• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

U zbulua në Zllakuqan të Klinës pllaka përkujtimore në Jubileun e katërt të vizitës së Nënë Terezes bërë Kishës së Zllakuqanit

November 1, 2022 by s p


Shkruan: Lekë Mrijaj/

Shën Nënë Tereza qe nga shënjtërimi i saj nga Selia e Shënjtë-Vatikani, ka shumë vite qe përkujtohët nga Dioçeza e Kosovës pikërisht në Katedralen e cila e mbanë emrin e kësaj Shënjtereshe të vlerave universale. Pothuajse nëpër të gjitha pjesët e Republikës së Kosovës figuron emrin e Nënë Terezës, emertime të cilat mbartin emrin e saj, përfshirë: Shoqata Humanitare Bëmirëse “Nënë Tereza”, Sheshi i kryeqytetit të Prishtinës ( i inauguruar edhe shtatorja e Nënë Terezës) qytete, fshatra dhe lagje në mbarë Kosovën siq vijojnë: në Klinë (Sheshi në Klinë e ka të inauguruar edhe bustin e Nënë Terezës, Qëndra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë, Shkolla Fillore “Nënë Tereza” në Budisalc), Pejë (i inauguruar edhe shtatorja e Nënë Terezës) Gjakovë ( i inauguruar edhe shtatorja e Nënë Terezës), Mitrovicë ( i inauguruar edhe shtatorja e Nënë Terezës), Prizren… etj.

Bazuar në librin e Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit” (faqe 121, 122, 123) gjejmë fjalët e nikoqirit të famullisë, tashmë të përndritshmit, dom Mark Sopit, i cili gjatë pretkut të meshës së asaj dite, në emër të famullisë i ka deshirue një mirëseardhje Nënë Terezës me këto fjalë: “Jeni keni ardhur në mesin tonë për të qenë dora e Zotit, e cila do të na tregojë, do të na prijë kah rruga e tij, në Dashuri. Mbasi jeni plotë dashuri me Zotin, këtë me së miri do ta ta bëni ju. Ne dhe bota mbarë ka nevojë për njerëz të tillë, për deshmitarë të vertetë të Zotit”. Ndërsa Nënë Tereza e cila dukej e entuziazmuar, e gëzuar e lumtur të pranishmeve ju drejtua me disa fjalë: “Jam shumë e lumtur qe sot gjendem në mesin tuaj, qe të flasë me ju. I faliminers Zotit për gjithë këtë dashuri qe me keni treguar dhe ju lus të gjithëve që ti luteni Zotit për mua, për motrat e mia, për të varfërit e mi qe Zoti na i ka dhënë në kujdesin tonë. Ne lutemi qe Hyj të vijë në zemrat tona, qe Jezu Krishti të hyjë në shpirtin e popullit tonë. Ne lutemi qe Zoti të jetë fuqia jonë, jeta jonë, dashuria jonë. Lutemi qe të kthehet në familjet tona urata, pjesa e rruzarës qe Zoja të jetë Nëna jonë. Nëna e konaqeve tona. Ajo të na mësoj se si kërkohet për ta dashur njëri tjetrin. T’i falenderojm Zotit qe na ka bashkuar sot këtu qe të kërkojm prej Tij dhantinë e paqes, për të cilin kanë aq shumë nevojë familjet tona dhe gjithë njerëzim. Ju falemenders Zotit qe nuk po përjetoni tragjedinë e shumë të gerbulurve të Kalkutës, ju keni mjaftë ushqime pije dhe veshmbathje, por në radhë të parë lypset të falenderuar të Madhin Zot. Mendoni edhe pak për ata qe s’kanë asgjë, qe vdesin urie rrugëve. Zoti ju bekoftë!” – tha në fund Nënë Tereza. 

E them nga këndveshtrimi im se do të ishte mirë qe data e 22 tetorit, qe nga ky vit, të shenohet si takim Tradicional i përvjetshëm në Zllakuqan, dhe të kryesohet nga Famullia e Zllakuqanit në bashkëpunim me tre famullitë tjera, asaj të Klinës, Budisalcit dhe Gllaviçicës (pasi qe famullia e Klinës (ju besua dom Fran Sopit, famullitar i parë), famullia e Budisalcit (ju besua dom Pashk Danit, famullitar i parë), disa fshatra (siq janë Dugojeva, Drenoci, Poterqi…) iu bashkangjitën famullisë së re të Gllaviçicës (themeluar nga dom Anton Kçira, ish famullitar i Gllogjanit të Pejës) deri në mes vitevt ’80-ta, ishin pjesë e famullisë së Zllakuqanit e qe me bekimin e ish famullitarit të Zllakuqanit, dom Mark Sopit (ipeshkëv i Kosovës) edhe u pavarësuan me dekretet e nënshkruara nga i përndritshmi, imzot Nikë Prela, ish ipeshkëv i Ipeshkëvisë Shkup-Prizren). 

Eventi në përkujtimin e ardhjes sē Nënë Terezës në Zllakuqan, nisi dje nga dom Alfred Sokoli, famullitar i Kishës Katolike në Zllakuqan i cili përmes një postimi në rrjetin social tha se: “Ishte 22 tetori i vitit 1982, kur Nënë Tereza erdhi për vizitë në Kosovë e u ndal edhe në Kishën e Zllakuqanit. Ishte ai një moment historik, një provani e Hyjit që të kishim në këtë famulli tani Shën Nënë Terezen. Përkundër rrethanave politike të asaj kohe, sulmit të vazhdueshëm ndaj Kishës Katolike, ndaj figurës së saj, edhe pse tashmë e shpallur nobeliste, të gjitha këto nuk e ndaluan popullin e Lugut të Drinit t’i përgatiste asaj një pritje madhështore. Populli ngarendi nga të gjitha anët në oborrin e Kishës Katolike në Zllakuqan, fëmijët ishin mbledhur para rrugës ku do të kalonte ajo (në mënyrë që ajo ti prekte e ti bekonte), priftërinjtë e murgeshat e asaj kohe duke e lavdëruar Zotin për atë dhuratë të madhe që i bënte Kishës në Kosovë e veçanërisht famullisë “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan. Një përjetim i tillë nuk mund të harrohet! Tha në fund të postimit të tij dom Alfredi. 

Ndërsa në orët e mbrëmjës me Lutjet qe u celebruan nga dom Alfredi, famullitar i Kishës, ishte ai i cili në përkujtim të vizitës së Nënë Terezës e nisi përmes Adhurimit në Shenjtërueshmin Sakrament në përgatitje të festës së 40-të vjetorit të ardhjes së Nënës Tereze në Zllakuqan! I cili tha se: “Ashtu si në jetën e saj Zoti ishte pjesë e pandashme në adhurim, lutje dhe shërbim, ashtu edhe ne e kërkojmë praninë e Tij që të na udhëheqë, të na drejtojë, të na nxisë ta duam jetën e të jemi në shërbim të vëllaut njeri! Ligji i dashurisë i shpallur nga Jezusi – ta duam Zotin me gjithë zemër, mendje dhe forcë e ta duam të afërmin porsi vetveten – ishte dëshmia më e fuqishme e jetës së saj”!

Jeta është pasuri, vlerësoje.

Jeta është dashuri, jetoje.

Jeta është mister, zbuloje.

Jeta është premtim, mbaje.

Jeta është jetë, mbroje. Shën Nënë Tereza, lutu për ne.

Ndërsa sot, me 29 tetor 2022 në Kishën e Zllakuqanit nën patronatin e Zyrës Famullitare të Zllakuqanit, Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe Komunës së Klinës, është mbajtur një Sesion shkencor në përkujtim të katërdhjetë vjetorit (e premte me 22 tetor 1982) të vizitës së Shën Nënë Terezës bërë Kishës së “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan.

Në këtë Sesion shkencor përveq, dom Franë Sopit, dom Agim Qerkinaj, dhe dom Pal Tunaj, klerik fetar dioçezian të Kishës Katolike kosovare e motrat e rregullit të Nënës Tereze, morën pjesë edhe shumë pjesmarrës e krijues të artit dhe të kulturës nga Zllakuqani e Klina me rrethinë, dhe pjesët tjera të Drenicës, Dukagjinit dhe mbarë Kosova. Njëkohësisht me një fjalë rasti mori pjesë edhe perfaqësuesi, Enver Berisha, drejtor i financave në komunën e Klinës. Manifestimi në fjalë është përcjellur me një video incizim të drejtpërdrejtë nga “KLINA INFO”.

Fjalën e hapjës të kësaj ngjarje e bëri moderatori nikoqir e famullitar i Kishës, dom Alfred Sokoli. Në vazhdim të Sesionit, dom Alfredi, i ftoj referuesit shkencor, prof. Anton N. Berisha (botues i një kompleti të gjërë librash dedikuar Nënë Terezës), dom Fran Sopi, (deshmitar i gjallë dhe shoqërues i Nënës Tereze), prof. Pal Canaj, (kryetar i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë dhe ish pedagog shumëvjeqar i Sociologjisë në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi” Klinë), dom Pal Tunaj, (famullitar i Kishës së Gllogjanit të Pejës), qe ti prezantojnë kumtesat e tyre për Sesionin e sotëm shkencor dedikuar Shën Nënë Terezës. Njëkohësisht me një fjalë rasti për një deshmi për Nënë Terezën, foli edhe m. Marija Goreti, udhëheqëse e motrave të rregullit të Nënë Terezës në Pejë.
Në murin e Kishës apo përball gurit memorial të At’ Shtjefen Gjeçovit (i ngritur në nismen e Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë, e sponsorizuesve vullnetmirë, shih librin: “Kushtrimi i At Shtjefën Gjeçovit “Të hapim shkollën shqipe në fshat” dhe emrat e sponsorizuesve) i cili para 125 vjetësh në këtë vënd ka hapur Shkollën e Parë Shqipe, sot në Kishën e Zllakuqanit, nga dom Fran Sopi, dom Alfred Sokoli, e m. Marija Goreti, është zbuluar edhe pllaka përkujtimore e skalitur në bronz (vepër e prof. Agron Blakqorit dhe e shkritorës, Emiljano Art nga Miradia e eperme e Fushë Kosovës) ku shkruan se pllaka është ngritur: “Në shenjë përkujtimi të 40-të vjetorit të ardhjes së Nënës Tereze në Kishën e Zllakuqanit” Zllakuqan, tetor 2022.

Vlen të potencohët se edhe unë si një fillorist veq shumë të tjerëve isha një deshmitar i asaj ngjarje madhore të ardhjes së Nënë Terezës në Zllakuqan e cila në kalim edhe me preku mbi supin e krahërorit tim. Njëkohësisht ishte lugdinas, Pren Lazraj i cili tashmë vepron në mergatën shqiptare (Itali) dhe vepron me një përshpirtëri të madhe me familjën e tij, i cili gjatë një shënimi gazetarest të datës 22 tetor 2022, veq tjerash tha: “O sa bukur! baca Lekë, qe si me dorë te Zotit na ktheve mbrapa 40 vite, me degju gezimin e asaj mbas dite te bukur te tetorit 1982. Asht vërtetë knaqësi ti rikujtoj duart e mija te shternguara në duart e Nënës Terezë dhe bekimin e Saj. Faleminderit nga zemra qe e ke postuar edhe fjalimin e Famullitarit te atëherëshëm te Famullisë Don Mark Sopi dhe fjalet ngrohëse te Shenjtëreshes tonë. Je person per çdo lavdatë”.

Në fund të kësaj ngjarje përkujtimore madheshtore për pjesmarrësit e Sesionit të sotëm shkencor të mbajtur në Zllakuqan, është organizuar edhe një koktel rasti me pije freskuese e ushqime tradicionale të sponsorizuara nga njerëzit vullnetmirë të famullisë së Zllakuqanit etj.

Filed Under: Komente

BEKTASHINJTË SHQIPTARO-AMERIKANË NË VIZITË TEK PAPA FRANÇESKU

November 1, 2022 by s p

Përgatiti Frank Shkreli

Teqeja Bektashiane Shqiptare në Detroit të Shteteve të Bashkuara —Frank SHKRELI/ Teqeja Bektashiane në Amerikë-Nderi i Kombit, feston 60-vjetorin e themelimit | Gazeta Telegraf — themeluar në vitin 1954, ka botuar në portalin e saj një njoftim mbi vizitën që një delegacion i saj ka bërë, disa ditë më parë në Vatikan, ku janë takuar me Papa Françeskun dhe me zyrtarë të tjerë të Vatikanit. Albania-American Bektashi Monastery. – Posts | Facebook

Në njoftimin e saj, Teqeja e Detroit thotë se,”Me 26 Tetor, patëm mundësinë të bënim një vizitë zyrtare tek papa Françesku në Vatikan City. Kjo vizitë u bë falë një ftese nga Enti i Vatikanit që merret me marrëshëniet ndërfetare”.  Sipas njoftimit, ftesa i ishte drejtuar  Të ndershmit Dervish Eliton-it, udhëheqësit të Teqesë së Parë Bektashiane Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin e Qendrës Bektashiane shqiptare në Detroit theksohet se ceremonia e vizitës në Vatikan ishte një burim shprese për të gjithë bektashinjtë anë e mbanë botës, por edhe një hap i parë pë[rpara në marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Teqesë Bektashine në Amerikë. 

Në deklaratë, thuhet më tej se ndër çeshtjet që u biseduan, ndër të tjera, midis përfaqsuesve të Bektashizmit shqiptaro-amerikan dhe zyrtarëve të Vatikanit, ishin të përbashkëtat që lidhin myslimanët dhe të krishterët.

Dervishi Eliton citohet të ketë thenë gjatë takimit me Papa Framçeskun se, “Myslimanët dhe të Krishterët kanë më shumë gjëra të përbashkëta se sa ndryshime midis tyre dhe se janë të përbashkëtat ato mbi të cilat duhet të përqndrohemi.”

 Në fund të njoftimit të Teqesë Bektashiane të Detroitit u nenvijua se takimi i përfaqësuesev të saj me Papa Françeskun dhe zrytarë të tjerë të Vatikanit, shënoi ngjarjen e parë nga programi në të ardhmen e ngjarjeve që ka në plan të organizoj Teqeja, me qëllim që të përhapë mesazhin e paqës, dashurisë, dhe respektit, anë e mbanë botës.

 .

A person in a white robe

Description automatically generated with low confidence
May be an image of 3 people, people sitting and people standing
See the source image

Baba Rexhepi, themeluesi i Teqesës së parë Bektashiane Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, 1954 – njëri prej burrave më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të mbarë Kombit

See the source image

Filed Under: Komunitet

THE WASHINGTON POST (1926) / KUR FAIK KONICA JUSTIFIKONTE TRAKTATIN ITALO-SHQIPTAR NË SHBA

November 1, 2022 by s p


Burimi : The Washington Post, e enjte, 16 dhjetor 1926, f.12
Burimi : The Washington Post, e enjte, 16 dhjetor 1926, f.12

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Nëntor 2022

“The Washington Post” ka botuar, të enjten e 16 dhjetorit 1926, në faqen n°12, një shkrim mbi justifikimin e Faik Konicës asokohe në lidhje me traktatin italo-shqiptar, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria mohon që traktati të ketë për qëllim ndonjë shtet

Legata thotë se pakti me Italinë nuk përmban asnjë klauzolë apo aneks sekret.

Të arkivohet (ruhet) në Lidhje

Burimi : The Washington Post, e enjte, 16 dhjetor 1926, f.12
Burimi : The Washington Post, e enjte, 16 dhjetor 1926, f.12

(Nga Associated Press)

Duke deklaruar se “komentet shqetësuese të një shtypi të huaj” bazoheshin në “thjesht hamendje”, qeveria shqiptare tha dje përmes legatës së saj këtu se traktati italo-shqiptar i nënshkruar së fundmi ishte një “traktat paqeje dhe nuk drejtohet kundër asnjë shteti”.

Deklarata e Shqipërisë që prej nënshkrimit të paktit është bërë publike nga ministri shqiptar Faik Konica.

“Marrëveshja e miqësisë e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë, nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ndryshe veçse si një akt diplomatik, që sjell një konfirmim të ri për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

Larg favorizimit të çfarëdo ndërhyrjeje nga ana e Italisë në punët e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë, larg zëvendësimit të fuqisë së madhe fqinje me rolin e garantuesit ndërkombëtar që institucioni i lartë i Gjenevës u siguron të gjithë anëtarëve të tij — traktati shqiptaro-italian, i cili është edhe një traktat arbitrazhi, frymëzohet vetëm nga parimet e besëlidhjes së Lidhjes së Kombeve, e cila do të jetë ruajtësja e këtij traktati dhe në këtë mënyrë autoriteti i Lidhjes rritet në fushën ndërkombëtare.

Ky pakt nuk përmban asnjë klauzolë apo aneks sekret, gjë që do të ishte në kundërshtim flagrant me parimet mbi të cilat bazohet.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

PROF. HAXHI KRAKI – KAH LEXIMI I POEZISË

November 1, 2022 by s p

App5c Zoran

Përgaditi për botim: Prof. dr. Musa Ahmeti/

1. Shpirti/ Poezia. Sa herë lexohet poezia, shpirti përqafon gjuhën e infinitit. Në gjuhën e infinit shkrimi hapë njohjen për jetën e dashuruar, që në poezi ribëhet pa kufinj.Poezia është Jeta, ndërsa Jeta është Poezi. Poezia përherë frymon nga figura. Poezia jeton dhe shtrihet në universale te logosi e figura. Logosi/Figura, i japin shpirt/trup poezisë. Apo thënë më shkurt, Logosi bëhet Trupi e Figura bëhet Shpirti. Poezia jeton nga ky binom aksiologjik e antropologjik. Aksiologjia lind e formulohet pambarim nga Përshtatëshmëria e pjesëve në kuadrin e diskursit të Poiesisit, që njëherësh nënkupton estetikën e jetësimit. Nga kjo intencë strukturore e metafizike, përherë universaliteti i poezisë shkrin brenda gjuhës se motivuar Veta të mundshme. Figura kurrë njëherë nuk e duron veten personale. Marrë në këtë përhershmëri të arki-gjenezës krijuese, bota e shkrimit/poezisë, vetvetiu hapë rrjetet brenda domenit/figurës, andaj veta personale përherë shkrihet në kërkim të universales, sepse Jeta /Bota në poezi kurrë nuk mbyllet në vetvete, edhe atëherë kur i referohet jetës personale. “Poezia, kur i referohet jetës në një kohë e ambient, e universalizon atë; koha bëhet pseudokohë, konteksti-pseudokontekst. Hapësira e koha e letërsisë, edhe kur tregojnë referenca të hapura janë fiksionale; atë e bënë gjuha, që është shenjë, esencë e ekzistencë e veçantë”. Kështu në këtë konceptim e njohje së shkrimit/ fiksionit, aq më shumë në poezi, vetat bëhen hipotetike, sepse diskursi i poezisë e njeh universalen, jeton për universalen, duke formuluar në vazhdimësi Lojën e Figurës së pretendimit. “Poiesisi pretendon të banojë bindshëm në lojë, duke krijuar kosmologjitë e logoseve të veta dhe marrëdhëniet e veçuara me logosin. Kështu, poiesisi bëhet reprezentim kualitativ i lojës duke u shfaqur si manifestim intencional, fiksional, por në mënyrën e vet edhe si imagjinare, si poezi e gjithëpranisë”. Pra, është loja fiksionale, lojë intencionale e ekzistenciale në hapësirë, që përherë asimilon veta e (Une) personale. Lojën e figurës këtu duhet kuptuar edhe si lojë të gjuhës/shkrimit. Duke qenë kjo intencë e vazhdueshme për lojë fiksionale, shkrimi do të asimilojë zëra/une, siç thotë Barti: “Shkrimi është një hapësirë neutrale, përzierje, thurje, nga e cila rrëshqet subjekti ynë, është pra negativiteti ku humbet i tërë identiteti, duke filluar me humbjen e identitetit të vetë trupit shkrues”. Shkrimi në intencën e përgjithshme të humbjes së identitetit, të trupit shkrues, është nga perceptimi I lojës së gjuhës. Aty ku ka gjuhë të lojës ka Letërsi/Poezi. Andaj, kur themi loja e gjuhës duhet potencuar vetvetiu se para nesh e lexuesit të mundshëm, del në pah anonimiteti në shkrim. Mbi këtë gjuha e Letërsisë/Poezisë i kundërvihet kushtimisht autorit, pra thyen rregulla, sepse është në pyetje figura dhe loja e përhershme diskursive. 

2. Poezia /gjuha. Gjuha e figurës është gjuhë e iluzionit/fiksionit. Kështu, në ecje të ngadalshme të filozofisë, vërehet se poiesisi jeton në vorbullën e anonimitetit si vetë personale, duke të dhënë gjithnjë zeron e shkrimit. Zeroja e shkrimit/poezisë është gjuhë që ia kthen përherë shpinën personales, duke e dashur gjithnjë figurën, kushtimisht metaforën si ekzistencë. “Gjuha papushim i vë në pikëpyetje të gjitha origjinat” Pra, një gjuhë që e kërkon vetveten hapësirave/gnosiseve, në tërheqje e sipër gjatë shkrimit, siç thotë edhe esteti Ilhan Berk: “Është kjo një gjuhë që tërhiqet në vetvete, një gjuhë që e krijon vetveten universale”. Poezia gjuhë e logoseve të mëdha universale, gjuhë që prish skemë/ ideologji/ vetë, për të krijuar përherë rend të Gnosisit/Aksiologjisë, përballë një botë që jeton dhe krijon kozmosin e saj, rendin e tërësisë ekzistenciale me një ndjeshmëri të plotë.

3. Aksiologji e rrafshimi. Nëse në poezi flasim për temë personale, në esencë jemi duke folur vazhdimisht për temë universale. Tema personale kushtimisht e jetës/unit, kur i nënshtrohet figurës e fiksionit, gradualisht në aksiologji të rrafshimit bëhet temë universale. Bota e shprehur në poezi, e cila është ndërtuar vazhdimisht në figurë të rrafshimeve, e motivon diskursin për ikje personale. Në këtë ikje të vetes/ unit, tema personale kërkon kohën, hapësirën e jetësimit, universin e jetësimi. Edhe atëherë kur gjuha e poezisë në lexim të duket se është autoreferenciale, që në mënyrë singulare është një pseudoreferenciale. Prandaj, shpesh në poezi zhytemi me një perceptim të gabueshëm, duke e parë poezinë të lidhur ngushtë me autorin, me temën e tij. Kjo në esencë e mbytë poezinë, pra ia zë frymën diskursit të saj. Gjendja subjektive në poezi e shoqëruar me urtësinë/filozofinë/ humanitetin, e bënë poezinë të artikulojë dhe të definojë shumë gjëra të prekshme jetësore, me një ligjërim, pse jo edhe emocional, po aq edhe universal mbi atë, se çfarë është identifikimi dhe cilat janë arsyet e këtij përjetimi në shpirtin e subjektit, çdoherë në përhershmërinë neutrale. Këtu personalja është në metafizikën e përhershme si gjakim shpirtërorindividual. Kjo është poezia dhe bota e poezisë, e cila njeh individualitete krijuese, personale e universale, që të bënë të identifikohesh në kohë dhe hapësirë. Duke shkuar kah jeta, në të veçantën personale dhe në të përgjithshmen, për të gjetur Vetveten/Njerëzoren/Jetën.E përtejshmja tani në botën e letrave shtrihet, kërkohet, sepse vetë shpirti dëshiron të jetojë në hapësirën e përgjithshme. Të jetosh në kohën reale dhe të kërkosh hapësirën e pakufishme të të jetuarit, nënkupton të mos vdesësh kurrë në botën e shkrimit /letërsisë/ poezisë. Prandaj, poezia në diskursin e saj do të shprehë autentiken e përhershme në hapësirë, ku koha dhe hapësira me dashuri të madhe, thyhen e përthyhen në diskursin e përgjithshëm-universal. 

Përgaditi për botim: Prof. dr. Musa Ahmeti.

Prof. Haxhi KRAKI

JUNIKU GURË ERENIKU

Qendroi mbi urë e rreth meje mendojnë kullat reve aureolë

Fatet e ardhmerisë së këngës dhe gurjetës bregut flakëror…

Shikimet shpirtërore lartësive të paarritura lartë mallkimet

Shkepusin yjet e zjarrtë kreshtave të qiellit zanat vallëzojnë

Nata e thyer e urrejtjes ia vjedhë magjinë hënës ëndërrimit

Juniku përbirohet shekujve të thinjur krenar ecë e ecë…

Origjinës mistike kuvendeve të lashtësisë heroike jehona

Koha ritmohet dhe rivargëzohet historia e gjakut gjëmon

Ereniku rrjedhë rrembyeshem qelizave tona etja vlonë… 

Thepirave të dashurisë për kullat mijavjeqare tokës errësirë

Gjelbrimi gëlltitë valët e harbuara të gjuhës krismalirie

Lugjëve të vdekjes bora ruan gjurmat e egersirave e t’uritura

Damareve të fjalëve pelcasin si rrufetë hapësirat e betimet

E pergjakura piktura të krahrorëve gurrë gjaku valojnë…

Prore një rrefim i trishtueshëm rënkon e renkon ballpërball

Kronikave të gurëve të spirruar me shpata helmi ngrihet

Ereniku mbi supet e valëve bartë krismat e idhta muzgjeve

Të vrasjeve ziliçare të netëve pa sy e pa fytyrë tmershëm

Heshtja dhe harresa lidhën nyje udhës misterioze fjalët gurë

Qerpikut të gjuhës e hapësirës së vrarë të shqipëve trojeve

Unë qendroi mbi urë i gurëzuar e flasë me re zjarri dheut

Frymzohem me ofshamat e shpitrave të vdekur e t’ikur…

Lëngatave vdekjeprurese gjurma të humbëtirave harresa

N’imagjinatën tonë të brymosur e të arratisur largë e largë…

Ereniku e Juniku frymojnë mbi kullat e diellit jetës e lindjes

Një shpirt shtegton në pafundësinë e altarit hyjnor atëror

            Trupshekujve shkëmborë besë e bjeshkës me borëkurorë…

             E flasë e flasë me ashkë jetëlashtës urë zjarrgjuhes metaforë!

NËPËR MURANAT E DHEMBJES

                                          Fluskat e borës 

                                 Së pikëllimit 

                         Rëndojnë 

                    Mbi kështjellën

               E fjalëve

           Mbushën gotat

       E helmit 

    Duke i spërkatur

  Yjet e dritës

 Unë kalëroi

Nëpër muranat e dhembjes 

Që kanë

Vetëm fillim

Të legjendës

                      E varrin e mbetur

                 Në gërmadhat e territ 

              S’do ta gjej…

           E kërkoi e kërkoi e kërkoi…

        Nëpër tokën e qiellin e nxirë…

    Mendimet e kuqërremta

Gati të thinjura vjeshtës…

Ikin përtej errësirës

E të lehurat

E untuara të qenve 

Kacafytën mes vedi!

                           Në pyllin e betejave

                   Gjelbërimi dhe lisat e prerë 

             Gjëmojnë…

     Mbi varrët e hapura

Për të pa arritshmën e tyre…

AROMË E LASHTË

                                    Kullave të mendimëve

                               U

                      Hyri flaka…

                 E

         Gjebërimi u kallë

     Në

  Vargun tim të vonuar

Zogjët e zjarrit 

E

 Skalitën emrin 

   Mbi shkëmbin

      E Prometheut…

          Kohës së ardhmërisë…

             Aromë e lashtë

                 E

                    Magjisë 

                        Fjalë e kushtrimit

                             Gufon varg i moçëm … 

                                 Nëpër

                                     Bebzat e përgjakura 

                                     Të syve

                                      Re me shi!

LUGINËS SË KUJTESES

                                   1

Me natë hymë

   Malit

        Të

            Lartë 

                  E

                      Gjelbrimit të etshëm

                            Hijeve 

                                Të mbretërisë 

                                      Së

                                          Fushëdardhave… 

                                              Buzëmbremjeve…

                Këmba këmbës

Shkelej 

Mbi

Gjurmen 

E

Lashtë…

Sharri 

Pashtriku

Korabi

Bjeshkët e Nemuna…

Iliria e madhe

Paraftyrohet…

Ku

Bashkohen dy Drina

Bashkohet

Shqipja dykrenare…

                                   2  

Me

      Dashuri 

                  Të pashtjerrshme 

                        U

                            Përkulemi malëve…

                                     Ku 

                                          Bleta shqitare 

                                              Thithë

                                                    Nektarin 

                                                       E

                                                        Lashtësisë

                                                         Mengjeseve 

                                                        Të

                                                       Skuqura 

                                                     Horizonteve

                                                   Të Arbërisë..

                                                 Andej 

                                             Nëntorëve

                                        Shkruhej historia…

                                 Malëlartat

                         Thirrje 

             Luginës së kujtesës

Jehojnë…

NUK KA RASTËSI   

Nuk është rastësi

   Pse qielli na qendron  

      Mbi kokë…

         As pse na qendrojmë

            Mbi tokë…

              As pse zjarri rrinë mbi ne

                E pse na rrimë mbi zjarrin…

                 As pse njerëzit, kafshet e bimet

                   Luftojnë mes vedi!

                    Në gjithësi nuk ka rastësi!

                      Asgjë nuk ndodhë

                       Asgjë nuk fillon

                        Asgjë nuk mbaron 

                        Vetëvetiu

                               As krijimi

                             As lindja

                           As jeta 

                          As vdekja 

                        As ringjallja

                      As shpirti

                    S’është rastësi… 

                Rastësia është vetëm akt

             I mosarritjes së njeriut 

          Gjer të kuptimi

       I domosdoshmërisë absolute

    Të qenia dhe mosqenia…

Të alfabeti misterioz i Perëndisë…

     PA LAMTUMIRË

Asnjëherë su takuam

         Nga ndarja e fundit… 

               Humnerës vetëm lamtumirat 

                     Mbetën testamente breznishë.

                         Re të skuqura rrugës së lirisë 

                            Gjer në Tropojë kolona marshon

                               Flakëzemres malet ulurojnë…

                                 Gjarpërimet e ditëve muzgje

                                   Bashkohen me terrin e varrit 

                      Lisat gjëmojnë bregoreve të vdekjës

                      Pa i thenë lamtumirë tokës nënë…

                                       Rrepirave t’idealit rrezja

                                        Rrethohet me akuj e borë

                                         Kohës së dashurisë

                                         Daullja kumbon… 

                                        Midis lekurës me plagë

                                       Gurrat e gjakut rrjedhin

                                     Britma e klithma 

                                  Ofshama e burgje 

                                Vdekje e zjarre

                             Retë kacafyten me plumba

                         Në votren ku vajtohet e sytë s’terën

                     Këndohet me qifteli loti

                 Bebzat e syve rigojnë brymë!

              Bregoret e plagosura rrënzë ylberit

         Përbirohen përgjakshëm

Tytes së automatikut!!!

Përgaditi për botim:

Prof. dr. Musa Ahmeti.

SHENIME BIOGRAFIKE

Haxhi Kraki u lindë më 21 shtator 1945 në Junik. Mësimët e para i mori në vendlindje, ndërsa ato të mesmet në Gjimnazin e Pejës. Studimet universitare i mbaroj në Prishtinë në Degën e Gjuhes dhe Letërsisë Shqipe. Rrjedhë nga një familje me legjimitet tradicional, e cila mori pjesë aktive në të gjitha ngjarjet historike të popullit tonë. Haxhi Kraki qysh në moshë të re u mishërua me virtyte të larta atdhedashurie. Shkaku i bindjeve të tij antikomuniste, dhe ndjenjës liridashëse gjatë gjithë kohës përjetoj veshtirësi të shumta politike jo vetëm si nxënës në Pejë por edhe si student në Prishtinë dhe më vonë  si profesor. Gjatë kohës së studimeve, më 1968 mori pjesë aktive në Demonstratat  studentore që u organizuan në Prishtinë dhe në viset e tjera, prej nga më vonë pati pasoja të rënda politike të përcjellura më përndjekje dhe diferencime. Në vitin 1969 diplomohet dhe shkon në Prizren ku punësohet më vështirësi në Shkollën e Mesme të Muzikës profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipipe. Më vonë punon edhe në Skollën e Mesme Teknike, ndërsa në 1972 përjashtohet nga puna nën prtekstin politik se ky kishte formuar Organizatën ilegale “Shqiptaret e rinj” nga një grup mësimdhënësish dhe nxënësish me program antijugosllav andaj përcillej vazhdimisht nga organet policore dhe gjygjsore. Pas përjashtimit nga puna Haxhi Kraki kthehet në vendlidje ku qendron pa punë një kohë të gjatë, i pa përfillur dhe i distancuar nga organet e atëhershme politike dhe arsimore. Në vitin 1974 edhe pse shumë largë punësohet në Gjimnazin “Ramiz Sadiku” në Rahovec. Këtu punon gjër në vitin 1990. Pas shkatrrimit të Partisë Komuniste dhe ndryshimeve të mëdha demokratike në Kosovë, dhe me formimin e LDK-së krijohen kushtet më të volitshme për të gjithë ata që kishin qenë të padeshiruar dhe të distancuar nga regjimi i atëhershëm.   Në vitin 1990 pas një odisejade të gjatë mbi njëzetë vjeçare arrinë të pranohet  profesor në Gjimnazin “Vëllëzërit Frashëri” në Deçan për Paralelet e ndara të Junikut më ç’rast bëhet një korigjim i një padrejtësie paradoksale ndaj tij. Këtu vepimtaria e tij ishte e gjithashme në sferën politike, arsimore dhe kulturore. Gjatë kësaj përiudhe pa u lodhur vepron në kosolidimin, përforcimin dhe riorganizimin e Lidhjes demokratike në Junik duke qenë  kryetar i komisionit për Informim përcjellë me vemendje situatën politike dhe bënë prezentimin e saj në Qendren infomative të Kosovës (QIK). Në këtë kohë vepron me përkushtim në organizimin e mësimit paralel në variantin C nëpër shtëpitë shkolla pasi regjimi serb i kishte mbyllur shkollat shqipe. Pavarësisht situates së rëndë organizon publikisht orë letrare, tribuna dhe përvjetorë të rëndësishëm. Mori pjesë pa ndërprerë në pëgatitjen e Referendumit për Pavarësinë e Kosoves dhe të mbajtjes së zgjedhjeve. Në vitin 1992 zgjedhet Deputet i parë në zgjedhjet e para postkomuniste nga zona e Junikut, për Parlamentin e Republikës së Kosoves. Ishte anëtar i Komisionit parlamentar për bujqësi në kuader të Parlamentit.  Në vitin 1994 formohet Shoqëria kulturo-artistike “Besëlidhja e Junikut” dhe emrohet kryetar i saj. Më 1995-96 hapën paralelet e Shkollës së Mjekësisë dhe meqenëse ishte i kyçur në këtë proces me vlera të jashtëzakonshme emrohet kordinator i tyre. U agazhua edhe në formimin e “Shoqatës për kthimin e Shqiptarëve” me seli në Pejë dhe u zgjodhë Kryetar i saj. Në vitin 1997 merr pjesë si përfaqësues i Parlamentit të Kosoves në varrimin e Edmond Hoxhës dhe në përgatitjën e tij. Ndërsa në vitin1998 organizon orën e madhe letrare me rastin e njëvjetorit të vrasjes së tij me shokë në një situatë politike tmerrsisht të rënduar nga policia serbe. Në vitin 2000 emrohet kordinator i Gjimnazit të Junikut ku ligjëron Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Haxhi Kraki përveq veprimtarisë arsimore, pedagogjike dhe kulturore zhvillon edhe veprimtari publicistike dhe letrare në mënyrë kontinuitive. Ka botuar deri me tani disa vëllime me poezi në Prishtinë, Tiranë, etj.

Përgaditi për botim:

Prof. dr. Musa Ahmeti.

Filed Under: Opinion Tagged With: HAXHI KRAKI, Musa Ahmeti

RESPEKT PËR “DIELLIN” E VATRËS

November 1, 2022 by s p

ASLLAN BUSHATI/

Tashmë është bërë traditë, që numuri i nëntorit të cdo viti i gazetës Dielli, të jetë një numër special e me mbi një qind faqe. Në këtë numër jo vetëm vatranët, por edhe personalitetet e komunitetit të kenë mundësinë, të urojnë bashkëkombasit për ditën e lumtur të pavarsisë, 28 Nëntorin.
Me këtë rast kujtojmë me shumë respekt, punën shumë të madhe e profesionale të ish editorit, shokut e mikut tonë të paharruar (tashmë në amshim) Dalip Greca. Ai e ngrinte në këmbë, Kryesinë, Këshillin Drejtues, grupin organizator të festës, madje dhe biznesmenët që të bëheshin pjesë integrale e këtij numuri. Gjej rastin edhe unë si një vatran i vjetër (modestisht) tu bëj thirrje personale, vatranëve, shoqatave të komunitetit dhe cdo kujtdo që të bëhet pjesë e numurit special të Nëntorit 2022.
Gazeta Dielli është pasuri domethënëse e Vatrës, por ajo është edhe një thesar kombëtar, si gazeta më e vjetër kombëtare që vazhdon të jetë fizikisht në duart e lexuesve. Përfitoj nga rasti të rikujtoj disa fjali nga biseda që pati në Syri TV, në fillim të këtij viti, i ndjeri Dalip Greca me gazetarin e nderuar Adi Krasta. Ky i fundit e pyeti ish editorin e Diellit se:”si ndjehet sot një cift të rinjësh në SHBA ta zemë në një kafene, starbaks e diku tjetër që kanë në dorë gazetën Dielli? Dalipi ju përgjigj:”mbrekullisht dhe krenar me gazetën më të vjetër shqiptare”.
Gazeta edhe në ditët e some nën drejtimin e editorit të ri Sokol Paja vazhdon të jetë e saktë në drejtshkrim e format. Vazhdon të pasqyrojë drejt e në kohë ngjarjet brenda Vatrës dhe të vizitorëve të saj. Vazhdon të rrok tema të rëndësishme të historisë, të aktualitetit dhe të përspektivës. Në brendi të saj gjen të shtjelluara tema të politikës në tërësi, diplomacisë, ekonomisë, shkencës, kulturës, sigurisë në tërësi e kombëtare në vecanti, etikës, estetikës etj, të shkruara nga intelektualë e personalitete të penës. Po ashtu Dielli është bërë promotor i promovimeve të botimeve të reja e të rëndësishme të aktualitetit dhe të jetës e veprimtarisë së vatranëve.
Gjykoj se jo vetëm vatranët, por gjithë shqiptarët, lypset të kujdesen më shumë për Diellin, se ai është pasuri e madhe e fushës kulturës, të cilin duhet ta ruajmë e pasurojmë të gjithë në raport me kohën.

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT