• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

IL PICCOLO DI TRIESTE (1956) / DY KONFERENCAT E STUDIUESIT TË SHQUAR SHQIPTAR ERNEST KOLIQI NË QYTETIN E TRIESTES

September 28, 2023 by s p


Ernest Koliqi (1901 – 1975)
Ernest Koliqi (1901 – 1975)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Shtator 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të shtunën e 10 marsit 1956, në faqen n°6, një shkrim për studiuesin e shquar shqiptar Ernest Koliqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Studiuesi i shquar shqiptar sot i ftuar i Triestes

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 10 mars 1956, faqe n°6
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 10 mars 1956, faqe n°6

Sot pasdite, Profesori Ernest Koliqi, i Universitetit të Romës, do të mbajë dy konferenca në Trieste për çështje aktuale mjaft interesante : në orën 18:30, në hotelin Excelsior, ai do të flasë për kushtet e kulturës dhe intelektualëve në vendet prapa perdes, dhe në veçanti për Shqipërinë, vendin e tij të origjinës : më parë në orën 16:30, Profesor Koliqi do të zhvillojë një bisedë në klubin “Maria Cristina” për jetën e grave në vendet komuniste.

Profesori Koliqi është një nga personalitetet kryesore të kolonisë shqiptare në Itali, pasi në kohën e tij ka qenë kryetar i Kuvendit të Tiranës dhe Ministër i Arsimit Publik. Aktualisht është i detyruar të qëndrojë në ekzil nga regjimi aktual i vendit të tij dhe mban katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/il-piccolo-di-trieste-1956-dy-konferencat-e-studiuesit-te-shquar-shqiptar-ernest-koliqi-ne-qytetin-e-triestes/. Në rast të kundërt mos e publiko.

Filed Under: LETERSI

EDHE TË MUNDUR, ATA FITUAN NË SHALË INAUGUROHET MEMORIALI KUSHTUAR MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE ME ORIGJINË NGA DUKAGJINI

September 28, 2023 by s p

 Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

“Memoriali në Shalë u kushtohet 7 burrave të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe të shpallurve “të lumnuar” nga Kisha Katolike Universale: At Ciprian Nika, O.F.M, At Bernardin Palaj, O.F.M, At Gjon Shllaku, O.F.M, At Gaspër Suma, O.F.M, Dom Dedë Plani, Dom Lazer Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, martir laik.”

Sot është një ditë historike – kunjtohen përjetësisht 8 burra të Dukagjinit, të cilët ashtu si edhe shumë të tjerë anë e mbanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare kanë flijuar jetën – duke kundërshtua dhe rezistuar komunizmin ndërkombëtar në Shqipëri dhe anë e mbanë e botës.

Duke dhënë jetën e tyre, këta burra të Kishës e të Kombit shqiptar – shembuj të qendresës anti-komuniste — ndihmuan përpjekjet historike gjysëm shekullore për shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe atij ndërkombëtar në mbarë Evropën duke çuar, eventualisht, në gjunjëzimin e diktaturës së perandorisë komuniste.

Jo vetëm Shqipëria dhe Evropa, por e mbarë historia botërore do kujtojë shekullin e kaluar si njërin prej shekujve më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit.

Krimet e atij regjimi sllavo-aziatik – ndër barbarizmat më të egra të përjetuara në Evropë dhe në botë – po kujtohen sot, pikërisht, këtu në Shalë, me inaugurimin e këtij Memoriali kushtuar këtyre 8 burrave të mëdhej të Dukagjinit. Ngritja e këtij monumenti është një përgjigje dinjitoze e thirrjes së këtyre martirëve: “Mos na harroni, por na kujtoni!

Ky Memorial është ngritur në kujtim të këtyre viktimave të pafajshme të komunizmit, por ky Memorial shërben gjithashtu edhe si një detyrim ndaj brezave të ardhëshëm për tu kujtuar atyre, krimet e komunizmit me shpresën që ato krime barbare të mos përsëriten kurrë më. Ky Memorial është njëherazi edhe një monument që na sjell në mend se e keqja ekziston në këtë botë dhe si e tillë shoqëria duhet të përballet me të.  

Vendosja e këtij monumenti kushtuar burrave të kësaj ane, në Breglum të Shalës, rrethi Shkodër, është një ditë gëzimi por edhe një ditë vajtimi. Të gëzuar dhe kryelartë për këta vëllezër shqiptarë, të një gjaku e një Kombi, të cilët heroikisht, kanë dhenë jetën duke qendruar besnikë ndaj fesë së tyre dhe Kombit të vet – besnikë ndaj lirisë, drejtësisë, besës e burrënisë, nderit dhe të drejtave të njeriut.

Ditë vajtimi –se na kujton një grup të vogël fanatik shqiptar i influencuar nga një ideologji e pa fe dhe e pa atdhe, komuniste sllavo-aziatike, një grup i dalur nga i njëjti Komb, por që në emër të kësaj ideologjie vriste e priste bijtë më të mirë të Kombi Shqiptar sepse nuk pajtoheshin me të. Mos përballimi, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit nga Shqipëria, mbetet sot e kësaj dite një njollë e zezë në fytyrën e Kombit – 30-e sa vjet pas rënjës së komunizmit zyrtar.

Por, megjithëktë, më në fund, e mira dhe e verteta triumfojnë gjithmonë kundër së keqës dhe gënjeshtrave. Duke ndenjur besnikë ndaj idealeve dhe vlerave më të larta të fesë dhe Atdheut, këta heronjë na kujtojnë se me sakrificën e tyre sublime, sipas frazës latine, “Vinci, Vincimus”.  Ata edhe “Të mundur, fituan!

Ky memorial, do të thoshte At Zef  Valentini, njëri prej albanologëve më të mëdhej, “Dëshmon se jo vetëm që Shqipëria ka pasur martirë të spiritualizmës e të demokracisë, në krahasim, më shumë se çdo vend tjetër, por njëherazi tregon edhe se shpirti i tyre ndër ata që mbetën gjallë e përkujtojnë sot, nuk është shëndërruar në një ankim të kotë, në një shpirt vëllavrasës, por vazhdon të jetë ndërtues i një ndërgjegje kombëtare me mendime e caqe të prehta, por me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi.”   

Urime familjes Gjin Markaj dhe Dedë Prenaj të cilat ideuan dhe mundësuan vendosjen e këtij Memoriali në Shalë kushtuar 8 burrave të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, por edhe të gjithë atyre që ndihmuan në realizimin e kësaj nisme. 

I paharrueshëm qoftë kujtimi i martirëve të Kombit Shqiptar të cilët dhanë jetën për “Fe, Atdhe e Përparim” — për liri e demokraci, për të gjithë dhe pa dallim! 

Frank Shkreli

Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi gjatë, por që njëkohësisht, edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë të thjeshtë…”  Papa Gjon Pali II, Otranto, Itali, Shtator, 1980

“…Ty, o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të përballosh, veçanërisht në 25 vitet e fundit.  Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit, koha me vështirësi do të arrijë t’i fshij dhe që Evropa dhe e gjithë bota nuk duhet t’i harrojë!”  Papa Gjon Pali II, Aeroporti Rinas, Tiranë, Prill, 1993

A group of people outside

Description automatically generated
May be an image of flag, Stari Most and text
May be an image of 5 people and text

Fotot janë marrë nga faqja — Ngjarjet Kisha Katolike Shkoder-Pult (Arkidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult)

Filed Under: Politike

Kalendar – Referendumi i Shtatorit 1991, Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind

September 28, 2023 by s p

-Në Referendumin e mbajtur para 32 viteve,  nga 26 deri në 30 Shtator 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind/

-Gazeta e rezistencës “Bujku” para 32 viteve: Kosova filloi Referendumin për Sovranitet; Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës; Masivitet i madh në votime…; Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë; Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës…/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur: Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 27 Shtator 2023/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 32 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” të datës 27 Shtator 1991.

“Republika e Kosovës filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi  është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë  për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes  e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Në kryetituj balline gazeta “Bujku” në 28 Shtator 1991 shkruante: “Referendumi për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës”, ndërsa në 29 Shtator 1991 konstatonte: “Masivitet i madh në votime për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Referendumi në Kosovë në përfundim”.

E në numrin e 1 Tetorit 1991 gazeta “Bujku” në mbititull e kryetitull në ballinë shkruante:

“Pas pesë ditësh votimi masiv në Referendumin për Republikën e Kosovës Shtet Sovran dhe të Pavarur  – Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë”. Tituj balline ishin edhe: “Parlamenti i Shqipërisë përkrahu Rezolutën për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur” dhe “Qeveria Amerikane ka kundërshtuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve”…

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 33 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 Shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

 Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

  “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 29 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e Referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti  Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli – 29 viteve janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në  faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i  Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para 29 viteve, në 22 Shtator 1994, Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar – të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori  i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.  

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

 Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive para kater vitesh.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Tani, pas 32viteve nga Referendumi historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 24 viteve, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 15 viteve nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur Shtetin e Kosovës që në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë…

Filed Under: Mergata

“Dielli” i “Vatrës”, drita e shqiptarëve të Amerikës

September 28, 2023 by s p

Eneida Jaçaj/

Përpjekjet e veprimtarëve shqiptarë, mendjeve të ndritura të kombit, për liri e pavarësi, për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve etnike, ruajtjen e vlerave dhe traditave kulturore shekullore, si asetet më të çmuara që i japin frymë dhe formojnë që në gjenezë një popull, kishin nevojë për një zë të fuqishëm që të dëgjohej anë e kënd botës. Atdhetarët shqiptarë, të shpërndarë kudo, në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të idealizuar lëvizjen politiko-shoqërore, e cila në qendër të saj kishte luftën patriotike kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e trojeve etnike, zhvillimin ekonomik, edukativ dhe kulturor, e panë me shumë interes dhe u lindi si nevojë e brendshme, që përpjekjet e tyre të sinkronizoheshin me mjetin e fuqishëm të fjalës, e cila do të kishte peshë te personalitete të huaja, në kancelaritë diplomatike më të rëndësishme të botës. Është pikërisht Gazeta “Dielli”, organ me shumë peshë që vepron pranë Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, që ka ndriçuar rrugën e veprimtarëve të shquar të kombit dhe i ka dhënë vlerë të ashtuquajturës Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila hapi një faqe të re historike, duke ndërgjegjësuar dhe shkundur nga gjumi apatik çdo shqiptar, që të përvishnin “mëngët” dhe të rrëmbenin mjetet kundër pushtuesve të huaj. Gazeta “Dielli” ka shkëlqyer gjatë gjithë veprimtarisë së saj në diasporë, me shkrime dhe publikime, ku në qendër të tyre kanë qenë dhe janë interesat për atdheun, duke u shndërruar në simbolin e dritës dhe shpresës.

Kjo është gazeta me shtrirjen më të madhe në kohë, është gazeta më e vjetër në të gjithë diasporën shqiptare në botë, e cila, sot e kësaj dite po jep një kontribut të vyer për promovimin e vlerave dhe traditave kulturore, ruajtjen e gjuhës shqipe, adresimin e problematikave politike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, në instancat më të larta të shtetit më të plotfuqishëm në rruzullin tokësor, SHBA-së. Kjo gazetë është shndërruar në zërin e shpresës, dritës, begatisë për shqiptarët, brenda vendit dhe atyre në diasporë. “Dielli” është media më serioze dhe e besueshme e diasporës, e referuar prej institucioneve akademike, pasi vijon të trajtojë vetëm çështje kombëtare, për historinë, kulturën, albanologjinë, ndërsa sot për sot mbetet të jetë zëri më autoritar në Amerikë. Kjo gazetë është pasuria e komunitetit shqiptar në Amerikë, pasi në të shpaloset e gjithë kultura jonë si një ujëvarë, të cilën shqiptarët e trashëgojnë brez pas brezi, pa mohuar rrënjët, gjuhën shqipe, “mushkërinë” e kombit, që na nderon para popujve të tjerë me lashtësinë e saj ilire.

Gazeta “Dielli” u themelua më 1909 në Boston, nga dy figura të shquara, Faik Konica dhe Fan Noli, në periudhën më të errët të historisë së Shqipërisë, kur trojet shqiptare ishin uzurpuar nga pushtuesit osmanë dhe vendi kërcënohej gjithashtu nga fqinjët, Greqia dhe Serbia. Kryeredaktorët e “Diellit” ndër vite kanë dhënë një kontribut të qenësishëm, ku misioni i tyre ka qenë zhvillimi i Shqipërisë, mbrojtja e interesave kombëtare dhe bashkimi i trojeve shqiptare kundër zgjedhës së huaj. Ata janë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kostandin Cekrezi, Bahri Omari, Andon Frashëri, Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Bilal Xhaferri, Peter Prifti, Aqile Tasi, Nelo Drizari, Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhi, Arshi Pipa, Dalip Greca dhe kryeredaktori aktual, Sokol Paja, i cili ka sjellë një frymë të re në konceptimin e gazetës si pasuri komunitare dhe kombëtare duke bërë ndryshime rrënjësore te “Dielli”.

“Dielli”, me publikimet e tij, ka dhënë një kontribut të çmuar për lëvizjen kombëtare për pavarësi, kur të gjithë atdhetarët shqiptarë u bashkuan, me në krye Ismail Qemalin, i cili shpalli aktin e pavarësisë, më 28 nëntor 1912. Ismail Qemali si “babai i kombit”, përdori të gjithë eksperiencën e tij si shtetar në administratën më të lartë në Perandorinë Osmane, duke drejtuar me mençuri shqiptarët në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të tyre. Gjithashtu, kjo gazetë dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e çështjes shqiptare, veçanërisht në Konferencën e Paqes në Paris, 1919, duke sensibilizuar qarqet diplomatike perëndimore në lidhje me tratativat e fqinjëve për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Gazeta “Dielli” mbetet të jetë institucioni më i rëndësishëm i problemeve të ndryshme të komunitetit shqiptar, si dhe përçuese e denjë e vlerave dhe traditave te brezat e ardhshëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eneida Jacaj

ALEANCA ME SHBA-të DHE BE-në PO E LULËZON SHQIPËRINË

September 28, 2023 by s p

Thanas L. Gjika/

(Shënime udhëtimi, 24 korrik – 7 shtator 2023, pjesa e I)

Në korrik të këtij viti ndjehesha i dobët e shumë i merzitur. Kisha hyrë në të 80-at, kisha hartuar e botuar qindra artikuj studimorë, dhjetë libra me studime dy prej të cilë monografi pesëqindfaqshe, njëra kushtuar jetës e veprës së Heroit të Popullit Mihal Grameno dhe tjetra jetës e veprës së përhapësit të shquar të Krishtërimit – Shën Palit. Për to kishin dhënë vlerësime pozitive studiues të kualifikuar shqiptarë e amerikanë, por jo institucionet përkate të atdheut.

Bashkeshortja ime, Julia, bashkë me vajzën Ani dhe djalin Ergon, më sugjeruan duke më ndihmuar e financiarisht, që të bëja një vizitë të gjatë në Shqipëri. Kështu munda të vizitoja shumë qytete e fshatra rreth e rrotull atdheut. Pashë me vëmendje rrugët, ndërtesat, lokalet moderne, njerzit që dukeshin të ushqyer e veshur mirë. Shumë hotele e restorante lluksozë, vila e shtepi komode, objekte tregetie dhe industriale, plantacione me fruta, toka te mbjella, kope me dhën, dhi e lopë, koshere bletësh me shumicë, pyje të rigjeneruar, turistë të shumtë në bregdet e nëpër qytete e fshatra të ndryshëm…

Me një fjalë pashë dhe shijova realitetin konkret të Shqipërisë së Re, që ka lulëzuar pas virit 1992, kohë kur atdheu ynë është në aleancë me boten Perendimore Euro-Atlantike.

Duket qartë se gjatë 45 vjetëve që kaloi Shqipëria në aleancë me Botën Lindore Socialiste, populli punoi rëndë, por ecja ishte e ngadalshme, me shumë mundime e sakrifica, nën frikën e terrorit të partisë-shtet, e cila ndiqte parimin që i dha krijuesi i saj Miladin Popovici: “Partia duhet të luftojë armiqtë dhe kur nuk ka të tillë, t’i krijojë ata”.

Në këto 30 vjet Shqipëria, duke qenë në aleancë me ShBA-të dhe BE-në ka bërë transformime, të cilët mund t’i bënte jo më shpejt se në 300 vjet, po të vijonte nën drejtimin e partisë-shtet. Këtë ndryshim kolosal e pranojnë edhe ish-komunistët, por këta ia njohin si meritë Partisë Socialiste dhe jo aleancës me ShB-të e BE-në dhe nuk pushojnë se ankuari, se sistemi demokratik ka krime, korrupsion dhe fukarallek. Nuk duan t’ua kujtosh krimet dhe fukarallëkun e mbarë popullit të kohës kur ata ishin në pushtet. Nuk duan të kuptojnë se në botën Perëndimore ku sundon demokracia dhe shteti ligjor ka korrupsion, por ky korrupsion ka kapur disa individë, por jo sistemin, kurse në Shqipëri ku sundojnë pasardhësit e klanit komunist, korrupsioni ka kapur gjithë klasën sunduese, e cila do të mënjanohet pasi të vendoset ligji.

NË RESPEKT TË MËSUESIT SADIK LEKA DHE POETIT HAVZI NELA

Kur jetoja në qytezën Lancaster MA isha njohur me dy të rinj kuksianë të zgjuar e punëtorë, Albert e Besim Leka. Të dy bashkë me nuset e tyre Eliamonda dhe Laureta na prisnin e na respektonin mua dhe Julian si prindërit e tyre. Kjo miqësi u forcua edhe më pasi erdhën edhe prindërit e tyre, Sadiku e Baftia dhe vëllezërit e tjerë Albani, Adriatiku e Klodi. Luanim shah, bilardo, shëtisnim bashkë, laheshim te pishina, bisedonim për të kaluarën në atdhe, etj. Te Sadiku dhe Barfia dhe djemtë e tyre njoha tipin model të malësorëve shqiptarë që dalloheshin për virtute, për edukatën tradicionale, që nuk ta jep shkolla por jeta. Të gjithë ishin të pashëm, të shëndetshëm, njëri më të mirë se tjetri. Mirëpo vitin e kaluar Sadikut iu përshpejtua pleqëria dhe brenda disa muajve u largua nga jeta. Bashkëshortja dhe djemtë e tij shkuan dhe e varrosën në fshatin e lindjes pranë nënës e vëllait të vet, si ua kishte lënë ai amanet.

Sivjet, zonja Baftie, Alberti e Besimi me nuset dhe Albani kishin vendosur të shkonin përsëri në Shqipëri për të përkujtuar njëvjetorin e ndarjes nga jeta të babait të tyre të dashur. Ky vendim më nxiti që ta shfrytëzoja rastin për të shprehur respektin tim për mikun e mirë, mësuesin e nderuar Sadik Leka. Të këtij mendimi kishin qenë edhe motra e Bafties, z-nja Mereme me bashkëshortin z. Bardhi Gjinollari dhe motra e Lauretës, z-nja Diona me bashkëshortin z. Lumtor Vrapi.

Më 25 korrik u bashkuam të gjithë në fshatin Qinamakë të Kuksit, mbi cepin jugor të Liqenit të Kuksit. Aty kishin shkuar dhe dy vajzat e të ndjerit, mjekja Violeta Hoxha dhe infermjerja Aferdita Sinaj.

Varrezat e bukura të fshatit ishin vendosur midis pemëve në një faqe kodre të pyllëzuar. Pas fjalëve ngushëlluese dhe fotove të rastit, pjesëtarët u drejtuan te klubi i fshatit, ish-shkolla e dikurshme, ku i ndjeri kishte sherbyer si mesues e drejtor. Për respekt të babës, Albani dha kafe, raki e duhan për ne dhe të gjithë bashkëfshatarët që u ndodhën aty. Kurse dreka ceremoniale me mbi 150 pjesëmarrës u dha në një lokal të ri madhështor në qytetin e Kuksit. Një hotel-restorant i tillë nuk gjendet në Clinton MA, ku janë vendosur familjet Leka, ndoshta as në Worcester MA, ku jetoj unë, sepse amerikanët I japin më shumë rëndësi funksionit sesa paraqitjes.

Pasi Hoxha bëri lutjen e rastit, pjesëtarët nëpër tavolina filluan të tregonin episode nga jeta e puna e mesuesit Sadik Leka në fshatin e tij, e sidomos në Suroj, ku ishte drejtor i gjimnazit. Në atë kohë në Surroj kishte pasur tri shkolla të mesme: një gjimnaz të përgjithshëm, një gjimnaz nate dhe një gjimnaz profersional bujqësor. Sot ai fshat ështe braktisur, aty jetojne vetem dy a tri familje, kurse në Qinamakë jetojnë rreth 50 familje, të shpërndara në disa mëhallë, që shtrihen në një sipërfaqe te madhe. Ky fshat me pyje e toka të shumta që shtrihet nga maja e malit e deri poshtë te Liqeni, ka mundësi të zhvillojë blegtorinë dhe të industrializojë ujrat e pishme malore, që burojnë në disa vende.

Vellezërit Leka kanë toka afer bregut të liqenit dhe mendoj se pasi të përfundojë rruga Kukës- Bicaj-Skavicë dhe të jetë vënë në funksion aeroporti i ri që po ndërtohet në anën lindore të liqenit, kanë për të ndërtuar aty një vilë verimi. E ardhmja e ketij fshati dhe e krejt anëve të Liqenit të Kuksit është e lidhur me ndërtimin e hidrocentralit te Skavicës në rrethin e Dibrës, sepse liqeni i ri që do të krijohet aty do të sistemojë e disiplinojë nivelin e ujit të liqenit…

Mbas drekës Z. Abdulla Domi, kryetar i Qarkut të Kuksit, fis i z-njës Baftie Domi, u dha kafet e lamtumirës familjarëve të të ndjerit, mikut të tij Sadik dhe neve që kishim shkuar nga larg. Në orën 4:30 PM u nisëm për Tiranë plot emocione pozitive. Gjatë rrugës mendoja për faktin se sa mirë i respektoi familja e madhe Leka traditat shqiptare lidhur me respektimin që I bëhet të vdekurit. Mundimi dhe shpenzimet nuk merren parasysh, mjafton që respekti të kryhet si e meriton Ai.

I paharuar qoftë kujtimi i babait, mësuesit e mikut të urtë Sadik LEKA!

TE FALEM HAVZI NELA, TY O POET MARTIR

Gjatë shëtitjes në qytetin e Kuksit ndalova tek busti i poetit martir, guximtarit të rallë Havzi Nela (1934-1988), vendosur para shkollës që mabnte emrin e Tij. Në basoreljev ishin gdhendur katër rreshta nga një poezi e tij:

Thoni dritë ai kërkoi

E vetë dritë nuk pa me sy.

Thoni për njerëzinë këndoi

E për vete nuk jetoi!

Gjatë bisedave miku im Sadik Leka më kishte treguar se më datën 9 gusht të vitit 1988 ishin lajmëruar punonjësit e mësusit e rrethit të Kuksit të ndodheshin të nesërmen më 10 gusht në ora 10 AM para sheshit të qytetit për të parë ekzekutimin e tradhëtarit Havzi Nela. Por kur populli shkoi në ora 10 AM e gjeti të varrur kufomën e mësuesit dhe poetit rebel. Pushteti kishte frikë ta ekzekutonte para popullit këtë viktimë të tij, prandaj kishte porositur që akti të kryhej që në ora 2:00 e natës dhe kur të vinte populli të këputej litari e kufoma të tërrhiqej zvarrë lidhur pas një kamioni e pasi të vëtitej rreth qytetit për të ngjallur tmerr e frikë, të hidhej tek fusha e druve ku të mbulohej me plehra…

Me vrasje e varrje kishte filluar ai regjim, dhe ja një vit para rënies së murit të Berlinit, po kryente dënimin e tij të fundit, varrjen e një poeti disident…

Havzi Nela, busti yt në Kukës rezaton dritë si monumenti i Bajram Currit në Tropojë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT