• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

Festimet Verore në Rehovë

September 6, 2023 by s p

Naum Prifti/

Kënaqësia e çdo tavoline është shoqëria ku biseda rrjedh fjollë dhe kënga nis nga qejfi. Për sa i takon mishrave, për mendimin tim, vështirë të gjesh më të shijshëm se ai i qengjit i pjekur në hell, nën hijen e dendur të një peme, pranë një burimi me ujë të ftohtë.

Qysh nga koha e studimeve në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, 1948-1952, kthimi në fshat ishte rituali i verës. Pasi mbarova shkollën dhe punova një vit si ndihmës-mjek në Sanatoriumin e Korçës, unë u shpërngula përgjithmonë në Tiranë. Ndonëse aty punova e banova për rreth 40 vjet, vajtjen për disa javë pushimi në Revohë e bëra rregull që nuk e shkela kurrë. Kur lindën vajzat dhe familja u shtua, shkoja në fshat bashkë me Rinën dhe pasardhëset e mia. Dëshiroja me gjithë zemër që edhe ato ta shihnin me sytë e mi Rehovën si vend me bukuri të rrallë, me njerëz punëtorë e të afrueshëm. Ndryshe nga jeta në kryeqytet, në fshatin rrëzë Gramozit ato mund të vaditnin kopshtin prapa shtëpisë, të prashitnin domatet e reja, të vilnin qershitë, të loznin me qenin e pulat e të milnin lopën apo delet në patos së bashku me kushërirat e tyre të shtëpisë. Fshati ka punë të lodhshme por edhe gëzimprurëse. Kisha dëshirë të kënaqeshin por edhe ta donin e ta çmonin vendlindjen time aq sa edhe unë madje të luteshin vetë të shkonin aty për pushimet verore. Unë u rrita në fshat dhe e doja natyrën me përkushtim. E pohoj se kjo nuk do të thotë se kushdo që rritet aty e adhuron bukurinë e madhështinë e saj por për mua ishte e vërtetë.

Sot mendoj se pjesë e pandarë e lidhjes së fortë me natyrën ishte shoqëria e fshatit – shokët e mi që më prisnin me gëzim të sinqertë e donin të më kënaqnim sa më shumë. Edhe unë doja t’i kënaqja e të çmallesha me ta. Në mendje kisha një listë rrëfenjash interesante nga ngjarjet në kryeqytet apo nga vende të tjera ku kisha shkuar me shërbim. Ua tregoja me humor edhe kur ishin tragjiko-komike si vetë jeta jonë e ata qeshnin.

Vajtja ime në Rehovë ishte ‘sebepi’ për një piknik ku piqnim mish qengji në hell me shokët e mi të vjetër dhe kolonjarë, diçka që nuk mund të bëhej në Tiranë. Pikniku me mish qengji të pjekur në hell u kthye në një traditë të shumëpritur dhe fort të pëlqyer. Ata dhe unë e prisnim me padurim verën për t’u takuar e çmallur e për të shijuar ngrënien e veçantë. Mesa duket kjo ishte “traditë e re” e krijuar nga grupi ynë sepse më përpara nuk ishte praktikuar në fshatin tonë. Shokët e kushërinjtë e mi, të gjithë pak a shumë moshatarë, mblidhnin paratë e blinin qengjin më të mirë. Nuk pranonin në asnjë mënyrë që unë të kontribuoja për këtë shpenzim. Dreka bëhej me harxhet e tyre. E dija se e këtë e bënin sepse më donin e më nderonin por mua do të më pëlqente të ishim të barabartë në pjesëtimet e parave. Megjithatë ata e gjykonin ndryshe dhe unë nuk doja t’i “fyeja” apo tu prishja gëzimin që ndjenin për të gjitha përgatitjet e piknikut. Mua më thoshin të vija me duar në xhepa e me oreks të hapur që të haja sa më shumë. Ashtu bëja por me vete merrja një shishe raki apo verë që më të shumtën e rasteve e sillja nga Tirana.

Në Rehovë kishte plot vende të mira për piknik në natyrë por më i preferuari nga të gjithë qe manastiri i Shën Pjetrit – një kishë thuajse e braktisur në lindje të fshatit, rrëzë maleve të Gramozit, rreth dy kilometra larg Rehovës. Aty kishte pemë hijedendura, ku mund ta piqje mishin duke rrotulluar hellin pa u shqetësuar nga vapa. Pranë tij ndodhej, për fat të mirë, edhe një burim me ujë të ftohtë, element i domosdoshëm dhe praktik për festa me gatime të tilla. Ujët të freskonte dhe të ripërtërinte kënaqësinë të këputje copa të tjera nga qengji i pjekur në hell.

Shoqëria jonë ishte formuar qëkurse shkonin në shkollën fillore të fshatit, nga koha e lojërave nëpër fusha a buzë lumit, nga vajtjet për dru në pyll etj. Ishte një shoqëri e vjetër dhe e mbyllur në rrethin tonë. Në atë shoqëri nuk hyje dot kollaj. Aty bënin pjesë Llambi i Andresë, të cilit i pëlqente të jepte urdhra e të komandonte pa e ngarkuar kush me atë detyrë. Rokoja i Minait, kushëriri i tij më i vogël në moshë, Nikoja i Stefanit, Petraq Teloja ose Petraqi i Gaqit sikurse i thoshim ne, Stavro Birboja dhe natyrisht Xhoxhi Note dhe Jorgji i Dafos që shërbente edhe si kasap e zgjidhte qengjin dhe si i tillë kishte pozitë zotëruese. Gjini i Cacit, Piro Prifti e rrallë e tek edhe ndonjë moshatar nga mëhalla e mesit si Vasili ose Stefan Qirjaqi, si edhe Piro Qirici ose Piroja i Pandilit, sikurse e thërrisnim ne.

Mbaj mend se në darkë, kur ktheheshim në klubin e fshatit të pinin kafenë e festës, flisnim e qeshnim me zë të lartë nga të ngrënët e të pirët. I ndjeja vështrimet ziliqare dhe inatçore të moshatarëve, të cilët ne nuk i bënin ‘kabull’ t’i pranonim në shoqërinë tonë të zgjedhur e të mbyllur hermetikisht. Jo sepse e quanim veten më të lartë se ta, po sepse nuk i njihnim në një ambient të tillë. Vitet e pas luftës e periudha socialiste na kishin mësuar të ishim të kujdesshëm në mbajtjen e shoqërisë sidomos pas hedhjes së disa kupave ku gjuha lirohej dhe e vërteta dilte në dritë jo ashtu si donte apo priste pushteti.

Ndonjëherë ndodhte edhe ndonjë përjashtim. Një vit erdhi me ne edhe Zyrja Malo. Ai ishte vëllai i Javerit, ambasadorit tonë në Paris. Por në rrethin tonë nuk kishte vlerë pozita. Rëndësi kishte besimi midis shokëve dhe siguria se çfarë llapnim para apo pas rakisë e ngrënies së qengjit nuk e linin rrethin tonë. Edhe këngët nuk zgjidheshin nga përmbajtja e tyre patriotike por nga shija jonë. Kurrë nuk këndonim e nuk ngrinim dolli për partine apo Enverin. Syrja Malo erdhi me grupin tonë sepse po kalonte pushimet në shtëpinë e baxhanakut të tij Xhoxhi Note. Xhoxhi nuk mund ta linte në shtëpi e vetë të shkonte me shoqërinë në festë. Prania e Syrjait nuk u vu re sepse ai ishte një burrë i qetë e fjalëpakë. Më shumë nga të gjitha binte në sy gjatësia e tij. Hëngrëm e pimë, kënduam e treguam shakara e u kënaqëm nën hijen e pemës në Shën Pjetër, me flladin që vinte nga mali i Gramozit, mes zogjve e gjinkallave që në verë kanë orkestrën e tyre. Ndjehesha se rinohesha nga ky ritual i vogël me shokët e fëminisë në fshatin tim të lindjes.

Fotografitë bardhezi të asaj kohe më kthejnë në ato vite dhe në atë vend, te aroma e mishit të qengjit dhe meloditë e këngëve kolonjare. Edhe pse unë si fotografi i disave prej tyre nuk jam në to, secila më mbush me përmallim për miqtë dhe Rehovën time.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

Një ftesë për të gjithë fëmijët shqiptarë në New York e më gjërë

September 6, 2023 by s p

Filed Under: Analiza

Një ftesë për të gjithë fëmijët shqiptarë në New York e më gjërë

September 6, 2023 by s p

Filed Under: Komunitet

Kryeministri Kurti merr pjesë në Samitin Global të ‘’Open Government Partnership’’, fillon rrugëtimi i Kosovës si anëtarja më e re e OGP-së

September 6, 2023 by s p

Estoni, 6 shtator 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të 8-të të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership).

Në adresimin e tij, në sesionin hapës të samitit që këtë vit po organizohet nga Qeveria e Estonisë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve, përfaqësues të shteteve anëtare, aktivistë të shoqërisë civile dhe mysafirë të ftuar, ai tha që ndjehet i nderuar që është në mesin e tyre sot, e veçanërisht krejt në fillim të rrugëtimit të Kosovës si anëtarja më e re e kësaj organizate ndërkombëtare.

Për Kosovën, anëtarësimi dhe pjesëmarrja në OGP paraqet një mundësi për të përmirësuar standardet tona të transparencës, pasi që inkurajon qeverinë të jetë më e hapur për aktivitetet e saj dhe proceset vendimmarrëse dhe po ashtu rrit besimin e publikut, u shpreh kryeministri.

“Të qenit pjesë e organizatës e vendosë Kosovën në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar ndaj parimeve të hapura të qeverisë, ndaj praktikave të mira të qeverisjes dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë përmirësuar praktikat e qeverisjes së hapur”, shtoi kryeministri në adresimin e tij.

Ai vazhdoi duke thënë se nëpërmjet transformimit digjital synojmë të rrisim cilësinë e sistemit e arsimit, efikasitetin e sistemeve tona të kujdesit shëndetësor e drejtësisë, dhe të rrisim produktivitetin në ekonomi. Gjatë dy viteve të fundit kemi digjitalizuar me sukses më shumë se 150 shërbime, të cilat janë të qasshme përmes portalit qeveritar, eKosova, derisa aktualisht jemi në proces të pilotimit për ofrimin e shërbimeve në lidhje me lindjen e fëmijëve.

Gjithashtu, kryeministri Kurti foli edhe rrezikun me të cilin ballafaqohet çdo vend nga kërcënimet kibernetike. Ai veçoi rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova nga aleatët e Rusisë, të cilët përpiqen që të shtrembërojnë të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen.

“Në situata të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, kërcënimet kibernetike të llojit të dezinformimit, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, theksoi kryeministri Kurti.

Prandaj, kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë dhe se mezi presim të mësojmë nga të gjithë ju dhe me të gjithë ju, për një demokraci digjitale më të fortë për qytetarët tanë, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Në Tallinn të Estonisë, kryeministri Kurti është shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Republika e Kosovës u anëtarësua në Partneritetit për Qeveri të Hapur në muajin gusht. Ajo është tash në mesin e 75 vendeve anëtare. Samiti i sivjetmë i OGP-së po organizohet nga Qeveria e Estonisë. Përveç Kryeministrit Kurtit, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, Presidenti i Malawit, Lazarus Chakwera, Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader dhe Sekretari i OGP, Sanjay Pradhan.

Filed Under: Fejton

PROFESOR ALEKSANDËR STIPÇEVIQ: “ILIRËT KURRË NUK PRANUAN TA SHKRUAJNË GJUHËN E PUSHTUESIT”

September 6, 2023 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Kush është Aleksandër Stipçeviq?

Aleksandër Stipçeviq është njëri nga ata bij të arbëreshëve të rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Lindi në Arbnesh të Zarës më 1930. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj. Që nga viti 1987 është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mban kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

Takimi me të në Kosovë në vitin 2000

Ilirologu i shquar dhe autori i historisë së ilirëve Aleksandër Stipçeviq nga data 28 maj e deri më 31 maj 2000 qëndroi në Kosovë me ftesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Fondacionit Shkencor Dardania Sakra të Prishtinës. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ai vizitoi disa institucione shkencore, mbajti dy ligjërata në Universitetin e Prishtinës, si dhe ishte mysafir i Radio Kosovës, i dha një intervistë në gjuhën arbnishte Televizionit të Kosovës, ndërsa duke mos mundur që t’u përgjigjej një numri të madh kërkesash të mjeteve të informimit për intervista, organizoi një konferencë shtypi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e cila u kthye në një tribunë shkencore ndërmjet punonjësve të shkencës dhe kulturës.

“Unë ende jam gjallë”!

Pak para se të nisesha në Kosovë, isha në Itali, tha në fillim të fjalës së tij Profesor Stipçeviq. Kur iu thash miqve të mi se unë do të shkoj në Prishtinë ata më tërhoqën vërejtjen se atje është ende gjendje e rëndë dhe se shtihet në të gjitha anët.

Përkundrazi, me të arritur në Prishtinë unë i bëra një vizitë rrugës kryesore të qytetit dhe fillimisht shprehi kënaqësinë që Prishtina nuk është rrënuar ashtu sikur janë rrënuar shumë qytete të Kroacisë dhe se njerëzit janë shumë aktivë e jetojnë të lumtur. Njëkohësisht më vjen keq që nga Prishtina nuk kam mundur t’ua nis miqve të mi nga një kartolinë me të cilën do t’i njoftoja “se ende jam gjallë”, tha Stipçeviq, duke shprehur habinë që Kosova rreth një vit mbas mbarimit të luftës ende nuk ka komunikim postar me botën.

Për «Historinë e popullit shqiptar» dhe «Fjalorin enciklopedik»

Në pyetjen tonë se a ishte njoftuar me dy projekte: “Historinë e popullit shqiptar” dhe “Fjalorin enciklopedik” të dy akademive (Tiranës dhe Prishtinës), A. Stipçeviq tha: Ditën e dytë të programit tim unë i bëra vizitë Akademisë së Shkencave dha Arteve të Kosovës, në të cilën ai është zgjedhur vite më parë anëtar korrespondentë. Jam njoftuar me këto dy projekte dhe kam pranuar që të angazhohem në to. Sikur e dimë më parë është shkruar “Historia e Shqipërisë” e jo “Historia e popullit shqiptar”. Ne e dimë se kur u krijua shteti shqiptar askush nuk i pyeti shqiptarët se cilat janë trojet tuaja etnike, por morën lapsin dhe thanë: Ja ky qytet i takon Shqipërisë, ky tjetri Maqedonisë, ky në vazhdim Serbisë e me radhë, kështu që një pjesë e mirë e trojeve etnike shqiptare dhe e kulturës së tij u zhvillua jashtë territorit shtetëror, prandaj gjatë përgatitjes së historisë së re do të angazhohem që ajo të jetë “Histori e hapësirës etnike shqiptare”.

Një metodë e re për studimet ilire

Ditën e dytë dhe të tretë Profesor Stipçeviq mbajti dy ligjërata: “Rezultatet më të reja shkencore në ilirologji – aspekti historik” dhe “Rezultatet më të reja shkencore në ilirologji – aspekti gjuhësor”.

Mbi dyqind vjet studime ilire janë kohë e gjatë dhe gjatë kësaj kohe janë arritur rezultate dhe sinteza të shumta, por kanë mbetur edhe shumë probleme pa u zbardhur, tha në fillim të fjalës së tij Profesor Stipçeviq. Metodat klasike të studimit në shumë anë janë zbehur dhe nuk i përmbushin kërkesat shumë të komplikuara dhe të errëta të studimeve ilire.

Në këtë problem del në ndihmë një metodë shumë e përparuar dhe shumë e saktë e shkencave natyrore, e ashtuquajtura ADN, e cila përmes studimit të përcjelljes së molekulave ADN nga një organizëm në tjetrin pa ndërprerje dhe pa rrezik që gjatë përcjelljes të ndërrohen nga trupi në trup, arrin që me një përqindje të lartë të vërtetojë vazhdimësinë e një populli të ri nga një popull i vjetër. Nëse deri më tash kjo vazhdimësi vërtetohej përmes hipotezave dhe trashëgimisë etno-kulturore, historike e gjeografike nga ilirët te shqiptarët, tani kjo mund të bëhet përmes kësaj metode me një saktësi shumë të lartë. Me këtë metodë tani po punohet në disa shtete evropiane prandaj i ftoj studiuesit shqiptarë që të angazhohen në zotërimin e kësaj metode për hulumtimet e tyre, tha Profesor Stipçeviq.

Pavarësisht prej premtimeve të metodave të reja të studimit, prof. Stipçeviq në ligjëratën e tij solli një pasqyrë të arritjeve të deritanishme në këtë fushë.

Ilirët kurrë nuk pranuan që gjuhën e tyre ta shkruajnë me shkronjat e pushtuesit

Ajo që është me rëndësi të thuhet që në fillim, tha Profesor Stipçeviq, është se ilirët asnjëherë nuk mësuan të shkruajnë dhe të lexojnë shkrimin. Por edhe kurrë nuk e pranuan shkrimin grek që ta shkruajnë gjuhën ilire. Kështu ndodhi edhe kur u ndeshën me romakët. Janë disa shenja nga shekulli IV-V, por janë aq të parëndësishme saqë ato për ilirishten nuk thonë asgjë. Sigurisht që për këtë ka edhe së paku një shpjegim: Ilirët kanë mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj invadimit grek, prandaj grekët deri në shekullin e IV nuk arritën të futen thellë brenda territoreve shqiptare. Kështu ndodhi edhe me romakët. Edhe kur u pushtuan nga romakët ilirët shënuan gjuhën latine, por vetëm me shkronjat latine. Edhe sot ka shpesh shumë sensacione nëpër gazeta për shkrimin ilirik, por sensacionet janë sensacione ndërsa shkrim ilirik nuk ka. Është e vërtetë se ka emra ilirësh në gjuhën dhe shkrimin grek e latin, por jo edhe tekste.

Profesor Stipçeviq në këtë rast përmendi kontributin e Antun Majerit, i cili me fjalorin e tij për antroponimet ilire dha një ndihmesë të mirë për të bërë sinteza dhe rezultate të reja edhe për gjuhën e ilirëve. Prej rezultateve të tij është përfunduar se ilirët nuk e kanë njohur vetëm një gjuhë, por brenda Ilirisë kanë ekzistuar zona të caktuara dialektore e nëndialektore. Interesimit të prof. Shefki Sejdiut për një krahasim të caktuar me gjuhët e tjera, sikur janë ato gjermanike, prof. Stipçeviq iu përgjigj se gjuha ilire pavarësisht nga gjuhët fqinje ka pasur karakteristikat e saja. Problemi për ne është të dimë ç’është gjuhë (dialekt) dhe ç’është kategori gjuhësore (politike). Pra ç’është kufiri gjuhësor-dialektor dhe ç’është kufiri gjuhësor politik.

Ne habitemi kur dëgjojmë se si disa gjuhëtarë të mëdhenj kanë sjellë teori të shumta në bazë të një materiali kaq të paktë. Nuk mund të flitet për ilirët unik. Mungesat janë aq të theksuara sa edhe vetë emri ilir, mendoj se është një totem. Te hetitët, është një emër për gjarprin që quhet ilirianka, e hetitët sikur dihet janë popull indoevropian. Në këtë rrjedhë besoj se nuk është e rastit që në njërën prej trevave më konservatore të trojeve etnike shqiptare, në kryqe varresh janë gjetur simbole të kultit për gjarprin.

Një problem i rëndësishëm, por me shumë interes është mbetja ilire. Ne e dimë se sllavët kur erdhën në Ballkan nuk e okupuan krejt Ballkanin, por disa pjesë të tij. E vërteta përveç Shqipërisë sllavët e sllavizuan gjithë Ballkanin, mirëpo ne për mesjetën kemi të dhëna për mungesën e sllavëve në Mal të Zi, Zagorie dhe Dalmaci. Tash ky problem duhet të zgjidhet nga shqiptarët. Studiuesit që në shekullin e kaluar kanë bërë përpjekje për të dhënë përgjigje në këtë problem, por ata nuk e njohën gjuhën shqipe dhe tërë prodhimtarinë leksikore të trashëgimisë së tyre. Shqiptarët kanë sot fjalorin e tyre në dy vëllime dhe kur një ditë të mbledhin krejt pasurinë gjuhësore nga Shqipëria e deri në Dalmaci, atëherë do ta kenë fjalorin prej 20 vëllimesh dhe me këtë pasuri leksikore do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve në fushë të ilirishtes. Këtë ndihmë do ta jap edhe leksiku arkaik i arbneshëve. Se në ç’nivel është ky leksik tregon shembulli i një fjale në Dalmaci, vesel, për të cilën mendohej se është sllave dhe vetëm kur u zbulua se ajo ishte e kohës romake, e në atë kohë nuk kishte sllavë në këto anë, atëherë u kuptua se fjala është për një fjalë arkaike shqiptare. Edhe unë vetë e kam ditur fjalën me gjallue, por ne vetëm para pak kohësh e kemi dëgjuar një fjalë që ishte ruajtur si relikt tek një grua: me jetue.

Duke komentuar rezultatet gjuhësore që flasin për një trashëgimi iliro-shqiptare, Profesor Stipçeviqi, dalloi një punë të mirë që ka bërë studiuesi i Institutit Albanologjik të Prishtinës dr. Rexhep Doçi në veprën Antroponimia e Llapushës (Prekorupës). Prania e emrave ilirë në mesjetë në këtë vend dëshmon kontinuitetin e shqiptarëve këtu. Interesimit të Profesor Ruzhdi Ushakut për disa intenca që të na lidhin me gjuhë dhe popuj, sikur janë pellazgët, të cilët nuk i qëndrojnë metodës së studimit në rrethana të reja multidisiplinare, Profesor Aleksandër Stipçeviq iu përgjigj duke tërhequr vërejtjen se nuk e përjashtonte mundësinë që edhe më tutje linguistët të sjellin rezultate të reja gjatë studimit të relikteve gjuhësore, me të cilat merren sidomos në ilirishte, por kujtoi se rezultatet e reja kërkojnë metoda të reja studimi, e kjo është metoda interdisiplinare e studimit: arkeologji, antropologji, etnografi, toponimi etj.

Ka shumë politizime rreth kontinuitetit iliro-shqiptar dhe gjuhëtarët mund ta zgjidhin këtë problem. Ka teprime edhe në mesin e shqiptarëve. Mua shpesh më pyesin shqiptarët: Teuta ishte mbretëreshë shqiptare apo jo? Jo, u them, ishte mbretëreshë ilire!, tha Profesor Stipçeviq. Po ata kanë qenë të varfër apo të pasur më pyesin. Nuk e di, ju them, por nëse dëshironi të dini se a kanë ngrënë ilirët me lugë, atëherë shkoni dhe bënë gërmime në ato lokalite ku kanë jetuar që ta vërtetoni. Nëse e gjeni lugën, kjo do të thotë se ilirët kanë ngrënë me lugë, e nëse nuk e gjeni atëherë kjo do të thotë se ilirët kanë ngrënë me dorë, përfundoi me humor Profesor Stipçeviq.

Shqiptarët kanë shumë miq në Kroaci

Sikur dihet, tash e tre shekuj arbëreshët jetojnë në Kroaci. Në Dalmaci dhe përgjithësisht rreth Detit Adriatik, arkivat janë të mbushura me plot dokumente për shqiptarët dhe shumë nga ato janë zbuluar e publikuar për periudhën që përfshihet së paku që nga mesjeta e këndej. Ne e dimë tash se sa ka dhënë njerëz të mëdhenj kjo kohë: Gjin Gazullin, Andreja Aleksin, etj. Prandaj nuk është e rastit edhe shpërngulja e shqiptarëve nga Malësia e Mbishkodrës në këtë vend. Sot këtu jetojnë arbëreshët dhe mbi 100 mijë shqiptarë, për të cilët në kushtetutën e ardhshme kroate do të rezervohet vendi i pakicës, ndërsa me këtë ata do të sigurojnë shumë të drejta. Sa u përket arbëreshëve ata janë një oazë që po shuhet ngadalë. Po ndodh ajo që po ndodh me pakicat në gjithë Evropën. Arbëreshët askush nuk i nget që të harrojnë gjuhën, por sot vetëm brezi i moçëm e njeh arbërishten. Edhe në shtëpinë time flitet arbërishtja, por mjafton një kroat të jetë në mesin tonë dhe të gjithë e flasin kroatishten.

Studimet në fushë të albanologjisë nuk janë rastësi sot. Kërkimet për to kanë nisur 200 vjet më parë. Pas vitit 1918 kërkimet janë penguar dhe vetëm para tri vjetëve është hapur Katedra e albanologjisë. Në Kroaci shqiptarët gjithmonë kanë pasur shumë miq. Nuk është fjala vetëm për Milan Shuflain, Çiro Truhelkën e ndonjë tjetër. Fjala është për një numër të madh punonjësish të shkencës, kulturës e politikës. Në mesin e tyre është edhe Stipe Mesiç, i cili në tubimet tona për Kosovën ka ardhur edhe atëherë kur nuk e ka obliguar aktiviteti politik apo shtetëror.

Po ju përkujtoj se në prag të luftës serbo-kroate unë bashkë me Branko Horvatin dhe gjuhëtarin e shquar Radosllav Katiçiq patëm inicuar formimin e Institutit Albanologjik, i cili do të quhej me emrin e Milan Shuflait. Atëherë nuk u realizua kjo ide sepse filloi lufta, ndërsa tani presim vetëm momentin. Kemi gjetur edhe mbulesën institucionale: Fakultetin Filozofik. Janë përgatitur dy vepra të Milan Shuflait dhe është gati e treta, përfundoi Profesor Stipçeviq.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT