• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Paketa e madhe/ Nga hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, te rehabilitimi i HEC-it të Fierzës, çfarë fiton Shqipëria nga Procesi i Berlinit! Ja marrëveshjet që pritet të firmosen

October 16, 2023 by s p

GAZETA PANORAMA/

Komisioni Evropian, në mbledhjen e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit sot në Tiranë, do të prezantojë një paketë të madhe me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian.

Paketën në detaje pritet ta paraqesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të muajit nëntor, kur edhe do të publikohet programi vjetor i zgjerimit me raportet e progresit për vendet që u janë hapur bisedimet për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe vendet kandidate për anëtarësim, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Në tërësinë e tij, Procesi i Berlinit ka në thelb ekonominë. Nga marrëveshjet që pritet të firmosen do të përfitojnë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë do mund të tërheqin investime në drejtim të projekteve infrastrukturore, energjetike, turizëm dhe bujqësi.

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një platformë unike dhe e suksesshme bashkëpunimi që i bashkon përfituesit, donatorët dhe huamarrësit për të përmirësuar harmonizimin dhe bashkëpunimin e investimeve për zhvillimin socioekonomik të Ballkanit Perëndimor. Instrumenti është një iniciativë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese në Ballkanin Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009, për të siguruar asistencë teknike dhe financiare për investime strategjike ne rajon.

Instrumentit iu bashkuan edhe Banka Gjermane për Zhvillimi dhe Banka Botërore, e më pas edhe Agjencia Franceze e Zhvillimit. Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor kombinon grante, hua dhe kontribute të përfituesve për investime në infrastrukturë në sektorët e energjisë, mjedisit, sektorin social, transportit dhe digjital, si dhe për zhvillimin e sektorit privat. Projektet që lidhen me Shqipërinë kanë të bëjnë me Hekurudhën TiranëRinas-Durrës.

Qëllimi i projektit është rehabilitimi i 34.5 km hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, si dhe ndërtimi i 7.4 km rrugë të reja hekurudhore midis Tiranës dhe aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza në Rinas. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, që do të krijojë mundësi ekonomike, duke përfshirë edhe turizmin e qëndrueshëm dhe do të mundësojë lëvizjen “e gjelbër” midis zonave më të mëdha urbane në vend. Një tjetër projekt është By-Pass i Tiranës.

Është projekti i ri i miratuar në Samitin e Sofjes ne vitin 2020. Ky projekt investimi parashikon ndërtimin e një unaze të gjatë 21.5 km përreth kryeqytetit, e cila përfshin katër ndërkalime, një urë dhe nënkalime e mbikalime. Projekti është tashmë i përfunduar në shumicën dërrmuese të tij. By pass-i është njëkohësisht pjesë e dy korridoreve rrugore që përshkojnë vendin: Korridorit Adriatiko-Jonian, që do të lidhë Triesten në Itali me Kallamatën në Greqi dhe Korridorin VIII, që lidh Maqedoninë e Veriut me territorin shqiptar, me dalje në Portin e Durrësit dhe detin Adriatik.

Vlera e projektit është 150.9 milionë euro. Bashkimi Evropian ka dëenë kredi prej 31.9 milionë euro, ndërsa BERZHi ka mundësuar një kredi prej 109.2 milionë euro. Të dyja kreditë dhe granti janë siguruar, në sajë të punës së mirë përgatitore të projektit, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. 2.5 milionë euro janë grante dhe kontributi i qeverisë shqiptare është 7.3 milionë euro.

By-pass i ri po ndërtohet në rajonin dhe nyjën më të populluar të sistemit rrugor të vendit. Ai ka lidhur rrugë që tashmë janë të ndërtuara, si autostradat TiranëDurrës me Tiranë-Elbasan. Ky by-pass ka reduktuar trafikun, ndotjen dhe aksidentet si dhe ka lehtësuar fluksin e trafikut transit nga anët e tjera të vendit.

Tjetër projekt është rehabilitimi i HEC-it të Fierzës. Projekti për rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës është i dyti propozim shqiptar i miratuar në Samitin e Sofjes. Projekti ka një vlerë totale investimi prej 42.7 milionë eurosh, nga të cilat 27.2 milionë euro është kredi nga Fondi Gjerman i Zhvillimit KfW, 8.4 milionë euro financim i BE-së dhe 7.1 milionë euro financim nga qeveria shqiptare.

Filed Under: Politike

Në kujtim të përjetshëm dhe falënderues për Presidentin Martti Ahtisaari

October 16, 2023 by s p

Fatmir Sejdiu/

Me dhembje të madhe mora lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari Lajmi për vdekjen, është rast i veçuar i kujtimit dhe falënderimit përjetësisht për presidentin Ahtisaari, me të cilin punuam bashkë në procesin e bisedimeve në Vjenë. Ai në fund te atij procesi dha propozimin për Pavarësinë e Kosovës.

Mendimi im dhe i gjithë popullit të Kosovës sot i përkushtohet kujtimit të vlerave të këtij kolosi të politikës dhe diplomacisë kulmore botërore.

Kam shumë kujtime nga takimet me presidentin Ahtisaari, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, diplomatin, që luajti rol kyç në procesin e bisedimeve në Vjenë. Këto bisedime hapën rrugën për shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Janë të paharrueshme bisedimet e Vjenës 2006-2007 dhe veçmas takimet me Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, laureatin e shumë shpërblimeve dhe të dekoratave në mesin e të cilave edhe të Çmimit Nobel për Paqe, Presidentin e Finlandës Martti Ahtisaari.

Kisha njohuri edhe më parë për aftësitë e tij prej burrështetasi të mençur dhe diplomati të kalibrit të rrallë. Përveç udhëheqjes së suksesshme të vendit të tij, ai do të dallohet me rolin si i deleguar special në misione të ndryshme ndërkombëtare.

I veçantë ka qenë edhe angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin. I qartë, i prerë dhe pa dilemë, sikur edhe misionarët amerikanë Ollbrajt, Hollbruck dhe Komandanti i NATO-së Wesley K. Clark. Millosheviqit i kishte treguar se ai duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij .

Në përgatitje të rifillimit të bisedimeve, Martti Ahtisaari, bashkë me anëtarë të ekipit të tij, për pak ditë erdhi në Prishtinë. Saktësisht me 1 mars 2006. Biseda qe jashtëzakonisht përmbajtësore dhe e pa rezerva.

Kryetema, bisedimet. Presidenti Ahtisaari në disa pika themelore e shtroi idenë e tij lidhur me to si dhe dinamikën që ai e mendonte për të përmbyllur procesin e bisedimeve në afat optimal. E dija se i njihte zhvillimet në Kosovë e sidomos ato që i kishim përjetuar deri me intervenimin ndërkombëtar.

Në takim shtrova qëllimet themelore që i kishim si vend dhe si popull, duke filluar nga realizimi i plotë i lirisë së Kosovës me pavarësinë, përkatësisht bërjen shtet i pavarur dhe sovran, si dhe zotimin tonë për ndërtimin e një Kosove të pavarur që do të jetë garant i respektimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pra edhe të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Si dhe, orientimet tona themelore në politikën e jashtme, duke filluar nga fqinjësia e mirë me vendet përreth nesh, po edhe nevojën e integrimit si vend i pavarur në institucionet ndërkombëtare.

Dua të përmendi se që në nëntor të vitit 2005 Delegacioni i Kosovës kishte miratuar Dokumentin për Martti Ahtisaarin, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin final të Kosovës. Në atë Dokument, që në fillim shprehen “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran, miratuar më 17 Nëntor 2005.

Presidenti Ahtisaari, që në takimin e parë, përcolli me shumë vëmendje mendimet e mia. Ai në fakt qëndrimet e Delegacionit të Kosovës i kishte të njohura nga takimet e fillimit edhe me Presidentin Rugova. Nga ato qëndrime nuk kishte asnjë lëvizje as në fazat e mëvonshme kur edhe filloi procesi aktiv i bisedimeve.

Presidentit Ahtisaari i patëm dorëzuar edhe një dokument (përgjigje në një varg pyetjesh) me të cilin shprehnim pikëpamjet tona. Aty ishin përmbledhur çështjet për “Mbrojtjen ligjore të të drejtave” ku jepeshin garancitë tona për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave individuale dhe ato të qytetarëve. Në secilin nga komunikimet e kemi bërë të qartë se e gjithë kjo nënkupton opsionin tonë themelor dhe të panegociueshëm: Pavarësia e Kosovës.

Përveç bisedës për temën bosht, pra bisedimet lidhur me statusin politik të Kosovës, për të cilën pa fije dyshimi e besoja se është thellësisht dhe shumë sinqerisht i angazhuar, presidenti Ahtisaari m’u drejtua hapur, përafërsisht më këto fjalë: “ Z. President, unë e kam pranuar këtë angazhim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së me përkushtimin më të madh, andaj edhe nuk kam kohë për të humbur. Qëllimi im është që të përfundojmë këtë proces si duhet”. Me fjalë të tjera, mesazhi i tij ishte që të shpejtohet procesi i bisedimeve, për çka realisht edhe ne ishim të interesuar.

Pas përfundimit të takimit, e përcolla deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”. Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë.

Ne ia dolëm, pikërisht duke pasur edhe mbështetjen e pakursyer të promotorit, Martti Ahtisaari, Emisarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që drejtoi bisedimet finale për Kosovën shtet i Pavarur dhe Sovran, shpallur nga Kuvendi i Kosovës, më 17 në shkurt 2008.

Ngushëllime për familjen, popullin finlandez, për miqtë, por edhe vendin tim, Kosovën.

Ju faleminderit përjetësisht, President Ahtisaari!

Filed Under: Ekonomi

Më 16 tetor 1448 është zhvilluar Beteja e Kosovës, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Europës Mesjetare…!

October 16, 2023 by s p

Derisa, për Betejën e Kosovës të vitit 1389, historiografia e sotme ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar, në anë tjetër Beteja e Kosovës së vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet për njërën ndër betejat më të njohura të ndodhura në Europën Mesjetare. Së këtejmi, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e inspiruesve të luftërave kundërosmane në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeun. Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë mejdan midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Huniadi dhe ushtrisë osmane në krye me sulltan Muratin II. Arbrit në krye me Skënderbeun qenë në anën e aleancës europiane.

Në verë të vitit 1448, pasi që kishte tubuar reparte hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Huniadi kishte kaluar Danubin, doli në Krushevac. Që këtej, arriti në Kosovë. Në anë tjetër, Murati II, pasi që ishte informuar nga despoti Brankoviç, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje kishte tubuar rreth vetës të gjitha repartet, të cilat numëronin 50.000-60.000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri tyre del i trefishuar. Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrinte 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta treditëshe mbaroi me disfatën e ushtrisë së aleancës.

Premtimet që i kishte dhënë Skënderbeu për tu angazhuar në anën e aleancës së krishterë, e kishin trimëruar Huniadin, që të nxitonte për tu ndeshur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për ketë përplasje provohet sipas burimeve zyrtare dhe tregimtare. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të betejës, burimet e kohës, ofrojnë hollësi për vonimin e arbërve për tu bashkuar me trupat hungareze.

Shkak kryesor i vonimit të Skënderbeut ishin pengesat e despotit Brankoviç, aleat i dhëndrit Muratit II, që ia mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte. Pjesa e madhe e burimeve, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pa shkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave për epilogun, janë ruajtur hollësi dhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi që kishte marrë rrugë për në jug jo larg Fushë-Kosovës, u ndesh më Skënderbeun, që ishte nisur ti bëhej shok lufte Huniadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vushtrrisë, u përpoqë me duk Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit.

Tërheqin vëmendjen sidomos burimet, që dolën pas betejës, të cilat së bashku me epikën popullore kanë ngatërruar personazhet e Betejë së Parë me ato të Betejës së Dytë të Kosovës. Si shembull, këtu, duhet shikuar veprën me përmasa evropiane të humanistit raguzan, Mauro Orbini (1601), e ndonjë tjetër pas tij…!

Jahja Drançolli

Filed Under: Rajon

Ismail Qemali, ai që me rilindës të tjerë shpalli që “… Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”

October 16, 2023 by s p

“Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”, janë fjalët e atit legjendar të kombit tonë, Ismail Qemali. Ky është psalmi i një zëri të lartësuar në qëllimin e hyjshëm të betimit në flamur dhe ideal.

Plaku i urtë i Vlorës, mendja e ndritur e shqiptarisë, zemra e gatuar me idelin e lartë kombëtar, shpirti i dritur në aktin historik të lindjes së Shqipërisë, Ismail Qemali, kryerendi në aradhën e gjatë të atyre patriotëve, të cilët me mish e me gjak, me vullnet e besim, me ngulm e vendosmëri e bënë realitet ëndrrën e mëvetësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

Më 16 tetor të 1846, në Kaninë të Vlorës, në një familje bejlerësh fisnikë, lind Ismail Qemali. Ai arsimohet në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” vatër edukimi kulturor për shumë figura të Rilindjes Kombëtare. Pastaj, i ri në moshë, Ismail Qemali shkon në Stambull me synimin për t’u bërë nëpunës qeveritar; fillon të punojë si përkthyes diplomatik a në Ministrinë e Jashtme. Dhe këtu nis karriera e tij; pas disa vitesh, ai emërohet zëvendësministër i jashtëm i Perandorisë Osmane. Në vitin 1877, kur mentori i tij, kryeministri reformator Mitat Pasha shkarkohet nga posti, Ismail Qemali jep dorëheqjen. Ai internohet në Anadoll. Më vonë Sulltani kujtohet për ‘të, e thërret dhe e cakton guvernator të Bejrutit. Ismail bej Qemali shërbeu si guvernator e vali edhe në shumë rajone të tjera të perandorisë, si dhe në Ballkan. Ismail Qemali i përkiste krahut liberal të politikës osmane, ai vazhdimisht bënte thirrje për ide të reja e reforma, nëse perandoria dëshironte të mbijetonte.

Megjithatë, idetë e tij për reforma në gjirin e perandorisë, shiheshin me sy të keq dhe në maj 1900, Ismail Qemali hypën në jahtin e ambasadorit britanik në Stambull dhe kërkon strehim politik. Ai ikën nga Turqia dhe për 8 vjet jeton në mërgim, duke u përpjekur nga jashtë për një perandori kushtetuese, dhe përparimin e çështjes kombëtare shqiptare në kuadër të perandorisë.

Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, Ismail Qemali zgjidhet përfaqësues i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman Në vitin 1909, ai bëhet kryetar parlamenti, por pas pak ditësh detyrohet të largohet nga Stambolli përgjithmonë. Pas kësaj, karriera e tij politike përqendrohet vetëm në çështjen atdhetare shqiptare: ai dallohet si frymëzues i kryengritjeve anti-osmane dhe organizues i kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Më 28 Nëntor të po atij viti, Ismail Qemali mbledh kuvendin në Vlorë; shpall Shqipërinë e Pavarur; ngre zyrtarish flamurin e kuq të Skënderbeut me shqiponjën e zezë dy-krenare; dhe emërohet presidenti i parë i shtetit të parë shqiptar, kryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke shkurajuar – me aq fuqi sa shteti i ri kishte – trupat e vendeve fqinje të cilat synonin të merrnin pjesë territoresh të banuar nga shqiptarët. Në janar 1914, Ismail Qemali jep dorëheqjen a rrëzohet dhe shkon në mërgim në Paris. Kryetari i parë i shtetit shqiptar vdes papritur në Itali në vitin 1919. Dhe këtu këputen edhe “Kujtimet..” e tij të cilat mbyllen me largimin e princ Vidit nga Shqipëria në shtator 1914.

Telegrafisht për “Babain E Kombit”

Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.

Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.

Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.

. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë. Flamuri i kuq me shqiponjën dykrensh, që Ismail Qemali ngriti në Vlorë duke e shpallur botërisht Shqipërin e lirë dhe të pavarur, është një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.

Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.

Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.

Ismail Qemali ishte dhe mbeti një figurë qendrore e përkatësisë sonë identitare. Me të u lind e drejta jonë për komb, u valëvit flamuri i Skënderbeut për të dëshmuar se ne i përkasim dhe meritojmë të jemi dhe të lartësohemi në radhën e gjithë kombeve të tjera.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Histori

DR. DOM LUSH GJERGJI: VEPRA-HOMAZH PËR NËNËN TEREZE, NACIONIN DHE KOSOVËN

October 16, 2023 by s p

Dom Lush Gjergji - Jeta, Dashuria, Dëshmia
DR. DOM LUSH GJERGJI: VEPRA-HOMAZH PËR NËNËN TEREZE, NACIONIN DHE KOSOVËN

Nga Isak A H M E T I

I. Në vend të shënimit hyrës – pak biografi

Dr. Dom Lush Gjergji, prift katolik shqiptar i Ipeshkvisë së Kosovës me të cilin me lidhë shumëçka që nga fëmijëria e deri me sot, u lind me 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme të Karadakut, Komuna e Vitislë. Shkollën fillore katër klasët e para i kreu në vendlindje, klasën e pestë në Viti, kurse klasët e fundit të fillores në Zhegër.

Gjimnazin klasik e kreu në Dubrovnik tek Jezuitët ku ishim bashkë të një gjenerate.
Vitin e parë të filozofisë e kreu në Split, ndërsa vitet e tjera dhe magjistraturën në filozofi i kreu në Romë. Poashtu në Romë ka diplomuar teologjinë pranë Universitetit të famshëm PROPAGANDA FIDE-URBANIANA. Paralelisht me studimet universitare të filozofisë dhe teologjisë i ka kryer edhe studimetv universitare dhe pasuiniversitare në Institutin e Psikologjisë në USH “LA SAPIENZA” në Romë ku edhe ka doktoruar me 1975, me temën: LA DONA ALBANESE (GRUAJA SHQIPTARE), pjesë të të cilës, në formë të librit, i ka botuar në shqip me 1977, në Sarajevë, ndërsa autori i këtij shkrimi, unë Isak Ahmeti, kam shkruar dhe publikuar artikullin e parë vlerësues në Kosovë për këtë libër (Drita, revistë fetare-kulturore 3 maj 1978.

Pas përfundimit me sukses të doktoratës, Dom. Lushi kthehet në Kosovë ku, përveç veprimrarisë meshtarake merret me shkrime dhe me aktivitete të tjera brenda dhe jashtë vendit, që nderojnë jo vetëm Dom Lushin por edhe Nënën Tereze, Nacionin dhe Kosovën. Vite me radhë ishte redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetare-kulturore “DRTA” dhe i SHB “DRITA” në Ferizaj. Ka sherbyer si famullitar në Binçë por edhe si Vikar gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës. Është anëtar i LSH të Kosovës dhe anëtar i Akademisë së Arteve me seli në Paris…

II. Emër i krahasueshëm edhe me Barletin

Një figurë emblematike në kulturën tonë bashkëkëhore është padyshim edhe ajo e Dom Lush Gjergjit, emër i njohur në Evropë dhe botë. Ky personalitet i fuqishëm krijues, përveç si autor i shumë veprave kulturore dhe fetare, ndër qarqet kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare, njihet edhe si biograf zyrtar i Nënës Tereze. Monografitë e mrekullueshme, do thoshim monumentale, të tij për figurën, për jetën dhe për veprën e Nënës Tereze tashmë edhe zyrtarisht e shpallur shenjtëreshë nga Vatikani, janë përkthyer në shumë gjuhë botërore dhe janë botuar nga shumë shtëpi të njohura botuese në botë që nga Europa e deri në SHBA.

Lirisht prandaj mund të thuhet se botimi i veprave të tij në gjuhët botërore është një fenomen i rrallë mbase i parendomtë i botës sonë kulturore, fetare dhe publicistke-letrare Shumë nga veprat i tij tashmë nuk i përkasin vetëm kulturës sonë por edhe kulturës evropiane dhe botërore tamam ashtu siç i përkët tërë botës edhe vetë Nëna jonë Tereze.

E shoh të arsyeshme të theksoj me këtë rast se Noli ynë, duke shkruar për Marin Barletin (lexo: Marin Bardhecin!), thoshte se ai, pra Marin Barleti, në.veprën e tij elegante dhe me stilin e tij të kujdesur ka fituar këndinjës anembanë botës dhe e ka bërë të pavdekur kujtimin për Skënderbeun në Evropë dhe botë. Edhe për Dom Lushin do thoshim se me veprën e tij për Nënë Terezen, Lajmëtare e Paqes së Hyjit në botë, me gjuhën e tij elegante dhe me stilin e tij të kujdesur, origjinal, ka fituar lexues anembanë botës dhe e ka bërë të pavdekur kujtimin për Nënën Tereze në Evropë dhe botë duke e paraqitur dhe mbtojtur dinjitetshëm identitetin shqiptar të saj.

Ç’është e vërteta, atë çka e ka bërë me uratë dhe vepra humane Nëna jonë Tereze po e bën me penë autori ynë, Dom Lushi, emër i njohur në Evropë dhe botë.

III. Një pasqyrë e shkurtër (kronologjike) e veprave të Dom Lushit në gjuhët botërore

Dom Lush Gjergji është autor i shumë veprave fetare dhe kulturore që kanë vlera shumëdimensionale. Por më se tepërmi ai do çmohet ndër qarqet kulturore dhe fetare, kombëtare dhe ndërkombëtare, si biograf zyrtar i Nënës Tereze. Në këtë kontekst, prandaj, është me rëndësi të theksohet se pas botimit të veprës së tij të parë shqip me titull: ROLI I FEMRËS SHQIPTARE NË FAMILJE DHE SHOQËRI (1977), autori në fjalë boton librin tjetër në shqip me titull: NËNA JONË TEREZE, SHB “DRITA” FERIZAJ dhe KS-Zagreb 1980.

Sipas vlerësimeve të përgjitshme është ky libri bazor biografik i Dom Lushit që është përkthyer më se shumti në gjuhë të huaja, por që i ka shërbyer jo vetë. këtij autori por edhe autorëve të tjerë shqiprarë dhe të huaj për libra të tjerë me të njejtën tematikë.
Libri: NËNA JONË TEREZE, është libri i parë i një autori shqiptar, në gjuhën shqipe, dhe biografia e parë e plotë e Nënës Tereze. Ky libër do të përkthehet në shumë gjuhë të huaja si p.sh. kroatisht, sllovenisht, italisht, frëngjisht, spanisht, rumanisht, anglisht etj.

Me 1986, me rastin e kremtimit të 75 vjetorit të lindjes së Nënë Terezes, autori boton në shqip librin tjetër, të dytin me radhë, për Nënën Tereze me titull:

LULE PËR NËNËN, SHB “DRITA”, FERIZAJ –

KS, Zagreb, 1986.
Është ky një libër ekskluziv, libër – homazh – Lule për Nënën, me 165 autorë, ku janë përfshirë kontributet e çmueshme të artit (poezi, prozë, pikturë, skulpturë, muzikë, kushtuar motrës sonë, Nënës Tereze, Nënë e botës, Gonxhe Bojaxhiut. Pas bitimit shqip, një vit më vonë, ky liblr përkthehet dhe botohet edhe në gjuhën italiane, por me një titull paksa më përkufizues se shqip:

MADRE TERESA LE SUE RADICI

(që në shqip i bie: NËNA TEREZE DHE RRËNJËT E SAJ) Emi – Pieme, Itali, 1987.
Përkthimi me përkushtim dhe elegancë gjuhe dhe stili i këtij libri tematik nga poetja italo arbëreshe, Kate Cukaro, hap njëkohësisht edhe një udhë për afirmimin e mëtejmë jo vetë të autorit në fjalë, të Nënë Terezes por edhe të autorëve të tjerë shqiptarë që janë marrë dhe merren me zejen e artit.

Si njëri nga njohësit më të afërt jo vetëm të jetës dhe veprës së Dom Lushit (me të cilin kam bashkëpunuar me dekada sidomos në fushën e shkrimeve, e shoh të arsyeshme të theksoj se ai, përveç në gjuhën amtare shqipe, sumicën e veprave të tij i ka shkruar drejpërdrejt në gjuhën kroate dhe italiane, ku ka shtjelluar shumë tema e me theks të veçantë temën që lidhet me figurën e Nënë Terezes në të gjitha dimensionet e saj. Në kontekst me këtë le të theksojmë p.sh. se me 1990 autori në fjalë ka shkruar dhe botuar italisht veprën e tij me titull:

MADRE TERESA – LA MADRE DELLA CARITA

Velar, Bergamo, Itali, 1990, që për çdo vit është ribituar në gjuhën italiane. Mirëpo kjo vepër monografike, për shkak të vlerave shumështresore (edhe të historisë shqiptare (mbasi që aty kemi edhe pjesë dhe shënime historike mbi origjinën, traditën dhe gjuhën shqipe …që është mburojë e pathyeshme e Ballkanit dhe Evropës ), është përkthyer dhe botuar edhe në disa gjuhë botërore si: anglisht (1991), spanisht (1992), frengjisht (1993), polakisht (1994), gjermanisht (1995), etj.

Në vitin 1995 ka shkruar dhe botuar italisht veprën tjetër të radhës me titull:
VIVERE, AMARE, TESTIMONIARE (LA SPIRITUALITA DI MADRE TERESA) që në shqip i bie: ME JETUE, ME DASHTË, ME DESHIRUE, PËRSHPIRTMËRIA E NËNËS TEREZE, Botues: VELAR, 1985. Është ky një studim monografik i strukturuar në tri pjesë:

I. TË JETOSH ME KRISHTIN,
II. TË DASHUROSH ME MARINË dhe
III. TË DËSHMOSH ME KISHËN. Është ky interpretimi i parë teologjik i Nënës Tereze duke u mbështetur në tekste biblike, në dokumentet e Koncilit të II-të të Vatikanit dhe në mësimet, porositë dhe dëshmitë e saja për botën e sotme. Ky libër është botuar edhe kroatisht, madje është edhe botimi amerikan me titull:

Lush Gjergji: MOTHER TERESA, TO LIVE, TO WITNESSE HER SPIRITUAL WAY, NEW CITY PRESS, NEW YORK, 1998.
Me 2002, Dom Lushi ka botuar në gjuhën italiane edhe një libër xhepi me titull:
MADRE TERESA, L’AMORE IN AZIONE
(që në ship i bie: Dashuria në veprim), Ed.VELAR, 2002. Po këtë libër autori; me 2002, e ka botuar edhe polonisht.

Ç’është e vërteta, librat e Dom Lushit, si publikime të rralla, luksoze dhe të veçanta, në gjuhët botërore janë një dhuratë e çmueshme për njerëzimin, janë njëkohësisht edhe ura afrimi dhe komunikimi, që paraqesin NËNËN TONË TEREZE, si një shembull përsosmërie në botë.

Vepra e tij si p.sh. ajo me titull:

LA MADRE DELLA CARITA

(NËNA E DASHURISË) si publikim i rrallë dhe i veçantë është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës dhe ka arritur një shifër rekord: në 4 milonë kopje, 500 prej të cilave me një lidhje speciale, të mbështjella në lëkurë ariu të bardhë të zonave polare, iu kanë dhuruar shumë personalitetve të njohura botërore si dhe Atit të shenjtë Papa Gjon Pali II.
Një eveniment par excelence n’Evropë dhe botë.

Është me rëndësi të theksohet këtu se shumicën e veprave të tij, lekturimin e të cilave e kam bërë unë, ai m’i ka dhurar me dedikim në shenjë nderimi dhe falëbderimi për çka e falënderoj nga zemra.

IV. Kosova dhe nacioni

Përveç trajtimit me përkushtim dhe dashuri të figurës së Nënë Terezes, autori në fjalë ka trajtjar, madje mjaft shpesh, edhe temën e KOSOVËS dhe të NACIONIT.
Ai do dallohet dhe çmohet edhe si autor dhe koautor i disa librave në gjuhën italiane për Kosovën, për Levizjen Paqësore dhe qëndresën e popullit shqiptar të Kosovës, për tolerancën e shqiptarëve të kultivuar ndër shekuj, për aspiratat shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi etj. Në këtë kiontekst po përmendi librin e tij :

RESISTENZA NON VIOLENZA NELLA EX-JUGOSLAVIA DAL KOSOVO…
REZISTENCA JO VIOLENTE NË ISH JUGOSLLAVI KOSOVA -DËSHMI DHE PROTAGONISTË, EDITRICE HISTORIA ITALIANA, 1993. Ky libër, siç dihet tashmë, i botuar së pari në italisht dhe më pas edhe në anglisht, konsiderohet kontribut i veçantë në senzibilizimin e kauzës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Ky libër ka shërbyer dhe shërben edhe si literaturë në shkollat e Italisë.

V. Vepër homazh …

Vepra e Dom Lushit është homazh jo vetëm për NËNËN TERZEZE – LAJMËTARE E PAQES SË HYJIT në botë, por edhe për NACIONIN dhe KOSOVËN. Ky është edhe trinomi: NËNA TEREZE, NACIONI dhe KOSOVA që përshkon opusin krijues të Dom Lushit, që është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës.Fenomen i rrallë dhe i parendomtë, gjithsesi.

Në Durrës, 2006-2023.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT