• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Marie Kraja, zëri magjepsës i traditës operistike shqiptare, interpretuesja që nxori këngën popullore nga auditori familjar për ta ngjitur në skenat koncertale

November 21, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Artistë të përmasave të Marie Krajës i vijnë rrallë botës artistike shqiptare. Ajo është simbol i artit muzikor shqiptar, një nga më të shquarat e këtij zhanri. Kudo ku ajo dha kontributin e saj, si në interpretimet e këngëve popullore, virtuozitetin e vokalit operistik, edhe në fushën e pedagogjisë dhe mëkimit të brezit të ri me pasionin për këngën, ajo u dha me mish e me shpirt, me kohë të plotë e me zemër të madhe. Sespe ajo kishte ardhur me një mision dhe nuk mund të largohej pa lënë pas një repertor të pasur, një galeri të mrekullueshme interpretative, gjenerata të tërë artistësh që e patën idol atë dhe e pavdekësuan. Marie Kraja, ishte, është dhe do të mbetet një prej pasurive tona kombëtare të artit. Me të jemi krenuar, jemi nderuar dhe përfaqësuar denjësisht në botën e madhe të artit të madh, në skenat gjigande të virtuozëve të magjishëm.

Prologu

Tradita e skenës opertistike shqiptare, me Marie Krajën hyn në një etapë të re. Zërat e mëhershëm dhe ato të mëvonshmit, së bashku me kontributin e pashoq që ajo dha, ndërtuan atë përmendore të mburrjes tonë nacionale, atë shkas krenarie që e ka ndërkombëtarizuar zërin operistik shqiptar, në skenat më prestigjoze, duke e transformuar në një potencial të jashtëzakonshëm konkurrues.

Marie Kraja do të mbetet një gurë themeli në traditën e këngës operistike shqiptare. Një talent që ngriti në mit femrën e asokohshme. Një sprovë që triumfoi duke i atribuar famë dhe mirënjohje shpirtit të sakrificës dhe vullneteve ngadhnjimtare. Zëri dhe shpirti i saj do të kërshërijnë ëndjet e brezave, të cilët do t’i jenë mirënjohës aktit të saj krijues, virtuozitetit me të cilin ajo përfaqësoi shqiptaren në skenën e kushtimeve të mëdha operistike botërore. Opera shqiptare, ngulmi i ëndrrës së çdo sopranoje, marrin dritën më të shndritshme tek ky yll, duke u bërë vazhdues të asaj udhe të gjatë, që e madhja Marie Kraja e nisi, atëherë kur ndër më të shumtat pamundësi, çdo e mundshme ishte një mrekulli, të cilën ajo e jetësoi në emrin dhe veprën e saj.

Nga jeta dhe rrugëtimi sfidues i artistes

Marie Kraja u lind në Xara, Dalmaci, të Kroacisë më 24 shtator 1911. Me nënën nga Prizreni dhe të atin nga Gjakova, Anton Paluca, veteran i arsimit kombëtar, hulumtues i përkushtuar i visareve të krijimtarisë shpirtërore të popullit, aktivist i shoqatave patriotike kulturore. Pas një viti familja largohet për në Shkup dhe më vonë në Austri, ku qëndruan dy vite. Në moshën 6-vjeçare Maria dhe familja e saj, kujtojmë se Maria ishte fëmija i parë nga shtatë fëmijët, dy vëllezër e pesë motra, vendosen përfundimisht në Shkodër. Pasi kreu shkollën fillore 5 klasë, Maria shkon në Vjenë, ku kryen shkollën e mesme, plus edhe një kurs për kanto në vitet 1926-1928. Nga viti 1928 deri në vitin 1934, Maria ndoqi studimet e larta në Konservatorin e Gracit, ku dhe u diplomua për kanto. Kur u kthye në atdhe emërohet mësuese fiskulture, ndërsa kishte mbaruar për kanto. Tre muaj në Tiranë, pastaj tre muaj në Shkodër. Kthehet sërish në Tiranë për të mos u larguar më që aty. Në vitin 1938 fillon punë pranë Radio Tiranës, ku punoi për disa vite rresht si soliste, e si redaktore muzike, madje edhe në vitet e luftës. Në vitin 1944 sëmuret rëndë dhe për dy vjet ndërpret çdo aktivitet artistik. Më 1946 fillon sërish punë pranë, Radio Tiranës dhe njëkohësisht angazhohet si pedagoge pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në degën e Kantos. Së bashku me Jorgjie Trujën, Gjyzepina Kosturin, etj, ajo është pedagoge e parë e këtij Liceu, ku për vite me radhe deri në 1960 përgatiti dhjetëra breza artistësh, që më vonë u bënë nga më të njohurit e skenës shqiptare.

Me krijimin e Institutit të Lartë të Arteve ajo përsëri është e para pedagoge dhe njëkohësisht shefe katedre për disa vite. Edhe këtu vazhdon kontributi i çmuar i artistes së madhe, Marije Kraja, në degën e kantos. Në vitin 1974 deli në pension, kur i kishte kaluar të 60-tat ajo qëndroi përsëri pedagoge. Edhe më vonë ajo dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e artisteve të rinj.

Shkëlqimi i një ylli

Aktiviteti artistik i Marie Krajës është jashtëzakonisht i madh dhe i mbushur me një paraqitje të denjë si artiste e kalibrit. Ishte kënga popullore, ajo që zgjoi talentin dhe artin e saj. Fare e re, në interpretimet e saj ajo zgjoi interes e fitoi admirimin e publikut. Në vitet e studimeve të larta në Grac të Austrisë, fitoi vlerësimet më të larta për mënyrën interpretative, për zërin e saj të kultivuar e timbrikën vokale, e diksionin e pastër. Pa u shkëputur nga kënga popullore, Marie Kraja studioi pjesë nga Shumani, Shuberti, Veberi, Bethoveni, Mozart, Shtraus, Bah, etj.

Gjatë këtyre viteve Maria u njoh me artistë të mëdhenj e të njohur të kohës si dhe mori pjesë në koncertet e organizuara nga Konservatori i Gracit për çdo muaj. Në vitin 1934 kur ishte ende studente me këngët “Çili ju, moj lule çilni”, “O bilbil, i mjeri bilbil”, përfaqëson Shqipërinë në “Mbrëmjen e Kombeve” që u zhvillua në Vjenë, krahas artistëve me emër në botë.

Vitet 30-të janë vite, ku lëvizja artistike amatore u bashkua me pionierët e tjerë të artit tonë muzikor, si Kristaq Antoniu, Tefta Tashko Koço, Tonin Guraziu, Lola Gjoka, etj.

Në një situatë të tillë filloi aktiviteti artistik i Marie Krajës në Shqipëri. Me t’u kthyer në atdhe, Maria më 1 shtator 1934 jep koncertin e saj të parë në Tiranë, shoqëruar në piano nga pianisti Tonin Guraziu. Në mars të vitit 1936 jep koncert në Shkodër, që u prit mjaft mirë nga publiku artdashës shkodran. Pas dy muajsh me ftesë të shoqërisë “Rinia Korçare”, ajo përsëri e shoqëruar nga pianisti Tonin Guraziu dha një koncert tjetër në qytetin e Korçës, që u prit me ovacione dhe duartrokitje të gjatë nga publiku. Nga pritja që ju bë në koncertet e para Marisë, ju shtua besimi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Pas koncerteve të para të shoqëruar nga pianisti Tonin Guraziu, artistja e madhe Marie Kraja njihet me pianisten, Lola Gjoka dhe ndodh kështu një kthesë e rëndësishme në jetën artistike të saj.

Gjatë jetës së saj artistike të mëvonshme do të shoqërohej në piano nga Lola Gjoka. Emrat e Maries dhe Lolës do të bëheshin të pandara për vite me radhë. Në vitin 1938 së bashku japin një koncert të suksesshëm në qytetin e Vlorës. Interpretimet e këngës popullore nga Marie Kraja ishin të mrekullueshme dhe kanë mbetur edhe sot shembuj në llojin e vet. Një ngjarje e shënuar në jetën artistike të Marie Krajës ishte edhe “Mbrëmja e Këngës pleqërishte”, që u dha në 1 mars 1939 dhe që bëri bujë të madhe. Marie Kraja së bashku me Tefta Tashkon, Tonin Guraziun, Lola Gjokën, morën pjesë në festivalin e Venecias në vitin 1939, kur një vit më parë më 1938 kishte marr pjesë e vetme në “Fiera del Levante”. Ndër koncertet e tjera të periudhës së parë artistike të Marie Krajës bën pjesë edhe koncerti që u dha në 1942 në Tiranë.

Shpërfaqja dhe shpërthimi i talentit

Pas vitit 1946, Marie Kraja ka marrë pjesë në shumë koncerte si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Më 1949 merr pjesë në një festival në Budapest, në vitin 1955 në turneun në vendet aziatike; Kinë, Mongoli, Kore e Veriut, Vietnam, etj. Ajo realizon 64 koncerte në 5 muaj. Një përfaqësim dinjitoz i artistes se së madhe dhe i këngës dhe artit shqiptar. Me krijimin e TOB (sot TKOB), ajo u shua edhe si një artiste e madhe e skenës operistike shqiptare.

Rolin e saj të parë operistik, Marie Kraja e realizoi në vitin 1953, kur Filarmonia Shqiptare vuri në skenë operen “Rusallka” të Dargomizhskit, opera e parë e vënë në skenën shqiptare. Në këtë vepër operistike ajo interpreoi në rolin e Ollas, një rol jo kryesore por që personazhi i saj ishte ndër më të realizuarit. Pas një viti, kur aftësia dhe talenti i saj në opera dolën në pah që në provën e parë, ajo realizon një tjetër rol të bukur, atë të Antonida në operën “Iva Susanjin” të Gliknkës. Tek kjo opera, ajo interpretoi rolin e një fshatareje ruse, e që më pas u pasua nga një rol tjetër fshatareje, në operën “Nusja e shitur” e Smetanas. Këtë rol Marie Kraja e interpretoi me shumë sukses edhe në skenën e Teatrit të Operas së Bratislavës.

Në vitin 1956, Marie Kraja interpreton një rol të vështirë, Violetën në operën e Verdit, “Traviata”. Por përsëri me talentin dhe artin e saj, ajo e përballoi me sukses gjë që u vu re edhe në Teatrin e Operas në Budapest, ku u duartrokit gjatë nga publiku i këtij qyteti me traditë në artin operistik. Më pas ajo interpreton edhe në operën “Jollanta” të Çajkovskit.

Pas interpretimit që i bënë operës “Mrika” të Prenk Jakovës me interpretuesit shkodranë. Në vitin 1959 ajo u vu në skenë nga TOB (Sot, TKOB). Marie Kraja edhe këtu interpreton rolin e kryesor të Mrikës, në operën e parë shqiptare, një nga perlat e muzikës operistike shqiptare një prej sfidave të traditës sonë të artit operistik. Në vitin 1954, Marie Kraja kishte interpretuan edhe në rolin e Hënës, në operetën “Agimi” të Kristaq Konos.

“Mrika” e Marie Krajës ka qenë në një ninel të lartë artistik dhe, edhe pse ky rol është interpretuar edhe më vonë nga solistë të tjerë, askush nuk ka arritur të japë forcën dhe bukurinë këtij roli, përveçse Marie Kraja. Një opera tjetër shqiptare, ku Marie Kraja interpretoi me sukses ishte edhe “Lulja e Kujtimit” e Kristaq Konos.

Marie Kraja një diva, kombetare dhe ndërkombëtare

Marie Kraja në artin operistik nuk shquhej vetëm për zërin e mrekullueshëm e bukurinë, mjeshtërinë e të kënduarit, por edhe për interpretimin me nivel të lartë artistik të roleve që i besoheshin. Kjo e bënte atë një artiste të kompletuar e të paarritshme. Ndonëse ajo iu përkushtua për një kohë të gjatë artit operistik, ajo përsëri nuk hoqi dorë nga koncertet, muzika popullore dhe ajo e përpunuar, ku ajo i dha vlera të çmuara këngës popullore, e ngriti atë në art të vërtetë. Janë shumë koncerte, të dhëna si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit nga artistja e madhe. Në koncertet jashtë Shqipërisë si në Austri, Gjermani, Itali, BRSS (Rusi), Hungari, Bullgari, Kinë, Mongoli, Vietnam, etj, Marie Kraja përfaqësoi denjësisht vendin e saj.

Artistja në opus dhe optikë

Për Artisten e Popullit Marije Kraja janë shkrue shumë artikuj, shkrime e vlerësime nga autorë të ndryshëm. Muzikologu dhe kritiku muzikor, Spiro Kalemi, autor i një monografie për Marije Krajen shkruen: “Marija, përmes këngës, arriti të zbulojë dinamikën e jetës qytetare, nxori në pah motivet e ndryshme shoqërore, botëkuptimin e një epoke e deri shijet e një mjedisi të caktuar, meqë pasqyro- heshin me besnikëri në këto kangë, njëkohësisht mënyra se si ajo përdori teknikën e të kënduarit dhe zërin, krijoi një shtrirje harmonike në mes për bërësve poetikë e muzikorë të këngës. Maria ishte e brumosur në ndërgjegjen e saj me këngën popullore. Që në rininë e hershme ajo dëgjonte ahengxhinjtë shkodranë me vëmendje mësoi prej tyre këngët që i shkonin për shtat vokalit e teknikës saj. Jo vetëm kaq, por ajo në atë moshë të re filloi të ndante rolin e instrumentistit shoqërues nga ai primar, që merrte melodinë, siç ishte violina, klarineta etj. Ajo vërejti se trilli nuk ndërtohej me gjysmë zëri si në muzikën e kultivuar, por me intervale të zvogëluara, deri në një të katërtën e tonit, e këtë e bënte zakonisht në glisandot e ngushta në ngjitje a në zbritje, jo vetëm në këngë me shtrirje e kurbacione të mëdha, por edhe në këngët e vogla si p.sh. Kënga e Halilit, Kënga e Rexhës, Mollë e vogël top sheqere etj.” Ndërsa pedagogu e studiuesi Ferid Bala, në “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”, Shkodër, 2014, shkruen: “Për mendimin tonë, Marije Kraja i nxori këngët popullore nga auditori i ngushtë familjar dhe i solli në mjedise të hapura koncertale, pranë publikut të çdo moshe e gjinie. Duke kapërcyer kufizimet vokale të këngëtarëve të rëndomtë të ahengut dhe, duke i’u shmangur teprimeve të shumë artistëve profesionistë, lidhur me frazën e dendësinë e zërit të përdorur, mënyrat e matura dhe të sakta të të kënduarit të Maries, u kthyen në shembull për të tjerët. Arsyet që këto këngë të interpretuara nga Marie Kraja i qëndruan kohës, janë të lidhura në një masë të mirë me dy faktorë, me vlerën e vetë këngës dhe së dyti me mënyrën e interpretimit te tyre nga Marie Kraja”.

Nderime dhe mirënjohje

Për gjithë aktivitetin e gjatë artistik, Marie Kraja është nderuar me çmime, tituj, urdhra e medalje të ndryshme. Në vitin 1961 ajo është ndër e para që merr urdhrin e lartë “Artiste e Popullit”. Ndonëse kanë kaluar vite, Marie Kraja mbetet simbol i muzikës shqiptare. Më 1986 me rastin e 85-vjetorit të lindjes i’u akordua urdhëri “Mjershtre e Madhe e Punës”. Në kuadër të këtij vlerësimi veprën dhe emrin e kësaj artisteje të madhe, është edhe Festivali Nëdrkombëtarë Operistik “Marie Kraja” që në maj të këtij viti realizoi me sukses edicionin e saj 19-të.

Epilogu

Ajo çfarë ishte Marie Kraja, ajo çfarë ajo dha në lëmin e këngës popullore, lirike, por kryesisht në sfidën operistike, një zhanër sa i vështirë aq dhe përfaqësues, ka qenë, është dhe do të jetë një obligim për nderim dhe mirënjohje. Zëri i saj i jashtëzakonshëm, arti dhe shpirti i saj janë në repertorin e këngës shqiptare, në traditën e shkëlqyer operistike, një prej gurëve më të shndritshëm në gjerdanin e kulturës tonë kombëtare dhe artin e pavdekshëm që ajo la si një amanet.

Vdiq në Tiranë më 21 nëntor të vitit 1999.

Telegrafisht veprimtaria dhe vlerësimet e marie Krajës

Koncerte:

1934: Koncert, Grac, Austri, 1934 “Mbrëmjen e Kombeve” që u zhvillua në Vjenë,

1934: Koncert në Tiranë,

1936: Koncert në Shkodër e Korçë,

1937: Fiera Del Levante, Bari,

1938: Deutshe Akademi, Munih,

1939: Festivali: Magio Fiorentino, Firence

1949: Festivali i Budapestit,

1955: Turne i madh në Kinë, Mongoli, Vietnam, Kore e veriut, (64 koncerte),

Budapest,

1959: Koncert në Moskë, 1960: “Nusja e shitur”, në Bratislavë, etj

Opera:

1953: “Rusallka”,

1954: “Ivan Susanjin”,

1954: “Agimi”

1955: “Nusja e shitur”

1956: “Traviata”,

1957: “Jollanta”,

1959: “Mrika”,

1960: “Lulja e kujtimit”,

1961: “Dasma e figaros”, etj.

Çmime:

1961: “Artiste e popullit”

1956: “Laureat i Çmimit të Republikes”, Urdhëri “Naim Frashëri” kl I.,

1996: “Mjeshtre e madhe e punës”

Disku i artë me 50 këngë popullore

Përgatiti: Albert Vataj

Referenca:

Libri “55×2 portrete artistësh” nga Flori Slatina, botimi i gazetës “55”, F.59-62

wikiwand.com/sq/Marie_Kraja

“Shkodra, kontribute në traditat kulturore e artistike shqiptare” nga Marian Z. Shestani, F. 389-392.

http://radiokosovaelire.com/marie-kraja-1911-1999…/

http://kultplus.com/…/marie-kraja-diva-qe-thyente-tabu…/

Filed Under: Kulture

EMINA ÇUNMULAJ E FTUAR SPECIALE NË DARKËN E VATRËS KUSHTUAR FESTËS SË FLAMURIT KOMBËTAR

November 21, 2023 by s p

Emina Çunmulaj, ambasadorja e artit dhe kulturës shqiptare, promotorja e vlerave më të larta artistike kombëtare do të jetë e ftuara speciale që do të marrë pjesë në festën e Flamurit Kombëtar në New York, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA. Me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Vatra fton të gjithë shqiptarët në festën e Flamurit Kombëtar, festë që bashkon të gjithë shqiptarët anembanë botës. Pavarësia është ditë e shenjtë dhe e shtrenjtë e lirisë së një kombi e populli, është dita më e shënuar në histori.

Ju ftojmë të bëheni pjesë e festës historike të të gjithë shqiptarëve.

Darka e Pavarësisë do të organizohet ditën e Martë, 28 Nëntor 2023, Ora 7:00 PM, Adresa: Villa Barone Manor, 737 Throggs Neck Expy, Bronx, NY 10465.

Për çdo informacion, personat përgjegjës të kontaktit janë:

Ilir Cubi cel: 9143108355, Besim Malota cel: 917 418 3392, Paulin Mrnaçaj cel: 3865850999 dhe Anton Raja cel: 646 594 4747.

JU MIRËPRESIM TË GJITHËVE.

Filed Under: Featured

Manifestim paqësor me plisa në kokë e veshje kombëtare në nderim të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve!

November 21, 2023 by s p

20 nëntor 2023, Teatri Kombëtar – Prishtinë

Shkruan: Prof.dr.Nusret PLLANA/

Me kontributin e stafit udhëheqës të fakultetit të edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, të Prishtinës, në krye me dekanin e këtij fakulteti, Prof.dr. Blerim Saqipi dhe Prof. dr. Nusret Pllana, e të studenteve tona me plisa të bardhë në kokë, por edhe të mësueseve Ligatinë Berisha e Vera Berisha, së bashku me nxënësit e tyre, të Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”, të fshatit Gllamnik të Besianës, të veshur bukur me kostumet kombëtare, sot( më 20 nëntor 2023), në ora 12:00, para Teatrit Kombëtar të Prishtinës, për nderë të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, në shenjë respekti dhe nderimi të përjetshëm, përmes një manifestimi paqësor protestues, por edhe një programi të pasur kulturo – artistik, i kujtuam me dhimbje 1432 fëmijët shqiptarë, viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashiste, të cilët barbaria dhe mizoria e ushtrisë dhe policisë kriminale serbe na i pat vra në periudhën e viteve 1981/1999, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin, e për fat të keq, për këto masakra dhe krime gjenocidiale nuk është dënuar asnjë kriminel serb deri më sot.

Njëherit, studentja Gentianë Kutllovci dhe mësuesja Ligatinë Berisha, përmes fjalimeve të tyre të përgatitura në mënyrë shembullore, enkas për sot, shprehën pakënaqësinë e tyre që, Institucionet tona kompetente qe 25 vite rresht, nuk e treguan as kujdesin minimal ndaj gjithë këtij gjaku të derdhur lum, të fëmijëve tanë ‘engjëj’, që t’paktën, të ju ngritet, qoftë një Kompleks Memorial (OBELISK), qoftë një përmendore a shtatore për ta.

Por, për fat të keq, edhe përkundër premtimeve të Qeverive tona të njëpasnjëshme, ato asnjëherë nuk u bënë realitet..

Fatkeqësisht edhe sot, në mungesë të këtij OBELISKU, Ing. Xhavit Muqolli( përfaqësuesi i Familjes martire të Poklekut të Drenicës heroike), bashkë me studentet tona dhe nxënësit e mësueseve Legatinë Berisha e Vera Berisha, kurorat me lule i vendosën pranë Obeliskut të improvizuar, përballë Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Për përkrahjen dhe kontributin moral e material, që ky manifestim të bëhej sa më madhështor, kontribuan “ODA LLAPJANE”, Agjensioni “DITA”, Nebih Balaj, Arsim Bajrami, Muhamet Latifi, Shefki Sejdiu, Pajazit Jashari, Irfan Miftari dhe Irfan Kutllovci, të cilët i falënderojmë përzemërsisht.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i fëmijëve tanë ‘engjëj’, gjaku i të cilëve është liria vet!

Filed Under: Kronike

MATJANËT NË NEW YORK E RRETHINA FESTUAN 111 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 21, 2023 by s p

Mbrëmjen e 19 Nëntorit 2023, mbi treqind matjanë nga New York, New Jersey dhe Connecticut u mblodhën së bashku në një restaurant në Brooklyn, për të festuar dy gëzime në një ditë: shpalljen e krijimit të “Shoqatës Mati” dhe festimin e 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në pamfletën e shpërndarë për të pranishmit, shpaloseshin tri kolona të shkurtëra informative, por të ngjeshura në mendime. Në kolonën e parë “Historia e Matit” kishte një foto dhe një thënie të Nanë Terezës: ”Not all of us can do great things. But we can do small things with great love”. Thënie e shqipëruar që do të thotë : “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Dhe në vazhdim shkruhet: ”Krahina e Matit është një muze i vërtetë arkiologjik dhe djepi i kulturës ilire. Në Mat në Kishën e Trinisë në krye të fshatit Shëlli shkruhet më 1462 dokumenti i parë në gjuhën shqipe, formula e Pagëzimit nga Pal Engjëlli që ishte kryepeshkop i Durrësit dhe këshilltar i Skënderbeut”. Po ashtu thuhet se Mati është i njohur midis shqiptarve si “Toka e mbretërve” se aty ka lindur Gjon Kastrioti, babai i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, dhe Ahmet Zogu mbreti parë i Shqipërisë. Në kolonën “Rreth nesh” të shoqatës shkruhet: “Të gjithë aktivitetet që zhvillohen janë me karakter kulturor, edukues dhe argëtues. Shoqata Mati ka për qëllim mes të tjerash ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në përgjithësi, si dhe traditave e zakoneve të bukura matjane në veçanti. Shoqata shërben gjithashtu për të lehtësuar sadopak integrimin e shqiptarve në jetën amerikane, kapërcimin e vështirësive të para nëpërmjet rrjeteve të informacioneve dhe këshillimeve profesionale nga antarë të shoqatës.

Në kolonën e tretë është pasqyruar misioni dhe vizioni i shoqatës ku spikat ajo e bashkëpunimit me shoqatat e tjera dhe me vendlindjen.

Aktivitetin e hapi Kryetari Shoqates “Mati”, z.Mentor Mata ku me një fjalim të shkurtër foli për krijimin dhe synimet e shoqatës në të ardhmen. Më pas për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë fjalën e rastit e mbajti z.Hasan Metuku (avokat). Biznesmeni Fatos Valteri solli para të pranishmëve punën paraprake për bashkimin në shoqatë dhe nevojën e ndërlidhjes për bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen. Më pas disa specialistë matjanë të fushave të ndryshme ju ofruan antarve të shoqatës mundësi këshillimi falas në mënyrë që antarët të mund të ingranohen më shpejt e më profesionalisht në jetën amerikane. Aktivitetin e moderoi me shumë bukuri e elegancë anëtarja e kryesisë së shoqatqës (Ish Nënkryetarja e Bashkisë Burrel Zonja Anjeza Përlesha Shema). Veç sa më lart, organizatorët kishin programuar edhe imitime e sfonde aktrimi me karakter edukues si për të rriturit dhe fëmijët. Këngët e vallet matjane dhe gjithshqiptare “valuan” për tre- katër orë duke ngrohur e ngritur peshë zemrat e të pranishmëve, në një mjedis të mirzbukuruar me flamuj e banderola shqiptare e amerikane.

I ftuar dhe i pranishëm midis tyre, si pjesë e qënësisë matjane, edhe unë u ndjeva thellësisht i gëzuar dhe i privilegjuar. Takova miq, shokë, ish kolegë dhe me shumicë dashamirë të cilët ma zbukuruan shpirtërisht këtë ditë feste. Me disa intelektualë të këtij komunteti bisedova edhe për mundësisnë e lidhjes më të ngushtë me aktivitetet e Vatrës si Federata më e vjetër e komunitetit në mënyrë që së bashku të mund ti shërbejmë më mirë komunitetit e kombit.

Respekte pafund matjanë të dashur. Gëzuar 111 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë.

ASLLAN BUSHATI

Filed Under: Reportazh

ROLI I ALEKSANDËR XHUVANIT NË ZHVILLIMIN E MENDIMIT PEDAGOGJIK

November 20, 2023 by s p

11.08.1933

Dr. Vojsava KUMBULLA 

Mësuese Historie, studiuese

Dr. Florenca STAFA

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”

Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike (QSAB)

Fakulteti i Shkencave Humane 

Elda TALKA  

Abstrakt

Aleksandër Xhuvani një nga themeluesit e shkencës së pedagogjisë shqiptare, zhvillues i mëtejshëm i trashëgimisë pedagogjike të iluministëve demokratë të Rilindjes Kombëtare, si K. Kristoforidhit, Naim Frashërit dhe Sami Frashërit etj.

Ky studim ka në fokus të sjellë në vëmendje figurën e A. Xhuvanit në tre dimensione:

Së pari, në fushën pedagogjike. Qasjet e Xhuvanit për kohën në të cilën jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij, duke i krahasuar ato me sistemin aktual arsimor sot.

Së dyti, si veprimtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Kontributi i Xhuvanit si anëtar i shumë komisioneve, qëndrimet dhe risitë që solli në fushën e shkencës.

Së treti, qëndrimi që u mbajt ndaj figurës së tij gjatë regjimit komunist. Shumë figura dhe personalitete që kontribuan në Institutin e Studimeve Shqiptare, u konsideruan si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe nazismit, ndërkohë që ndaj Xhuvanit nuk pati një qëndrim armiqësor ndonëse kishte mbajtur peshën kryesore në këtë Institut. 

Fjalë kyçe: pedagogji, qëndrime, risi, etikë, didaktikë

Në rrugëtimin e tij për zhvillimin e arsimit, si një nga figurat më të rëndësishme të shkollës së parë pedagogjike në Elbasan “Normalja e Elbasanit”, A. Xhuvani e kuptoi më mirë se çdo kush rëndësinë e edukimit dhe zhvillimit të mendimit pedagogjik, rolin e mësuesit në formimin dhe edukimin e nxënësve. Për këtë botoi  “Fillimet e pedagogjisë për shkollat e fillore” pjesa e dytë, “ Didaktikë e Edukatës” për ta vazhduar pastaj me “Didaktikën” dhe “Edukatën. Përmes këtyre botimeve ai rriti kualitetin e mendimit pedagogjik dhe vendosi bazat e punës shkencore në fushën e pedagogjisë shqiptare duke sintetizuar mendimet, idetë dhe duke sjellë modelet e zhvillimit pedagogjik botëror. Në këtë mënyrë ai i kushtoi jetën zhvillimit dhe përparimit të shkollës shqipe përmes studimit të çështjeve të mësimit dhe edukimit  duke vendosur theksin edhe mbi atë çfarë duhet të jetë një mësues.  Ai përpunoi mendimet e tij pedagogjike mbi personalitetin e mësuesit, veprimtarinë e të cilit nuk e shikon vetëm brenda shkollës por në një shkallë më të gjerë shoqërore sepse kështu fëmijët do të zhvilloheshin në pikpamje morale, fizike e psikologjke.

 Në këtë kontribut, ai është botues i më shumë se pesëdhjetë artikujve shkencorë, përkthyes i autorëve me nivel botëror në fushën e pedagogjisë, pjesëmarrës dhe drejtues i disa Kongreseve Arsimore duke spikatur për origjialitet, pjekuri, qartësi dhe metodikë. 

Aleksandër Xhuvani njeriu që frymëzoi breza të tërë mësuesish, nxënësish, kolegë, dhe gjithë dashamirësit e shkencës duke i ushqyer me dashurinë për gjuhën, historinë, mësimdhënien dhe Shqipërinë. 

Ai  ishte vazhdues dhe nxënës i zellshëm i trashëgimisë pedagogjike të iluministëve demokrat të Rilindjes Kombëtare, të Kristoforidhit, Naim e Sami Frashërit, Gj. Qiriazit etj.

Më 1926, Aleksandër Xhuvani do të botojë “Fillimet e pedagogjisë për shkollat  fillore, pjesa e dytë, “Didaktikë e Edukatës” për ta vazhduar pastaj me “Didaktikën” dhe “Edukatën”- me këto vepra Xhuvani shënoi një zhvillim në mendimin pedagogjik shqiptar. Ai vuri bazat e punës shkencore në fushën e pedagogjisë shqiptare. Pra ai është themelues i shkencës pedagogjike shqiptare.

Pedagogjia sipas tij është shkencë dhe art i edukatës me një rëndësi shumë të madhe shoqërore e kombëtare dhe që ka lidhje të ngushtë edhe me shkencat tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, sociologjinë, logjikën etj. Qëllimi i pedagogjisë është formimi i personalitetit, formimi i njerëzve me gjykim të pavarur dhe të lirë, të aftë për të përballuar çdo situatë të jetës. Duke u bazuar në këtë, ai u angazhua që shkolla të formojnë njerëz të mirë, të kulturuar, qytetarë, njeriun human dhe me integritet.

Po në çfarë situate jemi ne sot? A kanë gjetur zbatim sot në shkollat tona?

Teorikisht po, ne flasim çdo ditë për formimin e personalitetit të nxënësve dhe reformat orientohen për mësimdhënie  që të nxisë mendimin e pavarur, të formojë nxënës qytetarë por në fakt shumë pak arritje ka në këtë drejtim. Edhe pse 100 vjet më parë këto ide inovative janë shpalosur në studimet e këtij mendimtari të pedagogjisë, didaktikës dhe psikologjisë, ende mësimdhënia prezanton probleme që kanë të bëjnë me të mësuarin mekanik, teorik që nuk nxit debat dhe diskutim dhe që zhvillohen në një mjedis të mbyllur. Kjo ndodh sepse mësuesit nuk priren të zbulojnë dhe vlerësojnë atë çfarë nxënësi është i aftë të bëjë, por synon që përmes pyetjeve të njëpasnjëshme të tregojë atë çfarë nxënësi nuk di. Eksistojnë shumë shpjegime për gabimet që nxënësit bëjnë në shkollë, por të kuptuarit e të menduarit edhe pas gabimeve duhet të jetë edhe më i çmuar dhe i rëndësishëm. 

Sipas Xhuvanit, puna në shkollë duhet të bazohet në njohjen e mirë të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Për këtë arsye e shkroi edhe veprën “Psikologjia”e cila vlerësohet si vepër monumentale për literaturën shqiptare. Në rast se shkollat tona do të kishin përgatitur mësues që do ta bazonin punën e tyre jo thjesht në dhënie të njohurive të teksteve, por përmes diskutimeve mbi tematika të ndryshme, të njihnin karakterin dhe tiparet psiko-fizike të nxënësit, shoqëria jonë nuk do të kishte problemet që ka sot me dhunën në familje apo abuzimet e natyrave të ndryshme. Ndaj dhe Xhuvani vendoste theksin dhe e shihte misionin e mësuesit jo thjesht si mësimdhënës por si edukator. 

Xhuvani dha kontribut edhe në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës dhe pedagogjisë shkollore shqiptare. U mor me trajtimin e çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siç janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, e deri tek infrastruktura shkollore si faktor në mësim cilësor etj. Për ta nxjerrë shkollën shqipe nga prapambetja dhe kaosi i rrymave e ndikimeve të ndryshme pedagogjike dhe për ta ngritur atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike botoi tekstet: “Didaktikë e edukatë”,” Didaktika”. 

Ai kuptoi më së miri rolin dhe peshën që kishte mësuesi në zhvillimin e arsimit në tërësi, por edhe në zhvillimin e personalitetit të nxënësit në veçanti dhe si rrjedhim në zhvillimin shoqëror e kombëtar. Gjithë veprimtaria e tij në këtë drejtim synoi formimin dhe përsosjen pedagogjike, profesionale dhe metodike të mësuesve. Ai kuptoi drejt rëndësinë  që kishte figura e mësuesit dhe çfarë mundësish duhet të krijoheshin për të rritur profesionalisht mësuesin. Ai dinte të kritikonte mësuesin që nuk përpiqej të përmirësohej në fushën pedagogjike dhe krijonte çdo hapësirë dije për çdo njërin prej tyre që e dashuronte dhe e bënte me pasion edukimin dhe mësimdhënien. Me modelin e tij të mësimdhënësit ai zgjoi tek shumë kolegë e nxënës dëshirën për ta parë pedagogjinë si shkencën që do të ndihmonte në ecurinë individuale, shoqërore e kombëtare dhe në rritjen e mëtejshme të vetëdijes ndërpersonale. Për të kishte peshë çdo fjalë, veprim, qëndrim dhe sjellje e mësuesit si në ambjentin shkollor dhe jashtë saj. Dhe natyrshëm lind pyetja: Po sot? 

Reformat e shpeshta arsimore e kanë deformuar figurën e mësuesit, por edhe përgatitjen e tij shkencore dhe nivelin e tij profesional. Xhuvani e vlerëson mësuesin si një personalitet dhe e vendos atë në hierarkinë e lartë shoqërore për vetë misionin që ai ka duke cituar se: “Vetë vetëdija që mësuesi asht tue formue gjënë ma fisnike në botë, shpirtin e njeriut, duhet ta naltësojë e ta nxisë që të punojë sa më shumë për atë”. 

Po sot ku është figura e mësuesit? Çfarë vlerësimi dhe kontributi i njihet dhe cilat janë përpjekjet për xhvillimin dhe lartësimin e tij?

Sot mësuesi është në presion të shumfishtë si nga drejtuesit, prindërit, nxënësi, media, politika dhe nuk ka asnjë lloj stimuli për mësuesit që bëjnë diferencën në zhvillimin e tyre profesional dhe që shquhen për zhvillim të tyre akademik, pedagogjik e didaktik. Mungon statusi i mësuesit që ta mbrojë atë përballë fyerjeve, paragjykimeve dhe sulmeve të pabaza nga aktorët e sipërpërmendur. Sot mësuesit i njihen dhe i përmenden vetëm detyrat dhe asnjëherë të drejtat. Ai është i pambrojtur dhe ka frikë të nrerë zërin për të mbrojtur veten. Përballë kësaj gjendje si mund të pretendojmë për reformat ë aplikueshme arsimore që ndërmerren në çdo dy vjet dhe që nuk janë aspak të studiuara.

Në këtë mënyrë gjatë gjithë veprimtarisë së tij në fushën pedagogjike, Xhuvani mbronte me forcë parimin e vetveprimit dhe ndërveprimit të nxënësve në orën e mësimit, vendosjen e nxënësve në pozita aktive pune, duke kërkuar, hulumtuar, vëzhguar dhe nxjerrë përfundime në formë reflektimi. Ndaj për këtë vinte theksin ai, duhet punuar shumë përmes një pune individuale dhe të diferencuar me nxënësit. Por edhe sot korniza jonë kurrikulare, programet arsimore synojnë dhe përshkruajnë të njëjtat kompetenca që duhet të zhvillojë nxënësi, ndaj dhe pyetja që lind është ku kanë shkuar 100 vite që nuk janë zbatuar këto mendime të kolosit të pedagogjisë shqiptare me frymë përparimtare?

Këto parime me të cilat duhet të udhëhiqet mësuesi sipas Xhuvanit, po t’i krahasojmë me sot janë standartet profesionale të mësuesit (integriteti, zhvillimi shkencor, etika dhe komunikimi, bashkëpunimi me komunitetin etj.

Me vlerë janë edhe idetë e tij nga fusha e pedagogjisë parashkollore, nga fusha e andragogjisë, si dhe nga pedagogjia familjare. Ai thekson ngritjen arsimore dhe kulturoretë femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi si faktor shumë të rëndësishëm shoqëror e edukativ.Dha kontribut edhe në pedagogjinë speciale dhe përpjekja e tij synonte për propagandimin e arritjeve evropiane në këtë fushë edukative e humane.

Nuk mund të linte jashtë vemendjes së tij edhe rëndësinë që kishte përfshirja sa më e gjerë e prindërve në procesin e gjithpërfshirjes në shkollë si një aktor kryesor në ecurinë e bashkëpinimit shkollë familje. 

Gjithçka e trajtuar dhe e trasmetuar prej tij është kaq aktuale dhe e domosdoshme edhe sot por që për shkak të problematikave që ka duket sikur problemet kanë ngelur në vend. Natyrisht paralelizmat nuk mund të hiqen njësoj me periudhën që Xhuvani i shtron këto probleme, sepse niveli arsimor i popullsisë ishte shumë i ulët. Kjo na bën sot që të kuptojmë nevojat e mëdha që ka arsimi dhe pedagogjia për të ndryshuar standartin dhe cilësinë. 

Sistemin pedagogjik veç traditës kombëtare e përvojës arsimore, Xhuvani e mbështeti edhe në mendimin pedagogjik të pedagogëve të shquar botërorë si: Komenski, Pestaloci,  sidomos Herbarti  etj.

Ai ishte pedagogu, i cili u përpoq vazhdimisht për futjen e gjithçkaje që ishte përparimtare në shkollë, për pedagogjinë shqiptare dhe për propagandimin e saj ndaj dhe  veprat e tij ndryshe quhen edhe pedagogjia xhuvaniane.

Kontributi i tij është domethënës në sistemin arsimor shqiptar bazuar sipas standardeve të përparuara të kohës, duke përfshirë këtu legjislacionin shkollor, tekstet shkollore, përgatitjen e kuadrit mësimor, terminologjinë pedagogjike-shkollore, organizimin e mësimit, dokumentacionin pedagogjiko-shkollor etj. Xhuvani ishte shembull i mësuesit dhe pedagogut të mirëfilltë; vetë ai ishte shembull se si duhet punuar për arsimin, shkencën, popullin dhe atdheun.

Një kontribut jo pak të vogël Aleksandër Xhuvani ka me veprimtarinë e tij edhe pranë Institutit të Studimeve Shqiptare në vitet 1940-1944. 

Instituti i Studimeve Shqiptare kurorëzoi fillesat për krijimin e një qendre të vetme të albanologjisë shqiptare. Ai synonte të ngrinte në një shkallë më të lartë dhe të përhapte kulturën filologjike, letrare, artistike e historike në Shqipëri si dhe të zbulonte vlerat e rëndësishme kombëtare.Synimi ishte që të lëvronte gjuhën kombëtare në drejtim të pastërtisë, frazeologjisë dhe leksikologjisë. Ai synonte të grumbullonte e të nxirrte në dritë folklorin shqiptar dhe të mblidhte të dhëna e dokumenta për historinë dhe artin kombëtar. 

Instituti do të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, letrave dhe arteve. Nga ana tjetër ai do të përpiqej të zhvillonte kulturën kombëtare duke u kujdesur ta pasuronte atë edhe me  botime të autorëve të huaj lidhur me Shqipërinë, por jo vetëm. Kështu ai synonte të ngrinte punën e tij ashtu si institutet e tjera në vendet europiane por duke ruajtur indentitetin. Instituti ishte i strukturuar qartë dhe me një hierarki të admirueshme dhe një pozitë të mirëpërcaktuar të çdo anëtari dhe komisioni në përbërje të tij. 

Veprimtaria e Institutit drejtohej nga Këshilli Shkencor i përbërë nga kryetari, nënkryetari dhe katër këshilltarë si Senator Mustafa Kruja (Kryetar), Prof. Carlo Tagliavini (Nënkryetar), dhe këshilltarët Prof. Eqerem Çabej, Padre At Zef Valentini, Dom Lazer Shantoja, Prof. Aleksandër Xhuvani.

Një risi që solli Xhuvani pranë Institutit të Studimeve ishte studimi për veshjet e grave ilire dhe ndikimi që kishin nga kultura greke, duke i bërë kështu një analizë përfundimeve të kërkimeve të Ugolinit. 

Nga studimet e bëra nga Maria Luigi Ugolini në vitin 1927 dhe të botuara në vëllimin e tij “Albania Antica”, Xhuvani një nga anëtarët e brendshëm të Institutit thotë se Ugolini na ka sjellë një skulpturë të rrallë e cila u gjend në Vlorë, por që për vitet që flasim ajo ishte zhdukur. Kjo skulpturë paraqet një figurë gruaje që njihet me emrin “vajza e Vlorës” dhe që ka një veshje që ndryshon prej veshjeve të tjera të kohëve të vjetra dhe që sipas Ugolinit kjo ishte një veshje kombëtare e Ilirëve (në tokat e të cilëve gjendet sot Shqipëria). Por i rëndësishëm është fakti se një monument i ngjashëm me këtë veshje gjendet në Berat dhe që ruhet me koleksionin “Vlora të Vlorës”. 

Por ajo që e thellon studimin është edhe ekzistenca e tre monumenteve të tjera mbi të cilat paraqitet kjo:

  1. Shtylla e e varrimit të Lepidisë Salvisë prej Durrësi,
  2. Shtylla e Klosit me katër figura, nga tëcilat dy janë prej gruaje
  3. Një fragment relievi që është i pabotuar akoma, nga Apollonia që u gjend nga gërmimet e vitit 1941.

Skulpturat e Durrësit, Klosit, Pojanit (Apolloni) bashkë me atë të Vlorës dhe Beratit janë një shenjë se veshja që ato paraqesin ka pasur një përhapje të madhe. Nga studimi i këtyre veshjeve Profesor Aleksandër Xhuvani arriti në përfundimin se : 

Veshja ilirike siç shihet tek 3 monumentet e mësipërme megjithëse kanë tiparet dhe veçoritë e veta dhe është rregullluar prej elementësh të veçantë, kjo veshje është thurrur, realizuar mbas veshjes greke, pra me imitime nga veshja greke, ku dallime më së shumti paraqet pjesa e sipërme e cila në qoftë se nuk do të ishte ruajtur, studiuesit do ta kishin të vështirë të dallonin atë nga veshja greke. Kjo ngjashmëri padyshim lidhet me faktin e kolonizimit prej grekëve të bregut lindor të Adriatikut ku qytetërimi helenik kishte depërtuar thellë në Iliri. Ky depërtim duket edhe në monedhat e Shkodrës që ishin shkruar greqisht. Megjithatë duhet pasur prasysh që këto 5 monumente me elementë edhe të veçantë ilirë janë gjetur në ato zona ose vise që kanë qenë të greqizuara krejt pasi vetëm ajo e Klosit nuk i dihet emri i vjetër, por që edhe ky qytet ka qenë organizuar sipas mënyrës greke. 

Nga gërmimet arkeologjike të vitit 1941, është zbuluar në Apoloni një trung shtylle varrimi i kushtuar Nikajës, bijës së Agronit, mbretit më të shquar ilir të shek.III. Burri i saj nga Pojani (Apolloni), duhet të ketë qenë një ilirijan i helenizuar, meqënëse i ka vendosur vajzës së tyre një emër grek. 

Në këtë mënyrë nga studimi A. Xhuvani i ndan këto monumente në dy grupe veprash:

a) Të punuar nga mjeshtër grekë (si “vajza e Vlorës” busti i Finigjisë dhe shtylla e Lepidisë

b) Vepra mjeshtrish vendas të helenizuar (relievi i Klosit, fragmenti i Apolonisë)

Sipas A. Xhuvanit si busti i Finigjisë dhe shtylla e Durrësit edhe pse janë të kohës romake ato vepra janë ndërtuar sipas frymës greke. Pra në pikpamje artistike ato i përkasin helenizimit. 

Këtu ai sjell edhe kriterin mbi bazën e të cilit bën dallimin mes dy grupeve të këtyre skulpturave. Ky kriter mbështetet së pari në punimin më pak ose më shumë të hollë të tipareve të relievit. Kështu Relievi i Klosit dhe i Apolonisë janë më shumë të trasha se veprat e tjera, prandaj mund të themi që janë bërë  nga mjeshtër vendas të cilët janë frymëzuar nga modele greke. 

Kjo shtrirje e kufizuar e kësaj veshje nga Vlora në Durrës dhhe më në brendësi në Klos dhe në Berat (parthinët dhe taulantët) na bën të mendojmë thotë Xhuvani se nuk kemi të bëjmë me një veshje të karakterit kombëtar të popullit lirjan. Për të vërtetuar këtë duhen zbulime të reja në Shqipërinë e Sipërme (Shkodër) por edhe në Lindje. Por megjithatë këtë veshje nuk mund ta përziejmë me atë greke. 

Pra monumentet e shqyrtuara që i përkasin shek. III-I pr.k (pra kohëve të ndryshme dhe vendeve të ndryshme) kanë karakteristika të përbashkëta se të ndërtuarit e petkut tregon një frymëzim prej modelesh greke të shek. IV, por megjithatë nuk janë kurrë imitime të modeleve të vjetra. Studimi gjithsesi tregon se gjithë monumentet na tregojnë një tip të veshjes ilirike ashtu si ajo ishte formuar në një epokë të caktuar, në shek.IV duke u afruar me modën greke, më pas u caktua definitivisht, por që ruajti të pandryshueshme elementët ndërtues të veshjes.

Komisioni i terminologjisë  i përbërë nga Kol Kamsi, Vangjel Koça, Xhevat Korça, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, At Zef Valentini mori në shqyrtim mënyrën e të shkruarit të emrave të vendeve të Mbretërisë Shqiptare dhe doli në një vendim, sipas të cilit në shkrimin e emërtimeve të ndryshme do të përdoret emri i caktuar i vendeve shqiptare, model i cili është bërë publik edhe në shtypjen e hartës së re “Shqipnija” të Prefekturave dhe Nënprefekturave, Bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Kjo formë përdorimi i emërtimeve të vendeve do t’i vinte në ndihmë edhe shkrimtarëve, gazetarëve e studiuesve të huaj të cilët duke mos njohur mirë gjuhën shqipe përdorin përgjithësisht formën e emrit të pacaktuar edhe atje ku mund të përdorej fare mirë forma e caktuar e emrit, p.sh “Shkoj në Tiranë” dhe jo  “Shkoj Tiranë”, sepse forma e pacaktuar duhet të përdoret gjithnjë kur mbas emrit të vendit vjen një datë.

Komisioni i terminologjisë shpesh mblidhej për të gjetur noelogjizmat të cilat kishin filluar të përdoreshin dendur në jetën e përditshme e si rrjedhim ato duhet të zëvendësoheshin me fjalë shqipe. Këto neologjizma për tu kuptuar në masën më të gjerë do të shpjegoheshin me anë të shtypit kombëtar si për kuptimin që kishin edhe për mënyrën e përdorimit dhe rrënjën e saj.

Si rrjedhim i çrregullimit të madh të toponamistikës shqiptare u ngrit edhe një komision i dytë i përbërë nga Prof. Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Mati Logoreci, Namik Resuli, Ndue Paluca, për caktimin dhe ndreqjen e e toponimeve të krahinave të lirueme, kërkesë e bërë kjo nga vetë Kryesia e Këshillit të Ministrave. Nga puna e komisionit të Toponomastikës mund të sjellim këto shembuj:

Balldreni Kryekuqi Nenshati

Buzmadhja Kryemadhi Perbregu

Buzmadhi Kryemdhaj Qafmolla

Dardhëzeza Kryevidhi Shëngjergji

Gurrazezi Kryeziu             Sheshluga

Gurishta Kryezezi Shengjini

Gurriza             Lanabregasi Tajkodra

Kryegjata Nderfandëna             Vidhishta

Shinavlashi Shinapremtja             Vreshtazi

 Po kështu u punua edhe për përpilimin e rradhitjes së toponomastikës së kryeqytetit.

Nga puna e Komisionit të Terminologjisë rezultoi zëvendësimi i disa fjalëve të huaja që gjenden në fjalorin e përditshëm popullor me fjalët koresponduese të tyre në gjuhën shqipe si për shembull:

Fjalë e huaj   Zëvendësimi në Shqip

Hotel bujtinë

Locanda manore(bujtinë e vogël)

Rifugio             bun(fjalë e përdorur në bjeshkë)

Hospizio – Hospice             strehë

Orfantrofio – orphelinat             vorfnore

Instituti vendosi botimin e veprës “Opera Omnia”, një përmbledhje e veprës së Naimit. Komisioni i hartimit të kësaj vepre do të përbëhet nga E. Haxhiademi, L. Poradeci, A. Xhuvani, Resuli, Bernardin Palaj.

Pas disa bisedimesh komisioni vendosi që të paraqiten të gjitha veprat e Naimit dhe do të preferoheshin sidomos ato të shtypit të vjetër të Bukureshtit, sepse kishin më pak gabime dhe ishin punuar më mirë dhe se për botimin e veprës do të përdoret një orthografi e njëjtë për të gjitha veprat në mënyrë që ato të jenë uniforme jo vetëm nga formati i jashtëm dhe nga veshja hipografike por edhe nga orthografia. Për kopjimin dhe shqyrtimin e këtyre veprave u vendos që secili nga këta anëtarë të marrë përsipër disa vepra. Kështu për vetë punën dinjitoze, serioze që bëntë A. Xhuvani, por edhe për shkak të nivelit të gjerë intelektual të tij iu besua të shqyrtonte veprat: “Histori e Shqipërisë”, “Histori e Përgjithshme”, “Dituritë”, “Gjithësia”, “ Mësimet”, “Këndimi i Çunavet”.

Por meqënëse Instituti u krijua dhe u mbështet nga Italia fashiste dhe më pas nga Gjermania Naziste, pikpyetjet ngrihen sa dhe si A. Xhuvani si anëtar i brendshëm i Institutit përmes veprimtarisë së tij i shërbeu fashizmit dhe makinacioneve të tij?

Nga studimi i veprimtarisë së tij në Institut, por edhe si një ndër figurat kryesore  të fushës së arsimit, figura e tij është e pastër. Këtë e dëshmojnë edhe një sërë korespodencash dhe letërkëmbimesh qe ai ka mbajtur me digastere të larta qeveritare. Edhe pse duke qenë në poste drejtuese, ai kundërshtonte në forma të ndryshme përpjekjet për zbatimin e reformave fashiste në shkollë. 

Pra veprimtaria e Aleksandër Xhuvanit në zhvillimin e kulturës shqiptare ka qenë e gjithanshme, e shtrirë në kohë, në drejtime të ndryshme gjuhësore-historike, folklorike, pedagogjike, psikologjike duke sjellë kontributin e tij të pakursyer. 

Përfundime:

Nisur nga kontributi dhe rëndësia e veprimtarisë së Aleksandër Xhuvanit në disa fusha, por sidomos në fushën e zhvillimit të mëtejshëm të arsimit, arrijmë në këto përfundime që do të shërbenin si pika referimi edhe në ditët e sotme për t’u aplikuar në shkolla.

1-Nevoja për hapjen në Shqipëri të një shkolle të mesme pedagogjike për përgatitjen e mësuesve ashtu siç ka qenë Normalja e Elbasanit. Mësuesi duhet të jetë njohës i mirë i pedagogjisë përpara se të fillojë studimin për mësues historie dhe çdo lënde tjetër me qëllim që mësuesi të realizojë njohjen e mirë të tipareve psiko-fizike të nxënësit.

2-Mendimi dhe veprimtaria në aspektin pedagogjik e A. Xhuvanit është aktual edhe sot, dhe mund të heqim shumë vija paralele siç është rëndësia e formimit pedagogjik të mësuesit, mësimdhënia dhe edukimi të shkojnë në të njëjtin kah dhe shpejtësi, formimi.

3-Pesha e mësuesit në krijimin e shpirtit të lirë, qytetar, demokratik e human të fëmijës dhe në formimin e tij si personalitetështë i pazëvendësueshëm, është modeli, udhërrrëfyesi dhe busulla e orientimit për nxënësin. 

4-Etika. Që në vitet e para të fillimit të shkollës Normale, Xhuvani vuri në zbatim një kod etike për institucionin arsimor, i cili në formë dhe përmbajtje i qëndron kohës edhe në ditët e sotme. Ndaj qasja dhe përshtatja e tij në ditët e sotme do të përbënte vlerë të shtuar në arsim. 

Bibliografia:

  • AQSH, F. 200, V. 1941, D. 11,  fl.119
  • Fletore zyrtare 30 Prill 1940
  • Koliqi, Hajrulla. Aleksandër Xhuvani, “Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike”, Prishtinë: ETMM-KSAK, 1987
  • Xhuvani, Aleksandwr.  Fillime të pedagogjisë, pjesa e parë: “Psikologji për shkollat normale e për mësuesit e fillorevet”. Tiranë: Luarasi 1933
  • Koliqi, Hajrulla. Historia e pedagogjisë botërore II, UP. Prishtinë: 1997
  •  Koliqi, Hajrulla. Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Libri shkollor, Prishtinë: 2002
  •  Osmani, Shefik. Fjalor i pedagogjisë. 8 Nëntori, Tiranë: 1983
  •  Baku, Pasho. Fjalor enciklopedik, Bscchus, Tiranë: 2004
  • Instituti i Studimeve Shqiptare, “Studime dhe Tekste” Dega II, Arkeologjike Nr.1, V.1943
  • Agjensia e Sigurimit të Cilëssë së Arsimit Parauniversitar, “Standartet Profesionale të Formimit të Përgjithshëm dhe të formimit lëndor të mësuesit”, Tiranë, Korrik 2020
  • Instituti i Kurrikulës dhe i Trajnimit “Mësuesit dhe cilësia e arsimit, sfidë globale e shekullit XXI” Tiranë:  2009
  • Musai, Bardhyl. Psikologji edukimi:”Zhvillimi kognitiv dhe gjuha”, Tiranë: 1999
  • Rexhepagiç, Jashar.  “Aleksandër Xhuvani përfaqësues, në thelb, i mendimit pedagogjik shkencor dhe vazhdues i denjë i pedagogjisë së Rilindjes”, Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit, Tiranë: 1986

foto: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT