• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

Frymë atdheu

July 21, 2023 by s p

GOLEMI DHE VALËT E BREGDETIT SHQIPTAR

Skënder Karaçica

Shqipëria jonë po ndryshon përditë. Nuk do të vonohemi tashti në histori me fajin tonë, kështu me thotë mendja pranë valëve të bregetit shqiptar.

Durrësi sa e ka rritur shtatin e zhvillimit. Vijnë pajada pushuesit nga të gjitha anët etnike të atdheut për të pushuar me valët e bregdetit shqiptar. Adriatiku shqiptar në bashkon, u them me shpirt e zemër të mbushur me aromën e detit, pushuesve shqiptarë me frymë të atdheut…!

Golemi nuk fle! Golemi pret me zemër të hapur shqiptarët dhe mysafirët nga vendet e Evropës! Deti shqiptar është bërë për të gjithë industria e turizmit dhe kahet e zhvillimit ekonomik të shtetit shqiptar.

Kemi më se 420 kilometra të vijës bregdetare të Shqipërisë tonë! Ketë pasuri që na e dhuroi Zoti, duhet të shfrytëzojmë racionalisht dhe, përmes projekteve dhe të investimeve të huaja kapitale, ka ardhur koha që qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë të përmbyllin projektin madhor ekonomik çdo pëllëmbë e bregdetit shqiptar të bëhen kahe të zhvillimit për ardhmën me mirëqenie të kombit shqiptar!

Golemi, vera dhe deti, fryma e atdheut…!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Skender Karacica

“FIAMURI ARBËRIT” I JERONIM DE RADËS PËR REVISTËN “DRITA” TË SHOQËRISË SË STAMBOLLIT

July 21, 2023 by s p

GËZIM PUKA & GJOVALIN ÇUNI/

Lëvizjet letrare, faktet kulturore, ideologjitë e shekullit XIX, në rrafshin letrar dhe politik, mund të vëzhgohen dhe ndiqen në zhvillimin e tyre kompleks, përmes leximit të disa organeve periodike më përfaqësuese të këtij shekulli që solli në skenë Rilindjen tonë kombëtare. Nga vrojtimi i këtyre periodikëve, që përbëjnë edhe kujtesën tonë kulturore, del qartë jo vetëm profili i fenomeneve shoqërore, politike, fetare, shkencore dhe letraro-artistike, por njëkohësisht informohemi për grupet e intelektualëve dhe redaksitë që i dhanë jetë, i organizuan dhe i bënë me vlerë. Këto revista dhe gazeta përfaqësojnë në mënyrë konkrete frymën e punës të kësaj periudhe mbi temat e gjera të shqiptarisë së asaj kohe.

Duke shfletuar gazetën “Fiamuri Arbërit” (La bandiera dell’ Albania), që sipas gazetarit Blendi Fevziu, shënon ringjalljen e shtypit të vërtetë shqiptar dhe që doli nën kujdesin e një prej figurave më të spikatura të Rilindjes, Jeronim de Radës, na ra në sy një shkrim që përcjell një frymë të veçantë. Në numrin 12 të datës 30 tetor 1884 gazeta “Fiamuri Arbërit”, përcillte përmes editorialit të saj me titull “Laijm i ljuumun” (Notizia felice) një sihariq.

“Dual ndo est sa të daalj Constandinopul jatë Dittare skjipe Dritta. Chejo e ardhur na axen te stënëmit te puna e rend t’i përjermi të dimen e vettëghees Catundit t’ëën”.

De Rada ndërsa përshëndeste më gëzim simotrën e re të Shoqërisë së Stambollit, bënte thirrje “… për të përfituar jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga gjuha e kësaj reviste. Tek ajo edhe ne gjejmë me kënaqësi të madhe shumë fjalë, që duke qenë të veçuar, i kemi harruar”, shkruante ai, “…dhe na kujtohet se ca kohë më parë, zotërinjtë që botojnë “Dritën” na patën thënë se kishin besim se do të vinte dita që, gjuha e cila ashtu si edhe ne vetë, rronte e përndarë andej e ketë, do të mblidhej e do të bashkohej” .

Po le t’i kthehem përsëri argumentit. Përse i gëzohej De Rada gazetës së Stambollit?

Së pari, po promovohej një organ i ri shqiptar në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, Stamboll dhe së bashku më gazetën që ai drejtonte u bënë promovues të gazetarisë shqiptare, nxitën dhe frymëzuan krijimin e medias kombëtare , duke u bërë kështu zëdhënësit e çështjes kombëtare shqiptare.

Fillimi i fletorizmit në Stamboll lidhet me autoritetin e Sami Frashërit dhe më vonë me Jani Vreton, njëri prej anëtarëve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”, krijuar në Stamboll më 1877, si dhe me lejen e Portës së Lartë të vitit 1879, që lejonte “botimin e një organi të shtypit kulturor e arsimor shqiptar” .

Më 10 gusht 1884 nisi të qarkullojë e përkohshmja “Drita”. Që nga numri i dytë (diku del i tretë) revista mori emrin “Dituria”. Me një orientim të gjerë pedagogjik, kulturor, shkencor, letrar dhe shoqëror , motoja e revistës ishin idetë iluministe të Rilindësve “me ndritë mendjen e njerëzve, përmes lëvrimit të gjuhës shqipe”.

E përkohshmja “Drita-Dituria” përmes shkrimeve të ndryshme “diturake” dhe krijimtarisë letrare të Naimit, hodhi bazat e teksteve shkollore, por edhe të edukimit të shqiptarëve me elemente gjuhësore dhe kulturore.

Në aspektin publicistik “Fiamuri Arbërit” dhe “Drita-Dituria”, mund të cilësohen si vijuese dhe plotësuese të njëra-tjetrës në mjedisin shqiptar jashtë Shqipërisë. Secila nga ato në zhvillimet e shtypit të Rilindjes i takojnë nënndarjeve të ndryshme kohore. Sipas historianëve të gazetarisë Hamit Boriçi dhe Mark Marku, “Fiamuri Arbërit”, i takon nënndarjes së parë të shtypit shqiptar të viteve 1843-1883, ndërsa “Drita-Dituria” përcaktohet të jetë revista e parë e nënndarjes së dytë të shtypit shqiptar të viteve 1884-1896 .

Na befason fakti se De Rada në shkrimin e tij e komplimenton qëndrimin e Portës së Lartë ndaj këtij organi të ri të shtypit, siç ishte “Drita – Dituria”. Ja si e parashtron De Rada këtë qëndrim në rreshtat e këtij editoriali. “Në anën tjetër me ngazëllim për Dritën e madhe, të botuar në Stamboll, gjë që tregon se Porta e Lartë nuk është ajo mjegull që nuk lejon diellin e Shqipërisë, ashtu siç e bëjnë të duket zyrtarët e këqij të saj”.

De Rada i gëzohej daljes së një reviste a gazete shqipe, edhe për faktin se ai vetë e kuptonte se burimet financiare të periodikëve shqiptarë ishin të kufizuara. Si të tilla, ata kishin jetë të shkurtër. Ai i lumturohej daljes së çdo reviste që trajtonte problemet shqiptare, por tek shqiptarët e Stambollit, De Rada synonte të gjente trajtimin e saktë të të gjitha çështjeve, si dhe mundësitë e qarkullimit të gazetave për lexuesit e paktë në Shqipëri. Ai e kuptonte se zhvillimi i shtypit duhej të shoqërohej patjetër me lindjen e lexuesit, e kjo e fundit me zhvillimet kulturore që nisnin nga qendra drejt periferisë.

Tek ky “laijm i ljuumun”, De Rada do të gjente të justifikuar edhe mundin personal në zhvillimin e periodikëve shqiptarë, si një mundësi e rritjes së ndërgjegjes kombëtare përmes lëvrimit të gjuhës shqipe. Duke bërë bilancin e punës së tij në këtë drejtim në letrën drejtuar De Gubernatis në vitin 1893, ai shkruante: “Kur ndërpreva i rraskapitur “Fjamurin e Arbrit” efektet e tij në tokën mëmë ishin tepër të dukshme; një gazetë shqiptare “Drita” ishte krijuar në Konstandinopojë, një tjetër “Shqiptari” krijohej në Bukuresht. Në Athinë u krijua një Komitet për kultivimin e gjuhës shqipe dhe sulltani autorizonte bashkësinë brenda shteteve të tij të hapte shkolla në gjuhën shqipe”

Së dyti, në kontekstin kohor, Stambolli ishte qendra kryesore e shqiptarëve për krijimin e një alfabeti të unifikuar të gjuhës shqipe dhe i përhapjes së kulturës dhe diturisë brenda territorit shqiptar.

Tek “Laijm i ljuumun”, të cilit po i referohemi në këtë shkrim, De Rada nuk harron të na kujtojë përpjekjet e deriatëhershme për t’i gjetur shqipes shkronjat e duhura, por në të njëjtën kohë, ai vlerëson edhe përpjekjet e të tjerëve në këtë lëmë.

Ishte koha kur krahas përfshirjes në jetën politike, De Rada përpiqej për hartimin e një alfabeti e më pas të fjalorit të shqipes. Në përpjekjet për t’i dhënë shqipes “… një sistem grafik sa më të arsyeshëm dhe të pranueshëm” në periudhën e viteve 1834-1897, ai kishte paraqitur disa variante alfabetesh) . Në vitin 1871 kishte botuar edhe një gramatikë të gjuhës shqipe “ e dalë me emrin e djalit të tij Zefit, por e hartuar prej tij”. Pak kohë më vonë nën kujdesin e tij do të zhvilloheshin dy kongreset gjuhësore shqiptare, në vitin 1895 në Koriliano Kalabro dhe në vitin 1897 në Lugro.

Rilindësit kishin lidhje të forta, ndikime tek njëri- tjetri, por edhe kundërshti, të cilat u munduan që t’i përcillnin edhe përmes shkrimeve publicistike. Dihet tashmë ndikimi letrar që ushtroi De Rada tek vepra e Naimit. Rilindësit përkrahën tezën e De Radës mbi prejardhjen pellazgjike të shqipes, ndërsa Samiu i çmonte shumë punët që ai bënte.

Në një letër dërguar nga Stambolli më 20 gusht 1881, “Burrit të Ndritur të Mëmëdheut” shkruhet: “Kemi kënduar këngët që ke mbledhurë e punërat që ke bërë Zotëri e Juaj në gjuhënë tënë për kombi tënë, dhe e kemi pëlqyerë shumë, sikundërë edhe gramatikënë e zotit të ndërqurë djalit të zotërisë sate Z. Xhuzep Radës, të cilit i gëzohemi edhe e përqafojmë vëllazërisht”.

Kundërshtitë rridhnin ndonjëherë edhe nga moskuptimi i saktë i objektivave të Rilindjes nga De Rada. Mes kundërshtive ishin vlerësimet për alfabetin e Stambollit dhe debati për gjuhën letrare. Në letërkëmbimet e fillimit të viteve 1881, me vëllezërit Frashëri, duken qartë mosmarrëveshjet për krijimin e një alfabeti unik dhe të një gjuhe letrare të përbashkët. Përkundrejt vlerësimeve që Sami Frashëri i bënte alfabetit të Stambollit, De Rada e cilësonte atë “të përzier me shkronja sllave, ndoshta me latine dhe greke”. Të njëjtin qëndrim mbante edhe ndaj idesë së Sami Frashërit për një gjuhë letrare të përbashkët “të pandarë e të njëjtë e të begatë” . De Rada mendonte se në përgjithësi gjuha shqipe ishte ruajtur më mirë në ngulimet arbëreshe sesa në atdheun mëmë . Në letrën drejtuar Kamardës më 25 qershor 1865, ai i shkruante: “Atdheu mëmë mbeti në duart e të huajve që e shkelen më këmbë dhe e shfrytëzuan : ne u strehuam në vende të mbrojtura dhe shpëtuam” .

Pavarësisht konsideratave ndonjëherë edhe kundërshtuese, De Rada duke mos iu larguar botëkuptimit fetar të kultivuar në familje, e interpretoi si vullnet hyjnor dhe shpërblim nga Zoti punën e bërë për mbajtjen e Fiamurit të Arbërit, si dhe “daljen e periodikëve të tjerë shqiptare e lejimin e mësimit të shqipes në rajonet që i përkisnin Turqisë” .

Së treti, përsa i takon problemit kombëtar, De Rada i bashkohet synimeve politike të rilindësve të kohës, sigurimit të autonomisë të shqiptarëve brenda Perandorisë. Sipas tij shqiptarët pa asnjë përkrahje, duhet të gjejnë tek Perandoria Osmane mbështetjen e duhur, ashtu sikurse edhe kjo e fundit duhet të këtë besim tek shqiptarët.

Çështja kombëtare kishte filluar të propagandohej në Stamboll. Patriotët e njohur shqiptarë, nëpunës në Stamboll, por edhe funksionarë të lartë të Perandorisë me origjinë shqiptare, përpiqeshin për identitetin kombëtar dhe perspektivën e një shteti të ardhshëm.

De Rada dhe lëvizja kulturore e arbëreshëve të Italisë, të cilën ai e udhëhoqi për 50 vjet, ishte përpjekja më e rëndësishme kulturore dhe politike për Rilindjen Kombëtare të shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit XIX.

Në artikullin “Laijm i ljuumun” shfaqen pikëpamjet e De Radës, i cili i rikthehet edhe njëherë çështjes së synimeve grabitqare të shteteve fqinje ndaj tërësisë territoriale të Shqipërisë, të institucionalizuar përmes idesë së Federatës Ballkanike. “Sot mbetet vetëm Greqia dhe ndonjë shoqe e saj me dëshira të këqija, e cila jo në ëndërr, por në zgjëndërr punon për keq përmes gazetave të saj për testamentin e Turqisë”.

Këtë fakt e thekson biografi dhe studiuesi Jup Kastrati në monografinë “Jeronim de Rada-jeta dhe vepra”, ku vihet në dukje qasja analizuese dhe e zgjuar e De Radës për planet shoviniste të fqinjëve.

“Laijm i ljuumun” i botuar në “Fiamuri Arbërit” të datës së largët 30 tetor 1884, na ndërmend se këto gazeta, qarqet dhe sferat e kulturës që ato përfaqësonin, lindën dhe u rritën, si një nevojë idealiste e njerëzve që qëndronin prapa tyre. Natyrshëm historiografia jonë i ka përcaktuar si rilindësit e vërtetë të këtij kombi, për vetë faktin se nuk e pretendonin domenin e kulturës. Është kjo arsyeja që ata nuk qenë përjashtues, por përkrahës të fuqishëm, të zellshëm deri në sakrificë ndaj njëri-tjetrit.

REFERENCA:

De Radës vë 100 – vjetorin e vdekjes. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 2003, 425 f.

BORIÇI, Hamit; MARKU, Mark: Historia e shtypit shqiptar 1, Shtëpia botuese “Ufo Univerisity Press”, Tiranë, 2007, 256 f.

Buletin i Universitetit Shtetëror, Seria e Shkencave Shoqërore, Tiranë, nr. 1/ 1959, f.

FEVZIU, Blendi: Histori e shtypit shqiptar: 1848-2005, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2005, 188 f.

“Fiamuri Arbërit” (La bandiera dell’Albania) nr. 12, datë 30 tetor 1884.

KASTRATI, Jup: Jeronim de Rada: jeta dhe veprat, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1979, 238 f.

PETROTA, Gaetano: Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Shtëpia botuese “Almera”, Tiranë, 2008, 624 f.

OSMANI, Tomor: Udha e shkronjave shqipe, Shtëpia botuese “Idromeno”, Shkodër, 1999, 576 f.

Filed Under: ESSE

Projektligji për studentët e mjekësisë është antikushtetues

July 21, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Projektligji për studentët e mjekësisë është antikushtetues. Ai zeron autonominë dhe vendim-marrjen e arsimit të lartë publik dhe cënon të drejtën themelore të studentit-qytetar për arsim të lartë të pakushtëzuar dhe për specializim të lirë në profesion. Është një projektligj i denjë për vende si Korea e Veriut dhe Kuba, por jo për Shqipërinë.

I. Po i mbyllim studentët jo me viza, por me ligj!

I ftuar në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, një student i mjekësisë u shpreh se tashmë nuk janë të mbyllur më me viza por me projektligjin e qeverisë Rama. “Unë kam pasur ëndërr që pasi të mbaroja studimet këtu dhe të specializohesha jashtë, më pas të kthehesha prape këtu, por edhe këtë mundësi po na e hiqni”, cilësoi ai.

Projektligji e detyron mjekun te specializohet në Shqipëri dhe shume shpejt nuk do te kemi më mjek të specializuar jashtë vendit, per nje profesion qe vjeterohet me ore dhe jo me dite! Pas disa vitesh nuk do të kemi më mjek të specializuar jashtë.

Për projektligjin do të duhej të ishin shprehur të gjithë personalitetet mjekë që janë sot pedagogë të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, por kjo nuk ndodhi dhe është shembull i qartë i politizimit të skajshëm të arsimit tonë të lartë publik dhe i frikës që këta pedagogë kanë, po të shprehen lirisht.

Në anën tjetër, qeveria shpërfill diskutimet për projektligjin në komisionet e Kuvendit dhe vjen me nivele të dyta dhe të treta të përfaqësimit, madje nuk pranon as t‘u përgjigjet pyetjeve. Urdhri i mjekut është strukur, ndërkohë që studentet e mjekësisë do të jenë shumë shpejt profesionistë të Urdhrit, të cilët, me ligj, duhet t‘i përfaqësojë ky urdhër.

Përballë argumenteve që sollën studentët, përfaqësuesit e qeverisë u treguan refraktarë, populistë dhe nuk ofruan argumenta logjikë. Nuk është e ndershme dhe profesionale, që qeveria të shkarkojë të gjithë problematikën e mungesës së mjekëve, në fraza si gjoja “patriotizëm i pamjaftueshëm” apo “atdhedashuri e pamjaftueshme” e studentëve të mjekësisë.

Si mund të prezantosh për argument faktin që studimet në mjekësi janë të shtrenjta dhe studentët janë borxhli ndaj shtetit?! Mos vallë prindërit e tyre nuk paguajnë taksa, njëlloj si prindërit e studentëve që studiojnë shkencat teknike, të cilat kanë edhe ato kosto shumë të përafërt?!

Projektligji duket qartë se ka ardhur nxitimthi, gjë tipike për nismat ligjore të sektit Rama në qeverisje. Ai nuk është konsultuar mjaftueshëm, jo vetëm me grupet e interesit, por as edhe me stafin akademik të Universitetit Mjekësor të Tiranës, për të mos folur për mjekë, personalitete që e njohin mirë sistemin shëndetësor të vendit tonë.

Dua të sjell rastin e mjekut të shquar shqiptar Kita Sallabanda, i cili punon si neurokirurg në Spanjë dhe ofroi pardje publikisht, në një intervistë televizive, tre rrugët që ai mendon, për të motivuar mjekët të qëndrojnë në Shqipëri.

Së pari, përmes një politike shëndetësore, ku një pjesë e mirë e të drejtave të studimit për mjekësi të jepen nga studentët që vijnë nga zona të thella të vendit. Së dyti, qeveria të krijojë kushte për mjekët që punojnë nëpër rrethe dhe në fshatra, duke u dhënë shtëpi, duke krijuar atë që quhet shtëpi e mjekut. Mjekët të banojnë në shtëpitë e shtetit dhe kur mbarojnë ciklin e tyre të punës, kthehen. Se treti, qeveria të pajisë çdo qendër shëndetësore, kudo ku ajo ndodhet, me elementët e domosdoshëm që mjekët të punojnë.

II. Projektligji: gjobë e pafytyrë dhe mase enveriste

Projektligji nuk jep asnjë zgjidhje, për të mos folur për zgjidhje të qëndrueshme, të sigurimit të numrit të nevojshëm të mjekëve dhe të shpërndarjes së tyre në të gjithë territorin. Ai nuk adreson problemin themelor që kemi me ofrimin e shërbimeve mjekësore në vend.

Duke qene cenues ne raport me Kushtetutën, projektligji mund të shfuqizohet menjëherë nga një mazhorancë tjetër qeverisëse.

Numri i pamjaftueshëm i mjekëve është pasojë e politikëbërjes se gabuar te sektit Rama në mjekësinë tonë publike, dhe jo faj i studentëve të mjekësisë, të cilët gjoja paskan prirje të emigrojnë në masë. Sikurse vetë studentët e thanë me forcë në komisionet e Kuvendit, asnjë prej tyre nuk dëshiron të lërë vendin, nëse do të kenë mundësi të specializohen jashtë dhe të kthehen të ushtrojnë me dinjitet profesionin.

Nuk mund të shkarkojmë problemet e mbartura të mjekësisë sonë publike në këto dhjetë vite keq-qeverisje, vetëm në kurriz të studentëve dhe mjekëve të rinj të 3-4 viteve të ardhshme!

Qeveria nuk ka pse t’ua mbyllë vendin e tyre studentëve të mjekësisë me ligj, si të ishim në kohën e diktatorit Enver Hoxha! Profesioni i mjekut vijon të jetë tejet i kërkuar edhe në vendin tonë dhe profesionistët me nivel të mirë shkencor mund të ndërtojnë shumë mirë jetën e tyre në Shqipëri. Mbajtja e mjekëve në atdhe kërkon reforme tërësore, zgjidhje racionale dhe të qëndrueshme, dhe jo gjoba prej 5 mijë e treqind euro në vit, për të paguar studimet e mjekësisë, nëse largohesh. Shifër kjo, që, për më teper, nuk kuptohet se nga cila analizë profesionale e kostove të arsimimit mjekësor tek ne ka dalë.

Është e sigurt se tregu ndërkombëtar për mjekët do të rritet në vitet dhe dekadat që do të vijnë dhe do të jetë gjithnjë e më atraktiv për mjekët e rinj të vendeve që nuk afrojnë kushtet e duhura të ushtrimit të profesionit, përfshirë edhe vendin tonë. Por kjo perspektivë nuk mund të përballohet me ligje-gjoba dhe masa mbylljeje të stilit enverist.

III. Në vend të një ligji-gjobë, reformë tërësore në mjekësinë publike

Relacioni i këtij projektligji nuk trajton dhe injoron çdo mundësi zgjidhjeje të problemit të mungesës së mjekëve, në kuadër të studimeve specializuese afatgjata. Lind pyetja: a mund të ndërmerret tek ne një reformë e këtyre studimeve? A mundet që viti i parë i specializimit të realizohet si mjek i përgjithshëm i shërbimit parësor dhe në spitalet rajonale dhe të rretheve, nën drejtimin e një profesori të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe të shefit të shërbimit të spitalit rajonal, me një shkallë të kërkuar kualifikimi?

Sigurisht që po! Ky model ekziston edhe në vende të tjera, madje dhe në vende të rajonit tonë, ku specializimi nuk realizohet gjithë kohës pranë klinikës universitare.

Relacioni i projektligjit thotë që mungesat në mjekë hasen në spitalet rajonale të qarqeve dhe të rretheve, si dhe në shërbimin parësor të qendrave shëndetësore në njësitë administrative të vendit. Ky problem zgjidhet pa qenë fare nevoja për këtë ligj!

Ai merr zgjidhje të qëndrueshme, me disa hapa të reformës tërësore në mjekësi. Së pari, me ndryshimin e kurrikulës së studimeve universitare dhe të specializimeve. Studentët në vitin e 6-të të universitetit, të punojnë si stazhierë (intership) në rrethe dhe, pas diplomimit, të bëjnë vitin e parë të specializimit si mjek të përgjithshëm po në rrethe.

Së dyti, duke rritur statusin e shërbimeve të specializuara në spitalet e rretheve, duke emëruar mjekë me kualifikim të lartë në krye të shërbimeve, që të gëzojnë edhe statusin e pedagogut në Universitetin Mjekësor të Tiranës.

Së treti, duke realizuar fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve në spitalet rajonale dhe në qendrat shëndetësore në njësitë administrative të vendit, përmes Vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Së katërti, qeveria të përgatisë dhe lançojë një program Brain Gain, duke u përqëndruar në tërheqjen në Shqipëri të mjekëve shqiptarë të kualifikuar, që dëshirojnë të kthehen dhe të drejtojnë shërbimet e specializuara në spitalet rajonale, duke qenë njëherazi edhe pedagogë të Universitetit Mjekësor të Tiranës dhe duke u mundësuar paga konkurruese. Një program i tillë është tërësisht i mundur edhe nga ana buxhetore.

Kaq e thjeshtë është, por ju nuk doni të kërkoni zgjidhje racionale, afatgjata dhe të qëndrueshme. Duke pare këtë absurditet dhe aventurizëm tuajin, të lind natyrshëm pyetja: me rritjen e tarifave tek Universiteti Mjekësor i Tiranës përmes këtij ligji, që do të sjellë edhe rritjen e menjëhershme të tarifave në universitet jo-publike që kanë degë të shëndetësisë, mos po kërkoni të realizoni pozicionin kartel edhe në shërbimet mjekësore në arsimin tonë të lartë?! Nuk ju mjaftojnë kartelet në ekonomi?

xxx

Nëse do të bëhej një reformim si më sipër, atëherë çdo mjek specializant do të bënte vitin e parë të specializimit në spitalet rajonale. Kjo nuk e cënon aspak nivelin e specializimit. Përkundrazi, e rrit atë, sepse mjekët e rinj do të kishin mundësi të fitonin një përvojë praktike shumë më të mirë, përpara se të thelloheshin në një specializim të ngushtë, edhe jashtë vendit.

Reforma e studimeve të specializimit duhet të zhvillohet paralelisht me atë të shërbimeve të specializuara të spitaleve rajonale. Gjykoj se kjo qasje është shumë më realiste, për sigurimin e numrit të mjekëve në rrethe. Ajo, sigurisht, kërkon jo këtë ligj-gjobë, por garantimin që:

1. Çdo mjek i ri të ketë mundësi reale për t’u specializuar

2. Të gjithë mjekët e rinj të specializohen me vend pune si mjek i licencuar i përgjithshëm dhe te paguhen me pagë të plotë, madje të rritur

3. Të kryhet reforma e kurrikulës së specializimeve në mjekësi, në të cilën viti i parë është shërbim parësor nën udhëheqjen e shefit të Shërbimit të Spitalit Rajonal dhe një pedagogu me kualifikimin e nevojshëm akademik të UMT;

4. Të realizohet reforma e studimeve universitare në mjekësi, për të shkuar tek modeli i shumë vendeve, sipas të cilit viti 6-të është vetëm stazh profesional, i cili kryhet nën udhëheqjen e një pedagogu të fakultetit dhe shefit të shërbimit të spitalit rajonal.

Gjykoj se ka akoma kohë që te sprapseni dhe qeveria të mendojë për një zgjidhje më racionale dhe më të qëndrueshme, e cila e bën të panevojshëm këtë ligj absurd, aventurier, të përkohshëm dhe jo realist.

Filed Under: Ekonomi

Libri “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, biografia e munguar e Ismail Qemalit

July 21, 2023 by s p

Për herë të parë një botim i plotë për Ismail Qemalin si LIDERSHIP!

Një libër që duhet ta ketë çdo shqiptar në bibliotekën e tij!

Nga EVARIST BEQIRI

Veç mitit të krijuar, pak dihet dhe pak flitet për aftësitë e vërteta dhe të jashtëzakonshme të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Lidershipi është një rrugëtim e jo një destinacion. Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte.

Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet.

Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë.

Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes.

Lidershipi është një proces i ndërlikuar, por në thelb ai ka të bëjë me aftësinë e liderit për të formësuar mendimet dhe veprimet e atyre që ai udhëheq. Një lider është i aftë të realizojë ndikimin nëse arrin të kuptojë se, përse njerëzit me të cilët ai punon,

mendojnë, ndihen dhe sillen ashtu siç bëjnë. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai ishte i aftë të kontrollonte, organizonte, mbikëqyrte dhe analizonte.

Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Karakteri është thelbi i lidershipit. Edhe zgjuarsia, edhe strategjia luajnë rolin e tyre, por pa karakterin e fortë ato nuk shërbejnë shumë.

Disa nga cilësitë e lidershipit të tij i shohim natyrale, disa ai i zhvillon me vetëdije përgjatë jetës së tij. Studimet mbi lidershipin evidentojnë si element thelbësor të këtij procesi liderin dhe kontekstin ku ai bashkëvepron me ndjekësit. Rrethanat shoqërore, historike, politike dhe mjedisi ku lideri vepron kanë rëndësi dhe nxjerrin në pah cilësitë e veçanta të tij.

Ismail Qemal Vlora nuk ishte një lider i prefekt dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz të prefekt. Por, ai i donte pa kushte njerëzit e tij dhe synonte përsosmërinë. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar.

Lidershipi, më tepër se një disiplinë shkencore është arti i udhëheqjes së njerëzve nga vetë njerëzit. Kthimi pas në kohë për të ravijëzuar dhe karakterin e personazheve që kanë bërë krenare historinë tonë është një mënyrë jo vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të ndërtuar veti dhe elemente që posedon një lider i vërtetë.

Ismail Qemali është lideri transformues, i cili afron diçka për t’u përvetësuar nga brezat e rinj të liderëve dhe te biznesit. Stili i lidershipit dhe filozofia e udhëheqjes së Ismail Qemalit paraqet interes për liderët e tanishëm.

Vlerësime për librin:

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”

ISMAIL KADARE

“Libri me titullin kuptimplotë “Themeluesi”, i shkruar me shumë dashuri nga studiuesi i ri, Evarist Beqiri, më shtyu të thërras edhe njëherë së brendshmi se Ismail Qemal Vlora është figura më e ndritur politike e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore. Ky është modeli i liderit që ne duam sot!

Autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit.

Metodologjia e këtij libri i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë. Duket si një analizë më së shumti tredimensionale, e cila e ndihmon autorin ta shohë heroin e tij në një hapësirë të gjerë, duke nxjerrë në pah tiparet e tij si lidership, jo vetëm në dritën e kohës në të cilën punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm.”

AURELA ANASTASI

“Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.

Falë një pune të mundimshme autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj.

Po kështu na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.”

NEVILA NIKA

“Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike.” ALBERT HABAZAJ

“Autori është mbështetur në një literaturë të gjerë e të pasur me studiues shqiptarë këtej e andej kufirit, studiues të huaj, burime arkivore duke shfrytëzuar variante shkrimore origjinale, si dhe në multimedian.

Gjuha e përdorur është e kuptueshme për të gjitha shtresat, si rrjedhim ka qasje që lexuesi të jetë i gjerë.

Si talent i fushës, veçanërisht i lidershipit, Evaristi sjell të vërteta historike të zhveshura nga paragjykimet duke ndihmuar të ardhmen.”

MONIKA HASANI

“Evarist Beqiri na sjell modelin më të mirë të lidershipit, atë të Ismail Qemalit. Në studimet tona jemi mësuar ta shohim ndryshe të trajtuar figurën e Ismail Qemalit. Bie në sy marrja në konsideratë e të dhënave të shumta, të rralla e shumë të vyera që studiuesi ka vendosur në fokus të punimit të tij. Një punë tejet e mundimshme , kur bëhet fjalë për analizimin e një figure të jashtëzakonshme si Ismail Qemali, e cila këndvështrohet në disa drejtime.

Në librin “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”, autori jo thjesht e lartëson figurën e Ismail Qemalit, por e analizon gjatë përmes një strukture që nxit mendimin kritik. Përmes një analize të thellë autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider që “udhëheq me shembullin e vet”.

Ky libër është biografia e munguar e Ismail Qemalit, parë nga një vështrim tridimensional i Evarist Beqirit, i cili na ndihmon ta shohim ndryshe themeluesin e shtetit shqiptar. Autori i nxjerr tiparet e tij si lidership në dritën e kohës. Libri i përket zhanrit biznes lidership dhe ofron një qasje që nuk është sjellë më parë në Shqipëri.”

EDLIRA ÇERKEZI

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, është libri i vetëm që është shkruar për një figurë historike nga pikëpamja e lidershipit. Miku im, Evaristi, ka shkruar një libër brilant.”

ENVER HOXHAJ

JU NJOHIM ME AUTORIN E LIBRIT

Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 diplomohet “Jurist” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2017, fiton gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Në vitin 2010, përfundon Shkollën e Studimeve Politike të Këshillit të Evropës. Prej 15 vitesh shërben në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare. Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht është konsulent ndërkombëtar i UNODC dhe OSBE-së. Njëkohësisht prej vitesh Evarist Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në lëndën: E Drejta Kushtetuese; dhe në Universitetin “Luarasi”, Fakulteti i Ekonomisë, në lëndën: Lidershipi. Ka botuar gjithashtu një parathënie origjinale në librin e përkthyer prej tij “Lidershipi i John F. Kennedy” (2013). Në vitin 2022, ka botuar librin “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”. Me këtë botim është vlerësuar nga platforma “Bukinist.al” dhe blogu “Leximtari”, si libri më i mirë i vitit 2022, në kategorinë e librit non-fiction dhe studimor. Njëkohësisht, libri “Themeluesi” është shpallur finalist i çmimit “Lumo Skëndo”.

Filed Under: Analiza

Zëvendëskryeministri Bislimi: Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në plotni

July 20, 2023 by s p

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në raundin e radhës të negociatave të nivelit të kryenegociatorëve, në kuadër të procesit të dialogut. Ai pati takim bilateral me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.

Në këtë takim, u diskutuan 4 tema kryesore. Tema e parë ishte ajo e planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, për të cilën zëvendëskryeministri Bislimi tha se:

“Eshtë parë nevoja të punohet më tej në konkretizimin e disa dokumentave të rëndësishme për të siguruar zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Tek plani i sekuencimit, ne kemi brenga me draftet e deritanishme që z. Lajçak i ka dërguar palëve tona, për arsye se mendojmë se ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Në këtë drejtim ne kemi tentuar që sot bashkë me palën serbe, në një takim trilateral të vendosim të gjitha obligimet që palët ndërmarrin nga Marrëveshja Bazike, në një plan të detajizuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje.’’

“Fatkeqësisht nuk ka patur takim trilateral, por z. Lajçak ka menduar që kjo nuk mund të ndodh në këtë fazë sepse nuk e garanton konkretizimin final të planit të zbatimit. Ne ia kemi listuar dhe dhënë me shkrim BE-së të gjitha kërkesat tona apo obligimet që mendojmë se duhet të bijnë mbi palën serbe dhe duhet të konkretizohen përmes planit të zbatimit. Tani presim për hapat e rradhës.”

Tema e radhës ishte ajo e termave të referencës për Komisionin e Përbashkët që ka të bëjë me zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur: “Këtu kemi pas disa komente, pjesa më e madhe e të cilave është përshëndetur dhe pranuar nga ana e z. Lajçak. Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilin ata duhet të merren dhe mendoj që ky dokument është shumë afër adoptimit final që kishte me i hap rrugë dhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët.” tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Tema e tretë e diskutuar është për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët i cili merret me monitorimin e zbatimit të Marrëshjes Bazike: “Edhe këtu pala jonë ka prezantuar komentet që kanë të bëjnë kryesisht me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara dhe në Marrëveshjen Bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse, ekzekutive, nuk mund të zëvendësojë trupa të tjerë dhe mendoj që dhe këtu kemi patur gjuhë të përbashkët, kemi shkëmbyer dokumentet e edhe këtu presim ecje tutje.” sqaroi zëvendëskryeministri Bislimi.

Tema e katërt është ajo e energjisë. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi shpjegoi se “Në takimin e fundit që kemi patur në Bruksel ka patur një keqinterpretim nga ana e BE-së për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratisllavë është eliminuar ky keqkuptim dhe mendojmë se jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës mes Keds-it dhe Elektrosever-it.”

I pyetur nga gazetarë sa i përket masave ndëshkuese të BE-së, ai tha se: “Dakordimi (i Bratisllavës) ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe i përgjigjet këtyre kërkesave. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian.”

Në fund, zëvendëskryeministri Bislimi shpjegoi më gjerësisht mbi planin e sekuencimit dhe kërkesat e Kosovës: “Nga propozimet tona të sotme në takimin bilateral me z. Lajçak, kemi treguar për secilën masë apo veprim, se nga cili nen i Marrëveshjes Bazike buron dhe kemi kërkuar interpretim nga BE-ja se a pajtohen që kjo masë buron nga Marrëveshja Bazike apo jo.”

“Për aq kohë sa nuk mund të dokumentohet që kërkesat e Kosovës nuk derivojnë nga Marrëveshja Bazike është problem për BE-në të thotë që këto nuk duhet të jenë pjesë e zbatimit, për arsye se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në plotni.”

“Ne kemi kërkuar që të ketë qartësim të plotë të hapave në mënyrë që të respektohet vetë kriteri i dhënë nga BE-ja ku thuhet që zbatimi duhet të ketë një mënyrë konsekutive ku Kosova bën diçka e Serbia bën diçka. Për çdo masë, për çdo veprim që kërkohet nga Kosova, ne kemi kërkuar të dijmë se cili është kundërveprimi nga ana e Serbisë dhe mendoj që do të jetë problematike për palën serbe të argumentojë se ata nuk duan të zbatojnë ndonjë pjesë të marrëveshjes ose duan që pjesë kryesore të marrëveshjes t’i zhvendosin për në fund, për arsye se kriteri i veprimeve ku të dyja palët bëjnë diçka duhet të respektohet në plotni.” përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT