• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Shqipëria 110 vjet shtet, roli i Diasporës dhe SHBA-së në pavarësinë e trojeve të Arbrit, copëtimi i vendit nga fqinjët dhe roli i Fuqive të Mëdha

November 22, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Shpallja e Pavarësisë dhe hedhja e bazave të ndërtimit të shtetit të ri shqiptar, më 28 Nëntor 1912, është akti më heroik, fitimtar, dobiprurës, që do të shënonte një kthesë të madhe historike për lirinë e vendit dhe Ballkanit në përgjithësi, për një të ardhme të begatuar dhe do të shërbente si dritë drejtuese për kombin, përgjatë një rruge të vështirë plot mundime. Ishte koha kur shqiptarët ndjenjën e patriotizmit dhe dashurinë për atdheun e kishin të induktuar në shpirt e në zemër, ku me gjakun e dëshmorëve u gdhendën shumë fitore, beteja, luftra për liri. Ishte koha kur shqiptarët lëngonin nga vuajtjet, varfëria ekstreme, nga etja për të shkruar dhe kënduar me zë të lartë shkronjat e arta të gjuhës shqipe; ishte koha kur shqiptarët luftonin të ndërtonin shtetin e tyre me institucionet respektive, të ndërmerrnin politika ekonomiko-sociale, të ishin zotër të vatanit dhe të merrnin në dorë fatin e vendit për një të ardhme të ndritur. Që dielli të ndriçonte Shqipërinë dhe zemrat e tyre, shqiptarët duhet të bashkoheshin dhe të ngriheshin kundër zgjedhës së huaj, për ta shporrur njëherë e përgjithmonë nga territoret e Arbrit, nëpërmjet Aktit të Pavarësisë dhe krijimit të Qeverisë së Vlorës.
Figura e Ismail Qemalit ka një rëndësi të veçantë në historinë e popullit shqiptar, pasi ai qëndroi në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kundër otomanëve, duke sjellë lirinë, pavarësinë e territoreve shqiptare. Ismail Qemali është themeluesi i shtetit të ri shqiptar, “babai i kombit”, mendjendrituri, me kulturë të gjerë, i urtë, fisnik, “Prometeu i Lirisë”, burri i cili përdori të gjithë eksperiencën e tij si shtetar në administratën më të lartë në Perandorinë Osmane, duke drejtuar me mençuri shqiptarët në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të tyre.
Pavarësisht se Qeveria e Vlorës ishte një qeveri e brishtë, pasi nuk ishin pjekur akoma kushtet që Shqipëria të kishte një qeveri të vetën drejtuese, me institucione të konsoliduara demokratike, pavarësisht problemeve dhe tensioneve të tjera që erdhën më pas, shqiptarët e treguan në “sytë e botës”, se ishin të gatshëm të ndërtonin vendin e tyre dhe do të qëndronin gjithmonë të bashkuar për të kontribuar në lëvizjen kombëtare shqiptare, me përpjekjet e trimave brenda vendit dhe figurave të spikatura mendjendritura, që ishin shpërndarë nëpër botë, duke ndihmuar dhe luftuar në kancelaritë e huaja për çështjen e kombit shqiptar. Akti i Pavarësisë dëshmoi edhe njëherë se shqiptarët janë pasardhës të denjë të heroit legjendar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, prijës i Arbrit, strategut, udhërrëfyesit, trimit, luftëtarit, që theu turqit në shumë beteja, dhe ishte i pari që ndërtoi marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. Amaneti i tij po shkonte në vend…

Fundi i Perandorisë Turke dhe Shpallja e Pavarësisë

Periudha e pushtimit të territoreve shqiptare nga Perandoria Osmane, i përket viteve 1384-1912, ku shqiptarët qëndruan të shtypur për 528 vjet, jetonin në kushte të mjerueshme dhe ishin analfabetë, ndërsa kleri katolik luajti rol të rëndësishëm në mësimin e gjuhës shqipe dhe shkencave të tjera, por, shumë prej tyre u vranë dhe u ekzekutuan nga turqit. Osmanët, sapo erdhën në territoret shqiptare, përdorën mjete nga më barbaret për të ndaluar mësimin e shqipes, ata që do të mbanin fenë e krishtere do të paguanin taksë, e njëjta gjë edhe për ata shqiptarë që do të lidhnin martesa me familje të krishtera. Ashtu siç pati ndodhur edhe gjatë periudhës të mëvonshme, pasmesjetare, Fuqitë e Mëdha e lanë Shqipërinë dhe Ballkanin në përgjithësi nën pushtimin osman për 528 vjet, për interesat e tyre gjeo-politike, për të penguar daljen e Serbisë në det dhe për të ndalur shtrirjen e Perandorisë Austro-Hungareze drejt Selanikut. Tradhtitë dhe pabesitë e zyrtarëve të lartë të kontinentit plak ndaj Shqipërisë që patën nisur që në periudhën mesjetare, nuk po ndalen as sot, duke e mbajtur larg Bashkimit Europian, larg mirëqënies, dinjitetit dhe respektit.
Ditët e fundit ka patur një deklaratë shokuese nga sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, ku i etiketon shqiptarët si kriminelë. Në vend që të kërkojnë falje për çorbën që gatuan në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, për Traktatin e Fshehtë të Londrës, më 1915, që donin të zbatonin kundër Shqipërisë, Britania nxjerr jashtëqitje të tilla me pafytyrësinë më të madhe. Por, pjesa më e rëndësishme është dashuria për njëri-tjetrin, bashkimi i shqiptarëve, me zemër, me mendje, për një qëllim të përbashkët, duke i treguar botës gjërat më pozitive për veten dhe kombin, dhe jo të shesim njëri-tjetrin duke u përçarë. Bashkimi është fuqi, dhe nuk ka asgjë që e tund nga themelet! “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”, thotë Konica. I vetmi vend që e ka mbështetur Shqipërinë në të gjithë historinë shekullore, është SHBA-ja, aleatja, mikja besnike, partneri strategjik me një rol vendimtar dhe të pakthyeshëm për vendin.
Lufta Ruso-Turke dhe luftërat ballkanike e dobësuan Perandorinë Osmane, duke bërë që shqiptarët të gjenin rastin të shpallnin pavarësinë dhe të shkëputeshin nga etiketimi Turqia Europiane. Perandoria ishte në grahmat e fundit. Në gusht të 1912, Stambolli, pas shumë përpjekjesh njohu idenë kombëtare shqiptare për bashkimin e trojeve shqiptare, të 4 vilajeteve. Kjo bëri që të ndërhyjnë fuqitë ballkanike, duke sjellë humbjen e osmanëve në Luftën Ballkanike, por, fatkeqësisht dhe copëtimin e trojeve shqiptare. Fqinjët në mënyrë të qëllimtë nxitën kryengritjet e shqiptarëve kundër osmanëve, në mënyrë që Perandoria Turke të kapitullonte dhe ata të përfitonin nga rasti të grabisnin territore shqiptare. Sot e kësaj dite, Shqipëria vuan dramën e marrjes së territoreve në mënyrë të padrejtë, ndërsa Fuqitë e Mëdha jo vetëm që nuk bënë asgjë, por mbështetën orekset e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 delegatët të ardhur nga Gjakova, Plava, Gucia, Peja, Ohri, Struga, Tetova, Çamëria, Mitrovica, si Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, etj, madje pakica kombëtare që jetonin në trojet shqiptare, erdhi si një “Promete” për t’i kthyer vendit lavdinë e munguar, lirinë, pavarësinë, begatinë në trojet e tyre. Pavarësia e tokave shqiptare u shpall nga Kuvendi Kombëtar i 28 nëntorit 1912 dhe u valëvit krenar Flamuri Kombëtar Shqiptar. Lista e firmëtarëve të dokumentit të pavarësisë u botua në gazetën e qeverisë së dalë nga ajo asamble, Përlindja e Shqipniës. Firmëtarët janë: Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Jorgji Karbunara, Elmas Boçe, Veli Harçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani. Aristidh Ruçi, Abdi bej Toptani, Abaz Dilaver Çelkupa, Mid’hat Frashëri, Shefqet Dajiu, Zihni Abaz Kanina, Xhelal Koprëncka, Hajredin bej Cakrani, Qemal Karaosmani, Ilias bej Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Beratti, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Murad bej Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Thanas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika-Kruja, Ferit bej Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa, Zyhdi Ohri.

Figura e Ismail Qemalit dhe Qeveria e Vlorës

Ismail Qemali është personaliteti që mbart një vlerë dhe një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me aktin e tij, solli pavarësinë e territoreve shqiptare nga pushtimi osman. Ismail Qemali nuk ndryshoi vetëm fatin e Shqipërisë, por dhe të Ballkanit në përgjithësi. Ky personalitet me formim të gjerë pati pozicione të larta drejtuese në Perandorinë Turke, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë, dhe, gjithë eksperiencën e tij e përdori në ndërtimin e shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministër i Jashtëm, Ministër i Punëve të Brendshme, i Drejtësisë; Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit; këshilltar a sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete; prefekt në qytete të mëdha a kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë; kryetar i Dhomës së Deputetëve.
Ai firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë thuhej; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Asambleja Kombëtare e cila shpalli pavarësinë në 28 nëntor 1912, zgjodhi senatin me 18 anëtarë. Ismail Qemali zgjidhet kryeministër, nga periudha 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914. Komplotet dhe mosmarrëveshjet bënë që kjo qeveri të ishte jo shumë jetëgjatë. Pas qeverisë së Ismail Qemalit u krijuan edhe disa qeveri të tjera, ajo e Turhan Pashës, Sulejman Delvinës, Iliaz Vrionit, gjë që tregoi një destabilitet politik. Ndoshta nuk mund të quhej një qeveri e mirëfilltë, por ky akt i dha peshë Shqipërisë të dalë nga pushtimi i gjatë osman, se përpjekjet e shqiptarëve nuk do të ndaleshin për pavarësi të plotë, se ky vend nuk ishte pa Zot.

Copëtimi i Shqipërisë, roli i Fuqive të Huaja

Gjatë viteve 1910-1912, Shqipëria ishte shndërruar në një vend baruti, ku fqinjët synonin të rrëmbenin një pjesë të territorit të saj. Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, që u mbështetën nga fqinjët në mënyrë tinzare, për të përfituar për veten e tyre, sollën vërtet rënien e Perandorisë Osmane, por për Shqipërinë fatkeqësisht u hap një kapitull i ri; copëtimi i territoreve të saj nga fqinjët, si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia. Kryengritjet shënuan nisjen e Luftrave Ballkanike që lanë një plagë të madhe edhe në ditët e sotme, duke e shpërfytyruar Shqipërinë Natyrale. Shpalljen e Pavarësisë nga Perandoria Turke fqinjët e mbështetën, por, kjo pavarësi nuk u njoh nga disa vende, kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t’i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare. Gjendja e Shqipërisë pasqyrohej edhe në shtypin e huaj të kohës. Korrespondenti për Ballkanin, Leon Trocki, thoshte: “fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbine e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje…”. Ndërsa burimeve të tjera të huaja citonin se, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913.
Më pas, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, nën drejtimin e Eduard Grey, u mblodh pas rënies së Perandorisë Osmane dhe luajti rolin e arbitrit mes shteteve fqinje ballkanike, që kërkonin të merrnin pjesë të territorit shqiptar. Konferenca nënshkroi Traktatin e Londrës, për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Ndërkaq, konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, ku Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë, Çamëria Greqisë, Mali i Zi mori Plavën, Gucinë dhe Ulqinin. Austro-Hungaria pati një rol të veçantë në Konferencën pati një rol të veçantë në Konferencën e Londrës, duke kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë, pasi kishte interesat e veta në Ballkan, ku kufijtë e saj shtriheshin deri në Bosnje. Kështu, asaj nuk i interesonte një Serbi rivale të dilte në det, pasi Austro-Hungaria vetë dilte në Trieste dhe në rajonet kroate e sllovene. Gjithashtu, Austro-Hungaria ishte kundër dhënies së Vlorës dhe ishullit të Sazanit Italisë, pasi kjo e fundit do të bllokonte hyrjen e saj në kanalin e Otrantos. Austro-Hungaria e mbështeti Qeverinë e Vlorës, jo sepse kishte marrëdhënie të mira me Ismail Qemalin apo e donte vërtet një gjë të tillë për shqiptarët, por që shtetet kërcënuese të krijonin idenë se Shqipëria është e pavarur dhe po ndërton shtetin e saj, duke mos lejuar shtrirjen e tyre deri aty saqë të kërcënohej edhe ndikimi i Austro-Hungarisë në Ballkan.

Roli i Diasporës Shqiptare

Diaspora Shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lëvizjen kombëtare shqiptare. Përpjekjet e saj janë po aq të rëndësishme sa ç’ është edhe roli i themeluesit të shtetit shqiptar. Diaspora e parë Shqiptare ishte ajo e Italisë dhe Greqisë, por diaspora shqiptare më e madhe është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fan Noli dhe Faik bej Konica, më 28 prill të 1912, i dhanë një peshë të madhe rolit të diasporës në çështjen kombëtare shqiptare. Ruajtja e territoreve shqiptare dhe ruajtja e gjuhës shqipe si një thesar i çmuar, ishte plaga që mbante ndezur brengën për të ardhmen e kombit. Ishte kjo brengë, dashuria për kombin, motivi që i mbajti gjallë dhe të mbërthyer deri në frymën e fundit, për të parë Shqipërinë të pavarur dhe të lirë.
Dy personalitetet e ndritura, Noli dhe Konica, themeluan Shoqatën Pan-Shqiptare Vatra, e cila kishte në qendër të saj problemet e Shqipërisë, ku luftoi për bashkimin e shqiptarëve dhe lirinë e trojeve, duke mos lejuar një copëtim të dytë të territoreve shqiptare. Vatra ka një vlerë të madhe patriotike edhe në ditët e sotme, pa të cilën nuk ka kuptim dhe jetë nacionalizmi shqiptar. Vatra, por edhe të tjera shoqata shqiptare, kontribuojnë me anë të aktiviteteve të ndryshme dhe shkollave shqipe, për të mbajtur gjallë traditat dhe promovuar vlerat kombëtare. Më herët u krijua shoqëria e parë shqiptare, “Malli i Mëmëdheut”, më 1 janar 1906, në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju Jork. Më pas, më 15 shkurt 1909, pranë shoqërisë “Besa-Besë” në Boston, u krijua gazeta “Dielli”, me kryeredaktor Fan Nolin, e cila shërbeu në dobi të çështjes shqiptare. Shkrimtarja dhe publicistja, Sevasti Qiriazi, ka dhënë kontribut me shkrime në disa revista të kohës. Naim Frashëri, në vitin 1885, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, arritën të bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza, megjithëse shqiptarët ende nuk ishin në ato kushte për të qenë plotësisht të lirë në vendin e tyre, në të gjitha aspektet.

Roli i SHBA në fatin e Shqipërisë

SHBA-të kanë marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore pas tri vitesh, në 1917-ën, përkrah Bllokut të Antantës. Anglia dhe Franca patën interes të kishin SHBA në krah të tyre për t’i bërë ballë rrezikut që vinte nga Gjermania. Por edhe vetë SHBA-të e shihnin si rrezik Gjermaninë, pasi kjo e fundit pati deklaruar se do të ndihmonte Meksikën të merrte territoret e saj, të pushtuara nga SHBA-të. Duke u bërë pjesë e diskutimeve për luftën, SHBA-ja kishte një peshë të veçantë në vendimet që do të merreshin nga fuqitë europiane. Presidenti Udrou Uillson luajti një rol të rëndësishëm në fatin e trojeve shqiptare, duke mos lejuar një copëtim të mëtejshëm të Shqipërisë, mes Italisë, Greqisë, Serbisë. Këtu do të përmendim personalitetin shqiptar, Fan Noli, i cili do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me Presidentin Amerikan, Udrou Uillson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Edhe përpjekjet e
shumë atdhetarëve të tjerë dhanë kontribut të madh, që Shqipëria të mos copëtohej në mënyrë që të humbte komplet kufijtë e saj natyralë. Uillson nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, duke u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, që kufijtë e Shqipërisë të mos tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës, në vitin 1913. Presidenti u bë një figurë e rëndësishme me anë të programit të tij që ka hyrë në histori me emërtimin 14 Pikëshi i Udrou Uillson për popujt që kishin qenë pjesë e luftës. Programi i tij kishte në qendër arritjen e paqes dhe ardhjen e demokracisë.
Momenti kur Noli ka dialoguar me Uillson, është një moment i çmuar dhe shumë me fat për Shqipërinë, por ky nuk ka qenë i vetmi. “Unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i ktheja asaj bukën e jetës, lirinë”, i ka thënë Noli, Uillsonit. “Unë do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”, i është përgjigjur Uillson. Austro-Hungaria ka meritë në moscopëtimin e trojeve shqiptare, sepse kishte interesat e saj në Ballkan. Por, politikani i lartë amerikan, Udrou Uillson, ka meritën më të veçantë dhe më të sinqertë, për të mbrojtur kombin shqiptar nga orekeset e fqinjve. Pa rolin e Uillson, ndoshta sot Shqipëiria nuk do të ekzistonte në hartën e globit. Uillson donte një Shqipëria të pavarur dhe demokratike, sipas planit të vetëvendosjes së shteteve të dala nga Lufta e Parë Botërore. Fati i shqiptarëve është i lidhur ngushtë me SHBA-të, pasi figura të mëvonshme si Bill Klinton, Xhorxh Bush, Marti Ahtisari kanë dhënë një mbështetje të madhe për pavarësinë e Kosovës. E vetmja periudhë e marrëdhënieve të ngrira është ajo e diktaturës, kur SHBA ishin pozicionuar kundër sistemit komunist, kancerit të shoqërisë, por, me rënien e perdes së hekurt, shqiptarët përqafuan frymën demokratike të SHBA, duke e shndërruar në aleatin më të besuar.

Kongresi i Manastirit dhe Rilindasit

Ngjarjet historike në këtë shkrim janë renditur duke i zbritur vitet, nga shpallja e pavarësisë, si një moment kyç për Shqipërinë, e deri më herët, te zyrtarizimimi i Abetares. Kongresi i Manastirit është një moment tjetër historik po aq i rëndësishëm, i cili dëshmon përpjekjet e shqiptarëve dhe rilindasve mendjendritur për një Shqipëri të pavarur në të gjitha pikëpamjet. Kongresi i Manastirit është zhvilluar në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.
U vendos alfabeti latin, në mënyrë që shqiptarët të merreshin vesh më qartë me vendet e tjera. Njohja e kombit shqiptar kërkonte edhe themelimin e shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, në shkolla kombëtare. Gjuha amtare shqipe do të vendosej si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti i katërt i shkollës fillore. Një nga kërkesat më të rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve.
Përpjekje të mëdha ka bërë edhe kleri katolik, ku sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera. Populli shqiptar ka kaluar nëpër vuajtje dhe sfida të mëdha, padrejtësi që i janë bërë nga Europa dhe fqinjët, megjithatë ka arritur t’ia dalë mbanë edhe pse në situata tensioni, konfliktesh, etj.
Gëzuar Festën e Flamurit! Duke qëndruar të bashkuar, duke besuar dhe punuar fort për kombin dhe veten, askush nuk do të na rrëzojë dinjitetin, nderin, personalitetin dhe krenarinë!

Filed Under: ESSE

Ismail Qemali nga  të gjithë shqiptarët do  kujtohet gjithmon si një shenjtë

November 22, 2022 by s p

Ndriçim Kulla/

Ismail  Qemali erdhi në jetë në një kohë shumë interesante për historinë e vendit të lindjes. Në fëmirinë e tijë ai pati fare të freskëta kujtimet për Ali Pashë Tepelenën, i cili ishte udhëheqësi i parë që tentoi të krijonte një shtet nën pushtimin e Perandorisë Osmane. I. Qemali lindi përafërsisht në atë perjudhë kur farefisi i tijë i gjerë e i njohur u zhvendos nga Kanina, një ish-qytet nga më të rendësishmit e Mesjetës në Arbëri e qendër disa shekullore e derës fisnike dhe të mirnjohur të familjes së madhe Vlora, për në Vlorë, e cila deri atëherë ishte selija e një nënprefekture të vogël buzë detit. Me siguri fëmijëria e tijë e mire arsimuar në gjirin e dy prinërve me nivel të lartë kulturorë bëri të lindin në mëndjen e tijë të njomë shumë pyetje të natyrshme për një djalë të ri: Kush jemi ne shqiptarër? Çfar është gjiuha që flasim? Cila është qënia jonë shpirtërore ? Si emërtohet atëdheu ynë? Etj ,etj .. . Ishin dilema të natyrshme që shoqëronin atëherë në të gjitha qytetet e Shqipërisë pa përjashtim pinjollët e asaj shtrese të fisnikërisë së administrates së deri atëhershme. Në këtë drejtim përvoja politike e babait tij do ta hidhte edhe më thellë në mendime. Më vonë, kur të kalonte disa vjet të djalëris së tij në qytetin e madh të Selanikut, këto mendime do të kristalizoheshin në pikpamje të konsoliduara për jetën që i doli para. Kishte filluar për të ai procesi i ditur i karakterit të adoleshentit që quhet “pjekuri”. 

Kur I. Qemali filloi në vitin 1856 studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, në Europë kishte më tepër se një gjysmë shekulli që kishte shpërthyer Revulucioni Demokratik Francez i vitit 1789 që hodhi parrullën e famshme të quajtur “ Liri-Barazi-Vllazëri”. Ndonse brenda Francës ky revulucion realizoi vetëm ndryshimin e regjimit shoqërorë, në fakt jehona e tijë në histori mbetet më e madhja që ka patur ndonjë revulucion në botë. Ideologjia që ai shpalli para popujve ishte ajo e nacionalizmit edhe shteteve-kombe me parim kryesorë bashkimin e njerëzëve me një gjuhë, me një kulturë e një territore të vetëm. Ishte pikërisht kjo ide e shteteve-kombe që paralajmëroi stuhi e fortunë në Europë në të gjitha ato perandori shumëkombëshe që mbanin së bashku me dhjetra popuj. Kur I. Qemali qe 4 vjeç, revulucionet e vitit 1848, që u bënë njëkohësisht në disa vende, me jehonën e tyre u përcollën për herë të parë edhe te ne perms gazetave të para që erdhën. Kudo në të 4 anët e kontinenti tonë dëgjoheshin fjalët “komb”, “shtet kombëtarë” etj. Ndërkaq, në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë kishin filluar të vinin disa libra që quheshin “Abetare” e do ti njihnin ata me germat e gjuhës së tyre të përditshme. Shkurtimisht, kjo ishte atmosfera kur dialoshi i ardhshëm I. Qemali u fut në atë tempull të dies bashkëkohore që ishte gjimnazi “Zosime”. 

“Zosimea” u bë trualli ku në trurin e tij për herë të pare do ndizej idea kombëtare. Prej atëherë për të kishte nismuar një faze e re e avancimit të tij politik. 

Në atë shkollë të mesme, që ishte ndër më të mirat në krejt Perandorinë Osmane, për vetë përbërjen mjaft komplekse me nxënës nga gjithë popujt e Perandorisë, shpesh here në bisedat e përditshme që zhvillonin konviktorët me shokët e tyre, vëmendja përqëndrohej tek karakteristikat që kishin popujt nga njëri-tjetrit. Nxënësit grek krenoheshin me heronjt e mbretërit e lashtësisë së tyre të njohur, nxënësit bullgarë ngrinin lart 2 mësuesit e tyre të mëdhenjë, Cirili e Metodi, nxënësit hebrenj përkujtonin heronjt e tyre të përjetësuar në librat e shenjtë, kurse për shqiptarët nuk flitej askund, ndonëse ishin në shumicë në Janinë. E trishtueshme !

I.Qemali ishte nxënësi i parë shqiptarë i gjimnazit “Zosimea” dhe si i tillë padyshim që i ka ndjekur diskutimt e tilla mes moshatarëve të tij. Ai patjetë që dinte diçka për Pirron e Epirit, për Teutën e Ilirisë etj. etj. , por deri atëherë një errësirë e madhe e mbështillte historinë e vjetër të atëdheut të tij. Jeta shekullore në Perandorinë Osmane kishte mjergulluar gjithçka për gjenezën e tij. Ndërsa horizonti i tij mendor hapej për here e më tepër ndaj mësimeve dhe librave, aq më të ndërlikuara bëheshin enigmat që e mundonin për dheun e të parëve të tij. 

Kur I.Qemali do të niste punën si nënpunës i thjeshtë në administratën perandorake, një tjetër zhvillim i papritur do e shkunde përfundimisht ndërgjegjen e tij intelektuale. Traktati i Shën-Stefanit e Kongresi I Berlinit, që coptuan trojet shqiptare, shndërruan tërsisht rrjedhën e formimit tij politik dhe ideologjik. Ishte pikërisht kjo katastrofë njerzore që shërbeu si pikë vendimtare kthese, që në gjirin e asaj shtrese të Stambollit që quhej “diaspora shqiptare” të ngjizej pak nga pak embrioni i asaj që do thirrej me emrin “Rilindja Kombëtare”. 

Ata që projektuan dhe piketuan konturet e para të zgjimit Kombëtarë të Shqipërisë, në shumicën e tyre ishin bashkëkohës të I.Qemalit dhe ndoshta miq të tij. Ka qenë fat i jashtëzakonshëm që shpirti i lëvizjes përbëhej nga vëllezrit Frashëri, ajo treshe dietarësh të pashoq që i hodhën hapat e parë për lirine tone. Por ai që do të ngjallte i pari kujtesën tone kombëtare ishte Naim Frashëri. Nga hiri i pashuar i kujtimeve të lashta që pandeheshin të djegura dhe të harruara, ai do të frymëzohej për një poemë që befas i tronditi të gjithë bashkëkombasit. Ajo titullohej “Historie e shkurtër e Skëndërbeut” dhe u botua në vitin 1886. Papritmas, mbarë shqiptarët që e lexuan pyesnin: “Si e harruam Skëndërbeun?” por I.Qemali patjetër pyeti veten: “ A mund ta bëjmë prap Shqipërinë ashtu si Skëndërbeu realizoi para shumë shekujsh shtetin e parë shqiptarë?”

Në “Vitin jubilar të Skëndërbeut” në Tiranë u diskutua shkëlqyer e me plot argumente për hapsirën e ndritur që ai ka merituar në panteonin siperorë të vlerave tona. Banorët e pare autokton të vendit tone, Ilirët, që në Mesjetë quheshin arbër dhe vendi Arbëri, në shek. XV, në atë epoke kur zë e shtjellohet Rilindja e Europës Perendimore, gjetën te Skëndërbeu princin e parë arbër që kërkoi ti mblidhte në një shtet të vetëm. Në qendresën e tij titanike për të përballuar sfidën e një super fuqie në ngritje, ai arriti të fitoj admirimin e një qytetrimi që sapo kishte shtruar rrugën e tij për t’u bërë model i begatis ekonomike, përparimit kulturor dhe mirqenjjes së lartë. Ndonse, për arsye të ditura, Skëndërbeu nuk e çoi deri në brritje qëllimin final, shteti i tij i ideuar me emrin Beslidhja e Lezhës e seli në Krujë nuk dështoi aspak. Nostalgjia për të u kujtua në gati 3000 libra, vepra muzikore e pjesë skenike, që të krijuara nga shqiptarë e të huaj e ruajtën frymzimin për te brezat që do vinin. Ishte një bekim i Zotit që, edhe pse kishte kaluar gati afër një gjysmë mijë vjeçari prej atëherë, Rilindja Kombëtare e Shqipërisë e nxorri madhështinë e Skëndërbeut nga harresa e gjatë, për të na e sjellë prap pranë stërgjyshëve tanë që banonin në fund të shek. XIX. E ishte pikëriisht në këtë korsi të kalendarit stafetën e mori I.Qemali.

Agimi i shek.XX për parashikuesit e motit politik ishte tmerrsisht i vrentur. Por sidomos në Ballkan, në këtë udhëkryq të reshjeve të dendura të konflikteve etnike, shek. XX ka qenë më i egër e mizor posaçërisht për paraardhsit tanë të atij moti.

Menjëherë pasi gjermani vendosi të ndërtonte hekurudhen Berlin-Bagdat në vitin 1903, si një investim për të zhvilluar veten e për të ndihmuar Perandorinë Osmane njëkohësisht, në një rivalitet të hapur me të e perandorinë Austro-Hungareze me ndikimi në rajon, Rusia nxiti krijimin e Aleancës Katërpalëshe Serbi-Greqi-Bullgari-Mali Zi, e gatshme kurdoherë për të nisur një Luftë Ballkanike dhe për të coptuar shqiptarët. 

Në kulmin e këtyre intrigave djallëzore diplomatike për të shtrirë territoret e tyre, I.Qemali, mbasi ishte larguar nga Turqia për idetë e tij të avancuara liberale, endej nëpër greqi si një refugjat politik që kishte kërkuar strehim për familjen, por që i ndjente fort pabesin dhe dinakërinë e sofistikuar të diplomacies greke. Vetëm fitorja e revulucionit xhonturk në vitin 1908 do e ngushëllonte sadopak atë e do ta binte për t’u kthyer edhe një here në kryeqytetin ku kishte kaluar jetën. Për të ishte e qartë se orët e vdekjes së Perandorisë kishin zënë të binin mbrapsh, duke rrezikuar që të zinin në rrënojat e saj edhe bashkëatdhetarët e tij të dashur. 

Dhe këtu ai kap fillin për të menduar sërish Skëndërbeun në ditët e fundit të Sulltanit.

Ismail Qemaili mbart përgjegjësinë maksimale të qytetarit ndaj kombit shqiptarë kur ,në mes të rrezikut që i kanosej Shqipërisë në luftën ballkaniketë vitit1912, ndërmori aksionin final për tësh pallur Pavarsinë në Vlorë në nëntor të atij viti.Vetëm një përgatitje brilante diplomatike , që e dallonte si askush në atë Perandori , do ta veconte atë si përsonalitetin më të përshtatur ,për ta përmbushur atë mision. Me një kordinim të plot ,me diplomacinë gjeniale të Perandorisë Austro Hungareze , ai ja doli mbanë që të seleksiononte atë korpus të duhur prisash të qyteteve tona , që do krijonte atë asmble të pa shlyer që reklamoi para botës pavarsinë tonë .Tashmë është e konfirmuar historikisht nga telegramet e botuara për I.Qemalin , se ishte kryesisht ai që hartoi listën e delegatëvë ,që u mblodhën në atë nëntor të largët.

Në realitet , ai nuk kërkoi pas 500 vjetësh thjesht lirinë për 28 mij km katrorë, por e konceptoi atë si liri edhe për teritorin e sotëm të Kosovës dhte trojeve të tjera.Këtu shtrihet në tërë madhështinë e saj vepra e tij që e bëri të quhej “Babai i kombit “. Ai pati intuitën politike që të afronte pranë lider të vjetër e të rinj së bashku , për të startuar funksinimin e njërës prej shteteve më të reja të historisë, shtetit shqipëtar. Është tipik për këtë që nga delegatët e fundit që firmosi në dokument qe A .Zogu.

Shumë pre jush e kini mësuar në shkollë fatin e qeverisë jetëshkurttër të I.Qemalit. Por njerëzit , sic dihet ,vdesin një ditë , por idetë e tyre të mëdha nuk reshtin kurrë.Ideja e tij sublime ,pavarsisht se pësoi infart politik , nuk nuk u mposht dhe u zmadhua sërish, atëherë kur pas mbarimit të luftës së parë botërore ëndërra e tij u përputh me parimin e vetvendosjes së Presidenti amerikan Willson në Konferencën e Paqes në Paris.Do të ishin dy rethana fatlume , Kongresi I Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, që do të realizonin më së miri amanetin e pa tretur të Plakut të Vlorës

Është nder për çdo  shqiptar dhe në çdo moment që ti jepet  mundësia të shprehet dhe ta kujtoj atë si një shenjtë.

Po ,po për një shenjtorë të asaj kauze që është bazamenti i cdo të drejte , Liria Kombëtare.

Në mozaikun polivalent të simboleve njerëzore që janë Panteoni ynë i lakmuar , Ismail Qemali fokusohet fuqishëm fill pas Skënderbeut në hierarkinë e nderit , që duhet ti përkushtohet cdo nënshtetas shqipëtarë nga lindja deri në vdekjen e tij.

Kështu e dëshiron dhe dikton llogjika jonë e pa epur për të lartësuar përherë njerëzit që bënë Shqipërin,mes të cilëvë I.Qemali do të shkëlqejë pa mbarimisht i përjetshëm.

Filed Under: Histori

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shtuar së fundmi në Bordin e Nderit një sërë personalitetesh të shquara të diasporës shqiptare

November 22, 2022 by s p

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shtuar së fundmi në “Bordin e Nderit” një sërë personalitetesh të shquara të diasporës shqiptare.

Lazim Destani, një biznesmen i suksesshëm shqiptar, filantrop, aktivist, humanist dhe një qytetar i botës, i cili me mirësjellje ka pranuar të shërbejë në Bordin tonë të Nderit për të mbështetur misionin tonë. Z. Destani është i njohur për kontributet e shumta të çmuara në ndihmë të çështjes shqiptare në mbarë botën dhe shquhet si një individ i respektueshëm në të gjitha aktivitetet dhe rrethet afariste, filantropike dhe patriotike, duke bërë një ndryshim të madh në jetën e njerëzve.

Frank Shkreli, punoi për shumë vite për Shërbimin Shqip të “Zërit të Amerikës” dhe më vonë u emërua Drejtor i Divizionit Evropian, përgjegjës për të gjitha transmetimet radio dhe TV të “Zërit të Amerikës” në Evropë.

Pas tërheqjes nga qeveria, ai u emërua Drejtor Ekzekutiv i “Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan” (NAAC), një organizatë jofitimprurëse, me qendër në Uashington DC. Z. Shkreli është ndër shqiptarët e vlerësuar, me një personalitet të lartë dhe të respektuar për kontributin e tij në promovimin dhe mbështetjen e çështjes shqiptare në SHBA. Ai është autor i librit me tre vëllimeve “Demokracia nuk mund të presë”.

Harry Bajraktari, shqiptar nga Nju Jorku, është një tjetër përzgjedhje në Bordin tonë. Ai ka një rol të spikatur në krijimin e lidhjeve dhe miqësive me drejtues të lartë institucionalë në SHBA dhe ka dhënë kontribut të çmuar në demokratizimin e Shqipërisë, ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, si dhe kontribut të rëndësishëm për lirinë, pavarësinë e saj dhe më vonë njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet sovran.

Zoti Bajraktari është një tjetër patriot i vërtetë shqiptaro-amerikan që shquhet për vlerat universale të të drejtave të njeriut.

Dom David Xhuxha, shef i seksionit shqip të “Radio Vatikani”. Ai ka ndjekur dhe transmetuar zhvillimet historike shqiptare, si rënia e komunizmit në Shqipëri, pavarësia e Kosovës, si dhe zhvillime të tjera të mëdha në historinë e dekadave të fundit të shqiptarëve. Dom Xhuxha është autor i librit “Papa në Shqipëri”, një botim i cili hedh dritë jo vetëm në historinë e gjatë të vuajtjeve dhe mbijetesës së klerikëve shqiptarë, por edhe nderon shumë shqiptarë që luftuan fort për Paqen dhe Lirinë.

Ai ishte pjesë e delegacioneve gjatë vizitave të Papa Gjon Pali II dhe Papa Franceskut në Shqipëri.

Këto personalitete do të shërbejnë në Bordin tonë të Nderit së bashku me ish-ambasadorin e SHBA, Theodore R. Britton Jr, një fitues i Medaljes së Artë të Kongresit me një lidhje dhe dashuri të gjatë për shqiptarët, Profesor Daniel Serwer, një mbështetës i madh i shqiptarëve dhe një nga arkitektët e paqes së “Marrëveshjes së Dejtonit”, si dhe një ish diplomat me përvojë nga Uashingtoni DC.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka gjithashtu kënaqësinë të njoftojë një prurje të re në Asamblenë e Përgjithshme, ish Ministren e Integrimit Europian, Znj. Klajda Gjosha, një grua e suksesshme me një karrierë mbresëlënëse.

Ne besojmë fort se Znj. Gjosha do të jetë një vlerë e shtuar në përmbushjen e misionit të Këshillit.

/Argumentum.al

Filed Under: Rajon

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel

November 22, 2022 by s p

Patëm sot tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve këtu në Bruksel, me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, z. Miroslav Lajçak.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua në njërën anë çështja e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në anën tjetër çështjet aktuale sepse kjo është mënyra se si nga takimi i 18 gushtit që kemi pasur këtu në Bruksel organizohen bisedimet në vijim. Pra, një herë marrëveshja finale dhe më pastaj edhe çështjet aktuale. Kur kemi ardhur në Bruksel kemi ardhur me një propozim konkret për një deklaratë të përbashkët, e cila nënkuptonte në paragrafin e parë zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre takimeve që kemi pasur sot, kemi qenë afër dakordimit, mirëpo assesi nuk u pranua nga pala serbe çështja e propozimit të Bashkimit Evropian, sepse ata nuk e konsiderojnë atë propozim si bazë të mirë për të zhvilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, siç këtë e bënë Qeveria e Republikës së Kosovës. Kemi qenë afër dakordimit në kuptimin që ne ishim pajtuar, që fazën në vijim të zbatimit të vendimit tonë për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës ta pezullojmë, pra gjobat, të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërkaq në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, me prodhimin, me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës.

Por, natyrisht kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë se për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E në propozimin që na e kanë sjellë neve, për deklaratën e përbashkët z. Borrell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra që ne po vijmë këtu, në Bruksel, për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023. Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, z. Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po them me keqardhje, sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris, në kuadër të Forumit për Paqe, z. Joseph Borrell tha që propozimi nuk është franko-gjerman, propozimi është i Bashkimit Evropian por i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë, propozimi i Bashkimit Evropian. Mirëpo sot, po them me keqardhje ai hoqi dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu, të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë; marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme, edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën. Pra, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por edhe nuk mund të shndërrohem në lider shtetëror që merren vetëm me çështje të targave, e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj, edhe jemi në këtë situatë çfarë ndodhemi tani dhe unë shpresoj që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale dhe tri trilaterale, nuk kemi ende një marrëveshje. Faleminderit shumë.

Filed Under: Interviste

Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”

November 22, 2022 by s p

Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”, për te bashkëpunuar në promovimin e politikës tonë të jashtme kombëtare.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Drejtori Ekzekutiv i KASH, Ambasador Genci Mucaj dhe kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha.

Federata Pan-Shqiptare Vatra ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë dhe me tej në shtetndërtimin dhe demokratizimin e Kosovës, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm për pavarësinë e saj.

Përmes këtij memorandumi Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë me përvojen e pasur diplomatike dhe shtrirje të gjerë në rajon dhe Federata “Vatra” zotohen se do të bashkëpunojnë në aktivitete të përbashkëta ne funksion te politikes tone te jashtme kombetare.

Federata “Vatra”, sipas nevojës do të ofrojë mbështetje për Këshillin e Ambasadorve Shqiptarë, me qëllim rakordimin e politikës së jashtme me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe lobimit në favor të ceshtjes mbarë shqiptare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT