• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

A MUND TË BËHET E PAMUNDURA?

October 7, 2022 by s p

Photo:     trulynolen.pt 

Adil Fetahu/

Kemi dëgjuar shpesh kur thonë për ndonjë  gjendje, punë a veprim të dikujt:”E bëri të pamundurën”!  Kjo thënie është absurde, sepse e pamundura nuk mund të bëhet. Por, varet nga konceptimi,  përceptimi, zotësia dhe vendosmëria e individëve për një gjë a një gjendje,  se a mund të  ndryshohet, a mund të arrihet, a mund të realizohet ose jo. Nga ky aspekt, diçka që është e pamundur ta arrijë dikush, është e mundur të arrihet nga të tjerët.

Ka gjëra që sipas ligjeve të Zotit dhe ligjeve fizike (edhe liegjet fizike janë të lidhura me ligjet e Zotit), të cilat vërtetë nuk mund të ndryshohen as të arrihen. Bie fjala, sipas ligjeve të Zotit, askush nuk mund t’i shpëtojë vdekjes.  Sipas ligjeve fizike, të natyrës, njeriu nuk mund të fluturojë si shpezët, as nuk mund të hecë në këmbë mbi sipërfaqen e ujit, në det, liqen apo të lum.

Por, ka edhe gjëra e situate që na duken të pamundura të arrihen, por ato në të vërtetë nuk janë të pamundura, veçse varet nga zotësia, dija, angazhimi, vendosmëria e njeriut për t’i arritur e realizuar. Para 100 vjetëve ka qenë “e pamundur” të udhëtohet me avionë, por sot kjo është e zakonshme. Kush ka mund ta paramendojë si të mundur televizionin, apo celularin përmes të cilit flet dhe shihesh prej një skaji të botës në skajin tjetër?! Por, ja që është bërë e mundur. Dhe kushedi se çfarë  gjëra e situata të cilat sot na duken të pamundura, nesër do bëhen të mundura, në saje mençurisë, angazhimit, punës, kreativitetit, teknologjisë dhe vendosmërisë së njerëzve kreativë. Ata do të mund të bëjnë vetëm të mundurën, që na duket si pamundur (relative), por të pamundurën absolute (vdekjen) nuk do të mund ta ndalë askush! 

Për “të pamundurën relative”, është një thënie, së cilës nuk i dihet autori, por disa thonë se është e filozofëve të vjetër grekë, e të tjerët se është thënie nga filozofia e Lindjes, që thotë:

O Zot, 

-Më jep paqe ta pranoj atë që s’mund të ndryshohet,

– Më jep forcë e guxim që ta ndryshojë atë që mund të ndryshohet, dhe

– Më jep dituri që të di ta dallojë njerën prej tjetrës!

Nga ana tjetër, ka shumë njerëz të cilët, nga mosdija, nga  friga, nga pritesa, nga dembelia, nga përtacia, nga mosbesimi në vetvete, nga mospërceptimi adekuat, shumë gjëra e situata të mundshme i konsiderojnë të pamundura dhe nuk përpiqen të provojnë të arrijnë t’i ndryshojnë  ato. 

Kjo që u tha më sipër për situata dhe gjëra materiale, vlenë edhe për gjendjen shoqërore të njerëzve, në shoqëri e shtete të caktuara, në sistemet diktatoriale, për të cilat është një porosi në librin e shenjt, Kur’an: “Zoti nuk do t’ia ndryshojë gjendjen një populli, derisa ai të mos e ndryshojë vetveten”. Natyrisht, kjo thënie ka konotacion fetar, por është shumë adekuate edhe për aspektin e moralit individual dhe shoqëror (shtetëror, dhe global): luftimin e  kriminalitetit, padrejtësisë, tiranisë, korrupsionit, lakmisë, hajnisë, fajdes, gënjeshtrës, falsifikimit (intelektual etj.), urrejtjes, egoizmit, mashtrimit, hipokrizisë, gjelozisë, smirës, vetëlavdërimit, shtirjes,  dhunës, pedofilisë,  dhe veseve shumta  tjera të këqija. 

Këto vese janë bërë praktikë e rendomtë dhe njerëzia po i konsideron si gjëra të pamundura për t’i eliminuar. E nuk është ashtu, por apatia e krijuar nga këto vese i bënë njerëzit t’i durojnë e të mos ndërmarrin asgjë kundër tyre, sepse me kriteret dhe masën e vet – e konsiderojnë të pamundur ndryshimin.

Nga ana tjetër, disa arritje krejtësisht të thjeshta – i cilësojnë, reklamojnë dhe lavdërojnç se “ka bërë të pamundurën”! 

Për ilustrim të “të pamundurës”, këtu më poshtë lexoni përrallën e harabelit:

Tregohet se një njeri zuri një harabel dhe e futi në kafaz. Harabeli jo vetëm se ishte i mbyllur, por edhe frikësohej se mos do ta therrnin dhe hanin, i tha njeriut:

-Zotëri,  mishi im, krahasuar me mishin e kecit, deles ose të viçit, është asgjë, s’ke ndonjë dobi prej tij. Më liro nga kafazi dhe unë do t’i tregoj tri urtësi, të cilat do ta përmirësojnë jetën, por me një kusht që: këshillën e parë do ta jap sa të jem në grushtin tënd; këshillen e dytë do ta them sapo të futuroj mbi dritare; dhe të treten pasi të hypi mbi degën e pemës në oborr.

Njeriu pranoi kërkesën dhe kushtet, e nxorri harabelin nga kafazi dhe e mbajti në shuplakë të dorës. Harabeli i tha:

  • Këshilla e parë imja është: asnjëherë mos i beso të pamundures!

Njeriu e lëshoi harabelin nga dora. Harabeli pasi hypi mbi dritare tha:

  • Asnjëherë mos u pendo për atë që t’iku nga dora!

Pasi fluturoi dhe hypi mbi një degë të pemës, tha (për ta provokuar njeriun):

-Në barkun tim kam  një diamant të madh dhe nëse do më kishe therrur për të më ngrënë, do ta kishe gjetur diamantin dhe do ishe bërë i pasur?!

Kur dëgjoi këto fjalë, njeriu u pendua pse e kishte lëshuar harabelin, sa nisi t’i bjer kokës së vet me grushta, pastaj u kthye nga harabeli e tha: – Më thuaj këshillën e tretë që pemtove. Harabeli i tha:

  • A nuk të thash mos i beso të pamundures? Si besove kaq lehtë, që në  barkun tim gjendet diamanti! Ti jo vetëm që besove, por fillove të godasësh veten me grushta nga pendimi. 
  • Tani më thuaj, çfarë do të vlente ty këshilla ime e tretë?!

Dhe këshilla ime, lexues të nderuar është: Mos u besoni atyre që thonë se “bëri të pamunduren”, por përpiquni maksimalisht të bëni atë që është e mundur nga punët dhe virtytet e mira, se ajo është në dobi tuajen, të familjes, të shoqërisë, të njerëzimit! (A.F.)

Photo:     trulynolen.pt        

Filed Under: ESSE

AKROPOLI PELLAZG I LISIT (LEZHËS)

October 7, 2022 by s p

Besnik Imeraj

(Marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)

Për mendimin tim akropolet e Lisit të lashtë prehistorik, ashtu si atë të Foinikes, Buthrotit, Zgërdheshit, Gajtanit dhe Dorzit, i kanë ndërtuar pellazgët. Arkeologu Neritan Ceka bën këtë përshkrim të Lisit antik: “Muret rrethuese me gjatësi 2200 m përfshinë një sipërfaqe prej 20 ha, në shpatin e një kodre, duke zbritur me dy krahët në bregun e lumit Drin, ku gjendej skela e qytetit…Rruga aksiale që përshkonte qytetin e poshtëm nëpër dy hyrjet kryesore të tij, ishte pjesë e rrugës kryesore që lidhte pjesën jugore me atë veriore të Mbretërisë Ilire, nga Dyrrahu për në Skodrion…vendosja e kullave në njerin krah të hyrjes përbën veçoritë kryesore edhe për dhjetë hyrjet (portat) e tjera të Lisit, që shënojnë heqjen dorë nga vendosja e kullës mbi koridorin e hyrjes. Ajo e afron atë dhe me hyrjet e Antigonesë, me të cilën ka të përbashkët edhe teknikën poligonale të punimit të gurëve.”     

        Ashtu siç e kemi përmendur vazhdimisht tek fortifikimet tona të lashta me një jetëgjatësi nga 2500 deri në 3500 vjeçare, pjesa pellazge e tyre, më saktë, ajo që kanë ndërtuar pellazgët në këto fortifikime, të cilët kanë qënë të parët që kanë ndërtuar këto fortifikime, kanë qënë akropolet. Edhe tek Lisi i lashtë të parët që kanë ndërtuar kanë qënë pellazgët, të cilët e ngritën fortifikimin e tyre në Majë të Shelbunit.

         Në lidhje me Lisin e lashtë arkeologu italian Luigi Maria Ugolini shprehet: “…ndala kalimthi në Lezhë dhe u ngjita në majën e kodrës që gjendet mbi lagjen e jashtëme, pasi kisha dëgjuar se këtu ndodheshin rrënojat e “mureve ciklopikë” të Lisit të lashtë…” Por, Ugolini nuk është i mendimit se rrënojat e akropolit të Lisit të lashtë ishin rrënoja pellazgjike.

IMG_20210414_134745

Trakt muri pellazgjik i akropolit të Lisit prehistorik.Foto.Gj.Karaiskaj.

        Paqartësia në këtë pikë, shpesh ka sjellë mendime të kundërta dhe debate shterpë, mbi qënien ose jo pellazgjike të mureve të këtyre kalave apo fortifikimeve; pasi një palë i quan ato pellazgjike, në kohën kur ato për të cilat flasin ata janë të një kohë të mëvonshme, madje edhe në antikitet. Në këtë periudhë, këto vendbanime të lashta të fortifikuara janë zhvilluar në qytete të mirëfillta antike, e për rrjedhojë, nuk janë më fortifikime pellazgjike, edhe nëqoftëse kanë qënë me këto cilësi në fëmijërinë e tyre, madje edhe trakte muresh të lashta pellazgjike mund të shfaqen si rrënoja, si mbetje apo si themele mbi të cilat janë ngritur muret antike; ndërsa pala tjetër kundërshton qënien pellazgjike të themeleve apo trakteve të veçanta të mureve të tyre, mbështetur vetëm në muret që janë ngritur mbi ato, më pas, qysh nga mesi i mijëvjeçarit të parë p.e.s, duke mos parë apo anashkaluar rrënojat pellazgjike të tyre. Një veprim të tillë, si ky i fundit, kanë bërë Arnold Shober dhe Kamilio Prashniker me Lisin, dhe K.Paçi me Ugolinin me Amantien.

        Ja se çfarë na thotë për traktet e mureve pellazge në majën e Shelbuemit të qytetit të Lisit Frano Prendi: “Prashniker dhe Shober, të parët dalluan mbeturinat e  fortifikimit të Akrolisit…u diktuan gjurmë muresh rrethuese të panjohura më parë, të cilat teknikisht ndryshojnë shumë nga vetë muret mbrojtëse, tashmë të njohura, të Lisit dhe Akrolisit…Muret e vendbanimit të fortifikuar ilir, mbi majën e Shelbuemit,..dy faqet e dukshme të murit janë ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë të papunuar dhe të vendosur njeri mbi tjetrin në të thatë, duke krijuar shpesh zbrazëti të mëdha midis tyre…Trashësia e tij arrin në 3.20 m…Ka raste, megjithëse të rralla, kur si gurë themeli janë shfrytëzuar edhe shkëmbijt…Në përshkrimin mjaft të hollësishëm që i bëjnë Akrolisit Prashniker dhe Shober, nuk përmenden fare këto lloj muresh…arkeologët austriakë i kanë vrejtur këto mure, por nuk i kanë dalluar teknikisht dhe si rrjedhim kronologjikisht nga muret e Akrolisit antik…Tipologjikisht ato kanë ngjashmëri të madhe me ato të qytezave ilire të Marshejt dhe të Gajtanit,…të cilat (sipas H.Cekës dhe S.Islamit) datohen si të  fillimit të epokës së hekurit.”

Description: C:\Users\Besniku\Documents\F o t o g r a f i --- F a m i l j a r e\MOTO G4\IMG_20210318_133235.jpg

Trakt muri pellazgjik i akropolit të Lisit prehistorik. Foto. F.Prendi – K.Zheku.   

         Përshkrimi që u bëjnë mureve të akropolit të Lisit F.Prendi  dhe K.Zheku, për mendimin tim, tregon se këtu kemi të bëjmë me trakte muresh pellazgjik, pavarësisht se arkeologët e mësipërm nuk janë të atij mendimi. Interesant është edhe fakti i ngritjes së mureve direkt mbi shkëmb, njësoj si  tek Amantia, Nikaia dhe Rabija, të cilat dhe ato, për mendimin tim, akropolet e tyre, njësoj si akropoli i Lisit, janë ndërtuar prej pellazgëve, ashtu si dhe akropoli i Buthrotit dhe i Foinikes. 

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)

Filed Under: Kronike

“Ballkani i Hapur”, apo mini Jugosllavia

October 7, 2022 by s p

Skënder Mulliqi/

Kryeministri i Shqipërisë, po krijon “terren” gjithnjë e më shumë marrdhënjeve të mira më Serbinë, e  presidentit, Aleksander Vuqiqit. Ky i dyti është duke e shfrytëzuar mundësinë e idesë të Ballkanit të Hapur, të  formojë një mini Jugosllavi. Duhet thënë së këtë ide të Open Ballkanit për çudi bukur shumë janë duke e përkrahë BE-ja dhe Amerika. Serbia, Ballkanin e Hapur po e shikon si mundësi që përmes dialogut më Kosovën, t’ia arrinë qëllimit të implementimit të Asociacionit më kompetenca ekzekutive. Ky është hapi i parë.Hapi i dytë i menduar nga Serbia është që edhe pse ka rënë qeveria proserbe e Dritan Abazoviqit, të sjellë në vjeshtë në pushtet një regjim proserb të ri në Mal të Zi. Serbët bukur shumë përmes Republika Serpska, kanë arritur shkallë të lartë të vetëvendosjës në Bosnje. Sigurisht që po vendosët një rend i ri botëror, më luftën e cila po zhvillohet në Ukrainë, ku Rusia bëri invazion ushtarak atje. Duke e shfrytëzuar mirë përkrahjen e Edi Ramës më Ballkan të Hapur, serbët po përdorin gjeostrategji nën mengë për ti arritur qëllimet strategjike në rajon. Serbia po bënë përpjekje për të gjetur një formulë politike, më metoda te vjetra të veprimit për krijimin e një Unioni të Shteteve Ballkanike, këtu nuk hynë Kroacia dhe Sllovenia. Ky union e këtyre shteteve do të vendoste një regjim autoritar, më Serbinë në krye. Këto synime të Serbisë nuk është vështirë të kuptohen nga bashkësia ndërkombëtare, duke për ta hudhur poshtë idenë për Ballkan të Hapur, ku po fshihen  mirë edhe bota serbe dhe bota ruse. Mini shengeni siq po e quajnë disa nuk fsheh idenë prap sipas disave për Shqipëri të Madhe, dhe Serbi të Madhe, po fsheh idenë e një Jugosallavie të re.Vuqiq ka shprehur haptazi apetitet për të qenë lider i Ballkanit. Kjo është  nisma e Serbisë dhe të Shqipërisë, të Edi Ramës. Këto ide shoviniste serbe, nuk janë të tolerueshme për rajonin e veqmas për Kosovën. Nuk jemi pavarësuar më luftë, për të rënë në kushte të paqës, në një okupim të ri përmës idesë kamufluese të Ballkanit të Hapur. Me ide të tilla shoviniste dhe më kërcënime më luftë nga Serbia dhe Rusia, nuk arrihet paqja në Ballkan…

Filed Under: Politike

NOBELISTJA FRANCEZE ANI ERNO (ANNIE ERNAUX), një grua e cila për turpin shkruan pa kurrfarë turpi

October 7, 2022 by s p

Credit: Leonardo Cendamo/Hulton Archive/Getty Images

Xhelal Zejneli/

“Çdo gjë që kam shkruar vjen nga jeta ime personale, nga ajo që kam parë, që kam përjetuar, nga ajo që ende jam duke përjetuar; në këtë vështrim, burimi dhe tematika e letërsisë sime është autobiografike” – Annie Ernaux

Laureate e çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 2022 është shkrimtarja franceze Ani Erno (Annie Ernaux). Ajo është femra e shtatëmbëdhjetë që shpërblehet me këtë çmim prestigjioz. Kombi shqiptar priste me ankth që çmimi i sivjetmë t’i jepej Ismail Kadaresë, të përkthyer në 56 gjuhë të botës. 

Akademia Mbretërore e Suedisë ia dha çmimin Erno-së (Ernaux) “për veprimtarinë 40-vjeçare të pakompromis, gjatë së cilës hulumton jetën që e karakterizojnë dallimet e mëdha në pikëpamje të gjinisë, të gjuhës dhe të klasës shoqërore, për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën zbulon rrënjët, tjetërsimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”. 

Vetëm disa minuta para shpalljes së lajmit, juria e Oslos kishte tentuar ta merrte në lidhje telefonike shkrimtaren, por ajo nuk ishte lajmëruar. Supozohet se lajmin e ka marrë prej mediumeve.  

Ani Erno (Annie Ernaux) ka lindur në Lillebonne, qytet i vogël në Normandi të Francës, më 1 shtator të vitit 1940. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në fshat në Normandi. 

Vjen nga një familje e shtresës punëtore. Prindërit e saj kishin një tregtizë artikujsh ushqimorë. Studioi në Universitetin e Bordosë. Ka kryer dy fakultete – në Universitetin e Ruanit (Rouen) dhe në Universitetin e Bordosë (Bordeaux). Para se të bëhej shkrimtare, ishte profesoreshë e letërsisë.  

Fillimet letrare të saj kanë qenë modeste por ambicioze. Që në shkrimet e para iu qas studimit të jetës, të përcaktuar prej dallimeve të mëdha midis gjinisë, gjuhës dhe klasës sociale.   

  Krijimtarinë letrare e filloi herët si një projekt kujtimesh, me qëllim që t’i zgjerojë  kufijtë e letërsisë jashtë fiksionit.

Ani Erno (Annie Ernaux) ka shkruar mbi 30 vepra. Krijimet e saj janë vepra autobiografike të cilat janë të lidhura ngushtë me sociologjinë.

Ajo e rindërton të kaluarën duke u bazuar në traditën e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (Á la recherche du temps perdu, 1913-1927), por ajo e shpie gjurmimin në një drejtim krejt tjetër. E quan veten “etnologe e vetvetes” dhe jo shkrimtar të fiksionit.

Në vitin 1974, si një profesoreshë e re e letërsisë, zgjoi kërshëri me veprën e parë Ormanët e zbrazët” (Les Armoires vides, 1974). Me këtë roman autobiografik, e filloi edhe karrierën e vet letrare. Me një stil të zhveshur që nuk bredh nëpër meandrat (dredhat) e përsiatjeve psikologjike dhe filozofike, nuk jep sqarime për veprimet apo për sjelljet, por vetëm i konstaton faktet. Këtu nisi të hulumtojë prejardhjen normandike të vet.   

Nisi të çajë udhë me romanin “Vendi” (La Place, 1983). Këtu i rendit ngjarjet banale nga jeta e të atit, i cili ishte një tregtar i imët që kërkonte një copë vend nën diell. Përshkruan raportin e saj me të atin dhe jetën e vet në një qytet të vogël të Francës. Me këtë vepër Erno (Ernaux) e filloi ciklin autobiografik tipik. Fantazitë e veta i kthen në vepra autobiografike. 

I jepet shpërblimi “Renodo”.  

Të ëmës ia përkushtoi romanet “Një grua” (Une femme, 1987) dhe “S’kam dalë nga  nata ime” (Je ne suis pas sortie de ma nuit, 1996). Në këto dy vepra flet pothuajse në mënyrë klinike për rrënimin e qenies si dhe për sëmundjen që e bën të duket më pak se një kafshë. 

Në romanin “Pasioni i zakonshëm” (Passion simple, 1991), shprehjes gjuhësore qëllimisht të varfër, ia shton edhe përmbajtjen s pastruar, që ka të bëjë me vuajtjen e femrës e cila e pret burrin që dashuron. 

Në romanin “Turpi” (La Honte, 1996) me prosedenë e rëndomtë të stilit të një vëzhguesi të ftohtë, flet për një ngjarje traumatike nga koha e fëmijërisë. 

Edhe në veprat “Një grua” (Une femme) dhe “Turpi” (La Honte) analizon turpin dhe rrënjët e tij në shoqëri.

Vend të posaçëm në opusin e saj zë rrëfimi për vajzën 23-vjeçare, narratore, e cila në vitet ’60 (të shekullit XX), tenton të abortojë, në Francë, ku një gjë e tillë ishte e ndaluar. Është fjala për romanin “Ngjarja” (L’Événement) të botuar në vitin 2000. 

Projekti më ambicioz i saj është romani “Vitet” (Les Années, 2008). Është quajtur “biografi e parë kolektive”. Kjo i solli një sërë shpërblimesh, popullaritet botëror dhe një numër të madh ndjekësish.

Në vitin 2016 botoi veprën “Kujtime të një vajze” (Mémoire de fille). Këtu përshkruan edhe përvojën e vet të humbjes së virgjërisë, por duke paraqitur kontrastin e figurës që e ka për veten si një grua e re në fund të vitit 1950. Përshkruan edhe reaksionin për veprimet e veta si dhe bashkësinë e cila në më pas e flakë.       

Librin më të ri “Djaloshi i ri” (Le jeune homme) e botoi sivjet.    

Tema kryesore të saj janë turpi, përbuzja, xhelozia, paaftësia për të parë se kush jemi në të vërtetë. 

Erno (Ernaux) i përket rrymës së shprehjes letrare minimaliste në romanin bashkëkohor francez dhe grupit të shkrimtarëve të cilët për nga tematika janë të lidhur ngushtë me autobiografinë, ndërsa aktit të të shkruarit i japin një domethënie terapeutike.

“Kur isha fëmijë, i konsideroja luks gëzofët, fustanet e gjata dhe vilat në bregdet. Më vonë erdha në përfundim se luks është të bësh jetën e një intelektuali. Por tani e shoh se luks është edhe mundësia e shfaqjes së pasioneve ndaj një mashkulli apo ndaj një femre”  – përfundon vepra “Vetëm pasion”.

Ani Erno (Annie Ernaux) është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Disa vepra të saj janë botuar edhe në gjuhën shqipe.        

*   *   *

“A woman story“, “A man’s place“, “Simple passion“  u vlerësuan nga New York Times si vepra të mëdha. “A woman story“ është libri i fundit i nominuar për çmimin “Los Angeles Times  Book Prize”.

Në vitin 2018 ajo u shpërblye me çmimin “Premio Hemingwey”, ndërsa në vitin 2019 u nominua për “Booker Prize”. 

Sipas romanit “Ngjarja” (L’Événement) të prozatores franceze Ani Erno (Annie Ernaux), nën regjinë e regjisores dhe skenaristes franceze me prejardhje libaneze Odri Divan (Audrey Diwan, 1980 -), u xhirua filmi që merret me dështimin (abortin). Në Festivalin e 78-të të filmit në Venecie, vitin 2021 filmi i sipërthënë u vlerësua me çmimin më të lartë “Luani i Artë”. 

Xhelal Zejneli

Filed Under: LETERSI

110 VJETORI I PAVARËSISË KOMBËTARE, MONUMENTI I MUNGUAR I ISMAIL QEMALIT NË TIRANË

October 7, 2022 by s p

Nga Vilson Haxhiraj/

Ismail Qemali është  i vetmi personalitet shtetformues në botën e qytetëruar, që pas më shumë se një shekulli, ende, nuk ka një monument në kryeqytetin e shtetit të tij. Monumentet  kushtuar Ismail Qemalit janë fare fare të pakta. Pas varrit monumental, shtatorja e tij  është  figure  qendrore e Monumentit të  Pavarësisë. Në v.1974  Odise  Paskali  krijoi  për ambientet e Muzeut Kombëtar  shtatoren e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe të Enver Hoxhës. Dështimi i konkursit për një statujë të Ismail Qemalit, në 100 vjetorin e Pavarësisë  detyroi organizatorët të  nxirrnin nga Muzeu Historik  shtatoren e tij dhe ta vendosnin aty ku është sot. Pritshmëritë  që qeveria Rama të ngrinte një monument të ri, në 110 vjetorin e Pavarësisë, ishin të mëdha. Vendosja e portretit të Ismail Qemalit në ambientet e administratës publike, ndër vendimet e para të z.Rama, mori  mbështetjen e mbarë opinionit publik dhe krijoi iluzionin, që hapi i radhës do të ishte ngritja e monumentit  të tij në Tiranë. Por zelli atdhetar i k/ministrit tonë nuk e kapërceu  këtë cak. Dhe jo për mungesë fondesh. 35 milion euro është vlera e investimit shtetëror për rikulifikimin e Sheshit Kombëtar të Flamurit  dhe Muzeut Kombëtar Pavarësia,  projektuar sipas shijeve ekstravagante të z.Rama. 10 % e kësaj vlere do të mjaftonte për të ngritur monumentin e Ismail Qemalit në Tiranë, me konkurs ndërkombëtar, kthimin në identitet të Sheshit Kombëtar të Flamurit, duke rindërtuar  shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës  ku u mbajt Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe u ngrit flamuri ,si dhe shtëpinë e Sharrajve, objekte historike, të lidhur pazgjidhmërisht me Aktin  e Shpaljles së Pavarësisë Kombëtare. Injorimi  zyrtar  i  figurës së Ismail Qemalit  në këtë vit jubilar të Pavarësisë  është  thjesht dështimi  radhës i k/ministrit Rama, vazhdim  llogjik i performancës  negative të qeverisjes së tij 9 vjeçare. Nuk mund të ndodhte ndryshe.Në politikë  kushti i parë për të patur sukses është  motivimi atdhetar për mbrojtjen e interesit publik, që bje ndesh me strategjinë e k/ministrit Rama, që po e shet  Shqipërinë në ankandin e PPP-ve dhe konçensioneve. Papërgjegjshmërinë  e  shtetit në këtë fushë është përpjekur ta korrektojë shoqëria civile. Prej v.2016  monumenti i Ismail Qemalit lartësohet në një nga sheshet kryesor të Prishtinës, vepër e skulporit Agim Mulliqi dhe invesitorë një grup biznesmenësh vlonjatë. Deputeti Bujar Leskaj ka përfunduar proçedurat ligjore për vendosjen e një tjetër monumenti të Ismail Qemalit në  Shkup, të  RMV. Por detyrimet ligjore për monumentet e etërve të kombit janë të shtetit shqiptar, si përfaqsues i shoqërisë dhe subjekt me mundësitë e duhura financiare  për të  përballuar shpenzimet për ngritjen e monumenteve cilësorë, që të pasqyrojnë  me nivelin të lartë  artistik madhështinë e veprës së tyre. Vlerësimi me monumente i figurave të shquara të kombit është tregues qytetarie dhe atdhetarie  i shoqërive dhe elitave intelektuale, veçanërisht  atyre politike. Është absurde të  argumentosh nevojën  për të patur monument të Ismail Qemalit në Tiranë, sepse asnjëherë monumentet për Ismail Qemalin nuk kanë për të qenë të mjaftueshme.  1000 statuja dhe monumente ka kancelari Bismark, heroi i bashkimit të Gjermanisë. Po kaq vlerësohet numri i statujave dhe monumenteve edhe për Mustafa Qemalin e Turqisë. Amerikanët, veç të tjerash, i kanë gdhendur në shpate mali në përmasa vigane, monumentet e etërve të kombit. Heronjtë e kombeve nuk kanë nevojë për monumente. Jemi ne të gjallët,që duhet të shohim si vlerësohen dhe çmohen  ata që punojnë për atdhe. Edukimi atdhetar i brezave, në çdo shoqëri , ka në themel  referencat më pozitive të historisë kombëtare, ngjarjet e mëdha, fitoret  dhe arritjet e mëdha dhe protagonistët e tyre. Ismail Qemali është guri më i madh dhe më i  rëndë në themelet e godinës së shtetit shqiptar. Pas Skënderbeut është personaliteti, që ka ndikuar më shumë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes tonë  kombëtare. “Në  memorien  e shqiptarëve  emri dhe figura  e Ismail  Bej Vlorës  është gati një gjysmë perëndi.” ( 1). Ky  vlerësimi vjen jo vetëm nga perceptimi publik, por nga bota  akademike, që në vazhdimësi  dhe koherencë ka vlerësuar me nota të larta veprën e Ismail Qemalit. Ismail Qemali ishte personalitet i Rilindjes Kombëtare. Thënia e famshme e Engelsit për Rilindjen Europiane,  “Kjo epokë kishte nevojë për titanë dhe nxori titanë….” u shkon për shtat edhe Rilindasve tanë të shquar. Ismail Qemali  ishte  burrë shteti, legjislator dhe personalitet shtetformues. Edhe pas 110 vjetësh ai vazhdon të ketë diferenca tepër të mëdha me shtetarët  pasardhës, si lider me personalitet të spikatur ,por  veçanërisht për përkushtimin e pakufishëm dhe pa kushte ndaj Shqipërisë. “Me përvojë dhe talent në fushën e drejtimit shtetëror dhe të diplomacisë, sidomos  në sajë të artikujve të botuar në  gazetat  më të mëdha të Europës, Ismail Qemali u bë  figurë e shquar  e perandorisë  osmane dhe shumë i njohur ndërkombëtarisht.” ( 2 ) Në v.1876  ishte pjesë e  stafit  të  k/ministrit e Mitat Pasha  për hartimin e Kushtetutës së parë të perandorisë osmane. Në v.1897 i paraqiti sulltanit një promemorje dhe një  projekt kushtetutë, që i hapte rrugë reformave decentralizuese dhe kthimit të perandorisë  në monarki  kushtetuese. ”Promemorja zgjoj  interes në opinionin zyrtar dhe publik të disa shteteve të Europës, pati jehonë në shtypin e tyre, që e cilësoi autorin  reformator ,burrë shteti  të  shquar dhe largpamës.”( 3 ) Arratisja e Ismail Qemalit në v.1900 u bë lajm për shtypin europian dhe  amerikan. Ai do të  kthehej në v.1909  si deputet  dhe do të zgjidhej  drejtues i opozitës  liberale në parlament. Pas traktatit politik të Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Ismail Qemali ishte i dyti nga personalitetet  shqiptare të kohës, që hartoi një program  për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Programi u paraqit në  gazetën italiane “Tribuna më 21 maj te v.1909. Më 15 tetor  botoi në revistën ”Albania” të Faik Konicës thirrjen “Vëllezërve Shqiptarë”. Ismail Qemali është pjesë e atdhetarëve dhe intelektualëve elitarë, që koha i nxjerr në skenë për të bërë histori dhe për të mbetur përjetësisht pjesë e saj, duke identifikuar me emrin e tyre pjesën më të rëndësishme të historisë së kombit, atë të kalimit nga robëria në liri.  

Referenca:

  (1) R.Qafoku-33 k/ministrat e Shqipërisë.                                                                                                      (2) Akademia e Shkencave: Historia e Popullit Shqiptar.pj.2.                                                                     (3) Poaty.                                                                                                                                                                                                                                                              

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT