Rexhep Shahu/
Marsi erdhi përsëri. Marsi i luftrave. Marsi i minave. I minave serbe. I minave njerëz. I minave serbe njerëz. Marsi i demokracisë. Marsi i lig, i zi e i bardhë për shqiptarët.
Po mbushen nëntë vjet që ka përfunduar lufta për Kosovën. Më saktë – beteja e fundit e luftës së gjatë për Kosovën. Mes shqiptarëve vendas dhe serbëve ardhës. Luftë që i pakësoi shqiptarët në njerëz e troje, por nuk i zhduku. Luftë që flijoi mijëra e mijëra bij e bija Kosove. Që shpërnguli ndër shekuj miliona shqiptarë nga trojet e tyre, por që, dashti edhe zoti, nuk u zbraz Kosova, nuk u shua fara e raca jonë.
Falë, mbase, nënës shqiptare që lindi “pesë për luftë, me u vra me shkiet e pesë për jetesë”, që mëkoi bijtë me ninulla për trimëritë e herojve të Kosovës, (jo për keto biçim heronjsh, që duan të jenë edhe heronj, edhe të gjallë, edhe legjendarë… Që i presin me banderola “MIRËSEVJEN HEROI YNË I GJALLË LEGJENDAR…”, shkruar nga ato lloj sërvilësh, si për Titon apo Enverin dikur … veç sot bezi i parullave është i bardhë dhe boja e germave është blu…), që asnjë betejë e re (si këto të 1998 e 1999), nuk ua zbeh rrezatimin e trimërisë e madhështisë.
Dhe këto “heronjtë e gjallë” edhe “legjendarë”, qyshse lejojnë të thirren kështu (mbase edhe urdhërojnë vetë…), fyejne përditë Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Fehmi e Xheve Lladrovcin… Azem e Shote Galicën, Sylejman Vokshin, derdhin mosmirënjohje mbi Haxhi Zekën, Ahmet Delinë, Shaban Polluzhën, Tahir e Nebi Mehën…
Marsi na gjeti me pavarësi të Kosovës. Edhe Pavarësia e saj si dhe liria, për shqiptarët në Kosovë, erdhi falë shpirtit të dhimbshëm të shqiptarëve, që s’bën dot masakra mbi asnjë qenie njerzore, siç kanë bërë serbët mbi shqiptarët, falë LOTIT TË BURRAVE, grave e fëmijëve të Kosovës, po, po, falë lotit, (PLEQTË nuk nxorën lotë…), lotë që drodhën zemrat e qytetarëve amerikanë dhe evropianë, falë edhe gjakut që kanë derdhë vetë e që ka çliruar energji dhe shpresa tek kushdo…
Liria e Pavarësia erdhi, po po, erdhi se e sollën miqtë e shqiptarëve, amerikanë e evropianë, ata që na e thanë me gojën e Klintonit, në Ferizaj, “ne bëmë luftën, ju bëjeni paqen”.
Por ne shqiptarët duket se dimë vetëm të harrojmë. Dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë mu duk se ne thamë atë fjalën e mosmirënjohjes proverbiale “Kalova lumin ta q… kalin”.
Liria e pavarësia ndjehet e kërcenuar prej minave serbe. Të minave prej hekuri e tritoli dhe prej mishi e gjaku. Prej njerëzve – mina. Hafije të UDB – së. Minat prej hekuri e tritoli serbët i kanë mbjellë përgjatë kufirit Kosovë – Shqipëri. Në të dyja anët e tij. Që të mbetet, sipas tyre, e ndarë Kosova me Shqipërinë.
Të dytat, minat serbe – njerëz, Serbia i ka mbjellë në mesin tonë. Lum si ne… me mina serbe nëpër këmbë, nëpër udhë, zyra, seli, dikastere, partira, arkiva, muzeume, policira, drejtorira, seksione, akademira, institute, fondacione. Nëpër administrata, kadastra, OJQ, kafe, redaksira radiosh, gazetash, revistash, axhensishë, televizionesh… Nëpër ambasada, konsullata, përfaqësi, nëpër diasporë… Lum si ne… Mina me dashje e padashje, me dije e pa dije, me vëtëdije e pavetëdije… Lloj lloj markash e racash… Vendas e të huaj… Të rinj e të vjetër… Me efekt të menjëhershëm e me efekt të ngadaltë. Me mision urgjent por edhe afatmesëm apo afatgjatë… Që të pengohet Shqipëria. Të pengohet Kosova. Të ndalohet njësimi i tyre. Që të mos lejohet kurrë shembja e murit të Berlinit mes shqiptarëve. Por ta thellojnë hendekun mes shqiptarëve, atë hendek që e pati krijuar dhe ruajtur Serbia edhe me ndihmën e ketyre minave serbe – njerëz. Që ta mbjellin sa më thellë mendimin se presidenti, kryeministri apo ministri i Shqipërisë është president, kryeministër, apo ministër shqiptar. Për të nënkuptuar se është i gjithë shqiptarëve. Ose se shqiptarë janë vetëm këto që janë brenda Shqipërise së cunguar administrative dhe s’ka kund tjetër shqiptarë… Dhe të ndalohet kushdo tjetër të quhet shqiptar. Të mos i besohet nëse thotë se jam shqiptar… Duke shpallur kështu se kjo është Shqipëria. Se presidenti, kryeministri, ministri i Kosovës nuk është shqiptar… Dhe nuk na duhet më, më shumë Shqipëri… Nuk na duhen më, më shumë shqiptarë… Se duket e dinë mirë se po të bëhet Shqipëria – Shqipëri as për llustraxhi këpucësh s’dalin më të denjë… Ata, “baballarët e kombit” që u thirrën shqiptarëve, (sikur t’u drejtoheshin grekërve apo kinezëve) “shqiptarë, hapni portat për vëllezërit tuaj…” pasi shqiptarët i kishin hapur portat vetë, pritur dhe strehuar shqiptarët e Kosovës që mbërritën në Shqipërinë administrative, pa lejen, urdhërin apo thirrjen e”baballarëve të kombit”.
Serbët janë të bindur se Kosovën s’do ta kenë kurrë më as për ta shfrytëzuar e për t’u pasuruar me të, as për t’i përdorur shqiptarët si skllevër, as për të ushtruar eksperimentet e tyre (më saktë masakrat).
Fragment nga libri i Rexhep Shahut, Lufta ime per Kosoven.