• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Gjuha shqipe në diasporë, sukseset dhe sfidat e së ardhmes

August 14, 2023 by s p

Monda Mara/

Mbajtja gjallë e gjuhës shqipe në diasporë dhe se bashku me të e kulturës sonë, çdo ditë e më shumë po bëhet e vështirë. Në vendet e ndryshme ku janë vendosur shqiptarët, rreziku i asimilimit është tepër i madh. Madje disa e kanë përfunduar tashmë këtë proces. Këtu më vjen ndërmend rasti i një studenteje shqiptare, lindur dhe rritur në Itali, të cilën gjatë rrugëtimit të saj të shkollimit për mjekësi në një prej universiteteve italiane, fati e përball me një pedagog që i kërkoi të fliste diçka në gjuhën shqipe, pasi ishte kurioz se si do të tingëllonte ajo. Vajza, e turpëruar, i përgjigjet se nuk dinte shqip. Atëherë, ndoshta për të parën herë, kuptoi se kishte gabuar duke mos ndjekur kurset e gjuhës shqipe në vendin ku jetonte. Dhe për çudi, mbase edhe jo shumë, bëri fajtorë prindërit pse nuk kishin qenë më shumë këmbëngulës në mësimin e gjuhës amtare. Ky është vetëm një rast, dhe për fat të keq si ky ka me qindra të tjerë.

Por përballë një realiteti të tillë, të hidhur dhe të papranueshëm, qëndron një armatë e tërë mësuesish (tashmë pjesë e tyre edhe unë, pas vitesh përvojë pune, si mësimdhënëse në Shqipëri), të cilët i janë përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe për brezat e rinj. Tradita, kultura, identiteti, lipsen që t’u përcillen pikërisht këtyre fëmijëve që po rriten në mërgim, për të zgjuar tek ata ndjenjën e atdhedashurisë dhe njohjen e rrënjëve të tyre.

Në datat 30 korrik deri 2 gusht 2023, në Vlorë u mbajt Seminari XVI Mbarëkombëtar i gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, në mjediset e universitetin “Ismail Qemali” të këtij qyteti. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të paraqesë rëndësinë e tij, pasi kuptohet se veprimtari të tilla janë kurdoherë frytdhënëse. Kjo përsa i përket aspekteve si : zbatimit të teknikave të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në mërgim, shkëmbimin e përvojave të ndryshme, vendosjen e urave të lidhjes midis mësuesve me njëri -tjetrin, por edhe me institucionet përgjegjëse, përditësimin me risitë (këtë vit në shtator do të nisë shkolla verore për fëmijet shqiptarë në emigrim, projekt pilot që fillimisht do të përfshijë fëmijët shqiptarë në Greqi), e shumë të tjera si këto.

Do të doja ta përqendroj vëmendjen time pikërisht te ata, misionarët e dijes dhe kulturës sonë në mërgim apo “përhapësit e dritës” siç i quan Luigj Gurakuqi. Pata rastin të takoj mësues kolegë nga Suedia, Gjermania, Danimarka, Turqia, Greqia, Italia, Kosova, Zvicra, Anglia, të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në këto shtete. E pra dëshira, përkushtimi, gadishmëria nga ana jonë, nuk mungon kurrsesi dhe këtë gjë e treguam me pjesëmarrjen në këtë seminar. Me gjithë mbështetjen e institucioneve përkatëse të vendit tonë, që për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ka munguar, sidomos nga Qendra e Botimeve për Diasporën, mendoj se nuk duhet të mbetemi më te vullnetarizmi dhe dëshira e mirë jona. Në vende të tilla si Gjermania apo Suedia (në dijeninë time këto të dyja), mësimi i gjuhës shqipe është pjesë e kurrikulës shkollore të tyre. Detyrimisht edhe profesioni i mësuesit të gjuhës shqipe, është i rregulluar në përputhje me sistemin arsimor të vendit përkatës. Për fat të keq kjo gjë nuk ndodh me vendet e tjera. Në optikën time, nëse gradualisht do të heqim dorë nga vullnetarizmi dhe lënien në dorë të rastësisë apo dëshirës së mirë, kjo do çonte në 2 arritje të rëndësishme.

1. Rritje të profesionalizmit.

2. Siguri në vazhdimësinë e këtij misioni, të ardhmen e tij.

Vetë mbajtja e këtij seminari të radhës (i 16-të siç edhe e theksova më lart), është një ogur i mirë në këtë drejtim dhe unë jam e prirur ta besoj këtë gjë.

Në mbyllje thënia e Eqerem Çabejt, njërit prej studiuesve, gjuhëtarëve më të shquar të historisë së shqipes, etnologjisë, kulturës shqiptare, them se do ishte më e denja për këtë rast. “Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e kësaj kombësie dhe kulturës së saj”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Monda Mara

Në kujtim të 43- vjetorit të shuarjes së prof. Çabejt

August 14, 2023 by s p

Bledi Filipi/

43 vjet më parë do të ndërronte jetë në një spital të Romës, prof. Eqrem Çabej dijetar i gjuhës shqipe, Mësues i Popullit. U largua atëbotë duke lënë përgjysmë veprën e tij madhore Studime Etimologjike. Porse figura e Çabejt është e lidhur ngushtë edhe me çështjen e arsimit kombëtar. I atribohet merita e sjelljes së metodave të reja të gjuhësisë krahasuese në vendin tonë.

U lind në vitin 1908, mësimet e para i mori në Gjirokastër dhe më pas gjimnazin dhe studimet e larta do t’i kryejë në Austri.

Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet Doktor në gjuhësi . Si kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. E një rëndësie tepër të madhe është puna e kërkimeve të tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Ndër veprat e tij përmendim :”Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime Etimologjike në fushën e Shqipes”,” Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”,” Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari i Gjon Buzuku”, etj. Bashkautor i “Fjalorit të Gjuhës shqipe” 1954.

Me studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë edhe studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.

Eqrem Çabej me veprën e tij madhore mbetet një pikë e fortë mbështetjeje për të gjithë studiuesit e albanologjisë. Figura e profesor Çabejt mbetet gjithnjë e freskët dhe e dashur për brezat! Të tillë dijetarë sado ndahen fizikisht nga kjo botë, mbeten të përjetësuar me atë çka u lënë pas brezave!

Filed Under: Opinion

FASADA E REALITETIT MULTIETNIK NË MAQEDONINË E VERIUT

August 14, 2023 by s p

Emir Kurtishi

Jurist/

Kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski dhe të tjerët, i përkasin një brezi që ende i kanë të freskëta ngjarjet e zhvilluara që nga pavarësia e RMV-së, në vitin 1991 e këndej. Çfarë ka ndodhur në atë periudhë kohore, nga ajo që kam lexuar dhe nuk është nevoja të rikthehem, sepse vetë i përkas një brezi të ri dhe ngjarjet e asaj bote nuk i kam përjetuar, mirëpo nuk mund të anashkalohet fakti se shqiptarët në vitin 1991, askush nuk i pyeti për pavarësinë e RMV-së, rrjedhimisht as për sjelljen e ligjeve mbi stemën, flamurin dhe himnin shtetëror.

Kam lindur në vitin 1996. Relativisht i ri për t’u marrë me këto ngjarje, mbase. Si çdo shqiptar i këtij nënqielli, jam lindur me biseda politike të zhvilluara në odat tona. Por, jam lindur dhe rritur edhe me retorikën e njohur shoviniste maqedonase, thirrjeve për dënim ndaj çdo shqiptari që e ka shprehur ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe sadopak e ka ngritur zërin për drejtësi.

Ndonjëherë, më vjen turp të nderuar, kur jam i detyruar të lexoj lajme të tilla ditore e të flas prej brenda dhe krejt rastësisht e gjej vetën duke e zbrazur këtë shqetësim mbi letrën e bardhë me shkronja të zeza dhe kur e mendoj se nesër këtë që po e shkruaj do ta lexojë ndonjë shokë, mik dhe ndonjë koleg i nderuar maqedonas. Ata që më njohin, kam zhvilluar biseda edhe me ata dhe gjithmonë ua kam thënë se nuk më pengon nacionalizmi juaj, sepse edhe vetë jam nacionalist. Kjo dëshmon se unë dhe ti e duam kombin tonë. E kush nuk e do kombin e vet!? Por, kur kjo retorikë shndërrohet në shovinizëm, atëherë problemet shfaqen në horizont, kemi problem me tjetrin, kemi mosdurim etnik dhe krijohet urrejtja etnike.

Më është bërë “bajat” gjithmonë të flas për statusin e shqiptarit në këtë shtet. Nuk e dini ndonjëherë edhe sa ndiej përtesë. Kanë folur të gjithë që nga viti 1991 e deri më sot. Shumë teza magjistrature e disertacione doktorature janë shkruar e lexuar. E pakuptimtë ndonjëherë më duket kjo betejë e pafund në këtë shekull të ri.

Kryetarit të RMV-së dhe atij qytetari të thjeshtë maqedonas i them se duhet ta njihni shqiptarin e shkretë, jo ta injoroni dhe ta urreni, sepse fundja në sajë të tij jeni aty ku jeni. Ju duhet ta ndjeni shqiptarin, siç ju ka ndier juve kur Greqia me diplomaci ua ndryshoi emrin e shtetit, dhe për pak deshi t’ua rrezikojë identitetin tuaj brenda natës. Duhet ta ndjeni shqiptarin e shkretë, siç ju ndjen juve kur ju detyron Bullgaria që t’i futni bullgarët në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së. Duhet njëherë e mirë ta kuptoni se, shqiptari i këtij shteti gjithmonë ka luftuar për t’u ndier i barabartë dhe kjo ka reflektuar në atë që është arritur në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që sot shënohet 22 vjetori i saj. Me anë të këtij dokumenti, edhe njëherë i treguam botës dhe kohës se shqiptarët janë për paqe dhe për ndërtim të përbashkët të këtij shteti duke i vënë theks të veçantë integrimit në strukturat euro-atlantike. Ky dokument të nderuar, siç e dini, është shëmbëllim i realitetit dhe sjelljes politike të klasës politike maqedonase dhe rezistencës së saj deri në fund, të cilët nuk u pajtuan me përmbajtjen e saj nga frika se mos po e humbin shtetin e tyre. Por, shteti i juaj, hiç më larg se sot me plot gojë thirret dhe i përkrah vlerat e arritura me këtë marrëveshje, megjithëse edhe pas 22 vjetve çalon në zbatimin e saj.

Filozofi gjerman, Hegeli, thotë se individi i fiton të drejtat e veta (shqiptari ende nuk i ka fituar të drejtat e veta!) vetëm kur ai është qytetar i një shteti të mirë. Utopike, ë!? Vazhdon ai, sipas tij, thotë se ky lloj shteti arrihet kur mishërohet perfekt shpirti, thelbi i të cilit është liria. Aha, bukur shumë! Sa e ndien vetën të lirë shqiptarët atëherë në këtë shtet!? Supozoj, nëse kjo qenka barometër për matjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, atëherë më mirë të mos flas, sepse me keqardhje, nëse më lejoni, duhet ta konstatoj se “shteti i juaj multietnik” qenka shtet i dështuar!

Shteti i juaj, të nderuar, dhe i imi gjithashtu, ka qenë gjithmonë njerkë për ne. Po, shumë e vërtetë! Përderisa nuk e ka ndier dashurinë dhe lojalitetin shqiptari i thjeshtë dhe i shkretë që lufton për mbijetesë në këtë shtet, sepse ia keni rrënuar çdo ideal, nuk duhet as ju të pritni të jetë ai lojal ndaj shtetit tuaj. Dashurinë dhe solidaritetin tonë të pakursyer e kemi dëshmuar çdo herë kur ka qenë nevoja, por ju nuk e keni vlerësuar. Sot, të gjithë ju, nuk keni absolutisht të drejtë të flisni për shqiptarin e këtij shteti. E keni humbur kahmoti. Deri sot, keni bërë çfarë keni dashur me të dhe vazhdoni të bëni edhe më, nuk ka problem, aspak! E kemi dëshmuar me durimin tonë dhe natyrën paqësore që e kemi. Po pra. Aha, e di ku doni të dilni. Ja pak durim! Kur e keni tepruar, na keni detyruar me vështirësi, jo me maturi e vertetë, ua kemi treguar vendin se ku e keni. Kam kujtuar se së bashku po angazhohemi për vlera evropiane, ndaj kjo retorikë nuk na ka hije as mua e as ty. Gjithçka ka një kuptim dhe mirëkuptim në këtë botë. Por, thirrjet e tilla klishe nuk kanë më kuptim! Dënimi i shqiptarit për valëvitje të flamurit dhe këndim të himnit kombëtar, dëshmon se ky shtet sadoqë synon të integrohet në BE, ende nuk e ka përmbushur parakushtin themelor: ndryshimin e mentalitetit komunisto-jugosllav.

Nisem nga ajo që e tha ministri juaj i jashtëm, të nderuar, se Albin Kurti nuk vjen si kryeministër. Kaq mjafton! Meqenëse nuk vjen si kryeministër, por vjen për “vizita privato-partiake”, kjo të le të nënkuptosh se vjen si kryetar partie, pse jo edhe si qytetar i një shteti tjetër. Atëherë me të drejtë mund të parashtrohet pyetja: pse duheshka të respektohet protokolli dhe ligjet për organizimin e ngjarjeve në prezencë të shtetarëve të vendeve të huaja!? Apo e keni nga inati, pse nuk erdhi t’ju takojë juve? Sidoqoftë të nderuar, letra e bardhë është para jush, mund ta mbushni si të doni ju, përderisa kërkoni votë nga shqiptari i shkretë dhe ai ju përgjigjet në mënyrë pozitive. Por, do të vijë koha kur ju prap do të kërkoni mbështetje, e atëherë s’do ta gjeni. Njeriu falë me mijëra herë, por të harrojë, asnjëherë!

Manifestimi i mbajtur në Tetovë, përfundoi në mënyrë paqësore. Siç e shihni edhe sot është mot i bukur me diell. Këndimi i himnit dhe valvimi i flamurit kombëtar (jo shtetëror) nuk ua rrezikoi shtetin! Por ama, retorika e juaj, të nderuar e ka potencialin e duhur t’i elektrizojë ca qarqe maqedonase në shoqërinë tonë e ta prish kohezionin dhe gjoja raportet e mira multietnike në shtetin tonë. Andaj, kujdes kur shpreheni dhe si shpreheni në publik. Fjalën e merr era dhe nesër ju mbani përgjegjësi për çdo të ndodhë.

Nesër është ditë punë, si çdo ditë tjetër e javës. Ne, prap mund të ulemi së bashku, të pimë kafe dhe t’i qajmë hallet dhe dertet tona se çka mund të bëjmë më tepër, mbi perspektivën evropiane të këtij shteti.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ermir Kurtishi

Mos urre

August 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Atë që është e urryer për veten tuaj, mos e bëni për të afërmin tuaj. Nëse dëshironi që askush të mos ju dëmtojë në lidhje me atë që ju takon, nuk duhet ta dëmtoni atë në atë mënyrë; nëse dëshiron që askush të mos të privojë nga ajo që është e jotja, nuk duhet ta privosh tjetrin nga ajo që i takon atij.

Njeriu u bashkua me shokët e tij dhe ata u nisën derisa arritën në një fushë plot me fara. Shokët e tij morën secili nga dy, por ai nuk mori asnjë. Ata vazhduan udhëtimin e tyre dhe erdhën në një fushë plot me lakra. Secili mori dy, por ai nuk mori asnjë. Ata e pyetën se pse nuk kishte marrë asnjë, dhe ai u përgjigj: “Kështu jam mësuar”. Çfarë është e urryer për veten, mos e bëj për tjetrin.

Ata që janë të shtypur, që dëgjojnë fyerjet pa u kundërpërgjigjur, që veprojnë me dashuri dhe janë të lumtur nën sprova, për ta është shkruar: “Le të jenë ata si dielli kur del me fuqinë e tij”, dhe ka një fjalë të urtë: “Bëhu i mallkuar dhe jo mallkues”. Bëhet akoma më e qartë në shtjellimin e dy aforizmave: “Le të jetë nderi i shokut po aq i dashur sa i yti për ty” Ashtu si një njeri ka kujdes për nderin e tij, po ashtu duhet të ketë kujdes për nderin e tjetrit; që të mos ketë reflektim për reputacionin e tij të mirë, po ashtu duhet të jetë i shqetësuar që të mos dëmtojë reputacionin e të afërmit të tij. Në mënyrë të ngjashme me maksimën: “Lëre që pasuria e të afërmit të jetë aq e dashur për ty sa pasuria jote”. Ai mëson se ashtu si një njeri ka kujdes për pronën e tij, po ashtu duhet të ketë kujdes për pronën e të afërmit të tij; ashtu siç dëshiron që të mos ketë thashetheme të shëmtuara për (mënyrën se si e ka fituar) pronën e tij, po ashtu duhet të jetë i shqetësuar që të mos bëhet asnjë reflektim në lidhje me të afërmin e tij”. Përveç urdhrit për të dashur, ekziston urdhëri për të mos urryer. “Ti nuk do ta urresh vëllanë tënd në zemrën tënde” nuk duhet ta mallkosh ose ta godasësh; prandaj teksti shton ‘në zemrën tënde’ qëllimin që të ndalohet urrejtja që është në zemër”. Urrejtja ndaj krijesave të tjera është një nga tre veset që e largojnë njeriun nga bota. Asnjë përmbledhje më e mirë mbi temën e dashurisë për tjetrin nuk mund të sugjerohet sesa epigrami i mprehtë: “Kush është i fuqishëm? Ai që e kthen armikun në mik”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

FERRI I PARAJSËS

August 14, 2023 by s p

Analizë nga Rafael Floqi, mbi zjarret në Maui

An aerial image taken on August 10 2023 shows destroyed homes and buildings burned to the ground in Lahaina in the...

Parajsa e humbur 

Ishulli dikur i qetë dhe piktoresk i Mauit në, Hawai, është shndërruar në një peizazh makthi. Zjarret shkatërruese që përfshinë  së fundmi zonën kanë lënë një gjurmë shkatërrimi, vdekjeje dhe dëshpërimi. Cilat ishin detajet e tmerrshme të katastrofës, ndikimi në komunitetin lokal, reagimi nga autoritetet dhe faktorët themelorë që kontribuuan në katastrofë. 

Fillimi i tragjedisë: 

Një skenë skëterrë, Të mbijetuarit e zjarreve në Maui e përshkruajnë si një skenë direkte nga një film horrori. Qyteti turistik i njohur Lahaina u përfshi nga flakët, duke e kthyer parajsën tokësore në një makth apokaliptik. Shtëpitë u bënë hi, pemët u bënë mbetje skeletore dhe të paktën 96 vetë humbën jetën. Situata u përshkrua me vend nga piloti i helikopterit Richard Olsten, i cili e krahasoi shkatërrimin me një zonë lufte. Imazhet e tymit që ngrihet nga destinacioni turistik dikur i gjallë janë kujtues të egër të ferrit. Qyteti dikur i zoti i Lahaina në ishullin Maui të Hawait është kthyer në një skenë të djegur shkatërrimi, siç zbulohet nga satelitët e vëzhgimit të Tokës të kompanisë amerikane Maxar Technologies. Sateliti Landsat 8 i NASA-s kapi gjithashtu një imazh tronditës të qytetit të djegur të martën (8 gusht), pak pasi zjarri u raportua për herë të parë. Në atë imazh, pothuajse i gjithë qyteti, i cili para katastrofës kishte një popullsi prej rreth 12,000 banorësh, shkëlqen portokalli të ndezur nga flakët. Anija kozmike e Evropës Sentinel-2 për vëzhgimin e Tokës e vuri re gjithashtu rajonin në zjarr, gjatë kalimit të tij më 8 gusht. Këto zjarre në Havai ishin aq intensive sa mund të vëreheshin qartë në imazhet e marra nga satelitët e motit në orbitën gjeostacionare, rreth 22,000 milje (36,000 km) mbi Tokë. Sipas njoftimeve të mediave, zjarret kanë qenë ende të ndezura në ishullin e largët që nga mëngjesi i së premtes (11 gusht).

 Lahaina.- kryeqyteti i ish-Mbretërisë së Hawaii-t:

Ishulli Maui ka formën e përafërt si një breshkë dhe Lahaina, që do të thotë “diell mizor”, dikur ishte një parajsë bregore në anën jugore të kokës së breshkës. Malet West Maui mbi Lahaina përmbajnë një nga vendet më të lagështa në planet; Pu‘u Kukui, maja më e lartë, bie afërsisht treqind e shtatëdhjetë e pesë inç shi në vit. Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, një kapiten britanik e quajti Lahaina “Venecia e Paqësorit”. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, Lahaina ishte kryeqyteti i Mbretërisë së Havait; Moku‘ula, shtëpia e familjes mbretërore Havajane, ndodhej në një ishull të vogël në mes të një pellgu. Por, kur kolonizatorët rrafshuan pyjet vendase për të lënë vend për kallam sheqeri, ananas dhe bagëti, zona u tha. Uji nga malet derdhej në kanale betoni vaditëse, në vend të përrenjve dhe akuiferëve natyrorë. Të huajt sollën gjithashtu bimë të reja, duke zëvendësuar vegjetacionin vendas me specie pushtuese si shatërvani dhe guinea bars, të cilat kanë evoluar për t’u djegur. Kur industria e kallamsheqerit ra, pronarët e tokave nuk bënë asnjë përpjekje për të rivendosur tokat e tyre të gjera ose për të rindërtuar përrenjtë. Disa u shitën zhvilluesve, të cilët ndërtuan vendpushime dhe nënndarje të reja. Menaxhimi dhe kontrolli i ujit mbeti kryesisht në duart e kompanive private, të cilat kanë rezervuar burimet. Edhe pse banorëve u është dashur ndonjëherë të racionojnë ujin, hotelet e pompojnë atë në lëndina, fusha golfi dhe pishina. “Jo vetëm që peizazhi është ndryshuar për të mos mbajtur aq shumë ujë sa më parë,”  tha Willy Carter, një student i diplomuar që studion zjarret e furçave në Maui, “por po thithet dhe devijohet në drejtime të gabuara, larg këtyre. qendrat lokale të popullsisë”.

Humbjet e njerëzore: 

Historitë e mbijetesës dhe humbjes, 80 të vdekur dhe 1000 veta që nuk përgjigjen gjer tani. Kostoja njerëzore e katastrofës është e pamatshme. Banorët tregojnë se kanë parë trupa të vdekur në murin e detit, një dëshmi e zymtë e tërbimit të pamëshirshëm të zjarrit. Shumë u detyruan të ikin në oqean për t’i shpëtuar tymit dhe flakëve, duke përfshirë edhe fëmijë. Një banor, Mason Jarvi, e përshkroi skenën si një apokalips, duke pësuar djegje ndërsa po arratisej me biçikletën e tij elektrike. Dëmi emocional është i dukshëm, me shumë të mbijetuar shprehin ndjenjat e pafuqisë dhe dëshpërimit. Lahaina tani është zhdukur pothuajse plotësisht. “Është sikur shpërtheu një bombë bërthamore,” tha të enjten Michiko Smith, i cili u rrit në Lahaina dhe iku nga zjarret. Në vetëm pak orë, njerëzit ia mbathën nga flakët pas flakëve – disa ishin ngecur në një bllokim trafiku që të çonte në Kahului, të tjerët po hidheshin në oqean – të gjithë duke u përballur me mundësinë reale për t’u djegur të gjallë. Motra e Smithit, Ariana, duhej të ecte zbathur jashtë qytetit, ndërsa shtëpitë shpërthyen rreth saj. 

Histori ferri: 

Kur zjarri zbriti në autostradën në Lahaina, Maranda Schossow, një njëzet e nëntë vjeçare e zhdërvjellët që pëlqen të kërcejë, po kthehej me makinë në apartamentin e saj Front Street për të marrë dy macet e saj, Clio dhe Gianna, dhe çdo gjë tjetër që mund të kapte. Schossow ka jetuar në Lahaina për dhjetë vjet. “Mendova se do të kishte edhe pak kohë,” më tha ajo të enjten në mbrëmje, nga streha e një shtëpie të mbushur plot në Napili. Teksa udhëtonte me makinë poshtë bypass-it të autostradës, ajo pa shtëpi pas shtëpie të shpërthyera në flakë: “Kjo ndodhi brenda tridhjetë minutash. Rruga ishte aq e ngarkuar. Askush nuk dinte çfarë të bënte.” Ajo nuk mund të shihte asnjë polic apo zyrtar. Schossow filloi të ngiste në anën tjetër të rrugës, rreth makinave të tjera. Copa të mëdha të ndezura hiri filluan të binin dhe palmat po digjeshin. “Gjithçka rreth meje filloi të zbehej plotësisht, sikur të ishte mesnatë,” tha ajo. “Nuk mund të shihja asgjë. Unë isha sikur, “Oh, Zoti im, së shpejti do të jem në tym.” “Ajo eci pak më larg, pastaj parkoi në trotuar, e pasigurt nëse do të vraponte apo do të ngiste. Nëse do të dilte nga makina, ajo pyeste veten, a do të mund të merrte frymë apo do të humbiste mendjen? Më në fund, nga frika se mos i shpërthente makina, ajo ndoqi instinktin e saj. “I thashë makinës sime, ‘të dua’ dhe fillova të vrapoja nëpër rrugë.”

Një ndërtesë në kompleksin e apartamenteve të Schossow, Lahaina Residential, ishte në flakë, por e saja nuk ishte ende. “Unë thashë një lutje,” tha ajo. “I thoja vetes  ‘Vetëm merr macet’. I futa në një zgarë. Ata janë të dy super të trashë, kështu që unë as nuk e di se si mund t’i mbaja ato, por mendoj se thjesht  një modalitet shtese force.” Ajo vrapoi aq sa mundi dhe më pas pa dikë që e njihte, në një kamion, i cili e la të hipte  nga pas. Teksa po largoheshin me makinë, ajo pa njerëz që hidheshin në oqean. Prindër që vraponin, duke u përpjekur të mbronin kokat e fëmijëve të tyre.

Përgjigja: Një luftë kundër natyrës 

Ekipet e zjarrfikësve u përballën me një betejë të vështirë kundër zjarreve të shumta, të nxitura nga erërat e forta dhe të shkaktuara nga Uragani Dora. Ana perëndimore e ishullit ishte pothuajse e prerë, me vetëm një autostradë të mbetur e hapur. Evakuimet ishin kaotike dhe ndërprerjet e energjisë prekën disa komunitete. Zv guvernatorja e Havait Sylvia Luke epranoi rrugën e gjatë e të vështirë drejt rimëkëmbjes, me zjarrfikësit që po luftonin me tre ferre të mëdhenj dhe 271 struktura të dëmtuara ose të shkatërruara. Patrulla ajrore civile e SHBA, Departamenti i Zjarrfikësve Mauit dhe agjenci të tjera federale u mobilizuan për të ndihmuar në përgjigje. Ishte e natyrshme? 

Askush nuk mund të thotë ende me siguri se çfarë shkaktoi zjarret e para, megjithëse ka shumë diskutime për linjat dhe infrastrukturën e energjisë elektrike të mirëmbajtur keq të kompanisë lokale. Por ajo që është e qartë është se pse flakët u rritën kaq kolosale, kaq shpejt. Lahaina ishte mjaft e thatë për t’u djegur, pjesërisht, sepse bujqësia dhe zhvillimi e kthyen atë në një kuti llamarine.

Përpjekjet për evakuim dhe ndihmë:  

Një garë kundër kohës. Më shumë se 11,000 turistë u evakuuan dhe linjat ajrore ofruan përjashtime për të lehtësuar nisjet. Megjithatë  nga mbylljet e rrugëve, aeroporti Maui mbeti funksional dhe fotot tronditëse të shpërndara në mediat sociale përshkruanin retë tymi mbi plazhet dikur idilike. Roja Bregdetare ka shpëtuar 14 persona, mes tyre dy fëmijë, të cilët ishin hedhur në ujë. Të paktën 20 persona pësuan djegie të rënda dhe u transportuan me avion në Oahu. Mbi 2,100 njerëz e kaluan natën në qendrat e evakuimit dhe 2,000 të tjerë u strehuan në aeroportin Kahului. Të enjten në mbrëmje, arrita në Ke‘eaumoku Kapu, drejtorin gjashtëdhjetë vjeçar i Qendrës Kulturore Nā ‘Aikāne o Maui, në Lahaina. Ai sapo ishte kthyer në zonë si pjesë e një autokolone furnizimi – të pajisur me ujë, ushqim, pelena, peceta duarsh – për njerëzit që nuk ishin evakuuar. “Ka shumë të mbrapshtë,” më tha ai. “Ata janë si zombie tani.”

 Deklarata nga liderët: 

Një thirrje për unitet Presidenti Biden vlerësoi punën e zjarrfikësve dhe urdhëroi ndihmën federale. Ish-presidenti Barack Obama, me origjinë nga Hawaii, shprehu dhimbjen e tij në rrjetet sociale. Garda Kombëtare, Marina e SHBA-së, Marinsat dhe Rojet Bregdetare u mobilizuan dhe Departamenti Amerikan i Transportit ndihmoi në përpjekjet për evakuim. Guvernatori i Havait, Josh Green, e quajti zjarrin “katastrofën më të madhe natyrore në historinë e shtetit të Hawait”, duke shtuar se 80% e Lahaina kishte “ikur”, sipas BBC. 

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, erërat që ndezën flakët tani po zvogëlohen dhe do të mbeten në nivele mesatare gjatë fundjavës dhe fillimit të javës së ardhshme. Kjo duhet t’i japë fund përzierjes vdekjeprurëse të kushteve, të cilat, përveç ndezjes së flakëve, ndërlikuan edhe përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin. Mesazhi kolektiv nga udhëheqësit ishte ai i unitetit, mbështetjes dhe vendosmërisë për të rindërtuar. 

Shkaqet themelore: 

Një përzierje komplekse. Shkaku i zjarreve në Maui mbetet i papërcaktuar, por Shërbimi Kombëtar i Motit tregon për një kombinim të vegjetacionit të thatë, erërave të forta dhe lagështisë së ulët. Situata u përkeqësua nga uragani Dora, i cili ndezi flakët dhe krijoi një stuhi të përsosur shkatërrimi. Zjarri, i cili dogji qytetin historik në ishullin e dytë më të madh të Havait, shpërtheu të martën për arsye ende të panjohura. Zjarri u rrit shpejt në përmasa të mëdha menjëherë pas kësaj, i nxitur nga erërat e fuqishme të nxitura nga Uragani Dora që kalonte. Të paktën 55 persona kanë humbur jetën dhe mijëra kanë humbur shtëpitë e tyre, thanë zyrtarët. Meteorologët shpjeguan se megjithëse Dora kaloi më shumë se 700 milje (1200 kilometra) në jug të arkipelagut të Paqësorit, ndërveprimi i saj me një zonë me presion të lartë në Oqeanin Paqësor verior prodhoi erëra të fuqishme, të cilat përhapën me shpejtësi zjarrin në peizazhin e thatë të Mauit . Në Hawaii, megjithatë, zjarret nuk ishin kurrë një tipar i rregullt i peizazhit. Në vend të kësaj, Carter tha se zjarret në vitet e fundit dhe këtë javë të tmerrshme, u ndezën pjesërisht nga thatësira e vazhdueshme dhe akoma më shumë nga presionet njerëzore mbi ekologjinë e ishullit. “Ky është shumë larg nga një proces i natyrshëm,” tha ai.

Si përfundim: Një komunitet në zi 

Zjarret Maui kanë lënë një komunitet në zi dhe një parajsë të humbur. Historitë e mbijetesës, humbjes dhe qëndrueshmërisë janë një dëshmi e shpirtit njerëzor, por rruga drejt rimëkëmbjes do të jetë e gjatë dhe e mundimshme. Fatkeqësia shërben si një kujtesë e fortë e fuqisë së natyrës dhe rëndësisë së gatishmërisë, reagimit dhe mbështetjes së komunitetit. Imazhet e varkave të djegura, e brigjeve ujore të djegura dhe skeleteve pa gjethe të pemëve dikur të harlisura do të mbeten përgjithmonë të gdhendura në kujtimet e atyre që e panë këtë ngjarje të tmerrshme. Ferri Mauit është një tragjedi që do të rezonojë për vitet në vijim, një mbresë e dhimbshme në fytyrën e bukur të parajsës së Havaiit.  Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, erërat që ndezën flakët tani po zvogëlohen dhe do të mbeten në nivele mesatare gjatë fundjavës dhe fillimit të javës së ardhshme. Kjo duhet t’i japë fund përzierjes vdekjeprurëse të kushteve, të cilat, përveç ndezjes së flakëve, ndërlikuan edhe përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin.

Shkatërrim total:

“Shkatërrim total,” tha ai. Të martën, pasi Kapu iku nga Lahaina, djali i tij e telefonoi për qendrën kulturore, e cila mbante objekte guri, daulle tradicionale, pelerina me pupla dhe shumë skulptura nga gdhendësi i drurit Sam Kaha’i Ka’ai, të cilin qeveria Havai e ka quajtur një “Thesar i gjallë”. Në veçanti, qendra kishte dy skulptura prej druri që përshkruanin një hyjni mashkull dhe një femër. Ka’ai i kishte gdhendur ato për të zbukuruar Hōkūleʻa, një shtyllë tradicionale detare e ndërtuar në vitet shtatëdhjetë për të ringjallur artin e humbur të lundrimit polinezian. “Babi, qendra jonë kulturore u dogj deri në themel”, i tha i biri. Kapu duhej të telefononte Ka’ain dhe t’i tregonte atij lajmin. “Ai thjesht u përlot,” më tha Kapu, me zërin e tij. “Ne humbëm gjëra që nuk mund të zëvendësohen kurrë.” 

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT