
Bledi Filipi/
43 vjet më parë do të ndërronte jetë në një spital të Romës, prof. Eqrem Çabej dijetar i gjuhës shqipe, Mësues i Popullit. U largua atëbotë duke lënë përgjysmë veprën e tij madhore Studime Etimologjike. Porse figura e Çabejt është e lidhur ngushtë edhe me çështjen e arsimit kombëtar. I atribohet merita e sjelljes së metodave të reja të gjuhësisë krahasuese në vendin tonë.
U lind në vitin 1908, mësimet e para i mori në Gjirokastër dhe më pas gjimnazin dhe studimet e larta do t’i kryejë në Austri.
Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet Doktor në gjuhësi . Si kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.
Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. E një rëndësie tepër të madhe është puna e kërkimeve të tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Ndër veprat e tij përmendim :”Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime Etimologjike në fushën e Shqipes”,” Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”,” Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari i Gjon Buzuku”, etj. Bashkautor i “Fjalorit të Gjuhës shqipe” 1954.
Me studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë edhe studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.
Eqrem Çabej me veprën e tij madhore mbetet një pikë e fortë mbështetjeje për të gjithë studiuesit e albanologjisë. Figura e profesor Çabejt mbetet gjithnjë e freskët dhe e dashur për brezat! Të tillë dijetarë sado ndahen fizikisht nga kjo botë, mbeten të përjetësuar me atë çka u lënë pas brezave!