• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare

August 23, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Sot në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare ju prezantojmë me dy nga objektet kryesore në lidhje me këtë datë të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Objekti i parë është: Pantallonat e Gjon Vatnikaj (Tunxhi). Këto pantallona janë të arnuara me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhi, gjatë kohës së internimit. Objekti është pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar dhe eskpozohet në Pavijonin e Terrorit Komunist në Shqipëri.

Objekti tjetër i përket Margarita Tutulanit (1925-1943), Heroinë e Popullit. Pushkatuar në moshën 19 vjeçare së bashku me të vëllain Kristaq Tutulani, më 6 korrik 1943 nga fashistët italianë. Xhaketa është mbajtur nga Margarita ditën e pushkatimit, gjë që e dëshmojnë njollat e gjakut të dukshme edhe sot. Objekti është i ekspozuar në Pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për publikun e gjerë.

Për të mësuar më tepër rreth këtyre ngjarjeve ju ftojmë të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar.

Filed Under: Histori

MËRGIMTARI I VJETËR

August 23, 2023 by s p

Muç Xhepa/

Sot e tërë dita ka qenë me shi, e zymtë; në fakt po bëhet një javë që shiu nuk pushon. Kam parkuar pranë metrosë së Silver Springut. Uberi nuk ka kërkesa, pak makina qarkullojnë në rrugë. Nata mbulon ngadalë pjesën veriore të stacionit, një godinë me arkitekturë moderne me tri kate. Ndërtim futurist. Ka kushtuar sa të ndërtonin edhe dy stacione të tjerë. Shkiste dheu nën peshën e betonit. Qendra e Silver Springut ka ndryshuar shumë. U vendosëm këtu para njëzet e pesë vjetësh. Atëherë vetëm dy binjake, ndërtesa pesëmbëdhjetëkatëshe me tullë të kuqe, zbukuronin vendin.

I porsaardhur në Amerikë, më fton për darkë një miku im i vjetër, i persekutuar në sistemin komunist. Xhaxhai i Thoma Dunit ishte arratisur nga Dhërmiu menjëherë pas pushtimit komunist. Shkoj bashkë me Spiro Dunin. Takohemi të tre në Amerikën e ëndrrave. Thomai na pret me gjithë të mirat. Vijmë të pangrënë dhe të paditur në kryeqytetin e botës. Çomja, kështu e thërrisnim në Shqipëri, na tregon përse ishte arratisur Arqilea, xhaxhai i tij.

– I njihte mirë ata që vinin, kishte qenë me ta në mal. Luftuan të gënjyer për një ditë tjetër. Arqilea u arratis me barkë, ishin një grup shokësh. Bëri mirë, por e vuajtëm ne të tjerët, sidomos babai, – thotë Çomja dhe fshin ballin e lagur. – Nuk është e lehtë të harrohet vuajtja me një të fshirë të ballit.

Ka të drejtë, them me vete. I privuan nga shkollimi, puna e kualifikuar, u rrëmbyen pronën e mbi të gjitha lirinë.

Shfletoj librin që kam marrë me vete, “Gjashtë muaj të kuq në Rusi”, i Louise Bryant; emri i vërtetë i autores është Ann Reed. Gazetarja amerikane, e cila hyri në Rusi ditët e para të përmbysjes së madhe, tregon një episod që e paralajmëron se çfarë e pret në parajsën komuniste. Një mërgimtar i moshuar kishte braktisur Rusinë e Carit dhe kishte jetuar për një kohë të gjatë në Londër.

“… në shekullin e artë, ai kthehej në shtëpinë e tij për të kaluar ditët e fundit në paqe, në Rusinë e lirë, të lumtur e të begatë… Në kufi mbërtheu me nervozizëm ushtarin e parë nga krahu.

– Çfarë ke për të më thënë, ushtar i popullit? – e pyeti me zë të lartë. – A nuk është nëna Rusi e lirë tani? Ajo që vjen pas, do të jetë veç lumturi e paqe!

– Puna e vërtetë tani fillon, – thërritën në grup disa ushtarë pranë tij. – Tani do të ketë më shumë luftë e më shumë të vrarë! Ju të qëmotshmit kurrë nuk do ta kuptoni se puna sapo ka nisur. Përse, si thua ti, nuk ka armiq të jashtëm dhe tradhtarë të brendshëm?

Mërgimtari i vjetër papritur u tkurr, filloi t’i shfaqej lodhja në fytyrë.”.

Uberi më dërgon mesazh të marr Ranën. Është tetë milje larg, koha me shi i ka trembur shoferët e Uberit. Në unazë, stacioni i radios ndërpret transmetimin, ndërhyn zëri dixhital i emergjencës: “Futuni në strehimin më të afërt të mundshëm, tornado po vjen”. Në unazë nuk jam vetëm; automobila të tjerë çajnë si motoskafë lumin e rrëmbyer që zbret nga qielli.

Ndaloj te hyrja e qiellgërvishtësit të qelqtë. Si në dritë hëne dallohet ylli në ngjyrë blu me logon e bardhë, “Lockheed Martin””. Hapen dyert automatike, një artiste filmi e viteve shtatëdhjetë afrohet plot elegancë. Rreth të dyzetave, me trup të gjatë, veshur me fustan bojëqielli, me pala në fund, i prerë mini, ku bien në sy këmbë të drejta, të mbushura, seksi. Hap derën e parë.

– Më thoni që jeni nga Korça!

Mbetem i shtangur. Fjalën “Korça” e shqipton me “r” të fortë, të amerikanizuar.

– Mund të ulem në sediljen e parë, pranë jush?

O Perëndi! E paske krijuar me dorën tënde, them me vete.

– Kur po prisja, lexova komentet për ju; mbresëlënëse, – thotë Rana e më sheh në sy me mall, sikur të ketë takuar vëllanë, që ka vite pa e parë. – Prindërit e mi janë korçarë, më saktë gjyshërit.

Buzëqesh. Me tipare të theksuara, flokë të zeza me valë, vetulla të larta, të marra lehtë, të zeza korb edhe ato, lëkurë të bardhë, të hollë e të ndritshme, hundë ilirike, të drejtë, të ngritur pak në majë, buzë të harkuara, të plota, joshëse, fytyrë të gjatë, me mollëza të dala pak, qafë elegante.

Me kë më ngjason kjo bukuri hyjnore? – pyes veten. Ah, e gjeta, ka nga Irene Papas, them me zë të brendshëm. Rana e dëgjon, apo të tjerë t’ia kenë thënë më parë?

– Nga një gjak jemi, – i them me mirësi.

– A do të nisemi, kemi udhë të gjatë?

I humbur në bukurinë e saj, po qëndroj më gjatë.

– Më falni, u trullosa!

Rana prek lehtë dorën time mbi timon. Kam dëgjuar shumë bashkëmoshatarë se para një bukurie magjepsëse të krijohet i njëjti emocion, të duket vetja si një djalë njëzetvjeçar. Eh, gënjejnë veten të ngratët! Edhe unë bashkë me ta sot, i them vetes.

Rana nuk m’i ndan sytë. Shiu vazhdon të bjerë me forcë mbi xhamin e parë. Vendmbërritje ka adresë në perëndim të Potomakut. Tridhjetë minuta udhëtim. Zona ku banon është nga më të shtrenjtat në Uashington. Futemi në unazë. Automobilat janë rralluar. Ora po shkon nëntë e gjysmë.

– Jo, nuk jam nga Korça. Por e kam në zemër Korçën.

– Jeni nga Shqipëria londineze?

Është e para herë që e dëgjoj nga një grua me prejardhje shqiptare.

– Po, e thatë saktë, nga ajo copëz që mbeti, pasi e shqyen fuqitë e mëdha.

Rana e flet anglishten bukur, me theks amerikan, por aty-këtu ka interferenca të një gjuhe tjetër, jo shqipes. Petro Zheji i madh e quan shqipen nëna e gjuhëve dhe ne të tjerët e kemi parë forcën e saj kur kemi mësuar gjuhë të huaja. Sa me lehtësi e kemi përvetësuar gramatikën dhe pa asnjë problem kemi shqiptuar saktë tinguj të veçantë. Ndërsa Rana përdor “B” në vend të “P”.

– Ju thatë gjyshërit…?

– Gjyshi nga ana e babait u largua me mbretin. U vendos në Kajro dhe atje ndërroi jetë. Nga nëna ikja ishte tragjike. Gjyshi u arratis gjatë luftës civile. E ndiqnin forcat komuniste serbo-shqiptare në Korçë. Mori gruan dhe fëmijën e vetëm, nënën dy vjeçe, dhe u bashkua me një grup të njohurish, që po kalonin kufirin në malin e Gramozit. Te liqeni i Gramozit i zuri nata. Fshatari udhërrëfyes u kërkoi para të tjera, ata nuk kishin. Ia kishin dhënë të tëra një ditë më parë. Fshehurazi fshatari i braktisi.

Rana tregon dhe mua më tingëllon i freskët tregimi i arratisjes së një mikut tim, Genc Korçës. Edhe ai në fillimin e viteve pesëdhjetë.

Më telefonoi një natë dimri në orët e vona nga Detroiti. Kishte qenë në spital, kishte probleme me frymëmarrjen. E pata pyetur të më tregonte si ishte arratisur.

– Kishim ditë që rrinim të fshehur në shpellë, – zëri i përzihej me zhurmën e ajrit që i futej me vështirësi në mushkëri. – Ushqimet na mbaruan. Malësori, që më kishte marrë përsipër të më nxirrte matanë, filloi të mos më japë gjë për të ngrënë. Nuk kisha me çfarë ta paguaja prapë. Ia kisha dhënë të gjitha ç’kisha kur lidhëm marrëveshjen në Shkodër. Miqtë e babait, që më kishin marrë në mbrojtje, kishin hallet e tyre; ata ishin me familje dhe fëmijë të vegjël. Uria po më mposhte. Një natë m’u bë sikur dëgjova zërin e nënës të më lutej:

“Jepi, bir, unazën time!”.

E mbaja në gishtin e vogël, që kur burgosën babanë. E kisha gjë të shtrenjtë nga lidhja e prindërve të mi. Ajo më kishte mbetur kur na rrëmbyen shtëpinë “Çlirimtarët”.

“Jepja bir të shpëtosh kokën!”.

Si në ëndërr ia dhashë unazën. E mori malësori menjëherë, e pa me vëmendje, e fshiu me gishtat e trashë.

“Nuk është kallp?”, m’u drejtua me buzëqeshje të hidhur. E futi në xhep. Ditët që qëndruam më pas, më jepte një copë bukë misri thatë.

Përlotej miku im, kur fliste dëgjohej ngashërimi.

– Ishte ende natë, – vazhdon Rana, – kur, të vënë në kolonë për një, rrugë dhie, nëna në krahët e gjyshit, shpërtheu me zhurmë një minë. E kishin vënë komunistët. E shkeli i riu që zuri vendin e fshatarit udhërrëfyes. Të parët mbetën në vend, të tjerët u plagosën. Gjyshes i shpoi kraharorin një copëz metali.

Rana ndalon tregimin dhe nxjerr shaminë nga çanta që mban në prehër. Mbledh lotët e dhimbjes të formuar në sytë e shkruar.

– Me duar hapën vendin, i vunë pranë njëri-tjetrit, – dhe i mbytet zëri.

Bie heshtje në Prius. Lëmë pas unazën, ngjisim rrugën në pjesën veriperëndimore të Potomakut. Adresa e shtëpisë është “Piccaso Lane”. Përshkojmë kodrinat e zbukuruara me kështjella moderne.

– Gaboj t’ju pyes ku punoni?

– Atje ku më morët.

– Punoni për një kompani gjigante.

– Jam në grupin e specialistëve, të cilët kujdesen për produktet që shesim. Inxhinieri elektronike kam studiuar.

I vjen sërish buzëqeshja.

– Në cilin universitet?

– MIT, – e thotë me krenari.

Ka të drejtë, them me vete. “The Massachusetts Institute of Technology” është nga qendrat shkencore më me zë në botë.

– Kam lexuar diçka nga historiku i kompanisë suaj, më është dukur si një ëndërr.

Rana qesh me zë.

– Përse ëndërr?

– Po ja, si të them, e filluan në garazhin e një kishe të vogël dhe tani bëhen gati të shkojnë në Mars.

– E lëmë këtu bisedën e punës.

Më lë të kuptoj se është zonë e minuar. E mirëkuptoj.

– Kjo shtëpia që shihni në të majtë, – tregon me dorë, – është e babait. E bëri pasi dështoi në Korçë.

– Ç’doni të thoni me këtë?

– U kthye babai, la Kajron menjëherë pas hapjes, me dëshirën e madhe të merrte shtëpinë e grabitur dhe ta bënte si kjo këtu.

Kështjellë trekatëshe, në vend të lartë, rrethuar me pisha. Vështroj me vëmendje pjesën ballore të ndriçuar mirë; ngjan me disa ndërtime të vjetra, që i shpëtuan pushtimit komunist.

– Nuk është më midis nesh. Ndërroi jetë një vit më parë, – thotë e i lagen sërish sytë e bukur. – Trokiti zyrë më zyrë, e prisnin me buzëqeshje.

Ata talleshin, them me vete.

– Ishin korçarë, e njihnin mirë familjen tonë, i flisnin edhe për shtëpinë.

Prisnin t’u jepte para, ta blinte sërish pronën e tij, mendoj unë dhe më fillojnë mornica.

– Erdhi një moment, babai nuk duroi; kërkoi ndihmën e një të afërmi me pozitë, – buzëqesh me ironi. – Ai e dërgoi te drejtori i zyrës së kthimit të pronave. E priti zyrtari. Në fund, i nervozuar i tha: “Nuk kanë dalë ende ligjet për të ta kthyer shtëpinë, xhaxha. Ju mërgimtarët e vjetër keni ardhur me lugë në brez, por harroni se puna sapo ka filluar.”.

Rana më shikon në sy e pret nga unë të them diçka.

– Puna është metafora e vjedhjes… – them i tronditur.

Pa mbaruar fjalën, më shtrëngon dorën dhe rend nëpër shi, për t’u rehatuar në kështjellën e saj amerikane.

Genc Korça

Filed Under: Fejton

MINA

August 23, 2023 by s p

Rexhep Shahu/

Marsi erdhi përsëri. Marsi i luftrave. Marsi i minave. I minave serbe. I minave njerëz. I minave serbe njerëz. Marsi i demokracisë. Marsi i lig, i zi e i bardhë për shqiptarët.

Po mbushen nëntë vjet që ka përfunduar lufta për Kosovën. Më saktë – beteja e fundit e luftës së gjatë për Kosovën. Mes shqiptarëve vendas dhe serbëve ardhës. Luftë që i pakësoi shqiptarët në njerëz e troje, por nuk i zhduku. Luftë që flijoi mijëra e mijëra bij e bija Kosove. Që shpërnguli ndër shekuj miliona shqiptarë nga trojet e tyre, por që, dashti edhe zoti, nuk u zbraz Kosova, nuk u shua fara e raca jonë.

Falë, mbase, nënës shqiptare që lindi “pesë për luftë, me u vra me shkiet e pesë për jetesë”, që mëkoi bijtë me ninulla për trimëritë e herojve të Kosovës, (jo për keto biçim heronjsh, që duan të jenë edhe heronj, edhe të gjallë, edhe legjendarë… Që i presin me banderola “MIRËSEVJEN HEROI YNË I GJALLË LEGJENDAR…”, shkruar nga ato lloj sërvilësh, si për Titon apo Enverin dikur … veç sot bezi i parullave është i bardhë dhe boja e germave është blu…), që asnjë betejë e re (si këto të 1998 e 1999), nuk ua zbeh rrezatimin e trimërisë e madhështisë.

Dhe këto “heronjtë e gjallë” edhe “legjendarë”, qyshse lejojnë të thirren kështu (mbase edhe urdhërojnë vetë…), fyejne përditë Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Fehmi e Xheve Lladrovcin… Azem e Shote Galicën, Sylejman Vokshin, derdhin mosmirënjohje mbi Haxhi Zekën, Ahmet Delinë, Shaban Polluzhën, Tahir e Nebi Mehën…

Marsi na gjeti me pavarësi të Kosovës. Edhe Pavarësia e saj si dhe liria, për shqiptarët në Kosovë, erdhi falë shpirtit të dhimbshëm të shqiptarëve, që s’bën dot masakra mbi asnjë qenie njerzore, siç kanë bërë serbët mbi shqiptarët, falë LOTIT TË BURRAVE, grave e fëmijëve të Kosovës, po, po, falë lotit, (PLEQTË nuk nxorën lotë…), lotë që drodhën zemrat e qytetarëve amerikanë dhe evropianë, falë edhe gjakut që kanë derdhë vetë e që ka çliruar energji dhe shpresa tek kushdo…

Liria e Pavarësia erdhi, po po, erdhi se e sollën miqtë e shqiptarëve, amerikanë e evropianë, ata që na e thanë me gojën e Klintonit, në Ferizaj, “ne bëmë luftën, ju bëjeni paqen”.

Por ne shqiptarët duket se dimë vetëm të harrojmë. Dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë mu duk se ne thamë atë fjalën e mosmirënjohjes proverbiale “Kalova lumin ta q… kalin”.

Liria e pavarësia ndjehet e kërcenuar prej minave serbe. Të minave prej hekuri e tritoli dhe prej mishi e gjaku. Prej njerëzve – mina. Hafije të UDB – së. Minat prej hekuri e tritoli serbët i kanë mbjellë përgjatë kufirit Kosovë – Shqipëri. Në të dyja anët e tij. Që të mbetet, sipas tyre, e ndarë Kosova me Shqipërinë.

Të dytat, minat serbe – njerëz, Serbia i ka mbjellë në mesin tonë. Lum si ne… me mina serbe nëpër këmbë, nëpër udhë, zyra, seli, dikastere, partira, arkiva, muzeume, policira, drejtorira, seksione, akademira, institute, fondacione. Nëpër administrata, kadastra, OJQ, kafe, redaksira radiosh, gazetash, revistash, axhensishë, televizionesh… Nëpër ambasada, konsullata, përfaqësi, nëpër diasporë… Lum si ne… Mina me dashje e padashje, me dije e pa dije, me vëtëdije e pavetëdije… Lloj lloj markash e racash… Vendas e të huaj… Të rinj e të vjetër… Me efekt të menjëhershëm e me efekt të ngadaltë. Me mision urgjent por edhe afatmesëm apo afatgjatë… Që të pengohet Shqipëria. Të pengohet Kosova. Të ndalohet njësimi i tyre. Që të mos lejohet kurrë shembja e murit të Berlinit mes shqiptarëve. Por ta thellojnë hendekun mes shqiptarëve, atë hendek që e pati krijuar dhe ruajtur Serbia edhe me ndihmën e ketyre minave serbe – njerëz. Që ta mbjellin sa më thellë mendimin se presidenti, kryeministri apo ministri i Shqipërisë është president, kryeministër, apo ministër shqiptar. Për të nënkuptuar se është i gjithë shqiptarëve. Ose se shqiptarë janë vetëm këto që janë brenda Shqipërise së cunguar administrative dhe s’ka kund tjetër shqiptarë… Dhe të ndalohet kushdo tjetër të quhet shqiptar. Të mos i besohet nëse thotë se jam shqiptar… Duke shpallur kështu se kjo është Shqipëria. Se presidenti, kryeministri, ministri i Kosovës nuk është shqiptar… Dhe nuk na duhet më, më shumë Shqipëri… Nuk na duhen më, më shumë shqiptarë… Se duket e dinë mirë se po të bëhet Shqipëria – Shqipëri as për llustraxhi këpucësh s’dalin më të denjë… Ata, “baballarët e kombit” që u thirrën shqiptarëve, (sikur t’u drejtoheshin grekërve apo kinezëve) “shqiptarë, hapni portat për vëllezërit tuaj…” pasi shqiptarët i kishin hapur portat vetë, pritur dhe strehuar shqiptarët e Kosovës që mbërritën në Shqipërinë administrative, pa lejen, urdhërin apo thirrjen e”baballarëve të kombit”.

Serbët janë të bindur se Kosovën s’do ta kenë kurrë më as për ta shfrytëzuar e për t’u pasuruar me të, as për t’i përdorur shqiptarët si skllevër, as për të ushtruar eksperimentet e tyre (më saktë masakrat).

Fragment nga libri i Rexhep Shahut, Lufta ime per Kosoven.

Filed Under: Rajon

Festivali Tradicional në Kishën e Zojës Pajtore Michigan 2-4 Shtator 2023, ftohen mediat dhe komuniteti që të marrin pjesë

August 23, 2023 by s p

Festivali Tradicional në Kishën e Zojës Pajtore Michigan 2-4 Shtator 2023, ftohen mediat dhe komuniteti që të marrin pjesë.

Filed Under: Komunitet

THIRRJE DREJTUAR MËSUESVE, LIDHJEVE TË MËSUESVE, SHOQATAVE SHQIPTARE NË DIASPORË E NË MËRGATË

August 23, 2023 by s p

Një imazh që përmban tekst, e bardhë

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Të nderuar mësues/e, kryetarë apo kryesi të Lidhjeve të Mësuesve, të Shoqatave në diasporë e në mërgatë, Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) ju drejtohet me një thirrje kolegjiale, me qëllim që të bashkojmë forcat në shërbim të unifikimit të shkollave shqipe në mërgatën shqiptare. Presim nga të gjithë ju që keni punuar dhe punoni vullnetarisht në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare (deri me datën 5 shtator 2023) që me vërejtjet apo sugjerimet të formulojmë bashkërisht kërkesat, të cilat do t`iu drejtohen zyrtarisht institucioneve tona përkatëse. 

   Qëllimi i KKAD-së është që në rrugëtimin tonë të përbashkët të bashkojmë forcat në unifikimin e shkollave shqipe si dhe në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në shkallë kombëtare me qëllim që të ndryshojmë gjendjen e vijimit simbolik të mësimit plotësues në gjuhën amtare me  moton: “Të gjithë për shkollën shqipe”. Po ashtu falënderojmë kontributin e mësimdhënësve, prindërve, shoqatave të cilët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe, por ky hap nuk mjafton për të shpëtuar dhjetëra mijëra fëmijë shqiptarë, të cilët përballen me “valët” e asimilimit të përditshëm.  

  KKAD-ja me punën e saj trevjeçare, ka treguar një gatishmëri të vazhdueshme, për një bashkëpunim të ndërsjellë, me shoqatat, mësimdhënësit si dhe me institucionet tona Shqipëri-Kosovë, me të vetmin qëllim që format  e bashkëpunimit dhe të veprimit të ndryshojnë në mërgatën shqiptare. 

  KKAD-ja i është qasur këtij problemi të ndjeshëm dhe në vazhdimësi kërkon  t’i qasemi bashkërisht unifikimit të faktorit shqiptar për një organizim sa më funksional të  mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, Sepse duke i bashkuar forcat mund të ofrojmë këshilla, sugjerime dhe vërejtje, jo vetëm profesionale por edhe shkencore institucioneve tona përkatëse. Bashkërisht më shpejt do të realizojmë unifikimin e shkollave shqipe, kudo që janë në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar.

  Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë në çdo takim me mësimdhënës, shoqata e institucione, ka shpalosur vizionin dhe misionin e tij për një bashkëpunim dhe bashkim, me ata që e shohin si primare shkollën shqipe. 

Sektori për informim i KKAD-së

(kkarsimtarevediaspores@gmail.com)

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT