• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Kujtesa historike 1994 – rrëmbimet e shqiptarëve të Kosovës prej serbëve alarmuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës

August 18, 2023 by s p

Sokol Paja/

Një ndër torturat më të tmerrshme që Serbia ka ushtruar ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë ka qenë ajo e rrëmbimit, torturës e burgosjes pa shkak. Arrestime të jashtëligjshme, mbajtje në burgim pa prova, keqtrajtime, frikë e presion me çdo mjet kanë qenë të organizuara nga aparati shtetëror serb me qëllim mbajtjen nën panik, frikë, terror, shtypje të shqiptarëve në Kosovë. Historia e Profesor Lek Përlleshit përbën një ndër ngjarjet më të frikshme dhe më flagrante të shkeljes së të drejtave e lirive themelore të njeriut. Regjimi gjenocidal serb në shkurt të vitit 1994 e rrëmbeu Prof. Lek Përlleshin duke e mbajtur të burgosur e nën tortura padrejtësisht. Në atë kohë Prof.Lekë Përlleshi ishte drejtor shkolle në Jagodë ku mësimdhënësit dhe drejtoria e arsimit mbanin pushtetin paralel me Serbinë. Në atë kohë filloi diferencimi prej shtetit serb duke mos paguar arsimin shqip. Mësuesit shqiptarë rrëfen për Diellin Prof. Leka punonin pa pagesë. Në ndihmë të tyre e mësimit shqip në Kosovë filluan aksione për grumbullimin e të hollave nga populli dhe mërgata shqiptare në Europë dhe Amerikë. Kjo ishte një ndihmësë e madhe për arsimin shqip sidomos pasi vullneti dhe këmbëngulja nuk humbej por rritej duke i dhënë kurajo dhe vullnet zhvillimit e përhapjes së arsimit ship në Kosovë. Shkolla ku Prof. Lekë Përlleshi punonte kishte emrin e serbo-malazezit: Petar Petroviç Njegosh me fotografi 2 metra të lartë. Asokohe tregon Prof. Leka në Kosovë filloi aksioni për ti larguar emrat e shkrimtarëve serbo-malazezë nga shkollat shqipe. Në krye të emërimit në shkolla të emrave ishte Prof.Dr. Fehmi Agani. Në shkollën e Jagodës u vu emri AT GJERGJ FISHTA, që ishte kundërvënia më e përshtatshme kundrejtë Petar Petroviç Njegosh. Pas këtyre aksioneve filloi të ashpërsohet gjendja e arsimit shqip në Kosovë ku armiku serb filloi me tortura të mëdha kundrejt punonjësve të arsimit shqip dhe popullit që i përkrahte. Drejtorët e shkollave merreshin në pyetje nga UDB-ja jugosllave, duke i keqtrajtuar psikologjikisht dhe fizikisht me qëllim për të ngjallur nënshtrim, panik e frikë. Pas burgosjes e dhunimit barbar prej forcave serbe, falë ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u arrit lirimi i Profesor Lekë Përlleshit. Ndërkombëtarizimi i kësaj çështje nga SHBA dhe metodave fashiste të regjimit serb mbi shqiptarët në Kosovë, kthey sytë e botës demokratike mbi situatën e shqiptarëve nën regjimin serb. Vëllezërit e Prof.Lekë Përlleshit, menjëherë pas arrestimit të tij njoftuan Kryetarin e Ligës Shqiptaro-Amerikane JOE DIOGUARDIN i cili vuri në lëvizje Senatorë e Kongresmenë ku BENJAMIN GILLMAN i cili ishte udhëheqës për Drejtat e Njeriut në Europë dhe Kosovë e solli fuqishëm në Kongresin Amerikan. Pas letrës së z.Gillman, Presidenti Bill Clinton u informua në detaje për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve prej regjimit serb në Kosovë dhe reagoi kundër propagandës së Millosheviçit se populli shqiptar janë terrorista dhe njerëz me bisht si majmunët. Asokohe kujton Prof. Leka, Presidenti Klinton iu drejtua ashpër Millosheviçit duke i thënë se regjimi serb po ndëshkonte familjet shqiptare me reputacion dhe që nuk kanë të bëjnë as me terrorizmin as me majmunët por me civilizimin, lirinë, zhvillimin e botën demokratike.

Dokumenti zyrtar amerikan dhe reagimi shtetëror i SHBA parashikoi rrezikun serb në rritje në Kosovë e Ballkan. Metodat fashiste të serbëve mbi popullsinë shqiptare sollën edhe luftën e përgjakshme të vitit 1998.

Dokumenti më poshtë sqaron gjithçka. Edhe pse kanë kaluar 25 vite prapë se prapë pas hekurave në Hagë janë luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe kriminelët serb shëtisin në botën e lirë. Bota demokratike duhet ta dënojë e ndëshkojë Serbinë për gjenocidin në Kosovë.

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Perlleshi, Sokol Paja

Prof. Dr. Vehbi Hoti, misionar i arsimit shkodran dhe kombëtar

August 18, 2023 by s p

Fran Gjoka/

Një gjysmë shekulli në shërbim të arsimit të lartë, pedagog që do të kujtohet ndër breza.

Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në qytetin e Shkodrës me 06. 04. 1942, ku përfundoi arsimin 7 – vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës në degën Biologji – Kimi  dhe  Pedagogji-Psikologji.Për periudha të shkurtra ka punuar në ish – Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, mësues në shkollën e mesme pedagogjike “ShejnazeJuka” në Shkodër dhe në Kabinetin Pedagogjik të rrethit Shkodër. Në shkurt të vitit 1966 u transferua si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër, sot Universiteti i Shkodrës  “Luigj Gurakuqi”, ku, krahas veprimtarisë së mësimdhënies, ai iu përkushtua edhe punës studimore dhe veprimtarisë botuese.Për rreth gjysmë shekulli, në vitet 1966 – 2013, prof.dr.Vehbi Hoti është shquar si pedagog, si metodist, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opinioni  i gjerë shoqëror. Për më shumë se 15 vjet ka qenë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së “Buletinit Shkencor” që përgatitej dhe dilte nga Instituti. Që nga viti 2002 ishte kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989 – 1993, ka qenë përgjegjës i katedrës së Psikologji – Pedagogjisë. Për 13 vjet, 1991 – 2003 ishte dekan i parë i  Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Profesori pati një aktivitet të pasur botues e kumtues, autor dhe bashkautor i 7 botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollat e larta dhe 2 për shkollat e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore.Për disa vite në Universitetin e Tetovës – Maqedoni prof. dr. Vehbi Hoti ka zhvilluar lëndët “Psikologji e përgjithshme” dhe “Histori e psikologjisë”. Duhet theksuar se gjatë asaj periudhe ka qenë i emëruar anëtar i komisionit për pranimin e pedagogëve të brendshëm në degën e Psikologjisë të këtij Universiteti. Por një bashkëpunim afatgjatë ka patur edhe me Universitetin e Podgoricës, pranë të cilit në vitin 2004 është hapur dega e Ciklit të Ulët për përgatitjen e mësuesve për shkollat 9 – vjeçare, në gjuhën shqipe. Profesor Vehbiu, që nga viti 2004 e gjer sa doli në pension e pati dhënë lëndën “Psikologji e përgjithshme”.Për kualifikimin e tij të mëtejshëm profesori ka marrë pjesë në kurse  specializimi në disa shtete: Itali, Austri, Angli, Danimarkë, Rusi etj. Mori pjesë gjithashtu në disa projekte, si dhe ka bashkëpunuar si ligjërues në Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i gjithë punës së tij  janë gradat dhe titujt shkencorë që ka fituar, duke filluar nga Doktor i Shkencave gjer në Prof. Dr.Në vitin 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”. Ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga presidentët e Shqipërisë: Urdhëri “NaimFrashëri i Artë”( 2001), Titulli ”Mësues i Merituar”( 1987), Medaljen “NaimFrashëri”( 1977). Edhe kur doli në pension  ai bëri një jetë tepër aktive intelektuale, duke dhënë mësim si i jashtëm në Universitetin e Shkodrës dhe në atë të Podgoricës, si dhe duke marrë pjesë në veprimtari shkencore, kumtuese e  botuese., deri në momentet e fundit të jetës. 

Në ceremoninë solemne të organizuar në korrik të vitit 2022 me rastin e 65-vjetorit të themelimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, iu dha titulli “DoctorHonorisCausa” Prof.Dr.Vehbi Hoti, nderimi më i lartë dhe i vetmi për një profesor të këtij institucioni të lartë arsimor.Universiteti “Luigj Gurakuqi” organizoi gjithashtu konferencën shkencore me titull “JEHONË AUDITORËSH” ME RASTIN E 80-VJETORIT TË LINDJES SË PROF. DR. VEHBI HOTIT.

Universiteti i Shkodrës ishte familja e dytë e prof. dr. Vehbi Hotit       

   Prof. Vehbi Hoti ishte njeri i rrallë. Ai e donte punën, e donte Shkodrën, e donte institucionin ku punonte, e donte pa masë familjen e tij të shenjtë. Universiteti i Shkodrës ishte familja e dytë e tij. Ky institucion është një nga shkollat e larta më të vjetrat në Shqipëri, një nga qendrat më të rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore të vendit. Është e vetmja shkollë e lartë që i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Nderi i kombit”. Të jesh pjesë e stafit akademik të këtij institucioni për një kohë kaq të gjatë sa ka qenë prof. Vehbiu, është një privilegj, nderim dhe respekt i veçantë për punën dhe personalitetin e tij. Universiteti i Shkodrës përfaqësonte gjithçka për të, sepse ai ishte i lidhur shpirtërisht me këtë institucion të njohur. Kjo edhe për faktin se aty ka filluar punë, që kur ishte djalosh i ri 23 vjeçar, duke vazhduar aktivitetin pedagogjik për rreth gjysmë shekulli. Këtu ka shkrirë gjitha forcat dhe energjitë e tij për të kryer të gjitha detyrat që i janë ngarkuar dhe nuk kanë qenë të pakta, gjithmonë me nivel dhe cilësi të lartë. Edhe kur ishte në pension, prof. Vehbiu përpiqej  të ishte aktiv në punën intelektuale, pedagogjike dhe shkencore. Ai jepte përsëri mësim në Universitetin e Shkodrës si pedagog i jashtëm. Gjithashtu mbante kursin e ligjëratave të lëndëve “Psikologji e përgjithshme” në Universitetin e Podgoricës. Botoi 5 punime mbi kontributin e gjerë e të shumanshëm të disa personaliteteve të shquara të arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar si: Prof. Dr. Shefik Osmani; “Mësuesit të Merituar”, Islam Dizdari; studiuesit të  shquar të arsimit shqip në Mal të Zi, prof. dr. Palokë Berishës; veprimtarisë pedagogjike e kontributeve arsimore të GaspërBeltojës… Ndërsa, si bashkautor ka botuar tekstin “Hyrje në psikologji”, që përdoret nga studentët e Universitetit të Shkodrës dhe të Universitetit të Podgoricës. Ndaj themi me bindje se Universiteti i Shkodrës ishte dhe familja e dytë e tij.

                 Figura e shquar e Luigj Gurakuqit në penën e prof. dr. Vehbi Hotit 

     Në rininë e tij të hershme profesor Vehbiun  e kishte tërhequr figura e patriotit të shquar Luigj Gurakuqi,ndaj i vuri detyrë vetes të shkruante monografinë “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”. 

PROF.DR.VEHBI HOTI: SHKATËRRIMI I SHTËPISË - MUZE TË LUIGJ GURAKUQIT -  VEPRIM I TURPSHËM - Pashtriku

Puna e tij mori vlerësimet më të larta nga komisioni i doktoraturës të Universitetit të Tiranës dhe më vonë, pas botimit, nga shumë specialistë të fushës së pedagogjisë dhe arsimit. Ndërkaq prof. Vehbiu ka qenë aktiv në marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucionet e tjera universitare, sidomos me katedrën e pedagogjisë të Fakultetit Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës ku ai ishte bashkautor në dy tekste të psikologjisë, duke u aktivizuar vazhdimisht në dhënien e leksioneve dhe ligjëratave në kursin pasuniversitar të psikologjisë pranë këtij fakulteti. Vitet e fundit ai udhëhoqi tre doktoratura në fushën e psikologjisë. Ndërkaq, që nga 2007 i qe ngarkuar nga Enti Botues i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Podgoricës të përgatiste recensionin e teksteve mësimore për shkollat shqipe në Mal të Zi. Ai recensionoi 15 tekste mësimore nga klasa I – IX, të cilat kanë gjetur vlerësime maksimale dhe janë miratuar nga Enti i Botimeve Mësimore. 

                                  Lufta e klasave e goditi profesor Hotin, por nuk e theu

           Megjithëse ishte njeri kurajoz dhe i vendosur për t’i kryer detyrat me përkushtim, në punën e tij mësimore, studimore, edukative dhe krijuese ka patur vështirësi dhe shqetësime dhe pengesa të ndryshme. E para lidhej me biografinë e tij, pasi. burri i tezes së prof. Vehbiut HafizSaliMyftia, bashkë me djalin e madh FuatMyftinë, ishin të arratisur bashkë me grupin e nacionalistëve.  Por këtë fakt Ai e kisha shkruar në dokumentet e tij. Aty nga fillimi i viteve 1970 të shekullit të kaluar, Ministria e Arsimit, kishte vendosur dhe miratuar një delegacion të vogël (prej 4 vetash) nga ILPSH për të bërë një vizitë pune në Kosovë, njëri prej të cilëve ishte dhe prof. Vehbiu. Natyrisht, profesori që gëzuar pa masë, sepse do shkonte tek vëllezërit e një gjaku, por gëzimi i tij zgjati fare pak, sepse papritmas u kërkua zëvendësimin e tij me një pedagog komunist, megjithëse kolektivi i pedagogëve dhe drejtori, i ndjeri Mihal Prifti, mbështeste kandidaturën e prof. Vehbiut. Në vitin 1977 u “riaktivizua” përsëri biografia e tij, prof. Vehbiun e largojnë nga Instituti Pedagogjik i Shkodrës dhe e emërojnë mësues në shkollën e mesme pedagogjike “ShejnazeJuka”. Pas katër vjetësh, në vitin 1981, prof. Vehbiu është rikthyer përsëri në Institut, ku vazhdoi punë deri më 2013, kur doli në pension. 

         Ndërkohë prof. Vehbiun e kishin lënë pa strehim, megjithëse kishte krijuar familjen e tij. Kështu,   ai ishte i detyruar të banonte bashkë me familjen, për tetë vite në konviktin e djemve të Institutit, në lagjen Zdrale. Pikërisht në këtë konvikt patën lindur dhe tre fëmijët e tij. Veçanërisht për atë periudhë profesori falënderonte plot mirësjellje bashkëshorten e tij, e cila për disa vite ka qenë mësuese në fshat. ”-Ajo, – thoshte prof. Vehbiu, – ka përballuar një ngarkesë të jashtëzakonshme, ka sakrifikuar shumë nga vetja, që, si nënë e bashkëshorte të na krijonte kushte sa më të mira pune e studimi”. Ai i ndihej mirënjohës bashkëshortes, duke theksuar gjithnjë se gjithçka që ata kishin bërë, e kishin arritur  duke pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të saj. 

                                      Një familje arsimdashëse dhe intelektuale

Familja e prof. Vehbi Hotit është mjaft arsimdashëse, sepse edhe bashkëshortja e tij Fitnete, ka qenë mësuese matematike, duke dhënë kontributin e saj të çmuar në shumë institucione arsimore të qytetit të Shkodrës, madje edhe në fshatra, aktualisht ajo është në pension. Tre djemtë kanë marrë drejtime të ndryshme në jetë. Djali i madh, Dritani, me profesionin jurist. Dy të tjerët janë binjakë. Njëri, Bledari, me profesion gazetar, aktualisht redaktor lajmesh në televizionin kombëtar TV Klan. Djali tjetër,Arbeni, pedagog për lëndën Psikologji në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. 

                           I paharruar prof. dr. Vehbi Hoti dhe vepra e tij 

          Për 50-vjet prof. dr.  Vehbi Hoti shfaqi modelin dhe figurën e  një edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të dijes dhe të edukimit. Ishte mjeshtër i rrallë i fjalës, komunikues efektiv, elokuent, mbrojtës i flaktë i fjalës së lirë dhe mbi të gjitha metodist i shkëlqyer. 

         Menduam dhe besuam se Vehbiu do të shërohej, por nuk ndodhi kështu, ku në mënyrë të menjëhershme, u shkëput nga jeta, duke lënë një boshllëk të madh në familje, te vëllai, te nipat, mbesat, kolegët dhe studentët e tij të shumtë. “E patëm prind, shok dhe edukator,- thotë i vrarë shpirtërisht njëri nga djemtë e tij, Bledari. -Nuk do ta shohim më kurrë, por kemi të skalitur porositë e tij për të qenë të ndershëm , punëtor dhe për të kapërcyer me vullnet vështirësitë. Për ne vëllazërinë ai ka qenë dhe mbetët burim drite që në fëmijërinë tonë të hershme, udhën e jetës, ndaj mbetet burim frymëzimi për ne, për nipat dhe mbesat që vijnë pas nesh”. 

Përjetësisht mirënjohës prof. dr.  Vehbi Hotit, misionar i arsimit shkodran e kombëtar!

Filed Under: Kulture Tagged With: FRAN GJOKA

AUTOKRACIA  E  DËMSHMË  PËR DEMOKRACINË

August 18, 2023 by s p

Kalimi  nga monizmi në pluralizëm është ballafaquar me pengesa të ndryshme ku veçohet me mentalitetin e trashëguar te strukturat udhëheqëse partiake me qasje autokratike   që ka ndikuar me formimin e frakcioneve e më pas edhe të subjekteve tjera politike, ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim, dukuri e cila  është e dëmshme për subjektët politike, elektoratin votues  dhe demokracinë pluraliste.

Nail  Draga 

Në shoqërinë bashkëkohore  në fjalorin politik përdorën terma të ndryshëm, ku  veçohet   autokracia, e cila është e pranishme në të gjitha vendet e ish kampit socialist. Autokracia paraqet formën e qeverisjes në të cilën i gjithë pushteti qëndron të një person apo të një grupi të vetëm.

Autokracia sinonim për diktaturën 

Deri te autokracia arrihet kur individi shfrytëzon pozitën duke iu imponuar të tjerëve  sundimin e tij, përkatësisht duke i detyruar në degjueshmëri grupin partiak apo ate qeverisës. Edhe pse thuhet se autokracia është pushteti i një njeriu, është e logjikshme se një funksion i tillë nuk mund të realizohet vetëm, pa pasur  mbeshtetje nga të tjerët. Dhe janë të tjerët  qe kryesisht janë militantët dhe servilet, duke mbeshtetur autokratin, sepse përmes tij realizojnë objektivat përkatësisht interesat  e tyre.

Në praktikë është dëshmuar se kur pushteti kalon në formë absolute të një individ, duke pasur  pushtet të pakufizuar, atëherë   kemi të bëjmë me diktaturën e cila ka qenë e njohur në vendet e ish kampit socialit. Ne këtë aspekt  shqiptarët e kanë përjetuar në mënyrë praktike, ku dallohet ajo në Shqipëri, duke qenë vendi me i veçantë në vendet e ish kampit socialist, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare deri në ditët tona.

Mentaliteti i trashëguar

Duket paradoksale por edhe në pluralizëm në disa aspekte vazhdon mentaliteti i trashëguar nga monizmi. Fjala është për pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme të prezantuara në lidhje me subjektet politike apo individet në strukturat e tyre udhëheqëse. Në raste të tilla madje edhe kritika më konstruktive dhe e argumentuar nga individet e ndryshëm është e papranueshme për liderët apo pjesëtarët e stafeve të tyre drejtuese. Madje qasjet e tilla cilësohen të rrezikshme sepse nuk janë në favor të vizionit të tyre, ku nga një qëndrim i tillë janë paraqitur fërkime të brendshme të subjektet politike. Dhe nga një mosdurim i tillë të gjithë jemi dëshmitarë të krijimit të fraksioneve  politike të cilat më pas kanë çuar në formimin e subjekteve të reja politike. Pavarësisht së një numër i subjekteve të tilla janë minore dhe pa ndonjë ndikim në jetën politike, ata janë bërë pjesë e mozaikut të përgjithshëm politik në mjediset përkatëse.

Autokratët  pengesë e ndryshimeve 

Një veprim i tillë nuk ka dilemë se krijon huti të elektorati duke e dobësuar ate, por edhe zvogëlon potencen politike të subjekteve më të mëdha. Nga ana tjetër, veprimi i tillë i legjitimitetit të këtyre subjekteve minore i mundëson gjithnjë veprimin autokratik i individëve udhëheqës. Kështu me largimin e individeve të tillë të cilët quheshin si të padëgjueshëm i hapnin mundësi liderit partiak të vepronte në mënyrë autokatike  pa shqetësime. Nëse një veprim i tillë është shpëtimtar për liderin e tillë  duke mbetur aty ku ishte më parë, ai është i dëmshëm për qytetarët, proceset demokratike dhe elektoratin votues në veçanti. 

Rënia e mbeshtetjës politike nga qytetarët duhet të jetë  dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar se  liderët e tillë autokrat janë shkaktari kryesor të humbjes së subjektëve politike ku ata drejtojnë, ku rasti i LDMZ  është shëmbull  tipik i dështimit politik, të shqiptarët në Mal të Zi.
Fatkeqësisht ky formulim vazhdon gjithnjë të jetë prezent për lideret autokratik, që janë bërë pengesë reale e ndryshimeve pozitive në skenën politike pothuaj në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Klasa e re politike 

Me vendosjen e pluralizmit në Mal të Zi nga viti 1990 u mundësua që në skenën politike të paraqiten individë të rinj të cilët filluan të jenë sinonim i klasës së re politike. Por, në mungesë te  përvojës  politike  dhe joshja ne pozitat qeverisëse dhe qendrimi autokratik   në subjektët politike  ndikoj në formimin e frakcioneve dhe formimin e partive të reja politike. Shqiptarët në Mal të Zi, ndonëse janë numërikisht të pakët, për kah numri i partive politike veçohen në regjion, që nuk është në favor të shqiptarëve në këtë mjedis. Mos arritja e koalicionit të përbashkët me një list zgjedhore në zgjedhjet parlamentare, jo vetëm në zgjedhjet e fundit parlamentare është dëshmi e animozitetit dhe interesit personal  e jo të elektoratit votues shqiptar.

Mandati i kufizuar

Angazhimi në politikë me mandat të kufizuar paraqet hapin e parë të demokracisë pluraliste duke iu mundësuar edhe të tjerëve të jenë pjesë e politikës vendore apo qendrore dukuri e cila duhet të praktikohet edhe në vendet e ish kampit socialist, e jo duke mbetur peng i mentalitetit autokrat qe është i pranishëm edhe të shqiptarët me pasoja shoqërore. 

Pikërisht nga një qasje e tillë, udhëheqja e partive politike me individë të njëjtë apo grupe individësh rreth tyre dekada me radhë, dëshmon privatizimin e tyre dhe pengesë për ndryshime ne avancimin e çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë qytetare e nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi. 

Frigë nga konkurrenca

Nga ana tjetër jemi dëshmitarë se angazhimi i individëve të përgatitur profesionalisht, të guximshëm dhe me autoritet shoqëror ka qenë refuzues nga udhëheqësit e partive politike, sepse iu janë friguar konkurencës dhe autoritetit të tyre. 

Ne këtë aspekt  pengesë  vazhdojnë të mbesin udhëheqesit partiak autokrat, të cilët nga individë të tillë shohin rrezikun e tyre, andaj  angazhohen që pranë vetës të kenë të degjueshmit si me të përshtatshëm, duke eliminuar vlerat profesionale e meritokracinë  dukuri e njohur në spektrin e gjerë politik.

Askush nuk është i përhershëm 

Përfundimisht politikën, përkatësisht angazhimin politik duhet trajtuar  si dukuri të përkohshmë me mandat të kufizuar, sepse në sajë të zgjedhjeve  ndryshojnë raportët në skenën politike e me te edhe në qeverisje, ku çdo individ i përgjegjshëm duhet të reflektojë se askush nuk mund të jetë i përhershëm, andaj duhet ti rikthehet e përkushtohet profesionit, si kudo në vendet demokratike europiane. Ndërsa e kundërta ndodhë me vendet me demokraci të pakonsoliduar, që nuk është në favor të demokracisë pluraliste.

(Gusht  2023)

Filed Under: Opinion Tagged With: Nail Draga

Apatia e Shqiptarëve sipas Nebil Çikës

August 18, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues

C:\Users\Admin\Desktop\Nebil-Çika.jpg

Nebil Çika-I Vjetri (1893-1944)

Emri “Nebil Çika” Gjindjes nuk i thotë asgjë. Madje, si për çdo mentar tjetër “të përbuzur” prej saj si bën kurrëfarë përshtypje.Ndaj kolosëve të mendimit dhe mendimit “ndryshe” (shpesh edhe ndaj veprimeve konkrete) Gjindja është përherë apatike.Pikërisht për këtë apati të spikatur të shqiptarëve, do të shkruante mes të tjerash në veprën e tij “Njëmëndësija Shqiptare: Studim Politik dhe Psikologjik”(1943) Nebil Çika. Çika, gazetari, publicisti dhe themeluesi i “Minervës”(1932), një prej revistave letraro-kulturore më në zë të Kohës, nuk do të qëndronte duarkryq por do ti kundërvihej fenomenit në fjalë përmes fuqisë së mëndjes dhe të veprimit.Por ç’është apatia, lind pyetja?!

C:\Users\Admin\Desktop\s-l1600.jpg

                            Botimi i Parë i “Njimëndësija Shqiptare” (1943)

Apatia (ἀπάθεια), një fjalë kjo me origjinë greke, nëse i referohemi “Le Dictionnaire grec-français” të helenistit të madh francez Anatole Bailly në dy shpjegimet që ai jep ka kuptimet e mëposhtëme: 1) mungesë ndjeshmërie emocionale dhe 2) pandjeshmëri, indiferencë (Bailly, 1935:199). Por si lidhet kjo mungesë simpatie, pandjeshmërie dhe indiference me ne shqiptarët?! Çfarë përkufizimi i jep asaj dhe si e trajton Çika fenomenin në fjalë?! Ja sesi shprehet Ai:

     “Rrethi ynë shoqëror, pjellë e ndikimeve telurike (të tokës) dhe politike gjatë shekujve t’errta robërije, është tepër apathik.Apathi do të thotë pa-aftësi për tu impresionuar, për t’u emocionuar.Kjo paaftësi lind paaftësinë për vullnet, pasi vullneti është përfundimi i një lëvizjeje të ndërlikuar ndijimesh (sensacionesh) dhe idesh që luftojnë brënda nesh njëri me tjetrin për të marrë komandën.Kur s’ka emocion e vullnet jeta merr kuptimin materialistik të saj, që është ta kuptosh shoqërinë njerëzore si shoqëri shtazësh.Por jeta njerëzore s’do të qe më e lartë se ajo e kafshëve po të mos ishte një përpjekje e vazhdueshme kundrejt një frymërije (spiritualitet) sa më të kulluar që të jetë e mundur” (Çika, 2007:21).

Çika jo vetëm që gjurmon arsyen pse shoqëria shqiptare është apatike por gjithashtu ai thekson se paaftësia për të mos u impresionuar, për të mos na bërë përshtypje ngjarjet dhe fenomenet që ndodhin përreth nesh dhe mos ushtrimi i vullnetit për të ndryshuar vetveten dhe realitetin tonë, dmth squllja e këtij vullneti na ul në të njëjtën shkallë dhe na barabit me shtazët. Apatiku ka disa karakteristika specifike, të cilat autori në fjalë kujdeset që të na i përshkruaj dhe jap njëra pas tjetrës.Le ta ndjekim më tej në arsyetimin e tij:

      “Apatiku mendon vetëm për barkun e tij, për “bukën e fëmive’ si ç’do thoshte Ismet Toto ose për gradën që ka në hierarkinë zyrtare.Ky njeri i cili varet nga ata që kanë arin dhe fuqinë nuk është gjë tjetër veçse një mishërim (inkarnacion) i kuptimit materialist të jetës (Lexo: Përshtatja dhe Darvinizmi Social- shën. im).Veç kësaj, apathiku është një disfatist në fushën e përparimit kombëtar, ai ka një dokërr t’amshueshme për të mos bërë asgjë që nuk i shërben stomakut të tij delikat: “s’mund të bëhet gjë në këtë vend; s’të lënë të bësh gjë” thotë sot e njëzetë vjet më parë.Por asnjë prej apathikëve nuk u shfaq kurrë me një vepër në dorë.Por ka dhe më: apathiku është edhe mostoleronjës ;një mendim apo ide tënden, të kundërt me të tijën ai ta pret më dysh me ironi a tallje që fshehin ose shfaqin në mënyrë të nënkuptuar akuza kundër teje.Por shkaku i vërtetë i këtyre akuzave është ky: Duke qënë se apathiku  nuk punon dhe nuk lëviz aspak, pret gjithashtu që edhe të tjerët të mos punojnë dhe të mos lëvizin si ai” (f.22). 

Këto karakteristika të apatikut, sidomos në drejtim të së Mirës Publike kam pasur rastin që ti vëzhgoj nga afër në çdo protestë të Shoqërisë Civile në të cilën kam marr pjesë.Rasti më i fundit qe protesta kundër shkallmimit të Sheshit të Flamurit në Vlorë.Apatikë, të cilët në kaleidoskopin e formave të tyre njerucërore jo vetëm që na dekurajonin dhe përtallnin nëpër rrjetet sociale por madje edhe na filmonin duke na zbardhur dhëmbët pranë kafeneve teksa marshonim përgjatë Bulevardit.Ajo e cila për Ne ishte një detyrë qytetare, një përgjegjësi morale dhe gjithashtu kombëtare, për apatikun disfatist që ankohet e qurravitet Facebuqeve 24 orë në 24 me demek “për të Ardhmen e Kombit dhe Mbarëvajtjen Kombëtare” por që nuk e luan menderen nga karriget e mejháneve dhe se bën qejfin qeder  për hir të Kauzës, ishte një kënaqësi dhe spektakël i shkurtër 5-minutësh, për të hedhur në Tik-Tok e Instagram “parakalimin e të Marrëve”…Nuk ka sesi të mos bëj përshtypje dhe të vësh duart në kokë që je pjesë e një shoqërie aq apatike për fatin e së Ardhmes së vet…

Pikërisht, kjo trajtë vepruese e Apatisë të trajtuar nga Nebil Çika më erdh ndër mënd teksa të ashtuquajturit“qytetarë të kafeneve” bënin sehir me Ne dhe shpërfytyrimin e simbolit të tyre qytetar dhe kombëtar; “Sheshin e Flamurit”.Ja sesi e përshkruan mentari sarandiot fenomenin në fjalë:

         “Një nga trajtat më vepronjëse të apathisë që sundon rrethin tonë shoqëror dhe që pengon veprimtarinë mendore (vita contemplativa) dhe atë aktive (shën. im) është gogoli i kompromentimit.Kur i shfaqa aty shpejt një shoku se isha duke u përgatitur për të shkruar një libër mbi gjëndjen tonë, ky më tha: “Ç’të duhet ty kjo punë tani?! Pse të kompromentohesh kot?”Këto fjalë i kam dëgjuar shpesh.E kuptoj se ç’do me thënë.Mos të kompromentohesh do të thotë t’i ikësh një përgjegjësie të ndodhshme, të kesh frikë nga ajo dhe të rrish duarlidhur në Vëndin tënd.Eshtë, dmth t’a mohosh vetiakësinë tënde, është të jesh rob, është të vesh pas një ere që mund të fryj nesër, është një hesap egoist dhe paralizonjës që bën për të qënë gati për çdo gjë që mund të ngjasë; është pra, ta mendosh veten tënde të shtrenjtë e të shenjtë dhe ti ikësh detyrës që ke si pjesëtar i një shoqërie e cila pret të ndriçohet dhe të ndryshohet (shën.im) prej teje”(f.22)

“Qytetarët e kafeneve”, në pandjeshmërinë e tyre të ftohtë ndaj Publikes por edhe nga frika e gogolit të kompromentimit zgjodhën që të bënin sehir dhe të na duartrokisnin, tamam si ata spektatorët e lindur për Shoqërinë e Spektaklit.Apatikët, një shoqëri e cila në fakt duartrokiste mbi arkivolin e saj.Edhe artistët më të mëdhenj të Artit Makabër (L’Art Macabre) do ta kishin zili si tablo.Ndërsa, Ne të kompromentuarit…

Por përse vazhdojmë të shkruajmë ende teksa jemi të vetëdijshëm që qarkohemi nga ky rreth  indiferentësh?! Përgjigjia jonë shkrihet së bashku me atë të Nebil Çikës: “Nëse pra, unë po e marr edhe sot pëndën në dorë, këtë e bëj sepse më shtyn gaileja e së nesërmes, jo vetiake por kombtare.”

                                                                                                                          © Melsen L. Kafilaj

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

KUR GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU TROKITI NË PORTAT E BASHKIMIT EVROPIAN NË BRUKSEL

August 18, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence 

Ishte fillimi i shtatorit 1968 — 55-vjetë më parë — kur diaspora anti-komuniste shqiptare nga Evropa Perëndimore dhe Amerika, ngriti përmendoren e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve dhe “Shpëtimtarit të Evropës”, Gjergj Kastriotit  – Skenderbeu në Bruksel të Belgjikës – kryeqytetin aktual të Bashkimit Evropian (BE).  Ai vit, shënonte edhe 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar |  Gazeta Telegraf – Vetëm një vit më heret, në 1967, (tre institucionet ekzistuese evropiane të dala nga Traktati i Romës, nënshkruar në 1957 (Traktati i Romës, Komuniteti Ekonomik Evropian dhe Komuniteti Evropian për Energjinë Atomike) u bashkuan, zyrtarisht, në entin e quajtur Komuniteti Evropian. Ishte fillimi i Bashkimit Evropian, siç njihet sot, themeluar në bazë të Traktatit të Maastricht-it, të vitit 1992.

Ishte një rast i volitshëm historik dhe një përpjekje strategjike nga ana e diasporës anti-komuniste shqiptare në Belgjikë dhe të emigrantëve të ardhur edhe nga shumë vende të tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, për të pasqyruar para Evropës meritat dhe konributet e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, për shpëtimin e Evropës nga hordhitë osmane.  Nuk mungonin as emigrantët nga Kosova shqiptare, për të kujtuar rëndësinë e asaj dite, jo vetëm për Kombin shqiptar por edhe për mbarë Evropën. Në Bruksel ishin mbledhur rreth 2500-veta, përfshir zyrtarë të lartë politikë dhe përfaqsues të enteve shtetërore belge, sipas përllogaritjeve në shtypin e emigracionit shqiptar të kohës, përfshir revistën prestigjoze “Shejzat” e Ernest Koliqit, e cila botonte një reportazh prej 5-6 faqesh kushtuar vendosjes së përemndores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Bruksel me 2 shtator, 1968. Korrespondenti i saj nga Brukseli raportonte për atmosferën entuziaste dhe ndjenjat e fuqishme gëzimi dhe krenarie kombëtare të shqiptarëve jashtë Atdheut, të mbledhur pranë monumentit të Heroit të tyre kombëtar mu në kryeqendër të Evropës, në Bruksel. Sipas shtypit të kohës, ajo ditë karakterizohej nga një mot i kthjellët që i dha një shkëlqesim të këndshëm asaj ceremonie të përurimit të përmendores së Heroit të Shqiptarëve – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën kontinentale deri atëherë, me përjashtim të përmendores së Kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Piazza Albania të Romës, që ishte ngritur dekada më heret.

Monumenti i Skënderbeut në Bruksel është ngritur në vitin 1968 me fondet e mbledhura nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe Amerikë. “Me vullnet të papërkulur dhe me zell të paprerë, kolonia shqiptare e Belgjikës ia doli, më në fund, qëllimit me ngreh midis Brukselit — një qytet ndër më të parët e Evropës – një përmendore të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Fatosi, që është emblemë e virtyteve të Kombit shqiptar, u nderua në mënyrë të veçantë nga Shqiptarët e Belgjikës…duke lartësuar emrin e Atdheut, sepse çdo kalimtar vendas a i huaj, duke kaluar aty afër, detyrohet t’i hedh një sy Mbrojtsit arbënuer të Qytetërimit perendimor…”, shkruante korrespondenti i revistës Shëjzat nga Brukseli.

A group of people standing together

Description automatically generated

Me këtë rast janë mbajtur fjalime nga përfaqsues të autoriteteve politike dhe fetare belge si edhe nga përfaqsues të emigracionit anti-komunist shqiptar në botën e lirë.  Fjalimin kryesor në përurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit – Skenderbe në Bruksel (1968) e mbajti Monsinjor Emile Dejardin, një mik i përkushtuar i shqiptarëve, pa dallim feje e krahine. Pas Luftës së II Botërore, Monsinjori belg kishte mësuar për fatin e keq dhe vuajtjet e shqiptarëve anti-komunistë të përhapur nepër kampet e refugjatëve anë e mbanë Evropës. Në vitin 1956, ai themeloi një program përmasash të mëdha për t’i rivendosur këta refugjatë në Belgjikë. Përveç strehimit, Monsinjor Dejardin ndihmoi mijëra refugjatë shqiptarë të pas luftës të siguronin punësim, edukim për fëmijtë e tyre dhe mbulimin e të gjitha nevojave të jetës në vendin e tyre të ri. Shqiptarët, pa dallim, si myslimanë ashtu dhe të krishterë e respektonin shumë Monsinjorin Dejardin për ndihmën dhe kujdesin që ai kishte treguar për ta.  Monsinjori belg, jo vetëm që përkujdesej për mirëqenjen materiale të refugjatëve shqiptarë, por kleriku katolik belg ishte një mbështetës i fortë i identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të tyre. Nga shumë përpjekje të shumta të tija në këto fushë, një ndër ndihmat e mëdha ishte organizimi për të vendosur monumentin e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Bruskel, në vitin 1968.

Ceremonia e ianugurimit të përmendores është shoqëruar me një program të pasur artistik, muzikor dhe folkloristik. Janë recituar vjersha patriotike dhe është shfaqur akti i parë i dramës, “Skenderbeu” i Etëhem Haxhiademit —Frank Shkreli: Në kuadër të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit, kujtojmë Ethem Haxhiademin | Gazeta Telegraf –    Ndërkaq, të pranishmit – shqiptarë dhe të huaj –  kanë shijuar tingujt e këngëve kushtuar Skenderbeut e Bajram Currit, të grupit muzikor të ardhur enkas nga Kosova, të udhëhequr nga Qamili i Vogël, ndërsa janë kënaqur edhe me performancën e një orkestre belge.

Inaugurimi i përmendores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Bruksel  (1968) ka qenë një trokitje në portat e Evropës së asaj kohe — ishte një akt patriotik i emigrantve shqiptarë të shpërndarë nga komunizmi, anë e mbanë botës – kundërshtarë të regjimit komunist — për t’i treguar Evropës dhe botës se shqiptarët, megjithë regjimin e atëhershëm anti-perendimor në Tiranë – me vlerat e Gjergj Kastriotit Skenderbe, Kombi shqiptar, me të kaluarën e tij të lavdishme, është i denjë për një të ardhme më të mirë, si pjesë përbërse e pandarë e botës perëndimore demokratike euro-atlantike.  Ky ishte edhe mesazhi që diaspora shqiptare anti-komuniste e vitit 1968 – pa dallime feje, krahine e ideologjie – megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht – me këtë rast ishte e bashkuar rreth Gjergj Kastriotit – Skenderbe, shembullit dhe rolit të tij historik, përbashkues kombëtar.

Prandaj, sot 55-vite më vonë, ia vlen të kujtojmë duke u bashkuar me një koment mirënjohjeje, siç ishte shprehur, me atë rast, Redaksia e revistës “Shëjzat” e Ernest Koliqit për të kujtuar dhe “përgëzuar me ndiesi të gjallë mirënjohjeje, Shqiptarët e Belgjikës, që arrijtën me ngreh midis Evropës një shenjë Shqiptarizmi, i cili u tregon të huajve qenjen tonë si komb dhe fisnikinë e vlerave tona shqiptare…vendosja e nji shtatorje bronxi kushtuar Skenderbeut… nga nji grup me fuqi të kufizueme të nji rrethi mërgimtarësh, që kishin humbur Atdheun dhe çdo gja tjetër në ‘të – ashtë nji mrekulli që dëshmon gjallninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit, të cilin as vargu ma dërmues i krajatave historike nuk arrijti t’a mposhti.”

Bashkimi dhe vëllazërimi kombëtar, mbi ndasitë dhe përçarjet e ndryshme politike, ideologjike dhe personale — ishte objektivi kryesor i Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Me vlerat e veta të besës, bashkimit e vëllazërimit, Gjergj Kastrioti vazhdon të trokas në portat e Evropës, në emër të shqiptarëve, mu aty në Bruksel, në kryqendrën e Evropës së bashkuar. Fatkeqsisht, fjalët e tija bien në veshë të shurdhër dhe portat e Evropës nuk po hapen për shqiptarët.  Po, për shqiptarët sot, a është Skenderbeu simbol bashkimi, bese e vëllazërimi? Çka po ndodhë sot me “gjallëninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit”?

Frank Shkreli

undefined

Statuja e Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastriotit –Skenderbe, 1968 Me mbishkrimin në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe flamançe: “Gjergj Kastrioti – Skanderbeg, 1405-1468. Në Pesëqindvjetorin e vdekjes së Heroit Kombtar, Prijsit zamadh të Shqiptarëve, Mbrojtësit t’ Atdheut e të Qytetrimit Evropian, në shenjë mirënjohjeje, këtë përmendore, mërgata shqiqptare në botën e lirë, ia kushton, 17 Janar, 1968”.

A black and white photo of a building

Description automatically generated

Përmendorja e Gjergj Kastriotit Skenderbe në një shesh të Brukselit – kryeqëndrës së Bashkimit Evropian (BE) –

*  Fotot nga revista Shëjzat, 1968, 7-12

A drawing of a person with a sword

Description automatically generated

Vizatim për një shtatore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga artisti shqiptar në mërgim Ibrahim Kodra

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT