• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

PËR NJË GJYSMË ËNDRRE TË FATOS ARAPIT DHE TONËN…

October 12, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

U bënë vite që poetin Fatos Arapi nuk e shohin më rrugëve të Tiranës dhe vërtet miqtë e tij dhe të poezisë së tij e ndjejnë mungesën. Mua më duket se e ndjejnë dhe pemët trotuareve, ku ai ecte shkujdesshëm, me pak nxitim kur ishte vetëm dhe ëndërrimtar, po aq njëlloj, megjithëse mosha ndryshonte, flokët iu zbardhën krejt e megjithatë, kur shihte ndonjë të njohur, koleg apo student të tij, ndalte dhe biseda, çdo bisedë, e bënte më të vëmendshëm e të përzemërt po aq. Kështu e kujtoj, teksa forcohej miqësia me të, mirëkuptim brezash dhe botëve të ndryshme. Ai e kishte kulturën e takimeve, e cila mungon ndjeshëm tek ne apo keqkuptohet dhe shpërdorohet. Të tjerët, shumicën, i kemi njohur nga kurrizet. Nëse nuk i kishim kuptuar si kishin ardhur, e dimë pse na kanë ikur…

Mbase e ka fajin gjysmë ëndrra, siç shkruan Fatos Arapi në një nga poezitë e tij. Ai sikur e kërkoi, më saktë sikur e zbuloi gjysmë ëndrrën tjetër të vetes pas ndryshimeve të mëdha, kur diktatura zhbëhej për t’u bërë ndryshe… dhe mbeti poet, Fatosi, i lirë për të qenë më i trishtuar dhe më i dhembshur se më parë dhe me zhgënjime sa të doje…

Gjithmonë më ka tërhequr gjysmë ëndrra tjetër, ajo e pathëna dot dhe u afrohesha shkrimtarëve me gjysmë ëndrrën e ikur, disave të burgosur, disave të vrarë bashkë me të. Gjysmë ëndrra e mbetur ishte më e rëndësishmja se gjysma tjetër apo më shqetësuese?…

Si Fatos Arapin, që kishte qenë partizan që i vogël, që kishte luftuar për lirinë, të cilën e përmendëte në poezi më shumë se të tjerët gjatë sundimit të socrealizmit, etj, kam njohur dhe shkrimtarin Kasëm Trebeshina, edhe ai kishte qenë partizan i egër, e pohon vetë dhe pas luftës, atë e çuan të studionte për dramaturgji në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, kurse Fatos Arapin për ekonomi në Bullgari, në Sofje. I arritën ëndrrat? Gjysmën?

Pse po i kujtoj bashkë këta të dy? Apo më avitet imazhi, ku jam bashkë me ta?

Fatos Arapi më pas u bë pedagog universitar, poet i njohur, kritikohej herë pas here për modernizma dhe hernetizëm, e largonin, etj, kurse Kasëm Trebeshinën e kthyen nga Leningradi në atdhe si të çmendur se doli kundër Realizmit Socialist dhe e burgosën… a i mbeti gjë nga gjysmë ëndrra e tij dhe gjeti brenda telave me gjëmba gjysmë ëndrrën tjetër? Apo janë viktima të idealit të tyre, njëri si i burgosur politik dhe tjetri si poet i njohur i Realizmit Socialist, që mundohej t’i shmangej?

Në burg e dëgjova së pari emrin e Kasëm Trebeshinës. Mua më kishin burgosur për ëndrrën e poezisë, që e kisha dhe poezi të ëndrrës dhe këto nuk janë dy gjysmat e së tërës, por copëza të thyera në duart e mia që m’i përgjakën.

Unë isha pjesë e gjeneratës më të pafat, që vinte pas atyre të fitimtarëve, madje nga kundërshtarët. Na shikonin me dyshim, si armiq, gjithë me vrer, që ende nuk u ka ikur, edhe pse komunizmi ra në shkallë botërore, ra ëndrra e fitimtarëve si një çati e na zuri nën vete, edhe ne, të mundurve, por mbetëm mbi gërmadha më të lirë se kurrë, më të lirë se ata që na burgosën…

Dhe u përziemë të persekutuar e persekutorë, poetë që kishin qenë burgjeve dhe poetë që kishin futur burgjeve, etj, etj, na bashkonte poezia, kështu m’u duk, por në fakt ajo dhe na kishte ndarë… Po sot do flas që poezia na kishte bashkuar. A ishte dhe kjo një gjysmë ëndrre? Për të tjerët s’e di, për mua… prapë s’e di. Kur doja poezinë, doja dhe atë që e shkruante.

Më pëlqenin takimet me poetin Fatos Arapi. Ai kishte diçka atërore, të mirë. Në atë kohë mallëngjehej shpejt. Por atit i falet shumëçka… Ndërsa Kasëm Trebeshina ishte zemëruar me të gjithë atdheun, me të gjallët e të vdekurit…

Poetë bashkëvuajtës nuk kisha afër kur dola nga burgu dhe pothuajse të gjithë që njihja, nuk guxonin të më flisnin. Me të ndryshuar kohët, ndryshuan dhe ata. Poezia jonë, që kishim shkruar fshehurazi burgjeve dhe internimeve, në fillim i trallisi, po e çmonin, pastaj s’e di, po e shihnin si akuzë ndaj vetes a rivale a të dyja bashkë dhe po e përflisnin, po e shmangnin, u arrit në absurde të padëgjuara duke lavdëruar poezitë që nuk ekzistonin, të ndonjë poeti që kishte qenë në burg, por s’kishte shkruar dot atje, etj, madje ndonjë gazetë që ribotonte poezi të dikurshme të ndonjë poeti, nuk harronte të vinte shënimin në krye sikur të kushte rëndësi që ato s’ishin “poezi burgu”, kur dihet që s’mund të ishin, se autori vetë s’kishte qenë ndonjëherë në burg, por shokë të tij. Po ç’kishin, pra me poezitë e tyre, kur ato nderonin letrat shqipe, që s’u përulën… Të ishte faji i gjysmë ëndrrave? Mos e përgjysmonin njeriun kështu?

Poeti Fatos Arapi po nxirrte libër pas libri me poezi. Të hollë si flatrat. Me autografin si fill fjongoje. Shtoheshin dhe shëtitjet me të. Ndodhte të shkonim bashkë dhe në takime poezie, edhe jashtë vendit, në Itali, po ai mori dhe “Kurorën e artë” në Festivalin e Strugës në Maqedoni…

Pastaj s’po vinte më në Kafe “Europa”, ku e prisnin dhe miqtë, poetët Xhevo e Pano, etj, etj. Degjoheshim në telefon, më falenderonte që kujtohesha, nuk ndjehej dhe aq mirë me shëndet, sytë i ishin dobësuar shumë… dhe më kujtohedhin poezitë e tij me Homer. Gjysmë ëndrra tjetër kishte ardhur tek ai si poet. Po e sjell dhe poezinë e tij. Ai tashmë i plotë vezullon në mugëtirën e letrave shqipe. Dhe një poezi të prozatorit Kasëm Trebeshina që pret natën të ëndërrojë dhe atë vazhdojnë ta përgjysmojnë pa ndërprerje. Ëndrra e tyre tashmë është e përplotësuar e tërë në Qiell.

Po kam dhe unë një poezi për ëndrrat, e kam shkruar në burg, kur s’desha zgjim, se realiteti ishte më i keq. Në kërkim ende të gjysmës tjetër.

– Sille ti! – Kjo është kredoja ime…

Filed Under: LETERSI

BASHKËPUNIMI NDËRFETAR NË ELBASAN DHE PAVARËSIA

October 12, 2023 by s p

Prof. Dr. Roland Gjini
Pergjegjes i Qendres se studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike.
Universiteti i Elbasanit/

Ka kohë që shqiptarët, veçanërisht ata të Shqipërisë, cilësohen si tolerantë ndaj besime të ndryshme fetare, apo akoma më tej, ata jo vetëm bashkëjetojnë mes tyre, pavarësisht nga lloji i besimit, por edhe bashkëpunojnë ngushtë për çështje të ndryshme të përparimit të vendit. Vlerësime të tilla i ndeshim që herët, por në kohët aktuale, kur në rajone të ndryshme të botës po shtohen konfliktet me bazë fetare, qëndrimi i shqiptarëve ndaj besimtarëve të feve të ndryshme merr rëndësi të veçantë. Toleranca dhe bashkëjetesa e shqiptarëve të besimeve të ndryshme është vlerësuar në kohët e tanishme edhe nga drejtues të lartë të feve, siç është rasti i Papa Gjon Pali II, në vizitën në Shqipëri të prillit 1993 dhe papa Franceskut, në vizitën e shtatorit 2014, të cilët theksuan se harmonia fetare shqiptare shërben si një shembull për të gjithë opinionin fetar botëror.
Në mënyrë të veçantë, ndër shqiptarët, për tolerancë e bashkëjetesë fetare janë shquar e shquhen banorët e Elbasanit dhe të trevave përreth. Pa rënë në pozitat e determinizmit gjeografik, është fakt që Elbasani dhe trevat e tij ndodhen në mesin e Shqipërisë, atje ku kryqëzohen arteriet kryesore të rrugëve nga perëndimi në lindje e nga veriu në jug, e bashkë me to edhe kulturat, idetë e besimet e të gjithë shqiptarëve. Ky pozicion i mesëm gjeografik përkon edhe me natyrën dhe karakterin e elbasanasve. Nuk ka përfaqësues të çdo besimi apo feje, ashtu si edhe pjesëtarë të etnive dhe komuniteve të ndryshme etnokulturore, të ndodhur në Shqipëri, që të mos jenë vendosur gjatë rrjedhës së kohës në Elbasan. Këtu ata gjetën një terren e ambient të përshtatshëm të banorëve vendas, mbi të gjitha butësinë, mikpritjen dhe bashkëjetesën pa probleme, madje të ngrohtë e bashkëpunuese. Në Elbasan e trevat përreth gjenden besimtarë apo banorë të përkatësisë fetare pothuaj të të gjitha feve që gjenden në Shqipëri. Në rrjedhën e historisë, të paktën nga fillimet e Rilindjes Kombëtare (shek XIX) e këtej, në marrëdhëniet mes feve të ndryshme në këtë qytet e trevat përreth, spikatën vlera të rëndësishme, ku më e rëndësishmja është arritja e Pavarësisë Kombëtare.
Bashkëjetesa e feve në Shqipëri, ashtu si toleranca, është bërë objekt diskutimi mes studiuesve të ndryshëm. Që nga Rilindja Kombëtare, kur fjalët lapidar të Pashko Vasës, apo Vaso Pashës, se feja e shqiptarit është shqiptaria, në këto diskutime janë përfshirë edhe studiues të huaj. Kështu, njeri prej tyre, italiani Roberto M. dela Roka, shpjegon se thelbi i nacionalizmit del në dritë si identitet parësor i çdo shqiptari, pavarësisht nga besimi fetar.
Bashkëjetesa dhe toleranca në Elbasan, e shfaqur që herët, gjatë Rilindjes Kombëtare, çoi në një bashkëpunim të ngushtë mes përfaqësuesve tëbesimeve tëndryshme, si në lëvizjen e armatosur antiosmane, ashtu edhe luftën me penë, për shkrimin e mësimin e gjuhës shqipe.
Populli dhe patriotët e Elbasanit dhe të trevave përreth kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit mes tyre për çështje të rëndësishme të përparimit, të lirisë e pavarësisë së vendit, pavarësisht nga besimi fetar që ata i përkisnin. Gjatë shekullit XX, nën gjurmët e Dhaskal Todrit, dhe Kristoforidhit, ecën përkrah njëri-tjetrit, për mësimin e gjuhës shqipe dhe shkollën shqipe, me dhjetra atdhetarë të tjerë të përkatësive të ndryshme fetare, deri në shpalljen e Pavarësisë.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, para se të hapej shkolla e parë shqipe legale, në Elbasan dhe në Shpat vihet re mësimi i shqipes në mënyrë klandestine apo shëtitëse, bazuar në abetaren e Kristoforidhit. Mësuesit e parë të gjuhës shqipe u rreshtuan për krah njëri-tjetrit, pavarësisht nga përkatësia fetare, ortodoksë, muslimanë apo bektashinj. Përmendim mes tyre Muç Shqiptarin, Tush Pinën, Hasan e Fetah Cekën, Mahmut Hastopallin, Gor Lekën, Ali Çiften, Sheh Hysen Sulovën, Petër Papamihalin, Hasan Gracenin, Emin e Qazim Matraxhiun, Tush Xhanin, Dije Tellallin, Hasan Bebetin, Damjan Borodanin, Vasil Llapushin e të tjerë.
Patriotët elbasanas, pavarësisht nga përkatësia fetare, gjykonin se pavarësia e feve i shërben edhe pavarësisë kombëtare. Prandaj, besimtarët e feve të ndryshme, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, mbështetën përpjekjet për pavarësitë e feve dhe për t’u shkëputur nga qendrat jashtë vendit, sidomos nga Patrikana greke e Stambollit. Në mënyrë të veçantë përmendim rastin e figurave të njohura muslimane apo bektashiane që i dolën në krah At Germanos (Papa Jorgji Theohari), në luftën e tij për kishën unite, si Dervish Bej Biçaku, Ismail bej Vërlaci, Aqif Pashë Elbasani, etj. Më pas do të shohim se figura të njohura muslimane dhe bektashiane do tëmbështetin përpjekjet e At Visarion Xhuvanit për autoqefalinë e kishës ortodokse.Pra këto lëvizje nuk ishin vetëm lëvizje fetare por edhe patriotike.
Më tej, në përkrahje tëkërkesës së shpatarakëve për shkollën shqipe dhe kishën unite nënshkruan jo vetëm besimtarë ortodoksë, por edhe mjaft krerë të njohur të lëvizjes patriotike dhe intelektualë me përkatësi fetare muslimane apo bektashiane.Në mbrojtje të kësaj kërkese, nështator të vitit 1900, Papa Jorgji (Atë Germanos), i shoqëruar nga dom Nikoll Kaçorri si dhe njerëz besnikë të feudalit elbasanas jo i krishterë, Dervish Beut, bën një vizitë te Papa i Romës. Pas një qëndrimi afro një muaj këtu, Papa Jorgji mori premtimin nga Ati i Shenjtë për ngritjen e një shkolle shqipe, ndërtimin e kishës së krishterë katolike në Elbasan, si dhe dërgimin e nxënësve të rinj, për t’u shkolluar në qendrat e njohura arsimore fetare e laike të Vjenës.
Shembullin më të qartë të bashkëpunimit mes figurave atdhetare me përkatësi të ndryshme fetare na e jep LefNosi. Lefi u dallua si kundërshtar i hapur i ortodoksisë greke, gjithashtu ai arriti të bashkëpunojë me sukses në lëvizjen kombëtare me figura elbasanase të lagjes Kala të përkatësisë fetare muhamedane, veçanërisht me Dervish Bej Biçakun dhe Aqif pashë Biçakun, duke dëshmuar kështu shembullin më të spikatur të harmonisë ndërfetare.
Për çështje madhore të lëvizjes sonë kombëtare Lef Nosi bashkëpunoi, pa asnjë paragjykim, edhe me figura të njohura atdhetarejo të krishtere jashtë Elbasanit. Kështu ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike AnaKombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party),e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, e cila ka programin e saj të qartë prej 24 pikash, ku sëpari, kërkohej një shtet i pavarur shqiptar sipas modeleve të monarkive të përparuara europiane, në mënyrë të veçantë të Anglisë.
Kongresi mbarëkombëtar i Elbasanit, i mbajtur në shtator të vitit 1909, dëshmon për një frymë të qartë bashkëpunimi ndërfetar, parë që nga pjesëmarrja e delegatëveve, kështu, delegatët e Elbasanit, që përfaqësonin qytetin e tyre apo qytete të tjerë të vendit ishin: Emin Haxhiadem Shijaku, Taq Buda, Dervish Bicaku, Qamil Haxhifeza, Simon Shuteriqi, Josif Haxhimima, Qemal Karaosmani, Ibrahim Dalliu, Ahmet Dakli. Po kështu, mësuesit e parë të shkollës Normale që u hap në dhjetor të po këtij viti, vinin nga përkatësi të ndryshme fetare, madje më gjerë, përveç muslimanë dhe ortodoksë, janë edhe me përkatësi fetare katolike. Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja, Hafëz Ibrahim Dalliu, Petër Dodbiba, Sotir Peci, Dhimitër Paparisto, Hysen Blloshmi. Po kështu, me përbërje muslimane, ortodokse e katolike ishin edhe nxënësit e kësaj shkolle.
I vendosur në përdorimin e afabetit latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, populli i Elbasanit organizoi mitingun madhështor, më 18 shkurt 1910, në sheshin e Namazgjasë, me pjesëmarrjen e 7000 qytetarëve e fshatarëve të ardhur nga Shpati dhe nga katunde të tjera të Elbasanit, kundër vendimit të qeverisë së osmanëve të rinj për të përdorur në shkollat shqipe vetëm alfabetin arab. Ky demostrim, sikurse edhe të tjerë në qytete të ndryshme të vendit, gjeti mbështetjen e rretheve patriotike brenda e jashtë kufijve. Shtypi i kohës do të shkruante për mitingun e Elbasanitse këtu u mblodhën muslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lef Nosit, Muç Shqiptarit, Beqir Plangaricës e të tjerë“…që patën mëndjen e bukurë për të parën herë të çfaqin mentimin qi duhet bamun nji miting prej kombëtarëve të këtushëm… që të protestohet kundër mentimit të paarsyeshëm të shkruhet shqypia me shkronjat arabishte …”.
Në fillim të qershorit të 1912-ës në shtëpinë e patriotit elbasanas, Ali Agjahut, nën kryesimin e Aqif Pashë Biçakçiut, u zhvillua mbledhja që vendosi shpërthimin e kryengritjes në trevën e Elbasanit, në kuadrin e Kryengritjes së Përgjithshme antiosmane. Po në këtë mbledhje u ngrit edhe Komiteti Revolucionar, ku, krahas muslimanëve bënte pjesë edhe Lef Nosi dhe ortodoksë të tjerë elbasanas si dhe nga Shpati. Ky komitet mori përsipër detyrën e organizimit dhe shpërthimit të kryengritjes në prefekturën e Elbasanit.
Ndërkaq, besimi i madh që kishte Aqif Pashë Elbasani te Lef Nosi, si aktivist i vyer në dobi të lëvizjes kombëtare, i mundësoi atij, bashkë me Shefqet Daiun, Qemal Karaosmanin e Dervish Biçakun, zgjedhjen si delegatë të krahinës së Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, të 28 nëntorit të vitit 1912. Ndërsa vet Aqif Pasha, i qetë se në Vlorë mes të tjerëve është edhe bashkëpunëtori i tij, Lefi, qëndroi në Elbasan për t’u përballur me ushtritë serbe që po përparonin përgjatë luginës së Shkumbinit.
Bashkëpunimi i ngushtë mes patriotëve e veprimtarëve elbasanas me përkatësi të ndryshme fetare u finalizua në 25 Nëntor 1912, ku populli i Elbasanit, muslimanë e të krishterë përkrahën nismën e platformën e re politike të Ismail Qemalit, duke bërë që ky qytet të ishte i pari në vend që shpalli pavarësinë. Po të shohësh listën e firmëtarëve të këtij akti, vëren se nga 35 firmëtarë 25 janë të besimit musliman apo bektashian dhe 10 të besimit ortodoks, përqindje kjo që përputhet natyrshëm me raportin muslimanë – të krishterë në Elbasan. Prandaj kjo datë që ne përkujtojmë sot, ka vlera jo vetëm për historinë tonë kombëtare, por edhe për faktin se ne elbasanasve, muslimanë e të krishterë, na bën krenarë.

Filed Under: Mergata

RESPEKTE PËR LUFTËTARIN E UÇK-së DRITAN GOXHAJ

October 12, 2023 by s p

ASLLAN BUSHATI/

Kur e arrestuan u mërzita shumë dhe kur e liruan (dje) u gëzova shumë. Nuk e njoh e nuk e kam takuar kurrë si person. Por kam njohur nga afër babain e tij, ish kolegun tim të nderuar Kolonel Dilaver Goxhaj. Ai ishte ushtarak shumë i aftë vecanërisht në fushën e mbrojtjes kundërajrore (por jo vetëm). Ishte dhe është intelektual ushtarak me formim e përkushtim të thellë për ceshtjet e mbrojtjes kombëtare. Njëkohësisht ishte dhe pjestarë i Shtabit Përgjithshëm të UCK-së në kohën e luftës për clirimin e Dardanisë. Marrë shkas nga sa më sipër, ndjej respekt të thellë për të dy babë e birë, Dilaver e Dritan Goxhaj sepse dhanë kontributin e tyre personal në clirimin e Dardanisë nga bisha serbe. Këtu po flas vetëm për anën ushtarake e atdhetare, sepse qëndrimet politike janë zgjedhje personale, unë i kam të djathta e dikush të majta , por kur vjen puna tek atdheu kemi një qëndrim.
Duke vënë këto rrjeshta nën titullin “Respekt për luftëtarin e UCK-së Dritan Goxhaj”, nëpërmjet tij, dëshiroj të ritheksoj dy- tre problem madhore që lidhen me luftën e UCK-së.
Së pari: Serbia prej një kohe të gjatë dhe pa asnjë argument, ka hedhur shumë baltë mbi veprimtarinë e UCK-së. Dhe ky baltëzim jo vetëm nuk është pastruar nga ndonjë ndërkombëtar, por hap pas hapi diku ka zënë vend dhe argesori serb është barazuar me clirimtarët dardanë. Jo vetëm kaq, por në Hagë janë dërguar për gjykim aq kriminelë serb sa mund të numurohen me gishtat e dorës, kurse clirimtar dardan shumfishi i tyre. Unë mund të pyes cfarë drejtësie është kjo? Si funksionon kjo peshore? Si mund të barazohet agresori, shtypsi e dhunuesi me clirimtarin? Pjesë e kesaj”drejtësie” janë në paraburgim prej kaq kohësh në Hagë edhe drejtuesit kryesorë të UCK-së. Pse?
Së dyti: Luftërari UCK-së Dritan Goxhaj është arrestuar, sepse në një shkrim ka thënë se disa dëshmitarë të thirrur nga kjo gjykatë nuk kanë treguar të vërtetën. Disa nuk kanë qënë fare në formacionet e UCK-së, disa hamendsojnë dhe disa e kanë bërë për interesa pagese, pra për mjete monetare. Por a jemi njerëz të lirë, shtypi a është i lirë, a mund të dënohet dikush për mendimet pa kryer vepra penale etj? Atëherë ju prokurorë hagianë hajdeni e më arrestoni edhe mu në NY, se kam bërë shumë herë më shumë “gabime” se Dritan Goxhaj. Në Shqipëri kam marrë pjesë në hartimin e programeve sekrete për stërvitjen e drejtuesve të UCK-së. Në NY kam marrë pjesë në fondmbledhje për mjetet monetare të UCK-së, kam ngritur e stërvitur “Batalionin Atllantiku”, i kam dhënë informacione ushtarake kundër serbëve Ambasadës Shqipërisë në Ushington DC, ish senatorit John McCain, ish kongresmenit Dana Rohrabacher, dy kolonelëve të Pentagonit ish këshilltarë në Shqipëri etj. Kam shkruajtur në shtyp hapur kundër vendimeve të Gjykatës së Hagës si e njëanëshme dhe mashtruar nga serbët, Dik Marti etj.
Së treti: ju prokurorë e gjyqtarë hagianë, po i gjykoni shqiptarët e Dardanisë me informacionet e shërbimit sekret serb. Me dosjet e përgatitura nga ata që kryen krime lufte e vrasje masive në Dardani deri në gjenpcid të vërtetë. Ju keni dhënë disa vendime gjyqësore shumë të padreja dhe të njëanëshme në gjykimin tim. Personalisht mendoj se koha do të hedh baltë më shumë mbi ju, se sa po hidhni ju mbi luftëtarët e UCK-së.
Së katërti: Aleksandër Vucic është ish paramilitar që ka marrë pjesë në krime në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Kosovë. Ka qenë ministri i Propagandës së Milloshevicit, arkitekt i shumë veprave kriminale në Dardani (përfshi edhe këtë të fundit të 24 shtatorit 2023), dhe ju vazhdoni të mbështeteni në infornacionet e tij? Kjo është turp për ju. Nga ky këndshikimi luftëtari UCK-së Dritan Goxhaj është dritdhënës sic ka emrin, jo vetëm për Dardaninë por për gjithë Kombin Shqiptar.

ASLLAN BUSHATI
Ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare.

Photo by: https://5pyetjet.al/

Filed Under: Komente

Shkruante “Corriere della Sera”, me 31 dhjetor 1940, të nesërmen e kortezhit madhështor të Fishtës, me titull: “Vdekja e Gjergj Fishtës – poeti kombtar shqiptar”

October 12, 2023 by s p

Frano Kulli/

Erdhi lajmi nga Shkodra se për shkak të nji goditje zemre, ka vdekë sot në mëngjes At Gjergj Fishta i Urdhnit Françeskan (OFM), akademik i Italisë dhe shkrimtar i shquem shqiptar.Fishta, i lindun në afërsi të Shkodrës në vitin 1871, mbaroi studimet fetare në Bosnje dhe u kthye në Atdhe mbasi u shugurue meshtar. Në Shkodër themeloi shkollën françeskane dhe filloi botimin e së përkohëshmes “Hylli i Dritës” . Të shumta janë botimet kulturore dhe letrare të cilave u dha jetë dhe zhvillim ky rregulltar. Poemat e tij, krijimet dramaturgjike dhe shkrimet e tij, qysh në fillim u drejtuen në përgjithësi për dhanjen e impulsit të zgjimit të ndërgjegjes atdhetare shqiptare. Si drejtor i Shkollës Publike të françeskanëve në Shkoder, futi aty gjuhën kombtare qysh nga viti 1902, kur ajo ishte e ndalueme rreptësisht nga Qeveria osmane.Mbas lëshimeve të kushtetutes turke të korrikut 1908, shqiptarët, te cilet kishin luejtë nji rol me randësi në atë revolucion, deshten të mblidhnin forcat intelektuale dhe t’i përfshinin në nji bashkësi të përbashkët, por vështirësia e parë në të cilen ndeshën ishte njësimi i alfabetit. Në Kongresin shqiptar të mbledhun për këtë qellim mori pjesë At Gjergj Fishta, i cili ia arriti që të bante që alfabeti latin të pranohej, që ma vonë u ba i përbashkët dhe zyrtar për të gjithë Shqipninë.Mbasi u ba nji ndër eksponentët kryesorë të Shqipnisë së ringjallun, ai mori pjesë në Konferencën e Paqës në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zevendes- kryetar i parlamentit. Në shenj mirënjohje, si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe për vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Akademinë Mbretnore të Italisë. Ndër publikimet e shumta të At Gjergj Fishtes kanë randësi krijimet poetike të frymzueme në pergjithësi prej legjendave shqiptare dhe të prime me përkujtue ndjenjat kombtare. Veç poemës në tridhjet kangë të titullueme “Lahuta e Malcise” , ai ka shkrue himne kishtare, lirika të ndryshme dhe satira me karakter politik. Luigi Federzoni ka marrë masat që Akademia e Italisë të ketë përfaqesuesin e vet në funeral, dhe i ka dërgue telegram ngushllimi familjes, kryeministrit të Shqipnisë, ministrit të Arsimit të Shqipnisë, parisë së etenëve françeskanë sidhe “Institutit Skenderbeg”, anëtar i të cilit ishte i ndjemi i shquem.

Filed Under: Kulture

Ndëshkimi i Serbisë në favor të paqes

October 12, 2023 by s p

Sulmi terrorist nga serbet  në Veri të Kosovës  me 24 shtator,  ku si qellim final  kishte aneksimin e këtij territori, të kujton vitin 1990 të serbëve në Knin të Kroacisë, por  në sajë të profesionalizmit të Policisë  së Kosovës, një plan i tillë dështoi, duke iu treguar se janë të përgatitur në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.  Ndërsa  pas kësaj date dialogu ne mes Serbisë e Kosovës,nuk mund të zhvillohet si deri me tash, sepse në favor të paqës Serbia duhet  të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar.

Nail  Draga

Ngjarjet e ndodhura në Veri të Kosovës me 24 shtator, nuk janë të rastit sepse ata ishin nën dirigjim të pushtetit në Serbi, ndërsa çdo arsyetim, duke ia mveshur këtë organizim serbeve lokal është tentim për të hequr  përgjegjësinë e një dështimi terrorist i cili si qellim ka pasur aneksimin e Veriut të Kosovës. Në lidhje mbi dështimin e këtij veprimi terrorist ka spekulime të ndryshme, por nga të gjithë vlerësohet angazhimi i strukturave shtetërore e në veçanti të  policisë së Kosovës, e cila arriti për një kohë të shkurtër të bllokoj veprimin e tyre, duke  dëshmuar  përgatitje dhe profesionalizëm. Ndonëse grupi terrorist  u vra një efektiv të policisë së Kosovës dhe u plagosën dy tjerë, nga grupi i terroristeve zyrtarisht janë pranuar se janë vrarë tre dhe plagosur disa të tjerë. Nga ana tjetër mbetet ende e pa zbardhur terheqja e grupit të terroristëve nga manastiri i Banjskës dhe kalimi në territorin e Serbisë, duke e ditur se ata kanë qenë  të rrethuar nga policia e Kosovës. 

Arsenal i armëve

Ndonëse në fillim është theksuar se në këtë aksion terrorist kanë marrë pjesë 30 indvidë, të armatosur me lloje të ndryshme armesh, me pas u dëshmu se ata kanë qenë rreth 90. Bëhet fjalë për konfiskimin e mijëra armëve, municioneve e pajisje të ndryshme dhe prezantimit opinionit të gjerë, ku ekspertet theksojnë se ata kanë pasur armatim për 200 individë, me vlerë rreth 5 milion euro. Gjatë ekspozimit, të tyre  në bazë të një analize fillestare, shumë prej këtyre armëve dhe municioneve janë përdorur në sulmet e serbëve ndaj Policisë si dhe KFOR-it më 29 maj në Zveçan, e po ashtu janë hasur gjatë operacioneve të shumta të konfiskimeve të armëve në veri. Këto armë e bëjnë të dukshme lidhjen e këtij grupi terrorist me zyrtarët e Listës Serbe, përkatësisht nënkryetarin e saj Milan Radojçiqin, si dhe shtetin e Serbisë.

Bartja e armatimit të tillë i cili ka qenë i lloj-llojshëm, pranë Banjskës, nuk është realizuar brenda ditës, por një kohë me të gjatë, mbetet enigmatike roli i KFOR-it i cili është me mision të ruaj kufirin e Kosovës. Nëse këtyre iu shtohen edhe mjetët e ndryshme ushtarake të transportit, del qartë se një skenar i tillë për të destabilizuar Kosovën ka pasur mbeshtetje nga pushteti serb. Se çdo gjë ishte sipas skenarit të Serbisë, dëshmojnë deklaratat e A.Vuçiqit në mbledhjen e KS në OKB duke theksuar  se situata është e tensionuar dhe mund të ketë eskalim të saj në veri. Ishte ky një  paralajmërim se këtu mund të ndodhin edhe të papritura nga ana e serbeve  lokal të cilët e realizuan me 24 shtator por dështuan ne qellimin e tyre. Pikërisht në favor të këtij konstatimi është e dhëna se në Rashkë  janë  stervitur një kontigjent i serbeve të cilët mund të përdoren për aksione të ndryshme në Kosovë. Ndërsa pranimi i këtij aksioni terrorist nga M.Radojiçiqi nga Mitrovica Veriore, ishte për të eliminuar gjoja përfshirjën e A.Vuçiqit në këtë akt terrorist.

Kisha ortodokse në shërbim të politikës serbe

Opinioni i gjerë është i njoftuar se KOS-i vazhdimisht ka qenë mbeshtetëse e politikës dhe të hegjemonizmit serb. Një dukuri e tillë nga ana e tyre është dëshmuar edhe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi si në Kroaci, Bosnjë  e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë. Në Kosovë si baza të tyre kanë qenë kishat dhe manastiret të cilat  edhe kësaj here u dëshmuan se janë në mbeshtetje të politikës serbe. Por, pasi u dekonspirua aksioni i terroristëve, të cilët si mbeshteje dhe shpëtim gjetën të manastiri në Banjskë, për të shpëtuar nga një komprometim i tillë, nga ana e KOS-it janë paraqitur me deklaratë se ata nuk kanë mbeshtetur një veprim të tillë, pavarësisht se në oborrin e tyre kanë qenë individ të uniformuar dhe të armatosur. 

Serbet kanë militarizuar  zonën kufitare

Sipas infomacioneve bëhet me dije se pushteti serb ka kohë qe është duke militarizuar zonën kufitare me Kosovën. Bëhet fjalë për 48 baza ushtarake, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmerisë. Këto të dhëna dëshmojnë se me këto forca ata ushtrojnë tensione duke paralajmëruar konflik duke shkeluar edhe vijën kufitare të demilitarizimit prej 5km, që është pjesë e marrëveshjes së Kumanovës(9 qershor 1999). 

Pikërisht në lidhje me këtë çështje ka pasur reagime nga faktori ndërkombëtar, por pushteti serb pranoi se në këtë zonë janë të vendosur mijëra trupa serbe, por ata deklarohen gjoja se kanë bërë  zvoglimin e tyre në 4.500 trupa, por realiteti dëshmon se ata i zhvendosin nga njëra bazë në tjetrën për të kriuar përshtypjen se e kanë zvogluar numrin e tyre, qe është manipulim qe nuk e beson askush. 

C:\Users\123456\Desktop\384523208_2660828620741371_1229340372231339277_n.jpg

Bazat ushtarake serbe në kufi me Kosovën

Ndërsa nëse analizojmë shpërndarjën territoriale të bazave ushtarake serbe, del qartë se më së shumti janë koncentruar në anën lindore të Kosovës, sepse në këtë hapësirë territoriale në të dy anët e kufirit dominon popullsia shqiptare. Kemi të bëjmë me veprime perfide të politikës serbe për të mbajtur nën tension popullsinë vendore. 

Ndonëse kanë kaluar 24 vite nga lufta në Kosovë ne Serbi vazhdohet me strategjinë e Millosheviqit, çështje qe duhet të jetë shqetësuese për faktorin ndërkombëtar, sepse politika serbe vazhdon të jetë destabilizuese për tërë regjionin. Madje qendrimi i pavendosur nga ndërkombëtarët për të marrë masa ndeshkuese ndaj Serbisë, në favor të raporteve aktuale gjeopolitike, e ka nxitur politikën serbe të mbeshtesë aktin terrorist në Veriun e Kosovës. 

Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna kryeministri i Kosovës A.Kurti me 2 tetor njoftoj se Serbia nga 37 pika ka planifikuar të sulmojë Kosovën për te aneksuar veriun e saj. Kemi të bëjmë me një situatë e cila ka të bëjë me sigurinë e Kosovës, ku vendosja e trupave shtesë të NATO-s në veri të Kosovës, dëshmon se kemi të bëjmë me çështje të stabilitetit në regjion.

Propozimet nga E.Rama identike me ato serbe

Kur kemi të bëjmë me çështje madhore sikurse është sulmi terrorist nga serbet në veriun e Kosovës, ka qenë e udhës qe Shqipëria e Kosova të bashkëveprojnë dhe të dalin me një qendrim. Por, në sajë të moskoordinimit ne mes dy vendeve kryeministri i Shqipërisë E.Rama, dual me dy propozime të cilat nuk janë në favor të Kosovës, por të Serbisë.

Si me parë  por edhe pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë E.Rama, ka theksuar se është e nevojshme qe të mbahet një konferencë ndërkombëtare ku  temë e takimit do të ishin raportet në mes Serbisë dhe Kosovës. Por, ai ka harruar se  mbajtja e një takimi të tillë vlen për vendet e panjohura nderkombëtarisht, ndërsa  Kosova është shtet i pavaruar dhe e njohur ndërkombëtarisht mbi 100 shtete. 

Nga ana tjetër  E.Rama, ka propozuar qe KFOR-i të udhëheq me Veriun Kosovës, qe është kritikuar nga Qeveria e Presidenca e Kosovës, sepse Kosova ka kapacitet për të ushtruar pushtetin në këtë pjesë të vendit, andaj një deklarim i tillë është identik sipas A.Vuçiqit dhe është në kundërshtim me sovranitetin e Kosovës.

Duke njohur rrethanat shoqërore e politike në regjion, ku destabilizues mbetet Serbia me politikën e saj hegjemoniste, E.Rama ka pasur mundësi me prezantuar ide për një konferencë e cila do të ishte me efekt pozitiv  nëse do të mbahej në lidhje me definimin e çështjeve të pakicave kombetare në të dy vendet, duke u bazuar parimin  e reciprocitetit. 

Kemi të bëjmë me  politikën me qasje të dyfishtë   te pushtetit serb sepse ate çka kërkon për pjesëtarët e popullit  të vet  iu mohon popujve të tjerë në Serbi. Por, për të trajtuar një temë të tillë E.Rama  nuk ka guxim të deklarohet, edhe pse është i njohur  me  diskriminimin e  shqiptarëve në luginën e Preshevës, qe është rast tipik i spastrimit etnik.

Si të dialogohet me mbeshtetësit e terrorizmit

Analistë të shumtë me kohë kanë theksuar se dialogu në Bruksel është treguar i pasuksesshëm. Si i tillë pala serbe e shfrytëzonte për të fituar në kohë, varësisht rrethanave gjeopolitike, ku dominon ajo nga agresioni rus në Ukrainë. Por, këtij dialogu të pasuksesshëm i kanë ndihmuar edhe ndërmjetësit ndërkombëtar(Borell-Lajçak) të cilët nuk kanë treguar ballancë në bisedime, por haptazi janë qasur Serbisë. Madje kërkesat e tyre ndaj Kosovës për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, ata kanë folur si zëdhënës të Serbisë. Një qasje e tillë dhe ledhatimi i Serbisë, madje duke i vendosur masa Kosovës, ata kanë barazuar kriminelët me viktimin, qe paraqet paradoks në procesin e dialogut. 

Duhet format i ri i dialogut

Por, pas 24 shtatorit me të drejt bëhët pyetja si të dialogohet me mbeshtetësit e terrorizmit, madje ka zëra edhe për dorëheqjen e ndërmjetëseve se ata kanë dështuar në këtë proces.  Dialogu duhet të vazhdojë por në format tjetër, sepse pas 24 shtatorit asgjë nuk është si më parë, andaj duhet gjetur  një model tjetër  me individë të balancuar dhe të pranueshëm për të dy palët. Përvoja e deritashme në këtë  proces politik, sidomos në eskalimin e sulmit terrorist në Veri të Kosovës, me qellim aneksimin e tij kërkon ndëshkimin e Serbisë sepse nuk mund të dialogohet me mbeshtetësit e terrorizmit. 

(Tetor  2023)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT