• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

Manuela Papazisi: Suksesi i sipërmarrjes, kur biznesi është në adn-në e njeriut

June 26, 2023 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini/

Kush është Manuela Papazisi?

Manuela është Real Estate Broker e licensuar ne 2001. Ajo punon me Coldwell Banker duke ndihmuar bleres dhe shites ne Chicago dhe rrethinat. Për me shume se dy dekada ajo ka arritur të njihet dhe punojë me plethora komunitetesh në Chicagoland. Ajo gezon respektin e klientëve per devotshmërine, ndershmërinë dhe integritetin professional, ne sherbim të nevojave të tyre. Experienca dhe vizioni i saj bën të mundur që klienti t’a kete sa me te lehte që nga fillimi i transaksionit e deri ne mbyllje. Klientët jo vetëm që mbeten të kënaqur nga shërbimi i saj në transaksionin e radhes, por edhe e rekomandojne atë tek miq e të afërm dhe punojnë me të persëri për shitblerje të ardhshme. Ajo ka mbi 600 transaksione dhe është nderuar me shume çmime e vleresime profesionale siç International Diamond Society Awards (2018, 2019 & 2020), International President’s Circle Award (2021 &2022), Top Residential Real Estate Producer of Chicago Association of Realtors (2020, 2021 & 2022). Në 2023 emri I saj renditet në RealTrends America’s Best 2023 list. Në këtë listë hyjnë vetem 1.5% e 1.6 milion real estate profesionist të licensuar në SHBA. Manuela vjen nga një familje tregtaresh nga qyteti I lashtë i Beratit. Ajo u lind dhe rrit në Tiranë, studioi ne Shkollën e Mesme Ismail Qemali dhe më pas vazhdoi studimet ne Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave Natyrore, ku u diplomua në Kimi Industriale dhe Master në Shkenca. Pavarësisht nga arritjet profesionale, arritja më e madhe që ajo vlerëson është Familja, djali ( i cilësuar ne 2022 si Outstanding Young Structural Engineer in Illionis) dhe së fundi lumturia e të qenit gjyshe.

Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht keni ndeshur në vështirësi. Çfarë veçoni diçka të veçantë mbi jetën tuaj?

E vërteta është se brezi im ishte brezi i iluzioneve të humbura në Shqipëri. Ky ishte brezi që iludonte një Shqipëri të standarteve Europiane. Pasi erdhi në jetë djali, bashëshortit ju dha një mundësi për PhD në Universitetin Bujqësor në Athinë dhe kështu vendosëm të largohemi me mendimin se do të kthehemi në Shqipëri pasi kushtet e jetesës do te përmirësohet, ekonomia ngrihet dhe situate politike të normalizohet. Jeta ne emigracion nuk është e lehtë, sidomos për një cift te ri 25 vjeçarësh siç ishim ne dhe me një të sapolindur. Sidoqofte ne u përshtatëm relativisht shpejt me Greqine. E verteta e hidhur ishte që ne ndjeheshim më komfort me jetën në Greqi se sa çdo alternative tjetër për në Shqipëri. Ne një fare mënyre u stabilizuam me punë, me banese në një lagje shumë të këndshme të Athinës. Djali kaloi konkursin dhe u pranua ne «Η Ελληνική Παιδεία» një shkolle private shume e njohur ne Athine. Greqia është një vend i bekuar. Vetëm kur jeton aty dhe e njeh kulturën nga afër e kupton se pse jo më kot gjithë bota e cilëson si djepin e qytetërimit European. Ne në një farë mënyre ishim të lumtur që na u dha mundësia të njiheshim me atë vend dhe Kulturen antikitetit. Sidoqoftë shteti modern grek përmban shumë paradokse. Një nga paradokset e shtetit modern grek ishte se grek apo i huaj i diplomuar jashtë Greqise, duhej ta njihje diplomen nga nje zyrë e posaçme. Pasi e njihje diplomen atëhere mund të filloje të kërkoje punë me kualifikimin e diplomes. Bashkshorti e njohu diplomën, por shpejt u pa se Greqia nuk ka nevojë për shumë kimistë, kështu që jetën duhej ta mbështetnim duke bërë punë të tjera. Sidoqëftë në mendjet tona deri atëhere ishte kthimi në një ditë të largët në Shqipëri ku jetonin ende familjet tona. Pas ngjarjeve të dhunës se 1997 në shqipëri gjithshka ndryshoi. Asokohe ne na u dha një mundësi për të ardhur në ShBA dhe nuk jemi penduar.

Kur menduat që kjo është rruga juaj?

Gjithshka ka ardhur natyrshëm. Bashkeshorti, I cili merret me shkence, e shpjegon se shpirti I biznesit është në ADN time. E vërteta është se stërgjyshi im ishte biznesmen, gjyshi po ashtu, babai ishte në periudhën e socializmit kështu që nuk pati rastin, kushërinjtë e mij në Shqipëri apo neper bote kudo qe ndodhen, shumica janë njerëz të biznesit. Por ndërmjet nesh e vetmja grua jam une. Sidoqoftë ne familjen tone ne jemi edukuar me besimin tek Zoti Perëndi, ndershmërinë, integritetit professional dhe respektit për këdo që bashkepunojmë. Që kur ishim të vegjel, gjyshja na tregonte një histori të gjyshit. Ai I shiste vajin e Beratit një tregtari ne juglindje te Shqiperise. Asokohe nuk kishte telefona, kështu që tregtari vjen në Berat për të ngarkuar vaj si zakonisht. Gjyshi I thotë – Më vjen keq por nuk kam vaj. Ka rënë miu në vaj dhe do ta derdh të gjithin. Hajde kur te kem vaj të ri se këtë nuk mund tjua jap njerëzve. – Pse e hedh, – I tha tregtari, – Ma jep mua me të lirë. – Po e deshe I tha gjyshi ti mere dhe unë nuk dua asnjë kacidhe. Tregtari e morri vajin e shiti në vendin e tij, beri para sa mundi, por nuk erdhi me. Fjala doli se ai vdiq nga një sëmundje e keqe. Zoti Perëndi e nëshkoi për të keqën që I bëri klientëve të tij. Mjerisht vërej se ende ka njerëz të biznesit, që veprojnë si ky njeri.

A ishte e vështirë të arrini suksesin tuaj në Amerikë?

Nuk do të isha e sinqertë po të thoja se e kam pasur të lehtë. Se pari nuk ështe e lehtë të jesh nënë, të jesh gruaja e shtëpise dhe të merresh me bizness. Nga ana tjetër veçoria e biznesit tim është ndërtimi I një rrjeti njohjesh. Asnjë emigrant nuk eka rrjetin e familjarëve, miqve, bashkekokoreve, komshinjte etj etj, kështu që ne e fillojmë jo nga zero por nga një pozicion negativ. Për më tepër vetëm rrethi me të njojtur nuk mjafton. Përvec njohjes duhet që të kesh fituar besimin që të mund të konsiderojne ty ai agjent për një hap shumë delikat siç është shitblerja e një pasurie të patundshme. Kërkon punë të palodhur, nerva të tendosura, kohë dhe dedikim deri sa të arrish ne momentin kur klienti I kenaqur të rekomandon te miqte apo te afërmit dhe fjala e mire të sjell suksesin.

Përveç punës kërkohet dhe studim. Sado që shkolla që kemi bërë në Shqipëri na ka dhënë baza të forta në arsyetimin analitik të gjërave, do të tosha se kjo nuk ështe e mjaftueshme në mjedisin e biznesit sot. Edhe vetë vendalinjtë mbeten prapa nëse nuk ripërtërijnë njohuritë në mënyrë të vazdueshme. Prandaj dhe une ju kushtova studimeve për një master të dytë, MBA ne Chicago, dhe më vone më thellë me licenca e certifikata në lidhje me Real Estate me Certified E-Marketing Specialist, Short Sale and Foreclosure Resource (SFR®), Senior Real Estate Specialist (SRES®), Accredited Buyer’s Representative.

Tani që e shihni veten të sukseshme si mendoni e keni arritur këtë gjë?

Përgjigja më e saktë do të ishte thënia e natyralistit amerikan Henry David Thoreau – “Suksesi zakonisht vjen tek ata të cilët janë shumë të zënë me punë që të mund ta kërkojnë atë.”

A keni pasur ndonjëherë momente kur keni dashur të tërhiqeni?

Në momentet e veshtira jam munduar ta shoh gotën të mbushur gjysëmplot. Për emigrantët shqiptarë si ne, dështimi nuk mund të jetë I pranueshëm. Leonard Cohen I cili vinte nga një familje emigrantesh shkruan se “Suksesi është të mbijetuarit.”

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Planet për të ardhmen janë kurdoherë : ngritja e vazhdueshme profesionale, lumturia e Familjes time, Djalit tim dhe rritja e mbarë e nipit tim të vogël.

Çfarë do dëshironit të thoshit për të inspiruar dikë që po ndjek një rrugë të ngjashme me tuajen?

Nuk mund të gjej thënie më kuptimplote se Albert Einstein – “Përpiqu jo që të jesh thjesht suksesi, por që të jesh i vlerësuari.”

Çfarë ju inspiron ju?

Familja.

Kush janë hobite tuaja?

Më pëlqen të jem buzëdetit. Më pëlqejnë sportet. Më pëlqen të ndjek ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit. Më ka hyrë në zemër futbolli amerikan qe kur djali luante ne shkollen tetevjecare & te mesme.

Mezi pres fitoren e Chicago Bears ndaj Green Bay Packers, unë dhe gjitë familja.

Një thënie që ju pëlqen dhe motivon?

“Suksesi varet nga përgatitjet paraprake pa të cilat padyshim do të këtë disfatë.” – Confucius

Filed Under: Politike Tagged With: Mirela Kanini

KUR HISTORIA PËRSËRITET PER KEQ

June 26, 2023 by s p

– Mendime dhe analizë e shkurtër mbi ngjarjet e fundit në Rusi –

Nga Dr. Jani Gjoni -/

E gjithë bota po ndjek me vëmëndje situatën në Rusi, lajme dhe komente nga më të ndryshmet, nga mundësia e një loje tek rreziku global nëse Wagner merr në dorë armët bërthamore.

Senatori Amerikan Hiram Johnson ka thënë “Viktima e parë në lufte është e vërteta” për skepticizmin e tij në lidhje me hyrjen e US në Luftën e Parë Botërore.

Po ku fshihet e vërteta në këtë gjëndje të trazuar në Rusi?

Lufta në Ukrainë një dështim i forcave Ruse që është rezultat në mes të tjerave edhe nga përfshirja e një morie formacionesh në front, ku shihet mungesa e një komade unike për të drejtuar e kontrolluar veprimet luftarake sipas një plani të qartë, si dhe mungesa e theksuar e vullnetit të trupave për të luftuar. Në frontin Rus ka një koordinim të dobët të forcave për shkak të pjesmarrjes në disa drejtime autonome të njësive Bjelloruse, Ceçene, forcave paramilitare, e formacioneve të ndryshme mercenarësh, ku më i afirmuar është Wagner. Ky formacion privat ushtarak vjen me një përvojë të madhe, përgatitje profesionale, armatim modern, organizim të mire dhe me vullnet të lartë për të luftuar. Përgjatë luftimeve në Ukrainë ato janë shquar për suksese të dukshme në disa rajone ku më i spikaturi ishte marrja e qytetit Bakhmut.

Aktiviteti i tij ka filluar që në vitin 2014 kur u krijua dhe formua me ndikimin dhe mbështetjen e Putinit, si një formacion privat i lidhur ngushtë me Ushtirnë dhe shërbimin e saj inteligjent. Aktiviteti i këtij grupi mercenarësh ushtroi veprime të fshehta dhe të hapura brënda dhe jashtë Rusisë.. Ky grup është një kontigjent rrenegatësh i gatshëm për të kryer detyra jashtë forcës së ligjit, një detashment mafioz në duart e Putinit me krime të shumta në vëndet Afrikane. Në tërësi, kjo është pamja që njohim të gjithë.

Në muajt e fundit të luftimeve në Ukrainë kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin ka filluar mjë përplasje më ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe oficerët madhorë të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Ruse duke mbajtur jashtë kriticizmit presidentin Rus Vladimir Putin. Prigozhin e ka konsideruar atë – Putinin- si viktimë e keqinformimit me qëllim nga ushtria dhe shëbimi inteligjent. Ai disa herë i ka bërë thirrje Putinit të distancohet nga udhheqja e Ushtirsë dhe të veprojë për largimin e ndëshkimin e tyre si të pa aftë e të korruptuar. E tërë kjo përplasje ka bëre të mundur afirmimin e Wagnerit në public, dhe ndërtimin e një imazhi të pëlqyer e me kredibilitet. Ndërkohë që Putini është realisht kreu i të dy anëve, si Ushtria dhe Wagner janë mbushur me njerëzit e tij besnik që papritur janë kthyer në kundërshtarë të egër. Duket sikur kafshët kanë dale nga kontrolli.

Por si duhet kuptuar veprimi i djeshëm, marrshimi i forcave të Wgnerit drejt Moskës për të goditur udhëheqjen e Ushtrisë por jo Putinin?

Putini publikisht e konsideroi këtë ngjarje shumë të rëndë dhe Wagnerin si një grup tradhëtar, thikë mbas shpine shtetit dhe popullit Rus. Megjithëse forcat e Wgnerit u tërhoqën sot me ndërmjetësira dhe marrëveshje të brënda llojit (ruso-bjellorus) përsëri konfuzioni public mbetet i lartë, kë duhet të besojnë njerëzit, cila është e vërteta dhe kujt i sherben kjo?

Historia e njerëzimit është e mbushur me konflikte e përplasje për pushtet ku intrigat dhe pabesitë gjithnjë kanë patur si qëllim të fshehin të vërtetën. Një situate e ngjashme është ajo e vitit 1934 në Gjermaninë Nziste e konsideruar si “Night of the Long Knives”, një kërkim i thjeshtë në internet na sqron se: “Hitleri ishte i vetëdijshëm se udhëheqja e SA-së, përfshirë Röhm-in, kishte bindje radikale socialiste dhe se SA-ja kishte bërë një kërcënim potencial për udhëheqjen e tij. Për më tepër, udhëheqësit ushtarakë gjermanë ishin të shqetësuar për ndikimin e rritur të SA-së dhe për potencialin e saj për të destabilizuar vendin. Për të adresuar këto shqetësime, Hitler vendosi të eleminonte udhëheqjen e SA-së dhe të konsolidonte pushtetin nën kontrollin e tij.

Në qershor të vitit 1934, Hitleri dhe SS-ja (Schutzstaffel), nën drejtimin e Heinrich Himmler-it, organizuan “Naten e thikave të gjata”. Gjatë kësaj përgjakjeje, Hitleri urdhëroi SS-në të arrestonte dhe ekzekutonte udhëheqësit kyç të SA-së, duke përfshirë edhe Röhm-in. Përgjakja zgjati përtej SA-së dhe u ndërmor ndaj kërcënimeve të tjera të perceptuara për autoritetin e Hitlerit. Kjo ngjarje shënoi një pikë kthese të rëndësishme në konsolidimin e pushtetit të Hitlerit, pasi ai efektivisht eleminoi opozitën e brendshme dhe forcoi kontrollin mbi Partinë Naziste dhe shtetin gjerman.”

Tingëllon pothuajse njësoj me realitetin e gjëndjes së sotme në Rusi. Një vit më pare Putini filloi konfliktin ushtarak me Ukrainën me synimin se fitorja do të çimentonte përjetësisht udhëheqjen e tij në vënd, gjë qe jo vetëm nuk ndodhi, por e tërhoqi Rusinë në një luftë pa fund duke shkaktuar dëme të medha njerëzore, materiale. Kjo situate sfidante rrezikonte pushtetin personal, prandaj duhej gjetur një zgjidhje për të justifikuar humbjen. Faji duhet hedhur diku tjetër jashtë oborrit zyrtar, dhe ashtu si Hitleri, grupi mercenar u bë preja e rradhës. U propogandua se Wagner është armiku, tradhëtari me rrezikshmëri madhore për Rusinë dhe boten prandaj duhet ndalur dhe dënuar. Shumë e ngjashme me historinë Hitleriane.

Bota e qytetëruar i ka nxjerrë mësimet nga e kaluara dhe nuk do bjerë pre e kësaj propogande djallëzore por a do ta besojë populli Rus? Kjo ngelet për t’u parë në vazhdim.

Filed Under: Mergata Tagged With: Jani Gjoni

Shfaqet në New York dokumentari “E Bukura nën Pranga”

June 26, 2023 by s p

Nga Anna Gjoni

New York/

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër torturës (26 Qershor 2023) në një nga ambjentet e Producer Club Theaters në Manhattan, u shfaq filimi dokumentar “The Beauty in Shackles”, “E Bukura nën Pranga” realizuar nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” në New York. Dokumentari i dedikohej popullit shqiptar, specifikisht grave dhe fëmijëve që kanë përjetuar tortura, krime, vrasje, internime nga komunizmi në Shqipëri, sllavo-komunizmi në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Çamëri nga shovinizmi grek e në të gjitha trevat shqiptare, ku ka patur persekucion e genocid.

Anëtaret e kësaj organizate së pari falenderuan Zv/ Ambasadorin e Republikës së Kosovës në New York, Z. Fatmir Zajmi sëbashku me bashkëshorten e tij, pjesëmarësit në këtë event, si dhe “të zotin e Shtëpisë” Z. Alfred Tollja, që vazhdimisht tregohet i gatshëm për të ofruar hapësira të tilla për komunitetin tonë në këtë Qendër Arti. Të cilat thanë se e vlerësojnë vërtetë dhe i janë mirënjohëse.

Sa i përket dokumentarit, i cili përfundoi në janar të vitit 2020, por për arsye të Covid-19, u shfaq pikërisht këtë kohë, anëtaret e “Shpresë & Paqe” falenderuan bashkëpunimin e mirë me ish të burgosurin dhe të arratisurin politik Prof. Sami Repishti PhD, i cili nuk mundi të ishte prezent, ish të internuarin politik dhe gazetarin e palodhur Z. Beqir Sina, gazetaren Rafaela Prifti, që edhe ajo nuk mund të ishte e pranishme, pasi i ati saj shkrimtari shumë dimensional e patrioti Naum Prifti u nda nga jeta, montazhierin Valon Dervishi, Zj. Saranda Bekteshi nga Shkupi, si dhe producenten e këtij dokumentari Merlin Tushe, e cila për shkallën e saj të lartë të inteligjencës është pranuar në “Organizatën e Gjenive të Botës” në SHBA.

Duke qenë se edhe popullsia shqiptare përfshirë në të gjitha trevat e saj ka pësuar tortura, vrasje, pushkatime, internime, dhunime, malltrajtime nga qeveritë komuniste dhe sllavo komuniste organizata “Shpresë & Paqe” çdo vit më 26 Qershor përkujton këtë datë në respekt të viktimave të torturës.

“Sipas statistikave tha Znj. Dajçi, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri u pushkatuan 450 gra, u burgosën 7367 gra, nga 1065 persona ish të burgosur politik, që vdiqën burgjeve, qindra prej tyre ishin gra. Qindra prej tyre humbën aftësinë mendore, qindra fëmijë kanë vdekur kampeve të internimit, 33 prej tyre në kampin shfarrosës të Tepelenës.

Gjatë atij regjimi makabër në Shqipëri, çdo 3 ditë do ti bëhej gjyqi çdo qytetari. Ose do të ekzekutoheshin me apo pa vendim gjykate dhe eshtrat e tyre nuk dihet akoma se ku ndodhen. Në Kosovë po ashtu kemi historikisht krime dhe genocid në popull, mbi gratë dhe fëmijët nga makineria serbe, mbi 20 mijë femra në Kosovë janë vrarë, përdhunuar dhe zhdukur në Kosovë. Po ashtu në Maqedoni siç kemi rastin e arsimtares Shpresa Tuda e të tjera që u persekutuan nga regjimi sllavo komuninst në Maqedoni, edhe në Çamëri kemi mjaft heroina që u masakruan nga shovinizmi grek edhe në trevat e tjera ku shqiptarët kanë përjetuar tortura dhe malltrajitme nga qeveritë sllavo komuniste serbe”.

Bashkëngjitur po vijojmë të japim të plotë fjalën e gazetarit Beqir Sina, mbajtur më 26 Qershor 2023 në Producer Club Manhattan, me rastin e shfaqes së dokumentrit, E Bukura nën Pranga. “Marrja ende me çështjen e persekutimit në Shqipërinë komuniste debatet dhe diskutimet shterpë dhe tejet të stërgjatura në këto 32 vjet, ndër shqiptarë mbi torturat, privimin e tyre, burgosjen dhe interrnimin deri te përdhunimi në qelit e burgjeve enveriane, tek femrat në Shqiperi, tregon vetëm një gjë, tani s’ka më dikush duhet të flas e të tregojë atë që ka parë e përjetuar në «shpinën» e tij.

Të tregojmë! E vetmja gjë që fituam dhe na ka mbetur!

Ose, si na e ka lënë “amanet” njeriu i perendisë “Rrno vetëm për me tregue” në veprën memuaristike të fratit françeskan Zef Pllumi, pra, ne jemi ata që duhet të tregojmë ose më e pakta duhet të ngrejmë, atë zerin që na është ngjirrur për më shumë se tre dekada në Shqipëri e rrugve të botës, me një apo tjetër formë tjetër atje ku jemi dhe kemi mundësi duhet bëjmë diçka të na dëgjohet zëri edhe diku larg. Ngase vet/heshtja në vet/vete ndoshta pa dashje dërgon «një mesazh të keqkuptuar» deri tani edhe te presekutorët tanë që nuk duan të na kuptojnë. Madje heshtjen tonë, fisnikërin tonë atë që ne nuk e bëjmë për hakmarrëje deri tani ata, pra presekutorët dhe bijtë e bijat e tyre, na e marrin për « dobësi» duke na vjedhur edhe vuajtjen, dënimin e peresekutimin tonë 45 vjeçar.

Ndërsa, ata ishin po këta që janë sot të preveligjuarit e çdo pushteti.

Atëhere! nese nuk e themi ne, nuk flasim ne, kush vallë do ta thotë a do të flasë më mirë se ne, «të çohen nga varri të vdekurit tanë, apo t’ua lëmë në dorë atyre ish-persekutorëve dhe trashëgimtarëve të tyre, ata që po na qajnë me lotë krokodili në gazeta e televizione, rrjetet sociale, paçka se ishin ata që na e bënë vetē gjëmën.

Ndërkohë, që sot ne të persekutuarit kemi disa nga përfaqësuesit tanë në Shqipëri e diasporë madje edhe femra që fuqishëm e ngrenë zërin madje edhe në ndonjë institucion ndërkombëtar si këtu në Amerikë që flasin dhe tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur dhe kush e ka bërë: «Po – thonë ato – kanë ndodhur, tortura, persekutime dhe dhunë e përdhunime tek femrat në qeli në dhomat e burgimit apo paraburgimit dhe kapmet e presekutimit.

Nisur nga këto çfarë kanë bërë xhelatët dhe problemet të parealizuara që shqetësojnë dhe sot ish të persekutuarit politik në vendin tonë megjithëse le mundësi të limitizuara financiare të paktën ne në Amerikë, kemi Organizatën e Gruas Shqiptare Amerikane (The Women’s Organization “Hope & Peace”) me themeluese Mimoza Dajçin, që ka marrë barrën e rëndë për të folur dhe luftuar për të drejtat e të persekutuarve politikë e për dinjitetin e tyre në Amerikë.

Edhe pse vendi ynë Shqipëria, akoma nuk i është bashkangjitur vendeve ish komuniste në Europën juglindore në ngritjen e një vepre obelisk, muze ose memorial për kujtimin e nderimin e ish të burgosurve politik, të interrnuarve dhe të presekutuarve, dënimin e krimeve të komunizmit sipas platformës së gjyqit të Nurembergut, si Gjermania, Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania , Estonia, Lituania e tjerë, janë gratë shqiptare, ish të peresekutuara në Shqipërinë komuniste të diktatorit Enver Hoxha, një pjesë e tyre tashmë jetojnë në Shqipëri, por dhe ato që morën rrugën e kurbetit me familjet e tyre edhe pse larg atdheut kanë vendosur të tregojnë dhe e ngrenë zërin e ryre fuqishëm duke thënë se nuk do të ndalin zërin e tyre derisa e drejta dhe dinjiteti i ish të burgosurve politik, të pushkatuarve e të internuarve politikë të Shqipërisë të shkojë në vend.

Qendrimet e tyre nuk janë hakmarrëse të paktën për këto gra fisnike pjesëtare të familjeve më të mira shqiptare, patriote e atdhetare, demokrate qysh në genin e tyre, ato kanë ideale që luftojnë të bindura dhe me shpresë se e drejta duhet të triumfojë, sepse pasojat akoma po i vuan ajo shtresë mbi kurrizin e saj jo fizikisht por moralisht dhe materialisht.

Tetë vende të lindjes nga 13 vende ish komuniste e kanë mbështetur deri tani dhe kanë realizuar për tre dekada që prej rrëzimit të mortajës inisiativa dhe nisma madhore ligjore për ish të dënuarit politik, të internuarit në kampet e punës së detyruar, dhe të presekutuarit përjashtuar vendin tonë të dashur Shqipërinë.

Çudi!!

Vendi ynë që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë hesht e qëndron indiferent kundrejt atij persekutimi aq të madh sa përjetuam ne një pjesë e shqiptarëve që na quajtën këta të sotmit «Armiqtë «por se e vërteta ishte ashtu si e treguan edhe këto 32 vjet që ne ishim ata që e donim më shumë Shqipërinë, sepse ne ishim me Amerikën dhe jemi deri në vdekje, deri sa i bëmë dhe i kthyem edhe ata me Amerikën.

Por edhe pse qeveritë shqiptare sidomos kjo pasardhsja e Partisë së Punës Partia Socialiste, ortakia e atyre që kreu krimet për 45 vjet duket se nuk kanë interes të dënojnë krimet e komunizmit në Shqipëri”- përfundon kështu fjalën e tij Z. Sina.

Për veprimtarinë shoqërore në dobi të të drejtave të grave dhe fëmijëve dhe arritjet e tyre në komunitet kjo organizatë ka bashkëpunim të mirë edhe me liderët politikë në New York, ku me kërkesë të “Shpresë & Paqe” janë vlerësuar disa nga anëtaret e saj, nga ish Presidenti Ruben Diaz. Jr. Kryekontrollori i New Yorkut Scott Stringer, Senatorja Nathalia Fernandez. Edhe për këtë rast Senatorja Nathalia Fernandez vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” zonjat Hava Bushati Repishti (pas vdekjes) Nana e Prof. Sami Repishtit PhD, Bahrie Bytyqi (Nana e tre heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi) Altina Sina, Ariana Hoxha, Gjylizare Murati (pas vdekjes) Sabije Veseli, Fikrie Dulatahu, Majfturie Daci, Kimete Haxhaj dhe Nebahat Berlajolli. Edhe një vit më parë politikanja demokrate Nathalia Fernandez, po me kërkesë të kësaj organizate dekoroi poeten dhe humanisten Prof. Rita Saliu dhe aktivistet Cynthia Arzy, Janulla Rrapi dhe Anna Gjoni.

Eventi u moderua nga gazetari Beqir Sina, si një ndër miqtë e mirë e kolegët më të veçantë të kësaj organizate. Të pranishëm gjithashtu ishin regjisorja Mrika Krasniqi dhe luftëtarët trima të UÇK-së, zotërinjtë Fatmir Rexha dhe Shufki Mata. Pas shfaqes së dokumentarit, ku pati edhe duartrokitje, pasi përshtypjet ishin mjaft pozitive, fjalën e mori skenaristja dhe regjisorja e dokumentarit “E Bukura nën pranga” Znj. Mimoza Dajçi, e cila me punën e saj të përkushtuar e të kujdesshme evidentonte qartë vuajtjet e sakrificat e femrës shqiptare nga armiqtë e vendit të brendshëm e të jashtëm si në Shqipëri, Kosovë e të gjitha trevat shqiptare. Me pas folën me rradhë, i ati i tre djemve, tre heronjve që dhanë jetën për lirinë dhe paqen në Kosovë nga makineria serbe Z. Ahmet Bytyqi, Kryetarja e Shoqatës “Marigona” Znj. Sabije Veseli, zotërinjtë Alfred Tollja, Zj. Janulla Rrapi dhe Z. Valon Dervishi qē u angazhua me montazhin e këtij filmi dokumentar.

Filed Under: Opinion

Historia e Vlorës nuk është vetëm Sheshi i Flamurit

June 26, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Gjatë shëtitores bregut te detit, ndodhet një vend që quhet ende Plazhi i Ri. Sot pjesa e rërës është kthyer 100% në plazh privat ndërsa pjesa e Molit (kalatë, bankinë) me shtrirje në det rreth 100 metra është shndërruar 90% në kafene dhe 10% në gërmadhë ndryshku. Moli veçanërisht ka një histori të gjatë që bën krenar disa breza, përfshi Vlorën, me gjithë rrethinat. Aty një dorë e kujdesshme, kishte vendosur nja dy trampolino ku guximtarët hidheshin në stile të ndryshme duke krijuar figura në ajër sipas fantazisë së tyre. Për shumicën mjaftonin pjesët anësore me një thellësi jo më shumë se 2m ose 3m nga ku hidheshin lirisht me “kokë,” me “salto”, “këmbëkryq” ose me “këmbë”. Nuk kishe mësues për të mësuar stilet e hedhjes. Ishte jo vetëm një paradë guximtarësh por edhe takimesh e lidhjesh miqësish të reja. Sa vajza e djem të rinj u dashuruan në ato ambjente të thjeshta të atij plazhi në pjesën VIP ose jo VIP? Sa djem bënin të pamundurën të binin në sy të vajzave bukuroshe, në rërë e det, duke bërë lloj-lloj akrobacish e marrëzish? Aty janë zhvilluar gara noti në rang kombëtar dhe kampionate vaterpoli tepër të kualifikuara. Njw pjesë e rinisë e kishte një vend në verë ku argëtohej, dashurohej, lidhte miqësi, qeraste me një akullore, një pijë freskuese ose një birrë të ftohtë. Por kryevepra e atij vendi, që mbetet përjetësisht e pashlyeshme në kujtesën e vlonjatëve ishte hedhja me “kokë” ose me “këmbë” për herë të parë nga moli. Ishte një lloj pagëzimi ku merrnin pjesë vëllezër, motra, baballarë e miq. E shumta në moshën shtatë vjeç duhet të ishe hedhur nga moli, dmth të ishe pagëzuar për trimëri, guxim dhe nisiativë. Mund të mos dije dhe not qeni, por në ujë priste një xhaxhi ose vëlla i sprovuar. Nëse nuk kishe guxim dikush të merrte hopa dhe të hidhte me “dhunë” në ujë si një top futbolli. Fëmija vetvetiu dilte mbi ujë ku e priste i rrituri, mbështeste njwrën doçkëz mbi supin e tij dhe pllaq-plluq arrinte te shkallët. Kaq ishte e gjitha. Fëmijës së pagëzuar i dilte frika dhe me kohë perfeksionohesh të hidhej me kokë, e më guximtarët edhe nga trampolinua. Hedhja për herë të parë nga moli e notimi deri te shkallët e ngjitjes ishte një certifikatë se tashmë ti mund t’ia dilje, të mësoje të notoje lirshëm, të pushtoje detin edhe pse ishe ende fëmijë pesë apo shtatë vjeç.

Ky mol-simbol ku hyrja ishte e lirë duhet të ishte sot po në atë funksion: plazh publik dhe jo një kafene e plazh privat. Ka shumë miliardarë sot të Vlorë që janë pagëzuar vet por edhe fëmijët e tyre me certifikatën e guximtarit në atë mol, por të politizuar deri në thua dhe kurrnacë deri në qelizë asnjë nuk bën një investim modest që ky mol tu kthehet njerëzve dhe tradita të vazhdojë. Do thonë që pushtetarët e Tiranës patën guximin të lëvizin simbolet e sheshit të Flamurit, duke e tjerësuar atë shesh historik e as u kërcet për Molin e Plazhit të Ri?! Dikur atje njerëz tw gjallë, plot energji e guxim hidheshin nga moli e trampolina, garonin e notonin si peshq. Sot plazhi i ngjet nje varreze me zhezlongjet si arkivole tw hapura ku njerëzit të rinjë e të moshuar dergjen e rrotullohen me orë të tëra mbi to si shishqebap turku. Gjenerata të tëra u pagëzuan atje. Përse tradita mos të vazhdojë edhe sot me djemtë, nipat e mbesat e të mos vendosen veç trampolinave dhe disa zadra ku të mësohet noti si dikur? Madje në hyrje të molit le të vendoset dhe monumenti i skelarit Jani Hondro, që bëri histori në sportin e notit.

Filed Under: Komente

JU I KINI SOT, KËTU, TË GJITHA

June 26, 2023 by s p

Prof. Ylli Pango/

…Ju i kini sot…këtu…të gjitha liritë. Ju kini liritë të mos dini…ju i kini sot të gjitha liritë të mos mësoni…ju i kini…të gjitha liritë të injoroni, blasfemoni, mohoni, shtrembëroni…t’ja fusni kot a të shkatërroni…

…Ju i kini të gjitha liritë e ligësisë e të paditurisë…e sërish të mbretëroni…

…sot…këtu…në mbretërinë e pafund të “lirisë” së batërdisë, në “demokracinë” pa tru të padituri-ligësisë…

…Ju i kini sot të gjitha liritë të shpifni…ju i kini këtu të gjitha liritë…të shani..ju i kini…sot të gjitha liritë të intrigoni…ju sot i kini të gjitha liritë të gënjeni e mashtroni…të shtypni e shtrydhni e dërrmoni…pa mëshirë po dhe ashtu si pa u ndjerë…madje duke kërcyer e kënduar…sot…këtu…mbi piedestal të mbretit të mbretërisë së zgavërt të cektësi-zbrazësisë…mbështjellë në formë varak-bojatisur, kallangjosur të hipokrizi-shëmtisë…

…Ju i kini sot aty mbi fron, në duart tuaja, në pëqi, të gjitha dredhitë, helmet që ua blaton sistemi i ri i paudhësisë, “demokracia” e trashëgimisë, e bijës të

sistemit të shkuar të anti-njerëzisë…

…Ju i kini këtu tashmë, sërish mbuluar me petk mëndafshi të rremë të “demo-lumturisë”, të gjitha liritë e shtazërisë, e çnjerëzisë, lëshuar nga zinxhirët e së shkuarës së diktatit, të dhunës e të përdhunës…

…Ju i keni edhe liritë të shfryni, shtërzeni, shpërtheni…për të tentuar, të “kuroheni”, çliroheni, shpëtoni nga e keqja e madhe e ligësisë, paditurisë, ligësisë së paditurisë a paditurisë së ligësisë, barra e rëndë e mëkatit gjithshkafja që ndryni brenda vetes e që njëherë nuk do e mbani më dot… e që një herë do doni ta krreni nēmos do tua krrejnë me hir a me pahir…

…Ju i keni pra e do ti keni pashqitshmërisht mbi vete e në vete, të gjitha të zezat e nuk do të shpëtoni dot prej tyre, sado dëme të bëni rreth vetes e larg saj…

…Ju do i kini edhe ca kohë të gjitha këto…

…E megjithatë në një fund, do të jeni po ju…aq rëndë ngarkuar, përdhosur e shëmtuar…fatalisht destinuar…të mbysni veten a të mbyteni vetë prej të keqes që mbani brenda

…Askush që i ka pasur, të gjitha këto që ju kini, nuk ka shpëtuar soje gjer më sot…Sa e sa herë ju a ka treguar, ju ka dënuar, historia.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT