• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

GIORNALE DI UDINE (1927) / KUR KRYETARI I FEDERATËS “VATRA” I SHKRUANTE KRYEMINISTRIT SHQIPTAR NË LIDHJE ME KONFUZIONIN QË PO KRIJONTE FEDERATA IMAGJINARE “BIJT E SHQIPËRISË” NË LIDHJEN E KOMBEVE

October 16, 2022 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Tetor 2022

“Giornale di Udine” ka botuar, të premten e 4 nëntorit 1927, në ballinë, një shkrim një lidhje me konfliktin asokohe të Federatës panshqiptare “Vatra” me federatën imagjinare “Bijt e Shqipërisë”, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Protestat e një shoqërie të paqartë shqiptare

Burimi : Giornale di Udine, e premte, 4 nëntor 1927, ballinë
Burimi : Giornale di Udine, e premte, 4 nëntor 1927, ballinë

Romë, 3 nëntor.

Kryetari i Federatës Shqiptare Vatra, e cila është shoqata e madhe e emigrantëve shqiptarë në Amerikë dhe që ushtron një ndikim të konsiderueshëm ekonomik dhe politik në Shqipëri, ia komunikoi Shkëlqesisë së Tij Kreut të Qeverisë, tekstin e telegramit të mëposhtëm drejtuar Lidhjes së Kombeve nga Vatra : 

“Disa muaj më parë një grup armiqsh të qeverisë shqiptare që jetonin në Boston krijuan një Federatë imagjinare shqiptare të quajtur “Bijt e Shqipërisë”, me idenë për të gjeneruar konfuzion me Federatën Shqiptare Vatra. Kjo Federatë e re imagjinare vazhdon të dërgojë herë pas here protesta në Lidhjen e Kombeve, të shkruara në një anglishte të dobët. Kjo ka ndodhur sërish këtë javë, me dërgimin tek Lidhja të një proteste kundër Paktit të Tiranës. Ju lutemi vini re se Federata Shqiptare Vatra, një institucion i vjetër dhe një zëdhënës serioz i shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, nuk ka asnjë lidhje me protesta të tilla; ajo në çfarëdo mënyre dëmton pavarësinë e saj. — Me respekt, firmos : AQILE TASI, Kryetar i Vatrës.”

Filed Under: Vatra Tagged With: Aurenc Bebja

Interesat personale para atyre publike

October 16, 2022 by s p

Nail Draga/

Refuzimi i propozimit të presidentit për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve nga ana e shumicës aktuale  parlamentare, dëshmon qartë defektet e kushtetutës së vendit e cila duhet të ndryshohet, për të qenë në favor të funksionimit të qeverisjës dhe të interesit publik, e jo të interesave personale e të klanëve të ndryshme, duke injoruar qytetarët të cilët aty janë në sajë të votave tyre

Nga miratimi i pluralizmit  në Mal të Zi(1990) në skenën politike  pas tridhjetëvitesh në zgjedhjet parlmentare të mbajtuara me 30 gusht 2020, PDS-i kaloi në opozitë, të cilët e kanë përjetuar si goditje  të rëndë politike. Nga ato zgjedhje u formuan dy qeveri e para e njohur  si e ekspertëve dhe e dyta e pakicës, por nuk paten jetëgjatësi, duke dëshmuar  se  ende nuk janë në nivelin  e duhur për të qeverisur, sepse ka ekzistuar animoziteti personal dhe sidomos dallimet programore e eideologjike  në mes konstituentëve të koalicionit qeverisës. Një veprim i tillë i dha mundësi PDS-ës  të gjallërohet, të cilët për interesat e tyre e mbeshtetën qeverinë e pakicës, duke përjashtuar idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Partitokracia si parim i qeverisjës 

Në ato mjedise ku në rend të parë janë interesat personale apo partiake, mungon qasja parimore për qeverisje, andaj edhe marrëveshjet e arritura janë formale, duke marrë  parasysh se shoqëria malazeze është tipike partitokratike, edhe marrëveshjet për çështjet elementare është vështirë të arrihet konsenzuesi.

Arritja e marrëveshjës nga ana e shumicës se re përkatësisht  të vjetër parlamentare që për kryeminstër të propozohet M.Lekiqi nuk u mbeshtet nga presidenti M.Gjukanoviq, u hapen dilema të cilat nuk kanë qenë të pranishme   deri më tash në relacionin president-parlament.

Shteti si pronë private

Dhe nuk sit ë jetë ndryshe sepse përvoja  e deritashme dëshmon se shumë individë të angazhuar në politikë, sidomos ato në nivel shtetëror, Malin e Zi e trajtojnë si pronë të tyre, madje disa prej tyre politikën e kanë si profesion të vetëm.Një perceptim  i tillë nuk vlenë vetëm për partitë e mëdha por edhe të ata të voglat, sepse një dukuri e tillë  ndodhë të shoqëritë me demokraci të pakonsoliduar, ku është e pranishme autokracia, ku Mali i Zi është rast tipik  në regjion.

Privilegjet nga politika

Jemi dëshmitarë se individë të ndryshëm përmes angazhimit në politikë kanë siguruar privilegje, andaj bëjnë çmos që ata mos ti humbin, me veprime të ndryshme që varësisht prej rastit sillen sikurse akrobatet e cirkut. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse vendi i punës së politikanit në Mal të Zi paguhet mirë, andaj edhe angazhimi në këtë drejtim shpërblehet.Por, të gjithë jemi dëshmitarë se politikanët në vend që të punojnë për interesin publik, në rend të pare kanë  interesin personal.

Duhet të ndryshohet kushtetura

Ndër pengesat e mosfunksionimit të pushtetit aktual në Mal të Zi, paraqet edhe kushtetuta e cila është  miratuar në vitin 2007.Por, nga ajo kohë e deri më tash ka kaluar një kohë e mjaftueshme, duke dëshmuar defekte në funksionimin e pushtetit, në raportin me qeverinë dhe presidentin e vendit. 

Janë pikërisht defektet në kushtetutë që ekzekutivit dhe parlamentit i mundësojnë të veprojnë sipas momentit të përshtatshëm, sepse nuk ekzistojnë pengesa të definura në kushtetutë. Për një veprim të tillë të shumicës aktuale parlamentare nga 30 gushti i vitit 2020 këtë komoditet iu ofron kjo kushtetutë e cila nuk ka pësuar pësuar ndryshime. Por, pse nuk ka pësuar ndryshime përgjegjës është vet presidenti aktual M.Gjukanoviqi, sepse ai me partinë e tij(PDS) e ka hartauar  e miratuar ate, duke mos menduar se një ditë do të jenë në opozitë. 

Pra një veprim i tillë duke menduar se do të jenë në pushtet në mënyrë të përhershme, si duket tash iu ka sjellë kokëçarje atyre dhe qytetarëve të cilët nuk janë mësuar me veprime të tilla destruktive në skenën politike në Mal të Zi.

Në pritje të  shpërndarjës së  parlamentit

Ndryshimet në kushtetutë janë të nevojshme duke i cekur në mënyrë taksative obligimet e presidentit, kryeministrit dhe të parlamentit, se si duhet të veprohet kur qeveria humb votëbesimin, e jo duke kriuar akrobicione politike nga partitë parlamentare, të cilat herë janë pjesë e shumicës e herë të pakicës parlamentare. Në raste të tilla, duhet të definohet se kur qeveria humb votëbesimin, shpërndahet parlamenti dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sikurse veprohet në vendet demokratike evropiane. 

Ndërsa në rastin konkret në Mal të Zi, edhe pse presidenti i vendit ka dhënë propozimin qe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme paralmanetare, ai mund të jetë vetëm propozim, sepse çdo gjë varët nga disponimi dhe interesi i partive parlamentare të cilat përbëjnë shumicën për të miratuar një kërkesë të tillë.Në rastin konkret, propozimi i presidentit u refuzu, sepsë  i munguan votat e mjaftueshme(41) për të realizuar në praktikë një veprim të tillë, andaj çdo gjë do varet nga shumica aktuale parlamentare. 

Por, po të ishte definuar qartë në kushtetutë ingerencat e presidentit në lidhje me këtë çështje ai nuk do të varej nga disponimi dhe interesat e deputetëve të shumicës,të cilët mbrojnë interesat e tyre dhe të subjektëve politike,  por me dekret do të shpërndante parlamentin dhe shpallte zgjedhjet parlamentare, si kudo në botën demokratike.

Kaosi politik në dëm të qytetarëve

Duke marrë parasysh se një dukuri e tillë është panjohur deri më tash në pluralizëm, skena politike në Mal të Zi ka kohë që është në një kaso politik i cili për momentin nuk ka zgjidhje. Sepse deri sa presidenti i shtetit refuzon të mandatojë për kryeministër M.Lekiqin, nga shumica e re(e vjetër) parlamentare, ndërsa shkarkimet e ndryshme  në institucionet shetërore ditëve të fundit, si rezultat i aferës së korrupcionit të duhanit,  dëshmojnë se nuk kemi stabilitet të qeverisë e cila si e tillë siç duket do të vazhdojë deri në formimin e qeveresiës së re, apo të zgjedhjeve parlamentare. Pasi në ndërkohë do të mbahen  edhe zgedhjet lokale me 23 tetor, në 14 komuna, ku më e rëndësishmja është ajo e Podgoricës, rezultati i zgjedhjeve do të jetë barometër tregues  dhe orientim për ditët në vijim në skenën politike.

Partitë politike si grupe të interesit

Përfundimisht del qartë se  në skenën politike në Mal të Zi  partite politike me tepër iu ngjajnë grupeve të interesit, sepse përmes tyre individë dhe klane të ndryshme janë përfituesit më të mëdhënjë,  që dëshmohet me mos shpërnndarjen e parlamentit dhe mbajtjën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si mundësi reale për daljën nga kriza aktuale në këtë mjedis. 

(Tetor 2022)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

ËSHTË KOHA E MBJELLJES SË GRURIT ZOTI KRYEMINISTËR

October 16, 2022 by s p

Nga Agr. Abdurahim Ashiku/


KA ARDHË KOHA E MBJELLJES SË GRURIT
ZOTI RAMA,
ZONJA KRIFCA…
ZOTRINJ KUVENDARË…
Me 80 për qind të tokës djerrë nuk ka bukë, nuk ka Shqipëri të pavarur, KA VETËM KRIZË…
DHE AJO PO NA VRET…

Dhe një këshillë shoqërore për kolegët e mi në MEDIA… Është koha ta përsërisni togfjalëshin “ËSHTË KOHA E MBJELLJES SË GRURIT” nga mëngjesi në darkë, ta ndiqni me laps, aparat fotografik e kamerë televizive mbjelljen e grurit, thekrit, elbit… në  fusha, kodra e male pa u lodhur dhe me profesionalitet…  

Në vitin 1950 Shqipëria mbillte 87 mijë hektarë grurë…
Në vitin 1991 mbillte 144 mijë hektarë…
Në vitin  2020 mbillte 53.946 hektarë…
Në vitin 2020 nuk mbillej as sa mbillej në vitin 1950 por plot 33.054 hektarë më pak.
Në vitin 2013, kohë kur ju u bëtë kryeministër, sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 71.200 hektarë, 15.800 hektarë më pak se sa ishte mbjellë në vitin 1950 kur Shqipëria e merrte bukën me triskë…

Po, po. Është pikërisht koha. Tetori është muaji më i mirë për mbjelljen e grurit.
Po qe se nuk e din (dhe s’ke si ta dish se piktor je), pyet ndihmësit tuaj për bujqësinë, pyet ministren e bujqësisë, pyet këdo prej specialistëve (të vjetrit që kanë qenë në ballë të “fushatës së mbjelljeve” më se tri dekada më parë) por edhe të rinjtë ata që sapo kanë mbaruar universitetin, sapo kanë dhënë provimin e lëndës “Bimët e arave” apo “Fitoteknisë”, siç e quanin një herë e një kohë.
Dhe mos na tremb me gogolin e “krizës energjetike”, “krizës së bukës” e refreneve politike me “krizën-kryefjalë”.
Diku, në një dalje publike kapa një fjalë tuajën: “Shqiptarit kurrë nuk i ka munguar buka”.
Dikur, në vitin 1959, Nikita Hrushovi urdhëronte të mbjellim agrume se aq grurë sa konsumonte Shqipëria e hanin mijtë në depot ruse (!)
Nuk e dëgjuam. Disa thonë se Enveri bëri  keq, disa se bëri mirë. Nejse ombrella pas shiut të mbetet në dorë.
Që të hymë pak në të “thella” le tu drejtohemi shifrave që “s’luajnë”
Në vitin 1950 Shqipëria mbillte 87 mijë hektarë grurë…
Në vitin 1991 mbillte 144 mijë hektarë…
Në vitin  2020 mbillte 53.946 hektarë…
Në vitin 2020 nuk mbillej as sa mbillej në vitin 1950 por plot 33.054 hektarë më pak.
Në vitin 2013, kohë kur ju u bëtë kryeministër, sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 71.200 hektarë, 15.800 hektarë më pak se sa ishte mbjellë në vitin 1950 kur Shqipëria e merrte bukën me triskë…
Në vitin 2020 kur ju ishit kryeministër në mandatin e dytë kjo sipërfaqe zbriti në 53.946 hektarë, me një minus prej 17.300 hektarësh.
(Të dhënat janë marrë nga INSTAT dhe nga vjetarë statistikorë në bibliotekën e autorit).
Asnjë qeveri në këto tridhjetë vjet kalimi nga “diktatura” në “demokraci”, nuk mendoi të mbjellë, nuk mendoi për bukën e popullit por për “bukën e xhepit”
Nuk po hyj në “të thella”; për thekrën, misrin, orizin, tërshërën (aq e preferuar për fëmijë e të rritur për përshesh në mëngjes) e drithëra të tjerë.
Sipërfaqja e mbjellë me ta është disa herë më e vogël…
Aktualisht në Shqipëri gruri dhe drithërat e tjerë janë bërë “bimësi e kopshtarisë”, mbillen për konsum familjar, prodhimi nuk del në treg. Për mbjelljen e tyre nuk flitet nga askush, as nga qeveria, as nga ministria, as nga bashkia, as në fshat, as në familje.
Mendësia e qeverisjeve të kohës së “demokracisë” është: pse ta mbjellim kur na vjen nga Kanadaja, Ukraina, Rusia, Australia, madje-madje edhe nga fqinji më i afërt, Serbia? Bile-bile kjo e fundit na e mbillka (më mirë me thënë na e korrka) edhe për bagëti dhe na e sillka ne për bukë (!)
Është koha të mbjellim grurë. Thekrës i ka kaluar koha. Çfarë u mboll, u mboll. Thekra e ka kohën në shtator, muaji kur mbillet por edhe muaji kur korret. Ajo mbillet në zonat e larta malore, në Klenjë, Shishtavec… Dhe është edhe bukë, edhe lëndë ndërtimi, madje kërcejtë e saj përdorur në punishte artistike, të nxjerrin në treg të sigurte ndërkombëtar.
Në vitin 1950 mbillej 1000 hektarë thekër, në vitin 1990 mbilleshin 12 mijë hektarë kurse në vitin 2020 u mboll 1321 hektarë dhe kjo vetëm në rrethet Dibër (158), Elbasan (114), Korçë (644) Kukës (400) dhe Tiranë (5) hektarë.
Nuk gjej të dhëna për tërshërën. Ajo futet në thesin e vjetër (tagjira) kur mbushte torbat e qeve në zgjedhë gjatë punës në arë apo të kuajve në transport. Tani tërshëra është bërë më e kërkuara në treg dhe e ka kaluar “luksin” e fillimit, është bërë ushqim kryesor për fëmijë, madje edhe për të rritur në nivelet e larta të plutokracisë.
Gruri ka kohën më të mirë për mbjellje në zonat malore. I mbjellë në tetor ai ka kohën e vet të plotë të mbijë e të vëllazërojë, të futet në dimër dhe ti shpëtojë paq “krizës së ngricave” e të dalë në pranverë me plot vëllezër e ngjyrë jeshile të thellë, të lëshojë shtat, të nxjerrë kallëza, të piqet e të mbush hambarë.
Nuk e them unë këtë, e thotë shkenca, e thonë studimet shumëvjeçare të Institutit të Lushnjës shtrirë në të gjitha stacionet bujqësore të rretheve dhe në lartësitë nga niveli i detit në male. Sot nuk e thotë askush, thjesht se Institut nuk ka, stacione  studimore nuk ka, shtet për bujqësinë nuk ka. Koha për mbjelljen e grurit në zonat malore po kalon. Askush nuk e mat, askush nuk flet.
Për zonën e ulët bregdetare, zonë ku tradicionalisht është mbjellë gruri, Myzeqenë që ka qenë quajt “hambar i grurit” është koha e punimit të tokës dhe përgatitja për mbjellje.
Kaq do të thosha për afatet me rezerva agronomike në hollësi.
Kryeministri ynë flet për bukën, krizën e saj, rritjen e çmimit, masat lehtësuese për të vobektët zyrtarë, pensionistë e të barabartë në burime jetese si ata.
Flet nga zyra apo nga  rruga kur kalon e i turren për ti marrë ndonjë fjalë gazetarët.
Do të desha të fliste nga fusha e Myzeqesë, Thumanës, Nënshkodrës, Vlorës, Elbasanit, Beratit, Korçës…
Me bujq, me mekanizatorë, specialist të bujqësisë. Ti pyeste dhe të merrte shënime se çfarë duhet bërë për rritjen e prodhimit të drithërave, rritjen e sipërfaqes dhe të rendimenteve, punën kërkimore shkencore për bimët e arave.
Mbase nga kjo do të mësonte se është urgjente që të ngrihet përsëri Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë,
Dhe jo vetëm ai, por edhe Instituti i Misrit dhe Orizit në Shkodër, Instituti i Perimeve dhe i Patateve në Tiranë, Instituti i foragjereve në Fushë-Krujë, Instituti vreshtave, pemëve frutore, agrumeve, ullirit…
Nuk ishin kot ato institute. Atje punuan dhe përcollën një trashëgimi të madhe shkencore në prodhimin e farërave elite të grurit, misrit e të drithërave të tjerë shkencëtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Hibridet e misrit prodhuar nga shkencëtarët e mëdhenj si Hysen Laçej dhe Ahmet Osja ishin certifikuar si më të mirët në shkallë botërore. Për të mos vazhduar me qindra të tjerë që ose kanë ndërruar jetë ose nuk i pyet askush për veprën e tyre.
Sot, fatkeqësisht, mbillet me farëra të degjeruara gjenetikisht, pa etiketë e pa garanci mbirëse…
Do të ishte në nderin tuaj i nderuar kryeministër që në mandatin tuaj të tretë tu jepnit hapësirë të plotë instituteve shkencore të bujqësisë. Është koha. Bota po mendon se si të shfrytëzojë shkretëtirën për mbjellën e bimëve bujqësore, si të shfrytëzojë, lumin, liqenin, detin në shërbim të plotësimit të nevojave me bukë, perime, fruta e të tjerë.
Jeta njerëzore në vështrim të parë ka bujqësinë dhe blegtorinë. Pa to nuk jetohet as edhe një dekadë ditësh.
Është koha që bujqësinë ta nxjerrim në plan të parë.
Që të realizohet kjo stimuloje fshatarin të mbjellë grurë, misër, thekër, tërshërë, elb, oriz…
Lidh kontratë me të që tani duke i paguar në dorë hakun e punës, shërbimin bujqësor nga mbjellja në korrje, duke e bërë të interesuar atë që të mbushë “hambarët” e tij me lekë e hambarët e shteti me drithë.
Shqipëria mund që në hapësirën e saj bujqësore të prodhojë “bukën në vend”, bukën për një popullsi prej 2 milionë banorësh sa japin statistikat zyrtare.
Kur në titull vura thirrjen “ËSHTË KOHA MBJELLJES SË GRURIT”, shënjestrën e kisha larg, shumë larg…

Abdurahim Ashiku

Agronom, pedagog i bimëve të arave 

Tetor 2022

   


 

Filed Under: Fejton

SHQIPTARËT – NJË GJUHË, NJË HISTORI, NJË KOMB

October 16, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Teoria e kombit kosovar është antishqiptare.

Kohët e fundit në hapësirën shqiptare në Ballkan paraqiten do ide, sipas të cilave shqiptarët nuk qenkëshin një komb por dy a më shumë sish. Fatmirësisht, numri i atyre që thonë se ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë saj, ka dallime të caktuara, është tejet i vogël dhe numërohet në gishta.

Shqiptarët në Ballkan: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, duke përfshirë dhe çamët – janë një popull, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb. Pjesë e pandarë e kombit shqiptar në Ballkan janë edhe shqiptarët në diasporë: në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi…

Midis shqiptarëve, kudo qofshin ata, nuk ka kurrfarë dallimesh të theksuara, madje mbi kurrfarë baze. Shqiptarët janë një.

Ka individë që thonë se ekziston kombi shqiptar në Shqipëri si dhe kombi kosovar – në Kosovë. S’ka komb kosovar. Kosova është term gjeografik. Ka komb shqiptar në Kosovë:

– që përbën 92% të popullsisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës;

–  që është trashëguese e shtetësisë;

– që është mbartëse e shtetësisë;

– që posedon kapacitet të plotë shtetformues apo shtetndërtues;

– që ka një histori të lavdishme;

– që ka perspektivë euro-atlantike.

Kosova është shtet i shqiptarëve, me të drejtat e pakicave, të garantuara me ligj, sipas standardeve evropiane. Askush s’mund t’i detyrojë shqiptarët ta ndërrojnë emrin, për hir të 5% serbëve. In ultima linea, a ka forcë në botë që mund t’ia ndërrojë një populli shpirtin, zemrën, mendjen, gjakun, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare.  S’ka plan në botë që mund ta bëjë këtë. 

Ca individë, që numërohen në gishta, thonë se shqiptarët nuk janë një komb, por dy a më shumë kombe. Këta individë, te shqiptarët vërejnë:

– dallime historike;

– dallime gjuhësore;

– dallime kulturore;

– dallime psikologjike;

– dallime arsimore;

– dallime në pikëpamje të emancipimit.

Asnjë nga “dallimet” e sipërthëna nuk është i bazueshëm.

Shqiptarët kanë një histori – Në vjeshtën e tretë të vitit 1912 Ismail Qemali (1844-1919), të pavarur e shpalli – Shqipërinë. E Shqipëri ishin trojet shqiptare në Ballkan që shtriheshin deri aty ku bukës i thoshin bukë, e ujit ujë. Fqinjët grabitqarë – Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të ndihmuar nga Moska, Parisi dhe Londra, pushtuan më tepër se gjysmën e trojeve etnike dhe historike shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët e viseve të pushtuara, që nga dita e parë e pushtimit e deri më sot, kurën e kurës nuk e njohën pushtimin. Pushtuesve të egër serbë, bullgarë, malazez, sllavo-maqedonas dhe grekë, u bënë ballë me sakrifica mbinjerëzore.

Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) e deri në ditët tona, shqiptarët e viseve të pushtuara, Shqipërinë e quajnë nënë, e konsiderojnë të shenjtë dhe të shtrenjtë, e kanë në zemër dhe e duan me shpirt. Dhe do ta duan deri në jetë të jetëve. Edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve (1912-1913), shqiptarët në Ballkan, vazhdojnë të kenë një histori.

Pavarësisht nga përkufizimet e kombit që janë bërë nga sociologët borgjez dhe marksistë, kombi është para së gjithash dhe mbi të gjitha: gjaku, zemra, shpirti, dhe mendja.

*   *   *

Gjuha popullore shqipe përbëhet prej dy dialekteve kryesore, prej disa nëndialekteve dhe prej shumë të folmeve. Përkundër dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve të gjuhës popullore shqipe, shqiptarët në Ballkan dhe kudo në botë, komunikojnë dhe kuptohen ndër vete pa kurrfarë vështirësish. Gjermani i jugut të Gjermanisë, për shkak të dallimeve dialektore vështirë merret vesh me atë të veriut të vendit. Megjithëkëtë, asnjë gjerman nuk thotë se ekzistojnë dy a më shumë gjuhë gjermane dhe se brenda në Gjermani duhet të ketë dy a më shumë kombe.

Më 20-25 nëntor 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në të morën pjesë studiues të gjuhës shqipe nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, përfshi pra edhe intelektualët dhe akademikët nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi si dhe arbëreshët e Italisë. Kanë qenë të pranishëm edhe albanologë të huaj. Ky kongres mbylli periudhën kur gjuha letrare shqipe funksiononte në dy a më shumë variante dhe hapi një periudhë të re, periudhën e një gjuhe letrare të vetme, të njësuar. Kongresi i Drejtshkrimit pati një jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të shqiptarëve në Ballkan dhe në diasporë dhe ndikoi për forcimin e njësisë shpirtërore të tyre. Shqiptarët sot, kudo në botë, flasin në gjuhën letrare shqipe. Dhe kështu do të flasin deri në jetë të jetëve. Shqipja është një. S’ka dy gjuhë shqipe.

Nacionalistët serbë të Beogradit nuk e pritën mirë Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të 1972-shit. Sipas inteligjencies serbe, shqiptarët kanë dy gjuhë: gjuhën shqipe që flitet në Shqipëri dhe gegërishten – që flitet në Kosovë. Rrjedhimisht shqiptarët, sipas akademikëve serbë, meqë flasin dy gjuhë, janë dy popuj të ndryshëm.

Këta pak shqiptarë që thonë se ndër shqiptarë ka dallime aq të mëdha saqë bëhet fjalë për dy popuj të ndryshëm, përkatësisht për dy kombe të ndryshme, me vetëdije apo pa të, me pikëpamje të tilla, i shërbejnë ideologjisë antishqiptare serbe dhe greke.

Shqiptarët janë pak, për të qenë dy a më shumë kombe.

*   *   *

Shqiptarët:

– janë populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik;

– janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve;

– janë popull rrënjës (autokton) i Ballkanit.

Gjuha shqipe:

– është bijë e ilirishtes;

– është degë e parë e familjes së gjuhëve indo-evropiane.

Me fjalë të tjera, prejardhja e përbashkët e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre është një prej shumë faktorëve që i bashkon shqiptarët.

Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzullin tokësor, kanë një krye-hero – Gjergj Kastriotin (1405-1468), krenarinë, nderin dhe lavdinë e kombit. Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzullin tokësor, i bashkon epoka e madhe e kryezotit të mesjetës – e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzull, e kanë në zemër epokën e madhe të Rilindjes Kombëtare (1840-1912). Kombi shqiptar sot, përulet me nderimin më të thellë para rilindësve, q u flijuan për dritën tonë të sotme. Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon njëra nga periudhat më të lavdishme të historisë politike të kombit – ajo e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881).

Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon Vlora e pavarësisë e vitit 1912.

Shqiptarët, sot e një mijë vjet i bashkon himni dhe flamuri kombëtar – shqiponja me dy krerë, në hapësirë të kuqe, që e përdori Skënderbeu në luftërat për mbrojtjen e atdheut. Çdo shqiptar në rajon dhe kudo në botë, e ka në zemër flamurin kombëtar. Në luftë, në beteja, në fitore, në paqe, në ceremoni mortore, në dasma shqiptarët shkojnë me një flamur të vetëm që e kanë në shpirt, në zemër, në gjak dhe në mendje – shqipen me dy krerë. Flamuri dhe himni kombëtar janë një. Para tyre dhe vetëm përballë tyre qëndron hijerëndë çdo shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë.

Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzull, i bashkon virtyti: besa, bujaria, fisnikëria, mikpritja, trimëria dhe mendjemprehtësia.

Shqiptarët në rajon dhe kudo në botë, shquhen për vitalitetin e racës.

Shqiptarët pra krenohen:

– me prejardhjen ilire, me lashtësinë, me autoktoninë, me pastërtinë e racës, me vitalitetin e racës, me historinë e lavdishme, me personalitetet historike, me virtytet etnike;

– me gjuhën e tyre që zëri i kombit – Gjergj Fishta (1871-1940) e quajti gjuhë e Perëndisë.

Shqiptarët janë popull solidar dhe human. Në asnjë periudhë të historisë së vet, nuk janë paraqitur kundër fqinjëve të tyre.

*    *    *

Ata individë që thonë se kombi kosovar dallohet nga ai shqiptar në Shqipëri, duhet të dinë se shqiptarë – në troje të tyre – ka edhe në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Greqi, edhe në diasporë. Po qe se shqiptarët e Shqipërisë do të quhen shqiptarë, e këta të Kosovës – kosovarë, si do të quhen vallë shqiptarët në Kosovën lindore, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi dhe në diasporë?!

Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia janë të gatshëm për t’i quajtur serbë, maqedonas, malazezë, grekë. Ose më saktë: serbë me prejardhje shqiptare, maqedonas me prejardhje shqiptare, malazezë me prejardhje shqiptare etj.

Ku shpie kjo?! Ku shpie ideja e dy gjuhëve shqipe dhe e dy kombeve shqiptare?!

Pikëpamja: “Për të pasur shtet të pavarur dhe sovran është e domosdoshme të kesh edhe komb të veçantë” është absolutisht e gabuar. Për hir të askujt, as edhe të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, shqiptarët nuk mund ta ndërrojnë emrin, shpirtin, zemrën, gjakun dhe mendjen. Edhe koreanët kanë dy shtete por kurrë nuk thonë se janë dy popuj apo dy kombe.

Solidariteti vëllazëror – Gjatë pastrimit etnik të Kosovës që e ndërmori Serbia me forcat e saj militariste në vitin 1999, u detyruan të largohen prej vatrave të veta rreth 1 milionë shqiptarë. Rreth 600 mijë sish u strehuan në Shqipëri, nga veriu deri në jug. Ndërkaq, rreth 350 mijë u vendosën në viset shqiptare në Maqedoni. U strehuan pra te vëllezërit e gjakut dhe nuk vajtën as në Greqi, as në Bullgari. Përse?!

Shqiptarët:

– i bashkon fati tragjik i përbashkët, armiku dhe rreziku i përbashkët, gjatë historisë dhe sot;

– i bashkon kënga popullore që e mbajti gjallë ndër shekuj;

– i bashkon krijimtaria gojore e përbashkët, që nga këngët e djepit deri te epika legjendare;

– i bashkon qëndresa e përbashkët ndaj pushtuesve dhe sundimtarëve të huaj;

– i bashkon krijimtaria letrare-artistike, që nga Buzuku e deri në ditët tona dhe pas nesh.

– i bashkon ideali i përbashkët – miqësia me SHBA-në dhe integrimi në familjen perëndimore;

Shqiptarët i bashkon ideali i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës martire, e cila, pas një shekull gjenocidi, kolonializmi dhe politike të aparteidit të ndjekur nga Serbia, doli nga ferri dhe terri për të ecur drejt shtigjeve të përparimit dhe të demokracisë.

Shqiptarët nuk u ndanë shpirtërisht ndër vete, as atëherë kur boshti i krimit Shkup-Beograd-Titograd (sot Podgoricë), vendosën ndër shqiptarë kufij të hekurt.

*    *    *

Ndër shqiptarë sot s’ka kufij. Edhe këta pak kufij që kanë mbetur një ditë do të hiqen. Në hapësira ndër-shqiptare të caktuara, shqiptarët qarkullojnë tanimë, jo me pasaporta, por me letërnjoftime. Janë edhe detet – Joni dhe Adriatiku – bashkues të shqiptarëve. Shqiptarët i bashkon dhe rëra e plazheve, dielli i korrikut dhe i gushtit, ekskursionet e nxënësve, muzeu i Krujës dhe i Vlorës, kalaja e Shkodrës.

Sot shqiptarët kanë mundësi komunikimi, si kurrë në histori. Bashkimin ua mundëson zhvillimi i mediumeve, sidomos i atyre elektronike si dhe programet televizive satelitore apo kabllore. Në saje të rrugës së kombit një ditë do të rritet akoma më shumë qarkullimi i njerëzve, i mallrave, i kapitalit dhe i vlerave kulturore.

Gjermanët, vërtet kanë më shumë se një shtet kombëtar, siç janë Austria dhe Zvicra Mirëpo duhet ditur se:   

– Gjermania jashtë kufijve të vet ka një përqindje të përballueshme të popullsisë dhe të territorit gjermano-folës, ndërkaq në rastin e Shqipërisë, më tepër se gjysma e popullsisë dhe e territoreve shqiptare, kanë mbetur jashtë saj;

– Nacionalistët gjermanë, si në Gjermani ashtu edhe në Austri, kurrë nuk janë pajtuar me ekzistimin e dy shteteve gjermano-folëse. Ata gjithmonë kanë synuar bashkimin;

– Në rastin e Gjermanisë dhe të Austrisë, mund të flitet për dy histori të ndryshme, por në rastin e shqiptarëve kemi vetëm një histori – atë të çlirimit nga zgjedha osmane, të krijimit të Shqipërisë së pavarur si dhe atë të krijimit të Shqipërisë etnike dhe natyrale;

– Shqipëria është e brishtë, pikërisht pse është e ndarë dhe e copëtuar;

– Shqipëria do të jetë më e qëndrueshme kur t’i rikthehet gjysma që iu shkëput në Londër (1912-13);

Derisa popuj të tjerë, brenda kufijve të shteteve të veta, mbajnë territore të popujve të huaj, për ca shqiptarë që numërohen në gishta, ndërmjet shqiptarëve paskësh dallime historike, gjuhësore, psikologjike dhe kulturore…

Derisa Serbia, me Vojvodinën, me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe me Sanxhakun (të banuar me popullsi myslimane) krijon shtetin e madh serb, shqiptarët në anën tjetër, jo vetëm që s’arrijnë të krijojnë Shqipëri të madhe apo Shqipëri etnike dhe natyrale, por akoma më keq. Ca individë gjurmojnë dallime midis shqiptarëve për të shkaktuar ndarje dhe përçarje ndër-shqiptare dhe për të krijuar deri edhe dy popuj dhe dy kombe shqiptare.

Shqiptarët kanë nevojë të bashkohen. Së paku shpirtërisht. Të bashkojnë tregjet, kapitalin, pasuritë materiale dhe vlerat kulturore. Të qarkullojnë të lirë në hapësirat brenda-shqiptare. Të paktën këtë sot s’ua ndalon kush.

*    *    *

Çështja shqiptare në Ballkan përkufizohet si çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Me çlirimin e Kosovës (1999) nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga aleanca e NATO-s, padrejtësia ndaj shqiptarëve nisi të korrigjohet. Konstelacioni në rajon, në kontinent dhe në planin global sot – është i favorshëm për shqiptarët. Ndaj shqiptarët nuk kanë përse të formojnë dy kombe, por një komb të bashkuar.

A është e mundur kjo?!

Shqiptarët janë i vetmi popull i Ballkanit që nuk e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare. Ndonëse ende s’e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare, shqiptarët janë i vetmi popull i gadishullit që nuk kanë të ndërtuar një platformë kombëtare. Paradoks! Popull me çështje kombëtare të pazgjidhur dhe pa projekt kombëtar.

Rrjedhimisht, shqiptarët janë populli më jo-nacionalist i Gadishullit Ballkanik. Mirëpo, nuk mund të thuhet se shqiptarët nuk kanë vetëdije kombëtare të lartë. Mungesa e ideologjisë kombëtare apo e një platforme nacionaliste te shqiptarët është pasojë e mungesës së kapaciteteve të përgjithshme të kombit shqiptar në Ballkan.

Në anën tjetër, pothuajse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, nacionalizmin e kanë të inkorporuar në politikën shtetërore. Nacionalizmi turk, serb dhe grek manifestohet në çdo pore të jetës.

Ideologjia kombëtare nuk është çështje individësh, por e shtetit dhe e institucioneve shkencore të kombit. Kur troket ora e madhe e historisë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, me atë rast nuk pyeten individët apo segmentet anacionale dhe antikombëtare të një shoqërie. Po ta kishte përfillur Oto fon Bizmarku (Otto Eduard Leopold von Bismarck, 1815-1898) pjesën e pavetëdijshme të popullit gjerman, bashkimi i principatave gjermane do të zvarritej deri në mbarim të shekullit XIX.

Zgjidhja e çështjes kombëtare varet prej determinuesve historikë dhe sociologjikë dhe jo prej vullnetit të lirë të individëve

Shqiptarët flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.  

  Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

Kryetarët e Qeverive janë 33, po në memorie sa mbeten!

October 16, 2022 by s p

(Esse-analizë rreth librit “Historia e 33 Kryeministrave të Shqipërisë” e Gazetarit dhe Publicistit të njohur, Roland Qafoku.)

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

“Historia e 33-e Kryeministrave të Shqipërisë” nga Ismail Qemali tek Edi Rama, titullohet vepra e Publicistit, Studiuesit dhe Analisit të njohur Roland Qafoku –një vepër dëshmuese historike nga më të mirat (bestseller), dhe më të kompletuarat që është botuar deri më tani, vepër, e cila do të “mbretërojë” gjatë dhe do të konsiderohet; një enciklopedi e rrallë dhe e vërtetë për të njohur shoqërinë shqiptare ndër etapa të ndryshme  të histories. Në këtë vepër gjendet thelbi i ngjarjeve më të rëndësishme dhe kryesore, dhe rrëfehen jetëshkrimet dhe bëmat e burrave të shtetit që kanë patur dhe luajtur rolin kryesor në historinë dhe jetën social-ekonomike, politiko –historike të shtetit dhe kombit tonë.  

Fjala “Histori” ka dy kuptime krejt të ndryshme, porse në vetvete i nënkupton që të dyja; atë se “çfarë ka ndodhur” dhe atë se “cfarë njerëzit kanë përjetuar”, atë se “cfarë kanë mësuar rreth jetës dhe ngjarjeve në të kaluarën, dhe atë se “cfarë është thënë” ose “cfarë është shkruar” për to. 

Asnjë historian nuk mundet të rrëfejë se “cfarë ndodhi” qoftë edhe në një kohë të parëndësishme apo të shkurtër, që madje mundet të kenë  ndodhur shumë gjëra, qoftë  edhe në jetën e një individi, porse  që të bëhet i mundur portretizim i plotë  i staturës së tij, ajo duhet të jepet sa më e thjeshtë dhe e kuptueshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për njerëzit që kanë drejtuar shtetin.

 Sikundër dëshmohet edhe nga vetë titulli i librit,  të sjellësh “Historinë e 33 Kryeministrave të Shqiptërisë”, të cilët  kanë ushtruar detyrën, reformuar dhe forcuar pushtetin dhe  t’i  portretizosh ata në etapa të ndryshme  të historisë  me personalitetin, karakterin, dritë-hijet, bëmat dhe gjëmat e tyre në skenën sociale, ekonomike e politike të kohës, këtë e ka bërë vecse aftësia e penës publicistike  bashkëkohore e analistit fort të njohur, Roland Qafoku.

Të jesh publicist, gazetar, studiues dhe analist dhe të sjellesh një përmbledhje të biografive dhe marrëdhënieve të  figurave që kanë udhëhequr shtetin dhe kanë  lënë gjurmë në historinë kombëtare dhe relacionet ndërkombëtare në sinkron me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, duhet të mbledhësh dokumente e fakte historike, do të thotë- ta duash letërsinë dhe publicistikën. 

Autori i është përkushtuar denjësisht kësaj vepre, 

duke e zgjeruar mjeshtërisht sinoptikën e vështrimit   ideo-artistik në kursin social-politik dhe shtrirjes së gjerë të kombinimit të fakteve historike dhe  kujtesës, në shkrimin e historisë midis  letërsisë dhe publicistikës, me kombinimin e përkryer të  modernes me tradicionalen, nëpërmjet  etapave, episodeve, ngjarjeve dhe  ndikimeve të kaosit jashtëzakonisht të ndërlikuara të jetës social-politike -ekonomike, ideollogjike dhe filozofike të shoqërisë shqiptare, administratës,   qarqeve të larta dhe krerëve sundues të kohës, në vecanti. 

Autori Qafoku i ka pasqyruar dhe rradhitur me një vërtetësi e besueshmëri të plotë, dije e mëncuri, jetëshkrimet e tyre, ngjarjet, dokumentat, shkaqet, rrjedhën, pasojat dhe faktet historike, por edhe ato sociale, ekonomike e politike, të cilat bënë edhe historinë e shtetit shqiptar. 

Sikundër e përmenda edhe më lart autori lëvron fushën e publicistikës, është analist, studiues dhe gazetar profesionist fort i njohur, dhe e di fare mirë se është  pikërisht gazetaria ajo  që  furnizon  makinën narrative dhe historia shpaloset. Por jo vetëm kaq! Erudicioni i  kockës së fortë intelektuale e qytetare të publicisit, studiuesit dhe analistit Roland Qafoku dëshiron të nxitë, inkurajojë dhe t’u japë zemër  historianëve që  të shkruajnë edhe për atë audiencë që është e interesuar të dijë për historinë e shtetit shqiptar.  

Në këtë vepër ndërthuren etapa dhe situata të ndryshme, fakte dhe vërtetësi historike të jashtëzakonëshme, si ato që paraqesin luftën politike për pushtet dhe si ato që japin tablonë e përgjithëshme të jetës intime të kryeministrave shqiptarë ndër vitet e jetës së tyre, në akord me ngjarjet dramatike, social-ekonomike dhe politike të kohës. Duke lexuar këtë përmbledhje të jetëshkrimeve dhe biografive të kryeministrave, vëren se je duke lexuar kronikën e jetës politiko-shoqërore të kohës e brejtur, përbrenda nga sëmundja e pështjellimeve, korruptimit, paaftësisë, luftës për postin e kryeministrit, mungesës së parimeve, veseve dhe imoralitetit, dekadencës apo disa prej tyre edhe të papërshtatshëm për të qenë kryetar shteti. Porse dhe cila ka qenë njëkohësisht edhe historia e jetës së tyre, e mbuluar me aq mister, tragjedi, komedi, sfida e kthesa, të papritura dhe të paparashikuara! Disa prej tyre, rioshë e të mplakur, të paaftë apo luftarakë, të lodhur apo aktivë, virtuozë apo të korruptuar, modestë apo madhështorë, të aftë apo  të papërshtatshëm, ama  secili prej tyre ka hyrë në zyrën e ekzekutivit përmes një sërë vizionesh, triumfe dhe arritje historike, politike dhe social- ekonomike, madje disa prej tyre hynë edhe aksidentalisht aty, disa prej tyre qëndruan për disa mandate, sikundër shquhet ish-kryeministri Mehmet Shehu, i cili  qëndroi plot 27 vjet 4 muaj dhe 29 ditë, më pas Fatos Nano, Iljaz Vrioni dhe Ahmet Zogu me disa mandate, pati kryeministra edhe me disa muaj, dhe 

ajo më epikja në Historinë e 33 Kryeministra të Shqipërisë  është qëndrimi vetëm për  “Një Ditë Kryeministër”, – i Qazim Koculit! 

Ndonëse, shumica e Kryeministrave kanë qenë bejlerë, pashallarë, profesorë, doktorë shkencash, ekonomistë, diplomat dhe me formim ushtarak, autori Qafoku ka mundur të hedhë sadopak, sfidën e  përshtatjes së personazhit të një Kryeministri dhe është përpjekur ta paraqesë atë me  mëncurinë dhe ambicjet e tij, ashtu sikundër ai ka qenë në të vërtetë, me të mirat e të metat e tij, pra “një sundimtar”(nënkupto-kryeministër)  që ndërthurrte dhuntitë, aftësitë dhe pushtetin e ‘një mbreti”, atë të kryeministrit dhe komandantit të  forcave të armatosura, me dritë-hijet e pushtetit, medokritetit dhe shkëlqimit, aventurat sentimentale të tyre, abuzimeve të pashëmbullta financiare, intrigave për të akaparuar pushtetin në duart e një grupi. Në shënimet biografike të kryeministrave përtej zyrës qeveritare, Roland Qafoku ka shpalosur me hollësi, guxim dhe mjeshtërisht karakterin individual të secilit kandidat për postin e kryeministrit; një kryeministër kishte probleme me alkolin, ndërsa një tjetër kryeministër kishte probleme me lëndët narkotike, dhe  kokainën, një tjetër kryeministër ishte tradhëtar i kombit, gjaksor  dhe njihej per aventurat e tij sentimentale,  bridhte bordellove të Parisit, një tjetër kryeministër luante bixhoz, e të tjera vese të “dirty moral” të pajustifukueshëm e të papranueshëm për një burrë shteti. Autori nuk ka ngurruar aspak, porse ka shpalosur edhe aventurat sentimetale të bashkëshorteve apo të ish -bashkëshorteve dhe të vet-kryeministrave dhe të elitës qeveritare të kohës, madje pesë  prej tyre i kishin bashkëshortet  të huaja –jo shqiptare,(më tipikja që respektohet e kujtohet me nderim edhe sot nga shqiptarët, është hungarezja Geraldina, bashkëshortja e Ahmet Zogut).    

Liderët e Europës, ishin të mëncur në politikat e salloneve mbretërore dhe të monarkisë, të njohur gjithashtu për lidhjet e tyre me njëri-tjetrin, dhe këtu nuk bën përjashtim edhe Ahmet Zogu, që pasi u bë kryeministër u bë president e më pas mbret, dhe qëndroi për 4 mandate si kreu i ekzekutivit duke mbajtur në pushtet njerëzit e tij dhe lidhjeve familjare.

Roland Qafoku rrëfen në HYRJE të librit se lufta për pushtet dhe për t’u bërë kreu i ekzekutivit zhvillohej me ashpërsi e cinizëm të pashoq, dhe i shndërronte ata  në  armiq të betuar me  njëri tjetrin: 

“Cfarë nuk bëri Esad Pashë Toptani për ta eliminuar themeluesin e shtetit shqiptar…dhe arriti eliminimin fizik të Ismail Qemal Vlorës, të cilën e realizoi kur njerëzit e tij i hodhën helm në kafen e mëngjesit në një hotel në Perugia.”

Watergate Scandal – it’s not about Greedy, it’s all about Power! (Skandali i Watergate-it nuk ishte për pangopësinë, por e gjitha për Pushtetin!
Kjo frazë e një analisti amerikan të kohës së Skandalit të Watergate-it, më erdhi ndërmend teksa lexoja librin “Historina e 33 Kryeministra të Shqipërisë”dhe sepse gjeta shumë gjëra të ngjashme te disa kryeministra të kohës,  që kanë përdorur politikën  në luftën për pushtet. Për secilin prej kryeministrave që nuk jetojnë më, autori rrëfen fundin fatal e njëzet e dy prej tyre; dhjetë prej tyre të vrarë në rrethana të paqarta dhe ende të pazbardhura,  një i “vdekur” në detyrë,  katër kryeministra të vrarë në atentat, dhe katër kryeministra vdiqën në rrethana të dyshimta, ndërsa një kryeministër e la veten të vdiste me dëshirë, ndërsa dy kryeministra janë vrarë e pushkatuar si tradhëtarë të atdheut nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës, që nuk njihte arësye sado të vogël të moralit njerëzor për t’u zmbrapsur përpara akteve me barbare e c’njerëzore. 

Deri në ditët e sotme, që prej vitit 1912 kur Plaku i Vlorës Ismail Bej Vlora shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, e cila domonoi për gati 500 vjet Ballkanin Perëndimor.-në Shqipëri kanë ushtruar, reformuar dhe luftuar për kreun e ekzekutivit, për më tepër se 110 vjet histori shteti, 33 Kryeministra; Ismail Bej Vlora, Esad Pashë Toptani, Turhan Pashë Përmeti, Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Idhomen Kosturi, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu Shefqet Verlaci, Theofan Noli, Mehdi Frashëri, Kostaq Kotta, Mustafa Merlika Kruja, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Ibrahim Bicaku, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Carcani, Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksander Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko Ilir Meta, Sali Berisha Edi Rama- pra –Kryetarët e Qeverive janë 33, po në memorie sa mbeten!

Publicisti, studiuesi dhe analisti Roland Qafoku me inteligjencë, mëncuri, profesionalizëm dhe vetëdijen e shëndoshë e të mprehtë ka vënë veten dhe historinë në provë duke na sjellë një vepër të shenjtë dhe tejet interesante me simbolikën e një rëndësie të vecantë për studimet historike në letrat shqipe, sidomos shkencore dhe publicistike. Përmbledhja e biografive të 33 Kryeministrave Shqiptarë është vlerësuar ndjeshëm 

dhe vazhdon të vlerësohet gjërësisht nga nga kritika e kohës, dhe audienca e admirueshme e lexuesve. Libri në fjalë është shëmbulli i mëncurisë, dijes dhe qytetarisë me principe thellësisht demokratike të penës publicistike bashkëkohore të autorit, Roland Qafoku. Me modestinë dhe pjekurinë profesionale dhe mbresëlënëse, që e karakterizon publicistin, studiuesin, dhe analistin Roland Qafoku, sapo botoi një libër të ri, i të titulluar;  “AMBASADORËT AMERIKANË NË SHQIPËRI (1922-2022), që përkon edhe me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, një tjetër libër me dëshmi e fakte historike i vlerësuar nga kritika e kohës.  

Duke i shprehur mirënjohjen e thellë mikut tim Landit,  dhe njëkohësisht i uroj;  Urime dhe Suksese në veprat e tjera!

Raimonda MOISIU

Tetor 2022

Author/Freelancer

Florida/SHBA 

Filed Under: Komente Tagged With: Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT