• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

NËNA TEREZE MËSUESE, PROFESORESHË DHE DREJTORESHË E SHKOLLËS SHËN MARIA NË KALKUTË

August 28, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI

Kontributi i Nënë Terezës në shkollim, arsimim dhe qytetërim

Gonxhe Bojaxhiu, edhe më mirë Gonxhja jonë, më vonë Shën Nëna Tereze, si çdo fëmijë dhe e re, kishte shumë dëshira, kërkeësa, plane dhe ëndërrime për jetën e mëvonshme. Ajo ishte shumë e talentuar për muzikë, këndim, mandolinë, recitim, vallëzim, organizim, mësim – lexim, poezi, uratë…  Mbi të gjitha e donte lutjen – uratën dhe librin – leximin. Pas 6 viteve të këshilimeve, uratës, kërkimit, me 14 gusht 1928, në Letnicë kishte vendosur kështu: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfërit e botës!”

Për të arritur këtë qëllim sublim, sipas udhëzimeve dhe këshillave të etërve jezuitë në Shkup, ajo kishte kërkuar që të pranohej në rendin e “Motrave të Loretos”, të cilat bashkëpunonin me misionarët jezuitë në Kalkutë dhe në rrethinë,  sidomos në dy drejtime, në shkollim dhe në shëndetësi.

Motrat nga Loreto i përkasin Institutit të Shën Marisë, të themeluar në vitin 1609 nga njëzet e katër vjeçarja Meri Vond. Ajo dhe shoqëruesit e saj të parë e themeluan shkollën e parë në Shën Omer (tani në Francë), në një shtëpi që ende ekziston, por është një vendbanim privat.

Sot, Motrat e Loretos janë të angazhuara në një gamë të gjerë të aktiviteteve: programeve të mësimit të shkrim-leximit, udhëheqje shpirtërore, këshillimit, qeverisja me strehimoret për gratë e pastreha dhe në shumë aspekte në lëvizjen për drejtësi më të madhe dhe paqe në botë. Ato janë aktive në çdo kontinent dhe punojnë në rreth 150 shkolla dhe janë përgjegjëse për edukimin e mbi 70. 000 nxënësve.

Gonxhja në moshën 18-vjeçare, e veshur me dëshirën e saj për t’u bërë misionare, e lë shtëpinë  dhe Shkupin e saj të lindjes, për t’u bashkuar me Motrat e Loretos, duke filluar në Ratferharm të Irlandës. Atje, ajo zgjedh emrin Tereze, për nder të shenjtores së saj Shën Thereza e Krishtit Fëmijë nga Lizie. Ajo mësoi anglishten, sepse Motrat e Loretos e përdorin atë gjuhë kur ligjëronin në shkollat në Indi. Edhe pse qëndrimi i saj në Dublin ishte i shkurtër, motrat e kujtojnë si “shumë të vogël, të tërhequr dhe të qetë”.

Më 1 dhjetor 1928, nga Irlanda u nis me anije për në Indi dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Më 25 maj 1931 në Darxhiling jep kushtet e para rregulltare si motër Tereza. Ajo punon si profesoreshë e gjeografisë dhe historisë dhe edukimit fetar në shkollën Shën Maria në Kalkutë. Më 10 shtator 1946 duke udhëtuar me tren nga Kalkuta në Darxhiling përjeton “thirrjen në thirrjeje” – frymëzim për të lënë kuvendin  e motrave të Loretos në Kalkutë dhe për t’u angazhuar për të sëmurët dhe të varfrit ndër më të varfër.

Ja si e përshkruan daljen e saj prej Shkupit revista e njohur katolike kroate “Katoličke Misije“e  (Misionet Katolike): „Gonxhe Bojaxhiu është shqiptare, e lindur në Shkup. Thirrja e Zotit e ka befasuar atë kur ende ishte në lice… Ajo ishte shpirti i veprimtarive të femrave katolike dhe të korit të kishës.”

Dëshmia e kohës vazhdon kështu: “Vajza e njohur tetëmbëdhjetë vjeçare nga Shkupi, me emër shqiptar Gonxhe, është bërë murgeshë duke marrë emrin e Terezes së Jezusit Fëmijë. Ajo ka ndihmuar korin e kishës në Shkup deri në vjeshtën e kaluar, ka ndezur entuziazmin e shokëve të saj në Kongregatën e Marisë  për të ndihmuar misionet, i ka mësuar vajzat më të reja  dhe ka qenë po ashtu nxënëse shembullore në liceun e vajzave në Shkup…”        

Pas rishtarisë për pak kohë kishte punuar si infermiere. Ja përshkrimi i saj në këtë përvojë: “Shumë kanë ardhur nga larg: ata kishin ecur këmbë orë të tëra. Në ç’gjendje që janë! Veshët dhe këmbët i kanë plot varrë… Lypset aq shumë kohë për t’u ofruar të gjithëve shërbim dhe këshilla…”

Motra Tereze ishte  tejet e angazhuar në studime, në punë, në shkollën e Shën Marisë në Kalkutë, në jetën shpirtërore. Mbi të gjitha hetohej entuziazmi dhe lumturia e saj në rendin e Motrave të Loretos. 

Ajo kështu dëshmonte në vitin 1934: “Përpos mbajtjes së mësimit, unë po ashtu duhet të përkujdesem për të sëmurët dhe t’u ndihmoj dhjetë motrave të tjera në studime. Të mos i përmendi provimet e mia universitare…”        

Në vitin 1935 ajo mori detyrën e re në shkollën e Shën Terezes. “Shkolla është pak sa larg nga kuvendi … Unë iu përvesha me një herë punës: zbraza korridorin, mora pak ujë dhe fshesat  dhe zura ta pastroja  dyshemenë… Në Indi pastrimi zakonisht bëhet  nga kastet më të ulëta. Kur më panë të lumtur e të gëzuar, vajzat erdhën të më ndihmonin, kurse djemtë filluan të sjellin ujin. Për dy orë, ai korridor i ndyrë, apo të paktën një pjesë e tij, u shndërrua në një klasë të pastër…Kur mbërrita aty kishte 32 fëmijë, tani janë 300. Unë jap mësim edhe në një shkollë tjetër, por kjo shkollë i ngjanë  më shumë një stalle se sa një shkolle. Jap mësim edhe në një vend tjetër, njëfarë oborri. Kur pashë ku flenin fëmijët dhe çka hanin ata, ndjeva dhembje  të madhe për ta, se është e pamundur të gjesh mjerim më të madh! Po, ata janë të lumtur! Fëmijëri e bekuar!… Që nga ajo ditë, ata më quajnë “MA”, që do të thotë “Nënë”,”     

Tregimi vazhdon kështu: “Tani më nuk befasohem pse nxënësit e mi e duan shkollën aq shumë dhe pse shumë prej tyre janë të sëmurë na TBC-ja.”

Angazhimi i saj në tri shkolla, studimet universitare në degën histori dhe gjeografi në Universitetin e Kalkutës, jeta dhe puna në kuvend, vërtet ishte e tepërt, por ajo ishte shumë e gjallë, dinamike dhe tejet aktive. Asaj i pëlqente mësuesia dhe këtë mision e kishte pranuar me gjithë shpirt. Ja dëshmia e saj: “Po, është e vërtetë, më pëlqen shumë të jap mësim, ndonëse kjo punë kërkonte shumë mund, por e bëja me ngazëllim, me gjithë zemër.”

Puna me fëmijë dhe në shkollë ia kishte mundësuar asaj njohjen reale të gjendjes së tyre si dhe të familjeve, mjerimin e skajshëm në Kalkutë, sidomos në dy lagje, Tigil dhe Monotigjill. Mirëpo nga njerëzit e varfër dhe të mjerë ajo kishte mësuar shumë, ata vuanin qetë, punonin, mbi të gjitha shpresonin dhe ishin me plot vullnet dhe gjallëri.

Pas një vizite familjare të dy vajzave – nxënëse të motrës Tereze, ajo shkruan kështu: “Shtëpiza, kasolla  e mjerë dhe e varfër … ajri aq i rëndë sa që s’më ra të fikët dhe s’rashë në dysheme… Oh, Ma, tha ai (babai i këtyre nxënëseve, vr. ime), po vdes. Ti je nëna ime. Nëna e bijave të mia! Duhet të përkujdesesh për to, t’u bëhesh Nënë kur unë të kam vdekur…”

Nga kjo që shtrova dhe zhvillova kuptohet që Nëna Tereze suksesin në shkollim, arsimim dhe qytetërim e gjente në dy burime: në njohuri profesionale, pra, në edukim të mendjes dhe të zemrës, por edhe më shumë në dashuri.

Pas kushteve të përjetshme rregulltarë (24 maj 1937), ditën e Zojës Ndihmëtare, titulli i katedrales në Prizren, ajo qe emëruar drejtoreshë e shkollës Shën Maria në Kalkutë.

Në vitin 1942 ajo punonte me 400 vajza në shkollën e Shën Marisë, në të cilën ajo ishte edhe përgjegjëse.

Ja një dëshmi e fuqishme e kohës: “Një ditë prej ditësh një anglez vizitoi shkollën dhe u befasua nga numri i madh i fëmijëve. Kishim 375 në dy në dy dhoma të mëdha të mësimit. Gjatë vizitës së tij mbante një qetësi e jashtëzakonshme, gati s’e s’besonte dhe më pyeti se ç’dënim u kisha dhënë që ta mbanin kaq qetësinë. “Dënimi i tyre më i madh  është kur i injoroj dhe kështu ata e dinë se më kanë zhgënjyer me diçka. Përse t’ rrah? Ata i rrahin mjaft në shtëpi, pastaj ata janë të ndëshkuar nga vetë jeta, nga varfëria, mjerimi, nga sëmundjet…”

Atë Ante Gabrić, misionar i njohur kroat në Bengali, njohës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Nënës Tereze, ndër të tjera shkruante kështu: „Motra e nderuar, Tereze Bojaxhiu, ishte aq e sëmurë, sa që të gjithë mendonim se nuk do të ngritet më në këmbë, por për fat ajo është shëruar. Ështl ngritur dhe po bën punë sa dhjetë persona, motra…“

Ja një letër e bukur dhe domethënëse e Nënës Tereze drejtuar „Nënës Loke“ – Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, diku midis viteve 1937 – 1938: „Më vjen keq që nuk mund të jem pranë jush, por qëndro e lumtur, Nënë e dashur, nga që Gonxhja jote e dashur është e lumtur. Kjo është një jetë e re. Qendra jonë është shumë e bukur. Po jap mësim dhe e dua këtë punë shumë. Unë jam edhe drejtoreshë e tërë shkollës edhe të gjithë me duan shumë.“

Përfundimi i mrekullueshëm që rrumbullakëson misionin e saj të jetës së kushtuar: „Kurrë nuk kam pasur dyshim sa i përket thirrjes sime rregulltare. E ndieja thellë në zemrën time  se Zoti më thërret për një mision, jetë, punë tjetër, por unë nuk e dija dhe nuk e kuptoja pse dhe si.“

Cila është fshehtësia e jetës së ofruar dhe të kushtuar të motrës Tereze, më vonë Nënës Tereze, tash Shën Nënës Tereze? 

Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, janë tri pika apo shkallë të këtij përkushtimi, flijimi dhe dhurime të rrallë dhe unik, të jetës dhe veprimtarisë shembullore në anën e shkollimit dhe të edukimit të shumë brezave:

  • Njohja e mirë e nxënësve dhe e rrethit të tyre familjar dhe shoqëror;
  • Njohuria e lëndëve – mësimit që lypset ofruar dhe dhuruar me mësimdhënie, pra, përgatitja  njerëzore dhe profesionale;
  • Motivim dhe frymëzimi, që  gjithnjë zbërthente në dashuri flijuese dhe vepruese në çdo vend, hap dhe veprimtari, pra, edhe në shkollim, arsimim dhe qytetërim të fëmijëve dhe të rinisë që kishin kaluar “nëpër duar” të mësueses, profesoreshës, drejtoreshës, edukatores, mbi të gjithë të Nënës së Dashurisë – Shën Nënës Tereze. 
  • Dashuria në veprim dëshmohet edhe nëpërmjet veprimtarisë së saj në arsim, sidomos me një fotografi dhe dëshmi, ku ndër të tjera thuhet: “Nxënësit e shkollës së Motrave të Loretos, ku ka dhënë mësim për shumë vjet Nëna Tereze. Asaj i pëlqente të thoshte: “Këta janë fëmijët e mi.”

Filed Under: Politike

DITA KOMBËTARE E QENIT

August 28, 2023 by s p

– nga Çarli Çaplin te Atjoni –

Nga Visar Zhiti/

…26 gushti në SHBA është shpallur si Dita Kombëtare e Qenit, pra, i kushtohet mikut më të mirë të njeriut, asaj miqësie legjendare të mijëra vjetëve dhe falenderohet Zoti për dhuratën. Është një dashuri që duam t’ja tregojnë botës, thoshte avokatja e jetës së qenve, Colleen Paige, krijuesja e kësaj festë të re, në vitin 2004.

Dhe m’u shfaqën imazhi i aktorit gjenial Çarli Çaplin me qen në filmin e tij, “A dog’s life”, dhe Atjoni student, djali i shtrenjtë yni me qenin në shtëpi, në Durrës. Sa ngjajnë, jo ata, jo, por dashuritë e tyre, ai përdëllim i bukur, ai gjumë me kryet mbështetur mbi qentë e tyre, sikur shikojnë të njëjtën ëndërr, por në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshëm…

Të ndërgjegjësohen njerëzit, ta mbajnë pranë qenin, t’ia sigurojnë jetesën, të lumtur madje, pa abuzime dhe ta shijonë këtë miqesi, të tilla janë dhe kumtet e atyre që na dhanë “Ditën Kombëtare të Qenit” dhe që nga 2004 rreth një milion qen janë shpëtuar në SHBA duke i adoptuar shtëpive.

Kjo ditë gjithashtu duhet për të tërhequr vëmendjen, edhe me art, se si qentë janë futur në shoqërinë tonë dhe se si punojnë, udhërrëfyes, vënia e jetës së tyre në shërbim për të ndihmuar forcat e rendit në gjurmimin e bombave ose trafikantëve të drogës deri te ofrimi i ndihmës për ata që kanë nevojë, qentë, që identifikojnë edhe kancerin tek pacientët, etj. Po qeni artist? Qeni në cirk, qeni në kinematografi, aktor. Qeni në letërsi…

QENI DHE SHQIPTARËT

Më pëlqen kjo temë, duhet të ketë një histori patjetër, tërheqëse… tregohen bëma dhe lidhjet me qenin, roje shtëpie, i kopshtit dhe i kopeve në stane, besnikëri dhe braktisje, kjo e dyta nga ana e njeriut. Qeni në luftë dhe qeni në burg, në revoltën e Spaçit qeni morì anën e të burgosurve kundër policisë, e dënuan dhe qenin, janë shkruar dhe tregime, edhe unë librin tim “Valixhja e shqyer” e nis me tregimin “Ngjarje të gëzuara, pastaj të trishtuara dhe përsëri

të gezuara, që i ndodhën një qeni”. Kam dhe një tregim tjetër, “E shtuna e qenit”, është botuar dhe në Itali.

Emblematik ishte qeni i poetit Lasgush Poradeci, por shkrimtarët e Realizmit Socialist i urrenin qentë, të ishe me qen shihëshe si borgjez. Kujtoj si socializmi nuk i donte qentë, përveç qenve ushtarakë, madje kishte dhe poema për

qentë e kufirit, ndersa qentë e tjerë edhe përndiqeshin, helmoheshin apo vriteshin rrugëve natën.

Dhe kur ra diktatura, shqiptarët që kishin urryer njeri-tjetrin me luften e klasave sipas porosive të Partise dhe Enverit, etj, etj, u kujtuan që kishte dhe qen dhe që mund të duheshin. U shfaqēn imitues të Lasgushit, jo të poezisë së tij, ajo s’arrihej, por të qenit, po mbanin qen si ai dhe unë shkruajta diku që qentë po rrinë dhe me shqiptarë, e kisha me ata që kishin urryer dhe kishin dëmtuar të tjerë, e kam treguar dhe herë tjetër dhe tani, që të qetësonin disi ndërgjegjet, ledhatonin si mēkatin e tyre qenin. Dhe qeni rrinte me ta si falje. Dhe lehin ata në vend të qenve, kam shkruar…

Dita Kombëtare e Qenit është në një trajektore rritëse dhe vazhdon të rritet në popullaritet dhe mbulohet gjerësisht nga media çdo vit, lexova sot dhe urohej që të kalohet kjo ditë duke pranuar se sa të mrekullueshëm janë qentë.

Po!

Dhe kërkova foton me qen të Çarli Caplinit dhe të Atjonit me qen. Qeni i Çaplinit po fle bashkë me të zotin, ai i Atjonit është zgjuar për një çast dhe po vigjëlon, ka ngritur pak kokën, por me kujdesin që të mos e lëvizë shtatin, të mos e zgjojë Atjonin. Sytë e qenit nuk po shohin në largësi sikur rreziku të jetë afër. Ajo ngrohtësi e mirë kafshe, me atë gëzof butësie, me atë merak të sinqertë kanë një mister besimi që të prek. Nga dita e qenit duhet të mësojmë… për të qenë më njerëz…

Filed Under: ESSE

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në New York

August 28, 2023 by s p

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në New York. Këngë, valle, muzikë dhe identitet kombëtar.

Filed Under: Opinion

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe mungesa e respektit ndaj dijes dhe shkencës

August 28, 2023 by s p

Afrim Krasniqi/

Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon të zhgënjeje në sjelljen e saj institucionale dhe të tregojë mungesë respekti ndaj dijes dhe shkencës. Shqetësimit të drejtë për një listë me 500 tituj, me ndikime lobuese e në dyshime tē arsyeshme në konflikt interesi, për fondet e bibliotekave shkollore ajo iu pergjigj jo duke kerkuar ndjesë, duke pranuar faktet dhe duke reformuar sistemin e mbyllur të favoreve përmes shtetit e taksave tona, por duke anatemuar kritikat dhe kritikuesit.

Unë kam respekt për çdo zyrtar që zbaton ligjin dhe në MAS me siguri mund të ketë të tillë, por si autor dhe studiues është disi jo komode të diskutohesh mbi vlerat e librit me zyrtarë, tē cilët janë aty për merita politike dhe jo shkencore, ndaj edhe nuk kanë shkruar ndonjë libër. Gjithësesi MAS duhet të njihet me disa fakte para se të anatemojë kritikët e shumtë.

Per shembull, fakt është se procedura dhe komisioni nuk kanë qënë dhe as janë transparente, nuk dihet përbërja dhe as metodika e zgjedhur.

Fakt ēshtë se zyrtarët e MAS, që paguhen me taksat tona, nuk kanë deklaruar në faqen zyrtare tē MAS detyrimet qē burojnē nga ligji 119/2014, mbi programin e transparencës.

Fakt është se aq fiktiv ishte dhe është procesi sa MAS e zhduku listen online e librave vetēm disa orë pas kritikave tē para. Fakt është se zyrtarë të MAS, siç e pranojnë vetë, nuk janë konsultuar me asnjë institucion kerkimor dhe shkencor për listën.

Fakt është se MAS konfirmon se ka kërkuar dhe ka marrë mbi 900 tituj nga shoqatat e botuesve, biznes privat i respektueshēm qē nuk ka lidhje me shkencēn dhe as fokus dijen, por primare ka marketingun dhe fitimin financiar.

Fakt është se në 500 titujt e përzgjedhur nuk bēn pjesē asnjē libēr nga institutet albanologjike, struktura e vetme shkencore në këtë fushë në Shqipëri.

Fakt është se mungesat e mëdha e profesionale janë zëvendësuar kryesisht me disa autorë amatorë të pacertifikuar nga asnjë bord, institut shkencor apo recensues në botimet e tyre.

Fakt është psh, se botimi më i rëndësishëm e profesional nē fushën e historisë, “Historia e shqiptareve gjate shekullit XX” me 5 vëllime nuk është pjesë e listës së MAS për mësuesit e historisë.

Fakt është se botimet e ASA, ndryshe nga ofertat e titujve me shumicë për të liruar magazinat e bizneseve të librit, nuk shiten, por jepen falas për bibliotekat publike, – MAS nuk preferon as tituj profesional falas, ajo preferon mē shumē blerjen e botimeve amatore nga klientet e zakonshēm.

Fakt është se MAS ka refuzuar kërkesat e IH për të rishikuar tekstet private shkollore të historisë, të cilat vijojnë të kenë të dhëna të pasakta dhe jo shkencore.

Personalisht nuk pres shumë prej saj ndaj nuk habitem nga akte apo nisma politike kundër institucioneve të pavarura shkencore, por natyrisht habitem sesi është e mundur që institucioni rregullator i standardeve dhe politikave të dijes dhe arsimit vijon të devijojë nga misioni i vet kushtetues, duke hequr dorë nga qasja strategjike shkencore, duke vijuar të ushqejë nje sistem abuziv vlerash, duke e trajtuar edhe librin e dijen si çështje favoresh e negociatash, dhe keshtu, duke kontribuar negativisht dhe me këmbëngulje në dobësimin e institucioneve shkencore dhe në investimin e formimit të mangët të gjeneratave të reja të nxënësve!

Filed Under: Komente Tagged With: Afrim Krasniqi

Sot ka ditëlindjen At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës

August 28, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Sot do të mbushte 99 vjeç dhe, megjithëse kaloi në përjetësi 16 vite më parë, ai ngelet dëshmitar i gjallë, i paepur ndërsa vepra e tij është një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari, një akuzë dhe një thirrje për katarsisin aq të nevojshëm për shqiptarët.

At Zef Pllumi ishte qëndresa përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës, ishte dija përballë padijes vulgare.

Ai përfaqësonte qytetërimin përballë injorancës e mizorisë komuniste.

Ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave.

Në Shqipëri vepra e tij u njoh gjerësisht pas vitit 1992.

Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë, aq të dhimbshme të Shqipërisë nën regjimin komunist.

Mua më vjen mirë që në cilësinë e Ministrit të Kulturës gjatë viteve 2005-2007 promovova veprën e tij edhe në Kosovë, që gjatë detyrës sime si ministër i kulturës u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit tim Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Por vlerësimi i At Zef Pllumit, i cili më shprehu mirënjohjen në një letër, të cilën ma dërgoi pas marrjes së çmimit, është nga ato vlerësime, të cilat njeriu ëndërron t’i marrë në jetë. (Në foto faksimilja e letrës.)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT