• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Bilal Xhaferri në përvjetorin e lindjes

November 2, 2022 by s p

Nebil Çika/

Bilal Xhefari ishte dhe mbetet pena ndryshe e letërsisë shqiptare të gjysmës se dytë te Shekullit të XX .
Si në Shqipëri edhe në emigrim ai ruajti të njëjtin talent e stil, të njëjtë mënyrë të treguari, atë që e beri të veçantë kur shkruante në Shqipërinë, në kushtet e një letërsie politike realizmit socialist . Bilali spikati, nuk shkruante si të tjerët, se nuk ishte si ata .
Vinte nga një familje antikomuniste pra, nuk kishte si të merrte një edukim familjar komunist, përkundrazi.
Nuk bëri shkollë letërsie gjë që e shpëtoi nga virusi i realizimit socialist që mësohej në shkollat e letërsisë se Shqipërisë komuniste.
Të vetmet “leksione “ të letërsisë dhe estetikës , në dijeninë time, i mori nga Musine Kokalari, në bisedat me të ne kur jetonin ne barakat e Rruga Urës në Rrëshen, ku Musineja ishte e internuar dhe Bilali punëtor krahu në ndërmarrjen “Rruga Ura “. Musine Kolalari ishte shkrimtare e diplomuar për letërsi në Romë dhe përcolli tek Bilali “rregullat” parimet perëndimore e të shkruarit letërsi që të bashkuar me talentin e tij te jashtëzakonshëm e bënë atë të veçantë e të dashur si shkrimtar dhe veçanërisht, ndryshe nga te tjerët .
Bilali spikati se nuk shkruante për partinë e qeverinë , por për njerëzit lexuesit .
Ai nuk synonte që letërsia e tij ti pëlqente autoriteteve, diktaturës dhe diktatorit që ishin kushte vendimtare për të bërë “karrierë” si shkrimtar në atë kohë. Ai donte dhe shkoi për njerëzit e thjeshtë dhe kjo ishte diferenca suksesi por njëherazi edhe fatkeqësia e tij ne atë kohë të mbrapshtë jo vetëm për shkrimtarët dhe letërsinë.
Bilali bëri diferencën, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri e intelektual, si patriot .
Nuk u pajtua me të keqen me konformizmin kriminal të “elitës” kulturore te diktaturës komuniste .
Tha fjalën e tij të lirë ne kohën kur fjala e lirë ishte para skuadrave te pushkatimit e varej në litar.
Madje më shumë se kaq guxoi te sfidojë ”Zesuin” e letërsisë komuniste, beniaminin e diktatorit shkrimtarin e oborrit të tij .
Dhe për këtë e pësoi keq .
Nuk është se nuk i dinte pasojat por një shpirt i lirë nuk mund ta durojë e ta pranojë poshtërimin nuk mund të hesht ndaj të keqes . Këtë e bëri Bilali , ai dhe vetëm ai. Dhe jo në biseda private e me zë të ulët .
Por atje ne selinë zyrtare të letërsisë komuniste, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve te Shqipërisë .
Ballë për ballë me ta , njëherazi ballë për ballë edhe me ”skuadrën letraro-artisike te pushkatimit “.
Ajo që ai bëri në diktaturë ishte e mahnitshme !
Por po kaq e mahnitshme ishte edhe ajo që beri në liri .
Pas arratisjes nga vendi ne pame një Bilal tjetër, poet e shkrimtar tjetër . Jo në stil por në përmbajtje ide e veçanërisht në mesazhet veprës letrare e tij .
I dua dhe i vlerësoj shumicën e vepra te Bilalit por “Balada Çame” mbetet për mua kryevepra e tij. Një himn e elegji bashkë për plagën tonë të madhe kombëtare të quajtur Çamëri . Vetëm një pene e mendje si e Bilal Xhaferit mund të përcjellë në pak vargje gjëmën çame, masakrimin e grave dhe fëmijëve djegien shtëpive, grabitjen e tokave e pasurive spastrimin etnik etje ,Çamërinë e robëruar, e shkretuar !
Një elegji sa historike aq edhe aktuale .
Askush si Bilali me këtë poezi, as politikanet e as historianët nuk ka frymëzuar përpjekjet për zgjidhjen e “çështjes çame” . Por roli, misioni i shkrimtarit ky është te frymëzojë, dhe ne lëtërsinë shqiptare shumë pak kanë munduar ta bëjnë një gjë të tillë .
Bilal Xhaferi është shkrimtari , poeti i dhimbjes. Ka shume dhimbje e pikëllim në veprën e tij .
Por nuk kishte si te ndodhte ndryshe . Realiteti për të cilin ai shkroi i tillë ishe plot dhimbje e pikëllim, Shqipëria në diktaturë Kosova e Çamëria ne robëri. Njerëzit këtu edhe si lexues edhe si subjekte e personazhe letrare ishin në dhimbje e pikëllim .
Bilali nuk e shpiku, nuk e trilloi dhimbjen, e gjeti tek atdheu e populli i tij , familja e tij , subjektet e personazhet e tij , lexuesit e tij . Ai me talentin, mendjen e ndritur dhe guximin e tij vetëm i ngriti lart për ti parë të gjithë, i përjetësoi në letërsi, ne libra , ne histori, për të mos u harruar e sidomos për tu mos u përsëritur më kurrë. Bashke më me to shkroi edhe emrin e tij në letërsinë e historine shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: Nebil Cika

Ines Angeli Murzaku zgjidhet Presidente e Shoqates per Studime Shqiptare ne Shtetet e Bashkura te Amerikes (SAS)

November 2, 2022 by s p

Ines Angeli Murzaku është Profesore e Religjionit në Universitetin Seton Hall në New Jersey, Drejtore e Programit të Studimeve Katolike dhe Kryetare Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall. Ajo fitoi një doktoraturë kërkimi nga Instituti Oriental Papnor në Romë, pjesë e Konsorciumit Universitar Papnor Gregorian (Pontifical Gregorian University) dhe ka mbajtur pozita akademike në Universitetet e Bolonjës dhe Kalabrisë në Itali dhe Universitetin e Munsterit në Gjermani. Ajo ka fituar bursa studimi duke përfshirë bursen prestigjioze Alexander von Humboldt Fellowship Research për Studiues me Përvojë; Grant i Këshillit të Kërkimeve të Shkencave Sociale dhe Humane të Kanadasë (SSHRC); dhe tre here fituese e Fulbright – burse prestigjoze nga qeveria e Shteteve te Bashkura te Amerikes per profesore e studiues Amerikane. Kërkimi i saj është botuar në shumë artikuj dhe tetë libra. Publikimet e Prof. Murzaku përfshijnë: Nënë Tereza: Shenjta e Periferive (Paulist Press, 2021); Jeta e Shën Neilos të Rossano (1004) (Harvard University Press 2019); Monastizmi Italo-Grek (Ashagte-Routledge 2018); Monastizmi në Evropën Lindore dhe Ish Republikat Sovjetike (Routledge 2016); Tradita Monastike në Krishtërimin Lindor dhe Botën e Jashtme një Thirrje për Dialog (Peeters University of Leuven 2013); Kthimi në Romë? Murgjit e Grottaferrata në Shqipëri (Analekta Kryptopherres 2009); Quo Vadis Evropa Lindore? Feja, Shteti dhe Shoqëria pas Komunizmit (Longo, Universita di Bologna 2009); dhe Katolicizmi, Kultura dhe Konvertimi: Historia e Jezuitëve në Shqipëri (1841-1946) (Orientalia Christiana Analecta, Instituti Oriental Papnor 2006).

Prof. Murzaku zgjedhur President ne ardhje nga 2020-2022 dhe ne 2022 Presidente e Shoqates per Studime Shqiptare ne Shtetet e Bashkura te Amerikes (SAS). Kjo eshte shoqata me e madhe shkencore ne Shtetet e Bashkura te Amerikes per studimet mbi Shqiperine e Shqipetaret. Prof. Murzaku ka sherbyer si nënkryetar i Shoqatës për Studimin e Kombësive (ASN) dhe një përfaqësues i akredituar i Kombeve të Bashkuara për organizatën Christian Associated for Marrëdhëniet me Evropën Lindore. Ajo është një komentuese e rregullt e mediave për çështje fetare. Ajo ka punuar ose ka bashkëpunuar me Associated Press, CNN, Zëri i Amerikës, Relevant Radio, The Catholic Thing, Crux – Taking the Catholic Pulse, Salt and Light Catholic Foundation Foundation (Kanada), Catholic World Report, National Catholic Register, The Record, The Stream, Radio Tirana (Shqipëri), Radio Vatikani (Qyteti i Vatikanit) dhe Rrjeti Televiziv i Fjalës së Përjetshme (EWTN-Romë).

https://works.bepress.com/ines_murzaku/

INSTITUTI I HISTORISË

Filed Under: ESSE

Identiteti poetik i Lasgush Poradecit

November 2, 2022 by s p

Behar Gjoka/

Shumëkush që ka lexuar dhe rilexuar poezinë e Lasgush Poradecit, e cila gjendet sidomos tek dy librat poetikë, posaçërisht tek “Vallja e Yjeve”, botim i vitit 1933 dhe në vëllimin “Ylli i Zemrës”, botuar në vitin 1937, ka rrëmihur në shtrate të ndryshme të formatimit të vlerësisë së letrares që shënon dhe shpërfaq kjo përvojë e përveçme e shkrimit poetik në letrat shqipe. Ndonëse në thelbin e vet, formatues dhe përfaqësues, të thënies dhe shprehësisë, poezia e Poradecit, ku përfshihen edhe dy-tre krijimet e fundit, realizuar pas viteve ‘44, ku do të duhet marrë në shqyrtim gjithashtu edhe praktika e rishkrimit të poezive me variante dhe versione të ndryshme letrare. Leximet e gjertanishme, megjithëse të shumta dhe të shumëfishta, për çudi kanë gjezdisur në hapësira të pafundme, më tepër duke e kërkuar identitetin poetik, se sa duke ia shënuar dhe shpaluar cilësitë adekuate që përfton poezia e Poradecit. Nga këto lexime, të larmishme dhe ngulfatëse, ngase të bëjnë ca më tepër përshtypje, po veçojmë disa prej tyre:

– Leximi i poezisë së tij, çuditërisht dhe me krenari është parë si vijim i poezisë romantike, madje me thelb të dëshmuar romantik, çka duket më shumë në parathënien e Frida Zeqos, në botimin e plotë të veprës letrare të autorit, e cila pas një parashtrimi të zgjatuar socio-biografik të poetit, social dhe ideologjik të konteksteve shkrimore, e kundron dhe e vendos krijimtarinë e L. Poradecit, më së shumti si një gjurmë dhe vijimësi e prekshme e romantizmit. Për ta shënuar si të tillë, më tepër ka ndikuar edhe prekja e linjës së tematizimit të librave, si dhe e mbizotërimit të shqyrtimeve të niveleve përmbajtësore, ku mbisundon natyra dhe erotikja, madje këto të kundruara edhe si dy tema të fuqishme në poezinë e romantikes europiane, si dhe të asaj shqiptare.

– Leximi tematik dhe i thelluar në këtë aspekt i poezishkrimit të Poradecit, nga shumica e studiuesve të shqipes, veçse edhe këtu me dallime dhe ndryshesa të prekshme. Pikërisht, nga kjo mënyrë dhe tipologji leximi, Poradeci është projektuar vetëm si poet i natyrës dhe dashurisë, me të drejtë, por edhe është harruar me pa të drejtë se Poradeci ka shkruar poezi kaq të fuqishme edhe për gjuhën, kombin shqiptar, qenien njerëzore si univers, por edhe poezi të natyrës së pastër filozofike. Nga kjo paraqitje e shkurtër preket dhe vihet re se poezia e Poradecit në jo pak raste është shqyrtuar dhe interpretuar nëpër ngushtica të paplota shqyrtimore, madje duke lënë në hije përmasa të përfillshme të fuqisë poetike autoriale. Mbase kjo mënyrë e leximit dhe trajtimit të poezisë së L. Poradecit ka çuar edhe në emërtimin e saj si poezi qiellore, por shpesh edhe si poezi kozmike, me gjasë poezia më e mëvetësishme e pjesës së parë të shekullit të kaluar, që i përkon edhe kohës kur ende shkruanin poezi Mjeda, Çajupi, Asdreni, Skiroi etj., e kohës që kishte nisur të shpërfaqej ylli poetik i Migjenit dhe Nolit, i kohës që poezia fishtiane e sundonte qiellin e letrave shqipe, së paku siç e zëshmon vetë Poradeci.

– Leximi formalistik i poezisë së poetit, duke synuar që të artikulohet tipari më thelbor i shkrimit poetik, fryma moderne, ndonëse edhe në këtë aspekt, shumica e shqyrtuesve të poezisë së Poradecit, ende kanë mbetur në shenjimin adhurues të poetikës së tij, si thelbësisht moderne dhe pa yshtur argumentet, si dhe natyrën e vërtetë të tipareve moderne të shkrimit poetik lasgushian, pra duke shpërfillur faktin se mënyra e thënies, sido që të jetë forma e shprehësisë, shpalos ide dhe mesazhe të qarta, së paku kështu ngjet me poezinë e Poradecit. Ai hyn në poetët më të qartë dhe më të kuptueshëm të letrave shqipe të shekullit të njëzet e këndej, ndonëse edhe shenjat e artit janë edhe më të fuqishme në materien poetike të sendërtuar prej tij.

– Nuk kanë munguar gjatë kësaj ndërkohje të çuditshme, edhe rrekjet për ta lexuar dhe interpretuar poezinë e Poradecit, si me ndoca shenja dhe shenjëzime të dukshme të gjurmëve sociale dhe “revolucionare”, mbase edhe të këndvështrimit dhe konceptimit të tillë, pra si një poezi që mund të rreshtohet, pa shumë zor në tipin e shkrimit poetik të kohës së nevojës dhe dobisë poetike. Për të arritur në këtë përfundim, aspak të themeltë dhe përfaqësues të shkrimit poetik të Llazar Gushos, si tanësi dhe frymë kreative, mëtonjësit e veshjes së kapotës së letërsisë së shërbesës, edhe në pamundësinë e realizimit të kësaj gjase, janë bazuar në poezitë kushtuar vëllezërve Çollaku, miq dhe shokë fëmijërie të poetit.

Megjithatë këto mënyra leximi, padyshim edhe të tjera të verifikimit të letrares së projektuar dhe sendërtuar nga Poradeci, nuk ia kanë mbërritur që t‘ia përcaktojnë vendin, identitetin dhe sidomos rolin që ka luajtur dhe vijon që të luajë poezia e tij, në rrafshet gjithëkohore dhe gjithëhapësinore të letrave shqipe. Ngacmimi për ta parë këtë zbrazëtirë u bë fakti i një rileximi rastësor të veprës poetike të Poradecit, madje i gjthçkaje të shkruar prej tij, ku bën pjesë edhe tema e profesoraturës kushtuar poetit rumun Mihail Emineskut. Emërtimet e bëra deri më tani si poet modern, madje edhe më moderni i gjithë letërsisë shqipe, si poeti më universal dhe kozmik, si poeti më qiellor i të gjithë qiejve poetikë, janë të vlerta, por në përcaktime të tilla më tepër është mbërritur me hamendje dhe përfundime të pjesshme të materies poetike, se sa nga një shqyrtim i thelluar tekstologjik i substancës letrare, ngjizur me aq tharm letrar. Leximi i fundëm, pra rileximi pas një kohe të gjatë, u bë shkasi thelbësor për t‘u ndalur disi më gjatë në krijimtarinë poetike të Poradecit, tashmë me një synim që të kërkohet dhe të arrihet që të shënohen, sa të mundim gjurmët dhe shenjat e identitetit poetik, të këtij mjeshtri të poezisë shqipe.

Kufiri ndarës dhe ura lidhëse e poezisë shqipe

Poezia e Poradecit, pavarësisht konsideratave dhe vlerësimeve të vazhdueshme, shqyrtimeve dhe trajtimeve, interpretimeve dhe verifikimeve të kryera, kohë pas kohe, shumica e tyre të merituara, por edhe jo pak prej sosh të pabaza, është parë dhe shqyrtuar, më shumë në marrëdhënie të përjashtimit të përvojave të mëparshme, por edhe të mëvonshme të shkrimit poetik në gjuhën shqipe. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e veçanësisë, por edhe prej synimeve për ta ulur, zbehur dhe zhvlerësuar poezinë dhe poetikën e realizuar prej Poradecit, aq sa të mundeshin, me atë mbrapështinë e mendjes dogmatike. Dyzimi i shqyrtuesve, sidomos për të kontribuar që të hyjë në hije dhe të mbetet atje, lidhet me mosverifikimin e poezisë së Poradecit në përmasën dhe frymën që bart, si shenjë e komunikimit me poezinë e hershme, por edhe si një rimarrje e poetikës së tij në shkrimin e poezisë më pastaj, megjithëse Poradeci, në thelbin e vet mbeti i papërsëdytshëm dhe i paimitueshëm. Vargjet e të dyja përmbledhjeve poetike, si dhe shkrimet e ndryshme, në fakt i japin L. Poradecit një vend të lakmuar:

Së pari: Vepra poetike e tij shënon kufirin ndarës me poezinë e mëparshme, sepse me shkrimin poetik të tij realizohen dy akte themelvënëse për shkrimin e poezisë; – sendërtohet statusi i poezisë/art, më përtej dobisë dhe shërbesës diturake, atdhetare dhe sociale, pra shpërfaqet poezia art i pastër, madje edhe kur këngëton për atdhe dhe moral; – realizohet statusi i poetit krijues/endëtar i letrares, pra duke lënë pas shpine detyrimet e tjera të misionit atdhetar, fetar, social dhe moral dhe poeti, tashmë ka si mision që të realizojë poezi të fuqishme vetëm si shenjë letrare. Deri tek Lasgush Poradeci, mjerisht edhe mbas tij, sidomos poezia e shërbesës socrealiste, e kemi parë letërsinë dhe poezinë shqipe se si ka lënguar edhe prej detyrimeve jashtëletrare, të pashmangshme për rrethanat dhe kontekstet. Mbase, koha punoi për Poradecin, por ka gjasa që edhe vetë poeti, më rebeli i të gjithë poetëve të letrave shqipe, më liriku dhe më i hidhuri në thumbimin e sundimtarëve, të çdo ngjyrese dhe botëkuptimi qofshin, ndikoi për ta përshpejtuar këtë proces të futjes së letërsisë vetëm në hullinë estetike.

Së dyti: Në pikëpamje metrike dhe të strofave, Lasgush Poradeci është poeti me tradicional, madje edhe më shqiptar, në një kuptim të zëshmimit të Shqipërisë, si pak kush me atë nivel thënie dhe shprehësie letrare, poeti që i dha hapësira të reja dhe të paimagjinueshme shqipes, gjithnjë në rrjedhat klasike të shtjellimit dhe shpalimit poetik. I gjithë fondamenti poetik i autorit, në konceptualitet dhe në shkrimin letrar, nuk mundet të lexohet dhe të shqyrtohet jashtë ngjyrimit klasik, të endur enkas dhe me vetëdije të plotë nga poeti. S‘besoj se ka aso verifikuesish që të vërë në dyshim vetëdijen shkrimore, letrare dhe gjuhësore të Poradecit. Por, ky fakt fatlum, pra shkrimi sipas modelit tradicional ra ndesh me shkrimin e poezisë së re, sipas modelit socrealist të Majakovskit, pjesës politike të poezisë së tij, me thyerje të vargut të lirë dhe në situata të tjera. Pas viteve ‘44, pa e shpallur botërisht, por si një situatë vepruese, poezisë klasike, pra tradicionale të Poradecit, studimtaria zyrtare e socrealizmit i kundërvuri poezinë politike të Fan Nolit, si dhe poezinë e vargjeve të lira të Migjenit, pra duke u bazuar më së shumti në socialitetin e poezisë së dy autorëve të tjerë.

Së treti: Poezia shqipe hyri në shtjellat e modernes me poezinë e Asdrenit fillimisht, mandej me poezinë e Poradecit dhe të Migjenit. Këta dy të fundit, poetët më të shquar të pjesës së parë të shekullit të njëzet, ecën në rrugë të dallueshme dhe krejt të ndryshme poezishkrimore. Poradeci, modernitetin e konceptoi dhe sendërtoi si riformatim i poezisë së hershme, mbase si rishkrim në kontekste të reja të vjershërimit klasik, madje duke zënë fill qysh me poezinë e Matrangës, Budit, Bogdanit, të cilët formatohen dhe fytyrëzohen qartësisht në poezinë “Kënga Pleqërishte”, natyrisht edhe duke e liruar poezinë nga misioni detyrues atdhetar, ndonëse edhe këtë ndjesi e riformulon dhe konturon mjaft poetikisht, duke braktisur misionin moral, pa e hedhur tutje, si dhe duke e riafirmuar atë, madje duke mbërritur deri atje sa të synojë dhe të sendërtojë poezi lirike të pastër, pavarësisht tematikës dhe problematikës që projekton.

Pra, modernia në poezinë e Poradecit është në frymë, në atmosferën që krijon, në mendim dhe mesazhe, por edhe në rigjallërimin e aftësive të shqipes së hershme për të kumtuar dhe kumbuar art. Nga ana tjetër, moderniteti i Migjenit lidhet edhe me problematizimin e sociales, si dhe me përmbysjen e traditës së shkrimit poetik, çka shenjtërohet në përmbledhjen “Vargjet e lira”, një tekst që çeli udhën e lëvrimit të poezisë moderne, në përmbajtje dhe formë. Përvoja shkrimore e këtyre dy poetëve, pra e Poradecit dhe Migjenit, sollën shenjat e ligjërimit modern të poezisë shqipe, megjithatë nëpër dy rrugina; Poradeci duke riformuluar poetikën e hershme të shqipes, si mendim dhe strukturim melodik, ndërsa Migjeni në shformësimin e vjershërimit klasik, tashmë duke sendërgjuar poetikën e ritmit të brendshëm. Poezia shqipe e mëpastajme e të gjithë poetëve eci nëpër këto dy rrugina të lëvrimit modern, ndonëse modeli zyrtar bëri ç‘ishte e mundur që ta mërgonte dhe “shporrte” rrugën e hapur nga Poradeci dhe këtë të fundit ta linte në hije, megjithëse nuk i mbërriti plotësisht asnjëherë, falë vokacionit të veçantë poetik që bart dhe shenjtëron kjo përvojë shkrimi.

Sistemi Poetik i Poradecit

Shumëçka është thënë për autorin, e sidomos për veprën e tij poetike. Në jo pak raste ka pasur edhe përpjekje mjaft serioze për ta shënuar dhe, madje për t‘i gjetur rrënjët e sistemit poetik të shkrimtarit. Vetëkuptohet se tiparet e sistemit poetik të një autori, kur edhe është mbyllur procesi, pra jemi në situatën e “ndarjes natyrale” e jo të “vdekjes së autorit”, të sugjeruar nga R. Barti, është e mundur që të hetohen dhe verifikohen:

– Në materien letrare, në poezi dhe në shkrime të tjera të autorit, qofshin edhe të memorialistikës ose të letërkëmbimit të shkrimtarit me të tjerët.

– Në poetikën orale, ku edhe është mbështetur në shkrimin e poezisë, tashmë edhe si riformulim i klasikes dhe shenjave tradicionale të shkrimit poetik.

– Në burimet shkollore dhe librore, aq të larmishme dhe plot sharm poetik, ku edhe do të mëkohet me tharmin poetik.

– Në verbin poetik, personal dhe autorial, ku edhe formatohet, por edhe gdhendet fytyra e poetit më të fuqishëm të letrave shqipe.

– Në endjen e një poetike mistike, ku qarkohet çdo temë dhe imazh, aq sa e ke të pamundur që ta kuptosh dhe shqyrtosh me mjetet e zakonta të interpretimit sociologjik dhe socrealist.

– Në metafizikën që përcjell këngëtimi poetik i Poradecit, si një poetikë e përjetësisë, në të gjitha tonet dhe ngjyresat, qoftë kur i këndon atdheut dhe gjuhës, po ashtu edhe për natyrën, dashurinë dhe për universin filozofik të qenies, por që shpalohet si plotëni në vargun kyç “…dashuronte dashuria…” etj.

Padyshim, në personalitetin dhe veprën poetike të L. Poradecit ka edhe dhjetëra shenja dhe tipare që shënojnë dhe dëshmojnë sistemin, madje edhe gjurmët e identitetit, megjithatë vetëm substanca e librave, pra e librit të parë të titulluar jo rastësisht “Vallja e Yjeve” e shënon dhe zbulon një përmasë të prekshme për çdo lexues dhe studiues, të sistemit poetik të Poradecit, që ka ngërthyer vatrën, vendin e poetit, që më së shumti është vendosur midis tokës dhe qiellit, pra në hapësirën e mesme, prej nga ku edhe lëshon imazhet si sy gjigant i tokësores dhe qiellores, me zërin e poetit, tashmë vetëm si misionar i artit. Pasi ka kryer rrotullimin në hemisferën qiellore/tokësore, mu sikur një udhëtim dantesk në parajsë, tashmë kupton se ka edhe një aspekt të hapur për eksplorim dhe zbulim. Vetë titulli i përmbledhjes “Ylli i zemrës” tregon se poeti nuk i ka shkëputur lidhjet me qielloren, sepse prania e yllit e lajmëton më së miri, por si nëntekst dhe shenjim, vetë njeriu, shpirti dhe fryma e tij, janë brum dhe asht i qiellores, por edhe gjurmë e prekshme e tokësores, pra kemi një situatë të dyfishtë të marrëdhënies së qiellores/tokësores/shpirtërores, çka në fakt të fanit udhëtimin e pandërprerë në tokën dhe qiellin e çartur të atdheut tonë, në gjallje dhe në amshim të Poradecit. Pra, qielli, toka dhe njeriu, janë trinia ekzistenciale e jetës dhe e matanëjetës, njëherit edhe e poezisë, mbretëreshës së letërsisë, të cilës i dha ymër dhe lavd, me sa mundi Poradeci.

Filed Under: Kulture

Cili është kompleksi më i madh i politikës shqiptare?

November 2, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Kompleksi më i madh i politikës dhe i kryeministrave shqiptarë që nga Qeveria e Përkohëshme e Vlorës me kryeministër Ismail Qemalin është se, në psikologjinë dhe subkoshiencën e tyre politike janë të ngulitur thellë kufinjtë e vitit 1913.

Që kur u krijua shteti i cunguar shqiptar, të gjith kryeministrat janë përpjekur me kujdes që në kabinetet e tyre të mos ketë ose, të ketë sa më pak shqiptarë të Kosovës, Çamërisë dhe trevave që mbetën jasht kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Ambasdorëve në vitin 1913.

Në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, fillimisht si ministër i Luftës u caktua tetovari Mehmet Pashë Derralla, i cili do të dorëhiqet brenda një kohe të shkurtër. Më pas, për pak muaj ministër i kabinetit më kot në qeverinë e Vlorës, do të caktohet Hasan Prishtina (ministër i Bujqësisë ose parmendës).

Ajo që vihet re është fakti, se ndryshe nga kosovarët, të cilët deri në qeveritë e 1939 dhe 1939-1944 do të kenë nga një ministër dhe për pak kohë edhe ndonjë kryeministër (Hasan Prishtina 5 ditë në vitin 1921 dhe Rexhep Mitrovicën nëntor 1943 – maj 1944), shqiptarët nga treva e Çamërisë, me ndonjë përjashtim tepër të rrallë siç ishte Shahin bej Dino në qeverinë e Esat Pashës në vitin 1914-1916 apo ndonjë rast tjetër, pothuajse nuk ka.

Por edhe kur kanë vendosur ministra kosovarë i kanë dhënë rol të parëndësishëm (si Bajram Curri “ministër pa portofol” në 19120 etj). E gjitha kjo, shpjegohet me frikën dhe presionin e vendeve fqinjë. Kjo konfirmohet nga premtimet që Noli i dha ministrit të jashtëm jugosllav, pasi i përdori kosovarët në lëvizjen e qershorit 1924.

Kufinjtë e 1913 janë ngulitur “fort e më fort” në të gjitha qeveritë e viteve 1944-1991. Mos kërkoni asnjë ministër kosovar, me origjinë nga Çamëria jo që jo…

Filed Under: Politike

Ditët e kulturës shqiptare në Rumani

November 2, 2022 by s p

Zyra e Shtypit ALAR
Bukuresht/


Botimet albanalogjike për vitin 2022

Viti 2022 mund të konsiderohet si viti i vendosjes të disa gurë themeli të albanologjisë në gjuhën rumune. Në fushën e botimeve, pa dyshim, ky vit kalendarik mund të konsiderohet një vit historik. Kësisoj, pas botimit të vëllimit “Fjalor historik i Shqipërisë”, i albanologut të shquar, Robert Elsie, përkthyer nga anglishtja nga dr. Radu-Cosmin Savulescu, këto ditë doli nga shtypi “Historia e letërsisë shqiptare nga zanafilla deri në ditët e sotme”, botim i dytë, i riparë dhe me shtesa, i dr. Luan Topçiu-t. Pas disa ditësh do të promovohet një studim imagologjik për shqiptarët në shtypin dhe librat rumune deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, studim i albanofilit, studiuesit dhe kryeredaktorit të revistës letrare prestigjioze rumune “Convorbiri literare”, Marius Chelaru. Po në muajin nëntor do të dalë nga shtypi dhe Fjalori akademik shqip-rumanisht, me mbi 41.000 fjalë tituj dhe mbi 70.000 shprehje i autorëve Dr. Renata Melonashi-Topciu, Ana Melonashi dhe Dr. Luan Topciu. Të gjitha këto botime, që do të shoqërohen me të tjera, bëjnë pjesë në kolanën Albanica. Materiale shkencore dhe letrare për Shqipërinë dhe albanologjinë vazhdojnë të botohen në vazhdimësi në faqet e revistës shkencore dhe letrare “Albanica”, organ i ALAR-it.

Ditët e kulturës shqiptare

Për katër vjet radhazi, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizon “Ditët e kulturës shqiptare”. Mes aktiviteteve të shumta të zhvilluara, mund të përmendim koncertin simfonik me pjesë të kompozitorëve shqiptarë dhe rumunë, i organizuar në vitin 2019 me orkestrën simfonike të qytetit të Craiova-s, vendosjen e bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbe, vepër e skulptorit shqiptar Emanuel Koko, shfaqja e pjesës së teatrit “Njeriu që pa vdekjen me sy” të autorit me orgjinë shqiptare Viktor Eftimiu, e luajtur nga trupa e Teatrit të Vlorës, ekspozita pikturash dhe fotografike, promovime librash për Shqipërinë, mbrëmje poetike dhe muzikë shqiptare, prodhime CD-ve muyikore me muyikë shqiptare dhe shumë të tjera. Ka qenë të pranishëm në këto aktivitete personalitete të fushave të kulturës, shkencës, politikës, lidera fetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj.
Këtë vit, në datat 4-17 nëntor 2022, do të zhvillohet edicioni i IV-t i “Ditëve të Kulturës Shqiptare”, të cilës i shtohen edhe dy evenimente të rëndësishme: koncerti i datës 1 tetor, i zhvilluar në sallën “Gorge Enescu” të Universitetit Kombëtar të Muzikës në Bukuresht, i cili pati si drejtor artistik profesorin e muzikës dhe pianistin, Piro Gaqi. Në këtë koncert u interpretuan pjesët më të mira të konkursit “George Stafanescu” të kompozitorëve të rinj shqiptarë dhe rumunë në gjininë e romancës. Ditët e Kulturës Shqiptare do të kurorëzohen në datën 22 nëntor me promovimin e “Fjalorit akademik shqip-rumanisht”, të autorëve Dr. Renata Melonashi-Topciu, Ana Melonashi dhe Dr. Luan Topciu, në nderim të Kongresit të Manastirit, i mbajtur në datat 14-22 nëntor 1908 dhe të Ditës së Flamurit, duke qenë në vigjilje të festës më të madhe të shqiptarëve kudo në botë.
Programi i këtij viti përmban promovime dhe prezantime librash për Shqipërinë dhe shqiptarët, konferenca dhe recitale poetike e muzikore shqiptare, si dhe një ekspozitë dokumentare dhe arkivore kushtuar shkrimtarit rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu.
Çelja e veprimtarive do të fillojë në qytetin e Targu Jiu-t, në praninë e deputetit Bogdan-Alin Stoica dhe të kryetarit të ALAR-it, Radu-Cosmin Savulescu. Për të pranishmit do të prezantohet dhe vëllimi “Historia e Letërsisë Shqiptare, nga gjeneza dhe deri në ditët e sotme”, edicioni i dytë, i riparë dhe me shtesa shkruar nga studiuesi dhe koordinatori i Qendrës Kulturore, në kuadër të ALAR, Dr. Luan Topciu. Në datën 8 nëntor do të zhvillohet një recital me muzikë shqiptare, interpretuar nga ansambli Serenada i ALAR, si dhe do të recitohen poezi të poetëve shqiptarë Ali Podrimja, Asdreni, Azem Shkreli, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Migjeni, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Visar Zhiti, nga aktori i Teatrit Kombëtar “Marin Sorescu”, Angel Rababoc.
Në datën 11 nëntor do të organizohet në bibliotekën e Qarkut Targu Jiu ekspozita me imazhe dhe dokumente e titulluar: “Viktor Eftimiu – një short rumuno-shqiptar”. Në datën 14 nëntor, në Bibliotekën Metropolitane të Bukureshtit do të organizohet konferenca “Pika referimi në historinë e krishterimit shqiptar”, studim që të referohet nga albanologu dhe historian i feve Dr. Radu-Cosmin Savulescu. Ndërsa në datën 17 nëntor do të promovohet vëllimi” Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin rumun deri në fillim të shek XX”, i studiuesit Marius Chelaru. (615 faqe), aktivitet i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali i Iasi-t. Veprimtaritë e edicionit të 4-t të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” për këtë vit do të zhvillohen në Târgu-Jiu, Bukuresht dhe Iași dhe partnerët ALAR-it për këtë edicion janë Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune, Biblioteka Metropolitane e Bukureshtit, Biblioteka e Qarkut “Christian Tell” Gorj si dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Iași.

Filed Under: Opinion Tagged With: Luan Topciu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT