• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE NË MËRGATËN SHQIPTARE TË AMERIKËS, Z.EKREM BARDHA DHUROI 10 MIJË DOLLARË PËR VATRËN

August 18, 2023 by s p

Ekrem Bardha, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, patrioti dhe aktivisti i madh i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Michigan dhuroi 10 mijë dollarë për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Një akt i lartë bujarie e fisnikërie si kontribut në jetëgjatësinë e VATRËS si histori, si trashëgimi shpirtërore e materiale, si identitet si krenari dhe lavdi e shqiptarëve të Amerikës. Kontributi për Vatrën është kontribut për kombin shqiptar dhe komunitetin.

Familja Bardha mbështet VATRËN që prej vitit 1917 ku babai i tij Sulo Bardha ishte anëtar i Vatrës në Boston, mik e bashkëpunëtor i ngushtë i Faik Konicës.

Në çdo kohë kur kombi dhe komuniteti ka pasur nevojë, familja Bardha ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme, e kudondodhur.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, gazeta Dielli dhe mbarë komuniteti i vatranëve i shpreh mirënjohje të thellë dhe falenderim të përzemërt z.Ekrem Bardha për dhurimin dhe mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë Vatrës në çdo nisëm e fushatë. Sa herë që Dielli ka pasur nevojë, Ekrem Bardha ka qenë i pari në listën e përkrahësve duke ndihmuar në jetëgjatësinë e regjistrit mediatik më të vjetër në të gjitha diasporat shqiptare në botë.

Përulësit faleminderit z.Ekrem e familjes Bardha dhe nderim të veçantë për kontributin dhe mbështetjen për më shumë se 1 shekull të Diellit e Vatrës posaçërisht.

Filed Under: Featured Tagged With: Ekrem bardha

LETËRSIA GOJORE NË LABËRI DHE FORMAT RAPSODIKE TË  TË SHPREHURIT TË SAJ

August 18, 2023 by s p

MSc. Albert HABAZAJ/

1. Letërsia gojore në Labëri

        Sipas ndarjes krahinore tradicionale, Labëria është një ndër krahinat etnografike më të mëdha etnografike, që përfshihet në njërën nga dy grupet e mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar, Toskërisë, që kap hapësirat në krahun e majtë të Shkuminit deri në skajin më jugor, në Çamëri, deri në gjirin e Artës në Jug.

        Labëria ka qenë dhe mbetet një trevë etnokulturore. Asnjëherë ajo nuk ka qenë njësi administrative e bashkuar. Kur themi Labëri nënkuptohet ajo trevë kulturore ku këndohet me marrës, kthyes, hedhës 

dhe iso dhe ku i vdekuri qahet me ligje elegjiake e melodi të përvajshme. Në Labëri vajtohet duke kënduar. Jo më kot në Labëri ka mbetur shprehja frazeologjike: “e ka qarë”, pra e ka thënë bukur, deri në përsosmëri. Poezia e kënduar si pjesë e letërsisë gojore që ndryshe quhet edhe letërsi popullore, ka qenë më prezente në kohën kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe lexim, kështu që gjërat e shkruara kanë qenë të rrëfyera gojarisht, ndërsa ndjenjat e njerëzve janë kënduar me zë, sipas melodive që thurnin banorët. Kur themi që kënga labe është shumë e lashtë, nënkuptojmë që ajo ka lindur qysh kur në këto hapësira me male, fusha, dete e lumenj, janë shfaqur banorët e parë, burri dhe gruaja e parë. 

        Kënga labe ka disa mënyra të kënduari: me një zë, me dy, tre dhe katër zëra. Ajo ka edhe monofoninë: vajet, ninullat, borohitjet, logatjet, mërmërimat këndohen në monofoni, që janë forma fillimtare e të kënduarit në Labëri. Kënga labe është dialektike dhe nuk lë shteg interpretimi tjetër kur dëshmon: “Do ja themi një zë,/ të na bëhen dy zë [zëra]”. Pra, polifonia labe ka lindur nga monofonia. Kënga labe është pjesë e së tërës shpirtërore të kënduar, të cilën, njëri nga studiuesit më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike, etnomuzikologu i parë shqiptar, Ramadan Sokoli si dhe studiuesit e folklorit Spiro Shetuni, Beniamin Kruta, Agron Xhagolli etj. e kanë quajtur Polifonia labe. Etnomuzikologu Haxhi H. Dalipi e ka quajtur këngë shumëzërëshe. Nocionin këngë shumëzërëshe e ka përdorur në vend të nocionit këngë polifonike (për hir të shqipërimit), ndërsa nocionin këngë tradicionale e ka përdorur në vend të nocionit këngë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare. 

E vërteta e jetuar dhe rrjedha logjike të shpie te burimi, që polifonia labe apo shumëzërëshi lab  ka lindur nga monofonia. Përveç tipareve përbashkuese me polifoninë popullore shqiptare në përgjithësi, polifonia labe, sipas Spiro Shetunit, ka katër tipare themelore përveçuese, si: karakteri recitativ, karakteri pentatonik, karakteri kontraktues dhe karakteri i thjeshtë zanor.

         Në letërsinë gojore zotëron kënga polifonike, ndërsa nga instrumentet muzikore më të përhapura ishin dhe janë fyelli dhe cula dyjare. Mbështetur në traditën e të parëve, veçojmë një fyelltar fenomenal, i cili, qysh në vitin, 1973, në moshën 14-vjeçare në Festivalin e Dytë Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, shkëlqeu me frymën e tij hyjnore. E kam fjalën Vendim Kapaj “Mjeshtër i Madh”, apo mësuesin e tij Nazër Kongjinaj që në Festivalin e 73-shit ishte student në Universitetin e Gjirokastrës dhe magjepsi Kalanë dhe qytetin. Po kështu kemi unikalin e letërsisë gojore, të shprehur me formën e rapsodisë së krijuar aty për aty të kënduar si interpretim monofonik, Tomorr Lelo “Mjeshtër i Madh”. 

         Vlen të ndalojmë pak tek veterani i arsimit dhe folklorit burimor instrumental të Labërisë. Nazër Kongjinaj është një nga instrumentistët më të shquar popullor, i cili ka dhënë ndihmesë të dukshme në zbukurimin e jetës shpirtërore të popullit, në edukimin e lartë artistik, estetik, si dhe në edukimin atdhetar të brezave për mbi një gjysmë shekulli. Qysh në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, tetor, 1973, kur ende ishte student, Nazëri mori pjesë në këtë ngjarje, më të madhen kulturore-artistike në rang Republike dhe shkëlqeu në intrepretimin e mrekullueshëm të melodive popullore të trevës së tij dhe mbarë Labërisë. Ky artist popullor i veçantë në profesion është mësues dhe për dekada të tëra ka shërbyer në sektorin e arsimit, duke u radhitur ndër mësuesit më të dalluar e të devotshëm jo vetëm në shkollën e vendlindjes së tij, Brataj, por në mbarë rrethin e Vlorës. Merita e këtij artisti popullor qëndron, në faktin se, edhe pse i ka kaluar të 70-at, nuk e ka ndërprerë veprimtarinë folklorike, duke bërë një jetë aktive në shumë ngjarje artistike – kulturore në Vlorë e gjektë dhe që dhuntitë e pasionin e tij i transmenton tek talentet e reja, të cilat Nazëri i zbulon me dashuri dhe punon me durim e mjeshtëri për ta përcjellë brezave këtë traditë. 

        Kënga polifonike labe ka dhe emërtime të tjera si: shumëzërëshi labërisht, polifonia vokale apo isopolifoni. Ajo është pjesë e muzikës popullore shqiptare/ folklorit shqiptar dhe ka si veçanti mbivendosjen e dy a më shumë vijave melodike me fizionomi të përcaktuar vokale, në disa raste shoqëruar dhe me instrumentet që cituam, zhvillimi i të cilave kryhet në mënyrë vertikale (harmonike). Kënga polifonike në Jug është në bazën e shoqërimit të valleve të burrave dhe grave. 

          Format e të kënduarit për letërsinë gojore në Labëri janë kryesisht me këngët tre – dhe katër zërëshe, që ekzekutohen në grupe të veçanta burrash e grash, por edhe në grupe të përziera, ku kemi solistë marrësin, kthyesin, hedhësin dhe grupin që mban iso (burdoni), “ia bën eee”, “ia mbush”, sipas emërtimit popullor. 

          Letërsia gojore e kënduar në Labëri shquhet për një mori stilesh, që kanë emërtimet kryesore gjirokastriçe, himarioçe, vlonjaçe etj., të cilat në organigramën artistike kanë hierarkinë e shtrirë horizontale në stile muzikore të specifikuara sipas njësive etnografike kryesore.

          Terminologjia e pasur popullore për funksionin e zërave, strukturat e shumta tipologjike, dendësia dhe përhapja e gjerë territoriale, lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire, janë dëshmi të origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë labe. Nga 25 nëntori 2005 “Polifonia popullore shqiptare” u fut në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” të mbrojura nga UNESCO.

2. Format rapsodike të shprehurit të letërsisë gojore në Labëri

         Nëse në letërsinë gojore të kënduar në pjesën veriore të Gegërisë ende zotëron gjinia e poezisë epike me tendencë atë epiko-lirike, në Labëri zotëron gjinia e poezisë lirike dhe më pak ajo liriko-epike, ndërsa tek – tuk vërehen reminishenca të poezisë epiko-lirike. Emërtimi rapsod është më i përdorur në Veri, por edhe në Jug është përdorur për ata që thurnin këngë të gëzueshme aty për aty në dasma, ceremoni të ndryshme festive apo edhe këngë të dhembshme për një të rënë, të vrarë në luftë për liri etj. Emërtimi rapsod vjen nga greqishja (qep, thur odé/ këngë. Grekët e vjetër quanin rapsodë recituesit e këngëve popullore rreth heronjve, perëndive dhe gjysmëperëndive. Në Labëri, rapsodët popullorë quhen ndryshe edhe vjershëtorë. Ata i thurin me mjeshtëri vargjet dhe tradicionalisht i këndonin po vetë, ndërsa sot në përgjithësi tekstet e tyre i këndojnë solistë që dallohen si marrës me zë të bukur, të ëmbël, të kumbueshëm e të fortë, artistët popullorë të përfshirë në grupe të ndryshme mbi bazë fshati apo grupe mikse me këngëtarë të zgjedhur nga komunitete të ndryshme që kanë afri në mënyrën e të kënduarit të kësaj poezisë popullore etj. Në Veri rapsoditë e traditës janë krijime poetike me karakter epik ose heroik që këndohen nga vetë rapsodët, përgjithësisht këngët e vjetra të letërësisë sonë gojore, që njihen si “kangë kreshnikësh” ose “kangë lahute” dhe kanë protogonistë heronjë legjendarë të eposit popullor si Gjeto Basho Mujin, Gjergj Elez Alinë etj. gjithashtu ka rapsodë të talentuar që krijojnë këngë të bukura të shoqëruara me çifteli ose lahutë për akte heroike të bijve të Shqipes, peizazhe lirike të jetës apo balada të trishtueshme etj.

          Ndërkohë në Labëri është pak më ndryshe situata folklorike. Letërsisë gojore të trashëguar nuk i njihet autori. Dallon lakonizmi në këngët e vjetra labe, që në pak vargje të thjeshta në shfaqje, por të ngjeshura në mendimin e qartë poetik, mund të njihesh me bëma, personazhe e ngjarje të tëra, qoftë nga bota lirike, me këngët rituale, të punës, lirikat familjare, lojëra fëmijësh etj., këngë satirike dhe humoristike, këngë dashurie, dasme, vaje e këngë të përvajshme, këngë për nizamët dhe kurbetin apo dhe nga bota epike me këngë legjendare dhe balada, epika historike me këngë për qëndresën antiosmane gjer më 1830, këngë kushtuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1830-1870), këngë për mbrojtjen e Pavarësisë së vendit (1912-19200 këngë për Luftën e Vlorës, këngë të viteve 1924-1939, këngë për luftën Italo-Greke (1940-1941), këngë kundër shfrytëzimit ekonomiko-shoqëror dhe motive të tjera, këngë të kaçakëve, kolanën e këngëve të Pasçlirimit (1945-1990), si dhe këngët e shumta të periudhës së mbas viteve 1990. Sot, në Labëri këndohen masivisht këngë tipologjike të formës rapsodike në lëmin e lirikës me nënfushat e saj.

        Fillesat e rapsodisë në Labëri mund të themi se nisën në vitet 1920-1930 dhe morën hov mbas viteve 1970. Ndërkohë, që tradita rapsodike në këtë trevë starton me Neço Mukën, Xhebro Gjikën, Mato Hasanin, Nase Benin, Tartar Zekën, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka, Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini etj, të cilët, gjatë jetës, vijuan dhe udhëtimin folklorik të rapsodëve të shek. XIX, Demir Ago, Mystehaku (Vlonjati), Qazim Ademi, Muharrem Bufi, Sinan Habazi, Sino Xheli, e jo shumë të tjerë, të cilëve u dihet emri, se shumica e rapsodëve popullorë të traditës në Labëri i përkasin anomimatit dhe kanë autor, kompozitor, interpretues dhe bartës popullin, si emërtim kolektiv.

Të gjithë rapsodët që u shfaqën në 20-30 e para të shek. XX, përbëjnë gjerdanin e artë të Epikës popullore labe në Luftën e Vlorës, 1920. “Këngën për këtë epope e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë. Vërejmë se, shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje. Këngët historike të Njëzetës, na vijnë si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim.

            Cikli i Epikës Historike për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, na duket sikur është ditar në vargje i luftës për këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare, për Kotën, Gjormin, Llogoranë, Kaninën, Qafën e Koçiut, për Vlorën e heroizmat e trimave të saj si Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan, Maze, Sado Koshena e shumë yje të pashuar që derdhën gjakun për liri. Ja një fragment kënge ngritur dhe kënduar Nase Beni nga Vunoi i Himarës, i njohur nga historia si trim, i njohur nga folklori si krijues edhe këngëtar, me të cilin mateshin biblilat e malit: “Nata e pesë qershorit/ Allaturka, ora tre,/ Ndizet gjaku’ arbërorit,/ Ndizet e bëhet rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/ “Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në Kotë,/ Ta dinë kush jemi nà,/ Ta marrë vesh një botë,/ Që s’para bëjmë shaka/ Çave para si flamur,/ Kapedan, more Zigur!”

Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “-Kanan, t’u prish bukuria/ – Le të rrojë Shqipëria!”

Përsëri nga patrioti dhe luftëtari poet Nase Beni: “Evropa shkruajnë e thonë:/ “Ç’është kështu si dëgjojmë?/ “Po bënet dufek në Vlorë,/ shqipëtarëtë lëftojnë/ me një mbret dyzet miljonë./ Zënë jesirëna thonë,/ zënë jesirë italjanë”/ “Po me se lëftojnë vallë?/ se topa e armë s’kanë,/ as vaporë e aropllanë!”/ “Me sëpata e me hanxharë,/ dufeqet lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë,/ në tri ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top vapor e aropllanë,/ t’i përgjunjë ata asllanë./ Në pëjetçi dhe për armë,/ asnjë mungesë nuk kanë,/ marrën nëpër italjanë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër depotë ku janë,/ me to rrëzojnë aropllanë!.

Vërtet, që kënga labe, në rastin konkret, epika popullore labe nuk është armë, por për Njëzetën pati peshë specifike frymëzimtare të lartë sa për 10 pushkë, sepse ndikoi fuqishëm në moralin e forcave vullnetare të Çlirimit.

E, kështu, një shekull më parë kaluar, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi popullor Mato Hasani, me trimat e pushkës e këngës, hoqi vallen: “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë botë”!

           Jo se nuk ka patur rapsodi të kënduara përpara viteve ’30 të shek. XX, por revolucionin e vërtet në formë dhe në përmbajte e bëri Neço Muka me një tufë me këngë lirike shumë të bukura si “Katina nina-nina”, “Erdhi prilli, ç’u shkri bora”, “Qielli i zi” etj., në ballë të së cilave shndrin kryekënga “Vajza e valeve”, një rapsodi e gjatë, ardhur në disa motërzime. 

Jo thjesht se është ndër dallëndyshet e para të pasurimit të këngës labe, por se është vërtet një perlë polifonike, si dhe në nderim të letërsisë gojore në Labëri, këngës himarioçe, labe dhe këngës popullore shqiptare në përgjithësi, po citojmë disa vargje nga kënga e shumë njohur me tekst të të jashtëzakonshmit Neço Muko, 

“Vajz’ e valeve”.

Vajz’ e valeve, 

zëmëra s’ia mban

mbi një gur anës së detit

qan, e zeza qan

e mjera, qan e zeza qan.

Pret atë që pret 

dhe një dhëmbje ndjen

Gjithë bota ven’ e vinë, 

po ai nuk vjen, 

e mjera, po ai nuk vjen.

Pranvera arriu, 

një mëngjez të qet’

shkojn’ e vijnë dallandishet, 

vajza u thërret,

e mjera, vajza u thërret:

“Ju të bukur, zoq, 

tek ju kam një shpres’

ju që shkoni det’ e male 

dua t’u pijes,

e mjera, dua t’ju pijes:

Mos e patë ju, 

rron apo nuk rron

Ndonjë lajm a ndonjë letër, 

vall’ a më kujton, 

e mjera, vall’ a më kujton?!    etj….

          Duke ju referuar traditës së të parëve tanë, rapsodët e Labërisë janë shquar edhe në të ashtu quajtura këngë “hidh e prit”, këngë që konsistonin në një mënyrë komunikimi me vargje, veç jo duke u recituar por duke i kënduar. Këto lloj këngësh kanë qenë pjesë e dasmave apo muhabeteve të ndryshme dhe ishin pronë e disa prej bejtexhinjve që kishin dhunti ti thurnin vargjet aty për aty, disa herë edhe si një mënyrë shpotitëse apo me humor të hollë.

Në jo pak raste këto lloj këngësh kalonin edhe kufijtë etikë të komunikimit duke u bërë shkak për prishje të muhabetit apo dollisë në trapezë.

       Në pragvitet 1970 rapsodia labe filloi përhapjen dhe u shtri nga Tragjasi, në Tërbaç, në Dukat, Vranisht, Bënçë, Pilur, Fterrë, në gjerësi e thellësi të Labërisë. Ky riformatim gjeofolklorik ka nisur me rapsodi dhe këngëtari marrës i Tragjasit Beqir Laçe, i cili thuri këngën e parë rapsodike, recitative, që më tej u përsos dhe artistikisht nga rapsodi, më saktë të shprehemi nga poeti popullor Hamdi Pulo i Tragjasit. Kemi parsysh këtu jo vetëm tekstin të shtrirë në disa strofa por edhe mënyrën e të kënduarit, duke vërejtur si e trajton prijësi i këngës atë në një mënyrë recitative, ndryshe nga marrja tradicionale.

Më pas kjo mënyrë të shprehuri u pasua nga rapsodi Kujtim Mici i Tërbaçit me këngën: “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” e cila lindi si shprehje e letrësisë gojore në formën e rapsodisë së kënduar në grup miks në funksion të lëvizjeve të reja të kohës kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimve fetare (1967), që, për atë periudhë kohore u trajtua si një evolucion i të kënduarit në gjithë Labërinë.

Ç’i gjet’ zakonet që pamë,

Që na pat’ lënë Turqia?

Bënej dasëm në mëhallë,

Kërcit dollm’ e revania!… [mars 1970]

         Me kalimin e viteve, poezia e tyre fitoi vlera të mirëfillta letrare dhe muzikore, saqë u bënë emra të shquar të këngës labe rapsodike krijues të dinjitetshëm si Kujtim Mici i Tërbaçit, Hamdi Pulo i Tragjasit, Maliq Lila i Bënçës dhe sidomos Lefter Çipa i Pilurit.

 Duhet thënë se Bardi i gjallë i Bregdetit, Lefter Çipa i dha poezisë gojore një shkëlqim të artë si në asnjë periudhë tjetër të mëparshme. Sidomos me këngën e  “Bejkës së bardhë”, por e dhe me të mirënjohurat “Shko, moj shko kuac’ e kuqe”, “Zoga Kaçake në mal”, “Shqipëri, pse të qan syri?!”, “O në të marça moj manushaqe”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Bilbil i vëndeve të mia”, “Njëzet e tetë mijë yje”, “Kënga jonë, këngë djepi” etj, të mirënjohura jo vetëm në Labëri, me të drejtë Lefter Çipën e bënë të quhet princ i poezisë popullore shqiptare, sepse si autor dhe kompozitor i teksteve ai mbetet një aset i trashëgimisë së kulturës popullore dhe pasurimit të saj të pëlqyeshëm nga komuniteti jo vetëm labëror. 

          Tani detashmenti i rapsodëve të këngës labe vjen më i plotësuar nga ana arsimore dhe janë më të kualifikuar nga ana e krijimit të tekstit poetik për këngë; të tërë janë me arsim të mesëm, ndër ta ka shumë me arsim të lartë. Shquhen si ustallarë të këngës labe në formë rapsodike: Muhamet Tartari i Vranishtit, Feti Brahimi i Lapardhasë, Teno Leno i Fterrës, Zaho Balili i Rexhinit, Llambro Hysi i Kallaratit, Arap Mero i Bratit, Pelivan Bajramaj i Drashovicës, Meleq Kapllani i Kaninës, Tomor Lelo i Smokthinës, Kastriot Muçaj i Velçës, Lefter Haxhiraj i Armenit, Dule Havari i Dukatit, apo brezi më i ri që ka stafetën e krijimit rapsodik mbi bazën e traditës duke e pasuruar atë më tej siç mund të përmendim: meteorin e ndritshëm Nertesi Asllanin e Bolenës me Kristo Çipën e Pilurit, Nexhip Serën e Bratit, Felek Bletën e Vërmikut, Sejmen Gjokolin me “Bilbilin”, Albert Habazaj me “10 Shqiponjat e Tërbaçit” etj.

         Vërejmë se letërsia gojore e ardhur nëpërmjet poezisë popullore të Labërisë na shfaqet si dëshmi të ekzistencës së banorëve dhe krijimtarisë së tyre.

        Struktruralisht, rapsoditë labe janë ndërtuar në vargje relativisht të gjatë, përgjithësisht monologjike, por nuk mungojnë as ato dialogjike, me tingull e muzikë sidomos në motivet e pafundme lirike, ku ndihet se rapsodia ka ritmikë më të madhe, ndaj shpesh herë është përcaktuar si gjuhë ritmike. Rapsodët e traditës kanë ditur të përzgjedhin nga hambari i mëparshëm artistik i popullit figurat, fjalët, mendimet poetike, frazeologjitë, figurat artistike për t’i derdhur në vargje, për të ngritur e ndërtuar “këngët tamam”, duke kompozuar një mozaik të pasur vijash melodike aq të arrira dhe të dashura. 

Ka ca këngë lirike të qëndisura aq bukur dhe me vargje të kursyera, që në mënyrë lakonike të mrekullojnë me qëndismat e tyre të shpirtit. Ja një këngë e qepur nga Xhebro Gjika [1900-1978]: “Atje lart, në bokërrimë/ Një saba, pa dirë mirë./ Trëndo, leshra trëndelinë/ Mbi vetull lidhur shaminë./ Vajtonte atë të zinë/ Shtatë vjet harroi shtëpinë./

Se mbet’ nizam në Janinë/ Janinë nizam i mbeti./ Trëndon në merak e treti/ Sa u tha si degë plepi”.

Këtë tekst të vjetër burimor e kanë përditësuar duke e prurë në kohë si valle lirike për nizamët Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.

Natyrë rapsodike ka edhe kënga lirike elegjiake “O komandant Shpendi”, e cila është një njësi folklorike relativisht e re, paraqitur për herë të parë në Festivalin Tradicional Folklorik “Hasi Jehon”, në  Gjonaj – Has, komuna Prizren, Kosovë, edicioni i 34-t, natën e dytë, e premte, 05.05.2023.

Ja teksti i plotë: “O komandant Shpendi – fluturim lirie”

Këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969-Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009

Teksti: Albert Habazaj, këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969 – Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009; kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Urdhëri “Naim Frashëri”

marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj dhe Evgjeni Habili Seferaj, 

kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, 

hedhëse: Hava Çelaj Muçaj, 

në iso: Liri Gaçe Shkurtaj, Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Fatmira Hodo Skendaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhaka, drejtues artistik Albert Habazaj;

Vanë njëzet vite

Skerdilajd i motrës,

Të kërkoj si qyqe

Qiejve të botës.

O Shpirt, elegjinë

Ta këndoj me vaje,

Mbulojë ke lavdinë

O vëlla me halle!

Lirinë zbukuruar

Me gjak tënd e kemi.

Ku ke fluturuar

O Komandant Shpendi?!

Dhe mali nga vendi

Luajti nga dhëmbja,

O Komandant Shpendi,

Shpendi yn’ me ëndrra!..

Si zog të pranverës

Tirana të nisi,

Lugin’ e Preshevës

Një yll ta qëndisi.

Prizreni, Tetova,

Sipër, mal i Sharrit,

Me shpresa të njoma,

Trim i Idealit.

Dhe në Bogovinë

Një dre po derdh lot,

Kurorë me dafinë

Të thur motra sot.

Luan guri vendit

Gur shkëmbi Babai,

Amanet i Shpendit

Jehon skaj më skaj…

Për nga struktura ajo është e ndërtuar me 8 strofa 4 vargjëshe, në 6-rrokshin popullor, i cili është varg tipik lirik që ka shtrirje edhe në këngët elegjiake, vajet a këngët e përvajshme, me rimë të kryqëzuar abab

         Si përfundim mund të shprehemi se kënga labe ardhur në formën e rapsodisë lirike apo edhe liriko-epike do të ketë jetëgjatësi, jetë aktive, sepse lirika popullore labe ka vlera artistike dhe estetike, spikat për ngjyrat vokale lokale të forta, të veçanta, të ëmbla, të pëlqyeshme nga komuniteti lab dhe jo lab, brenda dhe jashtë gjeografisë etnofolklorike të krahinës së Labërisë, si pjesë e së tërës shqiptare.

Filed Under: Reportazh

NË CILËN KOHË PO JETOJMË?

August 18, 2023 by s p

IMG_2987.jpeg

Nga Haxhi Zeneli/

Po jetojmë në një trend të ri,ku për një periudhë të shkurtër kanë ndryshuar shumë gjëra nga jeta dhe mënyra e së jetuarit. Pas shumë të tjerash, ne po jetojmë në një kohë ku shumica e rinisë kërkon famë, duke mos konsideruar aftësit, e duan atë me çdo kusht, ju është imponuar, dhe bëjnë të pa mundurën për ta arritur atë. Për ta bërë këtë sot është më lehtë se asnjëherë, na ofron teknologjia një mjet që e shtërngojmë në duart tona dhe nuk e lëshojmë për asnjë minut, pra një mjet që sot quhët,”smundja e shekullit”, që ka infektuar miliona njerëz, duke ju shtuar zilin për famë, që sa më shumë të dukesh”cool”, ajo të bënë të dalish edhe sa më lakuriq para popullit. Vendet e varfura, kopjojnë emisione të ndryshme nga vendet me standarte të larta që janë shumë më të avancuara. Janë duke ju imponuar qytetarëve të vetë një standard jashtë realitetit dhe vlerave të tyre, vetëm që të ju tërheqin vemendjen, kjo po ndodhë në çdo skaj, duke ju imponuar ndjeksëve të tyre ”hero” të rrejshëm, personazhe që populli i merr të vërtetë, duke injoruar faktin e “show businessi”, që nuk kanë për qëllim ngritje vlerash, në fakt ato tallën me normalitetin, sepse ideja është që të bëhesh sa më shumë pjesë e komenteve dhe qendër e vemendjës së një dite, një jave apo edhe një muaji, por jo më shumë se aqë, sepse asgjë nuk jeton gjatë. Tashti ke një konkurencë të madhe nga të tjerët që mundohën të bëjnë të njëjtën gjë, ky është trendi i sotëm që e duan shumica, është një kohë e: ”likes dhe klikes”, që po e vuajn shumë të rinjët e kohës.Por kësajë grackë nuk i shpetojnë as disa mosha të shtyra me super ego, që nuk janë askush por duan të bëhen dikush.Nuk janë vetëm individët, janë edhe mediat institucionale që duan të bëhën promotore të antivlerës, vetem për të bërë emër. Disa media apo portale, për të tërhjekë sa më shumë”klikime”, kanë angazhuar gazetar  vetëm për të nxjerrur emisione ”thash e theme”pa asnjë vlerë, dhe nga aty nxjerrin tituj në ballina sa më tërheqës, të shkëputura apo të formuluara jashtë kontekstit, tituj të pa vërtetë, dezinformues, mashtrues, denigrues, amoral, vetëm që të ju tërheqin vemendjen publikut, luajn me fatin e njerzëve, i përdorin dhe në fund të shtrydhur si limon i qesin në mbeturina, vetem për ”klikime”. Nuk e kanë aspak gajlen se i poshtrojnë, njollosin njerëzit,shkatrrojnë familje, rrezikojn jetën e dikujt, kjo fare nuk ju bënë përshtypje.

Një pikëpyetje e madhe, se për çfarë jetojnë njerëzit sot, ku është baza dhe motivi i tyre? Ku është motivimi për punën, për kreativitetin, për idenë, për planifikimin ekonomik të mirëqenjës, për planifikimin familjar në të mirën e shoqërisë, të atdheut, pra ku janë këto? Përse duhët të ndjekim mediat televizive me aqë kuriozitet dhe apasionim të çmendur ndaj personazheve të imponuar nga mediat që e kanë për sa më shumë shikushmëri dhe ”klikime”.

Kjo pyetje është e vështirë, bile edhe shpesh herë nuk marrim përgjigje edhe nga fushat e specializuara që mirren me këto probleme. Standardet kanë ndryshuar, dhe për ata që janë në frymen e fundit të mbajtjeve të traditave vendore, kamerat e mshefura ju kanë hyrë edhe në dhomat e gjumit, iku koha kur njrëzit mundoheshin të ruanin”ftyrën”, tek komshiu, lagja, fshati, qyteti apo edhe mbarë kombi i tyre, kjo është zbehur, dhe është drejt avullimit. Sot ta kërkosh këtë nga gjeneratat e reja apo më mirë të themi nga pasardhësit tanë, ti quhesh i prapambetur dhe njeri me fobi, bile të kundërvihën me pyetjet: “se ku jeton ti”, ose të paska ngelur ora? Ka hyrë në modë, që sa më i ndryshëm të jesh, më pikpamje dhe mendimet tuaja, me një fjalë sa më i çoroditur, ti bëhesh më i famshëm, sa më shumë sekrete nxjerr nga jeta personale, bëhësh më i klikuar ,sa më kontraverës je, aqë më i kërkuar bëhesh për mediat.

Andaj kjo është ajo koha që ne po e jetojmë, ju pëlqen apo jo, zilija ndaj anormalitetit na zhveshi lakuriq, për shumicën e atyre që deri më tani kanë jetuar jetë normale. Sot sa më normal që je nuk ta varë kush, jemi të ndarë , për një pjesë kjo është: “vlerë”kurse për një pjesë tjetër e pa vlerë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Haxhi Zeneli

PSHERËTIMA E HUMBJES

August 18, 2023 by s p

BUJAR SKENDO/

Fragnent nga romani

Gjithçka ndodhi aq shpejt, sa nuk arrita të mbushem as me frymë, kujtonte Mondi ditë më pas. 60 sekonda për të vendosur për gjysmën tjetër të jetës. Greminën e kisha aq afër. Më ishte errur mendja, më ishin veshur sytë. Edhe një përpjekje të fundit që kisha bërë për të kuptuar përmasat e humbjes, nuk e kisha çuar dot deri në fund. Shtanga nga e papritura: e shoqja dhe vajzat që dolën me valixhe në duar dhe çanta në krahë. Dyert që u hapën dhe u mbyllën duke kërcitur. Nuk pata fuqi për të gjykuar, aq më pak për ta ndaluar tërë atë që po ndodhte përpara syve të mi. Isha zënë në befasi. Isha ndier i drobitur, i pazoti, i paqartë.

Në provën e parë, më të rëndën e jetës së tij, ai kishte rënë, ishte nënshtruar. Për herë të parë kishte kuptuar sa i paaftë kishte qenë për  të përballuar të papriturat e jetës. Turbull kishte kuptuar se sa kot e kishte harxhuar jetën deri në ato momente. Kishte qenë një kotësi vrasëse.

Më pas, ndërsa ngiste makinën mbi George Washington Bridge, drejt shtëpisë së vjehrrit në New Jersey, Mondit i shkoi mendja te prindërit e tij. Çfarë po bënin ata tani? Si nuk pata kohë t’u merrja një mendim? Po ç’mendim zeza, pëshpëriti dhe e hoqi shpejt mendjen nga këto. Hodhi shikimin majtas. Manhatani llamburiste atje tutje, si të qëndronte i varur diku lart në qiell. I ftohtë, i largët, nën shiun e imët vjeshtor që sapo kishte nisur. Çfarë i kishte kërcënuar prindërit e së shoqes? Çfarë rreziku i priste? Ai nuk kishte asnjë përgjigje, sepse thjesht nuk dinte çfarë kishte ngjarë brenda shtëpisë së prindërve të Klodit. As kush e kishte marrë vendimin që ai, e shoqja dhe fëmijët të linin shtëpinë e tyre dhe të shkonin të jetonin te shtëpia e Aristidhit. Ishte mbajtur jashtë atij plani që ishte kurdisur kundër tij.

Vendimi ishte marrë te shtëpia e vjehrrit të tij. Sigurisht, Klodi kishte qenë pjesë e atij vendimi. Atë pasdite ajo i kishte thënë diçka që lidhej me Marinin dhe prindërit, por Mondi nuk i kishte dhënë rëndësi. Ja tani vendimi i së shoqes, që i erdhi në formën e një ulërime dhe ngutjes për të marrë vajzat, disa plaçka dhe vrap te makina e ndezur që më parë. Nga dritarja kishte parë vajzat që, ndërsa Klodi i tërhiqte prej krahësh duke qarë, kthenin kokën pas për të parë të atin, d.m.th. atë vetë. Kishte ndier se ishte kapur në befasi të plotë. I ndodhur përpara këtij kurthi, me trurin të bllokuar e të lodhur, kuptoi se po pushtohej nga ideja e humbjes së madhe: e humbjes së vajzave, familjes së tij. Edhe pse Klodi nuk e kishte përmendur këtë gjë, por ngutja në veprimet e së shoqes këtë kuptim i kishte lënë. Humbjen. Hapi tjetër, ndarja, vinte vetiu më pas. Nga ajo dhe nga vajzat po ashtu nëse nuk…

Ai nuk kishte arritur të kërkonte shpjegime. Nuk kishte mundur ta ndalonte turravrapin e së shoqes. Madje, as nuk kishte provuar. Kishte qenë i pazoti të vepronte dhe thjesht ishte ngritur e ishte nisur drejt makinës. 

Trafiku ishte rënduar në Autostradën I-95, Veri-Jug. Edhe shiu tashmë binte më rrëmbyeshëm. Mondi përpiqej të përqendrohej te rruga përpara, por mendimet nuk e linin. Ndihej i poshtëruar deri në palcë, por si mund t’ua thoshte prindërve të tij tërë këto gjëra. Si mund t’ua tregonte dështimin që kishte pësuar? Pas një çasti, mendimet i vinin nga ana e kundërt: Si mund t’ua mbaj sekret? Si mund t’i anashkaloj? Si do t’u dal përpara? 

I ndodhur midis këtyre dilemave e mëdyshjeve, me duart të shtrënguara në timon, ndjeu të turpërohej në çdo qelizë të trupit, si kurrë ndonjëherë në jetën e vet. Një ndjenjë turpërimi që i krijonte zbrazëti torturuese brenda vetes. Turpërim nga turpërimi që i ishte bërë! Turpërim nga paaftësia e tij! Turpërim nga mungesa e kurajës për t’i bërë ballë asaj që i ndodhi!

Tamam në atë moment mendoi diçka tepër të rëndë. Monstruoze, deshi të thoshte, por e vetmja që i shkoi nëpër mend, e vetmja që mund ta nxirrte të gjallë nga pusi ku e kishin rrëzuar tinëz: të hakmerrem. Të hakmerrem sa më parë dhe kundër të gjithëve. E vendosa. Do të ndërpres menjëherë çdolloj marrëdhënieje me të gjithë. Pa shpjegime, pa diskutime. Menjëherë. Që tani, brenda kësaj kohe të pamjaftueshme që kam dhe gjendjes konfuze të trurit tim. Dhe këtij trafiku të rënduar, edhe më konfuz se mendja ime. Madje, edhe të rrebeshit që tashmë ishte bërë i furishëm. Ai nuk donte të humbiste asnjë sekondë. Në radhë të parë, të hakmerrej kundër së shkuarës së tij. Kundër jetës së tij të harxhuar më kot. Kundër gjithçkaje që e kishte rrethuar deri tani dhe që, dashur padashur, kishte një pjesë faji ndaj tij.

Kishte qenë vendimi i parë i jetës së tij. I mirë apo i keq, ishte vendimi i tij. Vonë dhe nën një presion të shumëfishtë vërtet, mendoi, por më mirë në këtë jetë, se pas vdekjes. Do të ruante vajzat, natyrisht. Ishin ndoshta gjëja e vetme e dëlirë e jetës së tij. Gjëja e vetme e vërtetë.

Vazhdonte të vlonte përbrenda. Ngutej të shkonte drejt fundit sa më shpejt. Nuk do të kishte më kthim pas. E dinte se disa njerëz do të vuanin më shumë e disa më pak, sikurse dikush tjetër do të gëzohej. E ëma dhe i ati do të ishin të parët që do të goditeshin fort. Do t’u dhembte zemra e ndoshta edhe do t’u plaste nga hidhërimi, por edhe ai vetë po vuante mbase më tepër se ata. Do të ndiheshin të braktisur, të mjerë prej mungesës së tij, por edhe ai vetë të njëjtën do të ndiente. I mjerë ishte që tani. Do të ishin të palumtur? Se mos ai vetë do të ishte i lumtur! E kush ndihet mirë në këtë botë të  pashpirt, mërmëriti i tejlodhur Mondi. Për Klodin dhe prindërit e saj do të mjaftojë si dënim ftohtësia, ngrica e shpirtit tim. Duke parë përçmimin në sytë e mi, ata do të ndihen ndoshta edhe më fatkëqij se ç’kanë qenë e ç’janë në të vërtetë.

Në nxitim e sipër, pa te monitori i shpejtësisë së makinës dhe kuptoi se ishte me gati dyfishin e shpejtësisë së lejuar. Sonte askujt nuk i mjaftuaka koha, mendoi. Gjithçka qenka përfshirë nga ngutja, nga padurimi. Gjithkush e çdo gjë nxituaka. Frenoi dhe pas pak kaloi në korsinë e majtë. 

Nuk kam tjetër ilaç, as për vete as për të tjerët, tha me zë. Secili të kuronte vetveten me dhembjen e tij. Ishte i sigurt se me disa humbje, gjithsesi të pazëvendësueshme, kishte fituar atë që i kishte munguar më së shumti jetës së tij: lirinë për të qenë i lirë. Lirinë për të vendosur vetë për jetën e tij. Dhe i regëtiu një lloj kënaqësie e panjohur, e paprovuar më herët për vetveten. Ishte i sigurt se nuk do të kishte frikë nga liria, edhe pse i erdhi shumë vonë. Mjaft më, tha me zë të lartë, ndoshta për ta fiksuar edhe më mirë në tru. Mjaft më, duke e gjetur gati çdo gjë. Në pjatën e argjendtë të babit e mamit apo edhe në kupën e helmit të Aristidhit dhe të Klodit, gjithashtu, shtoi tërë pezëm.

Le të më quajnë si të duan, mosmirënjohës, plëngprishës. Nuk kam çfarë t’u bëj. Le të më quajnë po deshën edhe të vdekur, sepse, në fakt, gjysmë të gjallë e ndiej veten. Lamtumirë prindërit e mi të çmuar, pëshpëriti dhembshëm. Nuk do ta merrni vesh kurrë të vërtetën e dështimit tim, paaftësinë time, frikërat e mia, por ndoshta as atë që kam fituar më në fund.

Më pas ai do të bindej edhe më shumë se tërë kjo intrigë që u krijua kishte qenë pikërisht për pagesat. Aristidhi nuk punonte. E shoqja fitonte pak. Marini kishte një pagë pak më të lartë se mesatare dhe me të ai paguante qiranë e taksa të tjera. Kuptohet se e tërë kjo nuk ishte e lehtë. Mendja e Aristidhit, e mprehtë dhe dinake siç kishte qenë gjithmonë, me sa duket, ishte marrë gjatë me çështjen e pagesave që, në fakt, ishte edhe çështje ekzistenciale për të. Ai i ruhej veçanërisht një rikthimi të detyruar në vendlindje, në Shqipëri, ku jetonte djali i madh. Më mirë të vdes, mendonte, se të shkoj sërish atje ku më është nxirë jeta për dekada të tëra.

Ndoshta ka arritur në përfundimin se dilema e pagesave do ta shoqëronte gjatë nëse nuk vepronte tani. Diçka duhet të ketë ndodhur në atë shtëpi. Klodi më tha diçka një herë, ndërsa përmendi edhe emrin e Marinit dhe shtetin e Floridës, por unë nuk i dhashë rëndësi. Ndoshta kjo ka qenë koha kur Aristidhi ka menduar të gjente një zgjidhje të shpejtë. Si ta gjente? Me kë ta gjente? Ndërsa pas derës priste pagesa e radhës. Ai nuk mund t’ia falte vetes të mbetej viktimë e faktit të kryer – të mendonte për zgjidhjen pas largimit të Marinit. Ka shumë të ngjarë, mendoi Mondi, që këto rrethana ta kenë turbulluar fort Aristidhin. Ai nuk mund të jetonte në pasiguri. Donte një zgjidhje përfundimtare dhe nga mendja e tij ka dalë pikërisht pakti me Klodin.

Nga këtu ai i ka tjerrë vetë tërë fijet e paktit. Vetëm me një pikësynim: jetën e mbetur ta jetonte me mendje të fjetur, pa asnjë shqetësim. Me siguri, mendonte Mondi, e ka ndier qysh në ato momente se do të ishte fitimtar në këtë operacion dhe do t’i gëzohej për një kohë të gjatë asaj fitoreje. Për herë të parë në jetën e tij do të shijonte në qetësi frytet e së vetmes fitore. Ajo që planifikonte të bënte ishte e paimagjinueshme: do të braktisej nga djali, por do të “skllavëronte” dhëndrin. Dhe ia kishte arritur. Natyrisht, me ndihmën e Klodit. Në aktin e fundit të jetës së tij do ta kishte mendjen të fjetur, njëherë e mirë. Vërtet tani po e kalonte kohën i qetë: përpara TV ose në kafenenë aty pranë. 

Në fshehtësi të plotë dhe me një gjakftohtësi të frikshme, Aristidhi nuk e kishte vrarë fare mendjen për dhembjet që do të shkaktonte. Për të nuk kishte rëndësi askush. Për më tepër, ai do të ndiente kënaqësi kur t’i shikonte viktimat e tij të shtangura nga e papritura. Me një plan të vetëm do të hakmerrej për një jetë të tërë përbuzje, fyerje, nëpërkëmbje.

“Rreziku” që u ishte kanosur prindërve të Klodit, më në fund, ishte kapërcyer, shfryu Mondi, por me një kosto të lartë: shitjen e shpirtit…

Mirëpo Klodi i shikonte ndryshe, madje në mënyrë të kundërt, veprimet e saj. 

Ajo e dinte se Mondi do të lëndohej më shumë se çdokush tjetër. Kishte menduar një herë t’ia sillte rrotull bisedën. Jo t’i merrte mendim, por thjesht ta parapërgatiste që, kur të vinte momenti, ai ta ndiqte më me lehtësi atë dhe vajzat për te shtëpia e prindërve të saj. Por i ishte kujtuar porosia e prerë e atë atit dhe e penduar, ishte tërhequr shpejt nga kjo ide. E bindur verbërisht ndaj tij, ajo kishte pritur telefonatën. Kishte shpresuar se duke e vënë para faktit të kryer e duke i lënë sa më pak kohë, Mondi ndoshta do të detyrohej t’i bashkohej familjes dhe për fat, mendoi ajo, kishte ndodhur pikërisht ashtu…

Unë dhe mamaja shpresën e kemi tek ti, i tha ai së bijës. Tek ti i kemi sytë. Përndryshe, kishte shtuar, rrezikojmë të mbetemi në mes të katër rrugëve dhe nuk do të dimë nga t’ia mbajmë. Prandaj të thirra. Sa më shpejt të veprojmë, i kishte thënë, aq më mirë. Pasi bëri një pauzë, ai i tha: Ka vetëm një zgjidhje kjo puna jonë. Vetëm një zgjidhje, përsëriti. Ti duhet të vish këtu bashkë me fëmijët. Shtëpia është e madhe. Ka dhoma për të gjithë. Do të jetojmë bashkë. Dakord? e kishte pyetur pa i lënë shumë kohë për të menduar dhe ishte kthyer sërish këmbëkryq. Sytë zhbirues ia kishte ngulur së bijës…

Kishin kaluar vetëm disa ditë nga ardhja e Klodit, vajzave dhe Mondit në shtëpinë e Aristidhit dhe çdo gjë kishte zënë, si të thuash, vendin e vet. Natyrisht, sipas paktit, mendonte Klodi. Kishte ndryshuar ritmi i jetës, oraret e nisjes dhe të ardhjes nga puna. Ndihej mirë apo keq, ngushtë apo lirshëm, i gëzuar apo i zymtë, secili nga ne kishte mënyrën e vet të përshtatjes tashmë në atë shtëpi. Ajo nuk e dinte dhe as nuk e ndiente se disa jetë të tjera pikërisht prej atij pakti ishin tronditur keqas. Goditja kishte qenë e papritur dhe ata nuk e kishin kuptuar nga kishte ardhur e keqja dhe ishin rrëzuar e ndoshta nuk do të ngriheshin dot më, por ajo vinte re se i ati ishte çelur dhe kënaqësia lexohej në tërë qenien e tij. Madje, nuk ishte një kënaqësi e thjeshtë. Ishte një kënaqësi e dyfishtë. Kënaqësi për fitoren e tij dhe gjithashtu, për rrënimin që kishin pësuar disa jetë të tjera. Pas një kohe të gjatë të jetuar me frikë dhe i fyer, më në fund, i kishte ardhur edhe atij ora e ngazëllimit. E kisha paralajmëruar krushkun tim se kjo do të ndodhte një ditë, kishte pëshpëritur me vete Aristidhi, por, me sa duket, nuk e paska kuptuar. Nuk e ha dot ai me Aristidhin, kishte thënë sërish ndërsa shtëpia gumëzhinte nga lojërat e mbesave.

Me një lloj trishtimi të shtirur, Klodi mendonte se nuk e ndihmonte dot më shumë të shoqin. Aq më pak tani kur ai nxinte i tëri dhe nuk ia hidhte sytë askujt. Prindërit e mi mezi i përshëndet. Me mua është edhe më i zymtë. Ajo ende nuk e kuptonte se veprimet e saj kishin, në fakt, edhe një anë aspak njerëzore. Kishte mbrojtur prindërit, por kishte rrënuar, në të njëjtën kohë, disa jetë të tjera, përfshirë edhe jetën e saj familjare. Vetëm kur kishte kuptuar goditjen që kishte marrë jeta e saj intime, ajo kishte shtangur dhe kishte nisur të pranonte tërë ankth se ajo jetë nuk ekzistonte më, kishte pushuar së qeni, ishte sakrifikuar e para. E kishte bërë kurban me duart e veta në themelet e paktit. Vetëm tani Klodit po i zgjoheshin dyshimet për atë që kishte bërë

Oh, ç’tmerr paskam bërë, kishte klithur ajo në vetmi një mbrëmje vonë, ende pa shkuar në dhomën e gjumit.

I shkoi mendja sërish tek i ati dhe gati sa nuk ia dha ulërimës. Mos jam bërë si ai? Mos bashkë me planin e tij kam marrë edhe ligësinë e tij? Mos ndoshta tani e tutje do të jetoj si ai? Një jetë pa gëzime, pa kënaqësi, pa dashuri, pa… pa… Një jetë pa njerëz të dashur përreth. Vetëm me të atin e të ëmën! Më mirë të mos jetoj më, tha me zë, që edhe t’i dëgjonte fjalët e saj.

E pikëlluar, Klodi po vërente se Mondi kishte vendosur të sillej me të sipas mënyrës së saj. A nuk kishte vepruar ajo në fshehtësi të plotë? Të njëjtën po bënte edhe ai, nuk më fliste fare. Asnjë bisedë, asnjë fjalë, asnjë shikim. Shpagimi i tij ishte i plotë. Midis të dyve, heshtje mizore, e padepërtueshme. E braktisur, ajo po shikonte çfarë kishte humbur. E mjerë, e mbledhur kruspull, po habitej se sa shpejt kishin nisur humbjet në jetën e saj. Dhe çfarë humbjesh! Ndiente një mundim të madh në shpirt. Këtë radhë jo se nuk dinte çfarë donte, por sepse nuk e kishte më atë që donte. Atë që kishte pasur për vite të tëra, por që, për fat të keq, nuk kishte ditur ta ruante.

Në ditët në vijim, sa herë e kishte të shoqin përballë, ndiente t’i priteshin fuqitë. E kapte kriza. Turpërohej deri në fijen e flokut, edhe pse ajo përballje zgjaste vetëm disa sekonda. Mondi nuk ia hidhte fare sytë. Me një shpërfillje të dukshme, gati-gati me neveri, i kthente kurrizin dhe merrej me punët e tij. Klodin e përfshinte paniku. Ndihej e neglizhuar, e injoruar, pa asnjë vlerë. Nuk e donte veten. Ndjenja e fajit, e frikshme si vdekja, i dukej e pamjaftueshme. Si jam bërë kështu, mendoi ajo tërë ankth. Si ta mbaj në shpirt këtë faj që bëra? Desha vetëm të siguroja prindërit e mi. Nuk do të doja kurrë t’u bëja keq atyre njerëzve që më kanë dashur aq shumë. Nuk po arrij ta kuptoj më veten time. Qenkam shndërruar në një egërsirë të vërtetë, pëshpëriti dhembshëm.

Në një nga ato ditë, ndërsa kthehej nga puna, me mendjen të gjymtuar nga vetëfajësimi që e shoqëronte tërë kohën, ajo kishte ndier mall për Mondin e dikurshëm. Si kam duruar kaq kohë pa shikimin e tij? po thoshte me vete. Pa fjalët e tij ledhatuese. Pa ngrohtësisë e trupit të tij. Të dashurisë së tij… Si kam duruar tërë këtë kohë pa këto? Në heshtje u betua se nuk do të hiqte dorë derisa ta rifitonte sërish burrin e saj. Ta rikthente sërish njeriun që kishte njohur që në fillim të lidhjes së tyre dhe me të cilin kishte jetuar më shumë se një dekadë. Nuk mund ta duroj më atë pamjen e tij përherë e më të ngrysur, por nuk di nga t’ia nis. Nuk gjej guxim të hedh hapin e parë. Të paktën, po kuptoj gjënë më të rëndësishme: sa e marrë paskësha qenë kur rrëmbeva vajzat dhe u nisa… drejt shkatërrimit, deshi të shtonte, sepse, mendoi, shkatërrim kishte qenë jo vetëm ideja, por edhe mënyra e realizimit të tij. Për mirësinë e Zotit, tani po mundohem të shoh më qartë: pas, por edhe përpara. Po shoh diçka që, ndërsa punoja për planin e babit tim, as ia kisha idenë. Nuk e kisha parandier të keqen. Bindja e verbër ndaj babit nuk më kishte lejuar të shikoja çfarë mynxyre mund të sillte ai plan, veçanërisht për të shoqin. E kisha trajtuar si një viktimë të bindur. Veprova me të si të ishte askushi, duke i rënë shkurt. Më ishte dukur normale të mendoja ashtu. Në fakt, ashtu e mendoi babi. Unë thjesht e zbatova. Për të atëherë ishte e njëjta gjë, kurse tani veçanërisht kjo e dyta i dukej plumb e rëndë.

A e kam dashur tim atë sikundër çdo bijë e do atin e vet? pyeti veten Klodi. Në të vërtetë, dashuria ime për babain tim ka qenë e komplikuar, mendoi ajo, dhe gjërat e komplikuara kanë qenë përherë të vështira për mua. Nuk u bëj dot ballë. Edhe prirja ime e vetvetishme për ta krahasuar me oktapodin kur lëvizte duart apo zbulonte këmbët, me sa dukej, ishte pjesë e atij komplikimi. Prandaj, me sa kam kuptuar, edhe dashuria ime për të ka qenë disi e paqartë. Ka pasur brenda saj edhe imponim, edhe hutim, edhe keqardhje e përkujdesje, por jo adhurim. Për çudi, nuk kam ndier ndonjëherë të jem krenare për të, sepse kjo ndjenjë ishte e huaj edhe për atë vetë. Megjithatë, në heshtje kisha pranuar ta doja thjesht si prind dhe ta besoja symbyllur. Të zbatoja me përpikëri atë që ai më kërkonte. Më ishte mbushur mendja se ajo që ai planifikoi kishte qenë e vetmja rrugë shpëtimi për të dhe mamin.

Tani bëj çudi me veten si dhe pse isha treguar aq mendjelehtë, aq e pazonja për të gjykuar e për të gjetur mundësi të tjera për t’i ndihmuar prindërit, që realisht ishin në nevojë? Për të shmangur aventurën në të cilën kisha futur jo vetëm veten, por edhe familjen time. Presioni psikologjik i babit kishte qenë këmbëngulës dhe unë isha si nën hipnozë. Ai dinte si të imponohej, sikundër dinte të shfaqej si i përvuajtur. Kjo më kishte trazuar edhe më keq dhe isha dorëzuar tërësisht. Im atë më vuri përpara vetëm një plan dhe unë i kisha sytë të mbyllur dhe mendjen të bllokuar. Tani po e kuptoj sa i rrezikshëm kishte qenë ai plan. Sa djallëzore fshehtësia e tij. Në radhë të parë, për jetën time, për Mondin. 

Pas rreth dy orësh Mondi po parkonte makinën përpara shtëpisë së Aristidhit. Klodi e kishte dëgjuar dhe kishte vrapuar në dritare. Lavdi Zotit, erdhi, kishte pëshpëritur ajo e lehtësuar dhe e gëzuar. Madje, dyfish. Plani ishte zbatuar me përpikëri dhe ajo, i shoqi e vajzat do të ishin sërish bashkë. Mondi e kishte kaluar provën, mendoi ajo.

Kur ai kishte hyrë brenda, ajo kishte vënë re menjëherë humnerën që ishte krijuar brenda tij. Në vend të syve, dukej sikur ishin vetëm zgavrat e çakërdisura. Fytyra e ngërdheshur dhe e ngrirë. Ishte pak të mendoje se ai ishte thjesht i zemëruar. Në fakt, ishte i tërbuar, por e mbante brenda vetes. Ndoshta, mendoi ajo, edhe sepse ai nuk ishte tip shpërthyes. Nuk kishte bërtitur kurrë, nuk kishte thyer pjata apo vazo për të shfryrë zemërimin. Pasi lëshoi në dysheme dy-tri çanta, Mondi u lëshua në kolltuk. Qëndroi aty pa lëvizur për orë të tëra, me vështrimin lart, drejt asgjësë. Edhe kur të gjithë të tjerët shkuan për të fjetur, ai nuk kishte lëvizur nga vendi. Madje, edhe në mëngjes, kur ajo dhe vajzat u ngritën nga gjumi, Mondi ishte ende aty, në të njëjtin pozicion. Si i ngurosur, përgjithmonë, kishte menduar Klodi tërë frikë. Askush nuk e dinte në kishte fjetur sadopak. As çfarë kishte menduar ai njeri atje, i vetëm, tërë natën. As i gjallë as i vdekur. Plagët që Mondi kishte marrë ishin të rënda, por plagët që do t’u shkaktonte të tjerëve do të ishin edhe më të rënda, edhe më të thella. Këtë Klodi nuk e kishte parashikuar. 

Ditë më pas Klodi kishte kuptuar se Mondi kishte ndryshuar përgjithmonë. Nuk i qeshte më buza. Nuk nxirrte një fjalë nga goja. Me pamjen e tij të heshtur e kërcënuese nuk më lejonte as ta pyesja, aq më pak t’i afrohesha. Ishte si t’i afroheshe një hijeje të lemerishme. Përveçse kur merrej me vajzat. Vetëm me ato ishte Mondi i qeshur e plot humor. Madje, tani u përkushtohej edhe më tepër. Luante me to, i përkëdhelte, i përqafonte. Lumturoheshin të tre. Me vajzat rikthehej Mondi i vërtetë që Klodi kishte njohur prej vitesh. Larg vajzave ishte fantazma e tij tmerruese, i zemëruar me të gjithë, i helmuar deri në palcë, përçmues ndaj të gjithëve. Kur i mendonte tërë këto, Klodi ligështohej. I dukej vetja një hiç. Edhe pse këto kalime nga një gjendje në një tjetër e sfilitnin, ajo ndiente se kjo gjithsesi mund të ishte një shenjë e mirë. Ajo po përpiqej të rigjente ekuilibrin e humbur. Të rigjente vetveten, për të mos e lejuar veten të dominohej edhe më gjatë nga e keqja. Boll marrëzira kam bërë kohët e fundit, pëshpëriti ajo.

Ajo rikujtonte netët e para në dhomën e re të gjumit. Akull gjithandej. Krevati, çarçafët, çdo gjë. Trupa të ngrirë, gati-gati si të pajetë. Nuk shkonim për të fjetur pothuajse asnjëherë në të njëjtën kohë. Secili nisej në heshtje dhe shtrihej në anën e vet të krevatit. Edhe mbulesat i kishim të ndara. Secili të vetën, duke e theksuar edhe më tepër humnerën shpirtërore midis të dyve. Më e frikshme se kurrë. Ajo nuk kishte provuar t’i afrohej, aq më pak ta prekte.

Vetëm pas dy apo tri javësh ajo mendoi t’i afrohej fare ngadalë trupit të tij. Në fillim disa lëvizje të vogla, disa prekje si të rastësishme, pastaj afronte këmbët e saj tek të tijat. I kalonte dorën nga shpina te qafa derisa një herë kishte guxuar ta kalonte njërën kofshë mbi të tijat dhe më pas deri te gjoksi i tij. I hipte lart dhe i lëvizte gjinjtë te fytyra e tij, te buzët e tij. Ajo që merrte ishte fare pak, diçka pa nerv, e lodhur, shpërfillëse, por Klodi e kishte vendosur tashmë, nuk do të lodhej, nuk do të ndihej e zhgënjyer. Ngjishej pas tij duke e prekur në shpinë me gjinj. E prekte në zona intime, e puthte pa pushim gjithandej. I pëshpëriste fjalë seksi te veshi, e kafshonte ëmbël te qafa dhe në pika të tjera të dobëta që vetëm ajo ia dinte, por në këmbim, përveç ndonjë ledhatimi fare të lehtë, nuk merrte pothuajse asgjë. E rraskapitur, ndalonte. Nuk kishte më fuqi të vazhdonte e as të shkonte më tej. Ngadalë, i kthente shpinën dhe përpiqej të mbyllte sytë, por të flinte i dukej edhe më e vështirë. Përpëlitej mes copëza ëndrrash deri pas mesnate kur lodhja, me sa duket, bënte punën e vet. Të nesërmen, ndërsa futeshin në dhomën e gjumit, ajo ia niste nga e para, sërish… 

Duhet të bëj diçka, mendonte ajo. Diçka që ta çlirojë, diçka që ta nxjerrë nga akulli, diçka që ta nxisë të vijë drejt meje. Si fillim, ndoshta duhet të ndërpres këtë mënyrë fjetjeje. Nuk do të ketë më mbulesa të ndara, pa e kuptuar se nuk ishin mbulesat e ndara ato që kishin rrënuar intimitetin dhe dashurinë midis tyre. Trupat e tyre edhe nën të njëjtën mbulesë kishin vazhduar të ishin po aq të pandjeshëm. Çarçafët, me sa duket, e kishin humbur sekretin e tyre turbullues. Ai shtrihej e ngrihej i ftohtë, pa thënë asnjë fjalë, pa bërë asnjë gjest, akull i tëri.

Po sikur kjo akullsirë në një prej këtyre netëve sfilitëse të më pushtojë edhe mua, mendonte Klodi e drithëruar dhe fillonte aventurën e saj të dhomës së gjumit sërish e sërish, por zhgënjimet ndiqnin njëri-tjetrin. Më pas ajo do të përjetonte një vuajtje të panjohur, një vuajtje që nuk e shpjegonte dot, por që kishte lidhje me përpjekjet e saj të dëshpëruara. A ia vlenin tërë ato mundime? pyeti ajo veten dikur. A mund të zgjidhej në dhomën e gjumit diçka që kishte ndodhur jashtë saj? Në fund të fundit, a ishte tani e sinqertë me të shoqin? Dilema të pafundme. Druajtje. Ankth. Natyrisht, përsëri zhgënjim. Nuk e kishte menduar kurrë se duke u afruar shumë me të atin do të ftohej kaq keq me të shoqin. 

Momenti kur nisej për në dhomën e gjumit po e trembte përherë e më shpesh. Ajo dhomë tashmë i dukej më e mërzitshme e më torturuese se kurrë. Herë-herë i ngjante më shumë me një dhomë moteli ku futesh thjesht për seks, zakonisht me një person të rastësishëm.

Nuk dua të ndihem e vetmuar në dhomën time të gjumit, klithte ajo brenda vetes. Ç’është ky dënim kaq i rëndë? Ç’mëkat i madh paska qenë! E kishte ndier me kohë që diçka nuk shkonte në atë veprim të sajin, por nuk e kishte pritur që e keqja të depërtonte kaq thellë. Klodi e dinte se dhoma e gjumit mund të zgjidhte shumë probleme që i lindin një çifti, por tani po bindej se ajo dhomë, me gjithë natyrën e saj misterioze, nuk mund të shërojë pasojat e një faji kaq të rëndë si ai që i kishte kurdisur pas shpine të shoqit.

Në momente të kthjellëta Klodi shpresonte se mbase kjo gjendje e të shoqit nuk do të zgjaste tërë jetën. Sa shumë qenkësh tronditur i shkreti, mendonte ajo. I kishte ardhur e papritur dhe ishte hutuar, ishte bllokuar i tëri. E kisha lënë me vetëdije jashtë planit me tim atë, edhe pse e kisha një parandjenjë se kjo do ta lëndonte, por porosia e babit kishte qenë e prerë: Askush. Unë, gjykonte ajo, duhej t’i qëndroja planit. Për një kohë nuk ishte ndier e penduar për këtë gjë. Ja, kishte shpresuar ajo, dalëngadalë po mësohemi të jetojmë në shtëpinë e re. Vetëm Mondi po e vuante. Edhe pse, siç nuk e kisha imagjinuar të na përfshinte kjo shkreti, ndoshta vajzat dhe dashuria për to do t’ia zbusin shpirtin gradualisht.

Netët kalonin njëra pas tjetrës. Për çudinë e Klodit, njëra më e keqe se tjetra. Edhe pse çdo natë i ndërroja ngjyrat e veshjeve intime, edhe pse i hiqja e i flakja ato andej-këtej në dhomën e gjumit dhe i shfaqesha nudo, Mondi vazhdonte të ishte i verbër. Nuk reagonte. Nuk më shikonte. Dukej se nuk ndiente më për hiret e trupit tim.

Ç’nuk kisha provuar, por asgjë. Derisa një natë, ndërsa ishim të shtrirë secili në anën e vet të krevatit, dyshova e tmerruar se ndoshta kisha humbur magjinë e trupit tim. Hiret e tij, pas të cilave ai dikur marrosej. Misterin e trupit tim, të gjinjve e të seksit tim. Për fat të keq, kishte ndodhur pikërisht kjo gjë. U mblodh kruspull. U lemeris nga zbulimi i asaj që kishte ndodhur dhe ia plasi të qarit me ngashërim, por pa nxjerrë zë. Më shumë se e qarë, ishte një vajtim. Një vajtim për fatin tim, mendoi. Për fajin tim. Për humbjen e dashurisë sime. 

Klodi kishte nisur të ndihej e pafuqishme. Shpesh i dukej se po kërkonte diçka të pamundur. Mondi jo vetëm nuk e ndihmonte, por e pengonte. Ndoshta pa dashje, ndoshta qëllimisht. Qëndronte i heshtur, i ftohtë. Edhe seksin e bënte në atë mënyrë sikur të mbaronte një nevojë, një detyrim, ndaj vetes dhe ndoshta edhe ndaj meje. Klodi po bëhej përherë e më nervoze. Mendonte se nuk mund ta duronte më këtë gjendje, por kujtohej se pas asaj që kishte bërë në fshehtësi nga i shoqi nuk kishte rrugë tjetër për të. Ishte e detyruar të duronte, të përtypte çdo fyerje, çdo lodhje. Kjo e ligështonte edhe më tepër.

Pothuajse tërë kohën dhe kudo që të ishte Klodit nuk i shqitej nga truri akulli i dhomës së gjumit. I ishte kthyer në fiksim, aq sa në një rast kishte menduar se ndoshta ajo dhomë gjumi ishte e mallkuar. Ndërsa bëjmë dashuri dhe pres që kënaqësia ime të arrijë kulmin, gjithçka ndërpritet dhe fiket befas, derisa, më në fund, unë tërhiqem në boshllëk, ndihem e rraskapitur dhe kuptoj tërë frikë se jo vetëm Mondi, por edhe vetja ime qenkësh kundër meje. Ajo diçkaja misterioze që më herët mendoja se ishte vetëm brenda Mondit, tani e tmerruar po zbuloja se ishte edhe brenda meje. Ja përse paska ndodhur që sa herë që mendoja se isha shumë afër orgazmës, në fakt, isha më larg se kurrë prej saj. Kisha aq nevojë për të, por ishte po aq e pamundur.

Dyshimet e mia ishin të vërteta. Po vazhdonim të bënim thjesht seks dhe ndoshta për gjithë jetën do të bëjmë të njëjtën. Përkëdheljet, puthjet, prekjet në pjesët intime ishin harruar. Shkohej drejt e te seksi, asgjë tjetër. Klodi ndihej e padëshiruar, e vetmuar. Ç’nuk kishte bërë ta ndryshonte atmosferën poshtë çarçafëve ngjyra-ngjyra. Kishte provuar forma të ndryshme të të bërit dashuri. E tërhiqte të shoqin me insistim në lojëra seksi, në stile të ndryshme, por ajo që dëshironte nuk vinte që nuk vinte. Në gjumë përherë e më tepër shikonte ëndrra me hapësira të pafundme akulli dhe veten e saj krejt lakuriq mbi atë rrafshinë të bardhë e të pafund. 

Me sa duket, e paskemi humbur njëherë e përgjithmonë dashurinë e vërtetë, pëshpëriti një mëngjes ndërsa vazhdonte të rrinte shtrirë në shtrat. Kemi humbur shkrirjen e plotë hyjnore me njëri-tjetrin, nxitjen e brendshme, kënaqësinë e pafundme. Sa do të doja, o Zot, të rikthehej dashuria dhe pasioni i kohëve të shkuara, tha ajo heshturazi, ndërsa jastëku lagej nga lotët e saj të nxehtë. Na i kthe edhe një herë, o Zot, vazhdoi ajo të lutej.

Disa minuta më pas, ndërsa merrej me diçka në dhomën e ndenjjes, ajo mendoi befas se, siç duket, Mondit i ishte thyer zemra copash kur kishte zbuluar se ajo kishte mbetur Klodi e dikurshme, e bija e Aristidhit. Ndoshta ai mendonte se ajo nuk ishte bërë asnjëherë gruaja e të shoqit, besnike e tij. Klodi pranonte brenda vetes se edhe pas viteve të para të martesës ajo vazhdonte të ndihej shumë e afërt me të atin. Ndërsa më pas mendja e shpirti i saj i ishin përkushtuar Mondit dhe familjes së tyre. Mirëpo, me sa duket, ky përkushtim nuk ishte i thellë, i vetëdijshëm, sepse, sikundër po zbulonte ajo, mjaftoi një moment kritik në familjen e të atit dhe ajo u shndërrua në çast Klodi e dikurshme. Për fat të keq, edhe pse kishte qenë vetëm një moment, ai kishte prishur gjithçka. Tani unë vuaj pikërisht prej atij momenti, prej marrëzisë sime në atë moment.

Mondi kishte të drejtë të mendonte ashtu, pëshpëriti ajo në një gjendje të rënduar. Kishte qenë vërtet një moment, por i tillë që na kishte hedhur në erë të gjithëve. Një moment sa një brengë e përjetshme njerëzore. 

Klodi po provonte të futej brenda trurit të të shoqit. Si vendosi të na ndjekë? Çfarë ka menduar rrugës? Çfarë vendimesh kishte marrë ndërkaq për vete, për mua e për njerëzit e afërt? Kishte qenë pa dyshim në udhëkryqin më të vështirë të jetës, mërmëriti ajo. Taksë të rëndë do të paguante ai vetë, por me siguri taksa që do të paguaja unë qenkësh ku e ku më e rëndë, mendoi ajo trishtueshëm. Ja, tani kjo po ndodh e ndoshta do të vazhdojë për vite të tëra. Ndërsa mendonte këto, ajo u çudit kur vuri re se po ndiente një lloj qetësie e qartësie në gjykimet e saj. Mbase ngaqë po përpiqem ta shoh ngjarjen jo me sytë e mi, por me sytë e Mondit. Me sa duket, kjo e ndihmoi të kuptonte sa e cekët dhe e pamatur ishte treguar në tërë këtë histori dhe nisi ta brente një pendesë e lehtë në fillim, por përherë e më torturuese. Të mirën që bën në jetë, mendonte ajo, nuk e merr gjithmonë mbrapsht. Të keqen, po. Madje, shpesh të përplaset në fytyrë në mënyrë të shumëfishuar.

Shumë njerëz kishin mbetur peng i veprimeve të saj. Viktima të saj. Tani nuk kam çfarë të bëj. Veç të lë peng shpirtin tim, mendoi ajo. Tani është radha ime të vuaj, tha ajo me vete. Sigurova prindërit, por hodha në erë veten dhe burrin tim. Tortura në dhomën e gjumit, pagjumësia dhe ftohtësia, mëdyshjet për humbjen e dhuntive të saj femërore po i rëndonin me një peshë të papërballueshme. Vetmia që ndiente brenda vetes e bënte edhe më të pashpresë, kurse ideja nëse ishte apo nuk ishte më e zonja në krevat e lemerisi. Ishte gati të shpërthente në lot. Shpirti po i rëndohej. Po i dhembte shpirti për gjithçka kishte pësuar. Ajo vetë, por edhe të tjerët pikërisht prej saj.

Tashmë e kishte disi më të qartë se Mondi kishte humbur afeksionin ndaj saj, kishte humbur intimitetin. Menjëherë pas ardhjes në shtëpinë e të atit ajo ishte përballur me vështrimin e tij të ftohtë e përbuzës. Më shumë se një vështrim, në fakt, kishte qenë një mosvështrim. Çka ishte edhe më keq. Atë mbrëmje ajo nuk e kishte marrë mesazhin e vërtetë dhe prandaj nuk i kishte dhënë rëndësi. Edhe kur i shoqi sillej ndaj saj sikur ajo të mos ishte aty, sikur ajo nuk ekzistonte, Klodi, pa e menduar thellë, e kishte quajtur diçka kalimtare. Shumë gjëra gjatë asaj kohe i kishte kaluar me lehtësi. E ka nga mërzia, mendonte. Edhe unë vetë jo rrallë kështu po ndihem. Sikur më është këputur diçka brenda vetes dhe nuk është një këputje dosido, por një këputje e thellë që më tremb dhe më huton, sikur nuk e ndiej pulsin e trupit tim, sikur humbas gjithçka. Nuk di më ç’po ndodh me mua. As se ç’mund të ndodhë. 

Me kohë, ndërsa kuptonte përmasat e vërteta të humnerës që ajo kishte shkaktuar në shpirtin e të shoqit, drithërimat i shtoheshin. Shpresa e saj se dhoma e gjumit me kohë do t’i rregullonte gjërat kishte qenë një iluzion fatkeq. Një mëngjes herët, ndërsa Mondi doli nga dhoma e gjumit, ajo, pasi pëshpëriti “iku dhe një natë tjetër e akullt”, u ngrit dhe shkoi përpara pasqyrës. Hoqi këmishën e natës dhe nisi të vërente me kujdes trupin e saj lakuriq. E pëlqente lëkurën e saj ngjyrë gruri, të lëmuar dhe të hollë. Preku buzët e saj, qafën, gjinjtë, barkun… Më duken ende ndjellëse, tunduese. Vitet kishin qenë dashamirëse me të. Më duket se janë pak a shumë të njëjtat. Jam pak më e mbushur, por që nuk bie në sy ngaqë jam e gjatë. Ia ofroj Mondit gjithçka kam çdo natë, me dëshirë të papërmbajtur. Tani ai ka nisur t’i prekë vërtet nga pak, por diku diçka ende ngec. Jeta poshtë çarçafit është… kalon nga një gjendje në një tjetër. Është ende e zbehtë dhe e ngathët, por jo sa ç’ishte në fillim të kësaj historie. Çfarë të bëj më tepër? Çfarë të mos bëj? Nuk po gjente asnjë rrugë daljeje nga labirinti ku e kishte futur veten. Nuk ishte më e sigurt për asgjë. Ndjeu një pështjellim turbullues. Ku e futa veten kështu me atë plan të mallkuar?  Mos e teprova paksa me këtë? Ndoshta jo, por ndoshta po. Me siguri që e katranosa. Aq sa tani nuk di nga t’ia mbaj.

Para se të dilte, preku edhe një herë lëkurën e lëmuar, buzët, qafën, gjinjtë… Donte të zbulonte enigmën që fshihej brenda tyre. Dora i rrëshqiti edhe më poshtë, por hiç. Nuk po e ndiente efektin e prekjes, as atë të ledhatimit, edhe pse ishte dora e saj dhe jo e… Një trup që s’ndien. Një shpirt që përgjërohet. Asgjë nuk lëvizka më brenda këtij shpirti. As në këto forma të lakuara të trupit. Asgjë nuk vërshuaka më atje brenda. Njëlloj sikur të prekte diçka pa vlerë. Po kjo nga na doli tani, mendoi e tronditur. Pa vlerë. E kotë. E sëmurë rëndë. Gjithçka qenka shuar. Ngrica më paska zaptuar tinëz. Nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë dhe nuk e prisja të ndodhte. Është e qartë se qenkam sëmurur edhe unë, mendoi ajo. Paskam edhe unë pak a shumë të njëjtën sëmundje si Mondi. Ftohtë, ngricë gjithandej. E unë budallaçka u përpoqa të shëroja atë. Ndërsa, me sa po kuptoj, duhet ta kisha nisur nga vetja.

Ndjenja e vetëfajësimit do të merrte përmasat e plota kur ajo mendoi se ndoshta Mondi kishte bërë të njëjtën edhe me prindërit e tij. Nuk e kishte dëgjuar asnjëherë të shoqin të fliste në telefon me ta. Fakti që as ata nuk e merrnin në telefon e kishte bërë të kuptonte se diçka nuk shkonte mirë edhe midis tyre. Të jetë grindur edhe me ata? E pabesueshme! E pamundur! mendoi. Qoftë edhe për faktin se ata ishin krejtësisht jashtë asaj që kishte ndodhur. Si nuk i mori të paktën vajzat ndonjë fundjavë e së bashku me to të vizitonte prindërit e tij? Si ka duruar pa dashurinë e tyre? Si nuk i ka ardhur keq për ta?

Në qoftë kështu, mendoi ajo, atëherë shpagimi i tij i paskësh përfshirë edhe ata, edhe pse pa faj, tërësisht jashtë planit të saj me të atin. Hakmarrja e Mondit nuk paskësh njohur kufi, mendoi Klodi e këputur. Kaq shumë qenkësh helmuar shpirti i tij prej veprimeve të mia të fshehta? Nga hataja, thuaj. Shtrigë, i tha vetes. Idiote, shtoi pa i ardhur aspak keq. Ndiej neveri nga vetja ime. Qenkam katandisur për t’u mëshiruar. Edhe pse mëshirën nuk e kam pëlqyer kurrë. 

Pas asaj mbrëmjeje dikujt i ishte prishur gjumi përgjithmonë, dikujt tjetër shpirti nuk do t’i gjente më qetësi, mendonte ajo. Dikush ishte plagosur në zemër e dikush e kishte marrë goditjen në ballë. Vetëm i ati kishte dalë i fituar, por, siç do t’i vinte fati, këtë fitore, aq e shtrenjtë për të, e vetmja e tij, nuk do ta shijonte gjatë.

Megjithatë, mendonte ajo, Mondi kishte ruajtur për vete diçka të çmuar nga e kaluara, përkushtimin ndaj vajzave, dashurinë e pakufishme për to. Vetëm me ato ishte i njëjti. Vetëm kur ishte me ato Klodi nxirrte mallin e Mondit të dikurshëm, me të cilin ajo kishte rënë marrëzisht në dashuri. Mirëpo ja tani, jemi bërë si të huaj, mendoi ajo. E tmerronte ideja se sa gjatë do të vazhdonte hakmarrja e heshtur e të shoqit. Një vit? Një shekull? Përgjithmonë? Askush nuk e dinte këtë gjë. Ndoshta as ai vetë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bujar Skendo

NGA DEMONSTRATAT E 1968 DHE 1981, DERI TE UÇK-JA DHE PAVARESIA E KOSOVES

August 18, 2023 by s p

Në mbrojtje të identitetit kombëtar e shtetëror

Me 27 Nëntor 1968, studentët shqiptar në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë, thyen tabunë e të demonstruarit masiv në shtetin Komunist Jugosllav. Më 11 Mars 1981 në Prishtinë student me simbolikën e “përmbysejes së pjatës”, filluan rrënimin e sistemit komunist nè ish-Jugosllavi. Studentët shqiptar më 1 Tetor 1997 protestuan në Prishtinë kundër dhunës sërbe, dhe prishen rehatinë e politikës paqësor. Më 28 Nëntor 1997, dalja publike e UÇK-së, dëshmoi rezistencën e veprimit ushtarak dhe përcaktimit drejt çlirimit më10 Qershor 1999, dhe shpalljen e Kosovës Shtet Demokratik e të Pavarur, më 17 Shkurt 2008.

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia

            Ngjarjet e 1968, ishin shpërthim i parë i demonstrimit të hapur për kërkesat tona politike, kombëtare e njerëzore. Praktikishat, këto ishin demonstratat e para në shtetet e lindjes komuniste. Në Nëntorin e madh, u dëshmua se; Te shqiptarët në Kosovë dhe treva të tjera etnike shqiptare në ish-Jugosllavi, nuk është plotësuar ende, asgjë nga e drejta kombëtare në drejtim të aspiratës dhe ndjenjës kombëtare për lirie e pavarësi. Aspiratë, kujtesës pozitive historike, e përcaktuar që nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit (1878), dhe në vazhdimësi e përseritur, e hapur e shtruar në Mbledhjen e Bujanit, ditën e fundit të 1943 dhe dy ditët e para të 1944, e thënë me fortësisht e trimërisht, nga komunistët shqiptarë, ku ishin pranishëm dhe deshmuan, me nënshkrimin e tyre, edhe përfaqësues sërbë, e të huaj që ishin pjesëmarrë në atë takim. Këtë kërkesë e ripërseriten edhe me veprim ushtarak, gykën e pushkës, e trimëri kundështuese politike e kombëtare në krye me Shaban Polluzhën. Pas luftës, e shprehur edhe me veprime politike të hapura e ilegale të argumetuara ligjësisht, njerëzisht e kombëtarisht e  thënë dhe e bamë  në “Procesin e Prizrenit”. Por, këto ndjenja të ndjekura e të shtypur nga komunistët slave e të ndeshkuara me kodet e ligje diskriminuese komuniste me denime e burgosje drakonike deri në pushkatim, me qëllim që, t’ju tregohet shqiptarëve se, kanë trokitur në dyer të “gabuara”, të “veprimtarisë armiqësore” kundër shtetit. Ndëshkimet komuniste sllave, kishin qëllim që, shqiptarëve t’ju fusin frikë e shqetësim deri në ikje nga trojet e tyre. Të njohura e të përjetuara ishin individ e grupe të shumta veprimtarësh të lëvizjes kombëtare shqiptare, që përjetonin tmerre në trajtimet policore serbe dhe denimet të rënda burgu për “veprimtari e propogandë armiqësore”. Dimërin 1955/56 UDB-ja sërbe organizoi  “Aksionin e Armëve”  për dhunën barbare rrahje, frigësim e ndjekje masive të shqiptarëve, kur shteti në emër të kërkimit të armëve, trajtoi, rrahu e gjymëtoi me dhjetra e mija shqiptarë dhe vrau tre nga ata. Rikonfirmimi i “Marrëveshtjes Gjentlemene” të Qubrilloviqit nga politika komuniste Jugosllave më 1953, mundësoi Shpërnguljen e disa dhjetra mija shqiptarëve në Turqi, dëmtoi më shumë se kurrë më parë substancën kombëtare shqiptare. Pastaj, në vazhdimësi UDB-ja u bë hije përcjellëse e ndjekjes së shqiptarëve, duke I arrestuar e trajtuar në organe policore dhe burgje me dhunë fizike e psikike, duke i kërcnuar, për punën, bisedat të bëra edhe ne rrethe familjare e takime miqësor, shpeshherë edhe të zgjeruara, deri në shpifje e sajime për mendimin vlersues pozitiv “indoktrinimin”kombëtar, Janë të njohura burgosjen e veprimtarëve të dalluar të çështjes kombëtare, Kadri Halimi, Ali Aliu, Metush Krasniqi, për “Propogandë e veprimtari armiqësore”, vend bosht në Levizjen  kombëtare mori burgosja e strallit meteor, Mësuesit të atdhetarizmës shqiptare ,që do shëndrrohet në simbol të rezistencës kombëtare, Bacë Adem Demaçi 1958 dhe përseri me goditje edhe më të rëndë e me masa edhe më të ashpëra ndëshkuese më 1964, edhe më me shumë bashkëvepriumtarë të Bacë Adem Demaçit më 1975. Gjithënjë në ndjekje të shqiptarëve nga sistemi komunist titist, ndër ata dhe me ata edhe disa shqiptarë, të cilët me verbëri shërbëtori ishin në shërbim të okupuesit.

            Gjithë sistemi komunist Jugosllav, me vetëbindje propog andante për stabilitet politik, sepse, sipas tyre, Titoja kishte krijuar një opinion personal mbrenda shtetit, por edhe për shtetin Jugosllav në politikën ndërkombëtare se, sistemi komunist vetëqeverisës Jugosllav, ka një rend komunist të veçantë “liberal” nga të tjerët, edhe pse, i tillë nuk ishte për shqiptarët, me të drejta të barabarta për gjitha nacionalitetet të shumta që jetojnë në këtë shtet të përbashkët. Këtë sistem komunistët sllav, para popullit praktikish popullit e kishin improvizuar të tillë, por, nga mbënda e mbanin nën kërcnim të ligjit dhe aplikimit të dhunës. Këte dhunë të ngritur në nivel shtetëror, demonstratat e sudentëve shqiptarë, do t’ia prishin namin ndërkombëtar, dhe për mbenda reahtinë politike. Rinia e shkollore, studentore, intelektuale e patriotike e mbështetur dhe e përkrahur nga masat shqiptare, me Grupin e Studentëve të Shkollës së Lartë në Prizren, më 6 Tetor 1968, nisen Demostratat me kërkesa të drejta historike të kauzës kombëtare, nga, në sinkronizim vazhduan, më 8 Tetor në Suharekë-Therandë, 19 Tetor në Pejë, e më 27 Nëntor 1968 në skenën e madhe në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë. Demontratat e studentëve kosovarë u shtrijnë edhe në hapësira shqiptare jashtë Kosovës, demonstratat me kërkesa kombëtare u organizuan edhe në Tetovë më 22 e 23  Dhjetor 1968 dhe në Ulqin me 11 Qershor 1969. Me demonstrim të hapur, e kërkesa të natyrshme kombëtare e fortësim të guximshme kundër sistemit antishqiptar komunist Jugosllav. U demonstrua kundër padrejtësisë që ai sistem bënte ndaj shqiptarëve, padrejtësishtë të ndarë nga tërësia shtetëror etnike kombëtare, të ndaluar prej atdheut, historisë, gjuhës dhe simboleve kombëtare, popullit e shtetit të tyre Shqipërisë. Këto vëlime shpërthyese, si vullkani, dolën pa pritur e pa parashikuar nga asnjë nivel e mjedis politikë, shtetëror e srategjik të sistemit vendore komunist sllav. Këto demonstrata, pavarësishtë dhunës e represionit që kishte aplikuar okupuesit komunist ndaj shqiptarëve, demonstratat ishin befasuese e shqetësuese, për politikën dhe shtetin Jugosllav, Demonstratat sa ishin dëm e dëshprim për imazhin ndërkombëtar që kishte sistemi politik komunist Jugosllav, aq ishin dobishme, kurajuese e dëshmi e zgjimit kombëtar për shqiptarët. Pasi, pushtetarët Jugosllav, kishin mendje se, shqiptarët i kanë shtypur deri në atë masë, sa ju kanë topitur mendjen për ringritje në kuptimin kombëtare. Opinion politik kishte bindje se rehatia material që, as ajo nuk ishte në nivelin e viseve e popujve të tjerë Jugosllav, do t’i mbajë kështu të qet, pa ndonjë arsye të ndonjë ringjalljeje të ndjenjës për çlirim kombëtare, edhe për shumë kohë të ardhme. Poashtu, këto demonstrata ishin dëshprim për sistemin dhe “namin” që kishte Jugosllavia, përsonalisht Tito në politikën ndërkombëtare, jo vetëm në bllokun e tretë të të Painkuadruarëve,  për të cilin Tito e Jugosllavia, bashkë me Nehrun e Indisë e Naserin e Egjiptit, praktikisht ishin personalitete më popullore në politikën ndërkombëtare,(Konferenca e Parë Themeluese u mbajt me, 1961 në Beograd), që mendohej të qëndronte dhe t’ju kundërvihej dy blloqeve ideologjike të forcave të fuqishme ushtarake, blokut të sh teteve demokratike NATO,  dhe Paktit ushtarak diktatorial-komunist i Varshavës.    

                   Në demonstrate Nëntorit 1968, student shtruan këto kërkesa: Që Kosova të këtë Kushtetutë, e jo statut, siç e kishte deri atëherë. Të ketë Univesitet në vete, jo në kuadër të Beogradit. Që shqiptarët të kenë të drejtën e papengueshme në përdorimin e simboleve kombëtare, flamurit dhe himnin kombëtar shqiptar, I cili që nga 1948, kur ishte ndaluar, e deri me 1968 askush, përveç Ilegales shqiptare, as nga udhëheqsitë shqiptar, kurrë nuk e kishte përmendur, e le më ta ketë kërkuar, për çka deri atëherë, ishin ndjekur e burgosur shumë atëdhetar, si Bacë Adem Demaçi, e shumë veprimntarë të çështjes kombëtare shqiptare. Ndërsa, kërkesë kryesore-bosht, ishte Kosova Republikë, e cila shqetësoi shumë themelet e sistemit dhe strukturat politike, antishqiptarit Tito dhe atyre që ishin rreth tij. Madje, shqetësim shprehen edhe kuandot komuniste shqiptare, të cilat ishin në shërbim komunist sllavë. Ky ortek shkundulloi rehatinë e improvizuar të sistemit komunist jugosllav. Me këto dhe të kërkesa të tjera si këto, që fortësisht kërkonin korigjim në sistemin ekonomik, jehuan thellë në opinionin e mbrendshëm dhe atë Botëror. Demonstratate 27 Nëntorit 1968 ishin ngjarjet e para  qe ia prishën “namin” e imazhin politik e shtetëror propogadës sllave të Jugosllavisë “Vetëqeverisëse”, të “Vëllazërim-Bashkimit” të kombeve dhe kombësive në Jugosllavi. Këto ngjarje nuk shpëtuan pa u ndëshkuar nga “buzagazi me mizdrak pas shpine Tito”, duke I denuar organizatorët dhe pjesëmarrësit me vite burg të rëndë, denime e ndjekje të shqiptarëve të cilat, sikur ju duken të mangëta, do t’i përserisë e plotësojë edhe më 1972, në emër të “Letrës së Titos”, kur u ndëshkuan me largim nga puna e forma të tjera ndjekjeje qindar intelektual atdhetarë shqiptarë, të cilët ju kishin “shpëtur” Komiteteve e niveleve partiake e shtetërore të 1968. Ndëshkimet nuk thyen, as nuk zbehen ashpërsinë e vendosshmërisë këmbëngulëse për kërkesat e parashtruar në demonstrata. “Zhdërvjelltësia” e politikës komuniste sllave u tregua hulumtuese në prekjen emocionale të shqiptarëve, për fillim provoi me lejimin e flamurit kombëtar në përdorim zyrtar, më 1969, Më 1970, u detyrua të lejon hapjën e Universitetit, Në vazhdim  1971 leshoi në diskutim publik Amandmanet e Punëtorëve që, u finalizuan me Kushtetutën e Kosovës më 1974. Me përmbushjen e kërkesave të studentëve , kuadrot komuniste shqiptare, të cilat për 20 vjet, nga 1948-1968, nuk kishin hap asnjëherë gojen në asnjë nivel apo mjedis, as për dhunën shtetërore denimin e burgosjet e shumta, ndjekejn dhe rrahjen e shqiptarëve, as për dëbimin e tyre në Turqi. Tash filluan të dalldisen, të rrahin gjoks e të krrokasnin prapa shpine të padronëve, të cilëve verbërishtë ju shërbenin se, këto ishin merita dhe këta meritorët që nxorren këto të drejta për popullin e tyre shqiptar. Madje, disa nga ata, që janë të gjallë ende sot në Kosovën e pasluftës, po rrahin gjoks për këto plotësime të kërkesave të arsyeshme dhe të drejta kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, sikur me këto duan të ruajnë çfajësinë për sherbime që i bënë komunizmit serbë, të drejta që rinia studentore atdhetare shqiptare i nxorrën me sakrificë e vuajtje, me mund e gjak, madje edhe duke shtruar jetën e tyre drejtë kësaj fitoreje. Demonstratat e Nëntorit 1968, ishin nisma, ishin stralli që nuk ndali rrugëtimin atdhetar të vazhdimësisë drejt realizimit dhe aspiratës qëndrore, çlirimit të Kosovës nga dhuna mesjetare e okupuesit sërbë dhe mëvehtësimit të sajë shtet i pavarur e neutral. Gjitha përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë, kalonin përmes sakrificës e rrezikimit nga sistemi administrative komunist dhe sigurimi i shtetit UDB-ja. Administrata shtetërore ashpërsonte dhunën e ndjekjet, kudo që veneronte apo hetonte, përmes langojve të sajë, për qitje kokë, apo zë në drejtim të çështjes shqiptare. Kështu, u ndjeken dhe u denuan ashpër prej 4 deri në 15 vjet burg të rëndë, Grupi i Kamenicës 1975, prej 35 intelektualëve e veprimtarëve të spikatur të ciltët kërkuan prishjen e shenjët të bashkëjetesës. Po kështu, më 1979, pas vizitës së fundit të titos në Kosovës, armikut më tinzar të shqiptarëve, në fillim të vjeshtës 1979, vizitë të cilën rinia dhe intelektualët shqiptar, e pritën me parulla e veprime kundërshtuese se, nuk je i dëshirura për hapësirat dhe popullin shqiptarë, për çka tito urdhëroi politikën dhe sigurimin e shtetit, administratën e UDB-s që, të arrestohen ata që hudhën parulla dhe shprehen pakënaqësi për këtë vizitë të tija. Menjëherë, sigurimi filloi arrestin dhe për pak ditë arrestoi e burgosi mbi 400 të rinj e të reja nxënës, student, mësimdhënës e intelektual të niveleve e mjediseve te ndryshme të Kosovës. Pas trajtimeve policore e torturave fizike e shpirtërore, para “ligjit” dolën dhe u denuan nga 8 deri në 4 vjet 8 veprimtarë të çështjes kombëtare.

            Në vazhdimësi u përgatiten ngjarjet e madha të”Pranverës së madhe Kosovare”, që filluan me një simbolik domethanëse, me “përmbysje të pijatës”, në Menzën e studentëve në Prishtinë, në darkën e mbëmjes së studentëve më, 11 Mars 1981. Dhe nga ajo fillesë “sociale”, simblikisht filloi rrënimi I komunizmit që, do të shtrihen deri në masovitet të gjitha moshave, niveleve e mejdiset shqiptare. Paraprakisht, ishin pjekur gjitha parakushtet për aktualizimit hapur të kërkesave kombëtare e politike shqiptare. Kjo lavë vullkani që nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në gjitha nivelet e mjediset u ngrit në nivel kombëtar gjithëpopullor, dhe u shtri në gjithë Kosovën.  Këto Demonstrata vazhduan në pas, më 26 Mars 1981, kur ishte edhe Stafeta e Titos. Asaj dite udhëheqësit komunist ishin të shqetësur, rrinin të shtanguar në tribunat festive, përkundër forcave të mëdha ushtarake e policore nga gjithë ish-jugosllavia, qeveritarët Kosovarë dhe ata nga Beogradi, ishin të shqetësuar e fikësuar, mos t’ju ndodh e keqja në këte ditë të veçantë festive. Vazhdimësia e demonstrimit shqiptar mori shtrirje gjithpërfshirëse më 1 e 2, Prill 1981, kishte tensione në gjitha qendrat e Kosovës, demonatratat u shtrijnë në gjitha  mjediset shqiptare në Kosovë dhe kishin përmbajtje domethanëse të gjërë kombëtare, ato,  shprehnin formën dhe përmbajtjen e synimit të aspiratës nga lashtësia e lavdisë historike deri në përmbarim. Këto demonstrate bashkë me “Solidarnostin” polak në Gdanjski, lëkundën ndërgjegjen e Evropës e opinionit botëror. Ishin “termet” për sistemet komuniste lindore dhe ju tërhoqën vemendjen opinionit demokratik botëror, të rishqytrojnë çështjen e përshtypjesë pozitive ndaj Jugosllavisë vetëqeverisëse e politikës së saj lideriste e të painkuadruarëve. Pranvera e Madhe 1981, konfirmoi urrejtjen hakmarrëse e të pa përmajtur sërbe ndaj shqiptarëve.Madje, duke humbur edhe kontrollin logjik të gjuhës së urrejtjes me fjalor e shprehje pezhorative se. luftuekan fundamentalizmin islamik dhe marksizm-leninizmin e tipit stalinain e enverist, shfryen mllefin duke rrënuar gjithçka nga vlera shpirtërore e material shqiptare. Por, shqiptarët me rezikime e skrafica i shtyjnë proceset e çlirimit  kombëtar, më 1989-90, organizuan subjekte partiake, LDK më 23 Dhjetor 1989, e humanitare, KMDLNJ më 14 ՚nëntor 1989 dhe, formësuan hapur kërkesat  kombëtare, krijuan një unifikim politik shqiptarë në Kosovë, njëherit ndërkombëtarizuan çëshjen shqiptare për Kosovën e rreth Kosovës, me Pajtimin e Gjaqeve të 1990 dhe ndarjen fizike e shpirterore dhe mëvehtësimin e sistemit shkollor  1991, formësun veprimet demokratike drejt mëvehtësisë së shtetit të Kosoves.Kur, as këto veprime demokratike të LDK-së, e cila çfrytëzoi gjitha hapësirat paqësore per çlirimin e Kosovës, nuk hasën në mirëkuptim e tajtim normal politik, demokratik e njerëzor. Shqiptarët. Me UÇK, më 28 Nëntor 1997, detyrueshëm filluan me veprime ushtarake dhe thelluan e zgjeruan ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptar në Kosovë dhe, detyruan faktorin ndërkombëtar të organizojë Mbledhjen Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje e Paris në fillim viti të 1999. UÇK-ja me faktorin ndërkombëtar NATO, më 12 Qershor 1999, fituan çlirimin e vendit  mbi forcat sërbe të okupimit, më 17 Shukrt 2008, shpallën pavarësinë e shtetit demokratike të Republikës së Kosoves. Shqiptarët rezalizuan të drejten historike, të drejten ligjore e shtetërore të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht. Në të kundërten, me veprime ndryshe,siç thonin e atëherë e thonë edhe tash disa nga fryma e politikës komuniste, do ngelnim keq, siç ngeli Vojvodina, ndoshta edhe më keq se Vojvodina, Kjo është meritë e veprimtarëve atëdhetarë të Lëvizjes shqiptare e studentëve atdhetarë, rinisë patriotike e popullit liridashës të 1968,1981,1989,1999 e deri sot.

Parakusht i parë dhe pjekje e rrethanave kombëtare politike që krijuan kushte për ecje drejt çlirimit të vendit dhe lirisë së popullit shqiptar ishin se, duhej të ndodhnin. Këto levizje  evulutive kombëtare deri te shtetformimi, ishte se; studentët e 1968-së, tash kishin në duar sistemin shoqëror, entet dhe institucionet shoqërore, shkencore e shkollore, përveç sistemit administrative e politik, ku shteti dhe partia komuniste, kryente seleksionim të veçantë për pranim. Kuadrot, ish-studentët e 1968, tash ishin kuadro që kishin në dorë gjitha nivelet e mjediset e sistemit të arsimit shqip. Ata që, më 1968 kërkuan Universitet, tash ata vet punonin e udhëheqnin Universitetin e Kosovës. Ata tash kishin zgjeruar, rritur e shtrirë rrjetin shkollor fillor e të mesëm dhe edukonin brezet e reja, krijonin kuadro me orientime të drejta në nivel kombëtar, jo vetëm në hapësirën shqiptare të Kosovës, por edhe atyre nga trevat shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi dhe Kosovës Lindore. Me këto veprime ishin krijuar rrethana më të volitshme në drejtim të materalizimit kombëtar që, për një kohë ishte i ngulfatur. Tjetërsimin e gjendjes, daljen nga robëria sllave, shqiptarët e shihnin, me shkëputjen e bashkëjetesës shtetërore nga sërbët, prishjen e asaj që komunistët thonin se, Kosovës vetëm emëri Republikë I mungon!  Kjo edhe kishte mbetur kërkesa e pa përmbaruar nga Demonstratat dhe zëri i arsyes së rinisë atdhetare shqiptare. Tash kishte edhe një mundësi depërtimi, kur titoja ishte matufosur, propogandohej politikë paqësore e painkuadrimit. Veçmas ishin theksuar veprimet antishtetërore  të kroatëve më 1971 e Liberalëve sërbë, e shumë veprime antishtetërore të popujve josllav, kudo në Jugosllavi, që kishin fillur të lëviznin, por ata nuk ndiqeshin si ndiqeshim ne shqiptarët. Sërbët, kroatët e sllovenët, përgatiteshin për periodën e pastitos. Ata për këtë përgatitnin projekte e elaborate të reja dhe I përpunonin gjitha verzionet alternative edhe nga projektet e vjetëra. Thjeshtë, çdo popull e mejdise, mendonte dhe punonte për ndarjen e bashjetesës dhe prishjen e sajesës së”Vëllazërim-Bashkimit”. Ndërsa për trazirat e mundshme në Kosovë, sërbët gjithnjë llogaritnin dhe kishin projete të rezervuara. Madje,ishte përmendur edhe alternativa e dhunës në disa nivele shtetërore, për përdorimin  e represionin policor e ushtarak. Kështu, gjithnjë fajësonin shqiptarët, përmes vetëfajësimit, që e gjenin në besnikrinë dhe verbërinë sherbyese të dia kuadrove ekzekutive komuniste shqiptare, që ishin në sherbim të politikës komuniste sllave, kështu vepronin gjithmonë.Kështu vepruan edhe më 1981.

Synimi ynë kombëtar, asnjëherë nuk ishte çështja ideologjike, shqiptarë gjithmonë  kishin synim lirinë  kombëtare çlirimin e atdheut nga robëria mesjetare e dhunës sllave, ky synim ishte aspiratë historike e vazhdimësisë që kishte fillet që nga Lidhja SHqiptare e Prizrenit dhe fillimshekulli 20-t, Po këtë synim për çlirim  dhe liri kombëtare kërkojmë ta permbushim në fund të shekullit. Andaj,  edhe pas disa vjetësh politik paqësore, e cila  ndërkombëtarizoi çëshhtjen shqiptare, okupimit e dhunes sërbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, por nga ashpërsia ortodokse sllave dhe urrejtja e saj ndaj çdo vlere kombëtare shqiptare, beri që, okupuesi barbar serbe mos të lejon ndonje lëkundje pozitive në favor kombëtar të shqiptarëve,  Robëruesi, dhunën e ngriti në sistem shtetëror dhe përkundë”dëgjueshmërisë” se popullit shqiptar ndaj pushteti okupes sërb, ai e beri zyrtare ushtrimin e dhunes ndaj popuillit shqiptar. Lindi UÇK-ja, si reaksion ndaj dhunës, skajshmërive, shpeshherë jo në konfrontim të ashpër. UÇK-ja doli si nga legjenda, ishte domosdo e shpëtimit të kësaj hapësire shqiptare nga fanitja që I kërcnohej për të luftuar liri e pavarësi të Kosovës. Pasi faktori mbrendashqiptar dhe ai ndërkombëtar, thuaja se pushoi, jo vetëm së vepruari, por edhe së foluri për dhe rreth Kosovës. UÇK-ja ishte skaji I mundësisë së durimit ndaj dhunës dhe pacifizmit politik, është imponim për veprimet e veta ushtarake, ka qitur në rend të ditës dhe ka thelluar aktualizimin e çeshtjën shqiptare në agjendën ndërkombëtare. Kjo, UÇK-ja dhe Levizja e studentve, 1 Tetor 1997, dhe protestat masive të popullit shqiptar në Kosovë 1998-99, përkundër ngulfatjës që u tentua tu bëhet, ndërskamcat e lakadredhat e improvizuara që i kundërvuan nga vet shqiptarët dhe mbrenda vet shqiptarëve me të tjerët, Kjo Lëvizje studentore, më vonë UÇK-ja, hapën binarë të rinjë e me arshyeshmmëri të natyrshme, orientuan ndriqimin e rrugës kah mund të shkohet në Pavarësi të Kosovës.

            Vargoni I ngjarjeve, që nga 1968 e deri te 1 tetori 1997, me studentët dhe UÇK-në, e deri te 17 Shkurti 2008, Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës shtet I pavarur e demokratik, Nuk është kohë shumë e gjatë, por veprimet janë të fuqishme e vazhdimësi e zgjerimit të masave dhe ngritje e vetëdijes kombëtare shqiptare për liri. Këto levizje, zgjuan interesim e përkrahje, jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Me këto subjekte e veprime politike e ushtarake, Kosova doli nga harresa e padrejtësisë historike, tash shihej e dëgjohej në sipërfaqe të opinionit politik ndërkombëtar dhe mori përkrahjen politike e ushtarake ndërkombëtare. Me këtë UÇK-ja, me 23 Mars 1999, solli aleatën e forcave ndërkombëtare të NATO-s dhe me këtë aleancë Kosova dhe shqiptarët pas 78 ditësh bombardimesh e luftimesh, në mbështetje të Marrëveshtje së Kumanovës, më 12 Qershor 1999, pas 87 vjetësh robërie, detyroi farcat okupuese të dhunës barbare sërbe, që deri më 20 Qershor 1999, të lëshojnë Kosovën, e kështu kjo hapësirë shqiptare dhe shqiptarët e Kosovë të përjetojnë gëzimin monumental të lirisë së pritur me shekuj.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT