• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Cili është drejtshkrimi im?

December 21, 2022 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

New Jersey – New York

Dhjetor, 2022/

Në fjalorin e gjuhes shqipe, fjala “gjuhë” ka këtë përcaktim: “Sistem i vecantë tingujsh, fjalësh, trajtash e rregullash për formimin e fjalëve e për lidhjen e tyre në fjali, i cili është mjeti themelor e më i rëndësishëm që u shërben njerëzve për të mbrujtur e për të shprehur mendimet dhe për t’u marrë vesh më njëri-tjetrin në shoqëri; një sistem i tillë, që është krijuar e është zhvilluar historikisht nga një popull dhe që përbën një nga tiparet themelore të një kombësie a të një kombi.”

E thënë dhe e dëgjuar kështu, menjëherë, secilit prej nesh na ndez një ndjesi të ngrohtë bashkëpranie dhe përkatësie ndaj njëri-tjetrit dhe sidomos, përkthehet në unifikim.

Ndërsa, fjala “drejtshkrim” në fjalor ka këtë përcaktim: “Sistem rregullash për t’i shkruar drejt e njësoj fjalët në gjuhën letrare”. Tani, fjala “njësoj” dhe togu “gjuhë letrare” dhe sidomos fjala “drejtshkrim”, menjëherë na rikthen të gjithëve në vitin 1972, vit ndaj të cilit ka ndjeshmëri të ndryshme, kurrë të njëjta. Kongresi i Drejtshkrimit i atij viti ka gjeneruar e gjeneron pyetje, e shpesh ka ngjallur edhe provokime.

Çështja e drejtshkrimit është një temë shumë e ndjeshme, në çfarëdo aspekti që t’i qasesh. Kur niset të flitet për drejtshkrimin e shqipes, ngjallen mjaft debate. Për sa kohë janë debate konstruktive, uroj që efekti “drejtshkrim i shqipes” të mos ketë fund. Por, kur tejkalohen norma, dhe këto diskutime bëhen shkak për krijimin e përçarjeve, është mirë që t’u lihet vend profesionistëve apo institucioneve përkatëse të thonë fjalën e tyre, po ashtu në mënyrë profesionale.

Se sa mangësi apo sa gabime janë bërë në të shkuarën, ka mendime dhe pretendime të ndryshme. E ndodhur sot këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të celebruar një përvjetor kaq shënjues për kombin shqiptar, nuk e shoh të dobishme të bëj një historik apo një vështrim panoramik mbi gjuhën tonë, mbi drejtshkrimin apo se çfarë gabimesh u bënë 50 vite më parë.

Unë e shoh më të arsyeshme që sot në këtë ditë të flas se çfarë e “shqetëson” shqipen për ata që jetojnë jashtë territorit gjeografik të Shqipërisë.

Nëse në Shqipëri apo në Kosovë, mund të bëhen studime e kërkime (pas tryeze e në terren) për gjuhën e drejtshkrimin, në shqiptarët e Malit të Zi apo në Maqedoninë e Veriut, në diasporat shqiptare në Europe, Amerikë e kudo tjetër ku ka shqiptarë, paraqiten të tjera sfida: si mos ta harrojmë shqipen (e folur), si t’ua mësojmë fëmijëve tanë, si të ruhemi nga asimilimi etj. Pra, sfidat e shqipes në diasporë janë më të shumta dhe janë sfida krejt të tjera. Këto sprova ne i kemi “filtruar” në 3 pyetje që të gjithë bashkë, do të duam t’ua gjejmë një përgjigje.

1. Çfarë detyrash kemi ndaj gjuhës tonë dhe nga kush duhen zbatuar?

Në mjaft seminare apo aktivitete të ndryshme në lidhje me gjuhën ku kam marrë pjesë këtu në SHBA, e kam dëgjuar shpesh fjalinë “të na ndihmojë shteti shqiptar”.

Në misionin e shenjtë që kanë mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, por edhe prindërit dhe çdo instancë që është ë përfshirë direkt apo indirekt në këtë mision, është shumë e rëndësishme që të njihen kufinjtë e secilit.

Me këtë dua të them që, prindi, mësuesi, shteti amerikan apo shteti shqiptar, të jetë i vetëdijshëm dhe i informuar se cilën detyrë ka njëra palë e cilën e ka tjetra. Dituria e kufinjve shpie në punë, puna shpie në rezultate.

Shembull: nga shteti amerikan mund të presësh/shpresosh për një farë mbështetje në infrastrukturë apo në ndonjë program (gjë që na e dhanë); nga prindi mund të presësh të ta sjellë fëmijën në shkollë të ndjekë mësimin e shqipes si dhe të punojë në shtëpi më fëmijën duke i folur në shqip; nga mësuesi mund të presësh që të ndjekë një program të ngjeshur të shqipes në një intensitet prej 2-3 orësh mësim në javë; nga shteti shqiptar mund të presësh të sigurosh tekste shkollore që janë filtruar si të saktë nga profesionistët që janë caktuar me këtë detyrë.

Nuk mund të kërkojmë më shumë nga shteti shqiptar, cilido krah politik qoftë në pushtet, të na ndihmojë në këtë mision përtej Atlantikut përveçse ata vetë atje të kenë grupe pune profesionistësh që të studiojnë gjuhën, të mblidhen institucionet ku kanë specialistët e duhur të punësuar aty që të nxirren përfundime sa i takon ndryshimeve që ka pësuar gjuha, të vendoset për drejtshkrimin e tyre, të hartohen fjalorët e rinj etj.

Ne mund të flasim këtu me gjithçfarë superlativash dhe objektivash që mund të kapim edhe qiellin me dorë, por është mirë të flasim duke mbajtur këmbët në tokë. Kjo është e vetmja “ndihmë” që mund e duhet të merret nga shteti amë. Nuk mundet p.sh.të presim nga mësuesi i shqipes në diasporë që të vendosë se çfarë teksti duhet përdorur gjatë mësimdhënies. Ashtu siç nuk mund të presim që punën e pandërprerë që duhet të bëjë prindi në shtëpi me fëmijën sa i takon mësimit të shqipes, ta bëjë mësuesi në 2-3 orë mësim që e zhvillon një herë në jave.

Nëse ne i ngatërrojmë detyrat e instancave të mësipërme, nuk do të kemi rezultate të dëshiruara dhe ndoshta përfundojmë duke mos bërë as detyrat që na takojnë ne.

2. Sa kohë kemi për drejtshkrimin?

Çështja e drejtshkrimit, i tejkalon kufinjtë e diasporave. Në ç’kuptim? Nëse më lart thamë që shqiptarët e diasporës kanë sfida më të forta, tek drejtshkrimi janë të përfshirë të gjithë njësoj kur bie fjala tek teknologjia.

Epoka e re ku jetojmë na ka sjellë një stil jetese ku na duhet të ndjekim një ritëm thuajse të shfrenuar. Duke ‘vrapuar’ gjatë gjithë kohës në kryerjen e detyrave, në kryerjen e objektivave, në kryerjen e aspiratave, edhe kur duam të komunikojmë, “nuk kemi kohë” të shkruajmë drejt.

Me këtë dua të them që, edhe për ata që e kanë mësuar tashmë se ku shkruhet “ë-ja” dhe “ç-ja”, nuk do ta shkruajnë gjithmonë ku duhet dhe në vend të “Faleminderit” gjithnjë e më shumë po shkruhet thjesht “FLM”. Por, ky është fenomen universal. Teknologjia, nuk po e lejon brezin e ri që të respektojë rregullat e drejtshkrimit dhe duke u bërë kaq i shpeshtë shkrimi i modelit “isha për shpejt”, me kalimin e kohës syri mësohet më këtë lloj të shkruari dhe rrezikohet të mos konsiderohet më as gabim.

Tani le ta mendojmë se sa të vështirë e ka një nxënës që çdo ditë shkon në shkollë dhe ushtrohet të shkruajë në anglisht, pastaj një ditë në javë ndjek disa orë mësimi të gjuhës shqipe dhe që mundohet të fiksojë se si shkruhet në shqip një fjalë e caktuar. Duhet përmendur që puna më e madhe në shtëpi me këto fëmijë besojmë se bëhet për gjuhën e folur e më pak me drejtshkrimin sepse prindërit e tyre, fillimisht pretendojnë që fëmija të flasë e të kuptojë shqip e për ta shkruar pastaj, mund ta mësojë edhe më vonë.

Me të drejtë, themeluesja e shkollës “Children of the Eagle”, znj. Drita Gjongecaj, e quan “objektiv afatgjatë” çështjen e drejtshkrimit tek fëmijët tanë prandaj edhe duhet t’i japim më shumë kohë, punë dhe përkushtim këtij objektivi.

3. Cili është drejtshkrimi im?

Me këtë pyetje dëshirojmë të vëmë në dukje çështjen e alternativave. Megjithëse, gati në çdo disiplinë, pasja dhe përdorimi i shumë alternativave përkthehet në më shumë dije, kur vijmë tek njësimi i gjuhës dhe drejtshkrimi i saj, do të ishte mirë të kishim vetëm një alternativë që njihet nga të gjithë si standarde.

Këtu në SHBA kemi nxënës nga krahina të ndryshme të shqiptarisë. Ka nga ata nxënës (por edhe mësues) që e kanë më afër gjuhës së nënës (atë që flasin çdo ditë) gjuhën standarde dhe ka nga ata që e kanë mjaft të largët. Në grupin e dytë, ngarkesa është më e madhe sa i takon nxënies. Nëse nuk kemi një variant të standartizuar, këta nxënës do ta kenë të vështirë të orientohen.

Tekstet e njësuara janë opsioni më i mirë për t’u ndjekur nga mësuesit e shqipes në diasporë, sepse vetëm kështu iu bëhet më e lehtë puna në një klasë ku jo vetëm kanë nxënës nga mosha të ndryshme, por edhe nga krahina të ndryshme ku jetojnë shqiptarë.

Por, ende ka punë të pakryera sa i takon fjalëve që përdoren gjerësisht në gjuhën e folur. Për disa fjalë që kanë hyrë në përdorim të gjerë dhe që nuk janë futur ende në një fjalor të rishikuar, mbetet pezull se cila formë tani është e sakta. P.sh. grupi “ev” në përdorim të përditshëm, është zëvëndësuar me formën perëndimore “eu”, psh. euro, eurodeputet, euroatlantik, etj. Rrjedhimisht, si ne e si nxënësit do të pyesim: a duhet ta shkruaj Evropë apo Europë?

* * *

Këto ishin vetëm disa nga “shqetësimet” që na dalin sa i takon rrugëtimit tonë me shqipen këtej në diasporë. Problematikat janë më të shumta dhe zëri më i saktë prej nga ku mund ta marrim informacionin e prekshëm, janë mësuesit të cilët punojnë direkt me nxënësin dhe kanë kontakt direkt edhe me prindërit. Ja pse mbështetja dhe mirënjohja ndaj tyre duhet të jetë e përhershme, konstante dhe dashamirëse.

Në komunitetin shqiptar në SHBA ne mund të konsiderohemi me fat por është luftuar për ta pasur ama. Ne po shohim sa shkollat shqipe i kemi në shtete të ndryshme këtu në Amerikë dhe po njihemi me rezultatet e punës së tyre. Dhe nuk ka dëshmi e fakt më të bukur e më kuptimplotë se ky për të celebruar sot jubileun e Kongresit të Drejtshkrimit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arjeta Ferlushkaj

DREJTIMI STRATEGJIK I LUFTËS SË MADHE TË NJË POPULLI TË VOGËL

December 21, 2022 by s p

Prof. asoc. dr. Zaho GOLEMI

Akademia e Sigurisë, Tiranë

Këndvështrimi ushtarak i luftës çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s

1. Këndvështrimi ushtarak i lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në vend të hyrjes

Në prag të luftërave ballkanike, si edhe në prag të Kongresit të Berlinit, shqiptarët ishin të vetmuar dhe të vonuar në pikëpamje të organizimit, sepse kryengritja nuk e mbulonte krejt hapësirën kombëtare. Shqiptarët ishin të vonuar edhe në pikëpamje të kërkesave, sepse ende çështjes kombëtare ia kërkonin zgjidhjen në kornizën kushtetutare-juridike të shtetit osman! Shqiptarët kishin humbur shumë kohë ndërmjet dy konceptesh për zgjidhjen e çështjes shqiptare: ndërmjet konceptit pavarësi, që nuk ua rekomandonte ndonjë nga Fuqitë e Mëdha dhe konceptit “autonomi administrative dhe territoriale” të Vilajetit të Shqipërisë, që të bashkoheshin trojet etnike dhe që rekomandohej nga Vjena. Megjithatë zgjidhja erdhi nga vetë shqiptarët më 28 nëntor 1912. Por, në Londër, Konferenca e Ambasadorëve, që u mbajt nga dhjetori 1912 deri më gusht 1913, u desh të zhvillonte atë që Qosja e quan “arkitekturë e re politiko-shtetërore e Ballkanit”, që për shqiptarët ishte akti tragjik i dramës shqiptare. 

Të tri çështjet e “Shqipërisë londineze” u shqyrtuan, por nuk u zgjidhën në të drejtën legjitime të tre problemet madhore: “çështja e statusit, çështja e organizimit të ri shtetëror dhe çështja e kufijve”. Por çështja shqiptare është rikthyer dhe do të rikthehet përderisa nuk ka zgjidhje të sakta dhe të drejta për popullsinë më të vjetër dhe më autoktone. Shqiptarët donin një atdhe të lirë, të bashkuar dhe të fuqishëm, që të ketë mundësi ta japë kontributin e tij në familjen e madhe të njerëzimit. Arsyetimet gjysmake të Eduart Geit dhe të tjerëve ka më se një shekull që rëndojnë mbi ndërgjegjen evropiane. Projektet e kufijve tanë ishin në orekset e interesave të fuqive të mëdha e të vogla fqinje. Të mëdhenjtë, më 1913, zgjeruan Serbinë në rreth 80 mijë km², që pas Luftës së Parë Botërore bashkoi edhe Vojvodinën me rreth 21 800 km², pra për rreth 15 vjet Serbia pati vetëm histori të zgjerimeve me luftë dhe me pastrime etnike me dhunë. Interesat e Fuqive të Mëdha nuk përputheshin me ato të shqiptarëve, prandaj edhe përgatitën traktate e bisedime që t’i kënaqnin orekset dhe lakmitë e fqinjëve tanë. Edhe në vitet që pasuan Kosova dhe shqiptarët e Kosovës ishin në shënjestër të “reformës agrare” kolonializuese dhe të shpërnguljeve masive. Metodat e Çubrilloviqit u aplikuan një shekull mbi shqiptarët, deri kur fatin shqiptarët e Kosovës e morën vetë në dorë me drejtimin strategjik të luftës çlirimtare me themelimin e UÇK-së. 

Shekulli XX nuk foli për shqiptarët. Ky ishte shekulli i mbijetesës së tyre përballë urisë së fqinjëve për territore. Ndërkohë që diskriminimi ndaj shqiptarëve kishte kaluar çdo kufi. Malcolmi flet për “… pabarazia të përgjithshme në punësimin publik të shqiptarëve”.

Kishte ardhur koha të tejkalohej demagogjia dhe, gjoja, “ndërkombëtarizimi” i çështjes së Kosovës. Udhëheqësia politike shqiptare e ish-institucioneve të Krahinës së Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën etj., të drejtat politike i kërkonin në kushtetutën jugosllave të 1974-s, apo në “zgjidhjet politike të Kosovës në Jugosllavi” të Ibrahim Rugovës se “zgjidhjet vijnë vetëm nga metodat paqësore”, ishin tashmë tejet të konsumuara. Aktorët dhe faktorët e rinj, drejtuesit e UÇK-së, do ta gjenin zgjidhjen në tokën e tyre dhe për truallin e tyre. Sloganet se “kurrë Serbia nuk do ta braktisë Kosovën; Perëndimi nuk do të intervenojë ushtarakisht në Kosovë; Kosova kurrë nuk do të bëhet e lirë dhe e pavarur…”, vërtetuan atë se “vdekja për liri kishte shumë më tepër vlerë sesa jeta nën Serbi”. Megjithatë në luftë për çlirimin e Kosovës si ushtarë të thjeshtë të kombit shkuam vullnetarë vetëm me idealet personale si çlirimtarë. Ata i mblodhi ndërgjegjja kombëtare, nevoja për çlirim. E tillë ishte UÇK-ja, një nevojë jetike historike e bashkimit luftarak shqiptar, një ndërgjegje kombëtare në veprim, në kohën dhe në vendin e duhur. Faik Konica thoshte se: “Të luftosh për kombin jashtë çdo strukture shtetërore është një virtyt i lartë që vjen vetëm nga një vetëdije shumë e lartë”. Te shqiptarët nuk gjen një histori të mbushur me triumfe e mposhtje të popujve të tjerë, as një histori superfuqish, por kemi një histori ndër më të lashtat e rajonit që për nga veprimtaria ndër shekuj i bën krenarë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Prandaj edhe referencat për atë që bashkon më shumë shqiptarët dhe çdo komb tjetër, është krenaria e historisë së shqiptarëve, që është njëherazi edhe pasaporta e shekujve. Kosova ka qenë toka “e mësuar” me luftëra ku të paktën në gjashtë shekujt e fundit njihen beteja e parë e Kosovës më 1389 dhe e dyta më 1448, sipas kronistëve të kohës. Por datimi shkon në periudhën ilirike te Dardanët e famshëm e deri në ditët tona. Gjithmonë në luftë me hasmin. Por edhe durimi e ka një kufi. Prandaj lufta e UÇK-së ishte një luftë e kohëve moderne dhe një nevojë dhe domosdoshmëri historike e kombit, që me sakrifica sublime solli lirinë e Kosovës martire, për të qenë e lirë dhe sovranë në trojet e veta. 

Lufta e Kosovës një epope e ndritur në historinë e kombit shqiptar

(Këndvështrimi ushtarak i lindjes së UÇK-së)

Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur i ish-krahinës së Kosovës në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë ndërmjet UÇK-së dhe forcave të sigurisë shtetërore (Sigurimi Shtetëror, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Mbrojtja Territoriale) jugosllave, që filloi “zyrtarisht” më 28.2.1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11.6.1999. Por, në fakt, Kosova ishte në luftë të pashpallur edhe më herët sepse fati ia kishte imponuar nevojën që të përballej me “doktrinën serbe”. Lufta e Kosovës kishte kohë që po përgatitej dhe personalitetet e vërteta shqiptare e “kishin ndarë mendjen”, që me rrugë paqësore të drejtat nuk mund të fitoheshin kurrë. Demagogjia dhe premtimet, rruga paqësore ishte plotësisht e dështuar dhe pa të ardhme, por që do të kërkonte gjak e sakrifica. UÇK-ja u emërtua e tillë në vjeshtën e vitit 1994 dhe lindi si domosdoshmëri historike dhe shpejt u shndërrua në projektin më të suksesshëm të kombit shqiptar për shekullin XX. UÇK-ja ishte e gjithë shqiptarëve dhe ngeli në historinë e shqiptarëve. Që me krijimin e frontit të rezistencës UÇK-ja kishte nevojë imediate për uniforma, emblemë identifikuese për luftëtarët e UÇK-së, veçanërisht për armatimin, që kryesisht vinte nga Shqipëria dhe nga armatimi që u rrëmbehej forcave pushtuese. Shqiptarët etnikë që jetojnë në Kosovë u përballën me presionin e serbëve që luftonin për kontrollin e rajonit, nga ana tjetër ishin shqiptarët që kundërshtuan ndërhyrjen e ish-Qeverisë së Jugosllavisë, forcat e saj ushtarake dhe policore. Ashpërsia e trazirave arriti kulmin, ndërkohë që përfshirja e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) solli konfliktin e Kosovës në vëmendjen ndërkombëtare dhe çoi në shpërnguljen e mijëra njerëzve dhe tension e brutalitet midis serbëve dhe shqiptarëve. Duhej një “arbitër” i sigurisë globale, dhe rasti ishte NATO me ShBA-në që në vitin 1999 ishte njëherazi edhe fati i shqiptarëve.

Nëse u referohemi të dhënave nga Radio Kosova e Lirë, përleshja e parë frontale midis shqiptarëve dhe serbëve u zhvillua në Rrezallë të Re, ish-Ludoviq, më 25.11.1997, ku policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen “Binakaj” të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha. Më 26 nëntor forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarë. Forcat serbe në këtë pritë u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi fushëbetejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe godasin me armë shkollën e fshatit Llaushë, ku plagoset për vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër Shaban Rreci nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet, po ashtu, fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Beogradi propagandonte se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhe nga ato islamike.

Më 28.11.1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim për UÇK-në konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe Dukagjin. UÇK-ja kishte marrë miratimin popullor dhe ishte faktorizuar plotësisht, në të drejtën legjitime. Kishte filluar të derdhej gjaku për çlirim. Prandaj janë domethënëse fjalët e Sami Frashërit: “Kush nuk derdh një pikë gjak për tokën e vet, kush nuk jep asnjë qindarkë, ai s’ka të drejtë të varroset në të”. Në Drenicë, Kulla e Jasharëve në Prekaz ishte evidentuar nga shërbimi sekret serb si pikë rreziku, prandaj edhe sulmi mbi Jasharët, të njësive policore serbe, filloi gjatë natës, më 22 janar 1998, që ishte edhe rrethimi i dytë i Kullës së Jasharëve në Prekaz. Forcat serbe goditën në drejtim të kullës, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën, dhe nipat e tij, Fitimin e Besimin, iu kundërpërgjigjën. Nga Llausha arrin me shpejtësi në Prekaz komandant Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe luftëtarë të tjerë. Pati të plagosur dhe policë serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit. Burra e gra të Jasharëve mbrojtën nderin e kullës dhe nderin e atdheut. Alternativa e luftës e komandant Adem Jasharit ishte bërë alternativa e UÇK-së dhe e Kosovës. Nuk kishte alternativë tjetër për drejtuesit strategjik të UÇK-së përveç luftës së armatosur. Rrethimi i tretë i kullës së Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, nxori fytyrën e vërtetë të një rrëgjimi gjakatar sikurse ishte regjimi serb. Rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skenderaj, më 3 dhe 4 mars, ishin dislokuar forca të shumta të artilerisë së rëndë. Po ashtu, policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë.

Në orën 5.30 minuta të datës 5 mars 1998 artileria serbe nga Fabrika e Municionit fillon gjuajtjet në drejtim të kullës së Shaban Jasharit dhe të të gjithë Jasharëve. Lufta dhe qëndresa titanike e kryetrimave në Prekaz kishte dhënë kushtrimin në të gjitha trojet e Shqipërisë. Anteu i lirisë, Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit: “Nuk do të dorëzohemi për së gjalli! Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!” 

Pas tri ditë luftimesh ishte realizuar qëllimi i keq i ushtrisë dhe policisë vrastare të Serbisë dhe, meqë ishte mbajtur betimi, kishte rënë në fushën e nderit Adem Jashari me familje.

Lajmi për rënien e Adem Jasharit, të 20 pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit dhe 39 të tjerëve nga familja e gjerë Jasharaj, si dhe të atyre që kishin qëlluar në Prekaz gjatë atyre ditëve, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari dhe përtej tyre, si dhe ishte reflektuar me një dhembje të pakrahasueshme për të gjithë ata. Dhembja, por edhe krenaria për Prekazin, kishte ngritur në këmbë të gjitha forcat liridashëse anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në mërgatë. Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit, Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë impulse vendimtare luftës për liri. Me emrin e Adem Jasharit dhe me moton mobilizuese: “Prite, prite Adem Jasharin!”, luftuan deri në fund, luftëtarët dhe luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me emrin e Adem Jasharit, gjatë kohës së luftës, është emërtuar Brigada 111 e UÇK-së. Më 28 nëntor 1998 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Adem Jasharin e shpall komandant legjendar të UÇK-së, ndërkohë që sot Garda e Kosovës mban emrin “Adem Jasharit”, por nderimet për këtë figurë madhështore të shqiptarëve do të vijojnë. 

Edh pas kësaj rënieje lufta në vend që të shuhej ishte ndezur edhe më shumë dhe kishte përfshirë gjithë Kosovën. Gjatë kohës sa kishte zgjatur ajo u dëbuan rreth 1 000 000 njerëz të larguar nga shtëpitë e tyre, u vranë rreth 15 mijë prej tyre, nga të cilët 2 400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë të paarmatosur, janë zhdukur rreth 5 000 banorë të Kosovës. Nga marsi 1998 deri më qershor 1999 njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Nga ana tjetër lufta e Kosovës, veprimtaria e UÇK-së, por dhe sidomos e NATO-s, nuk ngeli jashtë vëmendjes së opinionit dhe kritikave të shteteve të mëdha si Kina dhe, faktikisht, kritikët e luftërave nuk kanë munguar kurrë për konfliktet e përgjakshme sikurse për luftërat e nxehta klasike dhe për luftën e ftohtë gjithmonë në situatë kërcënuese.

Edhe ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, thoshte: “Është me të vërtetë tragjike që diplomacia dështoi, por ka kohë kur përdorimi i forcës është i nevojshëm për ta ndjekur paqen”. Ndërkohë që kryeministri kinez Jiang Zemin, pas bombardimit të ambasadës kineze në Beograd, tha se “ShBA-ja po përdorte superioritetin ekonomik dhe ushtarak për ta rritur progresivisht influencën në vende të tjera”. Liderët kinezë e quajtën fushatën e NATO-s një “precedent i agresionit lakuriq, një formë e re e kolonializmit, një luftë agresive e pabazë në moral dhe ligj”, si dhe u kualifikua si një “komplot i ShBA-së, me qëllimin për ta shkatërruar Jugosllavinë, që të zgjerohej në lindje dhe ta kontrollojë të gjithë Evropën” që, në fakt, qëllimi i ishte i qartë dhe krejt tjetër. Qëllimi kryesor i NATO-s ishte ruajtja e lirisë dhe sigurisë të vendeve anëtare të saj përmes mjeteve politike dhe ushtarake. Në aspektin politik NATO promovon vlerat demokratike dhe inkurajon konsultime dhe bashkëpunim në lidhje me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, për ta shtuar besimin dhe në një kontekst më afatgjatë, për ta parandaluar konfliktin. Ndërsa në aspektin ushtarak, NATO është e angazhuar për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, ajo ka kapacitete ushtarake të nevojshme për të ndërmarrë operacione për administrimin e krizave. Ato kryhen duke u bazuar në artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit, traktati themelues i NATO-s, ose bazuar në një mandat të OKB-së, e vetme ose në bashkëpunim me vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare. Por, në anën tjetër, edhe mbështetësit e Luftës së Kosovës ishin më të shumtë sesa kritikuesit e saj. Qartësisht do të flasë historiografia edhe në të ardhmen, sepse për ndërhyrjen për Kosovën janë miliarda faqe dokumentacion vetëm në arkivat amerikane. Por duhet nënvizuar se ish-ushtria e Jugosllavisë ishte dorëzuar dhe kapitulluar si dhe bashkë me të dhe Millosheviqi si rezultat i dy presioneve nga toka dhe nga ajri. UÇK-ja u mbështet nga NATO nga 24 marsi 1999, pra një vit e 24 ditë pasi ushtria jugosllave kishte nisur sulmin frontal ndaj kosovarëve. 

Data 12.06.1999 për shqiptarët e Kosovës është dita simbolike e lirisë sepse zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe forcat serbe u larguan përfundimisht nga toka që kishin pushtuar. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havjer Solana, më 10.06.1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës, në Kosovë u dërguan 37 200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete, që drejtoheshin nga zonat e përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman e italian. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të OKB-së, i cili do ta administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Drejtuesit e UÇK-së, me kërkesën e ndërkombëtarëve, e shndërruan forcën ushtarake që drejtonin në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës, pra TMK-ja duke zbatuar gjithë detyrimet si forcë paqësore. Kjo i hapi rrugën që Kosova ta shpallte pavarësinë nën bekimin e fuqive të mëdha të udhëhequra nga ShBA-ja më 17 shkurt 2008. Jo më kot maksima popullore shqiptare “e drejta zhytet, por nuk mbytet”, u provua se është e vërtetë. 

2. Drejtimi strategjik i luftës çlirimtare të Kosovës

Sikurse çdo luftë, edhe lufta çlirimtare e Kosovës ka pasur drejtuesit e saj, organizatorët, forcën mbështetëse dhe forcën luftarake të drejtpërdrejtë në front. Drejtuesit strategjikë të luftës kishin synime të mëdha dhe të qarta. Drejtimi strategjik i luftës e realizoi misionin duke i kthyer shqiptarët ashtu sikurse janë në të vërtetë aktorë e faktorë rajonalë, të barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit. Ata shpallën vetëm një alternativë të vetme: “lirinë e Kosovës” dhe i qëndruan besnik deri në fund.

Drejtuesit e formacioneve politike dhe ushtarake të UÇK-së nuk u përgatitën në akademitë ushtarake dhe as nuk kishin “diplomë lufte”, por ata ia dolën që trashëgiminë luftarake të shqiptarëve ta vinin në interes të çlirimit. Në luftë mësuan taktikat dhe artin operativ, përpunuan strategjinë e fitores, zhvilluan operacione luftarake të përgjakshme në të gjithë hapësirën e Kosovës, hodhën hapa të ngritjes, të zhvillimit dhe të konsolidimit të Ushtrisë Çlirimtare. Strukturat e drejtimit strategjik ia dolën të ishin të besueshëm në popull, por edhe te miqtë ndërkombëtarë. Ata ishin zot në të gjithë territorin e Kosovës. Në luftë e sipër hartuan dosjet e operacioneve me plane, ide të veprimit, qëllime e synime të qarta, përgatitje të urdhrave luftarake, vendimmarrje dhe zhvillim konkret të operacioneve që, përgjithësisht, ishin rezultativë. 

Drejtuesit strategjikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndan vendin në zona operative për ta manovruar dhe sinkronizuar bashkëveprimin e betejave në planin strategjik dhe në detajime të operacioneve, ndërkohë që edhe vetë strukturat e NATO-s e ndan Kosovën në pesë zona të veprimit pas marrëveshjes së Kumanovës.

Bazuar në planet strategjike të drejtuesve të UÇK-së u mundësua që me luftë të zhbëhej kufiri artificial ndërmjet shqiptarëve, kufiri Shqipëri – Kosovë, pas më shumë se tetë dekadash. UÇK-ja mundësoi krijimin e korridoreve të lira luftarake, për lëvizje e furnizim lirshëm si dhe të bëhej bartja dhe koordinimi i zjarrit/artilerisë dhe arsenalit ushtarak në zonat e tjera të luftës, në veçanti në zonën e tretë operative të Dukagjinit. Drejtuesit strategjikë të UÇK-së ishin përgjegjësit e mobilizimit gjithëkombëtar, duke përcaktuar qartësisht objektivat e synimet, me staf komandues e struktura ushtarake, duke përgatitur mirë fazat përgatitore, kohën e fillimeve të operacioneve në shkallë të gjerë, ritmet e betejës, zotërimin e pozicioneve dominuese, përmasat, ndërveprimin luftarak, mbështetjen në aspektin logjistik, ruajtjen e forcave dhe të armatimit e municionit, kujdesin për t’i respektuar ligjet e luftës, shtrirjen gjeografike të luftës së UÇK-së, edhe pse jo çdo gjë shkonte përherë sipas parashikimeve që është më se e natyrshme. Duke analizuar operacionet e betejat e UÇK-së, ruajtjen e ritmit të betejave në tërësi, strukturat luftarake shqiptare i përmbushën pritshmëritë për luftime nga guerilet deri te shkalla operacionale e frontale, duke unifikuar dhe sinkronizuar veprimet, duke tentuar të sfidonin edhe me operacione komplekse luftarake që vërtetonin atë që organizimi strukturor luftarak brenda UÇK-së ishte në përputhje me kushtet konkrete të Kosovës. 

Drejtuesit e nivelit strategjik me luftën e UÇK-së kishin si qëllim çlirimin e Kosovës. Ky synim, nga të gjithë shqiptarët, konceptohej si luftë për çlirim, por edhe për bashkim kombëtar, për shkallmim të kufirit shqiptaro-shqiptar. Në kalendarin e veprimeve luftarake drejtuesit më të lartë të nivelit strategjik të ShP-së dhe zonave operative realizuan dhjetëra beteja të suksesshme, ndërkohë që betejat e UÇK-së jetësuan eposin e kreshnikëve dhe sollën në vëmendje mbarëkombëtare lirinë e shqiptarëve të Kosovës në shtetin e vet të pavarur. Kjo ishte pjesa kockore e interesit kombëtar të shqiptarëve, një synim dhe objektiv strategjik i përmbushur tashmë. 

Por cilat janë betejat që spikatën në luftën e Kosovës? 

Çdo përballje luftarake nga nivelet e ulëta taktike deri në nivelet operative e strategjike meriton vëmendje e studim të detajuar si pjesë e historisë së shqiptarëve të shkruar me gjak në vitin 1998 dhe veçanërisht kur UÇK-ja dhe NATO-ja hapën shtigjet e lirisë së Shqipërisë matanë lumit Drin. Le të sjellim në vëmendje disa nga betejat në luftën e Kosovës:

Beteja e Glloxhanit ishte një rezistencë e suksesshme e UÇK-së më 24.03.1998. Forcat Jugosllave rrethuan fshatin Glloxhan dhe sulmuan luftëtarët e UÇK-së. Por, pavarësisht fuqisë më të madhe të zjarrit, forcat jugosllave dështuan në shkatërrimin e njësisë së UÇK-së i cili ishte objektivi i tyre edhe pse pati të vrarë dhe shumë të plagosur nga UÇK-ja. Beteja e Rahovecit ka qenë një ndër betejat më të mëdha të UÇK-së e zhvilluar prej 17.07.1998 deri më 24.07.1998, që ishte sulm i koordinuar i njësiteve të UÇK-së të Anadrinit e Llapushës, i mbështetur nga luftëtarë të Drenicës e të Dukagjinit e që kishte bërë të dëboheshin me humbje forcat serbe nga Rahaveci dhe qyteti të çlirohej nga forcat e UÇK-së, të cilave u printe komandanti Agim Çela, dëshmor i kombit. Në përballje me serbët, në fushën e betejës ranë: Sadik Shala, Liman Gega, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari. Përreth rajonit të Rahavecit kanë rënë dhe: Hamdi Berisha, Gani Paçarrizi, Afrim Krasiqi, Agim Kelmendi, Skënder Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi nga Shkodra, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habib Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhyliqi. Beteja e Rahavecit pati jehonë të madhe në mobilizimin e radhëve të UÇK-së pavarësisht prej pasojave dhe masakrave që kreu regjimi serb kundër popullatës civile shqiptare. 

Beteja e UÇK-së në Shishman të Bokës, e datës 29.03.1999, ishte beteja ku ranë 14 dëshmorë dhe u varrosën në një arkivol të përbashkët. Beteja e Koshares zgjati nga 09.04.1999 deri më 10.06.1999, ditë kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës për përfundimin e luftës në Kosovë. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 09.04.1999 shënoi fitore morale për UÇK-në, por me shumë humbje, i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Beteja shembi murin gati 100-vjeçar midis Kosovës e Shqipërisë si dhe ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e historisë kombëtare. Në betejë u vranë 114 shqiptarë dhe 170 u plagosën si dhe tre vullnetarë të huaj një nga Italia, një nga Franca dhe një nga Maroku; nga pala serbe mbetën të vrarë 108 veta si dhe pati 250 të plagosur.

Por cilat janë objektivat e luftës së Kosovës që rrodhën nga vendimi politik për të shkuar në luftë luftëtarët e UÇK-së, por dhe nga domosdoshmëria e kohës për të shkuar në beteja të përgjakshme kundër forcave serbe në Kosovë?

Si çdo luftë edhe lufta e Kosovës ka ligjësitë e veta, ndërkohë që teoria moderne ushtarake e ndan luftën në tre nivele ose objektiva madhorë të saj: niveli strategjik i luftës, niveli operacional dhe niveli taktik i luftës, në krye të të cilave është strategjia që zgjodhën, udhëhoqën e drejtuan Shtabi i Përgjithshëm dhe strukturat vartëse të zonave operative deri te nivelet taktike më të vogla të luftës. Edhe pse duhet pranuar që jo vetëm për UÇK-në, por për çdo ushtri që shkon në luftë ligjësitë e përballjes luftarake janë të pandryshueshme. Format e metodat janë sa të larmishme aq dhe dinamike, të cilat u provuan praktikisht në fushëbeteja në Kosovë. Niveli strategjik i luftës lidhej me objektivat e përcaktuara qartë për mbështetjen e politikave kombëtare dhe rezultatet ishin të pritshme: çlirimi i Kosovës nga pushtimi 80-vjeçar. Me nivelin strategjik lidhet koncepti strategjik, planet për përgatitjen e instrumenteve kombëtare të pushtetit për luftë, udhëzimet praktike për përgatitjen e trupave të UÇK-së për arritjen e objektivit strategjik. Drejtuesit e UÇK-së në planin politik si dhe në planin ushtarak i kushtuan rëndësi nivelit operacional të përdorimit të forcave ushtarake në teatrin luftarak të të gjithë Kosovës, për krijimin e avantazheve ndaj armikut, në mënyrë që të arrihet synimi strategjik nëpërmjet projektimit, organizimit dhe zhvillimit të operacioneve kryesore me shtrirje gjeografike dhe e mbështetur fuqishëm në popullin e Kosovës. Niveli taktik për UÇK-në dhe drejtuesit e saj ishte konceptuar drejt sipas kuptimit tradicional, ku manovrimi i forcave dhe beteja në terren në kontakt direkt me armikun rezultoi e suksesshme. Nëse i referohemi nivelit strategjik, teoricieni i “artit të luftës”, Karl Fon Klauzeviç, përcakton objektivat e “shkatërrimit të plotë ose të pjesshëm të forcave të armikut, pushtimin e plotë ose të pjesshëm (në këtë rast kapjen e tokës së pushtuar), si dhe thyerjen e vullnetit të tij për të luftuar”.

Lufta e UÇK-së kishte pajisje e armatim të tillë si thika, revole, automatikë, pushkë, lloje automatike, mitraloza, snajperë, mitralozë deri në 12.7 m/m, granata dore, mortaja, granatahedhës 56 e 69, armë artilerie të kalibrit: 60, 82, 107, 120, 160 dhe obuzi 122 m/m, armë kundërajrore, top kundërajror 20 mm dhe TK 14.5 m/m dhe municione të mjaftueshme, topa zmbrapsje 75 mm etj. Drejtuesit e UÇK-së bënë një ndërgjegjësim mbarëkombëtar, nga ta gjitha trojet etnike, por dhe luftëtarë të huaj, nga Evropa, Amerika, Kanadaja e Australia. Pjesëmarrja e luftëtarëve të huaj nga Franca, Anglia, Gjermania, Turqia, Algjeria etj., po ashtu e shndërruan luftën në Kosovë në rrafshin ushtarak në shkallë të gjerë, por edhe e ndërkombëtarizuan atë. Është fakt se në luftën e Kosovës u derdh gjaku për liri dhe dëshmorët e saj ngelën përjetësisht në piedestalin më të lartë të nderit dhe krenarisë së kombit shqiptar. Të gjithë këto sakrifica të drejtuesve të luftës dhe luftëtarëve të UÇK-së mundësuan dhe kurorëzuan ngritjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Lufta e Kosovës ishte një konflikt që kërkonte që Ballkanit t’i hiqet mbiemri “Fuçi baroti” të cilin e kishte fituar në fillim të shekullit XX, atëherë kur nga këtej u largua Perandoria Osmane, por që barra e madhe e përgjegjësisë në tokë ishte e drejtuesve të UÇK-së dhe e luftëtarëve të saj. Është fakt se edhe drejtuesit më të lartë të Ushtrisë çlirimtare kishin shpresë te zhvillimet e vrullshme ndërkombëtare. Nga fillimi i prillit 1999 konflikti ishte shumë larg zgjidhjes dhe vendet e NATO-s filluan të mendonin seriozisht për operacione tokësore në Kosovë. Kështu, sipas të dhënave të kohës, kryeministri Britanik Toni Blair ishte avokat i fortë për sulm me trupa tokësore dhe i bënte presion ShBA-së që ta pranonte edhe pse “qëndrimi i ashpër i Blerit shkaktoi alarm në Uashington pasi forcat amerikane duhej të ishin me të larta në numër në çdo mësymje”. Për këtë arsye presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, autorizoi një operacion të zbulimit për ta destabilizuar e dobësuar qeverinë jugosllave edhe pse NATO e dinte mirë se në terren të shpërndarë në çdo qelizë të hapësirës së Kosovës ishte UÇK-ja me drejtuesit dhe luftëtarët tashmë plotësisht të angazhuar. Negociatorët finlandezë dhe rusë nisën ta kontaktojnë Millosheviqin që ai të tërhiqej dhe të binin në marrëveshje. Edhe pse vijonte që NATO të godiste objektiva nga ajri dhe UÇK-ja nga toka, Tony Blair urdhëroi 50 000 ushtarë britanikë të bëheshin gati për mësymje tokësore. Millosheviqi, nga ana tjetër, e pa veten të vetmuar pa mbështetjen e Rusisë dhe se ajo nuk mund të ndërhynte dot, duke e mbështetur vetëm me deklarata dhe retorikë të fortë anti-NATO. Në këto kushte udhëheqja jugosllave e vendosur me shpatulla për muri pranoi një prani ushtarake në Kosovë të drejtuar nga OKB-ja, por me pjesëmarrjen edhe të trupave të NATO-s. Forcat speciale norvegjeze bashkëpunuan me UÇK-në në mbledhjen informacioneve të inteligjencës, duke u përgatitur për hyrjen në Kosovë më 12.06.1999, që ngelet një ditë historike për popullin shqiptar të Kosovës. Në këtë ditë Millosheviqi pranoi kushtet dhe misioni i drejtuar nga NATO, “Kosovo Force” (KFOR) filloi të futej në Kosovë. KFOR-i ishte përgatitur të kryente operacione luftarake, edhe pse misioni i tij mbeti vetëm paqeruajtja. KFOR-i ishte i bazuar nën Shtabin e Trupave të Reagimit të Shpejtë të Aleatëve të komanduara nga gjenerali britanik Mike Jackson. Britanikët kishin një brigadë të blinduar dhe BrV parashutiste, një brigadë franceze, një brigadë gjermane, të cilat hynë nga perëndimi, ndërkohë të gjitha forcat e tjera avancuan nga jugu, me një brigadë italiane si dhe një brigadë amerikane. Trupat e para të NATO-s që u futën në Prishtinë më 12.06.1999 ishin forcat speciale norvegjeze e forcat speciale ajrore britanike, edhe pse trupat ruse ishin të pranishme më parë në Aeroportin e Prishtinës. Forcat fillestare të ShBA-së e vendosën zonën e veprimit përreth qyteteve të Ferizajt e më vonë në Kampin “Bondsteel” dhe në Gjilan në Kampin “Monteith”. Ushtarët e SHBA-së dhe të NATO-s u pritën dhe u përshëndetën nga shqiptarët me brohoritje dhe lule gjatë kohës që KFOR-i kalonte nëpër fshatra. Ndërkohë UÇK-ja në këtë periudhë nuk i kishte ulur armët, por u bë siguruese e rrugëkalimeve të trupave të KFOR-it.

Ushtarët norvegjezë ishin të parët që ranë në kontakt me trupat ruse në aeroport, që rezultoi një situatë e tendosur dhe sfiduese për KFOR-in. Rusët prisnin të kishin një sektor të pavarur në Kosovë, por misioni filloi nën komandën e NATO-s dhe kjo ishte e papritur për rusët. Pa komunikuar dhe pa koordinuar me NATO-n, paqeruajtësit rusë hynë në Kosovë nga Bosnjë-Hercegovina duke e pushtuar Aeroportin e Prishtinës para ardhjes së forcave të NATO-s. Ky ishte edhe incidenti i aeroportit, ndërkohë që komandanti suprem i NATO-s, gjeneral Clark, synonte ta bllokonte pistën e aeroportit me mjete të NATO-s, për t’i parandaluar përforcimet ruse, por u refuzua nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Mike Jackson. Një dekadë pas përfundimit të luftës së Kosovës, në një intervistë James Blunt përshkroi se si njësisë së tij i ishte dhënë detyra për sigurimin e Prishtinës gjatë avancimit të forcës paqeruajtëse prej tridhjetë mijë trupash dhe se si ushtria ruse ishte futur dhe kishte marrë kontrollin e aeroportit të Prishtinës para se njësia e tij të arrinte. Blunt e vlerësoi si një incident i dhunshëm ndërkombëtar, por ishte një përballje pa armë me rusët, dhe komandanti suprem i NATO-s, Clark, dha urdhra paraprake për t’i mposhtur rusët. Fakt ishte se pati një tërheqje nga Blunt, urdhri u tërhoq nga gjenerali Jackson, me shprehjen tashmë të famshme: “Nuk do t’i bëj ushtarët e mi përgjegjës për nisjen e Luftës së Tretë Botërore”. Pas vendosjes së strukturave të KFOR-it, drejtuesit e UÇK-së dhe luftëtarët e saj u kthyen në shtëpi, në bashkëpunim me aleatët perëndimore filluan jetën në Kosovën e lirë, por edhe ndërrimin e emrit nga UÇK në TMK. Ishte koha kur elita drejtuese e UÇK-së dhe forcat perëndimore të përbashkoheshin dhe ta gjenin rrugën e vijimësisë sepse liria dhe vlerat në Kosovë u përbashkuan në vlerën kombëtare dhe ndërkombëtare, ku perëndimorët në ajër dhe UÇK-ja në tokë realizuan objektivin strategjik të çlirimit të një populli të tërë të shtypur në zemër të Evropës. Koha provoi drejtësinë e një lufte e bashkëpunimi të vërtetë, sepse lufta për çlirimin e Kosovës martire ishte një kombinim i shkëlqyer NATO-UÇK. UÇK-ja në terren u bë udhërrëfyese e avionëve bombardues të NATO-s, që të goditeshin saktësisht objektivat e saj. Stanley Sloan, studiues i marrëdhënieve euroatlantike, thoshte: “…UÇK-ja ishte forca kryesore luftarake e shqiptarëve të Kosovës… me rol vendimtar.. NATO kishte një komponentë të forcës tokësore në strategjinë e saj..”. Prandaj dhe historiani Pettifer shkruan: “UÇK-ja ishte gjithçka që NATO kishte”. Por NATO ka kontribute të shumta përtej luftës, sepse liria e shqiptarëve të Kosovës ngeli obligim që duhej mbrojtur dhe duhej zhvilluar deri në ngritjen e shtetit dhe mbështetjen ndërkombëtare për ta konsoliduar atë. Amerikanët mbështesin aleatët strategjikë besnikë në Ballkan, ndërkohë që evropianët nuk bënin ndonjë gjë të madhe vetëm sa u “kthenin borxhin shqiptarëve”, borxhin që prej Berlinit, Londrës, Versajës etj. Koha vërtetoi se aleatët strategjikë të shqiptarëve dinë ta respektojnë të drejtën dhe mikun, edhe si një ndër kombet më proamerikanë, prandaj amerikanët e kanë Kosovën në objektivat strategjikë të së ardhmes. Kështu kampi ushtarak “Bondstill” në Kosovë, afër Ferizajt, kamp për të cilin vetë amerikanët i kanë dhënë dimensionin e duhur përtejballkanik me batutën simpatike: “Cilat objekte të Tokës mund të shihen nga Hëna? -Muri i madh Kinez dhe kampi ‘Bondstill’ në Kosovë”. 

3. Drejtuesit e luftës së UÇK-së të burgosur

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe komandantët e Zonave Operative janë “të ftuarit” e Gjykatës Speciale në Hagë. Por a mund të burgosen historia, historia e një populli të tërë që ka një histori shekullore vuajtjesh, dhune, persekutimi dhe gjenocidi. Që nga momenti i krijimit, Gjykata Speciale e Kosovës ka shpeshtuar ftesat për ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vorbullën e dënimit të drejtësisë së një lufte e solli fundi i vitit 2016, me krijimin e së ashtuquajturës “Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar” për t’i gjykuar kosovarët për “kryerjen e krimeve të luftës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë”. Të kamufluarit dhe të përkëdhelurit e evropianëve, serbët gjetën mekanizma për të depërtuar te “task forca e BE-së” e ngritur më 2011, që “gjeti” ose më saktë fabrikoi prova se anëtarët e UÇK-së kryen krime pas përfundimit të luftës. Më parë, Gjykata Penale Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë gjykoi disa anëtarë të UÇK-së. Një histori që kishte qëllim zhbërjen e luftës së drejtë të drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së. Në kuadër të hetimit të krimeve të supozuara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, Dhomat e Specializuara i kanë targetuar “peshqit e mëdhenj” të cilët kanë pasur përgjegjësi të lartë në hierarkinë ushtarake. Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës ka ftuar për intervistim pjesën më të madhe të strukturës së lartë komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ustallarët e politikës dhe diplomacisë” e kanë mirëmenduar që askush të mos i shpëtojë fokusit të “drejtësisë” ndërkombëtare për intervistim, qoftë në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëve. Për intervistim në Hagë janë ftuar si të dyshuar ose si dëshmitarë, pothuaj të gjithë ish-komandantët e zonave që i ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nëpër rajonet e ndryshme të vendit. I pari prej tyre ishte ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, që është intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale; ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku; ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja; komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të vendit (19.07.2019); shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla dhe anëtarët e këtij shtabi: Kadri Veseli, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi, Lahi Ibrahimaj, Bislim Zyrapi; drejtues i Drejtorisë së Operacioneve në ShP të UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili ka qenë në këtë detyrë më 1998. Janë thirrur, gjithashtu, luftëtarë drejtues të nivelit më të ulët se komandantë brigadash, deri në luftëtarë të thjeshtë. Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së thotë se numri i luftëtarëve të thirrur për intervistë është rreth 200. Arrestimet shkuan në nivelet më të larta të shtetit të Kosovës: Hashin Thaçi, ish-president i Kosovës u arrestua në qershor 2020, me akuzën e krimeve kundër qytetarëve të pafajshëm; bashkë me Hashim Thaçin edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Sali Mustafa, por edhe ata që ranë dëshmorë nuk do t’i shpëtonin ndëshkimit po të ishin gjallë, sikurse ishte dhe Tahir Sinani, ish-komandant i Zonës së Dytë Operative “Pashtriku” dhe mjaft figura të tjera që i bëjnë nder luftës çlirimtare të Kosovës. Ky është “gjyqi i historisë”, gjyqi i fitimtarëve që u ngritën në luftë për të drejtën e popullit të tyre të shtypur një shekull dhe besohet se e vërteta e UÇK-së do të dalë në dritë dhe do të provohet edhe gjatë procesit gjyqësor në Hagë, që do të jetë një gjyq në pafundësi i mbushur me procedura të shqyrtimit të çdo letre e “fakti” të humbësve serbë. Dhe e gjithë kjo për “barazitizëm” ndërmjet agresorit serb dhe viktimës që ishte një popull i tërë i dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre.

Aktakuzat e Gjykatës Speciale janë të dëmshme për Kosovën, për luftën e saj për liri dhe pavarësi, edhe pse liria dhe UÇK-ja kanë një emër. Drejtuesit e asaj ushtrie sot janë në Hagë si pjesë e kësaj ushtrie, të një populli që po luftonte për të drejtat e veta dhe të vërtetën historike të Kosovës. Pas fitores askush nuk besonte se disa nga drejtuesit strategjikë të Luftës çlirimtare të Kosovës do të gjykoheshin në Hagë me dhjetëra aktakuza ndërkohë që ishin që të gjithë misionarë lirie dhe trupa e forcës tokësore të NATO-s.

E vërteta historike mbetet ajo që ka qenë dhe krejtësisht e pandryshueshme, prandaj edhe lufta për liri, të drejtën dhe mbijetesa ndaj shtypjes e represionit, nuk ka dhe nuk mund të ketë aktakuzë apo akuzë që të mund ta ndryshojë këtë. Lufta çlirimtare është në fokus të goditjeve, edhe pse lufta e drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së është luftë e shenjtë, është themeli i pavarësisë së Kosovës. Emri i drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së shkëlqeu në kohën kur Kosova ishte e shkaktuar nga okupatori serb. Lufta kishte prijësit e vet që, pa dallim, u rreshtuam pas komandantit legjendar Adem Jasharit, duke personifikuar një histori unike në botë, kur me tërë Jasharët, në kullë, lufton deri në vdekje, me tri gjenerata të familjes. Pas rënies heroike të Adem Jasharit, drejtimin e luftës sonë çlirimtare e mori Drejtoria Politike dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Me Hashim Thaçin dhe drejtuesit e tjerë të UÇK-së që gjenden në Hagë, nëse do të qe gjallë, do të ishte padyshim edhe vetë legjenda e kësaj lufte Adem Jashari. Prijësit që dolën në skenën e historisë janë emra të merituar që me shumë përpjekjeje dhe me ndihmën e NATO-s, i dhanë lirinë dhe pavarësinë Kosovës. Gjyqi i ndërkombëtarëve në Hagë është goditja e armiqve shekullorë kundër shtetit, kombit e lirisë, të drejtës kombëtare, vlerave, çlirimtarëve, atdhetarëve që kontribuuan për çlirimin dhe shtetin e Kosovës. Drejtuesit e UÇK-së dje në luftë shkuan përtej fjalëve sepse e provuan veten me vepra. Kur nisi aktiviteti për çlirim, numëroheshin me gishta, për të marrë përkrahje fillimisht nga populli i tyre e pastaj dhe nga bota demokratike. Por e drejta zhytet, por nuk mbytet dhe mungesa e drejtuesve të UÇK-së që janë në Hagë nuk ia ul vlerat misionit fisnik të UÇK-së. Epoka e çlirimtarëve nuk mund të burgoset dhe as të shuhet, sepse luftëtarët e UÇK-së të burgosur pa faj ishin në të drejtën e lirisë të ligjshme për mbrojtjen e popullit, shtëpisë, kombit shqiptar. UÇK-ja është mbrojtësja e së vërtetës. Arrestimi i herëpashershëm i luftëtarëve, sikurse ishte edhe ai i vitit 25.09.2021, kur u arrestuan kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj, sollën indinjatë jo vetëm në Prishtinë, por dhe në Tiranë dhe kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Tingëllon për këdo qesharake akuzat ndaj drejtuesve më të lartë të UÇK-së: “akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit!”, ndërkohë që qëllimi për të cilën u krijua ajo ushtri dhe, në fakt, kreu misionin para shqiptarëve ishte tejet i qartë, “ushtri çlirimtare për lirinë e shqiptarëve të Kosovës”.

4. Përfundime mbi drejtimin strategjik të luftës së UÇK-së në Kosovë

1. Drejtimi strategjik i UÇK-së ishte struktura politiko-ushtarake që organizoi dhe realizoi me sukses një mision me rëndësi historike kombëtare, ku filozofia e një populli të tërë ishte liria, ndërsa mjeti i realizimit të lirisë së shqiptarëve matanë Drinit ishte UÇK-ja. 

2. UÇK-ja ishte dhe mbeti forca e vetme ushtarako-politike themelore brenda Kosovës që shkallmoi status quonë në Kosovën e pushtuar, “as luftë dhe as paqe”, të vendosur dhe përkrahur nga shumë shtete të rajonit. Lidershipi i saj krijoi ambient bashkëpunues dhe mbështetës me ndërkombëtarët.

3. Drejtuesit e UÇK-së e gjetën të gatshëm patriotizmin, përvojën dhe traditën luftarake nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, trashëgiminë e burrave të mëdhenj luftëtarë si Isa Buletini, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Dedë Gjo Luli, Azem Galica, Idriz Seferi, Mehmet Pashë Dëralla, Hasan Prishtina, Elez Isufi, e qindra mijëra të tjerë. Shqiptarët nuk kanë nevojë të marrin “hua” heronj e luftëtarë, mite e përvoja luftimesh sepse gjatë shekujve i kishin me bollëk, prijësit, heronjtë, luftëtarët e lirisë, të cilët i kanë lënë trashëgim “formulën” e lirisë dhe çlirimit.

4. Kancelaritë e Perëndimit dhe shtetet e rajonit u detyruan ta merrnin seriozisht gjendjen e krijuar në Kosovë dhe të dëgjohej zëri i saj që, në fakt, ishte zëri i drejtuesve strategjikë të UÇK-së që përfaqësonin interesat e vërteta të shqiptarëve të shtypur. Ka qenë një elite intelektuale e vendosur që fliste me gjuhën e popullit dhe për popullin. Megjithëse sikurse thotë John Pilger, “për gjashtë vjet deri më 1998, UÇK-ja është trajtuar nga ShBA-ja si grup terrorist, por ishin amerikanët që gjatë ndërhyrjes në fushatën ajrore e përdorën UÇK-në si aleate e ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s”.

5. E ardhmja e Kosovës erdhi në agjendën e Fuqive të Mëdha si nevojë e shtruar për zgjidhje, ndërkohë që UÇK-ja ishte argumentuese dhe bindëse për shtetet e mëdha si dhe diktoi metodën e bindjes që të hiqej dorë nga ideja se “Kosova është problem ballkanik dhe mund të zgjidhet në kuadrin e shteteve të rajonit”.

6. Lidershipi i UÇK-së gjeti zgjidhje të tilla se, atje ku nuk dëgjohej zëri i zgjidhjes diplomatike, të dëgjohej krisma e armëve sepse në Kosovë nuk bëhej fjalë “për të drejtat e njeriut”. Në Kosovë kundërshtohej me armë një regjim gjakatar, që shtypte egër shqiptarët, në kërthizë të Evropës.

7. Lidershipi strategjik i UÇK-së bindi ndërkombëtarët dhe shtetet ballkanike se ishte nevojë urgjente aktivizimi i diplomacisë amerikane e evropiane si faktori kyç i zgjidhjes, pa seriozitetin e të cilëve bomba e kurdisur e quajtur “Kosovë”, tashmë e aktivizuar do ta shkatërronte Ballkanin dhe prishte raportin e forcave në Ballkan dhe më gjerë. Fatmirësisht pati vesh që dëgjuan zërin e shqiptarëve të Kosovës.

8. UÇK-ja shtroi si detyrë për zgjidhje të pazgjidhshmen, të paarritshmen, bindjen e faktorit ndërkombëtar, se “pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk ka qetësi të rajonin ballkanik”, duke sjellë në vëmendje të politikës dhe diplomacisë botërore të vërtetën për Kosovën. Kjo do të çonte në vendosjen në veprim të strukturës politiko-ushtarake të NATO-s, me një ndër aksionet ndërhyrëse më spektakolare të të gjithë ekzistencës së saj.

9. Në dimensionin ushtarak UÇK-ja realizoi misionin ushtarak në të tri shkallët e komandimit-drejtimit, në planin taktik, operacional dhe veçanërisht në planin strategjik. U provua në praktikë se metodat e kërkimit të të drejtave “përmes paqes”, “vullnetit të mirë” ishin të dështuara përballë serbëve dhe metoda më efektive e udhëhequr nga drejtuesit politiko-ushtarakë të UÇK-së ishte vetëm kryengritja e armatosur. 

10. Në planin strategjik, lidershipi i krahut të armatosur, UÇK-ja, zhvilloi një luftë të armatosur të kombinuar nga lufta guerile deri në atë frontale duke shfrytëzuar operacione luftarake duke mbajtur pandërprerë tempin dhe kohezionin e luftës, në unison me forcat ushtarake të NATO-s, që mbështetën trupat e UÇK-së në terren dhe popullin e Kosovës. 

11. UÇK-ja nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë politike realizoi qëllimin strategjik të një force tokësore në shërbim të NATO-s, për dobësimin e forcave ushtarake të Serbisë e deri në detyrimin e makinerisë ushtarake serbe t’i pranojë kushtet e Marrëveshjes së Kumanovës për tërheqje të plotë dhe përfundimtare nga Kosova.

12. Në planin operacional UÇK-ja tregoi veten si një forcë ushtarake e re dhe e aftë, që t’i planifikonte dhe t’i zhvillonte llojet kryesore të operacioneve të nivelit operacional si: operacione sulmuese, mbrojtëse dhe operacione të pengimit. Aftësia e saj spikati në operacione në front, në prapavijë të forcave të armikut, operacione speciale, operacione tërheqëse, të sigurimit fizik, xheniere si dhe operacione humanitare. 

13. Drejtuesit e UÇK-së me operativitet u shndërruan në aktorë dhe faktorë që drejtuan rritjen nga njësitet e vogla guerile të niveleve grupesh e skuadrash, organizuan formacione të rregullta të këmbësorisë së lehtë të nivelit manovrues e operacional si brigada të lehta të këmbësorisë, 7 zona operative që për nga niveli barazohen me nivelet brigadë-divizion të kompletuara me pajisje e armatim të mjaftueshëm, që ishin në gjendje të zhvillonin operacione luftarake të nivelit taktik e operacional. Lufta e UÇK-së dhe strukturave të drejtimit të tyre strategjik, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit 1998 dhe 1999, bëri efektiv trajnimin e njësive speciale, vëzhguese, zbulimi, njësi për luftim në kushte të veçanta etj. 

14. UÇK-ja mundësoi ta fuste nën kontrollin e saj zona të gjera të Kosovës qendrore dhe perëndimore, ia kishte bërë të pasigurta armikut rrugët kryesore të cilat lidhin qytetet kryesore të Kosovës, kishte mundësuar kapjen e hapësirave të rëndësishme dhe objekteve strategjike si kuota të rëndësishme, kryqëzime rrugësh, objekte dominuese nga mund të sulmonin e kundërsulmonin ose që mund t’ua hiqnin mundësinë pushtuesve serbë të shfrytëzonin rajone, objekte ose linja të caktuara për qëllime ushtarake. 

15. UÇK-ja përmes rrugëve të komunikimit strategjik pavarësisht terrenit tepër të thyer arriti të sigurojë mbështetje e furnizime me armë nga Shqipëria. Ishte krijuar baza logjistike përgjatë gjithë brezit kufitar brenda territorit të shtetit shqiptar dhe nëpër vendbanime në prapavijën e armikut përgjatë linjave të furnizimit me armë. 

16. Arritje të rëndësishme lidershipi ushtarak i UÇK-së siguroi që në fillimet e veta, ku në planin taktik, baza të rëndësishme në Kosovë ishin: Drenica, Llapusha, Dukagjini, Llapi etj., ku lufta zhvillohej në mënyrë frontale.

17. Njësitë taktike të UÇK-së si skuadrat, togat, kompanitë e batalionet e Kosovës ishin të armatosura lehtë me aftësi mjaft efektive në përqendrim, depërtim, duke ia bërë tokën nën këmbë pushtuesit gjithmonë të pasigurt, prej goditjeve në njësi të vogla taktike, por tepër dinamike dhe rezultative. Njësitë taktike të UÇK-së, veçanërisht në dy fazat më 1999, i shkaktuan armikut pasiguri të madhe pasi në çdo hap i priste goditja dhe shkatërrimi, edhe pse strukturat armike në aspektin operacional dhe taktik të ofensivave armike ishin të kompletuara me kapacitete luftarake shumëfish më të mëdha. E, megjithatë, fitorja nuk qëndron te numrat as te raporti i forcave. Historia e artit ushtarak botëror dhe shqiptar nga antikiteti në luftërat moderne ka provuar se: “Forca morale qëndron si njëshi ndaj treshit në përballje luftarake”.

18. Në planin historik UÇK-ja si organizim politiko-ushtarak me rol vendimtar në çlirimin e Kosovës shkroi një faqe të re për historinë e trevës Dardane, por edhe për mbarë shqiptarinë, pavarësisht se mbi tokën shqiptare u vërsulën edhe mercenarë, që historia nuk mund e nuk duhet t’i harrojë. Por vlerësimi politik i situatës si dhe vlerësimi i kapaciteteve operacionale të burimeve të brendshme të Kosovës rezultoi i suksesshëm.

19. Sakrifica për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesi sllav bëri që forcat e afta për luftë t’i referoheshin traditës së lashtë të luftëtarëve shqiptarë dhe mënyrave tradicionale të luftimit të zbatuar nga strategët popullorë shqiptarë në kryengritjet popullore gjatë historisë, sikurse ishte bllokimi i Grykës së Carralevës dhe Qafës së Duhles, sikurse e kishte bërë më 1910 strategu popullor Isa Boletini. Përvoja e përhapjes së vijave të frontit përafërsisht nëpër territore të Llapushës e Drenicës si në kryengritjet e vitit 1919 nga Azem Bejta e Sadik Rama, por kjo e vërtetuar edhe në dekadat e mëvonshme. Të vendosur për shpirtin vetëmohues flasin epopeja e betejës së Prekazit e komandantit Adem Jashari e familjes së tij; Beteja e Gllogjanit, trimëritë e komandant Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit me të shoqen Xhevë, Mujë Krasniqit, Ismet Jasharit – Kumanovës etj.

20. Lufta e NATO-s ishte fat për kosovarët, fat që rridhte nga vuajtja e tyre që u bë çështje planetare e mediatike, çështje e kuptimit të ekzistencës së paktit të NATO-s, çështje e fitores së qytetërimit ndaj barbarisë, ndërkohë që “lufta moderne e Kosovës u fitua pa përdorur trupat tokësore dhe helikopterët Apache, me zero humbje në radhët e NATO-s”, ku meritë kanë drejtuesit e ushtarët e UÇK-së.

21. Lufta e UÇK-së dhe drejtuesve të saj është me rëndësi vendimtare e historike sepse do të mbetet pikë referimi në kohën e shkëmbimit të shekullit dhe mijëvjeçarit si kujtesë për brezat e ardhshëm. Ende pa përfunduar mirë lufta e Kosovës, UÇK-ja u kthye në një referim thelbësor për luftëtarët e Kosovës lindore dhe Iliridës të cilët me luftë dhe vetëm me luftë të armatosur, ndryshuan gjendjen e popullsisë shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe në Kosovën lindore.

22. UÇK-ja krijoi një vlerë të madhe përmes gjakut të derdhur dhe mundit të bijve dhe bijave si pjesë e krenarisë sonë kombëtare. UÇK-ja mori bekimin mbarëpopullor në Kosovë dhe e justifikoi besimin e popullit. Arkitektura e sigurisë rajonale ballkanike nuk mund të realizohet sot dhe në të ardhmen pa aktorin dhe faktorin e shtetit të Kosovës.

Elementë thelbësorë të luftës së drejtë të UÇK-së në Kosovë:

  • Lufta e drejtë dhe legjitimiteti i luftës është i justifikuar në aspektin e parashikuar nga e drejta ndërkombëtare, që në rastin konkret shtypja barbare e një etnie tjetër në truallin amtar është luftë plotësisht për të drejta të legjitimuara. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përbën asnjë lloj krimi dhe nuk mbart asnjë element të terrorizmit.
  • Objektiv i qartë i UÇK-së është vetëm objektivi i mbrojtjes nga shtypja, dhuna, persekutimi e gjenocidi gati njëshekullor serb, ndërkohë që për lidershipin strategjik të Kosovës hakmarrja ndaj civilëve nuk ishte asnjëherë objektiv i saj, sepse UÇK-ja dhe drejtuesit e saj kishin dhënë rekomandime plotësisht të drejta për të goditur vetëm strukturat “nën armë” të forcave pushtuese.
  • Objektivat e UÇK-së ishin plotësisht të përputhshme me objektivat e NATO-s, për t’i përzënë strukturat militare pushtuese serbe nga Kosova, një objektiv i gjithëpranuar ndërkombëtarisht.
  • Kapacitetet ushtarake që prodhoi Kosova gjatë përballjes me forcat serbe ishin kapacitete plotësisht të justifikuara dhe në mbrojtje të popullatës së saj. Asnjëherë nuk u krijua një forcë ushtarake për qëllime të tjera që do të dëmtonin shtetin apo civilët serbë.
  • Ndërhyrja brutale e strukturave militare e policore serbe provuan përpara gjithë opinionit botëror qëllimin e tyre për të shfarosur me zjarr e hekur çdo shqiptar të Kosovës dhe përzënien totalisht të popullsisë shqiptare (sikurse ndodhi në të vërtetë).
  • Paslufta e UÇK-së solli problem emergjent përgatitjen e kontingjenteve të arsimuar për sigurinë e shtetit më të ri të botës, duke bërë edhe përgatitjen e nëntogerëve të parë të Kosovës në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.
  • Kosovën e solli në këto ditë lirie fuqia e saj e popullit të papërkulur, që nuk iu shterën kurrë fuqitë, që nxorën UÇK-në – forcën më vitale të ndërrimit të shekujve dhe mijëvjeçarit, që veproi në tokë, por që pati fatin e rrethanave historike të veprimit energjik të NATO-s nga ajri. 
  • Shqipëria e këtej Drinit është vend anëtar i NATO-s dhe “de fakto” Kosova e matanë lumit Drin konsiderohet pjesë e saj për shkak të misionit që kryen NATO në këtë shtet. Kufiri shqiptaro-shqiptar në këtë situatë të sigurisë së brishtë botërore duhet rekomanduar që të shkallmohet dhe përgatitja me karakter ushtarak e logjistik për sigurinë e kombit shqiptar janë prioritet, për ta mbrojtur kombin nga goditjet e paparashikuara. Shqiptarët nuk duhet të presin konkluzione historiografike derisa historianët të mbledhin fakte shumëvjeçare dhe nga shumë burime, që ta shkruajnë historinë që ndodh sot. Lidershipi shqiptar rekomandohet të jetë jo vetëm vigjilent, por edhe parashikues për çështjet e sigurisë së kombit. Para tre dekadash deviza e përditshmërisë shqiptare ishte “Përgatitemi për luftë”, por nuk ishin të rrallë ata që gjykonin me mençurinë e popullit dhe nën zë thoshin: “Përgatitemi për luftë, por zoti mos e pruftë”. E trajtojmë në këtë sesion shkencor këtë çështje sepse “bota ndodhet para faktit të një përplasje rajonale apo globale”. Lidershipi politik dhe gjeneralizmi ushtarak në të dy shtetet shqiptare të Ballkanit duhet të gjenden praktikisht të përgatitur, për ta prodhuar vetë sigurinë e brendshme dhe të jashtme, edhe me sakrifica ekonomike me qëllim që të mos ngremë në çdo kohë UÇK. 
  • Mbështetjen që dhanë ShBA-ja, Evropa e NATO-ja për Kosovën dhe udhëheqësit e UÇK-së, duhet vlerësuar dhe shprehur mirënjohje gjithmonë për miradministrimin e shtetit sipas parimeve demokratike. Udhëheqësit politikë shqiptarë në “Shqipërinë Londineze” dhe në Shqipërinë e përtej Drinit e kanë detyrim kombëtar unifikimin e faktorit politik, në negociata, përfshirje të elitës intelektuale, akademikëve shqiptarë në gjithë hapësirën shqiptare dhe përtej saj. Nuk është vonë të mësojnë nga gabimet e së kaluarës, në funksion të së ardhmes, në rrafshin politik, ekonomik, kulturor, ushtarak të fushës së sigurisë si dhe për çdo qelizë të veprimtarisë, ku të dominojë interesi kombëtar dhe marrëdhëniet e barabarta me fqinjët.

5. Kronologji të luftës në Kosovë

08.05.1989. President i Presidencës së Serbisë bëhet Sllobodan Millosheviq, që u konfirmua më 06.12.1989, i quajtur ndryshe edhe “kasapi” i Ballkanit. Epoka e tij solli vetëm luftëra dhe hodhi vellon e zisë për ballkanasit.

22.01.1990. Zhvillohet Kongresi 14 i LKJ-së, që ndryshoi pozitën e partisë si partia e vetme në ish-Jugosllavi.

Janar 1990. Qeveria Jugosllave njoftoi se do ta vazhdonte me krijimin e sistemit shumëpartiak. 

26.06.1990. Autoritetet serbe pezulluan Kuvendin Krahinor të Kosovës për shkak të disa rrethanave speciale. 

01.07.1990. Serbia aprovoi amendamentet kushtetuese me referendum.

02.07.1990. Kuvendi Krahinor i Kosovës shpall pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur brenda Jugosllavisë, votojnë 114 vota për pavarësinë e Kosovës nga 180 që ishte anëtarësia shqiptare e këtij Kuvendi Krahinor.

05.07.1990. Kuvendi serb shpërbeu Kuvendin e Kosovës për Deklaratën e shpallur me 02.07.1990. Serbia, gjithashtu, shpërbeu Këshillin Ekzekutiv dhe mori kontrollin e plotë të drejtpërdrejtë të Kosovës. Serbia mori menaxhimin e medias kryesore shqiptare në Kosovë dhe i ndaloi të gjitha transmetimet në gjuhën shqipe.

17.7.1990. LKS e kombinuar me Aleancën Socialiste të Popullit Punëtor të Serbisë krijuan PSS dhe Millosheviqi u bë kryetari i parë.

08.08.1990. Shumë amendamente të Kushtetutës së Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (RSFJ) u adaptuan dhe u krijua sistemi shumëpartiak në ish-Jugosllavi.

03.09.1990. Shqiptarët e Kosovës mbajtën një grevë të përgjithshme 24-orëshe, duke paralizuar totalisht të gjithë Kosovën. 

07.09.1990. U shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Millosheviqi u përgjigj: urdhëroi arrestimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës i cili e kishte shkatërruar atë.

28.09.1990. U shpall Kushtetuta e re kontroverse serbe. Zgjedhje të reja shumëpartiake u mbajtën në Serbi më 9 dhe 26.12.1990 ku, si rezultat i tyre, Millosheviqi u shpall president i Serbisë.

05.08.1991. Kuvendi i Serbisë mbylli Ndërmarrjen Botuese Grafike “Rilindja” të Kosovës në bazë të Ligjit të Informimit Publik të 29 marsit 1991. 

09/1991. Shqiptarët e Kosovës mbajtën një referendum unanim për pavarësi. 

24.05.1992. Shqiptarët e Kosovës mbajtën zgjedhjet për Kuvendin dhe president të Republikës së Kosovës. 

26.02.1993. Raportuesi special i OKB-së, Tadeusz Mazowiecki, raportoi se “policia serbe ka intensifikuar shtypjen e popullsisë shqiptare që prej 1990, duke i privuar të drejtat e tyre bazë, duke shkatërruar sistemin arsimor dhe largimet politike nga puna të punonjësve publikë shqiptarë”.

22.04.1996. U ndërmorën katër sulme ndaj personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës. Sulmet u morën përsipër nga një organizatë e panjohur në atë kohë e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK). Natyra e UÇK-së mbetej e panjohur nga ndërkombëtarët. Mbështetja e parë financiare e materiale për UÇK-në ishte nga diaspora.

1997. Millosheviqi u ngrit në Presidencën e Republikës Federative Jugosllave të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, që prej krijimit në prill 1992, por vazhdoi edhe më tej shtypja dhe represioni për shqiptarët, prandaj kishte vetëm një rrugëdalje, vetëm rezistenca e armatosur do ta ndryshonte situatën e rënduar.

03.04.1997. Hapja e depove ushtarake në Shqipëri ose i ashtuquajturi “skandal piramidal”, për shkak të falimentimit të piramidave dhe humbjes së parave, çuan në revolta të fuqishme popullore, u grabitën armët nga depot ushtarake, një pjesë e të cilave përfundoi edhe në Kosovë. Anarkia e piramidave la mbrapa mijëra të vdekur.

03.1997. Qeveria e Shqipërisë u rrëzua si pasojë e armatosjes së popullsisë dhe hapjes së rezervave të armatimeve të Ushtrisë shqiptare, ku një pjesë e rezervave përfunduan në duar të bandat kriminale, ndërsa një pjesë shkoi për armatosjen e UÇK-së.

25.11.1997. Përleshja e parë frontale midis shqiptarëve dhe serbëve u zhvillua në Rrezallë të Re, ish-Ludoviq, pas një disfate të policisë serbe që kishte pësuar në Lagjen “Binakaj” të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha.

28.11.1997. U zhvillua varrimi i mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, i vrarë nga serbët një ditë më parë. Me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike.

28.02.1998. Ndodh sulmi jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës dhe kjo konsiderohet dita kur nisi lufta e Kosovës që, në fakt, ishte një konflikt i armatosur i popullsisë shqiptare të ish-Krahinës së Kosovës në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, luftë që u zhvillua ndërmjet UÇK-së dhe ushtrisë jugosllave.

05.03.1998. Ploja në Prekaz, e cila shkaktoi irritim të thellë në kryeqytetet perëndimore dhe Madeleine Albright, sekretarja e jashtme amerikane, thoshte se “kjo krizë nuk është një çështje e brendshme e RFJ-së”. 

5, 6, 7.03.1998. Në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes “Jashari”, u shkrua epopeja e Drenicës, ku ranë heroikisht Jasharët dhe familjet përreth tyre në krye me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

24.03.1998. Forcat Jugosllave rrethuan fshatin e Glloxhanit dhe sulmuan luftëtarët e UÇK-së. Pavarësisht prej fuqisë më të madhe të zjarrit, forcat jugosllave dështuan në shkatërrimin e njësisë së UÇK-së, i cili ishte objektiv i tyre. Megjithëse kishte disa të vdekur dhe shumë të plagosur nga UÇK-ja, beteja e Glloxhanit ishte një rezistencë e suksesshme. 

31.05.1998. Ushtria Jugosllave dhe policia serbe filluan operacionin për spastrimin e kufirit të kontrolluar nga UÇK-ja. Përgjigjja e NATO-s ndaj kësaj ofensive ishte operacioni i mesit të qershorit, i quajtur Operation Determined Falcon (Operacioni Fajkoi i Vendosur), një parakalim ajror mbi kufijtë jugosllavë.

24.06.1998. Në Junik të Kosovës, përfaqësuesit e UÇK-së, në krye me Hajdin Abazin, zhvilluan takimin me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.

29.06.1998. Në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montanas zhvillohet takimi i përfaqësuesve të UÇK-së në krye me Bardhyl Mahmutin, me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.

09.07.1998. Presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, deklaroi “emergjencën kombëtare” (gjendje e jashtëzakonshme) për shkak të “kërcënimit të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm të sigurisë kombëtare dhe politikave ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara” imponuar nga Jugosllavia dhe Serbia me luftën e Kosovës.

01.09.1998. Në rrethinat e Prizrenit u rrit aktiviteti ushtarak i ushtrisë serbe. Në Pejë një ofensivë serbe rrezikoi një karvan njerëzish të dëbuar, veprimi u dënua nga oficerët ndërkombëtarë. 

23.09.1998. Kapitulli VII i kartës së OKB-së Këshilli i Sigurimit pranon rezolutën nr. 1199.

24.09.1998. Këshilli i Atlantikut Verior (NAC) i NATO-s lëshoi një “paralajmërim aktivizimi” (Actwarn), duke e çuar NATO-n në një nivel më të lartë gatishmërie ushtarake si për një mundësi të limituar ajrore ashtu edhe për një fushatë ajrore me faza në Kosovë. 

13.10.1998. Këshilli i Atlantikut të Veriut lëshoi urdhrat e aktivizimit (ACTORD) për ekzekutimin e sulmeve të limituara ajrore, po ashtu edhe fushatë ajrore me faza në Jugosllavi e cila do të fillonte përafërsisht për 96 orë.

15.10.1998. U firmos Marrëveshja e Misionit të Verifikimit në Kosovë (KVM) i NATO-s për armëpushim; afati i fundit për tërheqjen u zgjat për 27 tetor 1998. Tërheqja serbe filloi në ose rreth 25.10.1998 dhe Operacioni “Syri i shqiponjës”(Eagle Eye) filloi më 30.10.1998 dhe monitoruesit e paqes, të paarmatosur nga OSBE-ja (të njohur zyrtarisht si verifikues), u futën në Kosovë. Pamjaftueshmëria e tyre ishte e dukshme që në fillim. Ata u quajtën me nofkën “clockwork oranges” (me kuptimin në zhargon anglisht si diçka e pavend dhe e panevojshme) si referencë për makinat me ngjyrë portokalli që përdornin. 

12.1998. Armëpushimi u prish dhe luftimet filluan sërish. Gjatë luftimeve u vra Zvonko Bojanić, kryebashkiaku serb i Fushë-Kosovës, ndërsa autoritetet serbe nisën ofensivën ndaj luftëtarëve të UÇK-së, që tashmë ishte kthyer në një ushtri në rritje që ofronte siguri.

Janar-mars 1999. Përballja luftarake solli pasiguri në zonat urbane, duke përfshirë bombardime dhe vrasje, të tilla vijuan edhe gjatë bisedimeve në Rambuje të Francës në shkurt, ndërkohë që Marrëveshja e Verifikimit në Kosovë u zgjidh në mars. Vrasjet në rrugë u rritën shumë dhe kishte edhe përplasje ushtarake në Vushtrri si zonë e paprekur deri tani në luftime në Kaçanik, gjithashtu, në fillim të marsit. 

15.01.1999. Masakra e Reçakut, ku 45 shqiptarë u rrethuan, u drejtuan drejt një kodre dhe u masakruan, ndërkohë që trupat u zbuluan nga monitoruesit e OSBE-së, duke përfshirë edhe kryetarin e Misionit, William Walker dhe të dërguarin e huaj të shtypit ndërkombëtar. Serbia e mohoi masakrën edhe pse Reçaku ishte kulmimi i sulmeve dhe reprezaljes përgjatë gjithë dimrit 1998-1999. Masakra u ndëshkua nga vendet perëndimore, Këshilli i Sigurimit të OKB-së si dhe u bë bazë për aktakuzën për krime lufte ndaj Millosheviqit dhe zyrtarëve të tij më të lartë. Kjo masakër ishte një pikë kthese e luftës. NATO vendosi se konflikti mund të zgjidhej vetëm duke vendosur një mision paqeruajtës ushtarak nën komandën e NATO-s. Prishtina u bë subjekt i përleshjeve me armë dhe dëbimit të popullsisë sipas raporteve të OSBE-së.

30.01.1999. NATO lëshoi një deklaratë ku Këshilli i Atlantikut të Veriut kishte pranuar që “sekretari i përgjithshëm i NATO-s mund të autorizojë sulme ajrore kundër shënjestrave në territorin e RFJ-së” në mënyrë që të arrihej një marrëveshje politike”. Ndërkohë që ky ishte më shumë një kërcënim për qeverinë e Millosheviqit dhe sprovë për faktorin politik shqiptar.

30.01.1999. Grupi i Kontaktit lëshoi një set “principesh të panegociueshme” e cila krijoi paketë të njohur si “Status Quo Plus”, efektivisht rikthimin e autonomisë së Kosovës si para vitit 1990 brenda Serbisë, plus futjen e demokracisë dhe vëzhgim nga organizatat ndërkombëtare. Kërkohej një konferencë paqeje që të mbahej në shkurt 1999 në kështjellën Chateau de Rambouillet, jashtë Parisit në Francë.

06.02.1999. Filluan bisedimet e Rambujesë me sekretarin e NATO-s Juvier Solana, i cili negocionte me të dyja palët, bisedime që ishin planifikuar të përfundonin më 19.02.1999. Një rol të madh në këto bisedime luajti sekretarja e shtetit amerikan Madeleine Albright.

23.02.1999. Në fazën e parë negociatat ishin të suksesshme, në veçanti një deklaratë nga bashkëkryetari i Grupit të Kontaktit: “Kanë arritur një konsensus për një autonomi për Kosovën, përfshirë mekanizma për zgjedhje të lira, të ndershme për institucione demokratike. 

18.03.1999. Delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë, ndërkohë që delegacioni jugosllav dhe rus nuk pranuan. Marrëveshja parashikonte administrimin e Kosovës nga NATO si një provincë autonome brenda Jugosllavisë, një forcë prej mbi 30 000 trupash të NATO-s për mbajtjen e rregullit në Kosovë; të drejtën e kalimit të papenguar të trupave të NATO-s në territorin jugosllav, përfshirë Kosovën. Do të lejohej një prani e vazhdueshme e ushtrisë jugosllave me 1 500 trupa për vëzhgimin e kufirit, të mbështetura nga 1 000 trupa për qëllime komande dhe mbështetje, po ashtu edhe një numër i vogël policie kufitare, 2 500 njerëz nga Ministria e Brendshme për qëllime sigurie të përgjithshme dhe 3 000 policë lokalë.

23.03.1999. Kuvendi serb pranoi principin e autonomisë për Kosovën dhe pjesën joushtarake të marrëveshjes, duke refuzuar praninë e trupave të NATO-s në Kosovë.

23.03.1999. Në orën 22:30 UTC+1 Richard Holbrooke u rikthye në Bruksel dhe njoftoi: “Bisedimet e paqes dështuan dhe i dorëzoi çështjen formalisht NATO-s për veprime ushtarake”. Disa orë para lajmërimit, Jugosllavia lajmëroi në televizionin kombëtar se ka deklaruar gjendjen e emergjencës për një kërcënim të afërt lufte dhe filloi një mobilizim të madh trupash e resursesh. 

23.03.1999. Në orën 23:17, sekretari i përgjithshëm Javjer Solana lajmëroi se kishte urdhëruar komandantin suprem aleat të Evropës (SACEUR), gjeneralin e Ushtrisë amerikane, Wesley Clark, që t’i “nisë operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë”.

24.03.1999. Në orën 20:00 NATO nisi fushatën bombarduese ndaj ish-Jugosllavisë, që zgjati nga 24 marsi deri më 11.06.1999, duke përfshirë mbi 1 000 avionë që vepronin kryesisht nga bazat në Itali dhe në aeroplan-mbajtëset të stacionuara në Detin Adriatik. Në mbi dhjetë javët e konfliktit, avionët e NATO-s fluturuan mbi 38 000 misione ajrore luftimi. 

24.03.1999. UÇK-ja u mbështet nga NATO, një vit e 24 ditë pasi ushtria jugosllave kishte nisur sulmin frontal ndaj shqiptarëve të Kosovës. Statistikat flasin për dëbimin e 848 000 shqiptarëve nga Kosova, vrasjen e rreth 15 000 personave, nga të cilët rreth 2 400 luftëtarë të UÇK-së, 1 008 ushtarë dhe policë serbë, si dhe shumë civilë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur mbi 5 000 njerëz. Fati i shumicës është ende i pazbardhur.

Fillimqershor 1999. Hollbrook u takua me luftëtarët e UÇK-së. Publikimi i këtyre imazheve fotografike i dërgoi një sinjal UÇK-së, mbështetësve dhe simpatizantëve, dhe vëzhguesve në veçanti, se ShBA-ja do të mbështesë vendosmërisht UÇK-në dhe popullsinë shqiptare në Kosovë. 

03.06.1999. Millosheviqi u detyrua t’i pranojë kushtet e një plani ndërkombëtar paqeje për t’i ndaluar luftimet, ku në kuvendin kombëtar po pranoheshin propozimet pavarësisht prej debateve të ashpra e përleshjeve me grushte në disa raste.

10.06.1999. Komiteti i Atlantikut Verior ratifikoi marrëveshjen dhe pezulloi operacionet ajrore, duke i hapur rrugë paqes së mbikëqyrur.

10.06.1999. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havjer Solana, nënshkroi urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës, në Kosovë u dërguan 37 200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Misioni ishte i ndarë në pesë zona përgjegjësie, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman, italian. 

11.06.1999. Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 09.06.1999 nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneral Nebjosha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte e gjenocid. Marrëveshja hyri në fuqi më 11.06.1999, duke i dhënë fund dhunës serbe në Kosovë si parakusht për ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi objektivat ushtarake serbe. Serbia detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat e saj ushtarake e policore nga Kosova dhe të krijohej zonë sigurie ajrore 25 km përtej kufirit të Kosovës. Ish-ushtria e Jugosllavisë ishte dorëzuar dhe kishte kapitulluar, bashkë me të dhe krimineli serb S. Millosheviq.

12.06.1999. Në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të OKB-së, i cili do ta administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Drejtuesit e UÇK-së, me kërkesën e ndërkombëtarëve, e shndërruan UÇK-në në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës duke zbatuar të gjitha detyrimet si forcë paqësore. 

01.10.1999. 150 parashutistë të ShBA-së u parashutuan në Ferizaj si pjesë e Operation Rapid Guardian/Operacioni “Gardiani i Shpejtë”. Qëllimi i misionit ishte kryesisht për ta paralajmëruar Sllobodan Millosheviqin për aftësinë e shpejtë të veprimit dhe kapaciteteve të NATO-s në Kosovë, ku një ushtar amerikan humbi jetën gjatë uljes pasi nuk u hap parashuta.

17.02.2008. Kosova shpalli pavarësinë nën mbështetjen e Fuqive të Mëdha të udhëhequra nga ShBA-ja.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës. 

Filed Under: Politike Tagged With: Zaho Golemi

I kujt është veriu i Kosovës?

December 20, 2022 by s p

Anton Marku/

Tregim mbi atë se si një parti ia ka mësyrë që me sloganin ‘‘krejt!’’ të zgjidhë brenda pak muajve çështjet e pazgjidhura tash e njëqind vite. Si mund të rrjedhin gjërat muajt në vijim dhe çfarë mund të prodhojnë situatat në të cilat mund të merren vendime të ngutshme? Kosova po hyn në një dimër nga i cili bora mund të mos dalë krejtësisht e bardhë. Një parashikim se sa lehtë mund të lëvizin gurët në Ballkan. 

Tri realitete

1.

Tash e më shumë se dy dekada bashkësia ndërkombëtare përpiqet që të promovojë  bashkëjetesën  paqësore mes shqiptarëve dhe serbëve. Se kjo nuk është e mundur pa një proces pajtimi dhe krijimi të një klime mirëbesimi po dëshmohet edhe me ngjarjet e fundit në veri, e të cilat kanë bërë bujë në media botërore, duke vendosur Kosovën në krye të rajoneve ku  potencialisht mund të shpërthejnë konflikte ndëretnike. Thirrjet për dhunë vijnë nga të dy anët e lumit Ibër. Gjasat që situata të përshkallëzohet janë më shumë se reale. Në pyetjen se çfarë po e ushqen teorinë se Kosova është vend i mirë për të vdekur por jo dhe për të jetuar përgjigja është më e komplikuar se sa mendohet. Për këtë një pjesë të madhe të fajit e ka edhe vetë bashkësia ndërkombëtare. Tash prapë do të ketë tentativa që më shumë se sa në rolin e ndërmjetësuesit të veprojë atë të negociatorit në tentativën që njëra palë të heqë barrikadat e tjetra të lirojë në procedurë të rregullt një ish-pjestarë të policisë së saj. Vendin e rreth 600 policëve të tërhequr serbë mund ta zë një forcë policore e përbërë nga disa shtete të Ballkanit, përjashtuar Shqipërinë dhe Serbinë. Skena, ashtu si dhe protagonistët, është e njëjtë me ato të kohëve të fundit. 

2. 

Aktualisht shumica e shqiptarëve të Kosovës janë të bindur se padëgjueshmëria e qytetarëve të pakicës serbe duhet ndëshkuar duke vënë në zbatim forcën e shtetit për t‘u përballur me ata që nuk janë lojalë ndaj institucioneve të Prishtinës. Këta insistojnë që policia dhe ushtria e Kosovës të marrë situatën në duart e saj. Numri i vullnetarëve që do t’i bashkëngjiteshin një ekspedite të tillë do të ishte i madh. Gatishmëria për të vdekur në qytezat e vogla veriore të rrethuar me fshatra me pak shtëpi, në të cilat nuk kanë shkelur asnjëherë në jetën e tyre, kurrë nuk ka qenë më e madhe. Në këtë kontekst edhe media po luan një rol, kryesisht negativ, duke sjellur nga tereni lajme të paverifikuara, konfuze dhe kontroverse.    

3. 

Serbët e Kosovës, dhe jo vetëm ata që jetojnë në veri, nuk tregojnë shenja të përafrimit të sinqertë dhe substancial me Prishtinën zyrtare. Për më tepër ata vazhdojnë t’i mbesin besnik autoriteteve në Beograd duke para aty shpresën për mbrójtje dhe siguri të ekzistencës së tyre fizike në qytetet dhe fshatrat të cilat i konsiderojnë, nëse jo si atdhe, së paku si vende në të cilat kanë lindur e rritur jo vetëm ata por edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Edhe ata, po të jetë nevoja, janë në gjendje të vdesin në oborret e tyre.  

Mollë sherri nuk është vetëm themelimi apo jo i Asociacionit së Komunave Serbe në Kosovë, derivat ky nga marrëveshjet e Brukselit, por edhe shumë probleme të tjera të akumuluara përgjatë viteve. Qeveria aktuale e Kosovës, duke u munduar që të evitojë përmbushjen e obligimeve shtetërore që burojnë nga akordimet ndërkombëtare është, mbase në mënyrë të pavetëdijshme, duke marrë mbi vete rolin e zjarrvënësit i cili do të mbahet përgjegjës për secilën shkëndijë që mund të shpërthejë në ditët në vijim. Me këtë ajo është duke zhvlerësuar pozitën e saj deri tash të favorshme në sytë e faktorit ndërkombëtar. Partneriteti me ta është thelbësor  për fuqizimin e Republikës dhe ai nuk do të duhej të vihet në lojë për hir të eksperimenteve të cilave nuk ju dihet përfundimi. 

Për të duartorkitur nevojten dy duar, për të treguar gishtin e mesëm mjafton një. 

Duke analizuar incidentet e muajve të kaluar duket se Kosova, në një të afërme jo të largët, mund të ballafaqohet me disa skenarë të rrezikshëm. Katër prej tyre nuk duhet të përjashtohen.

Skenari i parë

Serbët lokalë barrikadohen dhe shpallin shkëputjen e veriut nga Kosova, rrjedhimisht dhe bashkëgjitjen me Serbinë. Serbët nga viset tjera, nën mbrojtjen e KFOR lëshojnë vatrat e tyre shekullore. Televizionet botërore paraqesin skena refugjatësh të hipur mbi traktorë të mbuluar me mbulesa najloni. Nga konfliktet sporadike kalohet në luftë frontale. KFOR më nuk mund të garantojë sigurinë dhe tërheqë trupat e veta nga fushëbeteja. Ushtria serbe, në pamundësi që të hyjë në Kosovë, armatosë bashkëkombësit e vet dhe bën thirrje për rezistencë. Trazira të ngjashme ndodhin edhe në Luginën e Preshevës. Gjithçka mbaron pas disa muajve. Pas mbesin viktima në të dyja anët dhe shtëpi të djegura. Në Prishtinë, me qitje armësh në ajër, festohet ‘‘çlirimi’’ i jugut. Këndej Ibrit nuk ka mbetur më asnjë kosovarë i komunitetit serb. Qytezat dhe fshatrat mbesin të pabanuara. Asnjë shqiptar nuk preferon Shtërpcen. Të gjithë duan Gjermaninë. 

Gjykatës speciale të Kosovës me seli në Hagë i modifikohet dhe shtyhet mandati. 

Skenari i dytë

Partia që qeverisë me vendin vendos që të mos marrë me konsideratë udhëzimet e miqve ndërkombëtarë lidhur me asociacionin dhe dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme. Qeveria e re, e përbërë nga koalicioni i disa partive,  tregohet fleksibile dhe nis me draftimin e statutit të asociacionit, i cili parasheh edhe të drejtën e shkëputjes. Ai, nën një emër dhe shkurtesë tjetër, themelohet në një akt festiv me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shtetit,  Në vitet në vazhdim, përkundër incidenteve të herëpashershme, dialogu në Bruksel vazhdon edhe në mungesë të rezultateve konkrete. Për shkak të natalitetit të ulët numri i serbëve në Kosovë zvogëlohet vazhdimisht ndërsa Kosova, megjithë hezitimet, bëhet pjesë e ‘‘Ballkanit të Hapur’’ në këmbim të ndarjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Fjalët si: bashkimi kombëtar, demarkacioni, taksa 100%, reciprociteti, gjykata speciale, njohjet e reja e të ngjashme hiqen nga fjalori politik. 

Shqiptarët dhe serbët nuk do e thonë hapur vazhdojnë që edhe për dekada të tëra ta duan Kosovën secili në mënyrën e vet: të parët pa serbë, të dytët pa shqiptarë. 

Skenari i tretë

Në metropolet evropiane nis të diskutohet lëvizja e kufijve si mundësi që Ballkani të dalë nga stagnacioni politik dhe ekonomik. Në Paris mbahet një konferencë ndërkombëtare ku vendoset që të njëjtën ditë të mbahen referendumet në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni (Mali i Zi tashmë është në BE).  Rezultati: Bosnja dhe Hercegovina ndahet në tri shtete, veriu i Kosovës i bashkëngjitet Serbisë, serbët e mbetur në Kosovë fitojnë një autonomi territoriale dhe politike, Lugina e Preshevës dhe dhjetëra qytete nga Maqedonia perëndimore  i bashkëgjiten Kosovës e kjo e fundit Shqipërisë. Përfituesit më të mëdhenj: serbët dhe shqiptarët. 

Skenari që (ende) nuk dihet

Të gjitha shtetet e mbetura të Ballkanit hyjnë në të njëjtën kohë në BE. Ato paraprakisht njohin njëra-tjetrën në kufijtë ekzistues dhe marrin për obligim që të mos kenë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër por mbajnë të drejtën për t’iu bashkangjitur një shteti tjetër në mënyrë paqësore. Është viti 2072. Gjysma e botës tashmë banon në hënë. Veriu i Kosovës është ende aty dhe i takon atyre që në 50 vitet e kaluara kanë lindur dhe jetojnë në të. 

Filed Under: Sociale

ECE JAKET E GOMONEVE NË LA MANSH DHE SHQIPËRIA E SHKRETUEME

December 20, 2022 by s p

Malet kanë humbur kreshtat. Kodrinat kanë humbur gjallërinë njerëzore. Fushat janë kthyer në dete ose në moçalishte sa herë bie shi. Qytetet vuajn nga pluhrat sy lotuese, gazrat helmuese, mungesa e oksigjenit, nga pesha e vuajtjeve plagë sterrosura. Fshatra e qytete janë ngarkuar me lotët e trishta e dhimbjen e nanave, baballarëve, vogëlusheve e nuseve. Shkollat po mbyllen varg se s’ka mësues e nxanës. Ndërsa politika kakarizet mbi muskujt e kockat e fosilizuar të këtij populli që i shtohet çdo ditë, muaj e vit, mosha e mplakjes.  E vërtet, vallë, gjithe kjo mynxyrë shqipëtare?

   Për të mos mbetur në dhimbjen rrënqethëse poetike, po gërmojm me anë të  hetimeve të trishtueshme, disa fakte, që kush i shikon me sy, dëgjon me vesh ose lexon sadopak, makinën e madhe të komunikimit modern do t’iu besoi: ‘’Nga viti 2021 në vitin 2022, mosha mediane (mesatare) e popullsisë shqiptare u rrit nga 37 vjeç e 7 muaj në 38 vjeç e 2 muaj. Edhe varësia e të moshuarve mbi 65 vjeç ndaj të rinjve, u rrit nga 22,3% në 23,1%.,, (ISTAT)

  Kjo si rezultat i rrutullimit të mokrave të politikës që në vend që bluajn miell zero për gatim e ushqim, bluajn helme pluhur për popullin (në kuptimin e propogandës rozeë  tallëse e korrupsion i gjallë), fabrikojn para për vete, duke mbajtur kështu peng piramidën shtetërore. Që materialit tonë t’i japim besueshmëri, do të zbresim atje ku çelin, hapen, qelbëzohen, plagët. Atje ku ndihet deri në fijen e fundit të nervit e aortës, shuarja e fshatrave, mplakja e parakohshme e tyre të braktisura nga engjejt e tyre. Atje ku shteti nuk ka qenë e nuk është, ndjerë, dukur, përkujdesur dhe parë ato drejt në beben e syrit. Ai është bërë sumull e pakicës borgjeze  me veprime, ide, politikat ortakore. Ja ku godasin silurët e varfërisë e shkretizimit të malve, kodrinave, luginave mbi njerëzit e braktisur, fëmijët e pa shkolluar, lanun në vetminë qorre:‘’…Vëlla më dhemb shpirti kur po shoh largimin e të rinjëve nga Bulqiza. Isha një natë te motra, në Kokërdhak. Mora vesh se në një natë kanë ikur 13 djem për në Gjermani. Është boshatis fshati. Furgoni që ka qarkulluar në këtë fshat 3 dekada (për 30 vjet, S.M) sot nuk funksionon.,, (Y. Keta  fb 17.10.2022.)

    Pra shuhen lëvizjet e dobishme, prodhuese, energji dobi prurëse. Meket dëshira për punë.  Vyshket gjallëria që ju jep rinia rrugëve e rrugicave të fshatrave.  Atëhere vegjeton bujshëm në kalbësirën morale të fshatarëve e qytetarëve, duke kundëruar gaz sulfurik, fosilje te vdekurish, psimizëm, degradim shpirtëror. Kuptohet trojet vetëshkatërrohen, fshatarin, të riun e shqyejn  kohërat e ndërtuara për së mbrapshti, nga politkanët sharlatan, pa bosht moral e ndjenja njerëzore dhe kombëtare. Natyrisht kështu vdesin njëri pas tjetrit fshatra nga Konispoli në Vermosh. Shtëpia me çati të shkaflime, të ngërdheshura kthehen faqe muresh, dritaresh, kasollesh, stanesh. Peisazhe që kullojn dhimbje. Vetmi tunduese. Mjedise që veç lotojn.  Natyrë e egër ku ariu, ujku e dhelpra ngren strofujt e tyre, në vend të familjeve. Edhe pse shikojn ndonjë dritare me drita të zbehta.  Janë kandilat, se telat që përcjellin elektricitet, nuk shpien energjinë elektrike. Pleqtë presin bijtë, t’iu vijnë e t’i marrin  edhe ato me vete, në dhe të huaj, qoftë edhe me gomone në La Mansh.

    Ngushtica ujore e Otrantos me gomonet e klandestinëve shpresë humbur shqiptar, ka hyrë nën krahët e legjendave.  Një tjetër ngushtice i jemi vërsulur me gomone, produkt i ri  i murtajës të politikës së qeverisë E. Rama 3,  muajit e kaluar dhe në këtë sythë dimri të vitit 2022 që sapo ka hyrë.  Me hidhërim të madh, me përulësi, me dhimbje shuarje kombëtare, historia e mafies së trasportimit të mallit të gjallë, po përsëritet me të njëjtin intensitet, me fytyra te reja njomëzake, të egëra, të zemrueme, të trishtueme. Sigurish janë bijë nanash  në deje rrjedh gjaku i rinisë shqipëtare. Të humbur shpresash, të përkulur flamurin e krenarisë, i kthejne shpinën vendlindjes, ikin për të shpenzuar energjitë e vrullshme rinore, intelektuale e fizike, në Angli, Gjermani, Suedi, Zvicër, Danimark, duke dalun biles jashtë vendeve  mesdhetare.

    Natyrshëm shtrohet pyetja: Cilët mosha e profesione të shkolluar ose jo, arratisen për motive të ndryshme nga atdheu i tyre? Nga ato shtëpia pranë burimeve ujë pastër, pranë shermeneve të rrushit e drurë frutorëve, kumbulla, molla e dardha, ku blegërinte qingji e kërcejn kecat, mjaullin macja e lehën qeni, për tu kthyer nga krenar e ushqyer mirë nga prodhimet e tyre, në shërbyes kokë ulur e vuajtës shumë të kapitalit prendimor.  Edhe këto që i poetizuam sa mundëm, po japim shembullin konkret, real, marrë  nga vendi ku zhvillohen ngjarjet e braktisjet ma të kobëshme të atdheut tonë:

‘’… nga shokët e mi të arsimuar, që kanë ikur nga puna e shtetit ashtu siç ika edhe unë, janë: 5 inxhinier pyjesh, 2 ekonomist, 5 arsimtarë, 3 infermierë, 1 doktor… dhe  së fundmi një ish kolegu im inxhinier pyjesh, pas 18 vitesh punë në shtet, detyrohet të ikë në Angli me gomone, për të punuar si skllav, pasi nuk mbijeton dot në Shqipëri me ata rroga mjeruese.,,(Ylber Cami. Fb, 2.10.2022) Ja gurra njerëzore që rrjedh për Angli e shtetet prendimore etj. Janë truri i kombit. Jane bijë e bija të pregatitur në universitete e shkollat shqiptare, nga taksa paguesit e popullit. Janë qytetar të një vendi qe ikiin, syrgjinosen nga qeverisja e mizerabel pa strategji ekonomike kombetare.  Dhe ja për ta kuptuar më mire po shkruajm: ‘’Fakti që vetëm gjatë dekadës së fundit janë larguar rreth 700 mijë shqiptarë, është një tregues që ky tashmë është një eksod, është një deformim shumë i rrezikshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.(Zef Prenci ’’Panorama.com.al.,, 09.11.2022) Jemi në situatën e një hemoragjie njerëzore dhe intelektuale e shkaktuar nga politika qorre e qeverisë te sotme Rama 3, një katastrofë kombëtare, po pregatitet me shpejtësi marraramendëse.

       Ndërsa lajmi më i freskët që tund  male e qytete azmatike, me kullat me themele droge e korrupsioni mafiozësh, me bulevarde mjerane, pa gjallërine, të qeshurat, freskinë e rinisë, pa të ardhmen,  pa vrullin, energjitë  e reja mendore e fizike. Ja dhe lajmet drithëruese me shkaqet e vërteta: ‘’Gjeologu më shkruan, “ E LASH EDHE UNË SHQIPËRINË.,, Nuk ka më asnjë të ri atje. Kanë ikur të gjithë mbeta vetëm unë. Kur ikin edhe punojnësit e shtetit që janë me rrogë “rrogë i thënshin se nuk mbulon dot as shpenzimet javore.,, Ilmiu. (Y. Cami, Fb. 2.10.2022) Dhe me tej e vërteta nën dritën e diellit:   Revista‘’Monitor,,  e datës 06.12.2022 shkruan:‘’Pse ikin?! 69% e të punësuarve në Shqipëri, nuk plotësojnë nevojat mujore, rekord në Europë për këtë…,,

    Ndërsa ajka e propgandës roze nga faraoni i qeverisë shqiptare,   E. Rama thotë: ‘’ …se shqiptarët nuk ikin për shkak të politikanëve, por sepse kanë ikur historikisht; dhe se këtij problemi po i vjen fundi.,,(Kamëz 06.11.2022)  Një kryeministër që nuk njeh realitetin e hidhur të nje vendi qe po shkretohet, gabimet e tija në politiken sociale, në politkat ndaj bujqësisë, pyjeve, pronësisë, minierave etj, nuk pranon alternativa dhe reforma efektive për të dalë nga ky kolaps tragjik i popullit që e ka zgjedhur me vota.  Nuk e shpëtojn një popull e ekonomi të tanë sëmurë randë, me shumë qeliza indore kanceroze, as Skavica, as ‘’Durrës Jacht Marina,, as airoporti i Vlorës, apo kullat shtatëlart e maje mmprehta të Tiranës etj. Jo atë e shpëton një opozitë e re, e fortë me programe të qarta e konkrete, për shpetimin e saharizimit të atdheut tonë, thesar pasurishe, punonjësish e intelektualësh. Dhe ja një udhë tjetër shpëtimi:‘’Madje, më shumë kërkohen reforma. Ato që shprehen si vullnet politik të materializohen si projekte ku të ketë faturë financiare, të rishikohet buxheti, përparësitë buxhetore në mënyrë që krijimi i vendeve të reja të punës, shfrytëzimi i potencialeve që ka vendi, ndryshimi dinamik i pagave, përmirësimi i kualifikimit profesional etj., të mund të reflektohet edhe në nivelin e jetesës që mos të mbetet Shqipëria ndër vendet më të varfra të Evropës,…,, (Z. Preçi Panorama .com.al. 09.11.2022)  

    Realiteti ekonomiko shoqëror, pasuritë natyrore e njerëzore, demokracia vetë në thelb duhen njohur më së miri, për të shëruar shqipërine e semurë më shume se kurrë.

09.12. 2022                                                       Dr. Selman Meziu

Filed Under: Analiza

SHËMBËLLTYRË ATDHETARIE

December 20, 2022 by s p

Profile atdhetarësh e luftëtarësh

Bedri TAHIRI

Gjatë vizitës sime në Gjermani, dy ditë i kalova edhe në Dortmund. Isha mysafir i kolegut tim, Atdhe Geci dhe i veprimtarëve të palodhur të çështjes kombëtare: vëllezërve Ali e Bashkim Aliu dhe kushëririt të tyre, Fadil Aliu, të cilët janë ber sinonim i mërgatës shqiptare këtu në Dortmund. Bujaria dhe mikpritja e tyre më lanë përshtypje të veçantë. Ata, me të bëmat e tyre atdhetare, janë histori në vete, që është e pamundur të përmblidhet brenda këtyre rreshtash…

Rrënjë të thella atdhetarie

Bradashi (sot Bardhashi) i Besianës, është një vendbanim i tipit të dendur, i shtrirë rrëzë bjeshkëve dhe një lugine me kodra të afërta. Se është vendbanim i lashtë dëshmojnë dy kala të vjetra atypari në malet që formojnë trekëndëshin Besianë-Vushtrri-Mitrovicë: Gurët e Bardhë dhe Kërshi i Sokolit si dhe toponimet e shumta që dëshmojnë vjetërsinë, si: Kodra e Kishës, Ara e Thiut, Lugu i Thive, Përroni i Kurtit, Përroni i Gjolës, Kroni i Demës, Molla e Sokolit etj. Në dokumentet e shkruara si vendbanim përmendet në defterin kadastral  të Vilajeti Vëllk të vitit 1455.

Si kudo, edhe në këtë fshat, gjatë historisë, u vendosën edhe shumë kolonë serbë e malazezë. Në anën tjetër shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulën për në Turqi. Mirëpo, pati edhe nga ata që nuk arritën të kalojnë kufirin dhe u kthyen në tokat e veta që ua kishin zaptuar kolonët. Madje, edhe të jepnin jetën për tokën e vet. Kështu u ngjau edhe vëllezërve të një familjeje, të cilën u detyruan të luftonin pikërisht për tokën e vet, kundër kolonëve, duke vrarë dy malazezë e plagosur shumë të tjerë. Tre prej tyre mbetën të vrarë, duke luftuar, por bën të pamundurën për ta shpëtuar  vëllain e tyre, Aliun.

Aliu i Rexhës ishte burrë me nam, siç i thonë një fjale. Ai kishte lidhur krushqi me burrat e fortë të Bajgorës, me trimin e paepur Ukshin Kovaçica. Kështu djali i tij, Beqa, ndoqi rrugën e mbarësisë dhe që nga rinia u dallua për trimëri, bujari e burrëri. 

Edhe djali i Beqës, Tahiri, u rrit dhe u edukua në frymën e atdhetarisë. U dallua për të mirë në të gjitha epokat e historisë. Para luftës, në kohën e lëvizjeve dhe organizimeve të mëdha, përherë ishte në ballë të veprimtarive atdhetare. Ishte organizator dhe prijatar i të gjitha demonstratave dhe lëvizjeve popullore në rajonin e Llapit e përtej tij.

Edhe në jetën private, i priu fati dhe e mbara. Tahiri u martua me Xhemilen nga Dobratini (Gegaj) dhe u lindën dhjetë fëmijë: katër djem (Aliu, Afrimi, Bashkim, Jetoni) dhe gjashtë vajza (Elhemja, Minirja, Vjollca, Iliriane, Shukrija, Valmira).

Dhe, kur shpërtheu lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tahiri, pa hezitim rroku armët e lirisë dhe i doli zot atdheut. Ishte ndër eprorët më të dalluar në Zonën Operative të Shalës. Shtëpinë e tij dhe të të vëllait, Hazirit,  i shndërroi në Shtab. Aty qëndronte dhe vepronte edhe komandant LEKA (Nuredin Ibishi).

Babë e bir (Tahiri dhe Bashkimi) të gatshëm për tu përballë me armikun

Ali Tahir Aliu, i lindur në vitin e madh të demonstratave për shkollë e për Flamur (17.03. 1968), qysh si i ri përjetoi dhe provoi barbarinë serbe. I shtrënguar nga zezonat e kohës, detyrohet ta braktiste atdheun, që e donte aq shumë. Mirëpo, edhe pse mori rrugën e mërgimit, Kosovën dhe shqiptarinë i mbajti në gjirmë të shpirtit. Me mendje e me zemër përherë ishte aty ku kishte lindur. “Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne jemi të pa emër dhe mbiemër, dhe një popull i shkrirë në një populli tjetër”- i thotë shpesh xha Rrustës (Atdhe Gecit), kur kuvendojnë në lokalin e tyre mikpritës. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Demonstratat e Kosovës aso kohe qenë të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë. 

               Në Dortmund, me z. Aliu Aliun- kryetarin e Republikës së Çamërisë

Edhe nga mërgimi nuk u ndalë së vepruari për çështjen kombëtare. Atje na duhesh më shumë, i thoshin. Kështu, luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me mbi 3o mijë marka gjermane. Ndihmat e tij nuk kanë të sosur…

Aktualisht është veprimtar i dalluar në mërgatë, përkatësisht në Dortmund, afarist i shkëlqyer dhe, më kryesorja, kryetar i Republikës së Çamërisë!

Bashkim Tahir Aliu– ende pa i mbushur 18 pranverat, u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte ndër ushtarët më të rinj në Zonën Operative të Llapit. Ore, po nuk kishte si të vepronte ndryshe, kur e gjithë familja: prindër, vëllezër, motra, xhaxhallarë e kushërinj ishin vënë në shërbim të atdheut. 

Me Bashkim Aliun- në Dortmund

I ati, Tahir Aliu, që në ditët e para të kryengritjes së madhe, u rreshtua me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. “Liria çmimin e ka të lartë, por ne duhet të jemi gati në çdo kohë për çdo sakrificë”- u thoshte të bijve. Dhe, vetë, ndër të parët kishte veshur uniformën e UÇK-së dhe shtëpinë e kishte shndërrua në Shtab!

Bashkim Aliu- njëri nga ushtarët më të ri në ZOLL

Bashkimi është fjalëpakët, është modest, është punëtor. Më së paku flet për vete! Atij i flet puna, i flasin veprat.

“Kosovën e kam zemër. Në UÇK-ë kam hyrë me gjithë shpirt. Isha i ri, ende pa i ra brisk fytyrës. Nuk ka pasur gëzim më të madh se kur kam veshur uniformën e UÇK-së, dhe kur i fillova ushtrimet ushtarake në Potok, te lagja e Spahijave. Njëzet e katër ushtarët e parë (ende nuk kishin dalë publikisht) të fshatit tonë, patën shkuar për ushtrime në Zabërgjë. Kosova për gjithsecilin ka qenë një mësim lirie. Në Shkollën e lirisë, në fshat, shpejt u aftësuam në përdorimin e armëve, në dhënien e ndihmës së parë, në vëzhgimin e terrenit, tërheqjen e të plagosurve, dhe furnizimin me ushqim të refugjatëve. Njësiti ynë „Llapi“, nën drejtimin e komandant Arbrit, bënim vëzhgimin e terrenit. Grupi ynë përbëhej nga Bashkim Aliu, Rrahman Rashiti, Driton Hoti, Faton Hoti, Albert Gashi, Arben Visoka dhe Faruku, një luftëtarë i yni nga Shkupi. Në shtëpinë tonë aso kohe ishte një pjesë e Shtabit të UÇK-së, dhe familja e Komandant Lekës. Kam marrë pjesë edhe në Luftën e UÇPBM-së, në fshatrat e Bujanocit, dhe të maleve të Tërnovcit…”(Më gjerësisht: Atdhe Geci, Shkruaj edhe sikur të m’i vrasin duart, Lena, Prishtinë, 2021, f. 164-169)

        Të tillët na duhen! Shëmbëlltyrë atdhetarie për dje, për sot e për nesër! 

Në bibliotekën e pasur të kolegut të nderuar, z. Atdhe Geci në Dortmund

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT