• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca: Ushtria është e shtetit e shteti është i popullit

November 11, 2022 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në ceremoninë e betimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të mbajtur sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, deputetë, oficerë të FSK-së dhe ushtarakë të NATO-s.

Me këtë rast, kryetari Glauk Konjufca përgëzoi rekrutët e rinj për marrjen e detyrës, ndërsa shtoi se ushtria po rritet e po forcohet në Kosovën sovrane dhe demokratike.

Kreu i Kuvendit tha se ushtria është e shtetit e shteti është i popullit. Ai shtoi se për këtë shtet është dashur shumë mund, sakrificë dhe përpjekje, që kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e vendit, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb.

“Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie, gjinie, feje apo përkatësie tjetër. Dhe kjo është një vlerë që u arrit me vështirësi dhe mençuri. Por për ta mbrojtur lirinë e shtetit tonë e kemi FSK-në, e cila po ndërtohet sipas principeve të një ushtrie moderne e profesionale”, tha kryetari Konjufca.

I pari i Kuvendit tha se Kosova është e vetëdijshme se çdo arritje e saj është bërë bashkë me miqtë tanë të çmuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera të botës demokratike evropiane e perëndimore.

“Prandaj orientimi ynë është i qartë. Ne duam të jemi pjesë e Aleancës Ushtarake të Atlantikut Verior – Aleancës më të fuqishme në botë, e cila përfshin ushtritë e vendeve demokratike. 23 vite më parë ishte pikërisht NATO-ja e cila me bombardimet e saj ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se Kosova nuk është shtet që ka pretendime territoriale, por ndihet e kërcënuar nga pretendimet e Serbisë.

Në fjalën e tij kryetari Konjufca përmendi edhe agresionin rus në Ukrainë, duke potencuar se Kosova është rreshtuar përkrah popullit ukrainas dhe luftës së tij të drejtë kundër okupimit rus. Ai shtoi se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova.

Filed Under: Emigracion

Krimet serbe në Kosovë ende të pa ndëshkuara nga drejtësia ndërkombëtare

November 11, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Platforma shtetërore serbe kundër gjeografisë kompakte shqiptare, ka zanafillë të hershme historike. Për fat të keq, pjesërisht kishte arritur që të shkatërronte strukturën etnike kompakte shqiptare në pjesën e Shqipërisë verilindore (Sanxhaku i Nishit) dhe në disa pjesë tjera.

Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike dhe u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.

Pas Serbisë së madhe në Ballkan, qëndronte politika pansllaviste ruse, në planet e tyre objektive strategjike ishte mos ekzistenca e shtetit të shqiptarëve në Ballkan dhe dalja ruse në Mesdhe nga porti i Durrësit. Në këtë mënyrë do të dominonte në Evropë ndikimi i shteteve sllave në krye me Rusinë. Ideja e Serbisë së Madhe u përkrah edhe nga politika shtetërore serbe që prej themelimit të shtetit serb. Kjo ide do të mbështetet edhe në programet e themeluesit të gjuhës letrare e të letërsisë së re serbe. Vuk S. Karaxhiq, thotë: ”Aty ku jeton qoftë edhe një serb, atje është tokë serbe”!

Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija”e Ilija Garashaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, që ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe. Këto ambicie kishin filluar të sendërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.

Serbia e madhe e mbështetur në mitologji dhe historinë e gënjeshtrave serbe, ishte parashikuar si rrezik për sigurinë e Ballkanit dhe Evropës nga analistët e shërbimit inteligjent amerikan pas viteve të ’90-ta.

Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1999, ku shteti serb, kundër shqiptarëve të Kosovës, përdori metoda mizore dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova. Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë morën përmasa tragjike për tërë botën e civilizuar. Krimet dhe masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Verbofc dhe Izbicë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.

Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan, por ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe që pa dallim moshe vriste shqiptarë. Përkundër sakrificës dhe luftës titanike të UÇK-së ishte e pamundur qe pa përkrahjen e NATO të ndale makineria vrastare e shtetit serb.

Mirëpo, edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë.

Historia, shqiptarët i dëshmon në luftëra vetëm duke u mbrojtur dhe duke u vetëmbrojtur. Masakra e Abrisë dhe Reçakut “vranë” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-së, sollën paqen në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar. Me mijëra të vrarë e të masakruar në shtëpi të tyre, shumë fëmijë, gra dhe pleq në gjithë Kosovën.

E sot, pas 23 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u dënuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli.

Filed Under: Opinion

Një kurorë ulliri në kulturën kombëtare

November 11, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Libri “Panteoni i Mirënjohjes Përmetare” me autor Shefqet Saliu është manushaqez naimjane, është shkëndijë e diellit dërguar nga “Fron i lart’ i Perëndisë” për të gjithë lexuesit e vëmendshëm që e duan këtë vend të bekuar.

Përmeti është i mahnitshëm, është det i gjerë dhe i thellë ku mund të notosh dhe s’mbytesh kurrë, sepse kanë një mikpritje të trëndafiltë dhe durim sokratik.  Përmeti të frymëzon në çdo fushë që të shkelësh, por ajo më e dallueshmja është historia dhe kultura e shquar kombëtare ku janë rrënjët e Frashëllinjve filluar me Naim Frashërin.  Shfletoj librin plot kurreshtje dhe ndal në faqen e parë me Shenjtin e letërsisë kombëtare Naim Shqipërinë.  Autori Saliu shkruan për Naimin:  “Poet i madh kombëtar, mendimtar, edukator, mësues dhe ndërgjegje e kombit, këngëtar i madh i Lirisë së Atdheut dhe i njeriut, titan i atdhedashurisë”.  

Letërsia jonë, kultura kombëtare do të ishte e cunguar pa Naimin dhe ashtu siç thotë Sevasti Qiriazi themeluesja e shkollës shqipe për vashat se Naimi, kur u hap shkolla shqipe nuk harronte të na shkruante dhe të na përhironte…

Naimi vdiq pa privilegje, veç lotit të fjalës për Shqipërinë do të shkruante Lasgush Poradeci.

Në faqen 15 ndalem tek Miss Bukura Elena Gjika, Dora D’Istria” kampione e kulturës e cila shkruante se deri në frymen time të fundit do të punoj për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, Atdheut tim të nderuar.  Kjo autore e 150 studimeve një rilindase e përkryer, kjo përmetare e spikatur europiane frymëzoi shkrimtarin amerikan Henri Longfelloun, kur e takoi të shkruante për Skënderbeun.  Arbëreshet në Itali e shpallën mbretëreshën e pashembullt të Shqipërisë.

Lexoj dhe më duket sikur ngjis shkallët e historisë zhytem e tëra në këtë panteon që autori Saliu i ka qëmtuar me majën e floinjtë të penës së tij duke i sjelle pranë nesh. 

Natyrshëm ndalem tek Abdyl Frashëri aty ku fillon Rilindja Kombëtare.  Mund t’i kesh lexuar, studjuar, komentuar sa e sa herë në auditore, por përsëri kur shfleton kete liber ke shumë gjëra për të mësuar dhe për t’u frymëzuar.  Me të drejtë Shahin Kolonja shkruan: Vetëm në saje të përpjekjeve vetëmohuese të Abdyl Frashërit, të gjithë shqiptarët u ngritën në këmbë.  Abdyl Frashëri u arrestua, u burgos, u dënua me vdekje dhe u internua nga osmanët për veprimtarinë kombëtare.  Vdiq në moshën 53-vjeçare.  

Në këto 100 personalitete ka dhe emra që mund të mos e dish egzaktësisht veprimtarinë, por tek ky libër mëson dhe vetëm mëson.  Ja Apostol Arsaqi nga Hotova e Përmetit ka qenë Kryetar I Këshillit të Ministrave të Rumanisë më 1862, filantrop, mjek, shkencëtar etj.  Ai paguante në shkollën pedagogjike të Athines çdo vit për një vajzë nga Hotova ose treva e Përmetit për të mësuar.  Ai ngriti një shkollë në Hotovë më 1870 me 50 nxënës, në këtë shkollë ka studiuar dhe Petro Nini Luarasi.  

E shoh këtë libër si panteon dhe imagjinata më shkon ulur diku buzë Vjosës sime, atje ku ka rrënjët shkrimtari dhe 100 personalitetet e sjellë mahnitshëm në këtë libër.  Here i lexoj plot dallgë buçimash e herë qetësisht pranë një hijeje rrapi shekullor ose pranë një lisi naimjan me cicërima dallandyshes shtegtare…  Ky libër është një diell për lexuesit dhe studjuesit e mirëfilltë, sepse sjellë nga thellësitë e shekujve si nga thellesitë e Vjosës perlat që doemos i duhen Kombit.  

Autori Saliu me portretin e tij dhe penën e florinjte vjen qetësisht dhe në fund të leximit të Panteonit doemos pasurohesh me shumë figura të ndritura të Kombit që s’i ke njohur më parë. Pena e tij urtane sjellë identitetin e tokës dhe të qiellit përmetar.  Në këtë libër janë ravijëzuar emra të epërm të kulturës kombëtare si në një optikë makroskopike kulturore, një emblemë historike. 

Ky libër është një mozaik i jashtëzakonshem me pena të ndritura pellazgësh përmetarë, me udhehëqës të tipit Abraham Linkoln.  

Autori është vetë prodhimi i historisë. Ai ka ditur të studjojë faktet, duke i shërbyer të shkuarës dhe të tashmes dhe duke ndezur pranë nesh flakën olimpike të përjetshme të mirënjohjes për njerëzit e ndritur dhe që ndriçuan mendjet dhe zemrat nëpër rrjedhat e historisë..

Disa figura të ndritura përmetare të persekutuara të Kombit

Në këtë libër janë disa figura të ndritura të persekutuara nga regjimi diktatorial si psh

Mid’hat Frasheri i biri i Abdyl Frashërit..  Ai i takon plejadës së ndritur të letrave si Faik Konica, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta etj.  Ai e quante komunizmin një kolerë që nuk shkatërronte vetëm trupin, por dhe shpirtin.  Ai është midis katër Frashëllinjve të mëdhenj.  U dënua nga regjimi komunist. Apostull i shqiptarizmës, publicist, shkrimtar, veprimtar i cështjes kombëtare, nënkryetar i Komisionit të Alfabetit Shqip, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, Kryetar i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. 

Sejfulla Malëshova nga Malëshova e Përmetit dhe me nënë mezhgoranase, ku në enumeracionin e vargjeve poetike përmend stanin në Trebeshinë dhe kasollen në selishtë, atje ku ai vinte shpesh ne fëmijëri.  Ai u edukua në Perëndim dhe ishte sekretar i Nolit më 1924. Se bashku me skulptorin e Kombit Odhise Paskalin ata botuan në Itali revistën “Studenti shqiptar”.  Autori shkruan se poeti malshovit e ngjeu penën e tij tek plaga e pamjekuar e popullit, qe e zhuriti për Liri, tek mjerimi dhe shpirti liridashës që e mëkuan me musht patriotik.  Ai është një figurë poliedrike, karizmatike dhe përbaltja që iu bë në regjimin komunist të revolton pamasë.

Të persekutuarit kanë qenë jo vetëm në Mëmëdhe, por shumë prej tyre dhe jashtë në Diasporë.  

I tille ka qenë Akile Th. Tasi.  Ai ishte mik i ngushtë i Faik Konicës dhe bashkëluftetar i Nolit.  Ka qenë editor i gazetës më të vjetër shqiptare, Diellit.  Kthehet në Shqipëri dhe dënohet nga regjimi i cili vdes në burgun e Burrelit në vitin 1961.

Kontributi në diplomaci nga përmetarët është me shumë vlerë.  Ali Këlcyra lindi në një familje bejlerësh nga më të vjetrit e luginës, pinjoll i një oxhaku të rreptë vendosur me rrënjëj të hershme.  Më 1920 mori pjesë në Luftën e Vlorës, mbështeti Fan Nolin në Revolucionin e Qershorit.  Ali Këlcyra aristocrat i tri regjimeve pas vdekjes së Mithat Frashërit në New York kryen detyrën e kryetarit të Ballit Kombëtar deri sa vdiq më 1963. 

Kasëm Trebeshina është një figurë tjetër e epërme e letërsise i persekutuar.  Ai ka qenë prozator, dramaturg, poet, publicist me origjinë nga Vinokashi i Dëshnicës së Përmetit.  Ai u arresetu nga regjimi për agjitacion e propagandë.  Në vite 90-të ka pasur një sërë botimesh, por ato më të lexuarat kane qenë Mekami, Kukudhi, Kisha e Shën Kristoferit, Legjenda e Kostandinit dhe e Doruntinës etj… Në vitin 997 pas trazirave emigroi në Stamboll të Turqisë.  Mendohet të ketë 140 dorëshkrime, përmbledhje poezish, tregime, novela, eseistike dhe publicistikë që janë ende të pabotuara. 

Papavramët janë një dinasti tjetër si në mjekësi dhe në violinë.  Robert Papavrami ka qenë mësues i violinës i disa gjeneratave dhe babai i violinistit me famë botërore Tedi Papavramit.  Tedi Papavrami u lidh me violinën që në moshen 4 vjecare dhe u be i famshëm pas arratisjes së tij në Francë. Ai ka fituar dica çmime prestigjioze ndërkombëtare. 

Familja që la pas pësoi persekucionin.

***

Duke lexuar dhe studjuar këtë libër të vjen ndërment historiani modern amerikan Anthony Grafton që për kocidencë kam në duar librin e tij “The Footnote”, nje histori kurioze, në të cilin ai përpiqet të kuptojë historinë e historisë nga një këndvështrim romanesk.

Pena e autorit Saliu duket sikur të ketë vizatuar një hartë ku është e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e historise nga një këndvështrim i veçantë, për t’u bërë e dobishme për udhëtarin modern.  Libri flet qartazi per historinë tonë se kush jemi dhe pse jemi ashtu siç jemi.

Me të drejtë autori shkruan se pse nuk ka dalë me parë ndonjë libër edhe pse Permeti ka kontribute te jashtëzakonshme për Kombin, por natyrshëm më kujton Volterin i cili thote: “”History can be well written only in a free country.” Që perkthehet se: “Historia mund të shkruhet mirë vetëm në një vend të lirë.”  Autori Saliu e gëzoi këtë status në vendin më demokratik në botë në Amerikë.

Përmeti ka nxjerrë skulptorin e parë kombëtar me vepra monumentale si Odhise Paskali E kush nuk është ndalur para veprave të tij të ndritura që zbukurojnë sheshet, qytetet muzetë!  Dritëzimi i tij është tek thjeshtësia e tejskajshme hyjnore dhe ja si shkruan: “Unë nuk jam sculptor në kuptimin professional të fjalës, as jam poet në kuptimin tradicional të fjalës dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës.  Jam njeri.  Çdo gjë njerëzore më ka terhequr.  

Linda, jetova dhe do të vdes i varfër”.  

Përmeti është qytet ashtu si i këndojnë: O Pëmet o lezet! Përmeti është shquar në histori, art, kulturë, pikturë, mjekësi, shkencë, përkthime, dramaturgji, sculpturë, Gjuhës, letërsi, Rilindjen Kombëtare, skenat botërore, mjekësi, fe, bujqësi, kulinari etj… Dinastia e Qerimajve është e jashtëzakonshme në skenën shqiptare me 12 artistë në tre breza që fillon me babain e dinastisë Hetem Qerimaj ku kanë një orkestër me një repertor tracidicional dhe të muzikës qytetare shqiptare. Kurora e familjes Qerimaj është Et’hemi e pamundur te gjesh një të dyte, sepse nga nje violinist i pashkolluar u bë me emër në kulturën shqiptare.

Mentor Xhemali është një artist i madh i skenës kombëtare dhe ndërkombëtare.  Kombit rrallë i vinë artistë të këtij kalibri.  Ai ka interpretuar në Traviata, Eugjen Onjegin, Berberi i Seviljes e shumë të tjera.  E famshme mbetet dhe “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit” për betejën që u zhvillua kundër fashistëve italianë.  Ai është nje legjendë unike e artit.  

Laver Bariu eshte princ i klarinetës dhe i kabasë.  Ai është elita e artistëve të mëdhenj shqiptarë.  Është themelues dhe drejtues i sazeve të Përmetit.  Populli i kishte vënë epitetin: “Usta Bariu”.

Një tjetër personalitet i artit është Serafin Fanko regjisor, skenograf, dhe një ndër figurat më aktive të Teatrit “Migjeni”.  Ai është një prej ngadhnjimtarëve të teatrit shqip.  Gjyshi i tij Stafani kishte lindur në Bual të Përmetit dhe avokat në kohën e Pavarësisë. 

Kompozitori, entnomuzikologu, Akademiku dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave, Prof.Dr. Vasil Tole zë një vend të veçantë në faqet e këtij libri.  Prof. Dr. Tole ka fituar mjaft çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, është autor i 29 librave dhe i 6 teksteve shkollore.  

Një vend të rëndësishëm zënë dhe gratë penarta përmetare që i kanë dhënë aq shumë letërsisë kombëtare.  E tillë është Adelina Mamaqi poete, shkrimtare dhe autore tekstesh të këngëve, më e njohura gjatë shume dekadave në letërsinë shqipe për fëmijë, poezi, tregime, fabula e përralla.  Ajo i përcolli me fanatizëm traditat përmetare edhe pse e larguar familjarisht.  Ajo vjen nga familje intelektualesh të shquar të Kombit.  Gjyshi i saj Fehmi Bej Mezhgorani nga Tepelena ka qene firmëtar i Pavarësisë dhe avokat në qeverinë e Ismail Qemalit.  

Libri i autorit Shefqet Saliu sfidon metodat dhe dogmat akademike të zbehta, sepse ka një origjinalitet në kryekrejë dhe të rrëmben për ta shijuar.  Me siguri ka dashur nje punë kolosale studimore, kërkimore, do i ketë ardhur si një trill i kohës, por dhe i krenarisë së ligjshme si përmetar.  Libri pasuron Bibliotekën Kombëtare dhe bëhet frymëzues për brezat duke pasur rolet modele të shekujve që i kanë dhënë shpirtin dhe pasurinë Kombit.  

Me shumë vlera për artin shqiptar është Gezim Kame pedagog, regjisor i shquar, aktor, pjesë e plejadës së parë emblematike të regjisurës shqiptare.  Ai ka punuar me ikona të artit dhe të kinematografisë shqiptare duke arritur rekorde të paimagjinueshme në shikueshmëri.

Viktor Zhusti aktor i shquar thotë se Kame është një mjeshtër i pa cak, sepse ben një kapitull të veçantë në historinë e regjisurës shqiptare.

I jashtëzakonshëm në personalitete të të gjitha fushave Përmeti ynë ka dhe një prej tyre Hektor Dule, skulptor i Popullit, profesor në Akademinë e Arteve. Mbi njëmijë vepra në art që kanë lënë gjurmë kudo që të shkelësh.  Ai është një emër i madh në mjeshtërinë e artit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, ekspozitat e të cilit janë çmuar nga kritika botërore.

Libri ka një parathënie të shkëlqyer nga prof. Ethem Ruka i cili thotë se Permeti është “magjja” që gatoi dhe vazhdon të gatuajë shpirtra shqiptarësh të mëdhenj.  Prof. Ruka e quan privilegj që iu besua të shkruajë një parathënie për këtë libër enciklopedik me figurat përmetare të një lloj soji që vazhdon të respektohet gjithmonë.   

Si përfundim e pamundur të sjellësh përsonalitetet qe ka gjithë Përmeti në këtë shkrim dhe të renditur në libër prej 513 faqesh, por e kujdesshme dhe me plot mirënjohje i shpreh autorit respektin e pakufi për këtë libër që iu ka sjellë lexuesve të shumtë.  Libri ka saktësi historike dhe studimore çka të kujtonë Volterin i cili thotë: “Një historian ka shumë detyra. Më lejoni t’ju kujtoj dy që janë të rëndësishme. E para është të mos shpifni, e dyta nuk duhet të mërziteni.”

Libri ka mbushur vakumin e krijuar si dhe mungesën e një studimi të mirëfilltë shkencor për Përmetin e trëndafilave, për lulishtarët e pashoq të kulturës kombëtare.  

Autori Shefqet Saliu me librat e tij historike po ndërton një korpus skulpturor, kulturologjike që të befasojnë dhe njëherazi të frymëzojnë.

Saliu sjellë mjeshtërisht qytetarët zulmëmadh të Rilindjes Kombëtare që vinin nga Përmeti, zgjon nga gjumi letargjik historianët dhe lutet që të vinë të falen në Përmet si një kishë shpirtërore a si një mekë ku merr bekimin e përjetshëm nga kjo kurorë ulliri në kulturën kombëtare

11 Nëntor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u pritën në takim nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

November 10, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u pritën sot në Pallatin Élysee takim nga Presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron.
Në takim me Presidentin Macron, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.
Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti e falënderuan Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e këtij procesi. Presidentja ritheksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës në procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilët janë të paprekshme.
Në takim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë përmendur tendencat destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Presidentja dhe Kryeministri kanë thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë thënë se Kosova vazhdon të jetë shembull në rajon dhe më gjerë sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë. Presidentja ka thënë se kjo është arritje e Kosovës dhe aleatëve perëndimor, prandaj ka theksuar nevojën për veprime të përbashkëta për t’i ruajtur këto të arritura.
Më tej, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti potencuan se Kosova është një partnere e besueshme dhe kredibile e Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik, dhe se forcimi i pozitës ndërkombëtarë të saj është vlerë e shtuar për komunitetin ndërkombëtar dhe botën demokratike. Në këtë drejtim, ajo foli për hapat konkretë të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë kërkuar që mbështetja e Francës të vazhdojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pastaj në programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë në NATO si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në takim me homologun Macron, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, vendim i cili do të kontribuojë në forcimin e kredibilitetit të BE-së.

Filed Under: Analiza

Magjia e prozës kuteliane

November 10, 2022 by s p

Behar Gjoka/

Vepra letrare e këtij shkrimtari ka kaluar në tre periudha pranie dhe mospranie:

A – Të shkëlqimit si shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë, me veprimtari botuese dhe studimore, letrare dhe ekonomike, atdhetare dhe sociale, që përfshin një periudhë të ndritur të historisë së letërsisë së viteve ’30 dhe ulet sipari i saj në nëntor të vitit 1944.

B – Periudha e dyzuar, e heshtjes vrastare të emrit, figurës dhe veprës së gjerë letrare, një heshtje tronditëse dhe shkatërrimtare, si dhe ajo e ndëshkimit me detyrimin e përkthimit të shkrimtarëve të huaj, natyrisht më tepër për nevojat e sistemit dhe të letërsisë zyrtare, deri në vitet ’90, që përkojnë me shembjen e diktaturës.

C – Rizbulimi i Dhimitër Paskos, në ta gjitha përmasat përfaqësuese, si intelektual dhe shkrimtar, e sidomos i krijimtarisë dhe kontributeve të vyera të tij, në letërsi dhe financa, në kritikën letrare dhe në përkthime, e veçmas shkëlqimi i përsëdytshëm i prozatorit, në kuptimin e kahjeve dhe prurjeve që ajo rezervon dhe shpërfaq përpara lexuesit si përvojë shkrimore.

Çdo shqyrtim i krijimtarisë së tij letrare, ku edhe përfshihet novela E madhe është gjëma e mëkatit i çfarërdo ngjyre dhe natyre qoftë, përmbajtësor apo i domethënies, formalist ose i shprehësisë letrare, strukturalist apo krahasimtar, shqyrtimi krahasimtar, njëra nga vatrat e verifikimit të vlerësisë së letrares, megjithatë mjaft i nevojshëm dhe dobisjellës, u bë rishtas shkas për të evidentuar edhe prirjet kryesore në trajtimin e krijimtarisë, veçmas të prozës së tij, në ndërkohësi:

Së pari: Një lexim sociologjik dhe i metodës letrare që në fakt, pa shumë zhurmë ka arritur që ta zbehi veprën e tij letrare, mjaft ndjeshëm dhe për jo pak kohë, ka rrëmihur në gjenezën, si me thënë në rrënjët burimore të prozës së autorit.

Së dyti: Leximi i përqasjes së veprës së autorit, përgjithësisht me letraren librore, kryesisht me përqëndrim të vëmendjes në letërsinë e huaj, por krahasim i deri tanishëm, më tepër është rropatur të vërtetojë marrjen nga ana e shkrimtarit, thjesht si pohim, pa mbërritur tek argumenti i arsyeve, nivleit dhe shkaqeve të huamarrjes së teksteve të Kutelit, me disa tekste dhe autor të letërsisë botërore.

Burimet, kryesore dhe të dëshmuara, varësisht mënyrave të leximit dhe shqyrtimeve, gjithnjë sipas realitetit verifikues, të këtij teksti që futet në llojin e novelës, më së shumti janë kundruar në disa pamje:

– Si një përvojë e huamarrë nga krijimtaria gojore, kryesisht e popullit shqiptar, së paku po të nisesh nga pohimet e vet shkrimtarit, i cili ka përndjekur dhe parapëlqyer krijimtarinë gojore, në poezi dhe prozë, çka zbulohet në disa nga tekstet e autorit.

– Si një huamarrje që lidhet, dukshëm dhe qartësisht me artin libror, ku edhe tentohet të shpërfqaet alternativa e përqasjes dhe krahasimit të ndërmjetshëm, qoftë me Biblën, por edhe me letraren autoriale, qysh me Gogolin, Tolstoin, Borgesin, Markesin, Kristoforidhin, Nolin etj.

– Së fundi dhe kryesisht rasti i novelës E madhe është gjëma e mëkatit, siç është lënë që të kuptohet se paskërka ndikesa të dyfishta, edhe librore, posaçërisht me romanin Drakula të shkrimtarit irlandez, Braun Stoker, botuar në vitin 1847, si dhe orale, pra nga miti rumun mbi drakulën.

Fakti i novelës E madhe është gjëma e mëktait, veçmas kjo e fundit, që Kuteli, e shkruan vet qartazi se është mbështetur vetëm në gojëdhënat e vendlindjes së tij, pra të Pogradecit, e ndërlikon jo pak situatën e trajtimit dhe verifikimit të atij teksti, me romanin e Stokerit, gati të pagjasshëm në tekstin e novelës, kryesisht në kuptimin e një hamendje, përgjithësisht po hipotekë përqasje, të artikuluar si krahasim:

– Si shenjë e padiskutueshme e shtrirjes dhe pranisë së mitit edhe në folklorin shqiptar, ashtu siç edhe ka ngjarë në të gjithë hapësirën e gadishullit Iliriko – ballkanik.

– Si dëshmi e rishkrimit të saj nga ana e shkrimtarit, çka në fakt gati e pamundëson përputhjen e mitit, si mit i pastër rumun apo i përpunuar në romanin e Braun Stoker, si dhe në filma me të njëjtën temë.

– Si detaj ndërlidhës i nevojshëm dhe i pashmangshëm, pra ku shfaqet dhe shpërfaqet elementi që lëviz nga njëri popull tek tjetri, nga njëri autor tek tjetri, nga arti gojor në atë të kultivuar, por edhe anasjelltas.

– Si lodrim qëllimor dhe funksional i autorit, natyrisht një lojë e dyfishtë dhe e dyzuar, që presupozon dhe fakton marrjen tek miti apo oralja, tek Bibla ose romani Drakula.

Fillesat e diskutimit të dhëniemarrjes së ndërsjellë, pra të artit të kultivuar me artin oral, mbase do të duhet të kërkohen qysh me Epin e Gigameshit dhe sidomos mjaft të prekshme me veprën poetike të Homerit. Praktika shkrimore, krahasimore dhe verifikuese, teksti dhe parateksti, burimorja dhe prurja shkrimore, simbas teorisë dhe praktikës shkrimore, vështrohen si marrëdhënie organike, mbase fundekrye kundronhen dhe pranohen si ligjësori e mbijetesës së letërsisë si mit a legjendë, si trill a rrëfim, dhe sidomos si fjalë e shkruar. Në këtë kuptim, krejt të ngushtë dhe verifikues, poemat homerike, pra Iliada dhe Odisea, kanë si paratekste mitin e Trojës dhe padyshim edhe dhjetra mite të tjera të antikitetit. Po ashtu, moria e teksteve të tragjedianëve të antikës greke (Eskili, Sofokliu, Euripidi, por edhe komediani Aristofani), kanë si paratekst veprat fondamentale të Homerit, si dhe mitologjinë e lashtë greke. Mjaft interesante, paraqitet gjurmimi i parateksteve të veprave shekspiriane, të cilat natyrshëm të çojnë, në kuptimin e mjeteve dhe frymës dramatike, tek tekstet e Eskilit, sidomos tek gojëdhënat anglike dhe padyshim edhe te gjeneza Biblike. Prapë Shekspiri mbetet Shekspir, magjistar i fjalës letrare, përsëri tekstet e tij lexohen me ëndje të veçantë. Për të kërkuar paratekstet e pamënjanueshme ndihmon sugjerimi i dhënë prej Erich Fromm: Edhe pse është e vërtetë që përmbajtja e mendimeve tona, kur jemi zgjuar, nuk i nënshtrohet kufizimeve të hapësirës dhe të kohës, kategoritë e mendimit logjik janë ato të hapësirës e të kohës.(1998: 23), tek libri Gjuha e harruar, diç sqaron nga makthi përjetues i përqasjeve të burimësisë paratekstuale. Këtij rregulli, ose siç e sugjeron Teodorov tek Poetika e prozës, ndërsa nënvizon: Ligji i mospërsëritjes (sado e vështirë që të jetë për t’u besuar se mund të imagjinohet një ligj i tillë estetik); një tekst autentik nuk ka përsëritje.(2000: 16), nuk ka shanse t’u shpëtojë as ligjërimi letrar i shqipes. Mjaft domethënëse është ideja e U. Ecos: …teksti është një makinë e keqe që kërkon nga lexuesi shumë vëmendje dhe bashkëpunim.(1997: 66), në librin Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative. Situata e teksteve që mbindërtohen si paratekste, apo përzierja e dy fakturave burimore dhe autoriale, nuk prek ase tanon tekstin kutelian:

Së pari: Dyfishimi mbindërtues është kapilari i pandërprerë i letërsisë si univers i mëvetësishëm.

Së dyti: Sprova letrare përtej kohore dhe hapësinore si rimarrje e pashmangshme.

Së treti: Si ligjësori e brendshme, pavarësisht gjuhës, e magjisë letrare, e cila nuk mund të kuptohet pa praninë e mbindërtimit të zanafillës.

Prandaj, teksti duhet trajtuar siç e meriton, që të shmanget ajo çka paralajmëron tek Leksione Amerikane Italo Calvino: …se sa shokantë, janë ata që mendojnë ta anatemizojnë tekstin, ata që e teprojnë me close reading (1997:37), si për të shpëtuar nga makthi i kërkimtarisë së tepruar, i kërkimtarisë së pamabarueshme të letrares, të artit që i tejkalon zakonisht përmasat e matshme. Përpjekja e përqasjeve ndërtekstore, në vargje, prozë a dramatikë, do parë në raport me vetveten, ose siç e formulon Xhonatan Culler: …se kuptimi i tekstit është përvoja e lexuesit (një përvojë që përfshin mëdyshjet, hamendjet dhe vetëndreqjet).(2001: 71), në librin Teori Letrare. Teksti letrar, pra proza e Kutelit, pavarësisht rrugëtimit nuk ka gjasa t’u mëshihet dy situatave:

-Kontekstit shkrimor që mbart vulën reale dhe mbetet e palëvizshme.

-Kontekstit receptiv (marrës), që është një ndërkohë e pambarimtë dhe krejt dinamike.

Letërsia, qysh prej lashtërie e gjer në modernitet, ka vijuar frymën e saj thelbësore si një tekst i parateksteve të riformuluara. Teksti ka një paratekst, veçse gjurmimi i të dytit kuptimësohet nëse lexohet dhe shijohet teksti, proza e Kutelit, që bart shenja autentike vlershmërie.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behar Gjoka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT