Nga Vilson Haxhiraj/
Ismail Qemali është i vetmi personalitet shtetformues në botën e qytetëruar, që pas më shumë se një shekulli, ende, nuk ka një monument në kryeqytetin e shtetit të tij. Monumentet kushtuar Ismail Qemalit janë fare fare të pakta. Pas varrit monumental, shtatorja e tij është figure qendrore e Monumentit të Pavarësisë. Në v.1974 Odise Paskali krijoi për ambientet e Muzeut Kombëtar shtatoren e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe të Enver Hoxhës. Dështimi i konkursit për një statujë të Ismail Qemalit, në 100 vjetorin e Pavarësisë detyroi organizatorët të nxirrnin nga Muzeu Historik shtatoren e tij dhe ta vendosnin aty ku është sot. Pritshmëritë që qeveria Rama të ngrinte një monument të ri, në 110 vjetorin e Pavarësisë, ishin të mëdha. Vendosja e portretit të Ismail Qemalit në ambientet e administratës publike, ndër vendimet e para të z.Rama, mori mbështetjen e mbarë opinionit publik dhe krijoi iluzionin, që hapi i radhës do të ishte ngritja e monumentit të tij në Tiranë. Por zelli atdhetar i k/ministrit tonë nuk e kapërceu këtë cak. Dhe jo për mungesë fondesh. 35 milion euro është vlera e investimit shtetëror për rikulifikimin e Sheshit Kombëtar të Flamurit dhe Muzeut Kombëtar Pavarësia, projektuar sipas shijeve ekstravagante të z.Rama. 10 % e kësaj vlere do të mjaftonte për të ngritur monumentin e Ismail Qemalit në Tiranë, me konkurs ndërkombëtar, kthimin në identitet të Sheshit Kombëtar të Flamurit, duke rindërtuar shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës ku u mbajt Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe u ngrit flamuri ,si dhe shtëpinë e Sharrajve, objekte historike, të lidhur pazgjidhmërisht me Aktin e Shpaljles së Pavarësisë Kombëtare. Injorimi zyrtar i figurës së Ismail Qemalit në këtë vit jubilar të Pavarësisë është thjesht dështimi radhës i k/ministrit Rama, vazhdim llogjik i performancës negative të qeverisjes së tij 9 vjeçare. Nuk mund të ndodhte ndryshe.Në politikë kushti i parë për të patur sukses është motivimi atdhetar për mbrojtjen e interesit publik, që bje ndesh me strategjinë e k/ministrit Rama, që po e shet Shqipërinë në ankandin e PPP-ve dhe konçensioneve. Papërgjegjshmërinë e shtetit në këtë fushë është përpjekur ta korrektojë shoqëria civile. Prej v.2016 monumenti i Ismail Qemalit lartësohet në një nga sheshet kryesor të Prishtinës, vepër e skulporit Agim Mulliqi dhe invesitorë një grup biznesmenësh vlonjatë. Deputeti Bujar Leskaj ka përfunduar proçedurat ligjore për vendosjen e një tjetër monumenti të Ismail Qemalit në Shkup, të RMV. Por detyrimet ligjore për monumentet e etërve të kombit janë të shtetit shqiptar, si përfaqsues i shoqërisë dhe subjekt me mundësitë e duhura financiare për të përballuar shpenzimet për ngritjen e monumenteve cilësorë, që të pasqyrojnë me nivelin të lartë artistik madhështinë e veprës së tyre. Vlerësimi me monumente i figurave të shquara të kombit është tregues qytetarie dhe atdhetarie i shoqërive dhe elitave intelektuale, veçanërisht atyre politike. Është absurde të argumentosh nevojën për të patur monument të Ismail Qemalit në Tiranë, sepse asnjëherë monumentet për Ismail Qemalin nuk kanë për të qenë të mjaftueshme. 1000 statuja dhe monumente ka kancelari Bismark, heroi i bashkimit të Gjermanisë. Po kaq vlerësohet numri i statujave dhe monumenteve edhe për Mustafa Qemalin e Turqisë. Amerikanët, veç të tjerash, i kanë gdhendur në shpate mali në përmasa vigane, monumentet e etërve të kombit. Heronjtë e kombeve nuk kanë nevojë për monumente. Jemi ne të gjallët,që duhet të shohim si vlerësohen dhe çmohen ata që punojnë për atdhe. Edukimi atdhetar i brezave, në çdo shoqëri , ka në themel referencat më pozitive të historisë kombëtare, ngjarjet e mëdha, fitoret dhe arritjet e mëdha dhe protagonistët e tyre. Ismail Qemali është guri më i madh dhe më i rëndë në themelet e godinës së shtetit shqiptar. Pas Skënderbeut është personaliteti, që ka ndikuar më shumë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes tonë kombëtare. “Në memorien e shqiptarëve emri dhe figura e Ismail Bej Vlorës është gati një gjysmë perëndi.” ( 1). Ky vlerësimi vjen jo vetëm nga perceptimi publik, por nga bota akademike, që në vazhdimësi dhe koherencë ka vlerësuar me nota të larta veprën e Ismail Qemalit. Ismail Qemali ishte personalitet i Rilindjes Kombëtare. Thënia e famshme e Engelsit për Rilindjen Europiane, “Kjo epokë kishte nevojë për titanë dhe nxori titanë….” u shkon për shtat edhe Rilindasve tanë të shquar. Ismail Qemali ishte burrë shteti, legjislator dhe personalitet shtetformues. Edhe pas 110 vjetësh ai vazhdon të ketë diferenca tepër të mëdha me shtetarët pasardhës, si lider me personalitet të spikatur ,por veçanërisht për përkushtimin e pakufishëm dhe pa kushte ndaj Shqipërisë. “Me përvojë dhe talent në fushën e drejtimit shtetëror dhe të diplomacisë, sidomos në sajë të artikujve të botuar në gazetat më të mëdha të Europës, Ismail Qemali u bë figurë e shquar e perandorisë osmane dhe shumë i njohur ndërkombëtarisht.” ( 2 ) Në v.1876 ishte pjesë e stafit të k/ministrit e Mitat Pasha për hartimin e Kushtetutës së parë të perandorisë osmane. Në v.1897 i paraqiti sulltanit një promemorje dhe një projekt kushtetutë, që i hapte rrugë reformave decentralizuese dhe kthimit të perandorisë në monarki kushtetuese. ”Promemorja zgjoj interes në opinionin zyrtar dhe publik të disa shteteve të Europës, pati jehonë në shtypin e tyre, që e cilësoi autorin reformator ,burrë shteti të shquar dhe largpamës.”( 3 ) Arratisja e Ismail Qemalit në v.1900 u bë lajm për shtypin europian dhe amerikan. Ai do të kthehej në v.1909 si deputet dhe do të zgjidhej drejtues i opozitës liberale në parlament. Pas traktatit politik të Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Ismail Qemali ishte i dyti nga personalitetet shqiptare të kohës, që hartoi një program për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Programi u paraqit në gazetën italiane “Tribuna më 21 maj te v.1909. Më 15 tetor botoi në revistën ”Albania” të Faik Konicës thirrjen “Vëllezërve Shqiptarë”. Ismail Qemali është pjesë e atdhetarëve dhe intelektualëve elitarë, që koha i nxjerr në skenë për të bërë histori dhe për të mbetur përjetësisht pjesë e saj, duke identifikuar me emrin e tyre pjesën më të rëndësishme të historisë së kombit, atë të kalimit nga robëria në liri.
Referenca:
(1) R.Qafoku-33 k/ministrat e Shqipërisë. (2) Akademia e Shkencave: Historia e Popullit Shqiptar.pj.2. (3) Poaty.