• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

IDETË HEGJEMONISTE DHE EKSPANSIONISTE JANË ANAKRONIKE DHE NË KUNDËRSHTI ME PARIMET DEMOKRATIKE (I – III) 

August 3, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

– ideologjia serbomadhe –

Ideologjia serbomadhe gjatë shpërbërjes së RSFJ-së – Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, RSF e Jugosllavisë u shpërbë me luftë. Në këto luftëra kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës, u përfshi Serbia. 

Akademiku serb me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq (1921-2014) shkruan: “Çështja kombëtare serbe është çështje e lirive dhe e të drejtave ekzistenciale të etnosit serb në tërësi, është çështje e identitetit të tij shpirtëror, kulturor dhe historik, pavarësisht nga kufijtë e tashëm të republikave dhe konstitucionit të Jugosllavisë. Po qe se kjo liri dhe kjo e drejtë nuk merret parasysh, atëherë del se qëllimi historik i popullit serb nuk është realizuar – bashkimi i të gjithë serbëve në një shtet…”          

  Në vitin 1986, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (ASShA) nxori një memorandum. Njihet si Memorandumi i ASShA-së. Në këtë shkrim famëkeq, midis tjerash thuhet: “Serbët në Jugosllavi janë të diskriminuar. Shqiptarët në Kosovë, ndaj tyre ushtrojnë gjenocid”. Pas këtij memorandumi shpërthen në Serbi nacionalizmi serb. Në tërë Jugosllavinë vërshojnë valët e protestave të organizuara të serbëve dhe të malazezëve. Pjesëmarrësit nëpër mitingje kishin transport të organizuar me autobusë. Nën trysninë e demonstratave shemben pushtetet e krahinave autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës. U shemb edhe pushteti republikan në Mal të Zi. Në Vojvodinë dhe në Mal të Zi erdhën në pushtet njerëz që i bindeshin politikës së Sllobodan Millosheviqit (1941-2006). Nacionalistët serbë e cilësuan Jugosllavinë si katastrofën më të madhe të Serbisë. Sipas tyre, duke pranuar të bëhet pjesë e shtetit të Jugosllavisë, në vend ta kishte krijuar Serbinë e Madhe në periudhën e volitshme pas Luftës I Botërore, Serbia ka bërë gabim fatal. Gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX, bashkimi i serbëve ishte qëllim që e përfaqësonin politikanët serbë. Me idenë serbomadhe ishin të përshkuar faktorët kryesorë të politikës serbe – Partia Socialiste e Serbisë e Millosheviqit, Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit dhe Lëvizja Serbe e Rimëkëmbjes e Vuk Drashkoviqit (1946- ). Radikalët serbë të Vojisllav Sheshelit (1954- ) tentuan t’i zhvarrosin mbetjet mortore të Josi Broz Titos* dhe t’i dërgojnë në Kumrovec të Kroacisë, aty ku kishte lindur. Por kjo nuk ndodhi. 

Shënim: Josip Broz Tito (1892-1980) – ka lindur në Kumrovec të Kroacisë. Babai Franjo Broz ishte kroat, ndërsa nëna Maria Javershek ishte sllovene. Prindërit i e tij kishin 15 fëmijë. Titoja ishte fëmija i shtatë.            

Memorandumi i ASShA – Është dokument të cilin e hartoi Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve ndërmjet viteve 1985 dhe 1986. Është program strategjik i inteligjencies serbe. Memorandumi thekson “pozitën e rëndë dhe pabarazinë e popullit serb në Jugosllavi, sidomos në Kosovë, ku ndaj popullatës serbe zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor”. Demonstratat e shqiptarëve në Kosovë të vitit 1981, akademikët serbë i quajnë “agresion neofashist”. Memorandumi kritikon konfederalizmin dhe autorizimet e mëdha të krahinave autonome (të Kosovës dhe të Vojvodinë) të realizuara me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974. Me këtë kushtetutë, “serbët janë diskriminuar”. Sipas akademikëve serbë, “çështja serbe nuk do të konsiderohet e zgjidhur para se të realizohet plotësisht bashkimi kombëtar dhe kulturor i serbëve, pavarësisht se ku jetojnë ata” (faqet 70-73).

Për shkak të pikëpamjeve mbi gjendjen e kombit serb dhe kërkesave për riorganizimin rrënjësor të RSF të Jugosllavisë, sapo u publikua, Memorandumi shkaktoi reagime të vrullshme në Jugosllavi. Një ditë pas publikimit të Memorandumit, kryetari i atëhershëm i RS të Serbisë, Ivan Stamboliq (1936-2000), e quajti manifest lufte për komisarët serbë. E kanë cilësuar si pikë të zezë të historisë serbe. Sakaq, atë e shpallën tradhtar. Ndër shumë qytetarë të Jugosllavisë, ky dokument u konsiderua si shprehje e nacionalizmit serbomadh dhe mjet i përhapjes së ndjenjave antishqiptare. Është thënë se Memorandumi i ASShA-së ka luajtur rol kryesor për shpërbërjen e RSF të Jugosllavisë dhe se ka kontribuar me të madhe për luftërat në Jugosllavi. Kroatët e quajtën Memorandumin nekrolog të Jugosllavisë. 

Memorandumi e përcaktoi drejtimin e zgjidhjes së “çështjes serbe” brenda RSF të Jugosllavisë, duke folur qartas për mundësinë që kjo bashkësi shtetërore të shpërbëhet. Për një situatë të tillë, serbët duhet të jenë të përgatitur vendosmërisht. Dokumenti u publikua në dy vazhdime në gazetën e Beogradit “Veçernje novosti”, më 24 dhe 25 shtator 1986. Nëpër kiosqe shitej në mënyrë jolegale edhe si libër. Dokumenti doli anonim. Nuk dihej se cilët ishin akademikët që e kishin hartuar atë. 

Pas shumë vitesh doli në shesh se grupi i punës që kishte marrë pjesë në përpilimin e Memorandumit përbëhej prej akademikëve, si: filologu dhe linguisti Pavle Iviq (1924-1999);   nënkryetari i ASShA-së, shkrimtari Antonije Isakoviq (1923-2002); kryetari i ASShA-së, dijetar i biologjisë molekulare Dushan Kanazir (1921-2009); filozofi Mihajlo Markoviq (1923-2010); juristi dhe ekonomisti Milosh Macura (1916-2005); historiani Dejan Medakoviq (1922-2008); historiani i letërsisë Miroslav Pantiq (1926-2011); paleontologu Nikola Pantiq (1927-2002); neurobiologu Lubisha Rakiq (1931-2022); historiani Radovan Samarxhiq (1922-1994); themeluesi i shkollës së robotikës në Beograd Miomir Vukobratoviq (1931-2012); historiani Vasilije Krestiq (1932- ); juristi Ivan Maksimoviq (1924-2007); ekonomisti Kosta Mihajloviq (1917-2007); ekonomisti Nikola Çobeliq (1912-2002).

Akademikët e sipërthënë janë shkolluar në Universitetin e Beogradit. Asnjëri prej tyre nuk është shkolluar në ndonjë prej universiteteve të Evropës. Pothuajse të gjithë kanë qenë profesorë në Universitetin e Beogradit.        

*   *   *

    Mitingjet e serbomëdhenjve në vitet 1987-1989 – Organizues “të revolucionit antiburokratik” ishin Millosheviqi, Voisllav Shesheli, Vuk Drashkoviqi dhe njerëzit rreth tyre. Pranë Millosheviqit ishte Ivica Daçiqi (1966- ), ndërsa pranë Sheshelit ishin Tomisllav Nikoliqi (1952- ) dhe kryetari i përtashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi (1970- ). Në vitet 2012-2017, Nikoloqi ishte kryetar i Serbisë. “Revolucionin antiburokratik” kroatët e quajtën “revolucion të kosit” (jogurt revolucija). Kështu sepse pjesëmarrësve në revolucion, domethënë revolucionarëve, u jepej nga një gjevrek me nga një gotë dhallë ose kos. U mbajtën një sërë mitingjesh apo tubimesh masive me ndihmën e të cilëve kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Sllobodan Millosheviqi i shembi pushtetet e krahinave autonome – të Vojvodinë dhe të Kosovës. E shembi edhe udhëheqjen partiake dhe republikane (shtetërore) të Malit të Zi, duke caktuar në vend të tyre ithtarët e vet. Me ndryshimet që u kryen në vitin 1989 në Kushtetutën e RS të Serbisë, autonomitë e Vojvodinës dhe të Kosovës të cilat ishin pjesë konstitutive të federatës – u shuan. “Revolucionin antiburokratik” Serbia tentoi ta mbartë edhe në republikat e tjera, por hasi në qëndresën e Kroacisë dhe të Sllovenisë. Zagrebi dhe Lubjana thanë: “Jugosllavia duhet të rindërtohet mbi parime të konfederatës”. Serbomëdhenjtë s’u pajtuan. Në Jugosllavi shpërtheu lufta.  

Plani i Serbisë së Madhe i hartuar nga Voisllav Shesheli – Që në fillim të luftërave në Jugosllavi që shpërthyen në vitin 1991 e këndej, udhëheqësi serb i çetnikëve Voisllav Shesheli e riaktualizoi planin e vjetër të çetnikëve për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për pastrimin etnik të saj. ky plan bazohej në parimin “Ku janë varret serbe, aty janë tokat serbe”, duke kombinuar kësisoj të drejtën historike dhe etnike për territoret e republikave fqinje të Jugosllavisë. Në kuadër të Serbisë së Madhe, ai pretendonte të përfshijë pjesën më të madhe të territorit të Jugosllavisë: Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën, si dhe një pjesë të madhe të Kroacisë, të ndarë sipas vijës së paramenduar Karlobag-Ogulin-Karlovac-Virovitica. Sipas studiuesve kroatë, këtë ide Shesheli e ka marrë prej ideologut çetnik të Luftës II Botërore, Stevan Moleviq ( 1888-1957). Pas këtij përcaktimi programor qëndronte Lëvizja Çetnike Serbe e Sheshelit, e cila më vonë u quajt Partia Radikale Serbe. Kjo parti i dërgonte vullnetarët e vet në fushëbeteja anembanë Jugosllavisë. Partia Radikale Serbe e Sheshelit, sot e kësaj dite këtë program e mbron zyrtarisht. Në krye të kësaj partie, deri në vitin 2008 kanë qenë edhe Tomisllav Nikoliqi dhe Aleksandar Vuçiqi. Sipas disa studiuesve, Nikoliqi dhe Vuçiqi paskan deklaruar: “Ideja e Serbisë së Madhe është joreale”.  

Shënim: Më 12 qershor 2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit kishtar të Aleksandar Sheshelit, djalit të liderit të Partisë Radikale Serbe, Voisllav Sheshelit. Gjatë kësaj ceremonie janë kënduar këngë çetnike, këngë “patriotike” për vojvodën e çetnikëve Pavle Gjurishiqin (1907 – 21.04.1945), trupat e të cilit, në shkurt të vitit 1943 kanë kryer masakër ndaj myslimanëve në Plevle, Çajnicë dhe Foçë të BH-së. Më pas edhe në Kroaci. U vra prej ustashëve kroatë në kampin Stara Gradishka, më 21 prill 1945. 

Pjesëmarrja e Vuçiqit në dasmën e një krimineli të luftës tregon qartë se ai sot e kësaj dite ndjek ideologjinë e ish-shefit të vet.   

  Shesheli ka qenë dhe mbetet luftënxitës, kriminel lufte i dënuar në formë të prerë. Kryetar i Partisë Radikale Serbe, vojvodë çetnikësh dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë. Përhapës i kroatofobisë. Përhapjes së urrejtjes ndaj kroatëve ia ka kushtuar një pjesë të madhe të librit “Ideologjia e nacionalizmit serb” të viti 2000 si dhe veprën prej mbi 1.000 faqeve “Kombi artificial kroat, projekt kriminal i kishës katolike të Romës” të viti 2007. Në vitin 2003 iu dorëzua Tribunalit të Hagës. U gjykua për krime lufte të kryera në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Në shtator të vitit 2014, për shkak të mjekimit nga karcinomi, u lirua nga paraburgimi. Me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 31 mars 2016, Gjykata e Hagës e liroi nga faji sipas të gjitha pikave të aktakuzës. Me aktgjykimin e shkallës së dytë u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për krime kundër njerëzimit që nënkuptojnë përndjekjet, dëbimet dhe zhvendosjen e dhunshme të kroatëve (dikur shqiptarë të fisit Kelmendi) në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992. Nuk u kthye në burg ngase Kolegji ankimor, në vuajtjen e dënimit e llogariti kohën që e kishte kaluar në paraburgim ku kishte qëndruar prej viti 2003 deri në vitin 2014. 

*   *   *

Plani për Serbi të Madhe i Vuk Drashkoviqit – Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, plan për Serbi të Madhe hartoi edhe kryetari i Lëvizjes Serbe të Rimëkëmbjes (Srpski pokret obnove / SPO), politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq (1946- ). Sipas këtij plani, RSF e Jugosllavisë do të mundë të rikrijohej me formimin e bashkësisë së shteteve të pavarura, e cila do të përfshinte Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën. Sipas planit, Bosnja dhe Hercegovina do të zgjerohej me pjesë të Kroacisë, me përqindje të lartë të serbëve, duke i lënë Kroacisë pjesë të Posavinës dhe Hercegovinën perëndimore. Në pikëpamje etnike, me këtë plan, Kroacia do të bohej homogjene, ndërsa BH-ja do të kishte përafërsisht përqindje të barabartë serbësh dhe boshnjakësh, d.m.th. nga 50%. Ky plan do të duhej të ishte një lloj plani paqësor midis serbëve dhe kroatëve. Plani nënkuptonte rikrijimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke iu dhënë asaj pjesët e Kroacisë të banuara me serbë dhe si kompensim, do t’i bashkëngjiteshin pjesët e BH-së të banuara me kroatë. Katër shtetet sovrane të sipërthëna, do të vendosnin lidhje të ngushta përkitazi me politikën e jashtme dhe komandën e përbashkët mbi njësitet që kërkojnë shpenzime buxhetore më të mëdha, siç janë aviacioni, njësitë e mekanizuara. Me kalimin e kohës, kur të qetësoheshin pasionet kombëtare, mbi baza perëndimore dhe demokratike, do të tentonin të vendosnin ndonjë lidhje me Kroacinë dhe me Slloveninë.             

   Këtë plan, në korrik të vitit 1991, Drashkoviqi ia propozoi kryetarit të atëhershëm të Kryesisë së RSFJ-së, Stjepan “Stipe” Mesiqit*, Plani u refuzua, pa u shqyrtuar fare.  

Në fillim të luftës në Kroaci, Drashkoviqi organizon formacionin ushtarak vullnetar të quajtur Garda Serbe (Srpska grada), të cilin e dërgon në fushëbetejë. Në atë kohë, si një politikan pro-çetnik, e kritikonte Millosheviqin për arsye se, duke u mbështetur në komunizëm, në kuadrot komuniste të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe duke qenë në antagonizëm me Perëndimin, serbët jashtë kufijve të Serbisë së atëhershme, nuk ka qenë e mundur të mbroheshin. Kroacia, por edhe kundërshtarët politikë të Drashkoviqit në Serbi, këtë propozim e pritën me cinizëm. Sipas disa studiuesve, me fajin e Millosheviqit, rrethanat ndryshuan në dëm të Serbisë, kështu që vetë Drashkoviqi dhe partia e tij, hoqën dorë nga ky program. Drashkoviqi pohon se për një plan të ngjashëm paska folur pozitivisht me kryetarin e atëhershëm të BH-së, Alija Izetbegoviqin (1925-2003) – janar 1992, libri “Meta”.

Shënim: Stjepan “Stipe” Mesiqi (1934- ) është politikan kroat. Ka qenë kryetar i Kryesisë së RSFJ-së. Në vitet 2000-20110, ka qenë dy mandate kryetar i Republikës së Kroacisë. 

*  *   *

“Jugosllavia e cunguar” e Millosheviqit – Në prag të shpërbërjes së RSFJ-së, përfaqësuesit e elitës politike serbe u përpoqën t’i përkufizojnë qëllimet kombëtare serbe, si: “të gjithë serbët në një shtet”, në kuadër të diskursit të Jugosllavisë socialiste. Millosheviqi synonte të krijojë një Jugosllavi të cunguar e cila do të përfshinte Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën e Hercegovinën si dhe pjesët e Kroacisë, të banuara me serbë. Millosheviqi dhe Partia Socialiste e Serbisë në pushtet, morën qëndrim se “Kroacia mund të shkëputet, por për një gjë të tillë nuk mund t’i detyrojë serbët e Kroacisë, të cilët duan të vazhdojnë të jetojnë në Jugosllavi. Në rast shpërbërjeje të Jugosllavisë, patjetër të tërhiqen kufij të ri që do t’i përfshinin të gjitha rajonet ku jetojnë serbët, qoftë si shumicë, qoftë si pakicë”.     

   Njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASShA-së dhe nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë në pushtet, filozofi Mihajllo Markoviq (1923-2010) porosit: “Kufiri i ri shtetëror patjetër të shkojë me vijën që ndan popullin serb nga ai kroat. Kufirin e ri duhet ta kontrollojë Armata Popullore e Jugosllavisë”. 

  Më 9 tetor 1991, Mihajllo Markoviqi deklaron: “Në shtetin e ri të Jugosllavisë do të ketë të paktën tri njësi federale: Serbia, Mali i Zi dhe rajoni i bashkuar i Bosnjës e Hercegovinës dhe i Kninit. Po qe se myslimanët e Bosnjës dëshirojnë të mbeten në shtetin e ri të Jugosllavisë, do të mund të mbeten. Po qe se do të duan të shkëputen, atëherë do të duhet të dinë se shteti i myslimanëve të Bosnjës, në të gjitha anët do të jetë i rrethuar me territor serb”.       

*   *   *

Propaganda serbe përsëriste me ngulm: “Kufijtë e republikave të Jugosllavisë nuk janë veçse kufij administrativë të brendshëm, ndaj nuk mund të bëhen kufij ndërshtetërorë, me vendim të njëanshëm, gjë që thuhet edhe në nenin 5 të Kushtetutës së RSFJ-së”.  

Më 25 qershor 1991, Kroacia e shpall pavarësinë. Më 8 korrik 1991, Kuvendi i Serbisë kërkon prej organeve “federative” dhe Armatës Popullore të Jugosllavisë, “të mbrojnë vetëm atë pjesë të Jugosllavisë në të cilën popujt që jetojnë në ato hapësira deklarohen se duan të jetojnë bashkë”. Planet e Millosheviqit për krijimin e Jugosllavisë së cunguar nën dominim serb, me shpalljen e pavarësisë së BH-së dhe të Maqedonisë në vitin 1992 – bien në ujë. Pas kësaj, Serbia mbetet në bashkësi shtetërore vetëm me Malin e Zi.        

Sipas akuzave të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, idenë “të gjithë serbët në një shtet”, Millosheviqi ka tentuar ta realizojë me dhunë. Me këtë rast, konceptin e Serbisë së Madhe ai nuk e ka përmendur haptas, por ka bashkëpunuar me nacionalistët e skajshëm siç është Vojisllav Shesheli të cilët e mbronin atë ide. Sipas mendimit të prokurorit britanik Xhefri Najs (Sir Geoffrey Nice; Londër, 1945- ), praktikisht ato kanë qenë qëllime të njëjta, për arsye se kufijtë e shtetit serb janë përputhur në “vijën e Sheshelit” Karlobag-Ogulin-Karlovac-Virovitica. 

Shënim: Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Prof. Xhefri Najs (Sir Geoffrey Nice; Londër, 1945- ) është avokat dhe gjyqtar britanik. E ka udhëhequr Prokurorinë e Hagës në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit. Sipas serbëve, ky qenkësh antiserb i përbetuar.   

Sipas disa studiuesve, Millosheviqi ka ngulur këmbë ta ruajë emërtimin Jugosllavi për dy arsye: e para, që ta arsyetojë aneksimin e pjesëve të Kroacisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës; dhe e dyta, që Jugosllavia e cunguar të fitonte njohje ndërkombëtare si trashëguese e RSFJ-së.  

Pas vendosjes së sistemit shumëpartiak në Jugosllavi, shfaqen grupime mbi baza etnike. Në Serbi paraqiten parti të cilat haptas kërkojnë krijimin e Serbisë së Madhe.

*   *   *

“Revolucioni i trungjeve” (Balvan revolucija) – Ky revolucion serb ta përkujton “revolucionin e kosit” (jogurt revolucija) të serbëve në vitet 1987-1989 në Vojvodinë dhe në Mal të Zi. “Revolucioni i trungjeve” shpërtheu në Kroaci më 17 gusht 1990. Serbët e rebeluar refuzuan t’i binden qeverisë kroate dhe nëpër rrugët e Dalmacisë ngritën bllokada. Kjo i shkaktoi dëme turizmit veror në Kroaci. Duke qenë se rrugët bllokoheshin me trungje, veprimi i revolucionarëve serbë u quajt prej kroatëve “revolucion trungjesh”. Si pasojë, tensionet etnike midis serbëve dhe kroatëve u rritën. Ky incident paralajmëroi luftën në Kroaci.  

Shënim: Një revolucion të ngjashëm serbët lokalë organizuan edhe në veri të Kosovës. Më 31 korrik 2022 bllokuan rrugën magjistrale në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinjës që gjendet në Komunën e Leposaviqit. Një bllokadë ishte vendosur edhe në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë.     

*   *   *

Pas daljes së Kroacisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës nga federata jugosllave, në këto republika krijohen entitete. Në territorin e Republikës së Kroacisë u vetëshpall Republika e Krainës Serbe (Republika Srpska Krajina), kurse në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinë – Republika Serbe Bosnja dhe Hercegovina (Republika Srpska Bosna i Hercegovina). Këto “shtete” serbe të papranuara, sakaq i formuan edhe forcat e veta të armatosura – Ushtrinë Serbe të Krainës dhe Ushtrinë e Republikës Serbe, me mbështetjen logjistike të Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila mbeti nën kontrollin e Serbisë. Ndërmjet përfaqësuesve të Serbisë dhe udhëheqësve të serbëve të rebeluar ishte përgatitur ajo që Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë e klasifikoi si “fushatë kriminale e përbashkët” që kishte për qëllim dëbimin sistematik dhe të dhunshëm të popujve joserbë nga rajonet e pushtuara. Në anën tjetër, Serbia vazhdimisht pohonte se ajo nuk është në luftë dhe se ajo nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet e Armatës Popullore të Jugosllavisë e cila është nën komandën formale të Kryesisë së RSFJ-së. 

Koloneli i atëhershëm i APJ-së Dr. Dushan Plença deklaron: “APJ-ja, krahas kohortave* neoçetnike, e pranoi edhe strategjinë hegjemoniste, ia ktheu shpinën të kaluarës së vet, u nis në një luftë të pakuptimtë kundër të gjithëve në Jugosllavi, pastaj edhe kundër Evropës dhe botës”.  

Shënim: Kohortë-a – njësi taktike e këmbësorisë romake.  

*   *   * 

Sipas studiuesve të caktuar, “serbët në hapësirat e Jugosllavisë nuk kanë jetuar në mjedise etnike të veçanta, por bashkë me popullatën tjetër. Nga kjo del se midis rajoneve serbe dhe atyre joserbe, nuk është e mundur të tërhiqet një vijë ndarëse e saktë. Në praktikë, kjo ka qenë pretekst për konflikte të armatosura për territore që u shndërruan në luftë në Kroaci dhe në luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë”. 

Në këto luftëra kanë vepruar shumë formacione paraushtarake, si: “Tigrat” e Arkanit*, çetnikët e Sheshelit, “Garda Serbe” e Vuk Drashkoviqit, “Kninxhat” e Kapiten Draganit*, etj. Pala serbe, duke i shpërfillur përpjekjet ndërkombëtare, punoi për arritjen e qëllimit të luftës – t’i pushtojë rajonet kompakte serbe në Kroaci dhe në BH dhe ta dëbojë popullsinë joserbe të atjeshme. Në territoret e pushtuara serbët zbatuan pastrim etnik dhe kryen krime masive. Më e tmerrshëm prej të gjithëve është masakra, përkatësisht gjenocidi në Srebrenicë. 

Në vitet 1998-1999, serbët kryen krime lufte dhe gjenocid edhe në Kosovë. 

Shënim: Zhelko Razhnjatoviq i njohur si Arkan – kriminel lufte. Ka lindur në vitin 1952. U vra – “për interesa politikë” – më 15 janar 2000, në hotelin “Interkontinental” në Beograd.    

Dragan Vasilkoviq i njohur me nofkën “Kapiten Dragani” – ka lindur në Beograd në vitin 1952. Ka qenë themelues dhe udhëheqës i njësitit paraushtarak serb “Kninxhat”, paraardhës i “Beretave të Kuqe” (“Crvene beretke”). Në mars 2010, Gjykata Supreme e Australisë mori vendim për arrestimin e tij. U burgos më 12 maj 2010 dhe iu dorëzua Kroacisë ku ishte akuzuar për krime lufte. Aty vuajti dënimin me burg deri më 28 mars 2020.      

*   *   *

Nacionalistët dhe radikalët serbë deklarojnë: “S’ka për të pasur paqe pa bashkimin e trojeve serbe. Qëllim përfundimtar mbetet shteti i përbashkët serb. Punën e filluar ta çojmë deri në fund”. 

Planin Z-4 që u ofronte autonomi të gjerë në kuadër të Republikës së Kroacisë, serbët e refuzuan. Pas masakrës në Srebrenicë më 11 korrik 1995, situata ndërkombëtare për serbët ndryshoi përfundimisht. Kjo ndikoi që OKB-ja të vendosë sanksione ndaj RFJ-së (Serbisë). Më 4 gusht 1995, Kroacia ndërmori operacionin ushtarak “Stuhia” (Oluja) që përfundoi me rënien e Krainës Serbe të vetëshpallur dhe me një valë refugjatësh serbë. 

Prej 30 gushtit deri më 14 shtator 1995, NATO-ja i bombardoi pozicionet serbe në BH. Kjo solli ndërprerjen e rrethimit të Sarajevës nga serbët. Në nëntor të po atij viti, u nënshkrua Marrëveshja e paqes në Dejton*. Lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë përfundoi. Serbia njohu sovranitetin dhe tërësinë tokësore (integritetin territorial) të BH-së dhe të Kroacisë.  

Në luftërat në Jugosllavi, Serbia nuk ia doli t’i ndryshojë kufijtë shtetërorë. Në opinionin botëror, serbëve dhe Serbisë u doli emri i keq. Krimet e kryera gjatë luftërave në Jugosllavi u shërbyen Fuqive të Mëdha të Perëndimit që në rastin e Kosovës të reagojnë shumë më shpejtë. Pas shpërthimit të luftës në Kosovë të nisur në vitin 1998 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe masakrave të para sistematike ndaj shqiptarëve, më 1999 pason ndërhyrja e NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake të RFJ-së (Serbisë). Ndërhyrja kishte për qëllim të parandalonte krimet ndaj popullatës civile dhe eksodin e shqiptarëve. Pas luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, Serbia i dha fund pushtimit të Kosovës. Pas disa vitesh, Mali i Zi e la bashkësinë shtetërore me Serbinë. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës, me mbështetjen e ShBA-së dhe të BE-së, e shpalli pavarësinë.

Shënim: Marrëveshja e Dejtonit u arrit në portin ushtarak ajror Right-Paterson afër Dejtonit (Dayton), në shtetin amerikan Ohajo (Ohio). Me Dejtonin, lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë që zgjati prej vitit 1992 deri në vitin 1995, u ndal zyrtarisht. Konferenca zgjati prej 1 nëntori deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës ishin kryetari i BH-së, Alija Izetbegoviq, kryetari i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, kryetari i Kroacisë, Franjo Tugjman, ndërmjetësuesi kryesor amerikan, diplomati Riçërd Hollbruk (Richard Charles Albert Holbrooke, 1941-2010) dhe gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Kanne Clark, 1944- ). Marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht në Paris më 14 dhjetor 1995.    

*   *   *

Profesori i historisë së Evropës Juglindore në Institutin për Evropën Lindore të Universitetit të Lirë, Berlin, Holm Zundhausen (Holm Sundhaussen, 1942-2015), në librin e tij “Historia e Serbisë prej shekullit 19-të deri në shekullin 21”, konstaton: “Me një masë sigurie mund të thuhet se historia e Serbisë dhe e shoqërisë serbe do të ishte zhvilluar ndryshe, sikur elitat para rreth njëqind vjetëve të ishin interesuar më tepër për rregullimin e shtetit dhe të shoqërisë, sesa për ekspansion territorial. Me fitoren e Pirros në luftërat ballkanike 1912/1913, shteti serb ia ka ngarkuar vetes mbi shpinë hipotekën të cilën kurrë nuk ka mundur të shlyejë. Serbia ka mundur të bëhet vend tejet i zhvilluar, Ka pasur potencial për një gjë të tillë. Por, potenciali i saj është flijuar në emër të “idesë së madhe” e cila Serbinë e viteve ’90 të shekullit XX e ka çuar prapa për rrafsh një shekull”.    

*   *   *

Ideologjia serbomadhe sot – Dështimet ushtarake në një varg luftërash të njëpasnjëshme, ngecja ekonomike dhe izolimi në vitet e para pas luftërave, duhet të ndikojnë te populli serb për të parë se koncepti i Serbisë së Madhe nuk është në përputhje me interesat kombëtarë të Serbisë. Politika e sotme serbe duhet të distancohet nga ideologjia serbomadhe apo nga politika e Millosheviqit. Këtë distancim nuk mund ta bëjnë as kanë për ta bërë Aleksandar Vuçiqi (1970- ), Ivica Daçiqi (1966- ), Aleksandar Vulini (1972- ) apo Millorad Dodiku (1959- ) i Republikës Serbe të BH-së. Që të gjithë janë prorusë dhe miq të Vlladimir Putinit (1952- ). 

Në vend të zgjerimit të shtetit serb, qëllim parësor i Serbisë duhet të jenë integrimet euroatlantike. Kjo s’bëhet dot kurrë, pa e njohur Serbia realitetin në rajon si dhe pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj. Ideja: “Të gjithë serbët në të njëjtin shtet” mund të realizohet vetëm me integrimin e Serbisë në BE. Kjo vlen edhe për popujt e tjerë të rajonit.  

Në Serbi ende ka forca të cilat haptas veprojnë për konceptin e Serbisë së Madhe. Këtu bëjnë pjesë: Partia Radikale Serbe dhe lëvizja e skajshme (ekstremiste) “Obraz”. Për idenë serbomadhe, në një formë pak më diskrete angazhohet Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Kisha Ortodokse Serbe, Partia Popullore dhe Partia Demokratike e Serbisë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, politikë serbomadhe ndjek Partia Demokratike Serbe.

Megjithëkëtë, koka e idesë së Serbisë së Madhe sot, është Aleksandar Vuçiqi. Ideja e serbomadhe është politikë shtetërore e Serbisë. Kjo ide sot, si gjithmonë gjatë historisë, mbështetet nga Rusia, nga Putini (1952-) dhe nga mësuesi i tij – Sergej Lavrovi (1950- ).      

   Kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, idenë serbomadhe e shohin si pengesë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.  

Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza

NJË GJYSMË SHEKULLI POEZI NGA NIKO KACALIDHA

August 3, 2023 by s p

Visar Zhiti
Roselle, Chicago/

– mbresë –

Duke shfletuar sërish antologjinë e poezive të zgjedhura të poetit Niko Kacalidha, “Heraldikët e borës”, fëshpërimën e fletëve të librit ke qejf ta krahësosh me fëshfërimat e gjetheve të një pylli dhe e ndjen se është fjala për pyllin e kujtesës, me dritëhijet e tij, dhe jo thjesht të një vetmitari, që endet andej, por të kujtesës së gjerë, njerëzore, të emocionit të saj, që atë pjesë të kohës së vet e ktheu në poezi.
Janë 50 vjet krijimtari, që dhe unë e kam të njohur qysh në rininë time të parë, gjimnazist, e një poeti të ri, Niko Kacalidha, që duket se ka mbetur i tillë, duke ruajtur atë freski e habi të bukur duke i shtuar vit pas viti përvojën dhe maturinë epike. Dëshira e atëhershme për ta njohur poetin, por që mund të mos e takoje kurrë, përmbyshet tani me poezinë e tij, aty paraqitet ai më së miri.
Dhe ke një dëshirë tjetër, si ta përkufizosh poezinë e tij, ç’mund të thuash për të dhe e gjen, ajo përkufizohet vetëm me vetveten.
Vazhdoj shfletimin, libri sikur bëhet më i dashur me autografin e autorit, i shkoj në fund, lexoj distikun e fundit:

“Mirë, në fillim ishte fjala dhe kjo
nuk lëkundet.
Po pse para ekzekutimit kërkohet
fjala e fundit?”

Tronditëse fjala ekzekutim. A mos është metaforë? Se në fund të fundit ka një çast suprem të tillë për të gjithë, po jo për jetën, jo…
Dhe kthehem prapë në krye të librit, në faqen e parë, poezi e vitit 1972, ja dhe vargu i parë:

“Unë jam paqësor si deti dhe i egër
si deti…”

Dy krahasime me të njëjtën gjë, detin dhe deti s’është thjesht “gjë”, por është metaforë jete dhe vetë jetë, zanafillë dhe përjetësi dhe dallgët e tij janë vargjet homerikë të poemës së njeriut që i rri përballë dhe thirret prej tij, në ravgime përmes shkulmeve dhe legjendave në zbulime ishujsh të rinj e stere tjetër, në kthimet kavafjane, etj, etj, ku:

“Dallga jepte shpirt
në brigjet tona”… –

kështu thotë poeti. Brigjet tona janë gjoksi ynë me një det të tërë shpirti…
Dhe futemi prapë në pyllin e kujtesës, në atë të vetes, me poezinë e Niko Kacalidhës dhe gjejmë prapë natyrë e mitologji, cicërima zogjsh e tempuj, dhimbje dhe Trojë, ikje dhe varre, drerë, Akeront, Sarandë, Helenë, Bibël, Krisht, verë, forma të tjera poezie, tercina, vendlindje, Greqia e re, një vend tjetër europian, Gjermania, udhëtime e poezi si prozë e shkurtër, flatra Shqipërie, shkronja korsive, elegancë, metafora të tjera “Trupi i agulllimit” dhe prapë etj, etj:

“Darka e shenjtë
Unë i paftuar në vetminë e detit.
Të dehurit e flaknin nëpër dallgë
dhe copë e çikë bëhej kupë e hënës.

Helena
Tre mijë vjet kërkoj nëpër Trojë
dhe gjej vetëm pleqtë mbi mure
transparencës së këmishës tënde.

Ferri i çarë
Frynte era e egërsisë së shpirtit.
Shkallëve dy këpucë të shqyera.
Mos ishin vallë të Visar Zhitit?”
…

Natyrisht s’kam si të mos ndal te kjo befasi, të gjesh emrin në varg, jo vetëm emri, por dhe këpucët, metaforë e ecjes, akoma më shumë – dhe Ferrin tënd të çarë, fat i një populli, çast dantesk…
Takim i ri dhe ku, në poezi. Më i sinqerti.
Më i sigurti dhe më i pambrojturi mes dhimbjeve dhe zemëratave si në një shtjellë…
Mbyll kopertinat e librit si për t’u mbrojtur vërtet dhe më bëhen si porta kështjelle. Nga brenda tyre kanë shkruar poetë dhe studiues, Sadik Bejko e Jani Malo, Moikom Zeqo e Gëzim Basha, ndërsa pas në shpinë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, të gjithë e gjejnë të arrirë dhe të virtytshme poezinë e Niko Kacalidhës, poetit shqiptar dhe grek bashkë, truall nga njëri dhe qiell nga tjetri, po dhe e ndërsjellta dhe deti i përbashkët, Joni: poezia.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Çfarë është magjia? 

August 3, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Folja ‘të magjeps’ do të thotë fjalë për fjalë ‘me këndue’. Latinisht ‘incantare’, ‘enchanter’ anglisht; me ‘cantare’ që do të thotë ‘me këngë’. Magjepsja mund të tregojë një ndjenjë tërheqjeje, kënaqësie dhe frymëzimi kur dëgjon një këngë, por edhe hutim, si dhe përvoja pozitive dhe negative.

Ne jemi nën magjinë e dikujt, qofshin ata njerëz, kafshë ose ndonjë tjetër. Është shumë e përshtatshme dikush të thotë “magjeps” kur bën njohjen e dikujt. Ky takim themelor i mendjeve është vetë fara e magjisë, dhe kur e lejojmë veten të përqafojmë plotësinë e botës së gjallë, përvoja e magjepsjes na detyron natyrshëm drejt lidhjes empatike me një gamë të gjerë qeniesh të tjera. Nuk duhet të jetë befasi që komunikimet midis qenieve njerëzore dhe jo-njerëzore qëndrojnë në zemër të kaq shumë miteve dhe përrallave. Të jesh në gjendje të komunikosh me jo-njerëzit në një mënyrë kuptimplote ose, të kuptosh ‘gjuhët e zogjve, kafshëve dhe pemëve’ është një dëshirë thellësisht parësore. Duket se jemi të prirur për t’u lidhur me jo-njerëzit – është thjesht miopia e sajuar që na pengon ta përdorim atë. Ne jemi natyra që komunikojmë me vetveten dhe në atë njohje të thjeshtë mund të gjejmë një burim frymëzimi të thellë. 

“Sidoqoftë, ‘magjepsja’ zakonisht është në linjë me gënjeshtrën dhe iluzionin. Në Mitin e zhgënjimit, Jason Josephson-Storm argumenton, se shoqëritë e çdo vendi kurrë nuk i kanë braktisur vërtet shoqëritë e tyre.

Prirje për magjepsje, kanë treguar madje edhe ‘burrat dhe gratë e mëdha të shkencës’. Studiues si Galileo, Njuton dhe Marie Curie, të gjithë u angazhuan me zell me praktikat “magjike” dhe besimet “mbinatyrore” së bashku me përkushtimin e tyre të qartë ndaj procesit shkencor, dhe ndërsa ne mendojmë se ato na largojnë në mënyrë të pashmangshme nga një “gjendje primitive” e magjepsjes, nuk ka gjasa që ata ta kenë karakterizuar punën e tyre në atë mënyrë.

Filozofi çek Ernest Gellner madje ka argumentuar se megjithëse zhgënjimi mund të ketë qenë vërtet një kusht i domosdoshëm për modernitetin siç e njohim ne, qeniet njerëzore thjesht nuk mund të durojnë të jetojnë në një botë të zhgënjyer. Kështu, metoda e trajtimit, nëse zgjedhim ta pranojmë, është në thelb një proces dekonstruksioni dhe rimagjepsjeje – një kthim në tokën e mrekullueshme. Nuk kërkon që ne të braktisim të vërtetën ose të zhytemi në ‘mbinatyroren’. Krejt e kundërta, në fakt: Magjepsja natyrore na shtyn të përqafojmë një pamje më të gjerë, më dinamike të vetë natyrës dhe të pranojmë pluralitetin e përvojave brenda universit tonë. Me magjepsjen natyrore, ne jemi nën magjepsjen e askujt, thjesht po i hapim shqisat ndaj madhështisë së plotë simfonike të botës së gjallë. Ne kemi çdo arsye për t’u magjepsur nga mrekullitë e universit, kështu që pse duhet të kënaqemi me diçka më pak?

Nëse e lejojmë veten të jemi vërtet të hapur ndaj jetëve dhe përvojave të të tjerëve, duke përfshirë ato që nuk shihen aktualisht në një vend, kjo magjepsje bazë shqisore mund të jetë një kundërhelm i fuqishëm për paragjykimet, cinizmin dhe egocentrizmin. Magjia e thjeshtë e njohjes së të tjerëve mund të ndryshojë vërtet botën. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Mësimdhënia përmes teknologjisë në diasporë

August 3, 2023 by s p

Teuta Tabaku/

Mësimdhënia përmes teknologjisë në këto vitet e fundit po luan një rol të rëndësishëm në jetën mësimore tek fëmijët, nxënësit dhe studentët për të mësuar, zhvilluar aktivitete, konkurset, informacionet, korrespodencat etj.

Duke qenë mjeti më i kërkuar për shkak te shpejtësisë së informacionit dhe korrespondencës, interneti është bërë mjet i pashmangshëm i aktiviteteve njerëzore. Ndërsa përhapja dhe shtrirja në nivel global ka ndikuar në integrimin e hapsirave të komunikimit botëror dhe si rrjedhojë ka bërë që kontaktet midis gjuhëve të ndryshme të botës të shtohen në nivelet që nuk janë parë në historinë e njerëzimit. Kësaj dukurie dhe këtij ndikimi të internetit nuk i ka shpëtuar as mësimdhënia dhe as të mësuarit e gjuhës shqipe në nivelet e ndryshme në diasporë.

Për këtë proces dhe për të patur vazhdimësi në mësimdhënien e gjuhës shqipe u bë shumë kohë që kam krijuar shumë klasa virtuale në platforma të ndryshme teknologjike arsimore. Ne fillim të krijimit të klasave virtuale përcaktoj orarin e zhvillimit të mësimit (në përgjithësi orari i mësimit është 2 ditë në javë-nga 120 minuta – 10 minta pushim, 4 ditë në javë, 240 minuta dhe për çdo seancë – 10 minuta pushim), siguroj materialet, ofroj materiale mësimore aq sa është e nevojshme sipas nivelit të ndarjeve të klasave në bazë të një provimi për të përcaktuar dijet e nxënësve . Këtë program e zbatoj për grup moshat e ndryshme që duan të mbrojnë gjuhën shqipe si gjuhë të huaj).

Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe mësimdhënien e zhvilloj me librin e përbashkët ”Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare ”niveli i parë (në përgjithësi orari i mësimit është 120 minuta -15 minuta-1 herë në javé ), ky libër dhe ky program tek fëmijët e gjeneratave më të hershme të komunitetit të mësuarit në distancë ka sukses, cilësi, influencë dhe jep garanci të mësuarit.

Nxënësit komunikojnë, shkruajnë,nëpërmjet zërit , chatit, shpërndajnë e ndjekin plotësimin e detyrave, pra çdo gjë që realizoj në klasën reale i zhvilloj dhe né klasën virtuale.

Mësimdhënia në klasat virtuale në diasporë ka nevojë për durim, vetëbesim dhe fukosim në qëllimin për të cilën e ke hapur klasën, duhet përqendrim i theksuar pasi mësimdhënia zhvillohet në dy gjuhë.

Si e theksova dhe më lart klasat virtuale i përdor për të organizuar në mënyrë sistematike seancat mësimore që nxënësi, studenti, ti ndjekë nëpërmjet internetit, duke futur metodologji të reja të mësimdhënies nëpërmjet teknologjisë, për të plotësuar nevojat e nxënësve në të mësuarit e gjuhës shqipe në diasporë.

Përdorimi dhe shpërndarja e materialeve bëhet sipas platformës internike duke ju përshtatur me përpikëri rregjistrimeve te mësimeve të cilat mund ti përdorin nxënësit në çdo kohë, jo vetëm ky proces por edhe kopja e mësimeve, tekstet, audiot, vidiot dhe materialet shtesë kjo siguron ripërdorimin e materialeve mësimore midis kurseve. Në klasat virtuale je e lidhur gjithë kohën me nxënësit, këto klasa janë konforde dhe shtyjnë nxënësin të mësojë më shumë, kjo është e rëndësishme.

Mësimdhënia në diasporë përmes teknologjisë hapi shumë mundësi edukative, bashkëpunimi me nxënës e mësues në të gjitha komunitetet me origjinë shqiptare që ndodhen në lokacione të ndryshem. Vlen për t’u theksuar se të mësuarit në këto platforma të sigurta dhe kushtet e krijuara janë një komoditet, nxënësi kudo të jetë merr mësimin, informacionin edhe pa qenë fizikisht.

Rritet performanca e nxënësit, plotësohen nevojat e ndryshme mësimore duke përfshirë nxënës të dobët dhe të shpejtë…..

Kam patur nxënës në klasë reale që nuk ishin shumë aktiv, por mësimi në online u është bërë më i lehtë, më i kuptueshëm, më i shpejtë.

-Modeli i një ore mësimdhënie përmes teknologjisë në fillim njoftoi nxënësit për tu përgatitur para fillimit të mësimit, duke u dërguar disa orë para thirrjen në grup. nxënësit përgatisin temën që u është dhënë sipas programit që kur të vijnë në klasë ti përkushtohen përgjigjeve dhe pyetjeve rreth asaj teme.

Nxënësit sjellin në klasën virtuale mendimet, syrgjerimet ose raste të jetës së përditshme nga stili i të shkruarit të gjuhës standarte, nxënësit punojnë me ritmin e tyre, përdorin teknologjinë e të mësuarit, por dëshiroj të theksoj se: Si për mësuesin dhe nxënësit rritet performanca në kohë reale dhe mësimdhënia përmes teknologjisë në diasporë të jep vendime të informuara për të ndjekur suksesin.

Të mësuarit nëpërmjet teknologjisë ka këto përparësi në diasporë:

-Rritjen e numrit të nxënësve.

-Ekonomizon koston e të mësuarit .

-Pasuron programin mësimor me gjuhën standarte në shkrim e lexim.

-Avancim në programet mësimore të gjuhës shqipe, mësimdhënia në këtë mënyrë në diasporë ka afruar nivele të larta të mësuarit të gjuhës amtare.

-Thjeshtëson kohën e ardhjes dhe largimit nga shkolla të nxënësit, kjo një ndihmë e madhe për prindërit.

-Nxit bashkëpunimin midis nxënësve, grupeve, gjithashtu nxit dhe mbështet strategjinë e përdorimit të kohës në mënyrën më cilësorë.

Filed Under: Kronike

Kalendar-2 Gusht 1999: Në Kosovën e çliruar shqiptarët festojnë kthimin në shkolla e universitet

August 2, 2023 by s p

-Në vitin e madh 1999 të lirisë së Kosovës,  në 2 Gusht para 24 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar/

-Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetituj shkruante: “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, “Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”/

-Edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, ku kishte përfunduar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit presidenti serb Slobodan Milosheviç – i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, në Maj të vitit 2002 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka folur për okupimin që iu bë Kosovës dhe dhunën e egër të forcave serbe, edhe për dëbimin e shqiptarëve nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit  shqip, mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në gjuhën shqipe dhe ndalimin e gazetës Rilindja – të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…/

-Skica që kam shkruar para 32 viteve me titull “Na e morën shkollën…”, botuar në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 2 Gusht 2023/ Në Kosovën e pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit të lirisë 1999, pikërisht në 2 Gushtin e para 24 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Në raportimin nga Kosova për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare në 2 Gusht 1999 theksoja se nxënësit dhe studentët shqiptarë kthehen përsëri në ndërtesat e tyre shkollore dhe se në ceremoninë në Universitetin e Prishtinës, në sheshin para Fakultetit Filologjik, u zhvillua një koncert festiv në prani të mijëra studentëve dhe qytetarëve, në një ditë kur rikthimi kishte ndodhur edhe në Telekom…

Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga pushteti okupues serb të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja, në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetitull shkruante se “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, ku theksonte: “Për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë shumëkund dyert e shkollave ishin të mbyllura.-Në shkollat e mesme e fillore të Prishtinës e në shkolla të tjera të Kosovës, pos drejtorëve të dhunshëm e inspektorëve jolegjitimë, në mbikëqyrjen e situatës dhe në pengimin e mësimit u angazhuan edhe punëtorë të sigurimit shtetëror dhe milicia serbe”.

“Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, ishte një nga titujt tjerë të ballinës së gazetës “Bujku”, me mbititull “Federata Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut për Kosovën” e me nëntitull: “Në kuadrin e nënkomisionit të OKB-së kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve në Gjenevë, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut u paraqit me një material të dokumentuar për format e ndryshme të diskriminimit që pushteti i Serbisë po i ushtron mbi shqiptarët”.

Në numrin vijues gazeta shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla…”. Kështu flas – lexoj nga gazeta në një dokumentar para 30 viteve, kur në Kosovë, nga 24 Maji deri në  3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë i Republikës, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

 Trokëllima e telexit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve të para e historike pluraliste në Kosovë i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 Maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve, që iu bashkuan Adem Demaçit: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në filimin dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas luftës – në liri e pavarsi u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës…

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë, i cili ishte edhe seli raportimesh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare që nga fillimi nga zyrat e gazetës së rezistencës “Bujku”, në 23 Maj 2015 u ngrit dhe u përurua  shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Gazeta rezistencës – e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  dilte nga 18 Janari i vitit 1991, dhe si kryeredaktor i parë-themelues i saj nisëm e themeluam edhe bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri duke marrë e botuar që nga numri i parë informacionet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare e pastaj edhe si korrespondent i saj.

Zyra e telexit në Pallatin Rilinda në ambientet e gazetës “Bujku”, prej nga raportoja ditë e natë, u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë…

Edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, ku kishte përfunduar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit presidenti serb Slobodan Milosheviç – i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, në Maj të vitit 2002 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka folur për okupimin që iu bë Kosovës dhe dhunën e egër të forcave serbe, edhe për dëbimin e shqiptarëve nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit  shqip, mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në gjuhën shqipe dhe ndalimin e gazetës Rilindja – të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë. Dr. Rugova ka theksuar se pas mbylljes së shkollave fillore, të mesme dhe Universitetit u organizua sistemi i mësimit në shtëpitë private që bota e ka quajtur “sistemi paralel” dhe se kjo ka vazhduar deri në vitin 1999…

“NA E MORËN SHKOLLËN…”

Para 32 viteve, në 2 Tetor 1991, kam shkruar këtë skicë me titull “Na e morën shkollën…”, botuar të nesërmen – në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”:

Dy tetor ’91, ora tetë e tridhjetë e pesë, gjashtë, shtatë…minuta. Përjashta shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në rrugë, shumë fëmijë – nxënës, edhe arsimtarë e prindër të fëmijëve shqiptarë. Te dyert e shkollës – policia.

Brenda në shkollë, nga dritaret e mëdha, shihen klasët e zbrazëta, edhe klasë ku mësim ka vetëm – serbisht.

Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u lejohet të hyjnë në shkollë. Në sytë e fëmijëve lotët: “Na e morën edhe shkollën…”

Fëmijët serbë e malazez nga dritaret e shkollës i gërgasin fëmijët shqiptarë, ua ngrenë tre gishtërinj, i shajnë…(O zot, a edhe fëmijët i mbushën mizori, si mundet i madhi t’ia jepë të voglit atë mësim të keq?!)

Fëmijët shqiptarë as që shikojnë andej. I shikojnë punët e veta dhe protestojnë qetë, me urti. Nuk ua tremb qetësinë as aeroplani ushtarak plot zhurmë që fluturon mbi qytet, mbi kokat e tyre. Duket se asgjë më nuk u bën përshtypje, nuk i tremb, as ai “zog frikësimi” në hava.

Qëndrojnë, protestojnë, nuk pajtohen kurrësesi t’ua marrin shkollën.

            Shkollën me emrin e bukur të tribunit Hasan Prishtina. Ai ua mëson nga përjetësia e librat edhe këtë trimëri të urtisë…

RAPORTIME TË 2 GUSHTIT 1999:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-08-02.ata.html

[08] Albanian pupils and students return back to their school buildings

PRISHTINE, August 2 (ata) – ATA correspondent in Prishtine, Behlul Jashari reports: Over half a million Albanian pupils, students and teachers of Kosova returned today to school premises from which they were expelled by Serbs 9 years ago.

In the ceremony held on this occasion in the Prishtina University, in the square in front of the Philological Faculty, a festive concert was performed in the presence of thousands of students and citizens. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

[06] Kosova Telecom resumes operation

PRISHTINE, August 2 (ata) – ATA correspondent in Prishtine Behlul Jashari reports: The Administrator of the United Nations in Kosova Bernard Kouchner inaugurated today the resumption of work in the Telecom, considering this event as very important for the construction of Kosova.

The staff dismissed from the job for the last 10 years returned to work. The international telephone cuts due to the war in Kosova are expected to be recovered soon. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT