• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

December 16, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier më te cilin bisedoi për zhvillimet e fundit e në veçanti rreth dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani theksoi se ky përbën një hap të rëndësishëm për përmbushjen e vizionit të Kosovës për integrim në strukturat euroatlantike.

Në takim u diskutua po ashtu edhe për zhvillimet në veri të vendit. Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Republikës për koordinim të rregullt e të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.

Filed Under: Ekonomi

Si u eleminua shtresa e mesme dhe të pasurit

December 16, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Pak muaj pas ardhjes në pushtet Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar miratoi ligjin nr. 37 datë 13 janar 1945 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”. Në bazë të këtij ligji, fitimet e të gjithë shtresës së mesme dhe të pasur, të realizuara prej 7 prillit 1939 deri më 31 dhjetor 1944 ishin subjekt i një tatimi të ri. Ai llogaritej për fitimet mbi 500.000 franga shqiptare me tarifë progresive të shkallëzuar, e cila lëvizte nga një minimum 45% – 80 %.

Në vitin 1945 të ardhurat nga tatimi i jashtëzakonshëm për fitimet e luftës siguruan më shumë se gjysmën e buxhetit të shtetit. Kjo e detyrojë borgjezinë tregtare dhe industriale të kohës, që nën presionin e regjimit komunist; kërcënimit me burg dhe ekzekutimit, të përdorte një pjesë të arit që kishte akumuluar me dekada. Një veprim i tillë goditi në mënyrë drastike shtresën e mesme dhe të pasur, duke rritur rezervat për arkën e shtetit. Ky ishte një precedent i rrallë në histori se si një qeveri gjysmën e buxhetit të saj e siguronte nga grabitja me ligj.

Për vërtetimin e fitimeve dhe caktimin e tatimit, pranë Komiteteve Ekzekutive të Këshillave Nacionalçlirimtarë të prefekturave dhe nënprefekturave u krijuan komisione të posaçme, ku bënin pjesë përfaqësues të pushtetit, të ushtrisë, të organizatave të masave dhe ndonjë specialist. Pavarësisht asaj që propagandohej në atë periudhë, disa vite më pas, autoritetet zyrtare të shtetit komunist do ta pranojnë se qëllimi i këtij ligji ishte eleminimi i shtresës së mesme dhe të pasurve. Sipas tyre, “Lufta e vendosur e organeve të diktaturës së proletariatit, e mbështetur me të gjitha forcat nga masat e popullit, bëri që kjo masë të realizohej me sukses, duke goditur rëndë pozitat ekonomike të borgjezisë”.

Për shkak të këtij ligji, organet policore dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi, torturoi, burgosi dhe ekzekutoi një numër të konsiderueshëm tregtarësh, me të vetmen arsye, se me punën dhe djersën e tyre kishin vendosur kapital. Në kuadër të kësaj fushate nga populli u konfiskua afërsisht 3 ton arë.

Fryma kundër shtresës së mesme, edhe sot e ka origjinën në “subkoshiencën” këtyre viteve.

Filed Under: Histori

Në përkujtim të Faik Konices

December 16, 2022 by s p

Prof.Dr. Romeo Gurakuqi/

Në kulmin e aktivitetit diplomatik per njohjen e udheheqesise politike shqiptare perkrah Aleances Antifashiste ne Luften e Dyte Boterore, populli shqiptar dhe emigracioni shqiptar në Amerikë, do të mbesë pa kreun më të lartë dhe më me autoritet të përfaqësisë. Më 15 dhjetor 1942, ish Ministri shqiptar në Washington, Faik Konica vdiq në Boston pas një infrakti kardiak.

Ceremonia e varrimit të Faik Konicës u zhvillua me 20 dhjetor 1942 në Boston.

Kjo ceremoni ishte njëkohesisht edhe një moment reflektimi dhe programimi të qendrimeve përfaqësuese shqiptare, të mishëruara këto në fjalimin në funeral të mbajtur nga Imzot Fan Noli.

Fjalimi ishte ndërtuar në një formë të atillë, jo vetëm për të vlerësuar shqiptarin më të ditur të kohës, por edhe për t’i tërhequr vëmendjen autoriteteve amerikane mbi çështjen shqiptare dhe mbi faktin se bëhej fjalë për ambasadorin e një shteti sovran, të pushtuar nga një vend agresor fashist. Për rrjedhojë, përmes nderimit të merituar dhe të naltësuar të Konicës, Noli synonte ta impenjonte diplomacinë amerikane për detyrime të mëtejshme në përputhje me Karten e Atlantikut, mbi pavarësinë, integritetin dhe vetëvendosjen e Shqipërisë. Pikërisht ky synim siç duket ka qenë, kur në fjalën e fundit, Noli përmend angazhimin e USG për dërgimin e trupit të Faik Konicës në vendlindje. Mirëpo, me sa kuptohet, kjo deklaratë e Nolit ka qenë vetjake, paraprirëse dhe nxitëse dhe jo e bazuar mbi një vendimarrje të vërtetë prej SD, mbasi në muajin janar 1943, SD do të deklaronte se nuk ekzistonte ndonjë vendimarrje e tillë prej USG.

Faik Konica u largua nga kjo botë pikërisht në momentin që Shqipëria kishte më shumë nevojë për atë në aspektin e mbrojtjes diplomatike të çështjes shqiptare në Perëndim.

Përsa i përket bibliotekës së lënë nga Faik Konica në Washington: sipas sekretares së Konicës, zonjushës Graham, ai para se të vdiste, e kishte lënë me gojë deshirën e tij, që biblioteka personale të përfshihej brenda Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Deri atëherë, librat dhe objektet personale të Faik Konicës, përfshirë monella shqiptare në ar, gioeli, një mbajtëse cigaresh në ar, etj., u depozituan në emër të “Vatrës”. pranë, “Fidelty Storage Company” në Washington D.C., ndërsa kujdesin për pasimin e postit të tij në SHBA, e morën mbi vete Federata Panshqiptare “Vatra” dhe Ipeshkvi Fan Noli, në cilësinë e Kryetarit të Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Boston.

Por Nolit, me vdekjen e Konicës i ishte dëmtuar siguria kryesore vendimarrëse, saktësia dhe forca përbashkuese e dy mendjeve të mëdha në konsulencë.

Më poshtë në shënime keni versionin e saktë të fjalës të dërguar nga vetë Noli, Sekretarit të Shtetit Cordell Hull.

Funeral Oration of Faik Konitza, delivered by Bishop F.S. Noli, Boston Mass., December 20, 1942.

“Ladies and Gentleman,

We are gathered together here to pay our last respects and say farewell to one of the most distinguished sons of Albania, Faik Konitza. As you all know, Faik Konitza was one of the greatest master of Albanian prose-writing.

Moreover he is the man who rediscovered the old Albanian flag of Scanderbeg. There are three titles which even his bitterest opponents would not dream of denying him: Albanian Flag.

Let me add a few words about the Albanian Flag. As you all know none of the flags of our Balkan neighbors are older than a century and a half. Some of them are less than a century old. Ours is at least 500 years old and perhaps several centuries older. It was the flag of George Castriot Scanderbeg, the national hero of Albania, who fought against the Turks for a quarter of a century and was the last Christian warrior in the Balkans to defy successfully the greatest sultans of Turkey. After Scanderbeg’s death, Albania, abandoned by the European powers, had to succumb. Albania had to groan for four centuries and a half under the yoke of the unspeakable Turk.

During that period, Scanderbeg flag was forgotten— nobody knew of its existence until a young scholar dug it up in a library from a Latin biography of Scanderbeg by Barletius. That Scholar was Faik Konitza and that flag over his coffin, the red flag with the black double-headed eagle, is the one which he re-discovered.

Education: From what I have said, you can imagine that he was a highly educated man. He was trained in French schools and received his Bachelor’s Degree at the College de Lisieux, University of France. Later on he received his Master’s degree at Harward University in the Romance Languages. He was not satisfied with degrees but throughout his whole lifetime, he collected and read books and never forgot anything he read. As a matter of fact he was a walking encyclopedia. Career: At the age of 26, he began to publish his review “Albania in Brussels, in French and Albanian and he continued that publication until 1910 when he came to America. His review is a treasure-house of Albanian history, literature, philology and folklore. It is written in beautiful style, and is the most enduring piece of work he has left us. Harward University has a complete collection in Widener Library where it can be consulted. In America he served as editor of the Albanian newspaper “Dielli” and as President of the Albanian federation “Vatra”. In connection with his journalistic work you all know that he was not exactly an angel, as he sometimes dipped his pen in vitriolic acid in true French fashion, but after all no one is perfect, and we will just let bygones be bygones. In 1926 he was appointed Minister Plenipotentiary of Albania by King Zog and remained at that post until 1939, the fatal year when Albania was invaded by Italy on Good Friday. Last Act: After the Italian occupation of Albania, Mr. Konitza was notified by SD that he could not enjoy diplomatic privileges any longer, because Albania had ceased to exist and the Albanian legation in Washington was closed. It was the period of appeasement policy, but since 1939 things have changed. War broke out, Mussolini was not appeased but joined Germany, and finally the USA was forced into war by Pearl Harbor. Moreover, the Albanians, though forgotten by everybody, did not stop fighting the Italian invaders. Guerrilla fighting was going on all the time in the Albanian mountains until at long last both Washington and London saw that the Albanians were doing some real fighting and could be helpful to the UN. And so, as recognition of their bravery, came that fine statement of the Secretary of State, Mr. Cordell Hull, on the 10th of these months by which Albania was assured of regaining her independence under the Atlantic Charter. King Zog took Mr. Hull at his word, re-appointed Mr. Konitza as his representative in Washington, and applied for official recognition as the head of the Albanian government in exile. Mr. Konitza wrote immediately to the SD in the name of King Zog, regarding this recognition and that was Konitza’s last act. He died a few days later and so he never got the answer from the SD. But there are so many of us waiting and we hope that before long the answer will come and we are quite sure that the answer will be favorable. Mr. Hull in his historic statement of December 10, 1942, concerning Albania said: “Consistent with its well-established policy not to recognize territorial conquest by force, the government of the USA has never recognized the annexation of Albania by the Italian crown”. If that pronouncement has any meaning at all it means that USA still recognizes King Zog and tot the King of Italy as the head of the Albanian Government. Fine Gesture: There is evidence that the answer of the SD will be favorable. The American government has decided to send Mr. Konitza’s remains to Albania in due time at the end of the war. Such courtesies are usually extended only to foreign diplomats who die in active service. This means that Mr. Konitza is recognized as the representative of the Albanian government who died in active service. However, I may be, we deeply appreciated that noble gesture of the American Government and we know that Faik Konitza deserves it. He deserves to find eternal rest in the country he served all his life so faithfully and so loyally. May God Almighty grant him eternal peace.”

Burimi arkivor: NAMP USA, M 1211, Records of the Department of State Relating to Internal Affairs of Albania, 1910-1944, Decimal File 875, Roll 15, F.S. Noli to Secretary of State Cordell Hull, December 22, 1942,

Filed Under: Mergata Tagged With: Faik Konica, Romeo Gurakuqi

FATURA E TË GJITHA KOMPROMISEVE ME KOSOVËN KA MBËRRI NË TAVOLINËN E ALBIN KURTIT

December 16, 2022 by s p

Prof.Milazim KRASNIQI/

Edhe pse Albin Kurti ka hyrë në skenën politike dhe ka ardhë në pushtet me sloganin “Jo negociata, Vetëvendosje”, ai tashmë ka hyrë thellë në negociata me Serbinë, madje edhe për çështje banale siç është çështja e targave të veturave. Çka ka ndodhë me Albin Kurtin e dikurshëm, që zdërhallej mitingjeve e shkërryhej shesheve, sulmonte e digjte institucionet, sulmonte zyrtarët qeveritarë, shpallte tradhtarë secilin që kishte ndonjë kontakt me serbët në Procesin e Vjenës e në Procesin e Brukselit? Cinikët mund të bëjnë pyetjen retorike: “Albin, a je ti?”, për ta portretuar një person të shfytyruar politikisht, deri në masën sa më nuk njihet në është ai apo nuk është. Ndërsa simpatizantët e tij thjesht nuk arrijnë ta kuptojnë që Kosova ka problem shumë më të madh se sa “guximin” e liderit. Pra, nuk është problem guximi i liderëve, problem themelor është dobësia e Kosovës. Pse? Sepse përveç konfliktit me Serbinë, Kosova që nga fillimi i krizës së ish Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë e deri sot ka problem me faktorët ndërkombëtar. Faktet janë kokëforta: fillimisht Kosova u injorua nga komisioni i Badenterit. Mandej u mor në dorë ad hoc nga Grupi i Kontaktit, që organizoi Konferencën e Rambujesë. Pastaj, pas bombardimeve të NATO-s, kaloi në kompetencë të OKB-së. Më vonë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një segment të problemit të Kosovës (dialogun me Serbinë) e kaloi edhe në duart e Bashkimit Evropian. Natyrisht, këto gjëra i ka ditur mirë Albin Kurti, në çdo fazë e në çdo detaj. Por duke luajtur rolin e një Robin Hudi, ndër vite ka sulmuar, dobësuar e kompromentuar institucionet e brishta të Kosovës, pra e ka sulmuar palën e dobët. Me ato taktika zjarrvënëse e ka fituar pushtetin. Por tash është edhe vetë viktimë e pozitës që i është rezervuar Kosovës nga faktorët ndërkombëtar, si shtet i konceptuar prej tyre për të dështuar.

Albin Kurti në “labirinthin e vet”

Fanatikët e Kurtit e meritojnë një shpjegim korrekt se përse po i ndodhë ky plastenilizim heroit të tyre të legjendarizuar. Përgjigja për modifikimin e qëndrimeve të Kurtit është e thjeshtë, gati argëtuese: Albin Kurtit, nuk po i ndodhë asgjë, që nuk u ka ndodhë para tij edhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovës, Bajram Rexhepit, Nexhat Dacit, Fatmir Sejdiut, Hashim Thaçit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Abdullah Hotit. Pra, Albin Kurtit po i ndodhë i njëjti trajtim me të cilin janë trajtuar nga institucionet ndërkombëtare edhe pararendësit e tij. I vetmi dallim është se Kurti me taktikat e tij zjarrvënëse dhe anarkiste, sa ishte opozitar, i ka ndihmuar institucionet ndërkombëtare për të qenë më efikase me presionet e tyre mbi Kosovën. Ky është i vetmi dallim i tij me pararendësit e tij, po edhe me konkurentët e tashëm të tij, të cilët po bëjnë opozitë konstruktive e jo destruktive, siç e bënte Kurti.

Në detyrën si kryeministër, Kurti po detyrohet të kolovitett edhe vetë në “Shtratin e Prokrustit”, që është konstruktuar që nga Konferenca e Rambujesë, Marrëveshja Teknike-Ushtarake, rezoluta 1244, Marrëveshja Hakerup-Qoviq e 5 nëntor 2001, Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit 26 nëntor 2008, Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, e cila esencialisht është kompilim i të gjitha dokumenteve, qëndrimeve dhe vendimeve e propozimeve të huaja, të bëra për Kosovën postrambujeane. Zbatimi i tyre nga Albin Kurti e zbulon një gjë të hidhur për aspektin moral të politikave të tij: ose e ka pasë keq atëherë, kur fyente e etiketonte barbarisht, ose e ka keq tash, kur ka hyrë në një spirale të kompromiseve evidente. Të dashuruarit në politikat e Albin Kurtit nuk e kanë problem këtë kundërthënie, sepse ata mendojnë se Kurti e ka mirë edhe kur e ka keq. Jashtë përjetimeve të tyre, Kurti tashmë është si në labirinth. Mbase titulli i romanit të Markesit, “Gjenerali në labirinthin e vet” mund të asocojë deri dikund me dramën e tij.

Pavarësia e Kosovës nuk ishte në plan

Hyrja e labirinthit është Konferenca e Rambujesë. Në Konferencën e Rambujesë ideja e Grupit të Kontaktit ishte e qartë dhe koncensuale: një autonomi substanciale e Kosovës brenda Jugosllavisë së mbetur. Këtë gjë e pati deklaruar solemnisht presidenti i Francës, Zhak Shiraku, në hapje të Konferencës së Rambujesë, me këto fjalë: “ “ Korniza e këtyre bisedimeve është përkufizuar shumë qartë nga Grupi i Kontaktit. Ju do të keni këtu parimet e një autonomie thelbësore. (…) Unë dëshiroj që diskutimet tuaja t’ju udhëzojnë drejt masash praktike nëpërmjet të cilave kjo autonomi e dëshiruar të jetë e siguruar dhe në fakte.” Ndërsa, sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbajt në kujtimet e saj pohon: “Qëllimi ynë ishte arritja e një zgjidhjeje përmes bisedimeve midis Millosheviqit dhe shqiptarëve, e cila do t’i siguronte krahinës një shkallë të madhe vetëqeverisjeje.” Xhejms Pardju nga ana e vet, e vërteton: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri nje gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-s dhe marsit të 1999-s. Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negociuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ Pra, akterët kryesorë shprehin të njëjtin qëndrim se pavarësia nuk ishte në planet e tyre në kohën kur u mbajt Konferenca e Rambujesë. Fatkeqësisht as Marëveshja Teknike-Ushtarake e as rezoluta 1244 e OK të OKB-së nuk kanë evoluar asnjë milimetër nga korniza e ofruar në Rambuje. Rrjedhimisht edhe administrimi civil e ushtarak pas 10 qershorit 1999 ishte brenda të njëjtës kornizë, të një autonomie substanciale. Ndërsa Plani i Ahtisarit, i cili e propozoi pavarësinë e mbikëqyrur dhe Kushtetuta që u hartua mbi termat e atij plani, vetëm sa e modifikuan në disa aspekte kornizën rambujeane, por pa u shkëputur plotësisht prej saj dhe produkteve të mëvonshme të OKB-së, sikundër ishin Marrëveshja Hakerup- Qoviq e datës 5 nëntor 2001 dhe Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit të datës 26 nëntor 2008. Për të pasur një ide më të qartë lexuesi harrestarë, po edhe për t’i kuptuar më qartë problemet e tashme si ato për targat si për bashkësinë e komunave serbe, ia vlen të evokohen këtu pikat e marrëveshjes Hakerup-Qoviq, të cilat i kanë brenda vetes këto çështje. Ja pikat e Marrëveshjes Hakerup-Qoviq të datës 5 nëntor 2001: 1.“vendosja e vetadministrimit substancial”

2. “konstituimi i gjyqësisë multietnike në Kosovë”

3. Gjyqtarët e prokurorët serbë do të punonin në komunat me shumicë serbe

4. Shkollimi i serbëve nga fillorja deri në universitet sipas sistemit arsimor të Republikës së Serbisë,

5. themelimi i medieve serbe të pavarura,

6. dhënia e tabelave të automjeteve falas për serbët.

Ndërsa në dokumentin “Dialogu me Beogradin” të Ban Ki Munit, i cili është miratuar nga KS i OKB-së më 26 nëntor 2008, çështjet që konsiderohen të hapura dhe për të cilat propozohen diskutime janë: policia, doganat, drejtësia, komunikacioni dhe infrastruktura, linjat administrative dhe trashëgimia kulturore serbe. Pra, nëse mund të nxirret një përfundim, që Grupi i Kontaktit, NATO, OKB, OSBE dhe Bashkimi Evropian, janë angazhuar për Kosovën, por nuk e kanë pranuar si realitet të pakthyeshëm pavarësinë e saj. Në faza të ndryshme kanë bërë edhe përpjekje për ta restauruar në Jugollavinë e mbetur. Kur është parë që ajo nuk është e mundshme, e kanë konceptuar si shtet për një periudhë kalimtare. Rrjedhimisht edhe ideja e shkëmbimit të territoreve e ka të njëjtën adresë, të akterëve ndërkombëtar që nuk kanë gjetur një zgjidhje më të mirë dhe në ndërkohë kanë dashur ta mbyllin disi këtë dosje, pra, duke e çmontuar Kosovën si “shtet kalimtar.” Meqë ende ka politikanë që trumbetojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, ia vlen t’ua kujtojmë edhe atyre pasojat që mund të prodhonte një iniciativë e atillë shkatërrimtare.

Cili nga planet është më i keq se tjetri

Ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë e ish ambasadorit amerikan në Beograd, Kameron Manterit, pastaj e Xhon Bolltonit, e Federika Mogerinit dhe e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë e europianë. Por, e sigurt është se shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk e zgjidh asnjë problem, përveç që mundëson zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ja pse? 1. Problemi më i madh në konfliktin tonë është qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, sipas të cilës Kosova është “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb.” Pra, shkëputja eventuale e veriut të Kosovës nuk ndikon asnjë gram në këtë qëndrim, sepse objektet kryesore të Kishës Serbe janë në Pejë (Patrtiarkana) në Deçan, në Prizren, në Graçanicë, në Gazimestan, pra në thellësi-brendësi të Kosovës. Pretendimet e KOS mbesin në këto objekte dhe në këto hapësira. Aspak në veri. 2. Komunat e formuara me Planin e Ahtisarit (Graçanica, Novobërda, Kllokoti, janë në qendër e në lindje të Kosovës e jo në veri. Bile këto komuna kanë ndërlidhje teritoriale, konkrete ose lehtëissht të arritshme, (Graçanica, Novo Bërda, Parteshi, Kllokoti) e cila mund të nxitë formimin e një entiteti të ri autonom serb në zemër të Kosovës. Në rast të shkëmbimit të veriut në Luginën e Preshevës, këto territore mund të rebelohen e të kërkojnë bashkim me Serbinë. Rebelimi do të detyronte qeverinë të ndërhynte, konfikti i armatosur do të ishte i paevitueshëm. 3. Lugina e Preshevës do të shpërbëhej, meqë nuk do të ‘shkëmbehej’ në pako, po vetëm një pjesë e vogël e saj. Rreziku do të ishte që shqiptarët të spastroheshin etnikisht nga Bujanoci, sepse serbët e Bujanocit (40%e banorëve) nuk do të pranonin të shkëputeshin nga Serbia e të bashkëngjiteshin me Kosovën. 4. Shteti i Kosovës do të dukej si një mall në ankand. Rrjedhimisht, do të mund të tërhiqeshin shumë njohje, nuk do të kishe njohje të reja dhe shteti do të izolohej e do të mbikëqyrej nga Serbia, praktikisht do të shndërrohej në një Palestinë ballkanike. 5. Rreziku që konflikti të përhapej në rajon, sikundër i kishte potencialet në vitin 1999, do të ishte minimal, gjë që do të ndikonte vetëm për dështimin e Kosovës si shtet, pa e trazuar rajonin, ngase Serbia me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake e ka të ndaluar të futet në Kosovë, ndërsa, shtetet fqinje të Kosovës, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, pra kanë mbrojte të plotë kolektive e nuk rrezikohen me asgjë. Rusia pas rezistencës spektakulare të Ukrainës ndaj agresonit të saj ushtarak çdo ditë po dobësohet më shumë dhe izolimi i saj ia pamundëson që të involvohet më direkt në një krizë në Ballkan, prandaj kriza të jetë vetëm ndërmjet serbëve lokalë dhe qeverisë së Kosovës. Natyrisht serbëve lokalë mund t’iu vinin ndihma në armë e njerëz me rrugë ilegale nga Serbia e edhe nga Rusia. Mundet edhe nga Franca. Pikërisht kjo mundësi e bën konfliktin të jetë edhe më i rezikshëm, vetëm për stabilitetin dhe ekzistencën e Kosovës. Në një rast të atillë, konflikti do të gangrenizohej, do të shndërrohej në konflikt që do ta dërrmonte e kompromentonte Kosovën. Dialogu do të shkatërrohej, njohjet do të hiqeshin dhe Kosova do të rikthehej në vatër kronike krize e jo fakor stabiliteti. Pas një kohe të konfliktit dhe pas ndryshimeve të mundshme gjeopolitike, sipas modelit rus në Gjeorgji, veriu do të mund të shpallte pavarësinë dhe funksionalisht të bëhej pjesë e “botës serbe.”

Kërcënimi i ri me zhbërjen e shtetit – nga “patriotizmi i tepruar” i Kurtit

Prandaj Albin Kurti duhet të tregojë maturi në veri e të mos zdërhallet, si në kohën kur ishte opozitar. Konflikti për targat dhe për bashkësinë e komunave serbe është duke e çuar prapë Kosovën drejt copëtimit, gjë që tashmë është testuar me daljen e serbëve nga institucionet e sistemit. Shtyrja e zbatimit të vendimit për targat për dhjetë muaj dhe formimi i bashkësisë së komunave serbe sipas termave të Gjykatës Kushtetuese është e vetmja mënyrë për ta ndaluar copëtimin dhe shpërbërjen e shtetit. Nëse vazhdon me këtë konfikt iracional, rreziku i zhbërjes së shtetit të Kosovës është potencial. Në atë rast ai do të mund të bëhej kryeministri që e ka realizuar zhbërjen e shtetit, për ç’gjë akuzonte të tjerët. Në këtë kontekst, tashmë Kurti e ka rastin të bindet se pararendësit e tij, sidomos Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti jo vetëm që nuk kanë qenë tradhtarë, si i etiketonte Kurti me bandat e tij, po kanë bërë shumë më tepër se sa që Kurti kryeministër, sot mund të ëndërrojë. Megjithatë, brenda “shtratit të Prokrustit” ku është e futur Kosova, kushdo që i shtrin gjymtyrët më shumë se sa hapësira e tij, ka rrezik t’i priten, siç u ka ndodhë Thaçit, Sejdiut, Mustafës, Haradinajt e Hotit. Radhën e ka Kurti. Fatura e të gjitha kalkulimeve, komploteve e poshtërsive të komunitetit ndërkombëtar, tashmë i është lënë Kurtit në tavolinë.

Filed Under: Analiza

Merita Pinta: “ Kosova dhe Zvicra, si zemra dhe shpirti”

December 16, 2022 by s p

Fotoreportazh nga darka Gala dhe Koncerti me violinistin e mirënjohur Shkëlzen Doli dhe Ansamblin e tij nga Vjena “Philharmonic Ensemble”.

“Nuk është e lehtë të organizohej një koncert i asaj natyre, nuk është e lehtë të vijnë 14 persona nga Ansambli i Vjenës “Philharmonic Ensemble” të drejtuar nga violinisti me famë botërore, Shkëlzen Doli edhe ate në prag të Koncertit të fillimvitit i Vjenës (gjermanisht: Das Neujahrskonzert der Wiener Philharmoniker) është koncerti tradicional i Filarmonikës që mbahet prej vitit 1939 në ditën e parë të vitit në sallën e artë të Musikverein / Vjenë. Mjeshtri i madh, artisti i veçantë, njohësi i jashtëzakonshëm i violinës, ai që notat e muzikës i përcjell mjeshtërisht deri te shpirti i publikut, Shkëlzen Doli me një seriozitet të veçantë e me sy shqiponje, herë pas here shikonte kolegët e tij, por gjithmonë pa u larguar nga gjuha e ëmbël e muzikës. Mjeshtri e rrallë”.

Dhjetor, 2022

„… është e papërshkrueshme, të rrish pesë orë në një ambient të mbyllur dhe të mos kesh dhimbje koke. Të rrish me një numër të madh njerëzish dhe të mos dëgjosh psherëtima, por të gjithë me sy nga skena. Në ato momente mu duk vetja se jam në një botë tjetër. Meloditë e instrumenteve silleshin në shpirtin tim dhe unë kujtoja Agimin tim, kujtoja Agimin që e donte këtë muzikë shumë dhe shpesh dëgjonim në shtëpi. Me gjuhën e ëmbël të instrumenteve dhe atmosferën e veçantë të mbrëmjes, isha me shpirt me Agimin, vallëzoja me dritën e këtyre qirinjëve që shkriheshin dhe bënin dritë modeste. Nga zemra dolën vargje, apo fjalë shpirti dhe me shpejtësi i shkruajta në telefon, sepse ikin fluturim, sepse Agimi ishte modest. Kjo jetë kështu qenka. Mbrëmje të tilla profesionale na duhen. Këto të bëjnë terapi shpirtërore, për besë, po. E përgëzoj zonjën, Merita Pinta, edhe nga emri dhe paraqitja e puna është meritore dhe e dëshmon shumë mirë edhe emrin. Mjeshtri i pazëvendësueshëm, violinisti Shkëlzen Doli me ekipin e tij na bënë, që pas çdo pjese të programit që kishin, të duartrokasim si shenjë falënderimi dhe po presim program edhe më shumë nga Ju. E kishim harruar orën, që kemi orë me veti. Vërtetë mbrëmje e paharruar“. Këto ishin fjalët e zonjës Shukrije Ramadani, bashkëshortja e dëshmorit të kombit, Agim Ramadani. E fillova reportazhin me këtë zonjë, sepse edhe kam nderin ta përmendi si zonjën Ramadani, por edhe dëshmorin e kombit, ai që theu kufirin shqiptaro-shqiptarë. Agim Ramadanin e kanë njohur të gjithë veprimtarët edhe pa veshur uniformën e çlirimtarit, sepse ai këtë uniformë e kishte në zemër gjithmonë, sa herë që takohej me veprimtarë të ndryshëm në mërgatë. Zonjën Ramadani, jo vetëm në Zvicër, por gjithandej ku flitet gjuha jonë shqipe, e njohin për punën e saj të madhe që ka dhënë e po jep për të mirën e kombit edhe ate në mërgim. Lavdi për Agim Ramadanin dhe gjithë dëshmorët e kombit! Lexuesi ynë nga titulli i këtij reportazhi e ka kuptuar, se po bëhet fjalë për një koncert. Edhe pse, në ditët e sotme, shkrimet e gjata apo më në detaje, nuk po lexohen nga shumë, megjithate, shkruaj e do të shkruaj, për ata që kanë traditë leximin, sepse ndoshta na kanë lodhur shkrimet me dy tre fjalë, që nuk mundesh ta quash as lajm, as… Shkrime nëse mundemi ti quajmë me porosi, apo shkrime për klikime. Shkrime të marra një fjalë andej e një këndej. Të gjasojnë si ai lëmshi që shpërndahet nëpër dhomë. Ia lëjmë kohës ta gjykoj edhe pse dihet… të ndalemi për pak kohë në një botë tjetër, vërtetë një një situatë të qetë, kur tingujt e instrumenteve klasike na bëjnë që të ecim pas tyre dhe ti shikojmë me sy e ti prekim me shpirt çdo notë në pentagram. Kisha marë ftesën ndër të parët për këtë mbrëmje të veçantë që do të mbahej. Ku e falënderova dhe do ta falënderoj edhe përmes këtij shkrimi zonjën, Merita Pinta, të cilën e njoh jo më pak se 15 vjet. Veprimtare e madhe dhe shumë modeste. E njoha në aktivitete të shkollës plotësuese shqipe, që ndihmonte dhe nuk ju dëgjohej zëri. Sa modeste. Gruaja shqiptare gjithmonë është parë si një simbol i virtytit, punës, i sakrificës, besës dhe përkushtimit. Përgjatë kohërave në histori, ato kishin fatin të ishin edhe në instancat drejtuese të tregojnë se janë të afta të udhëheqin. Gruaja shqiptare është paraqitur si një mbrojtëse e vlerave shtetërore, familjare dhe shoqërore. Kësaj here, Badeni i kantonit Argau të Zvicrës, ishte qendra e një super mbrëmjeje, të organizuar nga një grua shqiptare. Edhe pse binte një borë e qetë ate natë dhjetori dhe dritat që shkriheshin në borën e parë të këtij viti, dëshmonin, se organizatorët janë zemër-bardhë. Duke shkuar në këtë koncert të veçantë, mendoja, se muzika është qetësia e shpirtit. E dijmë, se barërat dhe medikamentet të ndryshme shërojnë sëmundje të ndryshme, por jo edhe shpirtin. Muzika është gjuha e shpirtit dhe e zemrës! Mbrëmje të tillë rrallë shihen në mërgatë, Apo kjo mbrëmje do të jetë qershia mbi tortë. Mbrëmje, që jo gjithkush mundet ta organizoj. Do të jetë lakmi për të gjithë popujt që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Sapo hyra në objektin ku mbahet koncerti, pash një rregull, që kisha parë në Nju Jork dhe mbrëmje të tjera nëpër europë, gjithçka perfekte.

Vërtetë, madhështore si asnjëherë më parë, po ndodh në Zvicër! Shtyrohet pyetja, po nga kush? Vlerë dhe model i gruas shqiptare, humaniste, afariste, me një fjalë Ambasadore më e denjë e mërgatës jo vetëm në Zvicër, modeste, fjalë pake, zonja, Merita Pinta, drejtore menaxhuese Prima Pflege GmbH.

Se sa është e sukseshme veprimtaria e Prima Pflege GmbH, nuk po flasim kësaj here edhe pse ishte datëlindja e pestë e saj, sepse suksesi ishte i garantuar dhe është garancë, ngase punojnë profesionistë dhe të udhëhequr nga zonja Meritë. Koncerti i Vjenës, siç dihet, është ngjarja më e suksesshme e muzikës klasike në botë. Dhe të mbahet një koncert gati i tillë është nder i madh dhe kur dihet, se stafi i atij koncerti punojnë me muaj të tërë për ate eveniment shumë të njohur botërisht. Musafirët që vinin nëpër tepihin e kuq në drejtim të një salle ku ishte organizuar një pritje dhe pastaj të kalohet në sallën e mbrëmjes, ishte zonja Meritë e veshur me një fustan të kuq që i gjasonte lule elbasanit i pritke musafirët me buzëqeshje edhe pse ishte e ngarkuar me programin, me hapjen e programit dhe mbarëvajtjen. Këtu shihet edhe sinqeriteti dhe e cila ishte e dhënë e tëra që kjo mbrëmje të kalohet si është më së miri. Herë pas here shihja edhe një pjesë të stafit të firmës së zonjës Pinta, bashkëshortin e saj, që shikonte punët tjera, ndërsa musafirët që vinin, cakrronin gotat e mirëtakimit. Të gjithë ishin përgaditur rregullave të atij evenimenti të një Darke Gala dhe Koncerti me violinistin e mirënjohur Shkelzen Doli dhe Ansamblin e tij nga Vjena “Philharmonic Ensemble”.

Ansambli i Filarmonisë, ishte i përbërë nga 14 persona dhe dirigjienti, ekskluzivisht nga anëtarë të Filarmonisë me famë botërore, të Vienës. Salla e koncerteve në Qendrën e Kongreseve Trafo në Baden/Ag, besoj se për herë të parë, ishte e mbushur me shqiptarë. Shumë nga të pranishmit, donin edhe ta takonin, artistin e madh me famë botërore,

Shkëlqesinë e tij, z. Shkelzen Doli. Artist, që na duhej të flasim e të shkruajmë shumë për sukseset e tija. Është shkruar, apo është përmendur, por do të duhej edhe më shumë, apo shumë e më shumë, sepse është vërtet një yll që shkëlqen në çdo kohë.

Sa madhështore dhe aq emocionuese!

Ashtu edhe siç ishte parapa, mbrëmje filloi me një përshëndetje nga zonja Merita Pinta, pa harruar edhe përshëndetjen në gjuhën shqipe. Zonja Pinta, foli për sukseset e dëshmuara të “Prima Pflege GmbH”. Nga të pranishmit, herë pas here përshëndetej edhe me duartrokitje. Zonja Pinta, shihej edhe në këtë paraqitje mirëseardhjeje, se është modeste dhe nuk dëshiron të flas në njëjës, duke ia dhënë fjalën edhe miqve zviceranë me të cilët ka bashkëpunuar e bashkëpunon. Pesë vjet punë e shumë përkushtim dhe falënderoj pafundësisht, familjen e saj, stafin dhe që të gjithë, që e kanë përkrahur për të ardhur deri te kjo datëlindje. Më pastaj të pranishmit u nisën për në sallën, kur do të shtrohej darkë dhe do të kenë mundësi të përcjellin koncertin e veçantë të drejtuar nga anëtari i Filarmonisë së Vienës, violinisti i mirënjohur me përmasa botërore, Shkëlqesia e tij, z. Shkëlzen Doli.

Me të hyrë në sallë, skena ishte me instrumente, menjëherë futesh në një ambient tjetër shpirtërorë, që të drejton emocioni. Sallë perfekte, siç dijnë të organizojnë e mirëmbajnë zviceranët. Gjithçka perfekte. Gjithçka që i shkon një koncerti të tillë.

Çka do që të shkruhet, sigurisht se është pak, kur dihet, se për këtë mbrëmje të madhe, është organizuar nga zonja Merita Pinta dhe Shkëlzen Doli.

Në mesin e disa bashkëkombasve tanë, ishin edhe miq zviceran të fushave të ndryshme. Në tavolinën tonë që ishte caktuar me numër pesë, ishte edhe zonja Merita Pinta, disa miq zviceranë, afaristë, si dhe ish-futbollisti i njohur i kombëtares zvicerane, tash futbollist në klubin FC Zürich, Blerim Xhemaili. Me një fjalë mirëseardhjeje, zonja Merita Pinta përshëndeti dhe falënderoi që të gjithë. Me një referat të shkurtër foli Prof. Dr. Thomas Szucs, njëherit dirigjent për rëndësinë e muzikës në përditshmëri. Pasi filloi darka e udhëhequr nga i mirënjohur, z.Martin Liefeith dhe ekipi i tij, secili prej nesh, mezi se priste të filloj pjesa e parë e koncertit me Johann Strauss Sohn, Franz Lehár, Josef Strauss. Me një prezentim brilant, Shkëlzen Doli, shihej i kënaqur bashkë me ekipin e tyre, që me përpikshmëri me një kujdes maksimal i bënë të gjithë të pranishmit të duartrokasin jo si gjithmonë në një eveniment që jemi mësuar të dëgjojmë apo të shohim, por më dukej, se edhe duartrokitjet ishin më ndryshe, më speciale, më falënderuese. Pjesa e dytë e koncertit ishte me këtë program: J. Strauss Sohn, Johannes Brahams, Leo Delibes, J. Strauss Vater. Salla e koncerteve në Qendrën e Kongreseve Trafo në Baden, ku zhvillohej ky koncert i veçantë, si asnjëherë më parë ishte me shqiptarë edhe ate në një koncert të drejtuar nga maestro Shkëlzen Doli. Gjatë koncertit, çdo lëvizje e artistëve shihej e dëgjohej. Ishte një qetësi e paparë nga të pranishmit, dikush mundohej të bëj ndoj foto apo inçizim nga koncerti për ta pasur kujtim. Kush e ka menduar nga mërgata jonë e hershme, që një ditë, në mes të Zvicrës, do të organizohej një ngjarje kaq e madhe e drejtuar nga shqiptarët. Fjalët më të mira të mundshme i shkojnë organizatorëve zonjës Pinta dhe Doli. Sado, që shkruaj, apo sado, që realizohet përshkrimi në një emision i realizuar nga një profesionist në fushën e gazetarisë televizive, përsëri është e mangët, jo e tëra, sepse edhe heshtja, frymarja, rrahjet e shpeshta të zemrës, emocioni, kujtimi, mbushja e zemrës me pozitivitet, freskia shpirtërore nuk mundet të shfaqet në dukje, ajo është në anën joverbale, pra ajo shpirtërorja.

Zemërbardhët i gëzohen ngjarjeve të tilla, i gëzohen sukseseve, arritjeve dhe respektit që kanë me miqtë zviceran, ndaj një zonje, një gruaje, një nëne shqiptare, që diti ta themeloj një firmë, diti ta organizoj, ta mbaj për pesë vjet dhe të përkrahet aq shumë nga shumë afaristë të njohur zviceran.

Ishte mbrëmje, që do të shkruhet në kujtesën e secilit, që ishte prezent, por edhe ata, që do të kuptojnë, se është mbajtur një koncert i tillë, me të gjitha që i ka takojnë një stafi profesionistësh. Nuk është e lehtë të organizohej një koncert i asaj natyre, nuk është e lehtë të vijnë 14 persona nga Ansambli i Vjenës “Philharmonic Ensemble” të drejtuar nga violinisti me famë botërore, Shkëlzen Doli edhe ate në prag Koncertit të fillimvitit i Vjenës (gjermanisht: Das Neujahrskonzert der Wiener Philharmoniker) është koncerti tradicional i Filarmonikës që mbahet prej vitit 1939 në ditën e parë të vitit në sallën e artë të Musikverein / Vjenë. Mjeshtri i madh, artisti i veçantë, njohësi i jashtëzakonshëm i violinës, ai që notat e muzikës i përcjell mjeshtërisht deri te shpirti i publikut, Shkëlzen Doli me një seriozitet të veçantë e me sy shqiponje, herë pas here shikonte kolgët e tij, por gjithmonë pa u larguar nga gjuha e ëmbël e muzikës. Mjeshtri e rrallë. Edhe lëvizjet e z.Doli, tregonin gjithë ate oqean që e kishte në shpirt që të jap krejt çka duhet, që të dalin mirë. Sikur në ato momente, që i gjithë stafi i tij i kishte sytë nga ai, poashtu edhe publiku, ta pyesësh se ku gjindesh, përgjigja do të jetë, po në ate notë ku kishte mbërri ritmi i violinës. Pra, me trup e me shpirt në notat muzikore. Kjo është profesionale, kjo është për tu krenuar. Dora në zemër, të lumtë vëlla! Dora në zemër, ju lumtë, Merita Pinta. Edhe ne dijmë dhe kemi mundësi e histori të lashtë, se e njohim, e duam, kemi dhënë shumë edhe për artin e mirëfilltë. Nëse i kthehem këtij teksti, përshkrimi të asaj ngjarjeje në fillim, më dukej, se shumë pak pasna shkruar. E pamundur, sinqerisht, të thuhet githë ajo që u pa dhe çka ka ndjerë zemra e shpirti. Këto fjalë, që po shkruhen, tregojnë edhe frymën e pastërt të reportazhit, fjalë që buruan po nga ajo mbrëmje, jo për hirë të së shkruarit. Jo për hir të detyrës, pagës, honorarit, apo arsyeve të tjera, por për hirë të profesionalizmit. Fjalët e ëmbla nuk kanë përfundim, ose përfundimi kësaj here të jetë kështu, mirupafshim në gëzime të tjera dhe ju qoftë një vit i mbarë, shëndet të mirë, suksese dhe të meriturave tu jepen meritat apo tu pranohen. Meritë, urime!

Nga një fjalë;

Merita Pinta: “Ju falënderoj juve dhe të gjithë që ishin prezent. Shpresoj të keni kaluar mirë. Do të mundohemi, që edhe në të ardhmen, gëzimet ti ndajmë së bashku me njerëz të mirë. Falënderoj të gjithë për përkrahjen, familjen, z.Shkëlzen Doli, stafin tim, miqtë zviceran, shtetin zviceran dhe që të gjithë ata që të paktën një fjalë të mirë apo kanë bërë mirë gjatë gjithë këtij viti që po e lëjmë pas. Është fat i madh, që po jetojmë në Zvicër dhe kemi mbështetjen e jashtëzakonshme nga ky shtet, që e njohim si atdhe të dytë”.

Shkëlzen Doli: “Padyshim, se ishte një mbrëmje e veçantë. Të bashkëpunosh me zonjën Merita është nder. Të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen dhe sukseset ti kurorëzojmë me festë, buqeta lulesh, buzëqeshje me miq. Gëzuar”.

Milaim Rama, ish futbollist i kombëtares së Zvicrës: “Përbesë ishte një mbrëmje shumë e mirë dhe kemi kaluar shkëlqyeshëm. Falënderoj shumë zonjën Pinta për ftesën dhe me bashkëshorten time nuk do ta harrojmë kurrë”.

Blerim Xhemaili, ish futbollist i kombëtares së Zvicrës dhe futbollist i FC Zürich: “ Me shumë kënaqësi erdha dhe falënderoj për ftesën dhe mundësinë që të jem në këtë përzgjedhje musafirësh. Ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe kaluam shumë mirë dhe njoha edhe miq të shumtë zviceranë. I uroj shumë suksese zonjës Merita Pinta dhe stafit”.

Premtim Sermaxhaj, afarist, veprimtarë: “ Një natë e veçantë. Nuk mundem përmes fjalëve të tregoj gjithë ate energji pozitive që e pranova nga kjo mbrëmje. Falënderoj zonjën Merita Pinta dhe bashkëshortin e saj, mikun tim dhe gjithë stafin. I uroj suksese të tjera!”.

Afrim Veliu, arqitekt i njohur në Zvicër: “Mbrëmje të tilla janë të mirëpritura dhe u gëzohem shumë. Me bashkëshorten time me shumë kënaqësi erdha dhe kaluam çaste perfekte. E përgëzoj zonjën Pinta dhe stafin e saj. Shumë suksese të tjera. Ndërsa për programin që e përcollëm nga i madhi, Shkëlzen Doli, çka të shtoj tjetër, ishte super mbrëmje. Lumët ne që kemi bashkëkombas/e të suksesshëm që i nderon bota. Besoj shumë, se do të shihemi edhe në suksese të tjera”. Për fund të këtij fotoreportazhu, më duhet të shtoj edhe këto fjalë, se muzika klasike dëgjohej me kënaqësi, gjuha e saj është e kuptueshme dhe shumë e bukur.

Për një pushim aktiv të shëndosh, pas një dite të ngarkuar, është e nevojshme dëgjimi i një muzike klasike.

Sipas studiusve të ndryshëm po edhe nga ata shqiptarë të muzikës klasike, muzika klasike nuk mundë të jetë një mister i pafund por një burim i pafund emocionesh, dëshirash, ndjenjash e kënaqësish Muzika si ushqim i shpirtit dhe historia e saj fillojnë me historinë humane, bashkë me njeriun evoluoi edhe muzika me instrumentët . Violina është mishërimi më modern i instrumenteve muzikore dhe të harkut, të ardhura nga antikiteti. Nëse Vivaldi dhe Paganini e ngritën artin e violinës në shkallën më të lartë në botë, Shkëlzen Doli do të mbetet mjeshtri më i njohur tek ne shqiptarët, që falë punës së tij edhe gjuha shqipe është dëgju e dëgjohet në Vjenë e gjithandej. Fuqia e një muzikant (i cili zgjon ndjenja) është krejt ndryshe nga fuqia e një mbreti, i cili sundon me forcë. Vetëm dy tinguj gjysma e bukur e njerëzimit janë gati të dëgjojnë pafundësisht – e qeshura e fëmijës dhe e një gruaje. E zonja Pinta, nga fillimi i këtij evenimenti e deri në përshëndetjen e fundit me musafirët, rrinte me buzëqeshjen e njohur të saj origjinale. Nëse më 14 Dhjetor të vitit 1990, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, votoi rezolutën 45/106 për të shënuar 1 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Tradita shqiptare padyshim që i paraprin kësaj date, pasi që respekti ndaj të moshuarve ka qenë pjesë përbërëse e të gjithë kanuneve dhe ligjeve të krahinave shqiptare në të kaluarën. Tradita shqiptare nuk ka toleruar që të moshuarve tu kundërvihet dhe të sulmohen qoftë me fjalë. Gjatë rrugës të moshuarit nuk ka qenë e hijshme të parakalohen apo tu dilet përpara. Gjithashtu edhe nëpër konaqet e burrave, qoftë në raste gëzimi apo vdekjeje, të moshuarit kanë pasur fjalën e parë dhe të fundit. Dhe shumë e shumë të tjera. Prandaj, kush më mirë se Merita do ta drejtonte një institucion të tillë. Suksese zonja Pinta dhe zotri Doli, ju takofshim në gëzime dhe suksese të tjera! Një vit të mbarë e gjitha të mirat. Ludwig van Beethoven: “Muzika është një zbulim më i madh nga dituria dhe filozofia“.

Përgaditi: Dashnim HEBIBI

FOTO:M.P

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT