
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit/
Para pak ditësh, 25 gusht, janë kthyer në atdhe eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti. Arkmorti me eshtrat e Mulletit ka mbërritur nga Italia në Portin e Durrësit.
Ishte shoqata ‘Tirona Intellectum’, e cila njoftoi pak ditë më parë se eshtrat e ish-prefektit të Tiranës do të kthehen në Shqipëri, duke u përmbushur kështu edhe amaneti i të birit, Reshitit.
Ish-Prefekti i Tiranës, familja e të cilit pësoi një persekutim të egër nga regjimi komunist dhe mbi të cilin u hodh aq baltë nga histografia komuniste, ishte varrosur në një magazinë në një qytezë në periferi të Romës. Eshtrat e Qazim bej Mulletit do të prehen në varrezat e Tufinës. Ceremonia e rivarrimit është caktuar sot, më 28 gusht ndërsa kryerja e riteve fetare do të bëhet në xhaminë e “Kokonozit” tek Pazari i ri.
ISKK-Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për herë të parë ka botuar, si pjesë e kolanës 2022, librin “Përndjekja e Hajrie Mulletit – Stigma e një komedie! Dosja Formulare – Përbuzje, internim, dhunë e vuajtje psikologjike të rrëfyera nga Hajrie dhe Reshit Mulleti, me autore Fatbardha Saraçi (Mulleti), prej të cilit, kemi shkëputur profilin e mëposhtëm biografik të Qazim Mulletit.

Kush ishte Qazim Reshit Mulleti!
Lindi në Tiranë, në lagjen “Sulejman Pasha”, më 20 dhjetor 1893. Studimet e para i kreu në Manastir, vazhdoi gjimnazin “Zosime” të Janinës dhe, së fundi, kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallatasaraj” të Stambollit, duke mbaruar me medalje ari. Ai ishte poliglot.
Në vitin 1912, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Në vitin 1914, është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Me ndërhyrjen direkte të marshallit austriak, Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studimet në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes.
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur kryeqytet.
Me nderhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesin Këlliçi, Abdi Toptani dhe Qazim Mulletit si dhe të tjerë delegatë të Tiranës, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë.
Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Më vonë, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhej të ishte kryeqytet i Shqipërisë duke thënë, ndër të tjera, se pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin shumë të favorshme. Tirana de jure u bë kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925.
Në shtator të vitit 1920, Qazim Mulleti ishte komandant i forcave vullnetare kundër Serbisë.
Më 25 prill-3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkim Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia-Zgjimi”, së bashku me z. Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z. Musa Maçi, si përfaqësues të Shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z. Avni Rustemi të Shoqërisë “Bashkimi”.
Në qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan S. Nolit, pati një detyrë të rëndësishme si prefekt në Dibër.
Më dështimin e Revolucionit të Qershorit (dhjetor 1924) Qazimi bashkë me 500 bashkëluftëtarë largohet nga Shqipëria, vendoset në Zara e pastaj në Vjenë.
Në Vjenë martohet me z. Hajrije Kusi, më të cilën patën vetëm një fëmijë, Reshitin që lindi në Tiranë në vitin 1930. Zonja Hajrije me djalin e saj, Reshitin jetuan në Tiranë.
Në vitin 1930, Qazimi u vendos në Paris ku bashkë me vëllain e tij, Hysnin, që ishte diplomuar në Monpelje, hapën Restorant “Albania” ku mblidhej e gjithë mërgata antizogiste e vendosur në Francë. Ishte kryetar i Emigracionit Politik.
Në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe largimit të Mbretit Zog, Qazimi vendosi të kthehej në atdhe. Për të pritur Qazim Mulletin në Durrës dolën familjarët, të afërmit, miqtë…, qindra burra… Ai, u ul, e puthi tokën e Atdheut e tha: “Nuk do të merrem më me politikë”. I propozuan të bëhej Kryetar Bashkie. Në fillim nuk pranoi por shumë qytetar tiranas iu lutën që ta pranonte postin. Dikush duhej të vihej në krye të Bashkisë, t’i shërbente qytetit. Ai vendosi të pranonte detyrën e Kryetarit të Bashkisë, për disa arsye: – Njeriu i politikës nuk mund t’i largohej asaj. (Qytetarët e Tiranës, që i vinin për vizitë i kërkonin me ngulm që t’i ndihmonte në mbarëvajtjen e jetës në qytet).
Pothuajse të gjithë qytetarët e Tiranës e pranuan. Vëllai, Hakiu ishte i vetmi ndër vëllezërit që jetonte në Tiranë dhe kishte formuar familje, iu drejtua z.Qazim: “Pse po pranon të punosh me fashistët, do të të quajnë tradhëtar?!
Ai iu përgjigj:- “Çfarë bën një Kryetar Bashkie?! Ai ka për detyrë të mirëmbajë qytetin, t’i shtrojë rrugët, t’i bëjë kanalizimet, të hapë shkolla, të punojë për hapjen e ndonjë fabrike, nd ërtime etj.. Pavarsinë e kemi humbur. Ju gjeta të pushtuar dhe pjesë të Perandorisë Romake- fashiste, të mundohemi t’a kalojmë këtë katastrofë botërore me sa më pak humbje. Jemi një vend i vogël që duhet të ruhemi nga më të mëdhenjtë. Duhet të mbarojë lufta që vendi ynë të fitojë pavarësinë.”
Pas kësaj bisede, i vëllai Haki Mulleti, i kërkoi të ndaheshin. Kështu u ndanë vëllezërit Mulleti. Qazim Mulleti si Kryetar Bashkie i Tiranës bëri këto vepra: Vendosi çezmat publike në çdo rrugicë të Tiranës, njëkohësisht u zgjidh problemi i kanalizimeve nëntokësore. Një sipërmarrje e vështirë e kryebashkiakut ka qenë heqja e varrezave brenda qytetit. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë, ai e nisi nga vetja, duke filluar nga varrezat që ishin pranë xhamisë, tek Pazari i Ri. Karrocat me kuaj, që mbizotëronin atëherë, nuk u lejuan të shkelnin brenda qytetit, duke i dhënë kështu qytetit të viteve 40’ një pamje më të pranueshme.
Në këtë periudhë u ndërtuan edhe furrat e para elektrike të bukës në kryeqytet.
Shumë plane të nisura në kohën e mbretërisë, si godina e Korpusit Universitar, vendi ku ndodhet sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos dhe Opera, kryeministria, Hotel “Dajti” etj., morën drejtim, përfunduan në kohën e kryebashkiakut Qazim Mulleti.
Atëherë Kosova i ishte bashkuar Shqipërisë. Qazimi në Shqipëri shërbeu si Kryetar i Bashkisë së Tiranës e Kavajës, si nënprefekt i Tiranës, por edhe në Mat. Për punën e tij dhe të asaj periudhe duhet të punojnë historianët, prej nga na del pyetja: A i shërbeu vendit të tij, megjithëse ishim të pushtuar?! Qazim Mulleti u largua nga Shqipëria në gusht 1944, kur mori vesh se vendi u la në Bllokun Lindor.
Në darkën e fundit, në Shqipëri, njeri nga miqtë iu drejtua dhe i tha:- “Pse s’po e merrni gruan dhe djalin, familjen tënde?! Ai u përgjigj: “Politikanët nuk merren me gra e fëmijë”.
E çuditshme. Ai që e dinte mirë ç’ishte komunizmi në Rusinë Sovjektike, nuk e parashikoi që këtu, në Shqipëri, do të zbatoheshin të njëjtat tortura ndaj kundërshtarëve d.m.th nuk përjashtohej as familja!!
Ai që kishte shpëtuar jetë njerëzish, që kishte hyrë garant duke shpëtuar shumë të rinj që i burgosnin apo i internonin; Ai që kishte ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve dhe pajisjen e tyre me pasaporta shqiptare, duke i vendosur identitet shqiptar dhe besimin mysliman, duke realizuar largimin e tyre, që të mos kapeshin nga autoritetet që sundonin në Shqipëri, ky njeri nuk shpëtoi vetëm një jetë, por shumë e shumë jetë njerëzore.
Por, jeta tregoi se i gjithë ky kontribut, miresie e bujarie, iu kthye në të kundërt. Çdo gjë iu mohua.
Qazim Mulleti protagonist politik i njohur, gjatë diktaturës u gjykua si armik i popullit dhe i vendit dhe për pasojë ai, dhe sidomos familja e tij, madje i gjithë fisi, vuajtën një dënim të rëndë.
Koha po provon rivlerësimin e të të mohuarve, dhe të denigruarve politikisht, kështu edhe për ish- kryebashkiaku dhe ish prefektin e kryeqytetit shqiptar në vitet 1939-1944, një periudhë problematike e të ndërlikuar për të ruajtur drejtpeshimin dhe identitetin kombëtar.
Qazim Mulleti përbën një rast shumë ndryshe nga të tjerët të përbuzur e të dënuar për një gjysëm shekulli. Përveç masës së ndëshkimit klasik stalinist, si për asnjë shqiptar a njeri tjetër, ai u ndëshkua nga pushteti politik i kohës edhe me një dënim të pazakonshëm, gati-gati të papërfytyrueshëm e të paimagjinueshëm.
Ishte një shpikje persekutimi e përdhune mjaft djallëzore dhe shumë e sofistikuar.
Vegla torturuese që u përdor kundër tij është një vepër “artistike”.
Nuk qe libër, dramë, apo poemë. Ishte një komedi.
“Prefekti” Qazim Mulleti i Besim Levonjës… Kështu kundër Qazim Mulletit u përdor jo kritika apo denoncimi, kurrë nuk pati analiza dhe as rrëfime të jetës së tij, por vënie në lojë, tallja, provokimi mbi të i qeshjes dhe i përqeshjes, nxitja e të gajasurit. U përdor butaforia. Madje kjo e përtalljes masive e organizuar nga shtetit i diktaturës komuniste, totalitariste e nisur prej vitit 1949, iu bë familjarisht, me emra realë të bashkëshortes dhe djalit të vetëm; jetët e tyre më pas kaluan nëpër internime të cilët përbëjnë n jë dëshmi drithëruese. Familja e tij provoi kampin e përqëndrimit të Tepelenës, që ishte një kamp shfarorës, i rrethuar me tela, me karrakollë dhe me roje të armatosura. Provuan dhunën, punën skllavëruese, jetesën në kapanone ku kishin grumbulluar me qindra e qindra njerëz nga foshnje, fëmijë, të moshuar, gra e vajza, të rinj e të reja. Provuan tmerre e tortura. Vdiqën me qindra foshnje, fëmijë e të moshuar nga mungesa e ushqimit, nga mungesa e kushteve higjenike, epidemitë…
Djali i Qazim Mulletiti- Reshiti qysh minoren e futën në zhvarrimet e të internuarve të vdekur, që ishin të padekompozuar. Jeta e tyre, nënë e bir, kaloi nëpër internime.
Zonja Hajrije Mulleti vdiq e internuar në kampin e internimit në Savër, në maj 1980, ndërsa Reshit Mulleti u bë 62 vjeç nëpër internime. Të dënuar me internim të përjetshëm, pa u bërë gjyq. Ndërsa familja e të vëllait Haki Mulletit u dëbua nga Tirana. Z.Haki e dënuan me burg dhe iu shtetëzua e gjithë pasuria. Nuk e lejuan të jetonte në kryeqytet.
Stigma politike ndaj familjes Mulleti vijoi në pafundësi. Edhe pas rënies së diktaturës komuniste “Prefekti” u shfaq jo vetëm në teatër por, u realizua dhe në film.
Kjo komedi butaforike, mizore, e shkruar dhe interpretuar, nuk ka gjasë të ndërpritet ose të korrigjohet.
Njeriu që e shkroi dhe vuri emrin e tij, Besim Levonja ishte një nga ata persona, të cilit Qazim Mulleti i kishte shpëtuar jetën. Ai ia ktheu me mosmirënjohje.
Kjo padrejtësi, që nëpërmjet fuqisë magjike të artit dhe duke shpërdoruar më të paturpshmen, përveç krimit ndaj personit dhe familjes, kanë kryer dhe shumë falsifikime historike d.m.th gënjeshtra komuniste. Persekutimi i tij vazhdon…
Ende pa një varr në Atdheun e tij, në Tiranën që e deshi dhe për të cilën punoi me shpirt. I ka të drejtat të rikthehet në tokën e Atdheut…
###
Dosja e Hajrije Mulletit në një libër nga ISKK
Dosja hedh dritë mbi kontrollin dhe survejimin e vazhdueshëm që i është bërë Zj. Mulleti. Në të ka raporte, të dhëna për biografinë e saj (të nxjerrë nga puntori operativ), vendime mbi përpunimin dhe kategorizimin në kategorinë 2/B dhe arkivimin e saj.
Hajrie Mulletit ka një dosje të kontrollit operativ 2/B, që hapej për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj, kur ishte vërtetuar se në të kaluarën kishte zhvilluar “veprimtari armiqësore”, ishte dënuar ose jo, por që nuk vepronte. Për këtë lloj dosjesh kishte rëndësi zbulimi i riaktivizimit të personit. Por edhe të riatdhesuarit politikë, (përjashto ato që kishin kryer shërbime), ish të dënuarit, të demaskuarit, të këshilluarit, të liruarit nga hetuesia pa kaluar në gjyq, etj.
Dosja Formulare ka numrin themelor arkivor, nr. 1971 A, Kategoria 2/B dhe ka filluar më 8 dhjetor 1958. Dosja ka në total 57 fletë, nga të cilët 8 janë bosh. Në këtë dosje gjendet një listë e personave që kanë të bëjnë me figurën e saj (personazhet e implikuar si lista e familjarëve, infomatorët, si dhe një listë me pseudonime të përdorur në këtë dosje).
Dosja e H.Mulletit është vënë në përpunim në kategorinë 2/B, në dhjetor të vitit 1958 për «Agjitacion e propagandë» kundër regjimit komunist. Më vonë, më 9 nëntor 1964, meqenëse nuk paraqiste rrezikshmëri për regjimin, ndërpritet përpunimi i dosjes, dhe arkivohet nëpërmjet kartotekës së Degës, në Degën IV, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pak më vonë,më 3 qershor 1977, dosja e Hajrie Mulletit do tërimerret në kontroll për «Agjitacion e propagandë e të kaluar të keqe». Pas ndryshimeve të bëra do arkivohej përsëri më 23 shtator 1980. Procesi i kontrollimit dhe përpunimit ishte i vazhdueshëm. Hajrie Mulleti mbahej nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Sigurimi i Shtetit. Në këtë punim janë dhënë tëtranskriptuar raportet siç kanë qenë, si dhe janë komentuar poshtë nga vetë autorja e librit, Znj. Fatbardha Saraçi. Shënimet në tekst, siç është vërejtur, janë bërë nga vetë autorja.



