20 nëntor 2023, Teatri Kombëtar – Prishtinë
Shkruan: Prof.dr.Nusret PLLANA/
Me kontributin e stafit udhëheqës të fakultetit të edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, të Prishtinës, në krye me dekanin e këtij fakulteti, Prof.dr. Blerim Saqipi dhe Prof. dr. Nusret Pllana, e të studenteve tona me plisa të bardhë në kokë, por edhe të mësueseve Ligatinë Berisha e Vera Berisha, së bashku me nxënësit e tyre, të Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”, të fshatit Gllamnik të Besianës, të veshur bukur me kostumet kombëtare, sot( më 20 nëntor 2023), në ora 12:00, para Teatrit Kombëtar të Prishtinës, për nderë të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, në shenjë respekti dhe nderimi të përjetshëm, përmes një manifestimi paqësor protestues, por edhe një programi të pasur kulturo – artistik, i kujtuam me dhimbje 1432 fëmijët shqiptarë, viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashiste, të cilët barbaria dhe mizoria e ushtrisë dhe policisë kriminale serbe na i pat vra në periudhën e viteve 1981/1999, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin, e për fat të keq, për këto masakra dhe krime gjenocidiale nuk është dënuar asnjë kriminel serb deri më sot.
Njëherit, studentja Gentianë Kutllovci dhe mësuesja Ligatinë Berisha, përmes fjalimeve të tyre të përgatitura në mënyrë shembullore, enkas për sot, shprehën pakënaqësinë e tyre që, Institucionet tona kompetente qe 25 vite rresht, nuk e treguan as kujdesin minimal ndaj gjithë këtij gjaku të derdhur lum, të fëmijëve tanë ‘engjëj’, që t’paktën, të ju ngritet, qoftë një Kompleks Memorial (OBELISK), qoftë një përmendore a shtatore për ta.
Por, për fat të keq, edhe përkundër premtimeve të Qeverive tona të njëpasnjëshme, ato asnjëherë nuk u bënë realitet..
Fatkeqësisht edhe sot, në mungesë të këtij OBELISKU, Ing. Xhavit Muqolli( përfaqësuesi i Familjes martire të Poklekut të Drenicës heroike), bashkë me studentet tona dhe nxënësit e mësueseve Legatinë Berisha e Vera Berisha, kurorat me lule i vendosën pranë Obeliskut të improvizuar, përballë Teatrit Kombëtar të Prishtinës.
Për përkrahjen dhe kontributin moral e material, që ky manifestim të bëhej sa më madhështor, kontribuan “ODA LLAPJANE”, Agjensioni “DITA”, Nebih Balaj, Arsim Bajrami, Muhamet Latifi, Shefki Sejdiu, Pajazit Jashari, Irfan Miftari dhe Irfan Kutllovci, të cilët i falënderojmë përzemërsisht.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i fëmijëve tanë ‘engjëj’, gjaku i të cilëve është liria vet!