• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë ceremonisë së dorëzimit të dronëve dhe pajisjeve përcjellëse Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor

October 12, 2023 by s p

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Hoxha, Kryeshef ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Hodaj, oficerë dhe staf të Policisë së Kosovës dhe mysafirë të nderuar.

Më vjen mirë që jemi këtu bashkë në këtë ceremoni për zyrtarizimin e donacionit të qeverisë amerikane të shtatë sistemeve të fluturakeve pa pilot për Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.

Duke marrë parasysh shkallën e veprimtarisë kriminale të grupeve të krimit të organizuar në rajon, këto sisteme të fluturakeve pa pilot do të bëhen burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për t’i luftuar veprimtaritë kriminale nga ajri dhe toka.

Këta dronë mundësojnë mbikëqyrje, ofrojnë mbështetje taktike dhe siguri të perimetrit për misionet policore;

Ata mund të monitorojnë zona të ndjeshme dhe të largëta që po përdoren për kontrabandë të emigrantëve, trafikim të fshehtë të lëndëve narkotike dhe aktivitete tjera të paligjshme të kontrabandës; dhe

Me to mund të mblidhen dëshmi përmes regjistrimit të pamjeve dhe videove, të cilat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e rasteve penale në gjykatat e Kosovës.

Donacioni amerikan i këtyre dronëve do të rrisë edhe sigurinë publike.

Këto pajisje do të ndihmojnë në reagim më të sigurt dhe më efikas ndaj incidenteve, në mbështetjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit, do të ndihmojnë në menaxhimin e fatkeqësive dhe monitorimin e turmave dhe trafikut.

Meqenëse dronët mund të dislokohen më shpejt se mjetet konvencionale në rast emergjence dhe për këtë arsye, zyrtarët e organeve të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë teknologji jetë-shpëtuese.

Në ShBA, autoritetet policore përdorin sisteme të ngjashme për menaxhimin e situatave të rrezikshme, si shpëtimin e pengjeve, gjatë ndjekjeve me vozitje të shpejtë, duke u mundësuar oficerëve të ndërhyjnë kundër kryesve të veprave nga distanca të sigurta.

Informatat më të mira mundësojnë vendimmarrje më të mirë, veçanërisht në situatat taktike në kohë reale.

Ky donacion dhe mbështetja jonë e vazhdueshme për zbatimin e ligjit në Kosovë pasqyron përkushtimin tonë afatgjatë për zhvillimin e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës dhe është manifestim shtesë i besimit që Shtetet e Bashkuara kanë në Republikën e Kosovës për të kryer misione të pavarura kundër narkotikëve dhe të zbatimit të ligjit.

Mbështetja jonë për Inspektoratin Policor të Kosovës gjithashtu thekson sa i japim prioritet transparencës dhe llogaridhënies së oficerëve të zbatimit të ligjit gjatë aksioneve në përkrahje të zbatimit të ligjit.

Gjithashtu, do të vazhdojmë të punojmë me Policinë e Kosovës për të çuar përpara përkushtimin tonë të përbashkët për të ofruar shërbime transparente dhe të përgjegjshme të zbatimit të ligjit nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjatë pesë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 20 milionë dollarë ndihmë, trajnim dhe donacione të pajisjeve për modernizimin dhe përmirësimin e organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës për partneritetin entuziast dhe të përgjegjshëm.

Gjithashtu, dëshiroj të përgëzoj Policinë e Kosovës për bashkërenditjen me KFOR-in për këtë projekt.

Në fund, gjithashtu dëshiroj të shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e shkëlqyeshme ndërmjet agjencive, përfshirë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që është përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në emër të tërë ekipit të Ambasadës së SHBA-së, dëshiroj të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Hoxha dhe Krye-shefin Ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës Hodaj për përpjekjet e tyre për realizimin e këtij projekti. E çmojmë bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm dhe të ngushtë.

PK-ja dhe IPK-ja vazhdojnë të tregojnë lidership në reformën dhe modernizimin e organeve të zbatimit të ligjit jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.

I çmojmë shumë përpjekjet e Kosovës për të kontribuar në transparencën e policisë dhe forcimin e sigurisë civile të vendit tuaj.

Ju faleminderit!

Filed Under: Rajon

Më 12 tetor 1879, kur lindi në Konstantinopojë “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”, kryesuar nga Sami Frashëri

October 12, 2023 by s p

Një pengesë e veçantë për lulëzimin e kulturës shqiptare në Perandorinë Osmane, përveç qëndrimit përgjithësisht armiqësor të autoriteteve turke, ishte ende mungesa e një alfabeti të pranueshëm të gjuhës shqipe. Në fillim të vitit 1879, Komiteti qendror ngriti një komision për alfabetin nën drejtimin e Sami Frashërit dhe për ta trajtuar përsëri problemin e drejtshkrimit. Alfabeti i krijuar nga Sami Frashëri, që pastaj u miratua nga komisioni, ishte një sistem fonetik i mbështetur kryesisht në shkronja latine, duke i shtuar edhe disa shkronja greke e cirilike. Më 12 tetor 1879, nga anëtarë të shquar të bashkësisë shqiptare në Konstantinopojë u ngrit ajo që përmendëm më parë – Shoqëri e të shtypuri shkronja shqip, e cila kryesohej nga Sami Frashëri. Pas ndalimit të veprimtarive të saj, Shoqëria e shpërnguli selinë në Bukuresht, ku u shtypën shumë libra në gjuhën shqipe – ndër ta edhe veprat kryesore të Naim e Sami Frashërit. Atje, për shembull, u botuan tekstet shkollore në gjuhën shqipe të shkruara nga Sami Frashëri: Abetare e gjuhësë shqip, Bukuresht 1886, Dheshkronjë, Bukuresht 1888 dhe Shkronjëtore e gjuhësë shqip, Bukuresht 1886, kjo e fundit – e para gramatikë shkollore e shqipes.

Kur u krijua, mes 28 anëtarëve themelues, nëntë ishin nga Vilajeti i Janinës, ndër ta përfaqësues të familjeve të bejlerëve të vilajetit: Ferid pashë Vlora, Mehmet Ali pashë Vrioni, vëllezërit Vejsel dhe Ibrahim bej Dino, Mustafa bej Janina, Sejfullah bej Zavalani, Ahmed Shefki Gjirokastra si dhe Abdyli me Samiun. Ndër anëtarët 10 ishin myslimanë, përpos dr. Ibrahim Starovës, katërmbëdhjetë ishin ortodoksë nga Korça e Gjirokastra (Jani Vreto Postenanasi), katër ishin katolikë nga Shkodra (Vaso pashë Shkodrani, Ndoc Xhuxha, Nikollë e Gjon Bonati). Mund të përmendet edhe Mullà Daut Boriçi, i cili më 1882 i propozoi autoriteteve osmane që të botoheshin abetare dhe gramatika shqipe me shkronja arabe.

Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip ose Shoqëri e të shtypurit shkronjavet shqip ishte një organizatë patriotike e intelektualëve shqiptarë, që promovonin botimet në gjuhën shqipe, veçanërisht tekste shkollore, të cilat ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për arsimin e brezave të rinj, e themeluar më 12 tetor 1879 në Stamboll, kryeqytetin e Perandoria Osmane me nismën e Komitetit të Stambollit.

Lista e themeluesve siç figuron tek statuti (Kanonizma) në shtypshkronjën e A. Zelici:

M. Ferid Vlora

Mehmed Ali Vrioni

Vejsel Dinua

Ibrahim Dinua

Abdyl Frashëri

Sami Frashëri

Mustafa Janina

Sejfullah Zavalani

Ahmed Shefkiu Gjinokastriti

Pashko Vasa Shkodrani

Ndoc Xhuxhi

Nikollë Bonati

Gjon Bonati

Koto Hoxhi

Koto Sotiri

Pandeli Sotiri

Nano Petri Saraqinishtasi

Nikollë Stavro Vasua Qestoratasi

Anastas Kostandin Frashëri

Vasil’ i P. Ndrekosë Postenanasi

Danil’ i Dh. Adamit Oparaku

Mihal’ i A. Plumbit Përmetasi

Konstandin’ i N. Haxhopullit Ixgarasit

Vasil’ i Vangjelit Delvinasi

Harallamb’ i P. Pulëshitësit Delvinasi

Janço-Kosta Ogrenasi

Ioan-Vretua Postenanasi

Problemi i alfabetit vazhdoi të preokupojë figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare edhe në vitet e ardhshme. Më 14-22 nëntor 1908, në qytetin maqedonas të Manastirit u mbajt një kongres për të vendosur përfundimisht për alfabetin. Kongresi u thirr me nismën e shoqërisë letrare Bashkimi nën Gjergj Fishtën, dhe u kryesua nga Mid’hat bej Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Në Kongresin e Manastirit, sikundër dihet, morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë e myslimanë nga Shqipëria e jashtë saj, ndër ta Shahin Kolonja, Ndre Mjeda, Hilë Mosi dhe Sotir Peci. Tre alfabetet kryesore që u hodhën për diskutim ishin: alfabeti që përmendëm i Stambollit, i hartuar nga Sami Frashëri, alfabeti i Bashkimit i mbështetur nga Gjergj Fishta dhe shoqata e tij letrare Bashkimi e Shkodrës dhe alfabeti Agimi i shoqërisë letrare Agimi të përfaqësuar nga Ndre Mjeda. U zgjodh një komision prej njëmbëdhjetë delegatësh i kryesuar nga Fishta, dhe pas dy ditë debatesh ata vendosën të mbështetnin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit, i cili po përdorej më gjerë asokohe, dhe një alfabet të ri latin gati të njëjtë me atë të Bashkimit për ta pasur më të lehtë shtypjen e librave jashtë Shqipërisë.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Reportazh

Faik Konica në gazetën “Dielli”, 7 shkurt 1924, shkruan: Çdo shqiptar di dhe kupton ç’borxh të madh i kemi Uilsonit

October 12, 2023 by s p

Ca fjalë të vogla përpara një monumenti të math nga Faik Konica.

Një ditë dimri, më 1920, shtypi i Evropës bëri të njohur se guvernat e Inglisë, të Francës, dhe t’Italisë, kishin arrirë në një marëveshje për Shqipërinë dhe kishin përfunduar që ky vënt të ndahej në mes t’Italianëve, të Grekëve, e të Sërbëve. Dëshpërimi më i rëndë kishte mbuluar zëmërat dhe fytyrat e Shqipëtarëve të mirë. Ah sikur të mos ish i sëmurë Uilsoni! Ky mendim, kjo fjalë, dilte nga shpirti ynë. Po Presidenti i madh, zëri i lartë, i të cilit e kishte shpëtuar një tjetër herë Shqipërinë, lëngonte në shtrat, i thyer dhe i mbaruar. Fati përkrahte shtrëmbërin’ e politikanëve t’Evropës; Shqipëria ish e dënuar për vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, as një rëzë shprese s’ndritte prej gjëkundi. Po e papritura ngjau: Ra rrufeja mu në tryezë ku vjedhësit e lirive dhe mundonjësit e popujve të vegjël bëjin planet e tyre.

Kjo rrufe ishte zëri, aq kohë i pushuar, i Uilsonit. Presidenti i sëmurë, i mbërthyer në shtrat të lëngimit, u ngrit për gjysmë dhe e para fjalë që tha ishte për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë: – Qëndroni! është padrejtësi ajo që doni të bëni! ka edhe Shqipëria të drejtën të rojë! – Fjalë monumentale, të larta e të pavdekura si majat e Alpeve, të cilat fryjtin anë mbanë të botës një erë të paqme nëpër qelbësirat e politikës së poshtër. Ndërgjegjja e njerëzisë e njohu përsëri zërin e madh, edhe u drodh nga gëzimi: se Uilsoni, duke mbrojtur Shqipërinë, nuk mbronte një popull vetëm: mbronte gjithë popujt, se mbronte parimin që edhe popujt e vegjël e të pafuqishëm kanë të drejta si popujt e mbëdhenj e të fortë. Politikanët zvarranikë t’Evropës qëndruan; hoqën duart nga plaçka; ca nga turpi, më tepër nga frika, u penduan; planin e tyre e hodhën në shportë; dhe Shqipëria mbeti e pacopëtuar.

Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton ç’borxh të madh i kemi Uilsonit. Në qoftë se ka ndonjë Shqipëtar që s’mer vesh se shpëtimi dhe liria e vëndit tij i detyrohen kryesisht Uilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbërinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.

Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Uilsonit një monument të pavdekur në zëmërat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Uilsoni duhej të ish i madh për shqiptarët. Po madhësia e tij është e përgjithëshme; është një madhësi nga ato që s’mohohen. Edhe atje ku ka bërë gabime, – gabimet e Uilsonit janë prej njeriu fisnik. Ka dashur në Gjermani vetëm prishjen e një sistemi që ai e gjykonte si të lig; s’ka dashur shkatërrimin e popullit gjerman: që nuk e ndaloi dot, është mjerimi dhe jo faji i tij. Drita, që Uilsoni shtiri në ndërgjegjet e njerëzve, do të shkaktojë më në fund shëllbimin e gjithë popujve. Parimet që ka mbrojtur me aq shkëlqim – çlirimin dhe bashkimin e gjithë popujve, të mëdhenj e të vegjël – do të jenë ungjilli i ri i njerëzisë së nesërme. Përpara këtij profeti të idealismës e të vëllazërisë, më të famshmit burra Shteti duken qesharakë, njerëzit e tipit të Napoleonit duken fare të vegjël. Që t’i gjejë një shok Uilsonit, dikush në Evropë përmëndi jo vetëm Linkolnin, po dhe Krishtin. Një gjë ësht e sigurtë: që Uilsoni është një nga udhëheqësit më të lartë e më fisnik që kanë ndritur udhën e njerëzisë.

Dielli, 7 shkurt 1924 6 f. 4.

Filed Under: Histori

SHKOLLA SHQIPE NË BOLZANO, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

October 12, 2023 by s p

Esmeralda Sadiku mësuese në shkollën shqipe “Artur Lleshi” në Bolzano, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Bolzano, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Esmeralda Sadiku bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË BOLZANO

Shkolla shqipe Bolzano është pjesë e shoqatës “Nënë Tereza” Trento me president z.Gentian Shero. Ajo ka hapur dyert e saj për herë të parë më 29.09.2018. Hapja e kësaj shkolle ishte tashmë një domosdoshmëri për komunitetin shqiptar në Bolzano, pasi mungonte një shkollë shqipe në këtë qytet. Ne jemi mësuar t’i quajmë shkolla, por në të vërtet janë kurse që zhvillohen çdo të shtunë pasdite nga mësues vullnetarë. Ky është viti i gjashtë shkollor për shkollën tonë, e cila nuk e ka ndërprerë aktivitetin e saj as gjatë pandemisë, duke zhvilluar mësimin online në Zoom. Në janar të 2021 shkolla jonë mori emrin “Artur Lleshi” i cili ishte njëri prej krijuesve të shoqatës “Nënë Tereza” e një nga mbështetësit kryesor të shkollave shqipe. Artur Lleshi humbi jetën si pasojë e një infarti në 8 dhjetor 2020. Në këtë vit shkollor shkolla jonë e nis rrugëtimin e saj me 85 nxënës të rregjistruar nga mosha 4 -15 vjeç. Mësimi zhvillohet në dy orare nga 75 miuta secili e në këto orare kemi gjithsej pesë grupe nxënësish të ndarë sipas nivelit dhe moshës. Së bashku me kolegët e mi Irfan Muslija e Elona Lapi japim mësim çdo të shtunë.

MËSIMI SHQIP NË DIASPORË, SFIDË PËR ÇDO MËSUES

Zhvillimi i mësimit të gjuhës shqipe në diasporë është një sfidë e vërtet për çdo mësues, pasi klasat janë mikse, pra niveli ose mosha e fëmijëve në një grup nuk është i njëjtë, gjithashtu përballesh me fëmijë që vijnë nga krahina të ndryshme e flasin dialekte të ndryshme ose që flasin veç italisht. Në vitet e para librat e sjella nga autoritetet shqiptare ishin të papërshtatshme për moshën dhe nivelin e nxënësve tanë. Prej dy vitesh QBD na ka pajisur me paketën e librave e cila është fryt i marrëveshjes e punës së përbashkët së ministrive të arsimit të shtetit shqiptar dhe atij kosovar. Kjo paketë është e ndarë në tri nivele dhe i përshtatet më shumë klasave tona. Megjithatë jam e mendimit që mësuesi duhet btë jetë një arkitekt i mirë i ndërtimit të orë së mësimit duke e përshtatur çdo material me nivelin e nxënësve në klasë. Bashkëpunimi me prindërit e bën më të lehtë procesin e të nxënit dhe anën organizative. Me prindërit e shkollës sonë kemi pasur gjithmon një bashkëpunim të frytshëm, ky është edhe një nga treguesit e vazhdimësisë dhe zgjerimit të shkollës sonë. E gjithë kjo është në të mirë të asaj që së bashku po mbjellim tek kjo gjeneratë e re. Për shembull vitin e kaluar së bashku me prindërit zhvilluam një eskursion në Vienë, për të vizituar muzeun ku ndodhen armët e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Gjatë pandemisë me grupi e adoleshentëve ndoqa projektin mësimor “Të njohim vlerat më të larta shqiptare”. Besa, trimëria, nderi, gruaja shqiptare ishin argumentat tona të bazuara në librin “Tregime të motshme shqiptare” të Mitrush Kutelit.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ITALI

Tashmë jemi përballë gjeneratës së tretë të emigracionit shqiptar në Itali. Sot më shumë se kurrë është e nevojshme frekuentimi i shkollave shqipe. Duhet të edukojmë te këta fëmijë dashurinë për gjuhën (një ndër gjuhët më të vjetra në Europë), historinë e shkruar me gjak në çdo cm të saj ,traditat e kulturën shqipe. Me këto filiza të reja të lindura në dhe të huaj duhet punuar shumë e me shumë kujdes. Duhet të mbjellim te ta farën e dashurisë e krenarisë për gjithçka të bukur shqipe, pasi një pemë nuk mund të egzistojë pa rrënjë të forta.

ITALIANËT MBËSHTESIN MËSIMIN SHQIP

Shpesh na shohin me admirim për nismen tonë. Dëshira për të çuar përpara trashëgimninë tonë kulturore i habit, mendojnë se ne kur vijmë këtu leme pas gjithcka e nis këtu një jetë e re. Na përgëzojnë për kurset tona dhe punën që bëjmë me brezin e ri. Vitin e kaluar në një takim të titulluar “Të mësosh shqip në Alto Adixhe”, ku moren pjesë aksesorë të kuturës në komunën e Bolzanos, një prej personaliteteve u shpreh: “Ne kemi shumë për të mësuar nga ju dhe nisma juaj, nga dashuria e krenaria me të cilën flisni për vendin e rrënjët tuaja. Për fat të keq tek ne është zbehur mjaft kjo gjë”. Gjej rastin të falenderoj dhe CNA e cila na mundëson sallën e saj, me kushte optimale, për të zhvilluar mësimin çdo të shtunë dhe e gjithë kjo falas.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE PËR FËMIJËT ME DYGJUHËSI

Salla në të cilën ne zhvillojmë mësimin është e kompletuar me linjë interneti e videoprojektor, çka na jep mundësinë ta zhvillojmë mësimin duke përfshirë edhe teknologjinë bashkëkohore. Të mësojmë nëpërmjet lojës, figurave ngjyrosjes, të ndërlidhim njohuritë teorike me video të ndryshme e bën më interesante orën e mësimit. Filmat vizatimor, përrallat, librat me figura janë pjesë e orëve tana të mësimit. Vështirësitë mbeten prezente, pasi në zonën tonë kemi dygjuhësi (italisht -gjermanisht). Një fëmijë që në vitet e para të shkollës gjendet përpara tri gjuhëve. Ndërhyrja e familjes, e folura shqip në shtëpi është shumë e rëndësishme për të ruajtur vazhdimësinë, pasi duhet të jemi të vetëdijshëm se kurset tona nuk mjaftojnë, janë pak orë.

KUSH ËSHTË MËSUESE ESMERALDA SADIKU?

Jam rritur në qytetin e Cerrikut, në një familje të thjeshtë çame, me dashurinë për origjinën, traditat, guzhinën e fisnikërinë e tumankuqeve. Studimet e para i ndoqa në qytetin tim. Në vitin 2003 jam dipllomuar në degën Gjuhë – Letërsi pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Për 9 vite kam punuar si mësuese në shkollat e qytetit tim duke kaluar nga gjenerata në gjeneratë. Sot nxënësit e mi janë juristë, ekonomistë, mjekë,dentistë etj e unë krenohem me çdo arritje të tyren, ashtu si emocionohem e përlotem nga urimet e tyre çdo 7 Mars. Prej vitit 2018 jap mësim në shkollën shqipe “Artur Lleshi” në Bolzano. Bashkë me fëmijët e çdo hap të tyrin rritem dhe unë si mësuese. Në shtator të 2019 kam marrë titullin “Ambasadore e Kombit” për kontributin tim në shkollën shqipe në çdo fushë të saj. Në shkurt të 2021 jam njohur nga shteti shqiptar si mësuese në diasporë. Misioni im vazhdon ende…

Filed Under: Featured Tagged With: Esmeralda Sadiku, Sokol Paja

Lindja e Mesme, jo peng i Hamasit

October 11, 2023 by s p

Nga Akri Çipa/

Sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor tronditi opinionin publik ndërkombëtar për hir të shkallës së shkatërrimit dhe makabritetit.

Por, ndryshe nga si mund të kishte ndodhur një dekadë më parë, ky agresion vjen në një Lindje të Mesme tashmë të tjetërsuar. Bota arabe nuk ka më armiqësinë e dikurshme kundrejt shtetit hebre. Në fakt, qëndrimet e shteteve arabe varionin nga ato të moderuarat, si në rastin e Arabisë Saudite, deri tek deklarata si të Emirateve të Bashkuara dhe Bahreinit që dënuan në mënyrë të drejtpërdrejtë veprime të Hamasit.

Në këtë kontekst të ri rajonal, ku dinamikat kanë ndryshuar katërcipërisht që nga Marrëveshjet Abrahamike, të cilat normalizuan marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe disa shteteve arabe, Shtetet e Bashkuara reaguan, jo vetëm për të ofruar mbështetje për Izraelin, por edhe për të mbajtur gjallë përafrimin mes Izraelit dhe botës arabe. Mbi të gjitha, për shkak se mund të argumentohet se pjesë e synimeve të Hamasit ka qënë pikërisht frenimi i kësaj klime të re, të cilën Uashingtoni po përpiqej ta kurorëzonte me një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite, një nga vendet lider të botës arabe.

Prandaj, në këtë situatë, vlen të analizohet dhe përgëzohet qasja që kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përpjekja e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve konstruktivë për të izoluar konfliktin dhe për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi të mëtejshëm.

Në rradhë të parë, deklaratat e të gjithë përfaqësuesve të administratës amerikane kanë qënë të drejtpërdrejta në mbështetje të Izraelit, duke ofruar garanci qoftë nga pikëpamja politike dhe diplomatike, qoftë nga plotësimi i nevojave që mund të ketë shteti hebre në raport të armatimeve dhe të asistencës ushtarake.

Shqetësimi kryesor, si nga pikëpamja izraelite, edhe nga ajo amerikane, është zgjerimi i konfliktit nëpërmjet aktorëve të tretë. Nisur nga ky fakt, që në deklaratën e tij të parë në lidhje me krizën në Izrael, por, mbi të gjitha, në adresën publike në datën 10 tetor, Presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të dekurajojë çdo iniciativë të tillë, duke paralajmëruar se do të kishte pasoja të forta për cilindo që do të përpiqej të përfshihej.

Të dyshuarit kryesorë në këtë plan janë organizata të tilla si Hezbollahu dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, të cilat kanë aktivitet dhe peshë të madhe politike në Liban. Drojë nga ana tjetër ka dhe në lidhje me Sirinë, si për qëndrimin e qeverisë së drejtuar nga Bashar Al-Asad, ashtu edhe të grupeve militante të lidhura me Iranin që veprojnë lirisht në territorin sirian.

Gjithaq e rëndësishme është përpjekja për të shmangur përfshirjen e Autoritetit Palestinez, që kontrollon Bregun Perëndimor. Duke e izoluar konfliktin vetëm me Hamasin dhe Xhihadin Islamik (organizatën tjetër që vepron në Gaza), shmanget përgjithësimi i një konflikti të gjerë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por shfaqet përballja aktuale ashtu sikurse është: ndërmjet shtetit të Izraelit dhe organizatave terroriste, të njohura si të tilla nga komuniteti ndërkombëtar.

Përveç deklaratave të qarta të Presidentit Biden për të dekurajuar aktorë të tjerë destabilizues, ka pasur dhe një punë të madhe diplomatike nga ana e Sekretarit të Shtetit. Ky i fundit, ka komunikuar në mënyrë të pandërprerë që nga dita e shtunë me aleatët dhe partnerët amerikanë në rajon. Pjesë të këtyre diskutimeve, sikurse ka deklaruar publikisht Sekretari Antony Blinken dhe zëdhënësi i tij, ishte theksimi i mbështetjes pa ekuivok, të Shteteve të Bashkuara për Izraelin.

Këto kanale komunikimi më të gjithë aktorët rajonalë janë tejet të rëndësishme për të garantuar koordinim, por edhe për të pasqyruar qëndrimet dhe shqetësimet, mbi të gjitha, duke marrë parasysh që një pjesë prej këtyre vendeve, si fjala vjen Egjipti dhe Jordania, kanë presione të ndryshme të brendshme dhe të jashtme.

Përtej reagimit diplomatik dhe qëndrimit politik, elementi i dytë i mbështetjes amerikane për Izraelin ka ardhur në formën e garancive në fushën ushtarake. Shtetet e Bashkuara mbeten kontribuesi kryesor në sigurinë e shtetit të Izraelit, ku vlen të rikujtohet angazhimi 10-vjeçar për asistencën e sigurisë të shenjuar nga Memorandumi i Mirëkuptimit SHBA-Izrael. Arritur në vitin 2016 gjatë Administratës Obama, Memorandumi i garanton Izraelit një mbështetje me 3.8 miliardë dollar në vit. Në situatën aktuale, është i qartë vullneti i Administratës Biden për të shkuar edhe më tej saj, duke shpërndarë asistencë shtesë sipas nevojës.

Ky vullnet shikohet qartësisht edhe në Kongresin amerikan, ku liderë të rëndësishëm e kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar sa më shpejt mundësinë për të përcaktuar asistencë shtesë për Izraelin në kuadër të krizës aktuale.

Krahas gatishmërisë për asistencë, nga pikëpamja e sinjalizimit nuk mund të mos përmendet dhe vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të vendosur në Mesdheun Lindor USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësen më të re dhe më të madhe të flotës amerikane. Prania në rajon është një tjetër masë parandaluese drejtuar aktorëve destabilizues potencialë në këtë situate, veçanërisht Iranit dhe rrjetit të organizatave të lidhura me të.

E gjithë politika e ndjekur nga administrata amerikane që nga terrori i filluar nga Hamasi ditën e shtunë ndjek në njëfarë forme manualin e përdorur në maj 2021, kur ishte dhe përballja e fundit në shkallë të madhe ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Edhe në atë rast, aktivizmi amerikan para dy vitesh, përtej mbështetjes së plotë publike për Izraelin, u fokusua tek angazhimi i forcave konstruktive rajonale dhe koordinimi me partnerë si Egjipti dhe Katari për të krijuar kushtet e një armëpushimi, që në fakt erdhi pas 11 ditësh luftime.

Por, ajo çfarë ndryshon në këtë rast është shkalla e barbarisë e sulmit të Hamasit dhe pamundësia logjike për ta përmbyllur konfliktin përsëri me një armëpushim të thjeshtë, pa adresuar në sensin më të gjerë kërcënimin e vazhdueshëm terrorist që qëndron mbi krye.

Ndërkohë që Izraeli vazhdon fushatën kundërpërgjigjëse ndaj Hamasit do të nevojitet pashmangshmërisht një lidership i vazhdueshëm amerikan në rajon për të larguar hijet e një zgjerimi më të madh të konfliktit, por edhe për të krijuar konditat për një modus vivendi të ri pas neutralizimit të Hamasit. Për shkak se, pavarësisht se dramën e fillojnë terroristët, tragjeditë, vuajtjet dhe pasojat i përjeton gjithmonë popullsia e pafajshme civile, në këtë rast, si ajo izraelite edhe ajo palestineze.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT