Mbrëmjen e 19 Nëntorit 2023, mbi treqind matjanë nga New York, New Jersey dhe Connecticut u mblodhën së bashku në një restaurant në Brooklyn, për të festuar dy gëzime në një ditë: shpalljen e krijimit të “Shoqatës Mati” dhe festimin e 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në pamfletën e shpërndarë për të pranishmit, shpaloseshin tri kolona të shkurtëra informative, por të ngjeshura në mendime. Në kolonën e parë “Historia e Matit” kishte një foto dhe një thënie të Nanë Terezës: ”Not all of us can do great things. But we can do small things with great love”. Thënie e shqipëruar që do të thotë : “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Dhe në vazhdim shkruhet: ”Krahina e Matit është një muze i vërtetë arkiologjik dhe djepi i kulturës ilire. Në Mat në Kishën e Trinisë në krye të fshatit Shëlli shkruhet më 1462 dokumenti i parë në gjuhën shqipe, formula e Pagëzimit nga Pal Engjëlli që ishte kryepeshkop i Durrësit dhe këshilltar i Skënderbeut”. Po ashtu thuhet se Mati është i njohur midis shqiptarve si “Toka e mbretërve” se aty ka lindur Gjon Kastrioti, babai i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, dhe Ahmet Zogu mbreti parë i Shqipërisë. Në kolonën “Rreth nesh” të shoqatës shkruhet: “Të gjithë aktivitetet që zhvillohen janë me karakter kulturor, edukues dhe argëtues. Shoqata Mati ka për qëllim mes të tjerash ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në përgjithësi, si dhe traditave e zakoneve të bukura matjane në veçanti. Shoqata shërben gjithashtu për të lehtësuar sadopak integrimin e shqiptarve në jetën amerikane, kapërcimin e vështirësive të para nëpërmjet rrjeteve të informacioneve dhe këshillimeve profesionale nga antarë të shoqatës.
Në kolonën e tretë është pasqyruar misioni dhe vizioni i shoqatës ku spikat ajo e bashkëpunimit me shoqatat e tjera dhe me vendlindjen.
Aktivitetin e hapi Kryetari Shoqates “Mati”, z.Mentor Mata ku me një fjalim të shkurtër foli për krijimin dhe synimet e shoqatës në të ardhmen. Më pas për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë fjalën e rastit e mbajti z.Hasan Metuku (avokat). Biznesmeni Fatos Valteri solli para të pranishmëve punën paraprake për bashkimin në shoqatë dhe nevojën e ndërlidhjes për bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen. Më pas disa specialistë matjanë të fushave të ndryshme ju ofruan antarve të shoqatës mundësi këshillimi falas në mënyrë që antarët të mund të ingranohen më shpejt e më profesionalisht në jetën amerikane. Aktivitetin e moderoi me shumë bukuri e elegancë anëtarja e kryesisë së shoqatqës (Ish Nënkryetarja e Bashkisë Burrel Zonja Anjeza Përlesha Shema). Veç sa më lart, organizatorët kishin programuar edhe imitime e sfonde aktrimi me karakter edukues si për të rriturit dhe fëmijët. Këngët e vallet matjane dhe gjithshqiptare “valuan” për tre- katër orë duke ngrohur e ngritur peshë zemrat e të pranishmëve, në një mjedis të mirzbukuruar me flamuj e banderola shqiptare e amerikane.
I ftuar dhe i pranishëm midis tyre, si pjesë e qënësisë matjane, edhe unë u ndjeva thellësisht i gëzuar dhe i privilegjuar. Takova miq, shokë, ish kolegë dhe me shumicë dashamirë të cilët ma zbukuruan shpirtërisht këtë ditë feste. Me disa intelektualë të këtij komunteti bisedova edhe për mundësisnë e lidhjes më të ngushtë me aktivitetet e Vatrës si Federata më e vjetër e komunitetit në mënyrë që së bashku të mund ti shërbejmë më mirë komunitetit e kombit.
Respekte pafund matjanë të dashur. Gëzuar 111 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë.
ASLLAN BUSHATI