Prof. Dr. Roland Gjini
Pergjegjes i Qendres se studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike.
Universiteti i Elbasanit/
Ka kohë që shqiptarët, veçanërisht ata të Shqipërisë, cilësohen si tolerantë ndaj besime të ndryshme fetare, apo akoma më tej, ata jo vetëm bashkëjetojnë mes tyre, pavarësisht nga lloji i besimit, por edhe bashkëpunojnë ngushtë për çështje të ndryshme të përparimit të vendit. Vlerësime të tilla i ndeshim që herët, por në kohët aktuale, kur në rajone të ndryshme të botës po shtohen konfliktet me bazë fetare, qëndrimi i shqiptarëve ndaj besimtarëve të feve të ndryshme merr rëndësi të veçantë. Toleranca dhe bashkëjetesa e shqiptarëve të besimeve të ndryshme është vlerësuar në kohët e tanishme edhe nga drejtues të lartë të feve, siç është rasti i Papa Gjon Pali II, në vizitën në Shqipëri të prillit 1993 dhe papa Franceskut, në vizitën e shtatorit 2014, të cilët theksuan se harmonia fetare shqiptare shërben si një shembull për të gjithë opinionin fetar botëror.
Në mënyrë të veçantë, ndër shqiptarët, për tolerancë e bashkëjetesë fetare janë shquar e shquhen banorët e Elbasanit dhe të trevave përreth. Pa rënë në pozitat e determinizmit gjeografik, është fakt që Elbasani dhe trevat e tij ndodhen në mesin e Shqipërisë, atje ku kryqëzohen arteriet kryesore të rrugëve nga perëndimi në lindje e nga veriu në jug, e bashkë me to edhe kulturat, idetë e besimet e të gjithë shqiptarëve. Ky pozicion i mesëm gjeografik përkon edhe me natyrën dhe karakterin e elbasanasve. Nuk ka përfaqësues të çdo besimi apo feje, ashtu si edhe pjesëtarë të etnive dhe komuniteve të ndryshme etnokulturore, të ndodhur në Shqipëri, që të mos jenë vendosur gjatë rrjedhës së kohës në Elbasan. Këtu ata gjetën një terren e ambient të përshtatshëm të banorëve vendas, mbi të gjitha butësinë, mikpritjen dhe bashkëjetesën pa probleme, madje të ngrohtë e bashkëpunuese. Në Elbasan e trevat përreth gjenden besimtarë apo banorë të përkatësisë fetare pothuaj të të gjitha feve që gjenden në Shqipëri. Në rrjedhën e historisë, të paktën nga fillimet e Rilindjes Kombëtare (shek XIX) e këtej, në marrëdhëniet mes feve të ndryshme në këtë qytet e trevat përreth, spikatën vlera të rëndësishme, ku më e rëndësishmja është arritja e Pavarësisë Kombëtare.
Bashkëjetesa e feve në Shqipëri, ashtu si toleranca, është bërë objekt diskutimi mes studiuesve të ndryshëm. Që nga Rilindja Kombëtare, kur fjalët lapidar të Pashko Vasës, apo Vaso Pashës, se feja e shqiptarit është shqiptaria, në këto diskutime janë përfshirë edhe studiues të huaj. Kështu, njeri prej tyre, italiani Roberto M. dela Roka, shpjegon se thelbi i nacionalizmit del në dritë si identitet parësor i çdo shqiptari, pavarësisht nga besimi fetar.
Bashkëjetesa dhe toleranca në Elbasan, e shfaqur që herët, gjatë Rilindjes Kombëtare, çoi në një bashkëpunim të ngushtë mes përfaqësuesve tëbesimeve tëndryshme, si në lëvizjen e armatosur antiosmane, ashtu edhe luftën me penë, për shkrimin e mësimin e gjuhës shqipe.
Populli dhe patriotët e Elbasanit dhe të trevave përreth kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit mes tyre për çështje të rëndësishme të përparimit, të lirisë e pavarësisë së vendit, pavarësisht nga besimi fetar që ata i përkisnin. Gjatë shekullit XX, nën gjurmët e Dhaskal Todrit, dhe Kristoforidhit, ecën përkrah njëri-tjetrit, për mësimin e gjuhës shqipe dhe shkollën shqipe, me dhjetra atdhetarë të tjerë të përkatësive të ndryshme fetare, deri në shpalljen e Pavarësisë.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, para se të hapej shkolla e parë shqipe legale, në Elbasan dhe në Shpat vihet re mësimi i shqipes në mënyrë klandestine apo shëtitëse, bazuar në abetaren e Kristoforidhit. Mësuesit e parë të gjuhës shqipe u rreshtuan për krah njëri-tjetrit, pavarësisht nga përkatësia fetare, ortodoksë, muslimanë apo bektashinj. Përmendim mes tyre Muç Shqiptarin, Tush Pinën, Hasan e Fetah Cekën, Mahmut Hastopallin, Gor Lekën, Ali Çiften, Sheh Hysen Sulovën, Petër Papamihalin, Hasan Gracenin, Emin e Qazim Matraxhiun, Tush Xhanin, Dije Tellallin, Hasan Bebetin, Damjan Borodanin, Vasil Llapushin e të tjerë.
Patriotët elbasanas, pavarësisht nga përkatësia fetare, gjykonin se pavarësia e feve i shërben edhe pavarësisë kombëtare. Prandaj, besimtarët e feve të ndryshme, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, mbështetën përpjekjet për pavarësitë e feve dhe për t’u shkëputur nga qendrat jashtë vendit, sidomos nga Patrikana greke e Stambollit. Në mënyrë të veçantë përmendim rastin e figurave të njohura muslimane apo bektashiane që i dolën në krah At Germanos (Papa Jorgji Theohari), në luftën e tij për kishën unite, si Dervish Bej Biçaku, Ismail bej Vërlaci, Aqif Pashë Elbasani, etj. Më pas do të shohim se figura të njohura muslimane dhe bektashiane do tëmbështetin përpjekjet e At Visarion Xhuvanit për autoqefalinë e kishës ortodokse.Pra këto lëvizje nuk ishin vetëm lëvizje fetare por edhe patriotike.
Më tej, në përkrahje tëkërkesës së shpatarakëve për shkollën shqipe dhe kishën unite nënshkruan jo vetëm besimtarë ortodoksë, por edhe mjaft krerë të njohur të lëvizjes patriotike dhe intelektualë me përkatësi fetare muslimane apo bektashiane.Në mbrojtje të kësaj kërkese, nështator të vitit 1900, Papa Jorgji (Atë Germanos), i shoqëruar nga dom Nikoll Kaçorri si dhe njerëz besnikë të feudalit elbasanas jo i krishterë, Dervish Beut, bën një vizitë te Papa i Romës. Pas një qëndrimi afro një muaj këtu, Papa Jorgji mori premtimin nga Ati i Shenjtë për ngritjen e një shkolle shqipe, ndërtimin e kishës së krishterë katolike në Elbasan, si dhe dërgimin e nxënësve të rinj, për t’u shkolluar në qendrat e njohura arsimore fetare e laike të Vjenës.
Shembullin më të qartë të bashkëpunimit mes figurave atdhetare me përkatësi të ndryshme fetare na e jep LefNosi. Lefi u dallua si kundërshtar i hapur i ortodoksisë greke, gjithashtu ai arriti të bashkëpunojë me sukses në lëvizjen kombëtare me figura elbasanase të lagjes Kala të përkatësisë fetare muhamedane, veçanërisht me Dervish Bej Biçakun dhe Aqif pashë Biçakun, duke dëshmuar kështu shembullin më të spikatur të harmonisë ndërfetare.
Për çështje madhore të lëvizjes sonë kombëtare Lef Nosi bashkëpunoi, pa asnjë paragjykim, edhe me figura të njohura atdhetarejo të krishtere jashtë Elbasanit. Kështu ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike AnaKombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party),e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, e cila ka programin e saj të qartë prej 24 pikash, ku sëpari, kërkohej një shtet i pavarur shqiptar sipas modeleve të monarkive të përparuara europiane, në mënyrë të veçantë të Anglisë.
Kongresi mbarëkombëtar i Elbasanit, i mbajtur në shtator të vitit 1909, dëshmon për një frymë të qartë bashkëpunimi ndërfetar, parë që nga pjesëmarrja e delegatëveve, kështu, delegatët e Elbasanit, që përfaqësonin qytetin e tyre apo qytete të tjerë të vendit ishin: Emin Haxhiadem Shijaku, Taq Buda, Dervish Bicaku, Qamil Haxhifeza, Simon Shuteriqi, Josif Haxhimima, Qemal Karaosmani, Ibrahim Dalliu, Ahmet Dakli. Po kështu, mësuesit e parë të shkollës Normale që u hap në dhjetor të po këtij viti, vinin nga përkatësi të ndryshme fetare, madje më gjerë, përveç muslimanë dhe ortodoksë, janë edhe me përkatësi fetare katolike. Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja, Hafëz Ibrahim Dalliu, Petër Dodbiba, Sotir Peci, Dhimitër Paparisto, Hysen Blloshmi. Po kështu, me përbërje muslimane, ortodokse e katolike ishin edhe nxënësit e kësaj shkolle.
I vendosur në përdorimin e afabetit latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, populli i Elbasanit organizoi mitingun madhështor, më 18 shkurt 1910, në sheshin e Namazgjasë, me pjesëmarrjen e 7000 qytetarëve e fshatarëve të ardhur nga Shpati dhe nga katunde të tjera të Elbasanit, kundër vendimit të qeverisë së osmanëve të rinj për të përdorur në shkollat shqipe vetëm alfabetin arab. Ky demostrim, sikurse edhe të tjerë në qytete të ndryshme të vendit, gjeti mbështetjen e rretheve patriotike brenda e jashtë kufijve. Shtypi i kohës do të shkruante për mitingun e Elbasanitse këtu u mblodhën muslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lef Nosit, Muç Shqiptarit, Beqir Plangaricës e të tjerë“…që patën mëndjen e bukurë për të parën herë të çfaqin mentimin qi duhet bamun nji miting prej kombëtarëve të këtushëm… që të protestohet kundër mentimit të paarsyeshëm të shkruhet shqypia me shkronjat arabishte …”.
Në fillim të qershorit të 1912-ës në shtëpinë e patriotit elbasanas, Ali Agjahut, nën kryesimin e Aqif Pashë Biçakçiut, u zhvillua mbledhja që vendosi shpërthimin e kryengritjes në trevën e Elbasanit, në kuadrin e Kryengritjes së Përgjithshme antiosmane. Po në këtë mbledhje u ngrit edhe Komiteti Revolucionar, ku, krahas muslimanëve bënte pjesë edhe Lef Nosi dhe ortodoksë të tjerë elbasanas si dhe nga Shpati. Ky komitet mori përsipër detyrën e organizimit dhe shpërthimit të kryengritjes në prefekturën e Elbasanit.
Ndërkaq, besimi i madh që kishte Aqif Pashë Elbasani te Lef Nosi, si aktivist i vyer në dobi të lëvizjes kombëtare, i mundësoi atij, bashkë me Shefqet Daiun, Qemal Karaosmanin e Dervish Biçakun, zgjedhjen si delegatë të krahinës së Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, të 28 nëntorit të vitit 1912. Ndërsa vet Aqif Pasha, i qetë se në Vlorë mes të tjerëve është edhe bashkëpunëtori i tij, Lefi, qëndroi në Elbasan për t’u përballur me ushtritë serbe që po përparonin përgjatë luginës së Shkumbinit.
Bashkëpunimi i ngushtë mes patriotëve e veprimtarëve elbasanas me përkatësi të ndryshme fetare u finalizua në 25 Nëntor 1912, ku populli i Elbasanit, muslimanë e të krishterë përkrahën nismën e platformën e re politike të Ismail Qemalit, duke bërë që ky qytet të ishte i pari në vend që shpalli pavarësinë. Po të shohësh listën e firmëtarëve të këtij akti, vëren se nga 35 firmëtarë 25 janë të besimit musliman apo bektashian dhe 10 të besimit ortodoks, përqindje kjo që përputhet natyrshëm me raportin muslimanë – të krishterë në Elbasan. Prandaj kjo datë që ne përkujtojmë sot, ka vlera jo vetëm për historinë tonë kombëtare, por edhe për faktin se ne elbasanasve, muslimanë e të krishterë, na bën krenarë.