Gëzim Zilja/
Gjatë shëtitores bregut te detit, ndodhet një vend që quhet ende Plazhi i Ri. Sot pjesa e rërës është kthyer 100% në plazh privat ndërsa pjesa e Molit (kalatë, bankinë) me shtrirje në det rreth 100 metra është shndërruar 90% në kafene dhe 10% në gërmadhë ndryshku. Moli veçanërisht ka një histori të gjatë që bën krenar disa breza, përfshi Vlorën, me gjithë rrethinat. Aty një dorë e kujdesshme, kishte vendosur nja dy trampolino ku guximtarët hidheshin në stile të ndryshme duke krijuar figura në ajër sipas fantazisë së tyre. Për shumicën mjaftonin pjesët anësore me një thellësi jo më shumë se 2m ose 3m nga ku hidheshin lirisht me “kokë,” me “salto”, “këmbëkryq” ose me “këmbë”. Nuk kishe mësues për të mësuar stilet e hedhjes. Ishte jo vetëm një paradë guximtarësh por edhe takimesh e lidhjesh miqësish të reja. Sa vajza e djem të rinj u dashuruan në ato ambjente të thjeshta të atij plazhi në pjesën VIP ose jo VIP? Sa djem bënin të pamundurën të binin në sy të vajzave bukuroshe, në rërë e det, duke bërë lloj-lloj akrobacish e marrëzish? Aty janë zhvilluar gara noti në rang kombëtar dhe kampionate vaterpoli tepër të kualifikuara. Njw pjesë e rinisë e kishte një vend në verë ku argëtohej, dashurohej, lidhte miqësi, qeraste me një akullore, një pijë freskuese ose një birrë të ftohtë. Por kryevepra e atij vendi, që mbetet përjetësisht e pashlyeshme në kujtesën e vlonjatëve ishte hedhja me “kokë” ose me “këmbë” për herë të parë nga moli. Ishte një lloj pagëzimi ku merrnin pjesë vëllezër, motra, baballarë e miq. E shumta në moshën shtatë vjeç duhet të ishe hedhur nga moli, dmth të ishe pagëzuar për trimëri, guxim dhe nisiativë. Mund të mos dije dhe not qeni, por në ujë priste një xhaxhi ose vëlla i sprovuar. Nëse nuk kishe guxim dikush të merrte hopa dhe të hidhte me “dhunë” në ujë si një top futbolli. Fëmija vetvetiu dilte mbi ujë ku e priste i rrituri, mbështeste njwrën doçkëz mbi supin e tij dhe pllaq-plluq arrinte te shkallët. Kaq ishte e gjitha. Fëmijës së pagëzuar i dilte frika dhe me kohë perfeksionohesh të hidhej me kokë, e më guximtarët edhe nga trampolinua. Hedhja për herë të parë nga moli e notimi deri te shkallët e ngjitjes ishte një certifikatë se tashmë ti mund t’ia dilje, të mësoje të notoje lirshëm, të pushtoje detin edhe pse ishe ende fëmijë pesë apo shtatë vjeç.
Ky mol-simbol ku hyrja ishte e lirë duhet të ishte sot po në atë funksion: plazh publik dhe jo një kafene e plazh privat. Ka shumë miliardarë sot të Vlorë që janë pagëzuar vet por edhe fëmijët e tyre me certifikatën e guximtarit në atë mol, por të politizuar deri në thua dhe kurrnacë deri në qelizë asnjë nuk bën një investim modest që ky mol tu kthehet njerëzve dhe tradita të vazhdojë. Do thonë që pushtetarët e Tiranës patën guximin të lëvizin simbolet e sheshit të Flamurit, duke e tjerësuar atë shesh historik e as u kërcet për Molin e Plazhit të Ri?! Dikur atje njerëz tw gjallë, plot energji e guxim hidheshin nga moli e trampolina, garonin e notonin si peshq. Sot plazhi i ngjet nje varreze me zhezlongjet si arkivole tw hapura ku njerëzit të rinjë e të moshuar dergjen e rrotullohen me orë të tëra mbi to si shishqebap turku. Gjenerata të tëra u pagëzuan atje. Përse tradita mos të vazhdojë edhe sot me djemtë, nipat e mbesat e të mos vendosen veç trampolinave dhe disa zadra ku të mësohet noti si dikur? Madje në hyrje të molit le të vendoset dhe monumenti i skelarit Jani Hondro, që bëri histori në sportin e notit.