• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

Gëzim Nika merr drejtimin e degës së Vatrës “Hudson Valley”

October 3, 2022 by s p

“Mjeshtri i Madh”, ambasadori i kulturës shqiptare në diasporë Gëzim Nika merr drejtimin e degës së Vatrës “Hudson Valley”. Në një mbledhje të degës z.Simon Qafa ka dhënë dorëheqjen për ti dhënë një impuls edhe më të fuqishëm veprimtarisë patriotike të degës “Hudson Valley” dhe Vatrës në axhendën dhe përpjekjen për të mirën e shqiptarëve, çështjes kombëtare dhe kombit shqiptar. Nën kryetari i degës “Hudson Valley” do të jetë Ndrek Tonaj që së bashku me Gëzim Nikën kanë afro një dekadë që i shërbejnë komunitetit shqiptar në New York e më gjërë.

Dega e Vatrës “Hudson Valley” sot është një ndër degët më të fuqishme të Vatrës.

Në fjalën e lamtumirës si kryetar, Simon Qafa ndër të tjera ka thënë: “I falenderoj të gjithë vatranët e sidomose mikun tim të çmuar, kryetarin e Vatrës Elmi Berishën për mbeshtejen dhe respektin që keni treguar ndaj meje. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer në përpjekjet e përbashkëta për të mirën e Vatrës dhe nacionalizmës kombëtare. I juaj gjithmonë, Simon Qafa”. Simon Qafa për një dekadë kontribut në degën e Vatrës “Hudson Valley” është dalluar si një patriot aktivist, drejtues i aftë, veprimtar i pandalshëm dhe vizionar.

Vatra e Dielli i shprehin mirënjohjen më të thellë Simon Qafës për kontributin dhe përkushtimin.

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Nika

Kryeministri Kurti: Ejup Statovci – intelektual i angazhuar dhe akademik i rezistencës

October 3, 2022 by s p

Veprimtaria shkencore e publike e profesorit dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u shfaq sonte në dokumentarin kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi kontributin e rektorit Statovci, si një ndër ekspertët që hartuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kaçanik. “Mes ekspertëve e juristëve që hartuan këto dy dokumente themeltare në historinë institucionale të Kosovës, ishte edhe një profesor i të drejtës civile, atë kohë 50 vjeçar. Emri i tij ishte Ejup Statovci”, tha kryeministri.

“Deri në moshën 51 vjeçare, jeta e Ejup Statovcit ishte ajo e një profesori të përkushtuar dhe e një shkencëtari prodhimtar. Ajo do të mund të vazhdonte me këtë rrjedhë, sikur më 1991, kur Serbia i dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, të mos vinte në krye të Universitetit të Prishtinës si rektor. Në historinë e Universitetit tonë, ai është rektori i 10-të në radhë, por Ejup Statovci është rektori më jetëgjatë, që e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 dhe deri më 31 dhjetor 1997”, tha kryeministri Kurti.

Profesor Ejup Statovci i qëndroi besnik formimit të tij kulturor, duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije dhe besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar. Ai i kuptoi saktë dhe drejt detyrat që ia jepte pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe rolin që ia kërkoi koha në shoqëri, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se profesor Ejup Statovci u bë pjesë e historisë në një mënyrë shumë autentike. Ajo listë e gjatë e publikimeve shkencore të Profesor Ejup Statovcit gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta, u rrallua dukshëm në vitet ’90-ta, sepse në dekadën e fundit të jetës së tij, Profesor Ejup Statovci u kthye në akademik të rezistencës.

I përhershëm qoftë kujtimi ynë për Profesor Ejup Statovcin dhe i lexueshëm qoftë roli i tij në historinë e Kosovës, tha kryeministri Kurti në pëmrbyllje të fjalës së tij.

Filed Under: Mergata

DORËSHKRIMET E PABOTUARA PËR HISTORINË E SHQIPTARËVE TË AUTOËVE TË  ILLYRICUM SACRUM: RIÇEPUTIT, FARLATIT E KOLETIT

October 3, 2022 by s p

“Felix, qui potuit rerum cognoscere causas atque metus omnes”

Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra. Studiuesit, hisotrianët dhe biografët kan konstatuar se dorëshkrimet e at Riçeputit nuk janë botuar deri me sot, si rezulat i një ndryshimi përmbajtësor, tematik e konceptual të projektit të veprës Illyricum Sacrum nga ana e at Farlatit, por ato janë shpërndarë nëpër volume të ndryshme nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera dhe një pjesë tjetër është humbur pa lënë asnjë gjurmë.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria megjithëse shpesh e izoluar, ka qenë përherë në udhëkryqin e perandorive, qytetërimeve dhe civilzimeve të ndryshme. Në lashtësi, për shekuj me rradhë, ajo është gjendur në kufirin politik, ushtarak dhe kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në fillim midis Perandorisë Romake dhe qytetërimit helen, më pas në mesjetë, midis Italise katolike dhe Perandorisë Bizantine ortodokse. Më tej, deri në pushtimin e plotë nga Turqit, Shqipëria gjendej ne frontin midis Evropës së krishterë dhe Lindjes ortodokso-islamike.

Korpusi Illyricum Sacrum është një nga arritjet kryesore historiografike dhe burimologjike jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por në gjithë Europën e shekullit të 18-të. Edhepse e botuar në vitet 1751-1819, kjo vepër edhe sot e gjithë ditën ka rëndësi të dorës së parë si burim i të dhënave për historinë mesjetare të tërë Ballkanit, në veçanti të Ilirisë së lashtë. Historiografia e shekullit të XVII-të dhe të XVIII-të shquhet për ndërmarrje të mëdha botuese. Ajo ka nxjerrë në dritë vepra monumentale, që jo vetëm i kanë rezistuar kohës, por edhe u bënë udhërrëfyese për një sërë studimesh të mëvonshme, duke shërbyer si bazë për botime dhe editime serioze. Po përmendim vetëm disa nga këta editorë dhe kryeveprat e tyre kapitale si psh. R. Pirri, Ph. Labbè, J. F. Schannat, J. J. Stredovsky, M. le Quien, M Hansizio, D. Sammarthani, H. Florez, etj.

Një vështrim i përgjithshëm për këtë epokë nuk mund të fillojë pa përmendur atë që është konsideruar si themeluesi i historiografisë moderne kardinalin Caesare Baroni. Vepra monumentale e kardinal Baronit, në atë kohë prefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, dhe e grupit të tij të bashkëpunëtorëve, Annales ecclesiastici, (botuar brenda një periudhe prej 19 vitesh [1588-1607]), pasohet nga një seri veprash të tjera të kësaj natyre, siç janë veprat kapitale të autorëve të mëdhenj: Ferdinando Ughelli Italia Sacra, të cilën e botoi në vitet 1642-1648; pastaj seria hagjiografike, njëra ndër seritë më të rëndësishme të shekullit të XVII-të, me vlerë akoma të pakapërcyeshme,  Acta Sanctorum e Ioannes Bollandi-t. Të tre këta autorë përdorën metoda të reja për të shkruar historinë, duke inkorporuar tekste të nxjerra nga dorëshkrimet e dokumentet e shumta, të përshkruara me shumë korrektësi nga arkivat e bibliotekat e ndryshme, si dhe duke i shoqëruar ato edhe me citate të veprave të autorëve të nderuar, me komente në favor të argumentimit sa më të saktë të ideve dhe të mendimeve të parashtruara, duke i ilustruar me harta e tabela ndihmëse për t’i kuptuar sa më drejtë dhe sa më plotësisht ato.

Ishte pikërisht vepra e bollandistëve ajo që e frymëzoi projektuesin e veprës monumentale Illyricum Sacrum, Filip Riçeputin, për të nisur kalvarin e gjatë e të mundimshëm të mbledhjes, analizimit dhe përgatitjes për botim të burimeve dokumentare e jodokumentare që i përkisnin historisë së Ilirisë. Vlerësimi i bashkëkohësve për këtë vepër do të na përcillej me thënien e Tamburinit: “… La prima opera dopo quella dei Bollandisti, che in genere istorico e critico…”, thënie kjo me shumë kuptim, nën dritën e së cilës vlen të analizohet e gjithë vepra Illyricum Sacrum, sidomos nga ana e historiografëve, për ta kuptuar historiografinë e asaj epoke që vazhdon të jetë themel solid edhe sot e kësaj dite dhe qëndrimin kritik ndaj burimeve dhe dokumenteve burimore. Për vendet e Ballkanit Illyricum Sacrum ka një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm si njëra ndër veprat e para historiko-kritike, por edhe si vepra më e plotë burimore për këto hapësira.

Lënda burimore, dokumentare dhe literatura në korpusin Illyricum Sacrum janë jo vetëm për ilirët (por edhe për popujt e tjerë të trevave ballkanike), për shtrirjen e tyre gjeografike, jetën, organizimin shtetëror, (themelimin dhe ngritjen e qyteteve të rëndësishme iliro-shqiptare prej lashtësisë deri sot), por edhe për sukseset e disfatat: luftërat me grekët, romakët, bizantinët, anzhuinët dhe sllavët, duke trajtuar këtu edhe rezistencën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut kundër turqve, për të ardhur deri te fillimi i shekullit XVIII, përkatësisht Kuvendi i Arbërit dhe ngjarjet tjera që pasojnë në atë periudhë. Në mënyrë të veçantë në këtë korpus, trajtohet  historia e ungjillizimit të ilirëve, në periudhën apostolike në hapësirat e gjera të Ilirikut, përhapja e krishterimit, themelimi dhe shtrirja e kishave, kuvendeve, manastireve dhe katedraleve, ndarja administrative-kishtare, hierarkia katolike e provincave kishtare dhe e qendrave ipeshkvnore e kryeipeshkvnore, përfaqësimi i tyre që prej koncileve më të hershme e deri te ai Arbërit në vitin 1703, etj. Nga pikëpamja e rëndësisë së burimeve, Illyricum Sacrum mund të krahasohet me një arkiv më vete. Asnjë burim tjetër, i botuar apo i pabotuar, nuk do të mund të zinte vendin e këtij korpusi. Asnjë institucion, asnjë akademi, asnjë shtet, nuk ka mundur të bëjë një vepër të ngjashme për trashëgiminë kulturore-historike të popullit shqiptar prej kohërave të lashta e deri në mesin e shekullit XVIII. 

Ndër burimet e rëndësishme për njohjen e historisë së lashtë të Ilirisë janë veprat e historianëve dhe të gjeografëve grekë e romakë. Ilirët, duke qenë shekuj me radhë fqinjë të grekëve dhe romakëve, duke pasur marrëdhënie me ta, kanë tërhequr vëmendjen e autorëve të lashtë. Të dhëna, ndonëse të pakta, gjejmë duke filluar nga Homeri dhe Hesiodus në shekujt X-VI para Krishtit. Njoftime me interes na jep gjeografi grek Scylax, që i përket shekullit VI para Krishtit. Për shekullin e V para Krishtit, kemi njoftime më të shumta dhe më të rëndësishme nga autorët grekë si Herodotus, Hecataeus. Veprat e Herodotit dhe të Thucydides, i cili është quajtur i pari historian kritik i kohës së lashtë, kanë një rëndësi të veçantë për historinë e Ilirisë. Në “Luftën e Peleponezit” Thuqididi flet edhe për fiset ilire duke dhënë njoftime interesante mbi gjendjen e tyre në shekullin V para Krishtit. Për shekujt e mëvonshëm burimet bëhen më të shumta, më të pasura dhe më kritike. Një rëndësi të posaçme kanë njoftimet dhe gjykimet që na jep filozofi i madh grek i shekullit IV para Krishtit, Aristophanes, ndonëse të përcipta  për qytetet dhe fiset e Ilirisë, për rendin e tyre shoqëror dhe për sistemin e tyre shtetëror. Fragmente të vlefshme na kanë mbetur nga veprat e Theopompus nga shekulli IV para Krishtit, dhe të Agatharkidit nga shekulli II para Krishtit, të cilat flasin për rendin shoqëror të Ilirëve. Historinë e luftërave të Ilirëve me Romën në shekullin II para Krishtit, na e jep me hollësi historiani Polybius. Duke filluar nga shekulli I para Krishtit, burimet letrare greke plotësohen me ato romake. Krahas grekëve, Diodorus Siculus e Scymnus, njofime mbi Ilirët në shekullin I para Krishtit na japin Julius Caesar, Titus Livius dhe Pomponius Mela. 

Autorët e lashtë të shekullit I pas Krishtit, duke u mbështetur në veprat e shkruara para tyre, një pjesë e mirë e të cilave për ne janë të panjohura, bëjnë fjalë edhe për ngjarje të shekujve të kaluar. Nga këto, njoftime më të pasura dhe më të rëndësishme mbi ilirët dhe Ilirinë i gjejmë te historiani romak Appianus dhe gjeografi grek Amasenus Strabo. Historianët dhe gjeografët e tjerë të këtyre shekujve, që na japin burime të vlefshme për njohjen e historisë  së vjetër të Shqipërisë janë: Plini Plaku, Plutarchus, Dion Cassius, Flavius Arrianus, Claudius Ptolemaeus, etj, ndërsa Stefan Bizanti, i shekullit VI pas Krishtit, në fjalorin e tij na jep njoftime të autorëve antikë, veprat e të cilëve kanë humbur. Materiale për dyndjet e barbarëve gjejmë tek autorët e shek. V-VI pas Krishtit, si Amion Maecelini, Porpyrius, Procopius Caesariensis, etj.

Gjatë shekujve të shkuar Iliria kishte kaluar një lulëzim të qytetërimit latino-ilir, duke i dhënë Romës disa perandorë, në mesin e të cilëve edhe Aurelianin, Dioklecianin, Konstantin e Madh, etj. Në kohën e shkatërrimit të Perandorisë Romake, Iliria u sulmua shpesh nga popuj të ndryshëm si: vizigotët, hunët, ostrogotët, gotët, avarët, etj, të cilët territoret ilire i bënë arenë luftërash shkatërrimtare, duke pushtuar pothuajse tërë Gadishullin Ballkanik. Nga fundi i shekullit VI dhe fillimi i shekullit VII nga veriu depërtuan fise të popujve sllavë: bullgarët, serbët dhe kroatët, që për një kohë të shkurtër pushtuan pothuaj tërë Ilirinë përkatësisht territoret në mes Dravës, Moravës dhe Vardarit duke dalur deri në brigjet e detit Adriatik.

Ndërrimeve të pandërprera të pushtuesve të shumtë, ndarjeve fetare në mes të Romës e Bizantit në shekujt e mëvonshëm, si dhe coptimet teritoriale të trevave ilire [albane] në mes serbëve, bullgarëve dhe kroatëve, në shekujt pasardhës ju shtuan edhe pushtimet normane dhe venedikase, duke bërë kështu që bregdeti shqiptar, por edhe brendia, të shndërrohen në teatër luftërash të vazhdushme, ku popullsia vendëse çdoherë rrezikohej të zhdukej në forma të ndryshme, qoftë edhe me asimilim. Familjet fisnike të popullsisë vendëse, shqiptare, formuan principata të vogla lokale, duke ndihmuar edhe ato shkatërrimin e Perandorisë Bizantine. Në këtë kohë lindin shumë formacione administrative në vend të Perandorisë Bizantine, njëri nga të cilat është edhe ajo shqiptare,  Principata e Arbërit (fillimi i viteve 60 të shekullit XII) me kryeqendër Krujën, me një territor që shtrihej përafërsisht në mes të Lezhës-Durrësit dhe Ohrit. Duke qenë se Iliria, gjatë periudhave të ndryshme historike shtrihej në hapësira të ndryshme gjeografike, herë më të gjera e herë më të ngushta, autorët e veprës Illyricum Sacrum u përcaktuan për kufijtë gjeografikë të Ilirisë në kohën e perandorit Justinian. 

Pas regjistrimit dhe sistemimit të lëndës së mbledhur, të cilën Riçeputi e quante: “Bibliotheca manuscripta Illyricana” të gjithë së bashku ishin të mendimit se nuk ishte e mundur të botohej asnjë pjesë e Historisë së Ilirisë, pa u bërë krahasimet e duhura në mes të katër serive të planifikuara, për t’iu shmangur përsëritejve të shumta, në një apo në të gjitha seritë, të disa ngjarjeve, personaliteteve ose momenteve të ndryshme, që duhej të inkorporoheshin si njësi të veçanta. Psh. emri i një ipeshkvi mund të përsëritej në serinë e parë kur bëhej fjalë për ipeshkvët dhe ipeshkvitë, pastaj në të dytën kur bëhej fjalë për Sinodet kishtare, në të tretën kur bëhej fjalë për shenjtërit dhe në të katërtën ku ishin të renditur rregulltarët, etj.  Një gjë e tillë, do të vononte shumë fillimin e botimit të veprës, gjë që autorëve do t’u sillte kokëçarje të shumta, ngase ata të cilët prisnim me padurim botimin e veprës ishin në fund të durimit, ndërsa numri i kundërshtarëve të një botimi të tillë sa vinte e shtohej; në anën tjetër, autorëve u ofrohej mundësia që të vazhdonin me hulumtime dhe me studime të tjera, veçanërisht në veprën madhore Acta Sanctorum të cilën po e përgatitnin bollandistët dhe kishin arritur të botonin 50 vëllime në format in folio; pastaj të konsultonin veprat e shumta të autorëve antik historianëve e gjeografëve, të cilat më parë nuk kishin arritur ti shfrytëzonin si dhe botimet më të fundit, të autorëve të shumtë të fushave të ndryshme. 

Megjithatë kundërshtarët e Riçeputit ishin shumë aktivë, pos të tjerash, botuan edhe një broshurë kundër tij dhe punës që bënte. Në mesin e kundërshtarëve kishte njerzë të njohur nga jeta publike, intelektualë dhe prelatë kishtarë, veçanërisht të zëshëm ishin disa anëtarë të urdhërit të Jezuitëve. Gjatë kohës derisa mblidhte burimet dhe dokumentet për veprën e tij nëpër Dalmaci, Riçeputin e kundërshtojnë me forcë një grup intelektualësh dhe klerikësh dalmatinas, të cilët dërguan letra të shumta me akuza të rënda kundër tij, në: Dubrovnik, Riekë, Zagreb, Venedik, Padovë dhe Romë, por pa arritur ndonjë sukses. Kërcënimet arrinin deri aty sa kishte raste kur kundërshtarët kërkonin ta padisnin në gjyq ose shkonin edhe më larg në kërcënimet e tyre sa pohonin se do ta vrisnin fare nëse nuk do të hiqte dorë nga puna e filluar për të shkruar veprën Illyricum Sacrum. Shumë aktiv ishte edhe inkuizicioni venedikas dhe censura. Disa nga këto të dhëna, por edhe shumë të tjera, ruhen në korrespodencën e Riçeputit e cila tash ruhet e shpërndarë në Venedik, Firencë, Vatikan, Padovë, Zagreb, Romë, Friuli, etj. 

Në këtë kryevepër është mbledhur gjithçka që ka qenë e mundur të mblidhet sipas metodës dhe kritereve të shkencës hisotrike të asaj kohe. Shkencëtarët, hisotrianët dhe studiuesit, jo vetëm të asaj kohe, por edhe në shekujt e mëvonshëm si psh: Assemani, Sommervogel, Theiner, Valentinelli, Sufflay, Combi, Ljubić, Jireček, Katalinić, Šišić, Bulić, Patriaraca, etj, me respektin më të madh kanë pranuar punën rezulatet që kanë arritur autorët e veprës, duke e quajtur atë si një vepër e jashtëzakonshme historike, natyrisht, duke theksuar edhe lëshimet e natyrshme të kohës, si rrjedhojë e kushteve objektive, por edhe faktorëve të ndryshëm shoqëror, kultuor dhe politik.

Ç’është e vërteta, sikur për çdo veprë tjetër, edhe për Illyricum Sacrum ka mendime, vërejtje dhe shkrime kritike. Ndër më kritikët, ishte njëri nga vetë autorët e veprës, at. J. Koleti, i cili shkruante se në vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum kishte shumë liri në interpretime dhe shkrimin e hisotrisë, derisa në vëllimet e fundit mungonte hisotria dhe shqyrtimi historik; “alterum quod nimiae scribendi licentiae aliquando indulserit in prioribus Tomis, alterum quod in postremis jenjuna aliquando arescat historia”. Në vazhdim, at Koleti nuk e mohon mundësinë e ndonjë lëshimi apo gabimi të paqëllimshëm të at Farlatit, por thekson se ai ishte shumë kritik ndaj burimeve dhe dokumeteva me të cilat punoi gjatë tërë jetës së tij; “haud negavero, aliquoties Faraltum errasse … Nam quod ad artem critices spectat, hanc Daniel apprime novit”. Disa të tjerë, at Farlatin e kanë kritikuar për faktin se ka përdorur disa bula papnore dhe burime tjera kishtare; dokumente të sundimtarëve dhe princërve ballkanas, legjenda dhe tregime popullore, duke i konsideruar ato si origjnale, të sakta dhe burime të dorës së parë; që sipas kritikëve nuk ishin të tilla. Por, në të vërtet, as at Farlati, e as at Riçeputi, nuk kishin pasur mundësi që të hulumtonin saktësinë dhe origjianlitetin e burimeve, dorëshkrimeve, dokumenteve dhe të dhënave tjera, ngase në atë kohë, nuk ishte e hulumtuar dhe studiuar në një shkallë të lartë, [psh. sikur në ditët e sotme], hisoria e Ilirisë në përgjithsë dhe asaj kishtare në veçanti. Nuk kishte rrezultate të mjaftuara të gërmimeve arkeologjike; korpuset e dokumentave me me lëndë arkivore sapo kishin filluar të botoheshin apo nuk ishin botuar ende; mungonin studimet krahasimtare në shumë fusha të shekncës, por, edhe qëndrimet e autorëve në veprat e botuara që kishin në dispozicion autorët e Illyricum Sacrum, nuk përmbushin kërkesat më elementare të studimeve të thelluara shkencore me metoda bashkëkohore. Prandaj mund të pohohet se kryevepra Illyricum Sacrum, është një vepër e rëndësisë së dorës së parë, për vetë faktin se në të gjejmë një numër shumë të madh dokumetash, të cilët autorët të shumtën e rasteve, i sjellin komplet, të pashkurtuara, orignalet e të cilave sot janë zhdukur apo kanë humbur pa gjurmë.

Në kryeveprën monumentale Illyricum Sacrum, punuan tre gjenerata studiuesish: at Filip Riçeputi, at Daniel Farlati dhe at Jakob Koleti, të cilët, në një periudhë kohore prej 124 vjetësh [1695-1819], hulumtuan, mblodhën dhe studiuan burime të shumta dhe të shumëllojshme; dorëshkrime dhe dokumente; libra të rrallë dhe modernë të kohës, hartuan disa prospekte të veprës, përpiluan tetë vëllime me indeksa si dhe shkruan më shumë se njëqind katalogje të ndryshme, që përfundimisht nga viti 1751 deri në vitin 1819 të botojnë tetë vëllimet e kryeveprës së tyre Illyricum Sacrum, për të lënë në dorëshkrime me qindra vëllime dokumentesh dhe burimesh të dorës së parë, për historinë e Ilirisë ose thënë ndryshe të Gadishullit Ballkanik dhe popujve që jetuan dhe ende jetojnë aty.

Nga at F. Riçeputi është themeluar “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum” qëllimi i të cilit-ës ishte ruajtja e lëndës arkivore për shkak të rëndësisë që kishte për brezat e ardhshëm. Këtu ishte mbledhur pothuajse gjithçka që kishte të bënte me historinë kishtare dhe laike të Ilirisë. Ishte sjellur nga Illira, por edhe nga Italija, Vatikani, Austria, Shqipëria, Dalmacija, Gjermania, Hungaria, e vende të tjera, lëndë arkivore origjnale ose e noterizuar. Në këto burime trajtoheshin martirët, shenjëtorët, kronikat e ndryshme me të dhëna për historinë e urdhërave kishtare, portokole e letra të papëve, si dhe e tërë ato që autorët antikë dhe të kohës kishin shkruar dhe mund të shfrytëzohej për veprën Illyricum Sacrum. Pra, thënë shkurt, ajo me vërtet ishte një “thesar” dorëshkrimesh, dokumentash, librash dhe burimesh tjera, për shkak të rëndësisë hisotrike që përmbante në vete.

Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra. Më 30 dhejtor të vitit 1741, at F. Riçeputi përgaditi për Nuncin Apostolik në Venedik, katalogun e detajuar të bibliotekës së tij, “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum”. Një kopje e këtij katalogu ndodhej në Vis të Kroacisë, të cilin e kishte përshkruar studenti, Anton Nisiteo. Më vonë ky dorëshkrim i këtij katalogu kishte mbërritur në Bibliotekën e Gjimnazit të Zarës, ku ruhej në fondin e dorëshkrimeve me signaturën nr. 3915. E tërë kjo bibliotekë, u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të edhe dorëshkrimi i katalogut të at Riçeputit. Mbledhja, sistemi, hulumtimi dhe studimi i lëndës burimore, at Riçeputit i mori pjesën më të madhe të jetës së tij, dhe ky ishte një nga shkakqe që ai nuk arriti të botonte asnjë vëllim të Illyricum Sacrum sa ishte gjallë, por ai, në të vërtet përgaditi për shtyp disa vëllime të projektit të tij, dhe për vëllimin parë dhe të dytë mori lejen e cenzorëve. Mendimet e censorëve dhe prelatëve kishtarë që u bënë me shkrim për vëllimet e përgaditura të at Riçeputit janë vërtet të shkëlqyera.

Në bazë të hulumtimeve të bëra mund të pohojmë me sigurinë më të madhe se kjo gjendje e Musaeum Illyricum ose Bibliotheca manuscripta Illyricana, ishte në fund të vitit 1741. Pas këtij viti, është bërë një grumbullim i vazhduar i burimeve, lëndës arkivore dhe literaturës tjetër, si nga at Faralti ashtu edhe nga at Koleti, por, autorët e Illyricum Sacrum nuk na kanë lënë ndonjë regjistër, katalog, index apo çfardo shënimi tjetër për këtë. Ndërrimi konceptual i planit fillestar të Illyricum Sacrum nga ana e at Riçeputit, gjë që vërehet nga Prospectus-it e tij, ka bërë që e gjithë lënda e mbledhur të risistemohej, por nuk është pregaditur një regjistrim i ri.

Studiuesit, hisotrianët dhe biografët kan konstatuar se dorëshkrimet e at Riçeputit nuk janë botuar deri me sot, si rezulat i një ndryshimi përmbajtësor, tematik e konceptual të projektit të veprës Illyricum Sacrum nga ana e at Farlatit, por ato janë shpërndarë nëpër volume të ndryshme, pa shënuar vendodhejn e parë, fillimisht sipas konceptit të ri të veprës, që më vonë, një pjesë e tyre t’iu kthehen pronarëve të mëparshëm, një pjesë të shpërndahet falas nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera dhe një pjesë tjetër të humbet pa gjurmë.Kërkimet dhe hulumtimet për të zbuluar fatin e tërë lëndës së grumbulluar kanë dhënë rezultate të pjesëshme edhepse ato janë bërë nga specialist, arkivist, historianë dhe studiues të njohur, nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera, në shumë vende, duke filluar që nga fundi i shekullit të XVIII e deri në ditët e sotme.Për fatin e burimeve, dorëshkrimeve dhe literaurës tjetër, ishin interesuar disa shtete, institucione dhe persona derisa ishte gjallë vetë at Riçeputi, por edhe pas vdekjes së tij. Kështuqë, fillimisht, pronarët e dorëshkrimeve dhe dokumentave, insistuan që t’ju kthehen prapa ato që i kishin huazuar.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

NJË VËSHTRIM I SHPEJTË  MBI LIBRIN E BEQIR SINËS “ROB, NJË BIOGRAFI PËR DY KOHË”

October 3, 2022 by s p

Nga Enver Memishaj/

Zonja e nderuar Tefta Çapaj – Mersini që e kaloi jetën në internim që nga mosha dy vjeçare, më dhuroi librin e gazetarit dhe fotografit te njohur Beqir Sina, i njohur nga mua edhe nga shkrimet për kushrinjtë e mi Qemal Lepenica dhe Pullumb Lamaj, në Amerikë, shkrime që i përfshiva në monografinë, kushtuar tim kushriri. (“Qemal Lepenica…”, Tiranë 2019, f.244 – 245)  

Beqir Sina është nga Dibra, lindur në internim në Savër të Lushnjës dhe me banim në Amerikën e ëndërruar prej tij. Me këtë libër ai është nisur të tregojë biografinë e tij, por falë inteligjencës dhe përvojës jetësore  ai në fakt na ka treguar biografinë e Shqipërisë komuniste dhe kjo është vlera dhe rëndësia e këtij libri dhe për këtë arsye duhet ta lexojnë të gjithë shqipëtarët, veçanërisht të rinjtë. 

Për vendet e internimit, pra edhe për Savrën, kanë shkruar shumë, por libri i zotit Sina është një përshkrim i plotë, një analizë e plotë me fakte tronditëse të atij vendi ku vuanin pa faj familjet shqiptare.

Libri përmbledh në fakt dy libra: Jeta imë në Shqipëri dhe Jëta imë në Amerikë. Unë do të ndalem vetëm në librin e parë, çka paraqet një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë, pasi jeta në Amerikë është e njohur për shqiptarët që emigruan atje pas vitit 1990.

Pas arratisjes së të atit gjyshja e Beqirit, nëna e tij me një fëmi dy vjeç dhe me Beqirin në bark u internua në Savër të Lushnjës, atje pas tre muaj do të lindte Beqiri, ndërsa vëllai tij do të vdiste në moshën 12 vjeçe nga mungesa e mjekimit dhe urija, po atje në vuajtje dhe zemërdjegur do të vdiste edhe gjyshja e tij. Atje në mjerim do të kalonte Beqir Sina 30 vjet të jetës së tij (f.129)

Tregimi i vuajtjeve dhe tmerrevë të të internuarve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës na vjen tashmë nga një dëshmitar okular që mbi familjen dhe kurrizin e tij, kaluan ato tmerre dhe vuajtje që shqiptarët nuk i kishin provuar nga asnjë pushtues i huaj edhe nga fashistët dhe nazistët, por po i provuan nga komunistët shqiptarë.  

 Mjerimin e jetës në internim, në robërinë komuniste dhe të jetës së tij si rob i komunistëve, siç na e thotë autori edhe në titull të librit e përshkruan me realizëm mbi bazën e fakteve dhe provave, e përshkruan kaq bukur e me talent sa librin po fillove ta lexosh nuk e heq dot nga dora deri sa ta përfunosh.

Janë të shumta skenat që përshkruan autori për varfërinë, që nga uria dhe vuajtja e prindërve që nuk mund t’i kënaqnin fëmijët as me bukë thatë. “Nëna ime ishtë mësuar …, i merrte fëmijët me të mirë. Në këto raste ajo u jepte atyre ndonjë lugë sheqer…”, shkruan autori.  

Sa e dhimbshme. Sot sheqeri pothuajse është falas edhe lypsit e vegjël kur të vinë në kafene dhe ti , u ofron një paket sheqeri e refuzojnë me përbuzje, ndërsa në atë kohë një lugë sheqer për fëmijët ishte gjë e madhe. 

Më kujtohet zakoni i kohës kur shkonim për vizitë ditën e Bajramit dhe e zonja e shtëpisë një lugë kafeje me sheqer, na e hidhte në pëllëmbën e dorës! 

Autori nuk ndalet vetëm në analizën dhe përshkrimin e vuajtjeve në Savër, por ai është zgjeruar në tregimet e tij, çka flet për kulturën e gjerë që ka duke treguar nëpërmjet tregimeve familjare zakonet e traditat e mira të popullit tonë, zakone dhe ligje të cilat e kanë mbajtur popullin tonë përballë invadimeve dhe presioneve të pushtuesve të huaj. 

Kështu p.sh. fejesën me Altinën ai na e tregon me emocione njerëzorë që prekin zemrën dhe mendjen e njeriut. Ndërsa na përshkruan dasën e tij që e bëri me lekë borxh ashtu si gjithë shqiptarët në atë kohë. Edhe autorit të këtij shkrimi ku erdhi dita të martohej e thirri nëna dhe i tha: “Enver vështro të keqen nëna dhe bëhu llotari që të bëjmë dasmën”. Ashtu bëra edhe unë. Llotaria ishte një shpikje e kohës bëheshin 10 vetë bashkë dhe çdo 15 ditësh që paguheshin njeri merrte rrogat e të 10 të tjerëve dhe kështu me radhë deri tek i dhjeti… Kështu veprohej në atë varfëri e mjerim të komunistëve, si në internim dhe tek ne që quheshim të lirë pasi Shqipëria ishte një burg i madh. 

Ashtu siç tregohet në libër, por edhe siç na thotë vetë autori, qëllimi i tij nuk ishte thjesht të tregonte jetën e tij, apo të familjes së tij plot mundime, vuajtje e peripeci mbreslënëse, por “kujtesa na thërret dhe asnjë që ka sakrifikuar në këto vende të tmerrshme internimi nuk duhet të harrohet…  Secili ka një emër. Secili ka një kujtesë… Vetëm kështu zemra ime do të  qetësohet sadopak” (f.125 -126)

Dhe më tutje, në këtë libër, autori na jep listën e plotë të atyre individëve, apo familjeve që vuajtën të zit e ullirit në atë vend ferri si Savra e Lushnjës. Këta individë apo familje autori i përshkruan me realizëm, me dashuri dhe respekt dhe duket se edhe sot në botën e lirë atij i dhemb zemra për ata që vuajtën, dhe për popullin  e tij. 

Kjo duket që është edhe ideja kryesore që përshkon këtë libër, aq më tepër kur autori vë përballë kësaj jete të mjerueshme ku një popull i tërë jetonte nën shtypje çnjerzore, jetën e tij në Amerikë. Në “Shqipërinë e vogël prej më pak se 3 milion banorë kishte 23 burgje dhe 48 kampe internimi për të ashtuquajturit “armiq të popullit”. (f.118). 

Ka shumë kapituj e tregime në këtë libër ku mund  të lexohen me lotë në sy, si puna e rëndë raskapitëse në bujqësi, refuzimi për të shpëtuar jetën e një fëmije 12 vjeçar, vëllai Beqirit,  duke e lënë të vdiste pa e mjekuar etj.

Një nga tmerret më të mëdha të asaj kohe ishte edhe shpikja djallëzore, çnjerzore: demaskimet publike, kur “armikun e popullit” e nxirrnin para turmës dhe turma e bindur e shan e poshtëron dhe e … pështynë. “Në Savër u bënë të paktën pesë demaskime publike publike, që ishte shumë për një kamp me rreth 500 të internuar. U demaskuan Bardhok Zefi, Lazër Radi, Vocërr Hoxha, Ahmet Laholli dhe Reshit Mulleti”. (f. 120)

Kjo ndodhte në vendin e internimit, po në Ndërmarjen e Përpunim Drurit në Vlorë në vendin e “lirë” çfarë ndodhte? Edhe atje u demaskuan publikisht Sefer Dauti megjithëse ishte anëtar partie dhe ish piloti me grua ruse Ilias Kelo, ndërsa Llazar Cekon nga Narta e pushkatuna në moshën 37 vjeçare, pasi ai kaloi kufirin dhe doli në Greqi, por u kthye me vullnet të lirë pas një muaji!

Pra ajo që ndodhte në vendin e internimit, ndodhte edhe në vendin e lirë, pasi Shqipëria ishte një burg i madhe i rrethuar me tela me gjemba.

Jeta në interin ishte jeta në Baraka, mbuluar me eternit, asbestin kanceroz, dhe jeta zhvillohej në shoqërinë e mijve.”Arat përqark ishin plotë me minj… Më ndonjë vend kur tavani ishte çarë nga shiu, miu binte nga çatia në mes të dyshemesë… Në vitin 1980, barakave iu shtua asbesti, një material kancerogjen… Në Savër kanë vdekur shumë njerës nga kanceri, por ne nuk e denim nga vinte”. (123 dhe 125)

Ky ishte komunizmi i Enver Hoxhës. Me ndihmën e Kinës në Lushnje dhe në Vlorë në krah të fabrikës së çimentoe “Vladimit Iliç Lenin”, u ndërtua fabrika e eternitit, pra dukej sikur Lenini nuk ishte kënaqur me vuajtjet dhe tmeret e Enver Hoxhës, por duhet t’u linte trashëgim shqiptarëve edhe kancerin e mushkrive.

Pas demaskimit publik një tjetër akt çnjerëzor i komunistëve, që na përshkruan z. Sina ishte përpjekjet që ata bënin që familjarët të spiunonin njeri tjetrin. Komunistët arrestuan dhe dënuan për herë të tretë Musën, xhaxhanë e Beqir Sinës. Pas arrestimit thirrën në hetuesi të shoqen e Musës, Beqirin dhe nënën e tij dhe u kërkuan të tregonin se çfarë kishte biseduar Musa me ata dhe duhet të tregoheshin të sinqertë, pasi Musa kishte treguar…

“Në këtë e sipër, një polic që rrinte në këmbë  e qëlloi gruan e xhaxhait me një shpullë të fortë… Më vonë ajo do tregonte se nga ajo anë kishte humbur dëgjimin… Nuk kaluan as pesë minuat dhe polici u rishfaq në derë me xhaxhain. Musës ia kishin lidhur duart nga prapa… Ishte i hequr në fytyrë dhe dukej i vrarë në shpirt. Nuk e kisha parë kurrë me kokë të qethur dhe kjo, me sa kuptoj, duhet të ishte një tjetër formë poshtrimi…” (f.145 – 146)

Më duhet të theksoj se në vendet demokratike edhe në Shqipëri sot, mbrojtja e karakterit dhe dinjitetit të njeriut është e sanksionuar në kushtetutë.Nuk ke detyrim dhe nuk mund të dëshmosh për njeriun e afërt. Edhe një detaj tjetër nga tregimi Beqir Sinës. Të burgosurin e poshtërojnë duke i qethur kokën. Po përse sot koka e qethur ka dalë në modë? Aq më tepër koka e rruar një shëmti dhe munges karakteri.                                                        

Një i internuar pasi lexoi librin i tha autrit të këtij shkrimi: “Sa mirë e paska ditur dhe e ka treguar historinë time Beqir Sina”

Kaq mjafton për vlerat e këtij libri i shkruar me mend dhe me zemër sa që të duket sikur Beqir Sina tregon historinë tënde. 

                                               *      *      *

Nëpërmjet jetës së tij Beqir Sina ka treguar jetën në Shqipërinë komuniste e përshkruhet me realizëm, me talent dhe zgjuarsi.

Duke treguar biografinë e tij autori thellohet në histori, në të dhëna historike, siç është rasti i historisë së Savrës çka rrit vlerat e librit dhe e bën atë më tërheqës për një masë të gjerë lexuesiht. 

Në libër tregimet e tij bëhen plotësisht të besueshme për lexuesin, pasi në shumë raste autori i drejtohet shkencës së statistikave për të provuar padrejtësinë, shkeljen brutale të të drejtave njerëzore, vuajtjet, burgjet dhe tmerret që komunistët ushtruan me dhunë mbi popullin shqiptar. 

Rëndësinë dhe vlerat e këtij libri janë evidentuar edhe nga gazetyari i njohur Ilir Ikonomi, që la bërë recensën e librit.

Treguesi i emrave në fund të librit tregon për një punë serioze të autorit dhe që kalon vlerat e një treguesi të thjeshtë.

C:\Users\User\Documents\309120448_5437887686259022_2942088794567645853_n.jpg

Dokumenti që duhet të firmosnin të internuarit. I internuari Simon Miraka ka refuzuar firmën.

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_2302.jpg

Filed Under: Fejton

QEVERIA MELONI: ATO PIKA THEMELORE

October 3, 2022 by s p

Nga ANTONIO POLITO/

Italianët kanë vendosur t’i japin besim Xhorxha Melonit, apo janë zbuluar papritmas të së djathtës skajore (“far right”, siç shkruan Washington Post)? A na presin kohë me uniforma shajaku, apo në rastin më të mirë ala Orbán? Apo demokracia e jonë është mjaft e qëndrueshme sa t’i lejojë votuesve të zgjedhin qeverinë që duan pa rrezikuar hapa në tym apo mbrapa në histori? 

Për t’i u përgjigjur këtyre pyetjeve, që shqetësojnë shumë italianë dhe ndezin shtypin e huaj, duhet para së gjithash të pyesim kush janë zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë Xhorxha Melonin (shumë, po të mbajmë parasysh se tetë vite më parë mori vetëm 4,3 %). Bëhet fjalë në pjesën më të madhe të valëve simbas përimtimeve të rrjedhjeve, për vota t’ardhura nga Lega apo Pesë Yjet. Nuk mund të përjashtohet që shumë prej tyre të kenë votuar Rencin në Evropianet e vitit 2014. Secili nga sukseset zgjedhore që tashmë përsëriten në seri, për t’u shfryrë më pas me po të njëjtën shpejtësi, shënon një zhvendosje të një mase votash që prej kohësh është duke dihatur në kërkim të një shpëtimtari t’atdheut, të një krijuesi që mund të na bëjë të dalim nga shtjella e rënies nga e cila jemi mbështjellur. Bëhet fjalë për italianë tashmë të shkëputur nga çdo kushtëzim ideologjik, të zhgënjyer e të zvjerdhur, politikisht të shpenguar, jo saktësisht të djathtë as përkatësisht të majtë. Shpesh i kemi përcaktuar “populistë”.

Deri tani këto pështjellime kanë prodhuar, më shumë se sa rreziqe për demokracinë apo tundime autoritare, kaos dhe paqëndrueshmëri politike. Në dy votime rradhas, më 2013 e më 2018, kutitë e votimit nuk i kanë dhënë shumicën asnjë lidhjeje zgjedhore; për pasojë, në dhjetë vitet e fundit, janë shfaqur qeveri frute të marrëveshjeve parlamentare, shpesh të drejtuar nga personalitete të cilët as që kishin marrë pjesë në votimet. 

Edhe se bëhet fjalë për një flegër të dobishme sigurie në regjimin tonë parlamentar, sepse e aftë të shmangë zbrazëti pushteti kur sistemi bllokohet, është e qartë se një demokraci është më e fuqishme nëse qarku zgjedhës-Parlament funksionon, e i jep jetë shumicave të puthura nga miratimi i kutive të votimit. Pra, nga kjo pikpamje, nuk mund të thuhet se përfundimi i zgjedhjeve të së dielës përbën një mbrapakthim. Përkundrazi. Udhëheqësja e opozitës ka fituar e do të shkojë në qeveri. Dikush ka shkruar se kësaj i shërben demokracia: shkëmbimit të klasëve drejtuese pa derdhje gjaku.

Një rend i dytë i problemeve dhe shqetësimeve  rrjedhin nga personaliteti dhe historia politike e fitueses. Qartësisht e së djathtës; madje të një të djathte me prejardhje nga Lëvizja shoqërore italiane, kombëtariste e nativiste. Simbas një studimi të Luiss, duke mbledhur votat e Melonit me ato të Salvinit arrihet rezultati më i mirë zgjedhor i së djathtës në historinë e Evropës perëndimore. Pra është i kuptueshëm shqetësimi i Vëndeve tona partnere, të cilat luftojnë për ditë në shtëpinë e tyre për të shmangur një përfundim të këtillë. Gjithashtu sigurisht kryeministreja e mundëshme e ardhëshme ka për detyrë për të shkrirë një droçkë armiqësish që përndryshe do të dëmtonte Italinë, përveç asaj vetë.

A mund të thuhet se Xhorxha Meloni është e vetëdijshme? Disa tregues na thonë se po. Nuk bëhet fjalë vetëm për premtimin e “qeverisjes për të gjithë”, për “të bashkuar Italinë”, të deklaruara mbas suksesit. Që në fushatën zgjedhore fjala e saj kyçe ka qënë “përgjegjshmëria”. Ka dhënë këshilla mbi tri pikat themelore për qeverinë e ardhëshme: lufta n’Ukrainë, kriza energjitike, disiplina e bilancit. Mbi të gjitha këto mund të thuhet se ka përqafuar rendin e ditës Dragi, duke mbështetur edhe nga opozita qeverinë, si mbi sanksionet e armët për Ukrainën, si mbi betejën n’Evropë për çatinë e çmimit të gazit, si për kundërshtinë ndaj borxhmarrjes së nxituar të Vëndit. Tani ka një mandat të qartë për t’u mbajtur në këto tre pika. Për të vërtetuar maturinë me të cilën deri tani ka kufizuar propozimet zgjedhore më shpërthyese të aleatëve për bilancin publik, mjaft të mendohet për flat tax.

Natyrisht prova e kremës është në të ngrënit e saj. E vështira për Xhorxha Melonin fillon tani. Nuk ka pothuaj asnjë përvojë qeverie, dhe nuk e ka as klasa drejtuese e një partie të mësuar (apo të shtrënguar) prej kohësh në opozitë. Duhet t’a kuptojë shpejt se Brukseli është më pranë nesh se sa Washingtoni, e që Berlini e Parisi janë aleatë të çmuar, sigurisht më shumë se sa Varshava dhe Budapesti.

Por suksesi  relativ zgjedhor i Berluskonit, që do të mundet kështu t’i veshë vetes përfaqësinë e të moderuarve në shumicën e ardhëshme, dhe humbja e padiskutueshme e Salvinit, që pakëson vendosmërisht për të  ose për pasardhësin e tij hapësirat e manevrës, do të duhej t’i siguronin një dritare mundësish për një apo dy vjet, në të cilët do të tregonte se din të marrë në dorë frenat e qeverisë e të shquajë interesat reale kombëtare të Italisë.

Mbetet së fundi çështja e brishtë e të drejtave e të lirive që është mirë të mos nënvlerësohet. Në të gjithë botën, edhe n’Evropë, jemi të pranishëm në orvajtje për t’i kufizuar të dyja. E djathta italiane është sigurisht tradicionaliste dhe konservatore në lëndët si familja, aborti, mëmësia , gjinia. Por ndërsa këtu jemi në fushën e zgjedhjeve të ligjëshme politike, çdo shpresë për t’u kthyer mbrapa në fitoret qytetare të një Vëndi bashkëkohor e të lirë siç është i yni, do t’ishte aq e papërshtatëshme sa që të bëjë të besohet që një drejtues i zgjuar as që do t’i a hynte t’a provonte. Tjetër çështje është zgjerimi i mundshëm i sferës së të ashtuquajturave të drejta: mbi të cilat shprehet sovranisht Parlamenti, simbas lojës klasike të dialektikës e të ballafaqimit.

Me gjithë respektin për kryeministren franceze, Elisabeth Borne, që don të “vigjëlojë” mbi këto tema, besojmë se mund t’i themi se Italia është në gjëndje të vigjëlojë vetë. Demokracia e jonë është herë herë rrëmujëmadhe por e qëndrueshme, dhe zotërojmë të gjitha siguritë e një shteti të së drejtës. Një Parlament të lirë, në të cilin veprojnë tre grupe të ndryshme e luftarakë të opozitës, një president i Republikës që siguron respektin e Traktateve e konventave ndërkombëtare, një gjykatës ligjesh që vërteton kushtetueshmërinë, një rrahje e gjallë mendimesh publike e një sistem mediatik veprues e demokratik.

Megjithatë tashmë jetojmë, ashtu sikurse të gjithë Vëndet e tjera, në një arenë publike gjithevropiane. Të tjerët na gjykojnë ashtu sikurse dhe ne gjykojmë të tjerët. I leverdis të gjithëve që ai gjykim të jetë apo të bëhet pozitiv.

“Corriere della Sera”, 26 shtator 2022       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT