• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

150 VJETORI I LINDJES SË HASAN PRISHTINËS, NJË NGJARJE QË TEJKALON KUFIJTË KOHORË E HAPËSINORË

September 27, 2023 by s p

Nga Skender ASANI/

Sot kur kujtojmë 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës, jemi të prirur që këtë ngjarje ta shohim përtej një jubileu të thjeshtë. Figurat e mëdha të një kombi, siç është kolosi ynë Hasan Prishtina, me fuqinë e ndikimit të tyre tejkalojnë kufijtë kohor kur vepruan. Këto figura madje janë aktuale edhe sot, sepse dimensioni i ideve të mëdha kombëtare asnjëherë nuk përmbyllet brenda një qarku të ngusht kohor, por ato, varësisht nga momentet historike, e gjejnë hapësirën e tyre të veprimit edhe në ditët e sotme.

Gërshetimi i dimensionit historik dhe aktual brenda figurës së Hasan Prishtinës, e ka shndërruar këtë personalitet në burim frymëzimi për shumë veprimtarë të çështjes sonë kombëtare. Njëri nga ata, Adem Demaçi, i cili e quante për nder të jetë ushtar i Hasan Prishtinës, madje është i pari që promovoi “hasanizmin”, si frymë dhe si ide në ndërtimin e karakterit të një atdhetari të vërtetë.

Në 150 vjetorin e lindjes, shqiptarët në Ballkan kanë arsye ta quajnë satisfaksion përpjekjen e tyre për të çuar përpara disa nga idetë e Hasan Prishtinës, sepse ai ishte njëri ndër ideologët më të përkushtuar të çështjes kombëtare. Veçantia e kësaj figure qëndron në faktin se ai, gjatë veprimtarisë së tij të gjatë atdhetare, arriti të kombinojë luftën kryengritëse me betejat e parreshtura diplomatike e intelektuale. Ai është njëri nga personalitet e rralla të historisë sonë që diplomacinë evropiane e ushqeu me raporte e dokumente autentike mbi gjendjen e popullit shqiptar në kapërcyell të shek. 19 dhe 20.

I ndodhur midis Perendimit dhe Lindjes, midis aleancave ballkanike dhe aspiratave shtendërtuese, populli shqiptar gjatë rrugëtimit të tij pagoi kosto të lartë pikërisht këtë vendodhje gjeografike dhe këtë kontekst rrethanash hostorike. Kjo kosto u bë edhe më e lartë në momentet kur po vendosej për fatin e tij në konferencat ndërkombëtare. Hasan Prishtina, me vigjilencën dhe largapamësinë e tij, arriti të përçojë drejt aspiratën liridashëse të popullit shqiptar në këto konferenca, siç ishte rasti edhe me Konferencën e Paqës në Paris (1919), ku ai, edhe pse nuk mundi të jetë prezent fizikisht, megjithatë arriti të imponojë idetë e tij (një pjesë të tyre) mbi rrugëzgjidhjet e mundshme të fatit të shqiptarëve në një kontekst të ngatërruar e acaruar ballkanik e fqinjësor. Nëse presidenti i lavdishëm amerikan Wudro Vilson arriti në momentin e fundit të nxjerr kombin shqiptar nga hendeku i aleancave e prapaskenave diplomatike, ishte Hasan Prishtina ai i cili i dha shtytje nga jashtë kësaj përpjekje kolosale të Presidentit Wilson.

Prandaj, kur flasim për kontributet e fugurave tona kombëtare në ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin e duhur të kurorëzimit të përpjekjeve liridashëse, atëherë pa dyshim që Hasan Prishtina do të jetë ndër personalitet e rralla që investoi dije, sakrificë e guxim në dizajnimin e kauzave kombëtare që edhe sot mund të jenë aktuale, ndonëse ai ishte shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e fjalëve që nxirrte nga goja: “Dhe para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos harroni atë kur të jepni mendimin tuaj”, thoshte Hasan Prishtina, një thënie kjo që ilustron më së miri peshën e përgjegjësisë që ai e konsideronte të qenësishme gjatë momenteve të vështiura të vendimarrjes.

Hasan Prishtina fliste për mallkimin e historisë, i vetëdijshëm se çdo vendimarrje mund të jetë gurë peshoreje në ndërgjegjen e secilit që merr vendime. Në fakt, politika nuk është asgjë tjetër përpos një fushëbeteje ku sprovohet ndërgjegja dhe vendimarrja. Prandaj sot kur po jetojmë në një kohë me turbulenca sociale e gjeopolitike, politikanët nuk e kanë lehtë të marrin vendime të cilat do t’iu rezistojnë kohërave, ndonëse edhe kjo nuk është e pamundur nëse figura e Hasan Prishtinës merret si pikë orientuese për të ruajtur drejtpeshimin në mes të etikës dhe politikës, në mes të kombëtares dhe universales.

Në 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës, secili nga ne duhet ta pyes veten se sa e shfrytëzojmë si referencë aktuale këtë figurë gjikante të kombit tone dhe sa punojmë që emri dhe lavdia e tij të mos shfrytëzohen vetëm sa për të shënuar ndonjë jubile apo ngjarje që lidhet me të.

Sivjet, 150 vjetori i lindjes së Hasan Prishtinës po bëhet edhe më kuptimplotë pas inisiativës së Institutit tonë që një pullë postale me emrin dhe figurën e tij të bëhet pjesë e qarkullimit dhe komunikimit në mes të njerëzve këtu dhe përtej kufinjve shtetërorë. Me këtë duam të përçojmë idenë se Hasan Prishtina edhe nga Shkupi ynë i lashtë, madje edhe në mënyrë simbolike, po e kryen funksionin që ai e projektoi si një platformë ku do të bashkëjetonin të gjitha aspiratat që i bëjnë më fisnikëruese raportet në mes të individëve dhe popujve, në mes të sotmes dhe të ardhmes.

Shkup, 27 shtator 2023

Filed Under: Rajon

KALENDAR Kur Papa Pali III merrte nën juridiksion papal, Urdhrin e Jezuitëve

September 27, 2023 by s p

Më 27 shtator të vitit 1540, Papa Pali III merr nën-juridiksion Urdhërin Jezuit – krijuar 6 vjet më parë nga Ingatius de Loyola, ushtar spanjoll i kthyer prift në gusht të vitit 1534.

Jezuitët e parë, Ignatius dhe gjashtë nga studentët e tij, u zotuan për varfëri dhe dëlirësi. Nëse udhëtimi në Tokën e Shenjtë nuk ishte i mundur, ata u zotuan se do t’i ofroheshin Papës për punë apostolike. Në pamundësi për të udhëtuar në Jerusalem për shkak të luftërave turke, ata shkuan në Romë për t’u takuar me Papën dhe për të kërkuar leje për të formuar një rend të ri fetar. Në shtator 1540, Papa Pali III miratoi skicën e Ignatius për Shoqërinë e Jezusit dhe lindi rendi jezuit.

Në Shqipëri ky urdhër filloi veprimtarinë nga gjysma e shekullit XIX, kur 3 priftërinj nga Siçilia mbërritën në Shkodër me mision. Që nga ajo kohë, Urdhëri Jezuit ka lënë gjurmë të dukshme në arsimin shqip në përgjithësi. Nga shkollat dhe seminaret Jezuite kanë dalë shumë figura të njohura të kulturës shqiptare siç janë Ndre Mjeda, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, etj. Në vitin 1945, Mehmet Shehu gjatë një vizite në Shkodër kërkoi me force largimin nga vendi të priftërinjve të huaj jezuitë, si dhe arrestimin e të gjithë të tjerëve vendas. Shkollat dhe seminaret jezuite shumë shpejt u mbyllen, u plaçkitën; bibliotekat dhe pasuritë arkivore jezuite u dogjën ose u konfiskuan; shumë prej krerëve a pjesëtarëve të Urdhërit Jezuit u burgosën, u ekzekutuan ose vdiqën nën torturë. Veprimtaria jezuite në Shqipëri do të rilindte lirshëm vetëm pas 45 vjetesh, së bashku me besimet e tjera.

Urdhri i Jezuitëve luajti një rol të rëndësishëm në Kundër-Reformimin dhe përfundimisht arriti të konvertonte miliona njerëz në mbarë botën në katolicizëm.

Filed Under: Histori

SHKOLLA SHQIPE E MICHIGANIT, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË

September 27, 2023 by s p

Taulant Kadiu drejtor i Shkollës Shqipe të Michiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Michigan, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe, historisë, kulturës kombëtare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Taulant Kadiun bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE TË MICHIGANIT

Shkolla Shqipe e Michiganit është vërtetë një punë e dashurisë brenda komunitetit tonë. Është një nismë me vullnetarë, ku mësuesit i kushtojnë kohën dhe ekspertizën e tyre me pasion për të edukuar brezat e ardhshëm dhe për të përcjellë vlerat Shqiptare në mërgim. Ne filuam me një grup të vogël prej vetëm pesë studentësh 15 vjet më parë pranë qendrës Ballkanike në Troy Michigan, dhe është e mrekullueshme të shohim se si sot me qindra studente jane diplomuar e rritur. Gjatë këtij sezoni shkollor janë regjistruar gati 100 studentë. Kjo rritje është një dëshmi e përkushtimit të vullnetarëve tanë dhe angazhimit të komunitetit tonë për të mbajtur gjuhën dhe kulturën tonë. Vlen të përmendet, për disa vjet me radhë kjo shkollë kishte edhe dy degë të tjera respektivisht në qytetet e Livonia-s dhe Taylor-it të njohura për popullsinë e dendur shqiptare. Ajo që është veçanërisht prekëse është se shumica e vullnetarëve tanë janë ish-studentë të shkollës sonë. Ata ishin njëherë në ato karrige të shkollës, duke mësuar për trashëgiminë e tyre dhe gjuhën. Tani, ata janë kthyer për të dhënë…për të siguruar që Shkolla Shqipe të vazhdojë të zhvillohet. Për sa i përket planit mësimor, Shkolla Shqipe ofron një gamë të gjerë të mësimeve për studentët. Kemi mësimin e gjuhës Shqipe, ku përfshihen fjalori, gramatika, leximi dhe shkrimi. Përveç kësaj, kemi mësimin e valleve tradicionale shqiptare, ku studentët mësojnë vallet tona të trashëgimisë. Ne gjithashtu kemi klasa për edukatë e zhvillim karakteri, ku theksojmë vlerat dhe moralin shqiptar. Ky është një aspekt i rëndësishëm i mësimeve tona, sepse kujdesemi për formimin e të rinjve jo vetëm në aspekte teknike, por edhe në zhvillimin e tyre si individë të përgjegjshëm dhe me ndjenjë të thellë patriotike për komunitetin tonë. Së fundmi, nuk mund të harrojmë sportin. Ne inkurajojmë aktivitetet sportive për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të studentëve tanë. Kjo përfshin aktivitete të ndryshme sportive, por kryesisht futbollin që ne si shqiptarë e kemi aq përzemër. Kështu që, Shkolla Shqipe është një kombinim i pasionit, trashëgimisë, dhe vullnetarizmit që ndihmon komunitetin shqiptar të rritet dhe të ruajë thesarin e tij kulturor dhe gjuhësor.

KURRIKULA MËSIMORE PËR TË GJITHA GRUP-MOSHAT

Shkolla Shqipe përdor një kurrikulë të përshtatur grupmoshave të ndryshme. Ky program përfshin mësimin e gjuhës Shqipe me një fokus të veçantë në përmirësimin e aftësive të komunikimit dhe leximit. Kësaj i shtohet dhe historia shqiptare të kuptojnë sadopak trashëgiminë e tyre kulturore. Klasa karakteri dhe mësimi i valleve tradicionale janë pjesë thelbësore e kurrikulës sonë për të ndihmuar studentët të kultivojnë ndjenjën e identitetit shqiptar. Përmes mësimeve të përgatitura me kujdes dhe materialeve të përshtatshme për moshën, jemi të sigurt që studentët tanë zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë që janë të rëndësishme për identitetin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë në një kohë kur globalizimi po e bën akoma më të domosdoshme këtë veçori. Ndër gjërat më të rëndësishme për Shkollën Shqipe është angazhimi i prindërve. Prindërit luajnë një rol kyç në jetën e shkollës dhe në sigurimin e funksionimit të saj pa probleme. Ata janë të përfshirë në aktivitetet shkollore, ndihmojnë me organizimin e programeve kulturore dhe kontribuojnë me sa munden. Thirrja për prindërit është të kujdesen për identitetin dhe gjuhën Shqipe në familjet e tyre më shumë se kurrë. Të jenë më aktivë në përkrahjen e mësimeve të fëmijëve në shtëpi dhe të punojnë ngushtë me ta. Koha që çdo prind shpenzon me fëmijën është i vetmi investim që shpërblimin e ka të garantuar. Kështu që, prindër, ju jeni udhëheqësit e rinj të trashëgimisë sonë. Bashkë punojmë për të ruajtur dhe përhapur thesarin tonë kulturor dhe gjuhësor shqiptar.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË MICHIGAN

Mësimi i gjuhës shqipe është një thesar i çmuar për ruajtjen e identitetit Shqiptar. Është e rëndësishme të kuptojmë se identiteti ynë Shqiptar është ngushtë i lidhur me gjuhën tonë. Por, fatkeqësisht, po shohim elementë të dobësimit të identitetit dhe gjuhës Shqipe te brezat e rinj, dhe kjo sjell me vete rreziqe të mëdha për shoqërinë tonë. Në mënyrë të natyrshme, ndryshimet e kohës, migracionet dhe globalizimi kanë sjellë ndryshime në mënyrën se si të rinjtë ndihen në lidhje me identitetin e tyre. Në disa raste, gjuha shqipe po humbet gradualisht ndër brezat e rinj, dhe kjo është një sinjal i rrezikut që përballim. Rreziqet më të mëdha janë të lidhura me procesin e asimilimit të shpejtë. Ne duhet të mësojmë si të integrohemi e jo si të asimilohemi. Ne duam të jemi një lule plot aromë e ngjyrë në buqetën shumëkombëshe të këtij vendi të bekuar. Kur gjuha dhe identiteti Shqiptar humbin fuqinë e tyre, ndryshimet mund të jenë të padëshirueshme. Prandaj, mësimi i gjuhës shqipe është aq i rsndssishsm. Është më shumë se mësimi i një gjuhe; është ruajtja e identitetit dhe trashëgimisë sonë. Është më shumë se një shkollë; është një urë që na lidh me atdhen dhe trashëgiminë tonë. Kujdesi ndaj gjuhës shqipe është një ndërgjegje e nevojshme që do të ndihmojë në mbrojtjen e identitetit dhe pasurisë sonë kulturore. Kur ne mësojmë dhe transmetojmë gjuhën shqipe, ne e ruajmë dhe e stolisim trashëgiminë tonë shqiptare për brezat që vijnë.

SHKOLLA SHQIPE SI URË LIDHËSE MES SHQIPTARËVE DHE AMERIKANËVE

Shkolla Shqipe nuk është vetëm një vend ku mësojmë dhe transmetojmë gjuhën dhe kulturën shqiptare; ajo është gjithashtu një ambient bashkëpunues dhe miqësor ndaj publikut amerikan dhe një partner i ngushtë i autoriteteve komunale të vendit tonë dhe më tej. Në vendet ku jemi të vendosur, ne kemi përfshirë me sukses shkollën tonë në komunitetin vendas. Ne e shohim atë si një mjet për të ndërtuar lidhje të forta me komunitetin amerikan. Shkolla Shqipe është një hapësirë ku të rinjtë Shqiptarë, ndërsa mësojnë gjuhën dhe kulturën e tyre, ndihen të integruar dhe të përfshirë në shoqërinë ku jetojnë. Me autoritetet komunale, ne gëzojmë një marrëdhënie të ngrohtë dhe të fuqishme. Autoritetet vendase janë të kënaqura të na ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme, duke përfshirë ofrimin e hapësirave të nevojshme për mësim, ndihmën në organizimin e programeve kulturore, dhe mbështetjen në projektet tona komunitare. Ne kemi arritur të krijojmë një klimë të mrekullueshme bashkëpunimi dhe tolerance mes komunitetit tonë shqiptar dhe komunitetit vendas. Kjo ka krijuar një ambient të shëndetshëm për shkëmbim kulturor dhe dialog ndërmjet kulturave. Nuk duhet të harrojmë se në fund të fundit fëmijët me orgjinë shqiptare të lindur këtu janë po aq amerikan sa gjithë të tjerët, identiteti shqiptar është një vlerë e shtuar si për ta ashtu dhe për shoqërinë amerikane.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË

Çdo klasë është e paisur me projektor e “Smart Boards” gjë që mundëson dhe lehtëson mësimdhënien. Ka vlerë të përmendet se përtej teknologjisë është ngrohtësia pasioni dhe dashuria që mesueset dhe vullnetarët reflektojnë gjatë orëve të mësimit që bëjnë nxënësit të dashurohen me Shkollen Shqipe dhe rrjedhimisht të jenë më të motivuar të mësojnë. Përtej teknologjisë fëmijët sot kanë më shumë nevojë për miqësi e ngrohtësi, për shoqëri e liri fëminore, vetëm atëherë ata mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Shpeshherë mes bisedave me prindërit, me humor na thonë “nuk jemi në prindërit që sjellim fëmijët këtu, por janë fëmijët që sjellin prindërit”. Pritshmëritë ndaj çdo fëmijë janë të ndryshme dhe vështirësitë që ne së bashku me prindërit ndajmë janë nga më të ndryshmet, falë faktit që jetojmë në një vend jo-shqipfolës, por të gjithë përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur të rrisim fëmijë të denjë për familjen, shoqërinë e kombin.

KUSH ËSHTË TAULANT KADIU?

Merita jonë është tek bashkëpunimi dhe puna e gjithë mësuesve, vullnetarëve, prindërve e nxënësve që tashmë pas 15 vitesh me radhë ende gëzojmë e festojmë Shkollën Shqipe të Michiganit. Unë jam një shërbëtor i thjeshtë i komunitetit. Vij nga një familje që kalvari i vuajtjve nën diktaturën komuniste e bëri më të fortë e të motivuar të edukojë breza ku dashuria dhe jo urrejtja, edukimi e jo injoranca, bashkimi e jo ndarja të jenë vlerat për të cilat do përpiqemi me të gjitha forcat të rrënjosim dhe që kurrë me kohë të tilla të mos përjetohen. Unë jam Inxhinier Ndërtimi i Licensuar në shtetin e Michiganit. Ndodhem në Michigan prej 2002-shit dhe kam përfunduar studimet pas-Universitare në Universitetin e Wayne State-it në Detroit. Kam një kompani modeste ndërtimi dhe punoj vullnetarisht në Shkollën Shqipe të Michiganit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, Taulant Kadiu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier

September 26, 2023 by s p

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve kriminale serbe, u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa policë tjerë u plagosën.

Ambasadori Hovenier shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e policit të Kosovës. Presidentja, ndërkaq, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës.

Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij.

Filed Under: Rajon

Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë, kujtimi për masakrën e Deliajve në Abri

September 26, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Po bëhen 25 vjet, nga masakra e Abrisë, pa u dënuar krimi serb. Masakra e forcave serbe ndaj familjes Deliu të Abrisë, sidomos pamja e fëmijëve kishte shokuar administratën e presidentit Klinton.

Edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë.

Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe.

Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija”e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, i cili ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe. Këto ambicie kishin filluar të sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.

Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1998-99, ku shteti serb, kundër shqiptarëve të Kosovës, përdori metodat më mizore, barbare dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova. Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë, morën përmasa tragjike për tërë botën e civilizuar, saqë tmerruan opinionin publik vendës dhe të huaj, si dhe vunë në lëvizje qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Krimet dhe masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Verbofc dhe Izbicë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.

Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan, por ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe.

Masakra e Abrisë dhe Reçakut “vrau” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-s, sollën paqen në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar. Me mijëra të vrarë e masakruar në shtëpi të tyre, shumë fëmijë, gra, dhe pleq, pra në gjithë Kosovën.

E sot, pas 25 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u dënuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli.

Qoftë i paharruar kujtimi dhe vlerësimi për të rënët që u bënë themel i lirisë së Kosovës.

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë së Kosovës.

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Sot në përvjetorin e masakrës së familjes Deliu takova mikun tim, Kryefamiljarin Ymer Deliu dhe një mik të veçantë që luajti rol shumë të rëndësishëm në informimin e opinionit ndërkombëtar për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gazetarin e BBC-së, Vaughan Smith që gjatë luftës kishte informuar opinionin ndërkombëtar për Kosovën, vuajtjet e popullit dhe luftën çlirimtare dhe me plotë të drejtë mund të quhet edhe heroi i pasimit të së vërtetës për luftën e Kosovës.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT