PO TË RRËFEHEM TY ATDHE
Sot po vij tek ti me hapa të lodhun
Atdhe,
veq ruajma besën e shekujve
Se do të ma kthesh sofrën e ngrohtë
me pogaqe prushi.
Sot po vij tek ti atdhe me shpresat e mëdha
se e mira do të na ndritë ballin ty e mua,
se eshrat po na kërcasin nga të
zanunit ngusht, nga dertet e hallet.
Po vi tek ti me i vra dhimbjet Atdhe,
e me ngjy piken e lotit deri në tharje,
me ja hap rrugën dritës së diellit
e me ngrohë pak shpirtin
e mërdhirë nga ditët e rënda që i
përcollëm me humbje.
Atdhe ngrohma ballin pash
gjakun e dëshmorëve,
dhe shtroma sofrën pa hile,
me agun e stineve te gjelbrume,
e me barin e njomë të njomësohemi.
Ah bre atdheu im sa përmallshëm
po nisem kah ti!
veq shpresa po me mban se do
te bëhet mirë.
S’I MET FOLË SOT
(Nënës time)
Me cilën fjalë me nis ditën për ty
E yjet që të bëjnë roje
Çka t’ju them?
Brinjët mi numroje pas hileve të turturave
Me ofsham flisje
E ngrehje cepin e buzëve
Thoje,
Lirija nganjëher dhemb,
dhemb oj bijë.
Nën palët e shpirtit
E fshihje merzinë
A të kujtohet nënë…?!
Kur në dhe të huaj hapnim varrë
Për loqkën tënde
Që mbeti anve të botës
Pa mujt me ardh bri teje,
Ti matëshe kohën me akrepin e orës mbrapsht,
Doje me u kthy në kujtime,
Atëhere kur rreth oxhakut na grumbulloje,
E ne ngroheshim nga dy palë zjarre
Ate të zemrës sate
Dhe me prushin në oxhak…!
Ma thuaj nënë
Me cilën fjalë ta bekojë zotin
Që m’fali bijën tënde,
Dhe kurr s’më trembi jeta
U mësova nga forca jote.
Kur dhimbjet t’i shponin brinjët…
Ti prap thoje
Ka edhe ma zi
Forca, bija ime forca, mos të na vrajnë ligësit.
A e din bre nënë
Se rrënja e pragut u varfrue pa fjalën tënde
E oborri se ka rritën e diellin tëndë…
O zot falëm, falëm..
Se sot veç malli më flet.
PËRDITË JAM GRUE
Në lëkurën time e të saj ndeshet koha lakuriq
se me lotët e tronditura e shamikuqen mbyllasysh
këndohej kënga e vajit.
Motet rrokullisen duke përbuzur qenien time e të saj
e rrënjën ia përbuzin me fjalët gri.
A ndoshta veç pse e shtyjnë të bëhet preh gjahu,
E liga thyer historish me ligjerata të përditshme
për ta bërë copë unin e saj prej çike.
Se nga sot pragu i ri nuk është yti.
Unë tash jam grua përditë, edhe kur ringjall jetën
apo kur gurohem amanetesh
edhe kur netëve pa hënë u bëjë roje
vetëm që mos shterojnë burimet,
e gjogut të bardhë
ia kreh jelat e besës,
se veç kështu e rriti emrin grua
Kanunit ia thyej rreshtat.
Rob shtëpie të mos më thërrasin më!
PO FLAS ME TY
Po të mundi kohë e vdekur
Bija im
Je dromcë e harruar kohësh
Dhe zingjir që ndryshku bëhet me pëllëmbë…
Koha e vdekur e jeta bashkë
Punojnë në të kundërtën e gravitetit
Dije mirë
Se nuancat e hija nuk shkojnë bashkë…
Po tu vesh kohë e vdekur
Grise, grise, munde
Se ditët të kthehën në zhubravitje orësh
E hiqi lëshon rrenjë, e gris paqën
e shpirtit tënd…
Vraje kohën e vdekur
Shoqe mos u bënë me te
As mos pi ujë nga buzët e saj se e vdekura kohë
Të vdes dhe ty
po sdite me e hjek nga loçka e zemrës sate.
ELEGJI PËR TIM VËLLA
Ti pash rrudhat e ballit
që haheshin me kohën,
kur zunë e ta mbyllën derën e shkollës,
e ta vranë dëshirën e mbjellur moteve,
or vëlla.
– Po lisat nuk thyhen dot!- sa herë e thoje këtë.
Se rrënja e rrënjës thellë e ka shtrëngu dheun e lokës,
atë dhe ku koka s’pari të ra,
e këtë tokë, që jorgan i eshtrave tu bë.
Brenda zemrës sate pushoi dhimbja,
ajo dhimbje- për ditarin e notave peng.
Për Arbërin, që i premtove ta vlerësoje
në hartimin e fundit në vjeshtë,
e Besës ia harrove notën, peng ia le.
-Po kthehu o bac e mbylli notat,
se të presin cicërimat e zogjve
korridoreve të shkollës!
Të asaj shkolle, që dryrin e armikut e hoqe duke e thyer.
-Lisat nuk rrëzohen leht,
ti e the vetë frazën e përditshme,
në lojën hileqare kur ta ngriste UDB-ja.
Sa herë u thoje:
-Vendi ka zot!
ata tokën ndër këmbë ta dogjën,
se të tyrin s’të bërën dot.
Po ani fli tash, fli,
se themelet e lirisë së atdheut t’ u bënë shtrat,
e koka jote mbështetun në krah shqiponje.
Të atij flamuri, që e valvite si fëmijë.
Që atëherë bac,
ta nguli dhëmbin kuçedra sllave,
por s’të rrëzoi dot…
Lisat nuk rrëzohen lehtë edhe nëse lakohen,
rrënjët i ngulitin thellë në tokë,
Tash fli, se gjumi i përjetësisë të bënë mirë.
Notat të mbesin kod në histori.
Fli baci im në të amshueshmin dhe,
që tu bë jorgan i trupit tënd
dhe bajrak që valon lirshëm në gjoksin tënd.
PRAPA MË VINTE AHU I FRYMËS SATE
Kur putha dashurinë u deha
e prapa më vinte ahu i frymës sate
unë tërhiqja aromën dhe e futnja në valvulat e zemrës
ta ruaja si pajën e vashave
U deha me at’ erë trupi,
u njoma si shelnje në pranëverë
në shtratin e dashurisë u deha
ringjallje si me langun elikzir
DHE NGA ATDHEU
Në strajcën t’ime të kozmetikës
Buzëkuq nuk ka,
Nuk ka as lapës për sy
As tush të zi çërpikësh
As parfum Parisi.
Për këtë
Ç’do të thonë zonjat “madam”…?!
Unë u them
Po ka dhe nga atdheu
Që e bart pas
Kahdo që endi trupin tim.
Me mungon dhe pallto e dimrit
Trikoja e trashë me lesh delesh
Çorapet
Ato kur nëna m’i dha ditën e arrestimit.
Ah…! edhe ato më mungojnë
Por s’ka gjë
Nuk ka jo,
Se strajca e mbushur me dhe nga atdheu
Palcë dhe shpirt m’i ngrohë.
Në strajcën t’ime të kozmetikës
Nuk ka pudër nga Stambolli,
Nuk ka as medaljon ari
As brushë e pincet vetullash,
Por aty ka një grusht dhe nga atdheu
Që njom shpirtin
Dhe ngrohë ashtin në ditë acari…
Ai grusht dhe nga atdheu.