• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

#SiSot, më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri biri i Halid beut

August 29, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Emrin e vërtetë e ka Abdullah Hysni. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës; u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit që u formua për të mbrojtur copëtimin e trevave shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878) dhe mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të Perandorisë Osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve. Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjtetshëm. Pasi kreu tre vjet dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma. Në vitin 1886 lihet i lirë me kushtin që të mos merret me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit. Më 11 tetor 1892 ndërroi jetë në Stamboll.

Në fotografinë e parë është portreti i Abdyl Frashërit, fotografuar nga Vëllezërit Romaidhi (fotografë të njohur në Athinë) ndërsa materiali pasues është vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 1978, për kthimin e eshtrave të Abdyl Frashërit në atdhe me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#FototekaAQSH

#DPA

Filed Under: Politike

Ali Podrimja, poeti i zashmërisë së trajtave t’epjes së shpirtit

August 29, 2023 by s p

Zani dhe pena, zemra dhe poezia e Ali Pidrimjes, kësaj vullnese shpirtnore u kthyen në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir, ishin dhe mbeten deri në të mbramen frymë, tharmi i kangës që diti me e këndue edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrra e tij. Kushtroi me za shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dha krahët e atij zogu krahthyem e kungimi rënkues.

Ali Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.

Lindja dhe shndritja e yllit poetik

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut, metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët, shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thirrjet e urisë për liri, dashuri dhe devocion.

Albert Vataj

Filed Under: LETERSI

ROBËR TË KOHËS

August 29, 2023 by s p

Prof.Dr.Ylli Pango/

…kemi qenë e jemi robër të kohës. Në të gjithë kohrat…Në duar të kohës kemi qenë e jemi…ajo na zotëron,..robër…kinse frymorë luksi…robër të saj…

…Që kur jemi lindur në një kohë të quajtur, të caktuar-jemi robër të saj. Jetojmë, endemi, mbyllim ciklin në një kohë të caktuar( të limituar)…Riprodhohemi të programuar brenda mureve kohorë të pakalueshëm…Vdesim në një kohë pak a shumë të përcaktuar. E shohim edhe fundin e pasardhësve tanë, me sytë e kohës, atje tej, në dukje, në pamje aq larg murit tonë të ekzekutimit, gjithsesi fatalisht jo aq larg.Relativisht shumë pranë murit tonë, papërcaktueshmërisht larg mureve pafundësisht të largëta, pa fund të kohës…

Lindim, jemi, mbetemi e tretemi nën diktatin e kohës. Nën kamxhikun e pamëshirshëm të kohës…vit pas viti nën goditjet e fshikullit të kohës, që brazdon e shton rrudhat e zhubrat në fytyrat e trupat tanë…shpirtrat tanë.

…Lodrojmë artistë të gëzuar, qënie të trishtuara, monotonë, narcisë mendjeshkurtër shumë-fytyrash, në teatrin, cirkun, cirkuitin e madh, pa fund të saj…të kohës…

…Ne do jemi të lirë vetëm atëhere kur të shembim muret e kohës që na mban skllavëruar…në Kohë…dhe së fundmi “do të çajmë ferrën” tej në hapsirat pa kohë e pa fund…meteorë të lirë në S’di-se-kund, Askërkund, Kurrë-Kund…

Do vijë njē kohë…antikohë pa an e fund…Me gjasë, a…Kush ende s’e di…

…Gjithsesi, sot për sot, bëni qejf në tokë, në pyll, në plazh…nē diell. Në det…. Me veten, me njeri tjetrin…jini përkohësisht të lumtur…Bēni dashuri me të dashurën tonë Natyrë…me bijtë e bijat e saj bujare…,

të gjithë ata, ato, Deti, pylli, Dielli etj., edhe ne, jemi tanët…janë tuajt, janë si ne…pranë nesh si lloj…Të vdekshëm si ne. E kanë një fund…Edhe ata, dielli. pylli, bora e malit, Mali…Edhe deti…edhe ata janë robër, sado më të mëdhenj se ne…robër edhe ata. Rob Zotër…të Kohës…

Ç’absurd! Se mos vetëm të ikurit…Edhe ne sot e të tjerë më pas…deri nuk dihet kur…nuk do arrijmë ta shkokolepsim dot…

((…”teorina”, po më thotë ndokushi… “

“ e pse nuk i fut, nji mendje të lehtë”…

—Nj’aty m’rri vllajo! …ke t’drejt;

Ani…se s’e pata me ty;

ty s’mundem me “t’rrejt”…))

Filed Under: ESSE

Qazim Mulleti, ish prefekti i Tiranës, prehet ne atdhe

August 29, 2023 by s p

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit/

🔵☑️Para pak ditësh, 25 gusht, janë kthyer në atdhe eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti. Arkmorti me eshtrat e Mulletit ka mbërritur nga Italia në Portin e Durrësit.

Ishte shoqata ‘Tirona Intellectum’, e cila njoftoi pak ditë më parë se eshtrat e ish-prefektit të Tiranës do të kthehen në Shqipëri, duke u përmbushur kështu edhe amaneti i të birit, Reshitit.

Ish-Prefekti i Tiranës, familja e të cilit pësoi një persekutim të egër nga regjimi komunist dhe mbi të cilin u hodh aq baltë nga histografia komuniste, ishte varrosur në një magazinë në një qytezë në periferi të Romës. Eshtrat e Qazim bej Mulletit do të prehen në varrezat e Tufinës. Ceremonia e rivarrimit është caktuar sot, më 28 gusht ndërsa kryerja e riteve fetare do të bëhet në xhaminë e “Kokonozit” tek Pazari i ri.

☑️ISKK-Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për herë të parë ka botuar, si pjesë e kolanës 2022, librin “Përndjekja e Hajrie Mulletit – Stigma e një komedie! Dosja Formulare – Përbuzje, internim, dhunë e vuajtje psikologjike të rrëfyera nga Hajrie dhe Reshit Mulleti, me autore Fatbardha Saraçi (Mulleti), prej të cilit, kemi shkëputur profilin e mëposhtëm biografik të Qazim Mulletit.

👇

🔵Kush ishte Qazim Reshit Mulleti!

☑️Lindi në Tiranë, në lagjen “Sulejman Pasha”, më 20 dhjetor 1893. Studimet e para i kreu në Manastir, vazhdoi gjimnazin “Zosime” të Janinës dhe, së fundi, kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallatasaraj” të Stambollit, duke mbaruar me medalje ari. Ai ishte poliglot.

Në vitin 1912, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Në vitin 1914, është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Me ndërhyrjen direkte të marshallit austriak, Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studimet në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur kryeqytet.

Me nderhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesin Këlliçi, Abdi Toptani dhe Qazim Mulletit si dhe të tjerë delegatë të Tiranës, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë.

Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Më vonë, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhej të ishte kryeqytet i Shqipërisë duke thënë, ndër të tjera, se pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin shumë të favorshme. Tirana de jure u bë kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925.

Në shtator të vitit 1920, Qazim Mulleti ishte komandant i forcave vullnetare kundër Serbisë.

Më 25 prill-3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkim Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia-Zgjimi”, së bashku me z. Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z. Musa Maçi, si përfaqësues të Shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z. Avni Rustemi të Shoqërisë “Bashkimi”.

Në qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan S. Nolit, pati një detyrë të rëndësishme si prefekt në Dibër.

Më dështimin e Revolucionit të Qershorit (dhjetor 1924) Qazimi bashkë me 500 bashkëluftëtarë largohet nga Shqipëria, vendoset në Zara e pastaj në Vjenë.

Në Vjenë martohet me z. Hajrije Kusi, më të cilën patën vetëm një fëmijë, Reshitin që lindi në Tiranë në vitin 1930. Zonja Hajrije me djalin e saj, Reshitin jetuan në Tiranë.

Në vitin 1930, Qazimi u vendos në Paris ku bashkë me vëllain e tij, Hysnin, që ishte diplomuar në Monpelje, hapën Restorant “Albania” ku mblidhej e gjithë mërgata antizogiste e vendosur në Francë. Ishte kryetar i Emigracionit Politik.

Në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe largimit të Mbretit Zog, Qazimi vendosi të kthehej në atdhe. Për të pritur Qazim Mulletin në Durrës dolën familjarët, të afërmit, miqtë…, qindra burra… Ai, u ul, e puthi tokën e Atdheut e tha: “Nuk do të merrem më me politikë”. I propozuan të bëhej Kryetar Bashkie. Në fillim nuk pranoi por shumë qytetar tiranas iu lutën që ta pranonte postin. Dikush duhej të vihej në krye të Bashkisë, t’i shërbente qytetit. Ai vendosi të pranonte detyrën e Kryetarit të Bashkisë, për disa arsye: – Njeriu i politikës nuk mund t’i largohej asaj. (Qytetarët e Tiranës, që i vinin për vizitë i kërkonin me ngulm që t’i ndihmonte në mbarëvajtjen e jetës në qytet).

Pothuajse të gjithë qytetarët e Tiranës e pranuan. Vëllai, Hakiu ishte i vetmi ndër vëllezërit që jetonte në Tiranë dhe kishte formuar familje, iu drejtua z.Qazim: “Pse po pranon të punosh me fashistët, do të të quajnë tradhëtar?!

Ai iu përgjigj:- “Çfarë bën një Kryetar Bashkie?! Ai ka për detyrë të mirëmbajë qytetin, t’i shtrojë rrugët, t’i bëjë kanalizimet, të hapë shkolla, të punojë për hapjen e ndonjë fabrike, nd ërtime etj.. Pavarsinë e kemi humbur. Ju gjeta të pushtuar dhe pjesë të Perandorisë Romake- fashiste, të mundohemi t’a kalojmë këtë katastrofë botërore me sa më pak humbje. Jemi një vend i vogël që duhet të ruhemi nga më të mëdhenjtë. Duhet të mbarojë lufta që vendi ynë të fitojë pavarësinë.”

Pas kësaj bisede, i vëllai Haki Mulleti, i kërkoi të ndaheshin. Kështu u ndanë vëllezërit Mulleti. Qazim Mulleti si Kryetar Bashkie i Tiranës bëri këto vepra: Vendosi çezmat publike në çdo rrugicë të Tiranës, njëkohësisht u zgjidh problemi i kanalizimeve nëntokësore. Një sipërmarrje e vështirë e kryebashkiakut ka qenë heqja e varrezave brenda qytetit. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë, ai e nisi nga vetja, duke filluar nga varrezat që ishin pranë xhamisë, tek Pazari i Ri. Karrocat me kuaj, që mbizotëronin atëherë, nuk u lejuan të shkelnin brenda qytetit, duke i dhënë kështu qytetit të viteve 40’ një pamje më të pranueshme.

Në këtë periudhë u ndërtuan edhe furrat e para elektrike të bukës në kryeqytet.

Shumë plane të nisura në kohën e mbretërisë, si godina e Korpusit Universitar, vendi ku ndodhet sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos dhe Opera, kryeministria, Hotel “Dajti” etj., morën drejtim, përfunduan në kohën e kryebashkiakut Qazim Mulleti.

Atëherë Kosova i ishte bashkuar Shqipërisë. Qazimi në Shqipëri shërbeu si Kryetar i Bashkisë së Tiranës e Kavajës, si nënprefekt i Tiranës, por edhe në Mat. Për punën e tij dhe të asaj periudhe duhet të punojnë historianët, prej nga na del pyetja: A i shërbeu vendit të tij, megjithëse ishim të pushtuar?! Qazim Mulleti u largua nga Shqipëria në gusht 1944, kur mori vesh se vendi u la në Bllokun Lindor.

Në darkën e fundit, në Shqipëri, njeri nga miqtë iu drejtua dhe i tha:- “Pse s’po e merrni gruan dhe djalin, familjen tënde?! Ai u përgjigj: “Politikanët nuk merren me gra e fëmijë”.

E çuditshme. Ai që e dinte mirë ç’ishte komunizmi në Rusinë Sovjektike, nuk e parashikoi që këtu, në Shqipëri, do të zbatoheshin të njëjtat tortura ndaj kundërshtarëve d.m.th nuk përjashtohej as familja!!

Ai që kishte shpëtuar jetë njerëzish, që kishte hyrë garant duke shpëtuar shumë të rinj që i burgosnin apo i internonin; Ai që kishte ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve dhe pajisjen e tyre me pasaporta shqiptare, duke i vendosur identitet shqiptar dhe besimin mysliman, duke realizuar largimin e tyre, që të mos kapeshin nga autoritetet që sundonin në Shqipëri, ky njeri nuk shpëtoi vetëm një jetë, por shumë e shumë jetë njerëzore.

Por, jeta tregoi se i gjithë ky kontribut, miresie e bujarie, iu kthye në të kundërt. Çdo gjë iu mohua.

Qazim Mulleti protagonist politik i njohur, gjatë diktaturës u gjykua si armik i popullit dhe i vendit dhe për pasojë ai, dhe sidomos familja e tij, madje i gjithë fisi, vuajtën një dënim të rëndë.

Koha po provon rivlerësimin e të të mohuarve, dhe të denigruarve politikisht, kështu edhe për ish- kryebashkiaku dhe ish prefektin e kryeqytetit shqiptar në vitet 1939-1944, një periudhë problematike e të ndërlikuar për të ruajtur drejtpeshimin dhe identitetin kombëtar.

Qazim Mulleti përbën një rast shumë ndryshe nga të tjerët të përbuzur e të dënuar për një gjysëm shekulli. Përveç masës së ndëshkimit klasik stalinist, si për asnjë shqiptar a njeri tjetër, ai u ndëshkua nga pushteti politik i kohës edhe me një dënim të pazakonshëm, gati-gati të papërfytyrueshëm e të paimagjinueshëm.

Ishte një shpikje persekutimi e përdhune mjaft djallëzore dhe shumë e sofistikuar.

Vegla torturuese që u përdor kundër tij është një vepër “artistike”.

Nuk qe libër, dramë, apo poemë. Ishte një komedi.

“Prefekti” Qazim Mulleti i Besim Levonjës… Kështu kundër Qazim Mulletit u përdor jo kritika apo denoncimi, kurrë nuk pati analiza dhe as rrëfime të jetës së tij, por vënie në lojë, tallja, provokimi mbi të i qeshjes dhe i përqeshjes, nxitja e të gajasurit. U përdor butaforia. Madje kjo e përtalljes masive e organizuar nga shtetit i diktaturës komuniste, totalitariste e nisur prej vitit 1949, iu bë familjarisht, me emra realë të bashkëshortes dhe djalit të vetëm; jetët e tyre më pas kaluan nëpër internime të cilët përbëjnë n jë dëshmi drithëruese. Familja e tij provoi kampin e përqëndrimit të Tepelenës, që ishte një kamp shfarorës, i rrethuar me tela, me karrakollë dhe me roje të armatosura. Provuan dhunën, punën skllavëruese, jetesën në kapanone ku kishin grumbulluar me qindra e qindra njerëz nga foshnje, fëmijë, të moshuar, gra e vajza, të rinj e të reja. Provuan tmerre e tortura. Vdiqën me qindra foshnje, fëmijë e të moshuar nga mungesa e ushqimit, nga mungesa e kushteve higjenike, epidemitë…

Djali i Qazim Mulletiti- Reshiti qysh minoren e futën në zhvarrimet e të internuarve të vdekur, që ishin të padekompozuar. Jeta e tyre, nënë e bir, kaloi nëpër internime.

Zonja Hajrije Mulleti vdiq e internuar në kampin e internimit në Savër, në maj 1980, ndërsa Reshit Mulleti u bë 62 vjeç nëpër internime. Të dënuar me internim të përjetshëm, pa u bërë gjyq. Ndërsa familja e të vëllait Haki Mulletit u dëbua nga Tirana. Z.Haki e dënuan me burg dhe iu shtetëzua e gjithë pasuria. Nuk e lejuan të jetonte në kryeqytet.

Stigma politike ndaj familjes Mulleti vijoi në pafundësi. Edhe pas rënies së diktaturës komuniste “Prefekti” u shfaq jo vetëm në teatër por, u realizua dhe në film.

Kjo komedi butaforike, mizore, e shkruar dhe interpretuar, nuk ka gjasë të ndërpritet ose të korrigjohet.

Njeriu që e shkroi dhe vuri emrin e tij, Besim Levonja ishte një nga ata persona, të cilit Qazim Mulleti i kishte shpëtuar jetën. Ai ia ktheu me mosmirënjohje.

Kjo padrejtësi, që nëpërmjet fuqisë magjike të artit dhe duke shpërdoruar më të paturpshmen, përveç krimit ndaj personit dhe familjes, kanë kryer dhe shumë falsifikime historike d.m.th gënjeshtra komuniste. Persekutimi i tij vazhdon…

Ende pa një varr në Atdheun e tij, në Tiranën që e deshi dhe për të cilën punoi me shpirt. I ka të drejtat të rikthehet në tokën e Atdheut…

###

Dosja e Hajrije Mulletit në një libër nga ISKK

Dosja hedh dritë mbi kontrollin dhe survejimin e vazhdueshëm që i është bërë Zj. Mulleti. Në të ka raporte, të dhëna për biografinë e saj (të nxjerrë nga puntori operativ), vendime mbi përpunimin dhe kategorizimin në kategorinë 2/B dhe arkivimin e saj.

Hajrie Mulletit ka një dosje të kontrollit operativ 2/B, që hapej për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj, kur ishte vërtetuar se në të kaluarën kishte zhvilluar “veprimtari armiqësore”, ishte dënuar ose jo, por që nuk vepronte. Për këtë lloj dosjesh kishte rëndësi zbulimi i riaktivizimit të personit. Por edhe të riatdhesuarit politikë, (përjashto ato që kishin kryer shërbime), ish të dënuarit, të demaskuarit, të këshilluarit, të liruarit nga hetuesia pa kaluar në gjyq, etj.

Dosja Formulare ka numrin themelor arkivor, nr. 1971 A, Kategoria 2/B dhe ka filluar më 8 dhjetor 1958. Dosja ka në total 57 fletë, nga të cilët 8 janë bosh. Në këtë dosje gjendet një listë e personave që kanë të bëjnë me figurën e saj (personazhet e implikuar si lista e familjarëve, infomatorët, si dhe një listë me pseudonime të përdorur në këtë dosje).

Dosja e H.Mulletit është vënë në përpunim në kategorinë 2/B, në dhjetor të vitit 1958 për «Agjitacion e propagandë» kundër regjimit komunist. Më vonë, më 9 nëntor 1964, meqenëse nuk paraqiste rrezikshmëri për regjimin, ndërpritet përpunimi i dosjes, dhe arkivohet nëpërmjet kartotekës së Degës, në Degën IV, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pak më vonë,më 3 qershor 1977, dosja e Hajrie Mulletit do tërimerret në kontroll për «Agjitacion e propagandë e të kaluar të keqe». Pas ndryshimeve të bëra do arkivohej përsëri më 23 shtator 1980. Procesi i kontrollimit dhe përpunimit ishte i vazhdueshëm. Hajrie Mulleti mbahej nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Sigurimi i Shtetit. Në këtë punim janë dhënë tëtranskriptuar raportet siç kanë qenë, si dhe janë komentuar poshtë nga vetë autorja e librit, Znj. Fatbardha Saraçi. Shënimet në tekst, siç është vërejtur, janë bërë nga vetë autorja.

👇
👇
🇦🇱
🇦🇱

#iskkbotondosjenhajriemulleti

#neverforget

#deshmojmebrezavekomunizmin

Filed Under: Histori

Pavarësia e Kosovës dhe SHBA

August 29, 2023 by s p

Sylë Ukshini/

Formimi i shtetit të Kosovës është në mënyrë të ngjashme sikurse për çdo shtet tjetër në Ervopën Juglindore. Shtetformimet në këtë rajon janë përcaktuar nga ky faktor thrlbësorë: vullneti i brendshëm i popujve për të arritur lirinë dhe pavarësinë, si dhe shqetësimi i përhershëm i Fuqive të Mëdha për stabilitetin dhe sigurinë në EJL.

Edhe pavarësia e Kosovës ka ndodhur mbi këto premisa. Por, duhet pranuar se vendimtare ka qenë ngritja dhe angazhimi i ShBA-së si dhe fundi i rendit të Luftës së Ftohtë, e cila e fundodi ideologjinë bloshevike dhe ambiciet panruse dhe panserbe. Edhe në luftën e fundit të Kosovës, siç dëshmon ky grafik i Bundesarchiv-it në Gjermani, përqindja e SHBA-së në misionet e fluturimit të luftës në kuadër të Operacionit Allied Force 1999 arrin nivelin 61% kundrejt 39 për qind të të gjutha shteteve tjera anëtare të NATO-s.

Prandaj, sa herë flasim për rezon shtetëror, për Kosovën, SHBA-ja i përket themelit të politikës së jashtme kosovare. Kur bëhet fjalë për SHBA-në, Kosova kurrë nuk guxon të bëj politikë kundër saj.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT