
Dr. Lulzim Nika/
Platforma shtetërore serbe kundër gjeografisë kompakte shqiptare, ka zanafillë të hershme historike. Për fat të keq, pjesërisht kishte arritur që të shkatërronte strukturën etnike kompakte shqiptare në pjesën e Shqipërisë verilindore (Sanxhaku i Nishit) dhe në disa pjesë tjera.
Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike dhe u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.
Pas Serbisë së madhe në Ballkan, qëndronte politika pansllaviste ruse, në planet e tyre objektive strategjike ishte mos ekzistenca e shtetit të shqiptarëve në Ballkan dhe dalja ruse në Mesdhe nga porti i Durrësit. Në këtë mënyrë do të dominonte në Evropë ndikimi i shteteve sllave në krye me Rusinë. Ideja e Serbisë së Madhe u përkrah edhe nga politika shtetërore serbe që prej themelimit të shtetit serb. Kjo ide do të mbështetet edhe në programet e themeluesit të gjuhës letrare e të letërsisë së re serbe. Vuk S. Karaxhiq, thotë: ”Aty ku jeton qoftë edhe një serb, atje është tokë serbe”!
Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija”e Ilija Garashaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, që ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe. Këto ambicie kishin filluar të sendërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.
Serbia e madhe e mbështetur në mitologji dhe historinë e gënjeshtrave serbe, ishte parashikuar si rrezik për sigurinë e Ballkanit dhe Evropës nga analistët e shërbimit inteligjent amerikan pas viteve të ’90-ta.
Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1999, ku shteti serb, kundër shqiptarëve të Kosovës, përdori metoda mizore dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova. Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë morën përmasa tragjike për tërë botën e civilizuar. Krimet dhe masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Verbofc dhe Izbicë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.
Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan, por ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe që pa dallim moshe vriste shqiptarë. Përkundër sakrificës dhe luftës titanike të UÇK-së ishte e pamundur qe pa përkrahjen e NATO të ndale makineria vrastare e shtetit serb.
Mirëpo, edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë.
Historia, shqiptarët i dëshmon në luftëra vetëm duke u mbrojtur dhe duke u vetëmbrojtur. Masakra e Abrisë dhe Reçakut “vranë” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-së, sollën paqen në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar. Me mijëra të vrarë e të masakruar në shtëpi të tyre, shumë fëmijë, gra dhe pleq në gjithë Kosovën.
E sot, pas 23 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u dënuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli.