• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

DJATHTIZMI AUTENTIK KOMBËTAR DHE SHPËTIMI POLITIK I KOSOVËS

September 8, 2022 by s p

Faton Bislimi/

Nuk ka intervistë apo deklarim publik të shumicës së pjesëtarëve të klasës politike të Kosovës, të cilët, të paktën në një fjali nuk merren pak me ideologjinë politike dhe zhargonin më të përmendur të saj, “të djathtën dhe të majtën.” Por, a thua, sa thellë shkojnë bindjet tona politike sa i përket ndarjes së spektrumit politik në të majtë e të djathtë? Sa nga ne e kuptojnë mjaftueshëm cilësimin majtist e djathtist si dhe orientimin politik që këto terma nënkuptojnë?

Nëse pak i kthehemi historisë politike dhe ndarjes së spektrumit politik në këto dy drejtime bazike si linja të përkufizimit të themeleve ideologjike politike, atëherë shohim se sa më i rëndësishëm është botëkuptimi që ngërthejnë në vete këto definime sesa vec zhargoni. Por, historia politike na meson se ashtu sic kanë evaluuar me kohë bindjet politike, ashtu kanë evaluuar edhe djathtizmi e majtizmi politik. Ndasitë ideologjike nuk janë vetëm zhargoniste, por janë bindje që në asimetrinë e besimit politik përcaktojnë rrugëtimin e një force politike e përmes saj edhe të një shoqërie, shteti, e kombi.

Dikotomia e ndasisë ideologjike themeltare në të majtë e të djathtë buron nga Revolucioni Francez në verën e vitit 1789. Sipas profesorit të historisë moderne franceze, David Bell, nga Princeton University, pas rënjes së Bastilles, kuvendi francez po debatonte gjerë e gjatë mbi ndryshimet në kushtetutën e vendit dhe cështja me esenciale ishte nëse kushtetuta e re do t’i jepte të drejtën absolute të vetos mbretit (monarkut) apo jo. Ata që ishin përkrahës të idesë që kushtetuta e re duhej ti jepte të drejtën absolute të vetos monarkut ishin të ulur në të djathtë nga kryesuesi i kuvendit, kurse ata që besonin se kjo e drejtë nuk duhej t’i jepej monarkut, qëndronin të ulur në të majtë të kryesuesit. Këtu buron edhe varianti më bazik dhe themeltar i ndasisë ideologjike politike – në djathtistë, për ata që ruajnë dicka më tradicionale; dhe në të majtë, për ata që duan dicka më ndryshe, jotradicionale.

U dashtë mbi një shekull që zhargoni djathtist e majtist të bëhej diskursi primar i definimit të identitetit politik. Një ngritje e këtij definimi erdhi në pah me Bolshevikët në Rusi, të cilët kishin admirim të thellë për Revolucionin Francez dhe e shihnin sim undësi për ridefinimin politik të Rusisë asokohe, dhe përmes saj, të të gjithë botës. Sipas profesorit të kulturës evropiane dhe historisë intelektuale, Marci Shore, nga Yale University, identiteti politik i ndarë në dy pole shihej si hap i domosdoshëm në historinë e zhvillimit politik deri tek ardhja e komunizmit.

Mes-shekulli i njëzet dhe dy luftrat botërore radikalizuan skajshëm polet e identitetit ideologjik e politik në të majtë e të djathtë, dhe thuajse ia humbën komplet edhe vlerën e mesit apo qendrës liberale. Radikalizimi i këtyre poleve erdhi si pasojë e sforcimit të partive politike. Kur njerzit devijonin nga vijat politike të partisë, ata konsideroheshin ‘ektremistë’ apo ‘radikalë.’ Kjo shihet më së kjarti në kohën e Stalinizmit dhe ngritjen e Hitlerit.

Më pas, zhargoni majtist e djathtist u fut edhe në politikën amerikane në shekullin e njëzet. Sipas profesorit të politikës dhe lëvizjeve shoqërore në SHBA, Michael Kazin, nga Georgetown University, ishte programi zhvillimore “New Deal,” i Presidentit Franklin D. Roosevelt i 1933 që i dha hov botëkuptimit më të vecantë në mes të së majftës – që kërkonte më shumë involvim shtetëror në shoqëri e ekonomi, dhe të djathtës – që sfidonte e nuk duronte thuaja aspak involvim shtetëror në shoqëri e aq më pak në ekonomi. Identiteti majtist në SHBA në atë kohë asocionte me lëvizjet komuniste e socialiste, kurse ai djathtist me konservatorizmin.

E sot, edhepse terminologjia vazhdon të evoluojë për aq sa evoluonë politika botërore, djathtizmi ndërlidhet me konservatorizmin kurse majtizmi me progresivitetin. Këtu gjendet edhe themra e Akilit në këtë debat.

Cka do të thotë konservatorizmi në kuadër të botëkuptimit të identitetit ideologjik? Për djathtizmin, konservatorizimi është ruajtja e tradicionales. Kurse, progresiviteti për majtizmin është ndryshimi i vazhdueshëm, modernizimi që shpeshëherë thyen, anashkalon, zhvlerëson, por edhe fundosë tradicionalen. Këto dy pole të spektrit të identitetit ideologjik politik janë oponencë që zvogëlohet sa më afër qendres së spektrit. Andaj, shumica e partive politike por edhe e politikanëve pretendojnë të vendosin veten tek “të djathtë të qendrës,” apo “të majtë të qendrës,” ashtu që të sigurojnë besimin e sa më shumë njerëzve, ngase në ektremet e poleve gjendet kryesisht pakicat elektorale.

Por, ajo që është esenciale për Kosovën, një shtet në ndërtim e sipër, një shtet i lindur nga një histori politike sui generis në rrjedhën e politikës globale të fundshekullit 20 e fillimshekullit 21, është ideologjia politike që duhet të ndjek ky vend për t’i siguruar vetën jo vetëm zhvillim por edhe qëndrueshmëri politike. Klasa politike e Kosovës, por edhe elektorati në përgjithësi, duhet të kuptojnë se ka vetëm një frymë ideologjike politike që e shpëton Kosovën si shtet nga gllabërimi eventual i përthyerjeve të mëdha në politikën globale. Sipas Samuel Huntington, autorit të librit të famshëm “Përleshja e Civilizimeve dhe Fundi i Historisë,” linjat e ndarjes së civilizimit përendimor nga ai lindor bijnë pikërisht në Kosovë. Kjo e bënë edhe më kruciale nevojën e Kosovës për të pasur një casje jashtëzakonisht të saktë e në linjë me civilizimin që e dëshiron dhe beson se i takon – perëndimit. Këto parakushte parasysh, nuk ka se si mos të shohim se është vetëm djathtizmi ai që e shpëton Kosovën.

Më specifikisht është djathtizmi autentik kombëtar, si formë specifike e djathtizmit si identitet ideologjik politik, që i siguron Kosovës ecjen drejt fianlzimit të procesit të shtetndërtimit dhe vendin meritor në familjen e kombeve perëndimore.

Pse djathtizmi? Kjo besoj tanimë është kuptuar nga elaborimi i mësipërm i ndasisë në mes dy poleve ideologjike. Por, djathtizmi na duhet ngase na e ruan tradicionalen, na e ruan vlerën tonë unike si komb autokton evropian.

Pse autentik? Djathtizmi, në historinë politike, është nënkuptuar sipas rrethanave politike të kohës dhe vendin. Botëkuptimi i tij ka ndryshuar që nga Revolucioni Francez e deri tek lëvizjet studentore në SHBA. Andaj, edhe në rastin e Kosovës, por edhe për shqiptarët në Ballkan në përgjithësi, djathtizmi autentik do të thotë djathtizmi që i shërben specifikave të shtetit tonë e kombit tonë. Djathtizëm që mban për themel konservatorizmin e vlerave tona tradicionale dhe ringritë ato në linjë me rrethanat e kohës.

Pse kombëtar? Djathtizmi autentik është djathtizmi që buron nga nevojat e një vendi të caktuar për një kohë të caktuar. Elementi kombëtar këtu është shumë esencial ngase problematika e shqiptarëve në Ballkan ka qenë gjithëherë problematicë kombëtare e asnjëherë vetëm shtetërore – dmth vetëm e Shqipërisë, për shembull. Andaj, djathtizmi autentik kombëtar është identiteti i vetëm ideologjik që siguron trajektorën më të mirë për arritjen e qëllimeve tona kombëtare. Në shekullin e fundit, nuk ka arritje me të madhe për shqiptarët si komb sesa shteti i Kosovës. Sforcimi dhe qëndrueshmëria e këtij shteti ndërlidhen kryekëput me djathtizmin autentik kombëtar si identitet ideologjik. Vetëm atëherë kur Kosova të arrijë stadin e zhvillimit demokratik e socio-ekonomik që i siguron asaj vendin meritor në familjen e kombeve perëndimore, ne mund të ‘luftojmë’ lirshëm përbrenda nesh, të ndarë në parti politike, e me identitet ideologjik në të dyja polet. Historia jonë kombëtare deri më tani na ka dhënë leksione të kjarta që tregojnë me fakte të pamohueshme ecjen tonë mbrapa saherë që në krye kemi pasë identitetin ideologjik majtist, dhe përparimin e vockël e të shkurtër sa herë që në krye kemi pasë identitetin ideolgogjik djathtist. Pasi që të kemi përfunduar me sukses procesin e shtetndërtimit të Kosovës, edhe mund të bëjmë eksperimente politike majtiste, por deri atëherë, duhet qenë shum syhapur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Faton Bislimi

ANTONETA PEPKOLAJ, SHQIPTARJA QË VLERËSOHET POLICJA E MUAJIT NË NEW YORK

September 8, 2022 by s p

Sokol Paja

Një police shqiptare 23 vjeçare rrëmbeu çmimim dhe vlerësimim më të madh të muajit në Policinë e New York-ut për trimëri dhe rezultate të shkëlqyera në punë. Antoneta Pepkolaj, police prej 1 viti, shkëlqeu dhe mori një vlerësim dhe triumf që policët e tjerë punojnë prej vitesh dhe nuk e kanë arritur akoma. Ajo rrezikon çdo ditë jetën e saj në mbrojtje të jetës së të tjerëve. Vetëm pak ditë më parë ajo arrestoi e vetme një keqbërës të armatosur me dy pistoleta me “fishek në gojë” që po mësynte e kërcënonte disa fëmijë në rrugë. Antoneta Pepkolaj ka ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me familjen e saj në moshën 15 vjeçare dhe duke qenë e vogla dhe e përkëdhelura e  shtëpisë, si vajzë çamarroke, ajo kishte një pasion të veçantë për armët lodra. Antoneta ka mbaruar Akademinë 6 mujore të Policisë së New York-ut duke arritur rezultate shumë të larta dhe aktualisht ruan sigurinë e qytetarë të New York-ut në lagjen Bronx. Ajo është trime, e dashur, energjike, e përkushtuar, patriote, e qeshur, bashkëpunuese dhe shumë entuziaste. Ka një energji shumë pozitive dhe të pa shterrshme. Një ditë e zakonshme pune për oficeren Antoneta Pepkolaj fillon me marrjen  e një telefonate nga ku kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Policia. Ajo sqaron për Diellin e Vatrës se telefonatat më të speshta janë për: “Dhunë në familje, armëmbajtje, vjedhje, dhunë dhe sherre nga më të ndryshmet”. Që pas Covid -19, Antoneta tregon se qytetarët kanë një mbingarkesë emocionale dhe ankesa të shumta për probleme të shëndetit mendor. Situata e sigurisë në qytet ka ndryshuar, tregon Antoneta. Asgjë nuk është si më parë, njerëzit janë më agresivë dhe sensitivë, policia përballet përditë me sfida të shtuara dhe vështirësi ekstreme. Që nga koha e protestave “Black Live Matter”, policët shihen me sy tjetër, puna është ndërlikuar dhe vështirësuar shumë dhe ne nuk jemi aq shumë të dashur dhe të respektuar në komunitet si më parë dhe na duhet shumë punë për rritje të imazhit, shërbimit, sqaron oficerja Pepkolaj. Sfidat nuk na dekurajojnë kurrë por ato na shtojë forcën dhe dëshirën për të punuar edhe më fort për të mirën e komunitetit, tregon oficerja Pepkolaj. Pak javë më parë në Bronx në punën e saj të përditshme Antoneta rrezikoi jetën e saj nga një sulm me thikë. Kjo nuk e ka demotivuar por i ka shtuar forcën dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e njerëzve. Ajo tregon se puna më e vështirë është dialogu me persona në gjëndje të rënduar psikologjike të cilët duan të bëjnë vetvrajse apo sulme të ndryshme ndaj qytetarëve. Ajo kujton me detaje ditën e parë të punës ku u përball me një vetvarje dhe arriti së bashku me partnerin e saj oficer, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe ushtrimeve profesionale, të risillnin në jetë personin pa shënja jete. Punën e saj e do shumë dhe e quan mision të shenjtë për të ndihmuar të tjerët, rendin e sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe mirëqënien e tyre në qytetin dhe shtetin e New York-ut. Antoneta është një shembull suksesi, krenarie, motivimi, përkushtimi dhe devotshmërie në shoqërinë amerikane dhe për komunitetin shqiptar. Ajo është anëtare e Shoqatës së Policëve Shqiptarë në New York dhe ndihmon komunittein shqiptar jo vetëm si policë por edhe si shërbestare në ceremoni apo ngjarje të komunitetit shqiptar në New York.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

NATË ME SHI NË SELANIK – KRISTAQ TURTULLI

September 8, 2022 by s p

(Ngjarje e jetuar) 

Të them të drejtën, s’kisha aspak dëshire të vizitoja së dyti Greqinë, aq më tepër qytetin bregdetar të Selanikut. Kjo mos dëshirë tunduese dhe turbullirë pështjelluese, mu krijua qysh në vizitën e parë, para pesë vitesh, kur shkova takova vëllain Alfredin, i cili jetonte prej vitesh në një lagje periferike të qytetit të Selanikut.  

               Ndjesia e boshllëkut mu krijua qysh se autobusi ndaloi përpara doganës greke, ftohtësia dhe rëndesa e doganierëve grekë, procedura e gjatë e kontrollimit, pa ndonjë shkak, humbja e çantës sime të udhëtimit, së bashku me mjekimet, për të cilën më thanë se ishte aksidentale dhe do e gjeja kur të kthehesha.  

               Pas kalimit të kufirit mu shtua boshllëku në stomak dhe hidhësia e gojës. Por që u përforcua më tepër  përgjatë rrugës automobilistike për në Selanik. Me qytetet e vogla, shtëpitë që kërkonin të shtynim me sup, gati me maraz njëra tjetrën, fshatrat e gërmuqura,  dhe aq më tepër më zhgënjeu Selaniku, më la shije jo fort të këndshme; me plogështinë,  grinë e lodhshme, gati acaruese, rrugët përdredhura, të ngucura, pallatet e vjetra, të irnosura dhe ftohtësi të padepërtueshme. 

               Sigurisht, atëherë takova vëllain e dashur, u gëzova shumë, u çmalla, na qeshte fytyra prej lumturisë.  U ulën në një stol pranë  bregut të detit Egje dhe kujtuam fëmijërinë tonë të varfër, por të bukur, familjen tonë të madhe. Prindërit tanë të dashur, babanë shtatlartë, hijerëndë, të mençur, të vuajtur, nënën tonë trupvogël, flokë bardhë, fjalëmbël, duarartë. Me trishtim dhe qeshje të lehtë në buzë kujtuam shitjen e bajameve me kripë, në lokalet e lagështa të qytetit, për bukën e gojës, në moshë fare të njomë. Psherëtimë dhimbshëm kur kujtuam patriotizmin, mirësinë, bamirësinë e familjes sonë dhe si shpërblim përndjekjen paradoksale të familjes nga diktatura. Stoicizmin e atit tonë, presionet dhe operacionet e qëllimshme që i bënë në trup babait hafijet e sigurimi i shtetit, etj, e të tjera.  

               Mbanim vesh, në heshtje ujin e shkumëzuar të detit Egje që rrihte bregun me potere, psherëtimë dhe, të menduar shtuam: 

               ’Eh çfarë nuk do bënim për takuar, biseduar, çmallur me prindërit tanë të mirë!’ 

               Kujtuam gjithashtu shtëpitë karakteristike, rrugët pastra me kalldrëm, të qytetit tonë të dashur, mbasi vendi tënd, qyteti i lindjes, sido që të vejë puna është i shenjtë.  

               Çuditërisht mbas nesh dergjej mugëtira. Selaniku më dukej sikur fliste përçart dhe, ambienti më la ndjesinë e thellë të boshllëkut. Ndërsa uji i turbull i detit Egje, më dukej sikur kafshonte bregun me inat, ngaqë nuk mund të shprehte fjalët e pathëna të mërgimtarëve dhe ikte me nxitim mbrapssh. 

               Ky vend aq i përfolur, për vite dhe dekada, më krijoi ndjesinë sikur mbarte një brengë të madhe, trishtim, klithma të uritura, vështrime të hidhëta, të turbullta, mbetura si peng i rëndë, diku larg, përtej maleve. Me erëra të marrosura që vinin furishëm prej detit të rënduar të mallit, rrihnin dhe fshikullonin pa ndërprerje orë e minutë. Shpresa të venitura, gati të çmendura, mbërthyer nga vargonjtë e vdekjes.  

               Por gjithsesi me gjithë këto përshtypje dhe mëdyshje, më duhej të shkoja pa tjetër në qytetin e Selanikut. Më nxiste dhe më shkundte  zëri i brendshëm shpirtëror, dashuria vëllazërore, urdhri sublim i prindërve, ndërruar jetë, vite më parë, varrosur në dheun e amshuar, të tokës amë. Zëri i gjithë familjes më urdhëronte të merrja udhën për në  Selanik, të vija një tufë me lule në varrin e vëllait tim të dashur Alfredit që ndërroi jetë para një viti, shkaktuar prej virusit dhe mbyllur rrugët e lëvizjes.  

               Një miku im kur pa dyzimin tim dhe, domosdoshmërinë e ikjes u tregua i  gatshëm të më shoqëronte, dhe shtoi: 

               -Diku afër Selanikut jeton vajza ime, Maria.  

               -S’ma merr mendja t’ia kesh venë ti emrin Maria? E pyeta. 

               -Oh, jo,- mu përgjigj:-Kur lindi i vunë emrin Albana. Por kur u martua me një grek, e vjehrra e pagëzoi dhe i vuri emrin që mban sot, Maria. 

               -Ok, nuk ka problem, – i thashë, për të mos i lënë ndonjë shije të hidhët. 

               – E d. Vajza ime Maria do na ndihmojë në gjithçka. Siç të thashë është martuar me një grek, ka lokal, bar- restorant, dhjetëra rrënjë ullinj dhe tokë të punueshme. Kanë dhe një vajzë 20 vjeçe. 

               – Oho! Më bëhet shumë qejfi që është rregulluar kaq mirë bija jote, – i thashë. 

               – Hëm, një farë lloji,- ma ktheu miku im me bezdisje dhe, në mënyrë enigmatike. 

               Nuk i kushtova rëndësi përgjigjes së mikut ngaqë mu kujtua  thënia shumë domethënëse për krenarinë, dinjitetin Korçar, Shqiptar si dhe monedha e fuqishme shqiptare që qarkullonte në mesin e viteve 30 të shekullit të kaluar, ndaj nuk mu ndenj  pa ja thënë: 

               -Keni dëgjuar besoj, dikur thuhej; nëse të digjet Selaniku i mugët e bëjnë tre herë tregtarët korçarë, por nëse digjet Korça e dritës, Selaniku s’ mund të bëjë qoftë dhe një rrugicë të Korçës.  

               Miku im nënqeshi me keqardhje dhe tha: 

               -Eh, o mik! Kanë rrjedhur shumë lumenj  të turbull qysh atëherë dhe janë shkatërruar të gjitha digat. Ne korçarët dikur krenarë, erdhëm varfanjakë, shërbëtorë këtu në Selanik dhe gjetkë. 

               – E di, – fola ultas dhe, me nostalgji mendova: Sikur Korça ime të kish mendje të kthjellëta, një çikë det ose liqen do ishte qyteti më i mrekullueshëm në botë. Sidoqoftë edhe kështu, është qyteti më karakteristik dhe për këtë ka  meritë të veçantë  familje ime Turtulli. 

               Në Selanik mbërritëm rreth orës 4 mbasi dite, ishte kohë e vranët. Shiu i vrullshëm, na detyroi të vraponim deri në stacion për të shpëtuar nga qullja prej shiut të rëndë.  

               Në hollin e stacionit na priste e bija e mikut tim, Maria. E mbaja mend të vogël, të hajthme, fytyrë ëmbël, sytë e zinj si ulliri, të mrekullueshëm, por tashmë ishte mëso grua e hijshme, trup lastar, syzezë, të mrekullueshëm, kur të ngulte sytë  zinj e të thellë dukej sikur shihje brenda tyre detin Egje, me gjithë ishujt e shumtë.  

               Maria me merakun e lodhjes të atit prej udhëtimit, ngulmoi të na çonte në shtëpi hanim një kafshatë bukë dhe të çlodheshim. 

               Iu luta vajzës së mikut, së pari, të më ndihmonte të shkoja në varrin e vëllait, nuk doja të na zinte nata, sepse të nesërmen shpresoja të gjeja çantën dhe të kthehesha përsëri në Korçë.  

               Për shkak të trafikut të rënduar rruga te varrezat zgjati afro një orë.  

               Kur mbërritëm në varreza çuditërisht shiu pushoi. Përpara meje u gjend varri i thjeshte i vëllait. 

                ’Eh çfarë nuk do bëja o vëlla për të takuar, biseduar, çmallur me ty.’ I fola me zë.  

               Mu bë sikur dëgjova një uturimë të brendshme, shungullimë dhe  lëvizje dheu. Një hop besova vërtet,  më dëgjoi vëllai dhe, i shkathët, energjik siç ish dikur, u ngrit nga varri dhe më buzagazin e bukur në buzë u shfaq i hijshëm dhe qëndroi përpara meje, Me zërin e mrekullueshëm bas bariton nisi të këndonte këngën që kish aq shumë për zemër: ’Dua më shumë Shqipërinë.’ Gjithë ambienti përreth u përshkëndit. Zëri i bukur, madhështor i vëllait pushtoi gjithë hapësirat, detin Egje, mpaki legjendat e lashta greke, sirenat të pështjelluara u fshehën në ujë, ndërsa Selaniku u mblodh i humbur, i hutuar dhe u gërmuq nëmugëtirë. 

               Vëllai heshti një hop dhe zë lodhur tha:  

               ‘Eh o vëlla e duam shumë atdhenë, por na bënë të vuajmë dhe na përzunë disa dreq politikanë sharlatanë, pa din e pa imanë!’ 

               U shtanga dhe fërkova sytë e lodhura. Doja të flisja, ta qetësoja, ti thosha që pas dimrit vjen pranvera. Por a do vinte vërtet pranvera? Vallë e gënjeja. Vëllai gjatë jetës së tij, nuk pa ndonjë pranverë. Të përtejshmit nuk i  hanë aq kollaj gënjeshtrat, mëria tyre është e gjatë dhe e tmerrshme.  

Mu kujtua e një moment nga jeta e tim vëllai: Në vitin 1989 u nderova me çmim vjetor për novelën ANA. Me disa miq u mblodhëm në klubin e lidhjes festuar çmimin. Më afrohet një zonjë e hijshme me buzëqeshje të bukur. Më zgjat dorën topolake dhe pyet: 

‘Kristaq Turtulli, urime për çmimin. Nga mbiemri duhet të jeni Korça, hë?’  

‘Po nga Korça,’ i them. 

‘Të njihemi, quhem Rozmari Jorganxhi.’ 

Dëgjuar emrin kësaj gruaje të lartë, mjeshtre korit. Im atë atin e saj Gaqo Jorganxhiun e kishte mik. 

‘Mbiemri juaj një kujton një djalë jashtëzakonisht të talentuar. Qysh atëherë, kanë kaluar vite por s’mund ta harroj atë zë të mrekullueshëm. Si  tani më kujtohet, përfundova provat e korit dhe dola në korridor, nga dhoma ngjitur dëgjova një zë bas-bariton, më shtangu. Prita derisa përfundoi zëri së kënduari, hyra brenda. Pranë pianos pashë një djalosh të pashëm, fare të ri. 

‘Nga jeni dhe, si quheni?’ pyeta djaloshin. 

‘Nga Korça, quhem Alfred Turtulli. 

‘Ah, jeni prej të TURTUJVE. More djalë, keni zë të bukur, të rrallë. Që sot do bëj kërkesë tu marrin në Opera. Ja kështu, bëra disa kërkesa radhazi në komitet, ministri. Vonë erdhi përgjigje nga Korça: Personin që kërkoni s’lejohet të këndojë në Opera, familje e deklasuar’. Eh! Nga bëhet tani ky djalë zë mrekullueshëm?’ 

‘Si të gjithë, punon, jeton,’ i thashë. 

Rozmaria, luajti kokën e menduar dhe tha: 

‘S’është aq thjesht të thuash atë fjalë. Zë si i vëllait tënd Alfredit, nuk ka pasur dhe nuk do ketë në Opera.’  

‘Por ai zë i bukur i vëllait që humbi, tani është bërë erë,’ fola kryeulur para varrit të tij.  

Rreth meje dergjej një qetësi e thellë dhe toka merrte frymë ngadalë. U ula në gjunjë dhe duar dridhur sy përlotur vura një tufë me lule, bëra respektin shpirtëror ndaj vëllait tim të dashur.  

Eh o vëlla, pse duhej të ish veç një imazh, lojë e mendjes së lodhur dhe zemrës sime të malluar.  

               Mu kujtua gjithashtu takimi i  fundit, para pesë vjetësh. Ulur në stol pranë bregut të detit Egje, vëllai zë shuar gati si pëshpërimë më tha:  

               ’Ky qytet të ha si molë, kudo mbart djallëzinë. Me vjen të rrëmbej shpirtin dhe të zhdukem…’ 

               E pashë habitshëm dhe u grinda me inat, më shumë me veten se me të: 

                ‘Ç’thua vëlla, të lutem! A mund ta mposhtë djallëzia greke një burrë stoik dhe energjik si ty?!’ 

               ‘Hëm! Ti e di më mirë e se unë, emigracioni kështu e ka, – ma ktheu vëllai në mënyrë enigmatike, dhe qeshi shpenguar. Unë vazhdoja ta vështroja ngulët dhe ai për të më qetësuar, luajti syrin ëmbëlsisht, si të më thoshte: 

                ‘O vëlla e kisha me shaka.’  

               Dhe unë bëra sikur u qetësova.  

               Qielli filloi përsëri të rëndohej prej reve të zeza, të dendura, Maria, bija e mikut tim na tha të shpejtonin, mund të çatiste shiu nga çasti në çast. I thashë nëse mundej të më ndihmonte të gjeja ndonjë hotel. Ajo pa nga i ati dhe qeshi ëmbël dhe pa më kthyer përgjigje i bëri shenjë shoferit të ngiste makinën drejt vrenjtësirës së lodhshme të qytetit të Selanikut. 

               Maria, vajza e mikut e kish shtëpinë në anën e kundërt, 15 kilometra larg qytetit të Selanikut. Kur filluan të binin pikat e para të mëdha të shiut, shoferi ndaloi makinën përpara një shtëpie të lartë, dy katëshe, me verandë të madhe, mbuluar me tendë.  

               -Hë, erdhe, – foli një zë grykor bijës së mikut, në gjuhën greke që pas banakut, dhe u vërtit me ngathtësi. Ish i shoqi, greku, një burrë shumë i shëndoshë, përtej bluzës së portokallinjtë i shpërthente barku i madh si kacek. Flokët gjysmë të zbardhura, të pakrehura, i qëndronin të ngritura përpjetë. Burri grek më ngjau ari i shkalafitur, përpara Zanës së malit, Maries, bijës së mikut tim. 

               Me syrin tim  dhe mendësinë kanadeze, përpara kësaj kamje dhe pasuri që kish bija e mikut tim, një farë mënyre pranohej kompromisi dhe bashkëjetesa e gjatë me burrin grek të dhjamosur dhe shkalafitur, aq me tepër tashmë i lidhte dhe vajza e rritur e mençur, e bukur si drita. Siç mora vesh më vonë e bija e Maries, me emrin Kaliopi, ishte në vitin e tretë të universitetit për ekonomik. 

               E kundroja me kënaqësi bijën e mikut tim të hershëm kur u shërbente klientëve grekë, lëvizte si flutur nga një tavolinë në tjetrën, shoqëruar me buzagazin e ëmbël. Kështu e mbaja mend që të vogël të shkathët, të papërtuar, me  buzagaz in e hijshëm në fytyrën klasike ovale, shqiptare. 

               Pasi hëngrëm darkë duke soditur shiun që derdhej furishëm në rrugë, mendoja që dhe jeta e njeriut është si ky shi. Dëgjova te bijën e mikut tim që tha: 

               -Po jeni të lodhur, mund të flini. 

               Unë përsëri ngulmova të shkoja në hotel, por ajo pa më kthyer përgjigje, me buzagazin e ëmbël në buzë, na shoqëroi në një dhomë me dy  shtretër, shtruar me kujdes, çarçafë të pastër të bardhë borë.  U tundova dhe pranova të flija aty, ku mund ta gjeja më mirë. 

               Nga ballkoni, përmes shiut të dendur, miku im më tregoi oborrin e madh dhe një shtëpi të vogël diku përtej, në cep, lyer me sherbet gërqele, por tashmë të irnosur, gërmuqur nga koha, qyngji i zi dilte përtej dritares, si relikë e vjetër, njëlloj si shtëpitë fshatare në Shqipëri. 

               -Kur ime bijë u martua me grekun, në atë kasolle i gjeti dhe, jetoi së bashku me prindërit e tij,- më tha miku im. 

               -Vërtet?! 

                -Po, po, ja, në atë kasolle. Me mundin dhe djersën e saj, duararta ime bijë ndërtoi këtë shtëpi të madhe që sheh.  

               – I lumtë! 

               – Eh o mik, ç’i sheh syri i bën dora. Flori e kam këtë çupë, flori. 

               – Më behet shumë qejfi për këtë vajzë që ke. 

               -Hëm!- ia bëri i vrenjtur miku im dhe shtoi:- Le tërë atë punë të madhe, por i bëri hyzmet vite me radhe edhe vjehrrit, atit të burrit që ishte ulok. 

               U shtriva në shtrat dhe vendosa duart nën kresë. Ndjehesha i mbushur, emocionuar dhe i trishtuar në kujtimet e paharrueshme me vëllain tim të ndjerë Fredin, që ndërroi jetë ashtu papritur dhe, unë nuk munda të shkoja në varrim, për shkak të korona virusit. Për mua ishte dhe mbetet vëlla i rrallë, shpirtgjerë, që asnjëherë nuk dinte të prishte qejf. Ndaj doja të shprehesha, të tregoja kujtime, momente nga jeta me vëllain tim të dashur dhe të paharruar, por miku im s’ më dëgjonte, i gjezdiste mendja gjetkë.  

               – Më vjen keq për time bijë,- më tha më në fund dhe rënkoi. U ktheva ngadalë dhe vështrova ngulët drejt tij. Ndërsa ai vazhdoi.: 

               – Ta dish o mik, për këtë vajzë të mirë, zemër flori xhani im ma di. 

               -Të vjen keq, e përse?- i thashë gati i nervozuar. U ngrita ndenjur dhe shtova: – O mik, sido që të vejë puna, vajza juaj, e ka të siguruar jetën, me gjithë këtë kamje, pasuri dhe, me një çupë të bukur si dritë.  

               -Pikërisht ngaqë nuk e ka asgjë të siguruar prandaj më vjen keq. 

               – Nuk ju kuptoj?!- i thashë:- Fol më shkoqur. 

               -Hëm, ke të drejtë. Siç  e pe, ka burrë të shëndoshë, mezi lëviz, dembel. Nuk e ndihmon për asgjë, vetëm të hajë, të përtypet si derr e ka mendjen gjithë ditën. Çupa ime punon, e vetme që në pikë të mëngjesit deri në darkë. Lëre punën në lokal por dhe në pushimin e drekës në vend të qetësohet për veten, shkon përkujdeset për ullinjtë e tokat e grekut. Të thashë, për punë s’ ja ha njeri shkopin… 

               -Edhe?! 

               -Eh o mik… e keqja është se ai mut grek nuk i ka bërë akoma pasaportizimin, domethënë s’i jep nënshtetësinë greke. Tani vonë e mora vesh, mbasi ime bijë nuk më tregonte. 

               -Ou, ou ,ou! Hej, mos më luaj mendsh! Ata, a nuk janë të martuar?!- U grinda i habitur. 

               -Të martuar, prej më shumë se njëzet e ca vjetësh, me celebrim, në Korçë dhe këtu në Selanik. 

               -Atëherë?! 

               – Qeveria greke me kodoshllëk ka lënë hapur një klauzolë të qelbur, nëse burri grek nuk vë firmën në polici, s’i jepet aprovimi gruas së tij me shtetësi shqiptare të marrë nënshtetësia greke. 

               – Kjo është poshtërsi!- u revoltova. 

               -He, he, ai mashkull grek, që të ngjan aq i bytymtë, gati i prishur nga mendtë, nuk është aq budalla sa duket. I ndruhet, ja ka frikën dhe nevojën çupës sime, prandaj e mban të varur dhe e shfrytëzon. Kudo ngre krye djallëzia e lashtë greke. 

               -Ky është diskriminim, skllavëri!- bërtita në kupë të qiellit. 

               – Shë, ë, ë, ët,  na dëgjon çupa. Nuk do të bëhet pazar çështja e saj. Eh! Më vjen ta mbërthej për gryke greko maskaranë dhe ti jap një dru të mirë, po ç’të bëj, i prish shumë punë çupës sime. 

               Përtej ballkonit vazhdonte të rridhte me potere shiu i errët, bllanka të mëdha. Nën perden e rëndë të rrebeshit Selaniku më dukej sikur fliste përçart. Gjithçka më la ndjesinë e thellë të boshllëkut. 

               Mu bë sikur dëgjova sërish zërin e shuar të vëllait tim Alfredit, si pëshpërimë më tha:  

               ’Ky qytet të ha si molë, kudo mbart djallëzinë. Me vjen të rrëmbej shpirtin dhe të zhdukem…’ 

               Kristaq Turtulli 

               Korçë: 10. Qershor. Toronto 5 Gusht 

Filed Under: LETERSI

LIBRI I CILI SOLLI MES NESH TRIMIN HALIT (AZEM) ÇUKA

September 8, 2022 by s p

Hazir MEHMETI   

“Ai që nuk njeh të kaluarën nuk do ta kuptojë as të ardhmen” (Eco) 

 Promovimi i librit HALIT (AZEM) ÇUKA, me autor  Qazim Azemi në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”, vlerë  historike kombëtare. 

       Në ambientet e bukura të sallës së Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” u rikujtua njëri nga personalitet e historisë sonë të lavdishme, Halit Çuka, i cili  tërë jetën ia kushtoi luftës për liri kundër pushtuesve serb në kohët e rënda për kombin shqiptar. Emri i tij ishte halë në sy për pushtuesit deri në çlirimin e Kosovës. Familja e tij ishin në shënjestër dhe ishte e vështirë jeta e secilit anëtar në sistemin komunist i cili ua konfiskoi pasurinë deri në trohën e fundit nga magjja.  Por, mendja e ndritur e familjes e brumosur me ide përparimtare stërgjyshore u pasurua me shkollimin e shumë prej tyre edhe autori i librit, Prof.Qazim Azemi.  Shkollimi hapi shtigje të reja në luftën për çlirimin e kombit dhe sot jemi të lirë të përkujtojmë lirshëm trimat që dhanë jetën e tyre për liri.   Vushtrriasit përjetuan dhe mësuan për figurën e Halit Çukës si asnjëherë më parë.   Nderim i veçantë ishte prania e të parit të komunës Ferit Idrizi i cili mbajti fjalë rasti në respekt të veprës së trimit Halit Çuka. Ai përgëzoi autorin e librit për veprën e re monografike me rëndësi për historinë kombëtare. 
      Redaktori i librit, Prof. Bedri Tahiri, shkrun:  “Personalitetin e Halit Çukës e përplotësojnë dhe veprës i japin karakter shumëdimensional, duke kapërcyer atë familjar, jetëshkrimet për bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët e tij të shumtë, të cilat autori asnjëherë nuk i lë anash dhe u jep vendin e merituar. Të gjithë ata: vëllezër, miq, kushërinj, bashkëveprimtarë, dashamirë e atdhetarë të njohur, përherë janë krahë përkrahë me të, në beteja e në kuvende, në organizime e në veprime. Halit Çuka ishte kryetar i Komitetit për mbrojtjen e Kosovës në Komunën e atëhershme të Samadrexhës.” 
        “Halit Çuka e ndoqi rrugën e shumë patriotëve të shquar të kombit tonë, të cilët angazhoheshin për avancimin e çështjes kombëtare, të nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë pasurinë, jetën e vet dhe djemve të tij, ku tërë pasurinë që kishte e shkriu për çështjen kombëtare.” (Hysen Azemi, recensent). 

     Në fjalën e tij autori i librit Qazim Azemi para publikut që mbushte sallën mes tjerash tha: “Ka qenë periudhë e vështirë kur njeriu s’ka mundur t’a përmend emrin e babait, të gjyshit, me pretekst se ata kinse qenë “armiq” të popullit. Por, kujtesa e popullit mbajti të gjallë veprën e tij, emrin e tij. U tregua, u këndua dhe bisedua për atdhetarin dhe dëshmorin e kombit Halit Çuka, i cili dha jetën për liri. Gjatë hulumtimeve të mia në Arkivin Historik të Kosovës, edhe aty mungojnë materialet me të dhëna lidhur me konfiskimin e pasurisë dhe personave të likuiduar gjatë viteve 1945/46, janë të zhdukura nga dora gjakatare serbe. I falënderoj të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët, të cilët më kanë ndihmuar në çfarëdo forme deri në realizimin e librit”. 

      Autorin e librit, Prof. Qazim Azemi, e kisha kolegë në Qendrën Shkollore të Vushtrrisë e cila përjetoj sulme të vazhdueshme nga pushtuesit serb. Duke pasur një kolektiv nga intelektual punëtor e patriot u bë cak i sulmeve nga armiqtë serb. Kjo qendër shkollore përjetoj diferencimin nga i cili pësuan disa mësimdhënës, mes tyre edhe Qazim Azemi. Shkolla përjetoj helmimin e nxënësve nga agjentët policor e ushtarak serb në vitin 1990, një krim për të cilin nuk foli drejtësia, përjetoj mbylljen e shkollës dhe dëbimin me dhunë nga lokalet shkollore. Por, kolektivi nuk u gjunjëzua, vazhdoi punën mësimore në shtëpitë shkolla gjithandej Vushtrrisë dhe fshatrave deri në çlirimin e vendit.  Halit Çuka dhe trimat e kombit ishin frymëzim për secilin prej nesh deri në realizimin e idealeve të tij dhe dëshmorëve tjerë të kombit për liri.  

                Sot Halit (Azem) Çuka kthehet krenar në Vushtrrinë dhe Kosovën e tij të lirë për të cilën dha jetën, dha bijtë dhe pasurinë e tij.  
            Biblioteka e Vushtrrisë u pasurua me veprën e re e cila do flet brezave që vijnë.  Autorit, Prof. Qazim Azemi, i dëshirojmë shëndet dhe shumë vepra tjera.  

Filed Under: Rajon

PO TË RRËFEHEM TY ATDHE / Poezi nga Zyrafete Kryeziu-Manaj

September 8, 2022 by s p

PO TË RRËFEHEM TY ATDHE

Sot po vij tek ti me hapa të lodhun

Atdhe,

veq ruajma besën e shekujve

Se do të ma kthesh sofrën e ngrohtë

me pogaqe prushi.

Sot po vij tek ti atdhe me shpresat e mëdha

se e mira do të na ndritë ballin ty e mua,

se eshrat po na kërcasin nga të

zanunit ngusht, nga dertet e hallet.

Po vi tek ti me i vra dhimbjet Atdhe,

e me ngjy piken e lotit deri në tharje,

me ja hap rrugën dritës së diellit

e me ngrohë pak shpirtin 

e mërdhirë nga ditët e rënda që i

përcollëm me humbje.

Atdhe ngrohma ballin pash

gjakun e dëshmorëve,

dhe shtroma sofrën pa hile, 

me agun e stineve te gjelbrume, 

e me barin e njomë të njomësohemi.

Ah bre atdheu im sa përmallshëm

po nisem kah ti!

veq shpresa po me mban se do

te bëhet mirë.

S’I MET FOLË SOT

(Nënës time)

Me cilën fjalë me nis ditën për ty
E yjet që të bëjnë roje
Çka t’ju them?
Brinjët mi numroje pas hileve të turturave
Me ofsham flisje
E ngrehje cepin e buzëve
Thoje,
Lirija nganjëher dhemb,
dhemb oj bijë.
Nën palët e shpirtit
E fshihje merzinë
A të kujtohet nënë…?!
Kur në dhe të huaj hapnim varrë
Për loqkën tënde
Që mbeti anve të botës
Pa mujt me ardh bri teje,
Ti matëshe kohën me akrepin e orës mbrapsht,
Doje me u kthy në kujtime,
Atëhere kur rreth oxhakut na grumbulloje,
E ne ngroheshim nga dy palë zjarre
Ate të zemrës sate
Dhe me prushin në oxhak…!
Ma thuaj nënë
Me cilën fjalë ta bekojë zotin
Që m’fali bijën tënde,
Dhe kurr s’më trembi jeta
U mësova nga forca jote.
Kur dhimbjet t’i shponin brinjët…
Ti prap thoje
Ka edhe ma zi
Forca, bija ime forca, mos të na vrajnë ligësit.
A e din bre nënë
Se rrënja e pragut u varfrue pa fjalën tënde
E oborri se ka rritën e diellin tëndë…
O zot falëm, falëm..
Se sot veç malli më flet.

PËRDITË JAM GRUE

Në lëkurën time e të saj ndeshet koha lakuriq 
se me lotët e tronditura e shamikuqen mbyllasysh
këndohej kënga e vajit. 
Motet rrokullisen duke përbuzur qenien time e të saj 
e rrënjën ia përbuzin me fjalët gri.
A ndoshta veç pse e shtyjnë të bëhet preh gjahu,
E liga thyer historish me ligjerata të përditshme 
për ta bërë copë unin e saj prej çike. 
Se nga sot pragu i ri nuk është yti. 
Unë tash jam grua përditë, edhe kur ringjall jetën
apo kur gurohem amanetesh 
edhe kur netëve pa hënë u bëjë roje 
vetëm që mos shterojnë burimet, 
e gjogut të bardhë
ia kreh jelat e besës, 
se veç kështu e rriti emrin grua
Kanunit ia thyej rreshtat.
Rob shtëpie të mos më thërrasin më!

PO FLAS ME TY

Po të mundi kohë e vdekur
Bija im
Je dromcë e harruar kohësh
Dhe zingjir që ndryshku bëhet me pëllëmbë…
Koha e vdekur e jeta bashkë
Punojnë në të kundërtën e gravitetit
Dije mirë
Se nuancat e hija nuk shkojnë bashkë…
Po tu vesh kohë e vdekur
Grise, grise, munde
Se ditët të kthehën në zhubravitje orësh
E hiqi lëshon rrenjë, e gris paqën
e shpirtit tënd…
Vraje kohën e vdekur
Shoqe mos u bënë me te
As mos pi ujë nga buzët e saj se e vdekura kohë
Të vdes dhe ty 
po sdite me e hjek nga loçka e zemrës sate.

ELEGJI PËR TIM VËLLA

Ti pash rrudhat e ballit

që haheshin me kohën, 

kur zunë e ta mbyllën derën e shkollës, 

e ta vranë dëshirën e mbjellur moteve, 

 or vëlla.

– Po lisat nuk thyhen dot!- sa herë e thoje këtë. 

Se rrënja e rrënjës thellë e ka shtrëngu dheun e lokës, 

atë dhe ku koka s’pari të ra, 

e këtë tokë, që jorgan i eshtrave tu bë. 

Brenda zemrës sate pushoi dhimbja, 

ajo dhimbje- për ditarin e notave peng.

Për Arbërin, që i premtove ta vlerësoje 

në hartimin e fundit në vjeshtë, 

e Besës ia harrove notën, peng ia le. 

-Po kthehu o bac e mbylli notat, 

se të presin cicërimat e zogjve

korridoreve të shkollës!

Të asaj shkolle, që dryrin e armikut e hoqe duke e thyer.

-Lisat nuk rrëzohen leht, 

ti e the vetë frazën e përditshme,

në lojën hileqare kur ta ngriste UDB-ja. 

Sa herë u thoje: 

-Vendi ka zot!

ata tokën ndër këmbë ta dogjën, 

se të tyrin s’të bërën dot.

Po ani fli tash, fli, 

se themelet e lirisë së atdheut t’ u bënë shtrat, 

e koka jote mbështetun në krah shqiponje. 

Të atij flamuri, që e valvite si fëmijë. 

Që atëherë bac, 

ta nguli dhëmbin kuçedra sllave, 

por s’të rrëzoi dot…

Lisat nuk rrëzohen lehtë edhe nëse lakohen, 

rrënjët i ngulitin thellë në tokë,

Tash fli, se gjumi i përjetësisë të bënë mirë.

Notat të mbesin kod në histori.

Fli baci im në të amshueshmin dhe, 

që tu bë jorgan i trupit tënd 

dhe bajrak që valon lirshëm në gjoksin tënd.

PRAPA MË VINTE AHU I FRYMËS SATE

Kur putha dashurinë u deha
e prapa më vinte ahu i frymës sate
unë tërhiqja aromën dhe e futnja në valvulat e zemrës
ta ruaja si pajën e vashave

U deha me at’ erë trupi, 

u njoma si shelnje në pranëverë
në shtratin e dashurisë u deha
ringjallje si me langun elikzir

DHE NGA ATDHEU

Në strajcën t’ime të kozmetikës

Buzëkuq nuk ka,

Nuk ka as lapës për sy

As tush të zi çërpikësh

As parfum Parisi.

Për këtë

Ç’do të thonë zonjat “madam”…?!

Unë u them

Po ka dhe nga atdheu

Që e bart pas

Kahdo që endi trupin tim.

Me mungon dhe pallto e dimrit

Trikoja e trashë me lesh delesh

Çorapet

Ato kur nëna m’i dha ditën e arrestimit.

Ah…! edhe ato më mungojnë

Por s’ka gjë

Nuk ka jo,

Se strajca e mbushur me dhe nga atdheu

Palcë dhe shpirt m’i ngrohë.

Në strajcën t’ime të kozmetikës

Nuk ka pudër nga Stambolli,

Nuk ka as medaljon ari

As brushë e pincet vetullash,

Por aty ka një grusht dhe nga atdheu

Që njom shpirtin

Dhe ngrohë ashtin në ditë acari…

Ai grusht dhe nga atdheu.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT