• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

Evropë apo Europë?

September 29, 2023 by s p

Përgatiti: Emil Lafe & Sevi Agolli/

Pse sot hasim dy trajta të kësaj fjale? Ku qëndron ngërçi, që kemi një trajtë me grupin “eu” dhe një me “ev?

Cilën duhet të marrim si trajtë të saktë?

Këto janë disa nga pyetjet e shpeshta që na bëhen për këtë fjalë, ashtu si për shumë e shumë fjalë e çështje të tjera gjuhësore. Dhe nisur nga këto pyetje të dashamirësve të gjuhës shqipe, jemi përpjekur të japim argumentin tonë për trajtën e saktë të kësaj fjale.

Kjo fjalë është një ndër ato fjalë apo çështje gjuhësore, që, me të drejtë, ka ngritur shumë diskutim te dashamirët e gjuhës shqipe dhe jo vetëm. “Kushtetuta jonë gjuhësore”, pra “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” i vitit 1972, ka miratuar trajtën me “ev”, pra “Evropë”. Kjo trajtë i përgjigjet shqiptimit të greqishtes (Evropi) e, deri diku, edhe të turqishtes (Avrupa), si dhe të gjuhëve të tjera fqinje ballkanike (bullgarishtja, serbishtja etj.). Prandaj kjo trajtë fonetike “Evropë” u përhap në mbarë shqiptimin popullor. Mbi këtë bazë u pranua edhe në gjuhën e shkruar dhe kjo u pasqyrua te “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Pra, në standardin e shqipes hyri trajta me grupin “ev”.

Ndërkohë, në gjuhën shqipe kanë hyrë shumë fjalë të reja me këtë temë, që sidomos në shkrim po përdoren me grupin “eu” dhe jo me “ev”. Sot shqiptojmë dhe shkruajmë: euro, euroatlantik, europarlamentar, eurodeputet, Euratomi, Euroazia, Eurovizion etj.

Pra, ngërçi për trajtimin e dyzuar të kësaj fjale lind, sepse:

a) së pari, në “Drejtshkrimit” dhe “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Akademisë së Shkencave (2006) kemi trajtat me “ev”: Evropë, evropian, evropianizoj, evropianizim, evropianolindor, evropianoperëndimor. Mirëpo në po të njëjtin fjalor kemi me “eu” fjalët: euro, euroatlantik; Euroazi, eurodeputet, eurolindor, europarlamentar, europerëndimor, Eurovizion, eurokomunizëm etj. Te ky fjalor gjendjen 6 fjalë me temë me grupin “ev” dhe 13 fjalë të tjera më të reja, me po këtë temë, por në këtë rast me grupin “eu”. Pra, vetë fjalori është kontradiktor në shkrimin e fjalëve me këtë temë.

b) së dyti, sot në shtyp, në dokumente zyrtare etj., janë mbizotëruese trajtat me “eu”, ashtu siç këto trajta janë mbizotëruese edhe në “Fjalorin” e Akademisë së Shkencave (pra, kemi 13 fjalë me grupin “eu”). Praktika e shkrimit të fjalës Europë dhe e të gjitha fjalëve të tjera, ku ajo hyn si element përbërës, sot e ka zëvendësuar formën e vjetër greko-sllave me “ev” me formën e gjuhëve perëndimore me “eu”.

Por, ndërkohë edhe shumë gjuhë të tjera europiane këtë fjalë e shkruajnë me grupin “eu” dhe vetë Europa e quan vete Europë dhe jo Evropë! Atëherë, kur në fjalorin e gjuhës shqipe, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kemi më shumë fjalë me temë me grupin “eu”(13 fjalë) sesa “ev” (6 fjalë), pse duhet ta shkruajmë Evropë dhe jo Europë?

Zhvillimi dhe praktika e gjuhës shqipe sot për përdorimin e kësaj fjale kanë dhënë përgjigjen e vet, që trajta e vetme e kësaj fjale duhet të jetë forma me “eu”. Pra, Europë, europian, europianizoj, europianizim, europianolindorët.

Filed Under: Kulture Tagged With: Sevi Lami Agolli

SHUHET ATË ARTHUR LIOLIN

September 29, 2023 by s p

Me hidhërim të thellë morëm lajmin e fjetjes në Zotin të Atë Arthur Liolinit. Një humbje e madhe për familjen e tij, Kryepeshkopatën Orthodhokse Shqiptare në Amerikë si dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë veçanërisht komunitetin e Bostonit.

Shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes së tij dhe lutemi që Perëndia t’ju japë atyre forcë dhe shpirtin e tij ta prehë në tendat e të drejtëve.

I përjetshëm kujtimi!

Shoqëria Atdhetare Besa Besën

Boston,Massachusetts

09.29.2023

Filed Under: Kulture

SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES

September 29, 2023 by s p

Një përshpirtje për Don Shtjefën Kurti, këtë shpirt të shëlbyer dhe këtë vullnet të hyjshëm

Më 29 shtator 1971, një burrë i pakuar në fizik nga torturat dhe mizoritë e monstrave të diktaturës, i lidhur këmbë e duar gjen vdekjen nga një breshëri armësh pushkatimi. Ai është meshtari Don Shtjefën Kurti, i cili do të ngjitej në altarin e martirëve të kishës, për “krimin” e vetëm, pagëzimin e një fëmije.

Kjo ngjarje, edhe pse e mbajtur sekret, u mësua nga Vatikani, dy vjet më pas, më 1973. Ndërsa publikimi i saj në pothuaj të gjitha mediat më të njohura të botës u shoqërua me protesta në dyert e selive diplomatike të shtetit shqiptar.

Këto ngjarje vunë në vështirësi kastën komuniste të Tiranës, e cila menjëherë nisi të kundërpërgjigjet me anë të makinerisë së saj propagandistike.

Don Shtjefën Kurti, jetoi, kontribuoj, u përkushtua me zemër të pastër e me vullnet të Hyjshëm për latrësimin e atij shpirti gatuar në besim dhe vepra të shëlbyera urdhëruese të detyrës, dhe vdiq për idealet e shenjta, duke hyrë në aradhen e gjatë të martirëve të kishës.

Varri i tij as sot nuk dihet, sepse trupi i tij u përdor si kadavër për praktikat mësimore të studentëve të fakultetit të mjekësisë, në shenjë urrejtje nga shteti komunist ndaj këtij njeriu të mrekullueshëm që luftoi për liri, jetë dhe atdhe. Tashmë ai është një nga dyzetë kandidatët më potencialë për tu shenjtëruar në Selinë e Shënjtë nga Papa, si hero i kristjanizmit mbarëkombëtar, si shenjtor.

Kanë kaluar mbi gjysëm shekulli vjet nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e këtij meshtari të madh, por kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e besimtarëve, në zemrat e mbarë popullit, sepse vetë jeta, puna dhe aktiviteti i tij ishin një shkëndije e pashuar në mes të errësirës. Ai e mundi errësirën, e mundi sistemin diktatorial, e mundi komunizmin dhe tash ndrit ndër breza.

Një përshpirtje për këtë shpirt të shëlbyer dhe këtë vullnet të hyjshëm.

Albert Vataj

Filed Under: Histori

Lamtumirë At Arthur Liolin

September 29, 2023 by s p

Me hidhërim e mora lajmin e ikjes nga kjo botë të Ar Arthur Liolinit.

Iku në qiell një Shenjt. E kishim takuar disa herë me Qemalin në aktivitetet tona në Boston në Kishën e Shën Gjergjit.

Ndjemë dhe pamë tek ai një trim si Gjergj Kastriot Skënderbeu, një gjuhë kulluar si Naimi, një dishepull i Fan Nolit, një poliglot i pashoq, një arshivë e historisë ortodokse shqiptare, një shqiptar i madh, një amerikan i lindur, një shpirtmadh si Nënë Tereza, një predikues besnik i Zotit.

Iku një Shenjt!

Si homazh po sjellë intervistën time realizuar me At Arthur Liolinin në Kishën Shën Gjergji në Boston

BISEDË ME AT ARTHUR LIOLIN

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Gjate intervistës me At Artur Liolin në Kishën “Shën Gjergji” në Boston të ndërtuar nga Fan Stelian Noli themeluesi i Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare me meshën e parë në shqip, më 22 mars 1908 në Boston që e shkëputi nga Patrikana greke…

At Liolini midis të tjerash tha: Në këtë kishë ne kemi një thesar të historisë amtare të përbashkët që kemi trashëguar këtu në Amerikë dhe jemi të detyruar ta shpërndajmë dhe të njihen të gjithë brezat me këtë punë të vyer të diasporës shqiptare…

Pas Prillit të 1939-ës Noli mendonte dhe përkrahte idenë e “Bashkimit të Shenjtë” për rikthimin e Zogut pas Luftës së Dytë Botëerore, se besonte që më mirë të kishim një Shqipëri të pavarur sesa një shtet të asimiluar nën Italinë Fashiste të asaj kohe.

…Si lider i Kishës ortodokse shqiptare Shën Gjergji, ikona e ortodoksizmit shqiptar, të themeluar nga Fan Noli, si po e vazhdoni rrugen e tij?

DUKE I SHËRBYER POPULLIT DHE ZOTIT.

Në dy dekadat e fundit ka pasur një fluks të madh shqiptarësh në Boston, si i ka pritur Kisha juaj ata vetëm si ortodoksë apo si shqiptarë në radhë të parë?

I kemi pritur dhe i presim si motra dhe vëllezër bashkëkombas, pa dallim feje.

Siç e dini virtyti i mikpritjes eshte jo vetëm detyrë e besimtarit, por edhe traditë e lashtë shqiptare. Ky është një rast i shkëlqyer për të shkëmbyer eksperiencat tek njëri-tjetri, anën shpirtërore dhe kulturore si dhe për të forcuar zërin e shqiptarëve në hemisferën Perëndimore.

Në përgjithësi, koha për të ndihmuar emigrantët konkretisht ka mbaruar, me përjashtim për të lehtësuar probleme specifike. Konkretisht shqiptarët që kanë ardhur pas rinisjes së marrëdhënieve të mira me SHBA-në kanë ndihmuar dhe ndihmojnë njeri-tjetrin në çdo pikëpamje, si nga ana materiale ashtu dhe kulturore.

Të ardhurit përshtaten shumë shpejt në shoqërinë këtu duke formuar shkolla të trashëgimisë shqipe si dhe janë zgjedhur si zyrtarë tek Faltoret.

Na gëzon zemra kur shohim të dy palët së bashku duke mësuar dicka prej njëri-tjetrit.

A keni studentë shqiptarë që po vazhdojnë Universitetet Teologjike te sponsorizuar nga Kisha Juaj dhe ka prej tyre që janë kthyer në Shqipëri?

Kemi disa studentë që nën hijen e peshkopatës sonë po vazhdojnë studimet nëpër akademitë ortodokse në New York, Pennsilvany, Boston si dhe në Durrës.

Disa prej këtyre studentëve janë me prejardhje shqiptare, kurse disa të tjerë janë krejt amerikanë që janë rritur në dioqezën tonë.

Një prej këtyre studentëve është diplomuar në Boston dhe është kthyer në Shqipëri, I cili sot punon si Episkopi i Korçës. Kurse imzot Nikoni I Bostonit në bashkëpunim me Kryepeshkopin Anastas Janulatos ka propozuar: se çdo seminarist prej këtu duhet të kalojë një periudhë në shkollën Orthodokse “Ngjallja” në Shën Vllash të Durrësit.

Ju jeni një personalitet i Kombit tonë dhe i Kishës Orotodokse shqiptare, çfare lidhjesh keni me kishën autoqefale të Shqipërisë dhe konkretisht me Kryepeshkopin Janulatos?

Kryepeshkopata jonë është pjesëtare e Kishës Orthodokse Autoqefale në Amerikë. Kështu, sipas kanuneve Kisha e Shqipërisë dhe Kisha e Amerikës janë dy juridiksione praktikisht të pavarur administrativisht, por shpirtërisht të bashkuar, sicdo kishë autoqefale në botë.

Imzot, Lumtëria e Tij Anastasi Janulatos ka vizituar katedralen tonë si dhe imzot Peshkop Nikoni u mirëprit në Tiranë në muajin Maj kur udhëtoi për të parën herë në Atdhe.

Të dy hierarkët bashkëmesuan dhe kaluan takime të ngrohta me një bisedim të frytshëm.

Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe shpresojmë se kjo është për të mirën e të gjithëve:

të besimit tonë, të shtetit shqiptar dhe të popullit në përgjithësi.

Cfare lidhjesh keni me organizatat e tjera shqiptare në Amerikë, qoftë fetare apo politike?

Lidhjet që Kryekisha jonë kishte dhe ka gëzuar për vite me radhë me faltoret shqiptare pa dallim feje, si dhe me organizatat kulturore dhe etnike, janë marrëdhënie të forta dhe të mira.

Këto marrëdhenie vazhdojnë dhe sot me një frymë miqësie dhe bashkëpunimi në çdo rast ku ka nevoje humanitare ose kombëtare.

Kisha nuk merret me partitë politike dhe ruan rezervën e saj në këto aspekte, sepse është jashtë kompetencës sonë. Në fakt, besoj se Institutet fetare kanë më shumë kredibilitet kur nuk merren drejt me probleme politike se ato janë të perkohshme, dhe kisha merret me çështje shpirtërore dhe të përjetshme.

Roli dhe konshienca e Kishës është më shumë, ashtu si ndërgjegjja e Kombit që jep largpamësi, balancim dhe ekuilibrim në shoqërinë ku vepron.

Megjithatë, është domethënëse se disa cështje në jetë lidhen dhe derdhen nga një fushë në tjetrën. Por përpiqemi kurdoherë të mbajmë një gjakftohtësi dhe objektivitet prej politikës. Edhe në kohën kur udhëhiqte Fan Noli, ai kishte kujdes t’i ndante duke mbajtur mitrën e Kishës për çështje fetare dhe kapellen e Vatrës për çështje kombëtare.

Sot e shohim me të përshtatshme për Klerikët që të jenë të distancuar nga probleme që janë jashtë sferës së besimit. Ndihemi më mirë kështu.

A ka kisha të tjera ortodokse shqiptare në Boston dhe çfarë bashkëpunimi keni me to?

Peshkopata jonë ka 13 kisha në SHBA, kurse në qytetin e Bostonit kemi 3 famullie.

Dy janë nën hijen e Peshkopatës sonë, dhe 1 është nën hijen e Patrikanës së Stambollit.

Kleri dhe besimtarët e të tre kishave të qytetit tonë kanë marrëdhënie të mira në veçanti në çdo rast që kërkon bashkëpunim.

Famullitë janë formuar dekada më parë me kushtetutat kishtare dhe ligjore të tyre për të kontrolluar organizatat e tyre.

A keni pasur takime Ju personalisht apo dhe ndonjë anëtar i Kishes tuaj me anetarë të ish regjimit komunist në Shqipëri, dhe si e shikonit izolimin total dhe shkatërrimin e fesë që bëri qeveria komuniste në atë kohë?

Kam udhëtuar për në Atdhe në vitin 1988 për të parën herë, dhe kam pasur bisedime me zyrtarë të shtetit të asaj kohe, të Akademise së Shkencave, të Universitetit, të Muzeut dhe Bibliotekave të ndryshme, Arkivin Kombëtar, etj.

Përsëri më ftuan në vitin 1989 dhe sic e dini kam udhëtuar disa herë më vonë me udhëtime kulturore, arsimore dhe misionarësh.

Qëllimi ynë ishte krejt thjesht e qartë: Te rikrijonim lidhjet pas nje shkëputje shumë të gjatë, midis vendit ku jetojmë me vendin e paraardhësve tanë.

Mejtimi ynë është se çdo ankim mund të zgjidhet me kohë e me bashkëbisedime.

Në fund asnjë pale nuk fiton nga izolimi dhe mosbisedimi.

Në poezinë e Xhon Dunnit shkruhet: “ASNJË NJERI NUK ËSHTË ISHULL”

E pashë si gjynah të madh se traditën tonë të shtrenjtë për bashkëjetesë fetare e zhdukën me ligj, dhe kjo ishte një humbje e rëndë për cdo individ si dhe për imazhin e Kombit.

Është e vërtetë se keqpërdorimi i fesë shpesh herë sjell probleme shoqërore, por në thelb jane sfida per të kapërcyer dhe për të qartësuar besimin për të gjithë.

Këto shkatërrime të strukturës fetare dhe të ndërtesave më të vjetra dhe të bukura në Ballkan, kanë lënë një barrë të rëndë mbi supet e popullit dhe të besimtarëve sot.

Megjithatë kemi shpresë për kohën e ardhshme. Çdo qeveritar i lartë ose i thjeshtë na ka pritur atje dhe njëkohësisht janë mirëpritur këtu.

Mjaft Diplomatë, piktorë, mjekë, qeveritarë dhe vizitorë nga Shqipëria janë mirëpritur në kishën e Bostonit. Këtë e kemi jo vetëm detyrë por edhe një kënaqësi shpirtërore.

Ishte Noli i shkëputur nga politika dhe kur u vesh si Prift?

Zyrtarisht Noli ishte i shkëputur nga politika kur u kthye ne SHBA pas 30-ës, por kjo nuk do te thotë se nuk u interesua për të mirën e kombit ose për shtetin shqiptar.

Përkundrazi vazhdoi të kishte bisedime, të jepte këshilla dhe opinione në raste të ndryshme kur kërkonin mejtimet e tij të vlefshme, e cila për të ishte një litar i tendosur.

Kështu ka ndodhur dhe me Papa Gjon Palin II-te, në një anë mbante distancë dhe nga ana tjetër nuk e mohonte dot kujdesjen që kishte për vendin e tij Poloninë.

Interesante është që dy klerikë të mëdhenj ishin shkencëtarë, merreshin me teatër në rininë e tyre, shkruanin poezira dhe kishin një pamje dhe respekt popullor.

Të dy këto figura tepër të rëndësishme kanë një pozitë të vecantë për kombet e tyre respektive.

Cili është qëndrimi Juaj në lidhje me mbretin Zog, i cili dihet që ka qenë një nga kundërshtarët e mëdhenj të Fan Nolit?

Historia është një zinxhir i pandërprerë. Kështu në bibliotekën dhe arkivin tonë kemi të dhëna për cdo periudhë të historisë shqiptare.

Është e vërtetë që Imzot Noli dhe Ahmet Zogu kishin ndryshime pikëpamjesh në fushën politike.

Studimet dhe librat për atë kohë janë shumë dhe të larmishme.

Ka dhe raste kur të dy kishin një lloj marrëveshje: përshembull në vitin 1937 kur erdhën motrat e Zogut ne Boston ato erdhën menjëherë në Kishën e Shën Gjergjit për të vizituar Imzot Nolin.

Pas Prillit të 1939-es Noli mendonte dhe përkrahte idenë e “Bashkimit te Shenjtë” për rikthimin e Zogut pas Luftes së Dytë Botëerore, se besonte qe më mirë të kishim një Shqipëri të pavarur sesa një shtet të asimiluar nën Italinë Fashiste të asaj kohe.

Sic e dini historia mori një rrugë tjetër. Ne fillim Noli shpresonte se partizanët dhe qeveria e Enver Hoxhës do të kishte një frymë egalitare në përputhje me principet e tij të Revolucionit Demokratik të 1924-es. Besoj se shumë prisnin të njëjtin rezultat,

por historinë e vërtetë e dinë më mirë ata dhe ato që jetuan brenda atij sistemi totalitar pas Lutës së Dytë.

Në thelb, Noli punonte dhe shpresonte për një shtet shqiptar të lirë dhe të pavarur, tamam si e gjeti këtu kur erdhi në 1906.

Si e shikoni Pavarësinë e Kosovës dhe cilat janë përpjekjet që ka bërë kisha juaj për Kosovën Martire?

Shumica e diplomatëve sot thonë se nuk ka rrugë tjetër përveç një Kosovë të pavarur, për të mirën e popullit të atjeshëm si dhe për stabilizimin e rajonit.

Besoj se shtetet e Gadishullit Ballkanik kudo në Europë si dhe jashtë saj e kanë kuptuar mirë këtë nevojë.

Për këtë qëllim qeverisja e Kosovës do të kërkojë një qëndrim aktual dhe largpamës të gjerë që respekton të drejtat e të gjithë banorëve të Kosovës dhe që përmbledh gjithë faktorët më të denjë për një shtet demokratik.

Kjo kërkon një maturi të thellë dhe kuptojmë se largpamësia nuk vjen kollaj pas tragjedisë njerëzore që ndodhen në fund të viteve 90-te, prandaj kërkon një qeverisje të ndershme dhe të suksesshme.

Megjithëse Kisha jonë nuk merret me çëeshjet politike, por për çështjet humanitare dhe për të drejtat e njeriut ju është përgjigjur në çdo rast që kanë pasur nevojë bashkatdhetarët tanë.

Ju flisni një gjuhë të kulluar shqipe sikur të keni lindur në Shqipëri, si keni arritur ta përvetësoni kaq perfekt?

Më duket se më bëni qejfin.

Shqipen që unë përdor sot e kam mësuar në pëqinë e gjyshes, por më shumë duke lexuar librat fetare gjatë shërbesave dhe duke iu falur Zotit si shërbëtori i Tij në meshë.

Ndërkohë interesohem shumë për gjuhësinë tonë dhe vazhdoj të mësoj më shumë duke bidseduar me shqiptarët që kanë ardhur në dekadat e fundit në SHBA.

Ne kemi nga të mësojmë dhe të frymëzohemi, le të marrim shembullin e Nolit i cili vazhdoi me mësimet univeristare gjer sa ndërroi jetë.

Gjithashtu unë e kam zakon të lexoj çdo mëngjes në Internet disa gazeta që botohen në Atdhe. Ashtu siç bënin emigrantët e parë shqiptarë në fillim të Shekullit 20-te, po ashtu bëj dhe unë për të mësuar gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqipe.

Së fundi c’mendim keni për gazetën “Iliria”?

Gazeta “Iliria’ dhe redaktorët e saj duhen lëvduar për punën e tyre, se kjo gazetë mbush një nevojë të domosdoshme për të informuar jo vetëm shqiptarët këtu dhe kudo por edhe për të ngritur në skenë problemet tona për audiencën Amerikane dhe ndërkombëtare.

Ju faleminderit për Intervistën At Arthur Liolin dhënë për publikun shqiptar!

Ishte në nderin tim t’ju përgjigjesha pyetjeve tuaja interesante për publikun shqiptar Zonja Zylo!

Boston 2006

Filed Under: Kronike

Lamtumirë i Përndershmi At’Arthur Liolin

September 29, 2023 by s p

Shuhet Shqiptari i Shquar i Amerikës i Përndershmi At’ Arthur Liolini, kleriku dhe kancelari i shquar i Kishës Shqiptare e Shën Gjergjit, -alias- Kisha e Fan Noli-t, Boston -një nga emrat dhe figurat më të shquara të Diaspores shqiptare, atdhetarizmit e patriotizmit, kleriku që mbajti gjallë traditën shpirtërore, hyjonre, njerëzore dhe mikpritëse Noliane.

Iku në amëshim i Përndershmin At’Arthur Liolini, student i fundit i Poliadrikut dhe Eruditit, Fan S.Noli.

Gjatë këtyre dhjetra viteve në Amerikë, jam takuar shpesh, me At’Arthur Liolinin, kemi ndarë gëzime, hidhërime, pagëzime, kemi perjetuar nderimin e largimin nga jeta të një sere figurash të shquara te çështjes kombëtare, letrave shqipe, por edhe ne aktivitete të ndryshme me taban kombëtar e historik. Origjina e At’Arthur Liolin është shqiptare, i lindur dhe i rritur në Amerikë. Me At’ Arthur Liolinin më lidhte edhe origjina e të parëve të tij, që janë me origjinë nga Boboshtica e Korcës, nga është edhe origjina e fëmijëve të mij, por edhe lidhje gjaku në distance.

I Përndershmi At’ Arthur Liolini, ishte një burrë i gjatë, i pashëm dhe fisnik, vecmas gjatë shërbesave kishtare me atë veshjen karakteristike të kishës, mbështjellë nga një mantel i verdhë rrezëllues, me zërin e butë, të ngrohtë e të përzëmërt që të mrekullonte me shqipen e kulluar dhe me kulturë që fliste, megjithëse është brezi i tretë i lindur dhe rritur në Amerikë. Përgjatë gjithë jetës së tij, At’Arthur Liolini me forcën e kujtesës, e vizionit, e mendjes dhe të penës shkroi një sere materialesh studimore, shkencore, hyjnore dhe historike, dhe nëpërmjet aktiviteteve në dedikim të vlerave kombëtare e historike, sikurse kishte bërë pararendësi i tij, Noli i Madh. Ndër materialet studimore, shkencore, historike dhe të shenjtërisë, At Arthur Liolin vleresohet dhe cmohet për ruajtjen dhe katalogimin e Arkivës Noliane dhe vendosjen dhe ruajtjen e afreskut te Shën Angjelinës Shqiptare në Kishën e Nolit në Boston, e vetmja femër e shenjtëruar mes 40 shënjtorëve meshkuj. Mbase do e kem të vështirë që në pak rreshta të përshkruaj kontributin e shquar të At’Arthur Liolinit, që na ka falur kohë nga koha e tij, duke i bashkërenduar kujtesen, ngjarjet dhe vitet, dhe ka nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet e Kishës së Nolit, e cila bashkoi shqiptarët e Amerikës pa dallim feje e ideje. Karizma, aureola dhe trashëgimia e Kishës Noliane ndjehen ende sot në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan, mbare kombin e trojet shqiptare, fale perkushtimit dhe kontributit te At’Arthur Liolinit.

Kleriku dhe kancelari i Shquar i Kishes se Nolit, besonte në parimin bazë e jetësor se vepra dhe kontributi i Nolit flasin shumë, si një domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme, ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën ngadhnjyese me njerëzoren, drejt atij vizioni që predikonte Noli i madh, në ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës, identitetin shqiptar. Moment emocionues dhe mbreselenes ishte dita dhe momenti kur une e intervistova At’ Arthur Liolinin, ishte ndjesia më e fuqishme e krenarisë kombëtare në tokën e mundësisë e demokracisë amerikane, aty ne Kishen e Nolit te Madh, dhe kjo është një arësye e forte dhe shpirterore që e përkujtoj sot ne diten e ikjes se tij ne Ameshim…

Fotot dhe Intervisten me At’Arthur i ruaj si gjënë më të bukur e të shtrenjtë të përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar, për të treguar se jemi një komb me botë, shpirt e mendim të lirë, ecim, jetojmë, tregojmë me penë, me kocke intelektuale, me mendje te shendoshe e krahe te forte. Ndërsa do te kthejmë kokën në perëndimin e viteve do te dallojme gjurmët e arta të kujtesës së vepres e kontributit studimor, shkencor historic dhe hyjnor te te Përndershmit At’Arthur Liolini dhe te kombit shqiptar ne Amerike qe ai e donte dhe e respektonte me ndjenje qytetarie e njerezore te admirueshme. Janë gjurmë që gjithmonë do të kujtohen si shprehi e ndodhisë në etapa të ndryshme dhe e ekzistencës së tyre, për t’u përqendruar në erudicionin e një prej figurave që është çmuar shumë prej shqiptarëve dhe amerikanëve, si një figurë hyjnore dhe njerezore dhe e Rilindjes Kombetare ne Amerike. Një obligim sa shpirtëror e qytetar, sa intelektual e atdhetar ne brezi i tashëm në Amerikë, i deyrohemi figures se te Përndershmi At’Arthur Liolinin.

Lamtumirë i Përndershmi At’Arthur Liolinin,

Lamtumirë miku im i vyer, miku i gjithe shqiptareve ne Amerike, Diaspore dhe kudo ne trojet shqiptare

Të Ikurit si Ti mbeten Jetësisht të ardhur!

Ti do tè mbetesh perhere Klerikui devotshem dhe kancelari i shquar i Kishes Shqiptare e Shën Gjergjit, nje pasardhes i denje i Nolit te madh.

Ti do tè mbetesh perhere ne Panteonin e Arte te kujteses kombetar e historike!

Prehu i qetë mes ëngjujve të Parajsës!

Nderime, Respekt dhe Mirenjohje

Raimonda Moisiu

Author/Freelancer

Florida SHBA

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT