhën e pushimeve.Parlamenti zhvillonte sesione të jashtëzakonshme në të cilat bisedohej vetëm për çështjet për të cilat ky sesion thirrej dhe këto çështje ishin të përcaktuara në një program që hartoej nga Qeveria.Sesionin e jashtëzakonshëm Këshilli i Lartë në çdo kohë që e shikonte të arësyeshme kishte të drejtën e mbylljes së tij por përherë më përpara fillimit të sesionit normal (të zakonshëm).Këshilli i Lartë në hapjen e sesionit të zakonshëm nëpërmjet një ligjerate ose lajmërimi parashtronte situatën në përgjithësi të shtetit si dhe masat që gjykoheshin të nevojshme që të merreshin në atë vit nga pushteti ekzekutiv (përmbarues) dhe Parlamenti i kthente një përgjigje të shpejtë (Artikulli 24).Parlamenti bisedonte dhe vendoste vetëm kur i pranishëm në të ishte një deputet më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të tij të cilët i kishin kaluar formalitetet e parashikuara në artikujt 14 dhe 15 të Statutit.Në llogaritjen e numrit të përgjithshëm të deputetëve Parlamenti nuk përfshinte ata deputet që mungonin me leje.Vendimet në Parlament duhet të votoheshin me shumicë absolute të deputetëve që ishin të pranishëm në mbledhje.Zgjedhjet që i përkisnin personave mënyra e votimit të tyre organziohej me dy raunde në rast se për herë të parë nuk votoheshin me shumicë absolute atëherë herën e dytë votoheshin më shumicë relative të deputetëve të pranishëm në mbledhje.Në mbledhjet e parlamentit mënyrat e votimit ishin të përcaktuara në rregulloren e brendshme sipas rasteve dhe ishin tre mënyra:-“Me ngritjen e dorës lartë,me thirrjen emërore ose me votim të fshehtë”.Mënyra e votimit të ligjeve nga Parlamenti zhvillohej një herë në parim dhe dy herë nen për nen në tre ditë të ndryshme ndërsa përsa i përket kodeve që paraqiteshin nga Qeveria e që ishin përgatitur nga një komision i posaçëm votimi zhvillohej në bllok në tre mbledhje në ditë të ndryshme por me përjashtim të ligjeve që Parlamenti me vendim i quante të ngutshme,të cilat votoheshin sipas rregullores së brendshme.Mbledhjet e Parlamentit zhvilloheshin me dyer të hapura si dhe bisedimet e tij botoheshin në vëllime të posaçme.Në parlament përveç personelit të sigurisë mund të bëhej pjesë e tij cilido gjithmonë në përputhje me rregulloren.Parlamenti mund të zhvillonte edhe mbledhje me dyer të mbyllura nëse kjo kërkohej nga ministrat ose deputetët dhe nëse pranohej nga shumica.Mbledhja më dyer të mbyllura zhvillohej pasi personat e ndaluar për të qënë të pranishëm në këtë rast të ishin larguar nga dhoma.Parlamenti nuk mund të dhunohej.Vetëm trupa policore e veçantë mund të qëndronte brënda dhomës ose tek porta e ndërtesës ku zhvillonte punimet parlamenti ndërsa zyrtarë apo fuqi armësh nuk mund të qëndronin pa kërkesë e vendim të Parlamentit.Të gjitha aktet me fuqi ligjore shpalleshin në gazetën zyrtare,e cila dërgohej në të gjithë bashkitë e vendit.Shpallja e akteve ligjore duhet të bëhej brenda dy javëve nga dita e votimit dhe akti në fuqi e zbatim hynte një muaj mbas shpalljes me përjashtim të ligjeve që kishin të caktuar një afat ndryshe për hyrjen e tyre në fuqi.Aktet me fuqi ligjore do të bëheshin pjesë e legjislacionit zyrtarë (ligjeve dhe dekreteve) të shtetit.Kryesia e Parlamentit kishte për detyrë që brenda sesionit parlamentar t’i kthente pushtetit ekzekutiv projektligje të paraqitura nga ai e që ishin refuzuar nga Parlamenti bashkë me të gjitha shkaqet e mospëlqimit.Projektligji i refuzuar nga Parlamenti nuk mund të paraqitej për herë të dytë gjatë gjithë atij sesioni parlamentar.Pushteti ekzekutiv për të gjitha vitet duhej që ti paraqiste Parlamentit që të shqyrtonte Buxhetin e Përgjithshëm të të ardhurave dhe shpenzimeve të Shtetit.Buxheti duhej që bashkëngjitur tij të kishte parashikimin e mjeteve dhe mënyrave mbi të cilat do të përballoheshin këto shpenzime.Në Buxhetin e Shtetit do të futeshin të gjithë të ardhurat dhe shpenzimet e shtetit.Buxheti paraqitej përherë kur niste sesioni parlamentar në vjeshtë dhe ky sesion nuk mund të mbyllej pa votuar Buxhetin.Buxheti hartohej sipas mënyrës së përcaktuar në ligj.Buxheti votohej dy herë në dy ditë të ndryshme kapitull për kapitull.Pushteti ekzekutiv kur mbaronte viti finaciar dhe brënda sesionit të dytë të vitit financiarë tjetër duhet t’i paraqiste Parlamentit për shqyrtim dhe pëlqim Buxhetin e konsumuar të vitit të kaluar dhe votimi i këtij buxheti zhvillohej një herë në përgjithësi.Në situatën  kur  buxheti i ri nuk arrinte të merrte formën ligjore përfundimtare dëri në fillim të vitit finaciar për të cilin ishte hartuar,atëherë pushteti ekzekutiv vendoste në zbatim buxhetin e mëparshëm deri sa të pëlqehej dhe votohej buxheti i ri.Parlamenti në këtë situatë çdo degë të administratës i hapte një kredi mujore e cila ishte jo më e lartë se e dymbëdhjeta pjësë e shpenzimeve normale që i përkisnin sipas buxhetit të vjetër.Pushteti ekzekutiv nën përgjegjësinë e tij civile kishte për detyrë që të fuste në buxhetin vjetor të shtetit të gjitha ligjet që ngarkonin nënshtetasit më paga e taksa.Ligjet të cilat nuk futeshin në buxhet quheshin si të ngritura e pafuqi ligjore.Në rast se një kredit i caktuar në buxhet nuk del në përballimin e atij shërbimi,atëherë pushteti ekzekutiv nëpërmjet një projektligji brënda vitit financiar i kërkonte parlamentit që të shtonte atë kredit deri sa të arrihej dhe në rast se shfaqeshin shpenzime për nevoja të paparashikuara në buxhet,atëherë pushteti ekzekutiv përsëri mund të kërkonte nga parlamenti një shtesë krediti,përherë në themel të një projektligji të posaçëm.Procedura e votimit që ndiqej nga parlamenti për votimin e ligjeve për kredit suplementare dhe te jashtëzakonshme ishte e njëjtë me procedurën që ndiqej për votimin e ligjeve të zakonshme.Në raste kryengritje,lufte dhe Parlamenti ishte në pushime atëherë qeveria nën përgjegjësinë e saj mundej të krijonte një kredit të jashtëzakonshëm  nëpërmjet nxjerrjes së një dekretligji i cili duhej që të paqitej në Parlament në sesionin më të afërt.Parlamentit duhej që t’i paraqitej sëbashku me buxhetin e përgjithshëm edhe projekti i sasisë me të cilën do të përballohej ushtria.Parlamenti kishte të drejtë të thërriste çdo ministër për ta pyetur për të gjitha çështjët e fushës së tij.Mënyra për thirrjen e ministrave ishte e parashikuar  në rregulloren e brendshme.Gjithashtu Parlamenti kishte kompetencë që të kontrollonte Qeverinë.Parlamenti ishte i detyruar në të gjitha rastet e veçanta për mbrojtjen e interesave të përgjithshme që të formonte më anëtarë nga rradhët e tij një komision hetimesh i cili do të studionte çështjet dhe faktet që lidheshin me to.Komisioni Hetimor kishte të drejtën që t’i kërkonte shpjegime me shkrim dhe me gojë,autoriteteve shtetërore gjithashtu edhe atyre privatë.Gjithashtu komisioni hetimor kishte të drejtë që të këqyrte edhe çdo akt zyrtarë që do t’iu dukej i nevojshëm.Parlamenti kishte të drejtën që të akuzonte ministrat dhe t’i dërgonte ata në gjykatën e lartë të shtetit duke u bazuar në ligjin e veçantë.Parlamenti nuk mund të pranonte që të dëgjonte deputetët si dhe as ndonjë tjetër përveç se ministrave ose zëvëndësve të tyre si dhe me përjashtim të rastit të parashikuar në artikullin 24 të këtij statuti.Në fund të mandatit të parlamentit,pushteti ekzekutiv kishte detyrën që brenda dy javëve nga dita e shpërndarjes së tij,të dekretonte zgjedhjet e reja parlamentare,të cilat duhet të zhvilloheshin jo më vonë së dy muaj e gjysëm por dhe jo më parë së një muaj nga data e dekretimit të zgjedhjeve.Në rastin kur për shkaqe të paparashikuara,mandati i Parlamentit mbaronte më shumë së një muaj përpara kohës së parashikuar në statut,atëherë parlamenti i ri mblidhej vetvetiu 15 ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve.Nëse në kohën pasi kishte përfunduar periudha parlamentare dhe zgjedhjet nuk ishin zhvilluar si dhe pushteti ekzekutiv gjëndej i detyruar për shpalljen e luftës ose dhënien e dorëheqjes nga Qeveria ose Këshilli i Lartë atëherë ky i fundit me dekret thërriste Parlamentin e vjetër për aprovimin e projektligjit për luftë ose për pranimin e dorëheqjes dhe ringritjen e Qeverisë ose Këshillit të Lartë.

Filed Under: Histori Tagged With: Kevin Haxhiu

Presidentja Osmani me ministrin Lipavský: Është vendimtare që procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

September 29, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavský.

Presidentja Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike.

Fokusi kryesor i takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Lipavský ishte çështja e liberalizimit të vizave. Në vazhdë të takimeve që ka pasur Presidentja Osmani me lidershipin çek në Pragë, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Lipavský për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe. Ajo ka theksuar se: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë. Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

Filed Under: Politike

NËNKRYETARI I AAK DHE DEPUTETI PROF. BESNIK TAHIRI VIZITOI VATRËN

September 29, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 Shtator 2022 – Z. Besnik Tahiri, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe nënkryetar i kësaj partie zhvilloi një vizitë vëllazërore në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha vlerësoi kontributin e z.Tahiri në jetën politike dhe publike në Kosovë, çmoi rolin e tij konstruktiv si parlamentar i shtetit të Kosovës, ekspertizën e eksperiencën e tij në Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Z. Berisha kërkoi një marrëveshje mes Parlamentit të Kosovës dhe Vatrës për kordinim dhe bashkëveprim të veprimtarisë kombëtare me shtetin e Kosovës dhe më pas me Shqipërinë. Duhet të forcohet bashkëveprimi mes Tiranës zyrtare, Prishtinës Zyrtare e Vatrës, një trekëndësh që do forconte rolin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e interesit të shtetit e kombit tonë, tha ndër të tjera z.Berisha. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK Prof. Besnik Tahiri ekspozoi para Vatranëve takimin e një delegacioni nga Kosova në Kongresin Amerikan, Departamentet të Shtetit e institucione të tjera amerikane. Vlerësoi kontributin e z.Berisha për çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara në fushën e Diplomacisë dhe rolin historik të Vatrës për Shqipërinë e Kosovën e shqiptarët kudo. Z.Tahiri ekspozoi faktorin politik shqiptar në shtetet e Ballkanit dhe pozitat e forcuara të shqiptarëve gjithnjë e në rritje. Prof Tahiri kërkoi nga Vatra forcimin e rolit të diasporës në USA dhe lobimin pranë vendimmarrësve për arritjen e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. “Vijat strategjike të shtetit e kombit tonë nuk duhet të lëvizin. Është jetike ndërhyrja dhe angazhimi i Shteteteve të Bashkuara në proceset në të cilat ndodhet Kosova. Vijat kombëtare dhe Vijat strategjike të partneritetit me SHBA duhet të forcohen çdo ditë. Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe përpjekjet e Vatrës për çdo shqiptar. Do kërkoj që kjo marrëveshje mes Vatrës dhe Parlamentit të Kosovës të iniciohet sa më shpejt që Vatra të na japë një mbështetje të proceseve kombëtare në SHBA” tha ndër të tjera prof. Besnik Tahiri. Shefi i Kabinetit të kryetarit të Vatrës Dr. Pashko Camaj tha se Dielli për shqiptarët lind në perëndim. Është jetike nevoja për shqiptarët ta mbajnë lidhjen organike me Institucionet e Perëndimit dhe Amerikën. Asllan Bushati kërkoi që të organizohet një Simpozium Ndërkombëtar për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm dhe kujdesin e rrezikut rus si çështje serioze e sigurisë kombëtare. Z.Marjan Cubi në fjalën e tij tha se çështja shqiptare do të konsiderohet edhe më shumë pas luftës në Ukrainë. Prof.Tahiri i dhuroi Vatrës një libër kushtuar Kosovës me mbishkrimin: “Zanafilla e komunitetit dhe kauzës kombëtare buron nga zjarri patriotik dhe intelektual i Vatrës. Vatra është një fatbardhësi. Edhe një shekull më vonë ky zjarr ende e ngroh zemrën dhe shpirtin shqiptar. Jam i nderuar që sot jam në ballë të Vatrës, me vëllezërit e motrat e mia” shkruhet në dedikimin e librit. Takimi u përmbyll vëllazërisht me premtimin dhe angazhimin konkret për marrëveshje në shërbim të çështjes kombëtare. Për nder të Prof. Tahiri, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një drekë vëllazërore.

Filed Under: Featured Tagged With: besnik tahiri, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT