Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Hoxha, Kryeshef ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Hodaj, oficerë dhe staf të Policisë së Kosovës dhe mysafirë të nderuar.
Më vjen mirë që jemi këtu bashkë në këtë ceremoni për zyrtarizimin e donacionit të qeverisë amerikane të shtatë sistemeve të fluturakeve pa pilot për Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
Duke marrë parasysh shkallën e veprimtarisë kriminale të grupeve të krimit të organizuar në rajon, këto sisteme të fluturakeve pa pilot do të bëhen burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për t’i luftuar veprimtaritë kriminale nga ajri dhe toka.
Këta dronë mundësojnë mbikëqyrje, ofrojnë mbështetje taktike dhe siguri të perimetrit për misionet policore;
Ata mund të monitorojnë zona të ndjeshme dhe të largëta që po përdoren për kontrabandë të emigrantëve, trafikim të fshehtë të lëndëve narkotike dhe aktivitete tjera të paligjshme të kontrabandës; dhe
Me to mund të mblidhen dëshmi përmes regjistrimit të pamjeve dhe videove, të cilat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e rasteve penale në gjykatat e Kosovës.
Donacioni amerikan i këtyre dronëve do të rrisë edhe sigurinë publike.
Këto pajisje do të ndihmojnë në reagim më të sigurt dhe më efikas ndaj incidenteve, në mbështetjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit, do të ndihmojnë në menaxhimin e fatkeqësive dhe monitorimin e turmave dhe trafikut.
Meqenëse dronët mund të dislokohen më shpejt se mjetet konvencionale në rast emergjence dhe për këtë arsye, zyrtarët e organeve të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë teknologji jetë-shpëtuese.
Në ShBA, autoritetet policore përdorin sisteme të ngjashme për menaxhimin e situatave të rrezikshme, si shpëtimin e pengjeve, gjatë ndjekjeve me vozitje të shpejtë, duke u mundësuar oficerëve të ndërhyjnë kundër kryesve të veprave nga distanca të sigurta.
Informatat më të mira mundësojnë vendimmarrje më të mirë, veçanërisht në situatat taktike në kohë reale.
Ky donacion dhe mbështetja jonë e vazhdueshme për zbatimin e ligjit në Kosovë pasqyron përkushtimin tonë afatgjatë për zhvillimin e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës dhe është manifestim shtesë i besimit që Shtetet e Bashkuara kanë në Republikën e Kosovës për të kryer misione të pavarura kundër narkotikëve dhe të zbatimit të ligjit.
Mbështetja jonë për Inspektoratin Policor të Kosovës gjithashtu thekson sa i japim prioritet transparencës dhe llogaridhënies së oficerëve të zbatimit të ligjit gjatë aksioneve në përkrahje të zbatimit të ligjit.
Gjithashtu, do të vazhdojmë të punojmë me Policinë e Kosovës për të çuar përpara përkushtimin tonë të përbashkët për të ofruar shërbime transparente dhe të përgjegjshme të zbatimit të ligjit nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Gjatë pesë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 20 milionë dollarë ndihmë, trajnim dhe donacione të pajisjeve për modernizimin dhe përmirësimin e organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës për partneritetin entuziast dhe të përgjegjshëm.
Gjithashtu, dëshiroj të përgëzoj Policinë e Kosovës për bashkërenditjen me KFOR-in për këtë projekt.
Në fund, gjithashtu dëshiroj të shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e shkëlqyeshme ndërmjet agjencive, përfshirë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që është përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në emër të tërë ekipit të Ambasadës së SHBA-së, dëshiroj të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Hoxha dhe Krye-shefin Ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës Hodaj për përpjekjet e tyre për realizimin e këtij projekti. E çmojmë bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm dhe të ngushtë.
PK-ja dhe IPK-ja vazhdojnë të tregojnë lidership në reformën dhe modernizimin e organeve të zbatimit të ligjit jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.
I çmojmë shumë përpjekjet e Kosovës për të kontribuar në transparencën e policisë dhe forcimin e sigurisë civile të vendit tuaj.
Ju faleminderit!