Dr. Vojsava KUMBULLA
Mësuese Historie, studiuese
Dr. Florenca STAFA
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”
Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike (QSAB)
Fakulteti i Shkencave Humane
Elda TALKA
Abstrakt
Aleksandër Xhuvani një nga themeluesit e shkencës së pedagogjisë shqiptare, zhvillues i mëtejshëm i trashëgimisë pedagogjike të iluministëve demokratë të Rilindjes Kombëtare, si K. Kristoforidhit, Naim Frashërit dhe Sami Frashërit etj.
Ky studim ka në fokus të sjellë në vëmendje figurën e A. Xhuvanit në tre dimensione:
Së pari, në fushën pedagogjike. Qasjet e Xhuvanit për kohën në të cilën jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij, duke i krahasuar ato me sistemin aktual arsimor sot.
Së dyti, si veprimtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Kontributi i Xhuvanit si anëtar i shumë komisioneve, qëndrimet dhe risitë që solli në fushën e shkencës.
Së treti, qëndrimi që u mbajt ndaj figurës së tij gjatë regjimit komunist. Shumë figura dhe personalitete që kontribuan në Institutin e Studimeve Shqiptare, u konsideruan si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe nazismit, ndërkohë që ndaj Xhuvanit nuk pati një qëndrim armiqësor ndonëse kishte mbajtur peshën kryesore në këtë Institut.
Fjalë kyçe: pedagogji, qëndrime, risi, etikë, didaktikë
Në rrugëtimin e tij për zhvillimin e arsimit, si një nga figurat më të rëndësishme të shkollës së parë pedagogjike në Elbasan “Normalja e Elbasanit”, A. Xhuvani e kuptoi më mirë se çdo kush rëndësinë e edukimit dhe zhvillimit të mendimit pedagogjik, rolin e mësuesit në formimin dhe edukimin e nxënësve. Për këtë botoi “Fillimet e pedagogjisë për shkollat e fillore” pjesa e dytë, “ Didaktikë e Edukatës” për ta vazhduar pastaj me “Didaktikën” dhe “Edukatën. Përmes këtyre botimeve ai rriti kualitetin e mendimit pedagogjik dhe vendosi bazat e punës shkencore në fushën e pedagogjisë shqiptare duke sintetizuar mendimet, idetë dhe duke sjellë modelet e zhvillimit pedagogjik botëror. Në këtë mënyrë ai i kushtoi jetën zhvillimit dhe përparimit të shkollës shqipe përmes studimit të çështjeve të mësimit dhe edukimit duke vendosur theksin edhe mbi atë çfarë duhet të jetë një mësues. Ai përpunoi mendimet e tij pedagogjike mbi personalitetin e mësuesit, veprimtarinë e të cilit nuk e shikon vetëm brenda shkollës por në një shkallë më të gjerë shoqërore sepse kështu fëmijët do të zhvilloheshin në pikpamje morale, fizike e psikologjke.
Në këtë kontribut, ai është botues i më shumë se pesëdhjetë artikujve shkencorë, përkthyes i autorëve me nivel botëror në fushën e pedagogjisë, pjesëmarrës dhe drejtues i disa Kongreseve Arsimore duke spikatur për origjialitet, pjekuri, qartësi dhe metodikë.
Aleksandër Xhuvani njeriu që frymëzoi breza të tërë mësuesish, nxënësish, kolegë, dhe gjithë dashamirësit e shkencës duke i ushqyer me dashurinë për gjuhën, historinë, mësimdhënien dhe Shqipërinë.
Ai ishte vazhdues dhe nxënës i zellshëm i trashëgimisë pedagogjike të iluministëve demokrat të Rilindjes Kombëtare, të Kristoforidhit, Naim e Sami Frashërit, Gj. Qiriazit etj.
Më 1926, Aleksandër Xhuvani do të botojë “Fillimet e pedagogjisë për shkollat fillore, pjesa e dytë, “Didaktikë e Edukatës” për ta vazhduar pastaj me “Didaktikën” dhe “Edukatën”- me këto vepra Xhuvani shënoi një zhvillim në mendimin pedagogjik shqiptar. Ai vuri bazat e punës shkencore në fushën e pedagogjisë shqiptare. Pra ai është themelues i shkencës pedagogjike shqiptare.
Pedagogjia sipas tij është shkencë dhe art i edukatës me një rëndësi shumë të madhe shoqërore e kombëtare dhe që ka lidhje të ngushtë edhe me shkencat tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, sociologjinë, logjikën etj. Qëllimi i pedagogjisë është formimi i personalitetit, formimi i njerëzve me gjykim të pavarur dhe të lirë, të aftë për të përballuar çdo situatë të jetës. Duke u bazuar në këtë, ai u angazhua që shkolla të formojnë njerëz të mirë, të kulturuar, qytetarë, njeriun human dhe me integritet.
Po në çfarë situate jemi ne sot? A kanë gjetur zbatim sot në shkollat tona?
Teorikisht po, ne flasim çdo ditë për formimin e personalitetit të nxënësve dhe reformat orientohen për mësimdhënie që të nxisë mendimin e pavarur, të formojë nxënës qytetarë por në fakt shumë pak arritje ka në këtë drejtim. Edhe pse 100 vjet më parë këto ide inovative janë shpalosur në studimet e këtij mendimtari të pedagogjisë, didaktikës dhe psikologjisë, ende mësimdhënia prezanton probleme që kanë të bëjnë me të mësuarin mekanik, teorik që nuk nxit debat dhe diskutim dhe që zhvillohen në një mjedis të mbyllur. Kjo ndodh sepse mësuesit nuk priren të zbulojnë dhe vlerësojnë atë çfarë nxënësi është i aftë të bëjë, por synon që përmes pyetjeve të njëpasnjëshme të tregojë atë çfarë nxënësi nuk di. Eksistojnë shumë shpjegime për gabimet që nxënësit bëjnë në shkollë, por të kuptuarit e të menduarit edhe pas gabimeve duhet të jetë edhe më i çmuar dhe i rëndësishëm.
Sipas Xhuvanit, puna në shkollë duhet të bazohet në njohjen e mirë të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Për këtë arsye e shkroi edhe veprën “Psikologjia”e cila vlerësohet si vepër monumentale për literaturën shqiptare. Në rast se shkollat tona do të kishin përgatitur mësues që do ta bazonin punën e tyre jo thjesht në dhënie të njohurive të teksteve, por përmes diskutimeve mbi tematika të ndryshme, të njihnin karakterin dhe tiparet psiko-fizike të nxënësit, shoqëria jonë nuk do të kishte problemet që ka sot me dhunën në familje apo abuzimet e natyrave të ndryshme. Ndaj dhe Xhuvani vendoste theksin dhe e shihte misionin e mësuesit jo thjesht si mësimdhënës por si edukator.
Xhuvani dha kontribut edhe në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës dhe pedagogjisë shkollore shqiptare. U mor me trajtimin e çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siç janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, e deri tek infrastruktura shkollore si faktor në mësim cilësor etj. Për ta nxjerrë shkollën shqipe nga prapambetja dhe kaosi i rrymave e ndikimeve të ndryshme pedagogjike dhe për ta ngritur atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike botoi tekstet: “Didaktikë e edukatë”,” Didaktika”.
Ai kuptoi më së miri rolin dhe peshën që kishte mësuesi në zhvillimin e arsimit në tërësi, por edhe në zhvillimin e personalitetit të nxënësit në veçanti dhe si rrjedhim në zhvillimin shoqëror e kombëtar. Gjithë veprimtaria e tij në këtë drejtim synoi formimin dhe përsosjen pedagogjike, profesionale dhe metodike të mësuesve. Ai kuptoi drejt rëndësinë që kishte figura e mësuesit dhe çfarë mundësish duhet të krijoheshin për të rritur profesionalisht mësuesin. Ai dinte të kritikonte mësuesin që nuk përpiqej të përmirësohej në fushën pedagogjike dhe krijonte çdo hapësirë dije për çdo njërin prej tyre që e dashuronte dhe e bënte me pasion edukimin dhe mësimdhënien. Me modelin e tij të mësimdhënësit ai zgjoi tek shumë kolegë e nxënës dëshirën për ta parë pedagogjinë si shkencën që do të ndihmonte në ecurinë individuale, shoqërore e kombëtare dhe në rritjen e mëtejshme të vetëdijes ndërpersonale. Për të kishte peshë çdo fjalë, veprim, qëndrim dhe sjellje e mësuesit si në ambjentin shkollor dhe jashtë saj. Dhe natyrshëm lind pyetja: Po sot?
Reformat e shpeshta arsimore e kanë deformuar figurën e mësuesit, por edhe përgatitjen e tij shkencore dhe nivelin e tij profesional. Xhuvani e vlerëson mësuesin si një personalitet dhe e vendos atë në hierarkinë e lartë shoqërore për vetë misionin që ai ka duke cituar se: “Vetë vetëdija që mësuesi asht tue formue gjënë ma fisnike në botë, shpirtin e njeriut, duhet ta naltësojë e ta nxisë që të punojë sa më shumë për atë”.
Po sot ku është figura e mësuesit? Çfarë vlerësimi dhe kontributi i njihet dhe cilat janë përpjekjet për xhvillimin dhe lartësimin e tij?
Sot mësuesi është në presion të shumfishtë si nga drejtuesit, prindërit, nxënësi, media, politika dhe nuk ka asnjë lloj stimuli për mësuesit që bëjnë diferencën në zhvillimin e tyre profesional dhe që shquhen për zhvillim të tyre akademik, pedagogjik e didaktik. Mungon statusi i mësuesit që ta mbrojë atë përballë fyerjeve, paragjykimeve dhe sulmeve të pabaza nga aktorët e sipërpërmendur. Sot mësuesit i njihen dhe i përmenden vetëm detyrat dhe asnjëherë të drejtat. Ai është i pambrojtur dhe ka frikë të nrerë zërin për të mbrojtur veten. Përballë kësaj gjendje si mund të pretendojmë për reformat ë aplikueshme arsimore që ndërmerren në çdo dy vjet dhe që nuk janë aspak të studiuara.
Në këtë mënyrë gjatë gjithë veprimtarisë së tij në fushën pedagogjike, Xhuvani mbronte me forcë parimin e vetveprimit dhe ndërveprimit të nxënësve në orën e mësimit, vendosjen e nxënësve në pozita aktive pune, duke kërkuar, hulumtuar, vëzhguar dhe nxjerrë përfundime në formë reflektimi. Ndaj për këtë vinte theksin ai, duhet punuar shumë përmes një pune individuale dhe të diferencuar me nxënësit. Por edhe sot korniza jonë kurrikulare, programet arsimore synojnë dhe përshkruajnë të njëjtat kompetenca që duhet të zhvillojë nxënësi, ndaj dhe pyetja që lind është ku kanë shkuar 100 vite që nuk janë zbatuar këto mendime të kolosit të pedagogjisë shqiptare me frymë përparimtare?
Këto parime me të cilat duhet të udhëhiqet mësuesi sipas Xhuvanit, po t’i krahasojmë me sot janë standartet profesionale të mësuesit (integriteti, zhvillimi shkencor, etika dhe komunikimi, bashkëpunimi me komunitetin etj.
Me vlerë janë edhe idetë e tij nga fusha e pedagogjisë parashkollore, nga fusha e andragogjisë, si dhe nga pedagogjia familjare. Ai thekson ngritjen arsimore dhe kulturoretë femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi si faktor shumë të rëndësishëm shoqëror e edukativ.Dha kontribut edhe në pedagogjinë speciale dhe përpjekja e tij synonte për propagandimin e arritjeve evropiane në këtë fushë edukative e humane.
Nuk mund të linte jashtë vemendjes së tij edhe rëndësinë që kishte përfshirja sa më e gjerë e prindërve në procesin e gjithpërfshirjes në shkollë si një aktor kryesor në ecurinë e bashkëpinimit shkollë familje.
Gjithçka e trajtuar dhe e trasmetuar prej tij është kaq aktuale dhe e domosdoshme edhe sot por që për shkak të problematikave që ka duket sikur problemet kanë ngelur në vend. Natyrisht paralelizmat nuk mund të hiqen njësoj me periudhën që Xhuvani i shtron këto probleme, sepse niveli arsimor i popullsisë ishte shumë i ulët. Kjo na bën sot që të kuptojmë nevojat e mëdha që ka arsimi dhe pedagogjia për të ndryshuar standartin dhe cilësinë.
Sistemin pedagogjik veç traditës kombëtare e përvojës arsimore, Xhuvani e mbështeti edhe në mendimin pedagogjik të pedagogëve të shquar botërorë si: Komenski, Pestaloci, sidomos Herbarti etj.
Ai ishte pedagogu, i cili u përpoq vazhdimisht për futjen e gjithçkaje që ishte përparimtare në shkollë, për pedagogjinë shqiptare dhe për propagandimin e saj ndaj dhe veprat e tij ndryshe quhen edhe pedagogjia xhuvaniane.
Kontributi i tij është domethënës në sistemin arsimor shqiptar bazuar sipas standardeve të përparuara të kohës, duke përfshirë këtu legjislacionin shkollor, tekstet shkollore, përgatitjen e kuadrit mësimor, terminologjinë pedagogjike-shkollore, organizimin e mësimit, dokumentacionin pedagogjiko-shkollor etj. Xhuvani ishte shembull i mësuesit dhe pedagogut të mirëfilltë; vetë ai ishte shembull se si duhet punuar për arsimin, shkencën, popullin dhe atdheun.
Një kontribut jo pak të vogël Aleksandër Xhuvani ka me veprimtarinë e tij edhe pranë Institutit të Studimeve Shqiptare në vitet 1940-1944.
Instituti i Studimeve Shqiptare kurorëzoi fillesat për krijimin e një qendre të vetme të albanologjisë shqiptare. Ai synonte të ngrinte në një shkallë më të lartë dhe të përhapte kulturën filologjike, letrare, artistike e historike në Shqipëri si dhe të zbulonte vlerat e rëndësishme kombëtare.Synimi ishte që të lëvronte gjuhën kombëtare në drejtim të pastërtisë, frazeologjisë dhe leksikologjisë. Ai synonte të grumbullonte e të nxirrte në dritë folklorin shqiptar dhe të mblidhte të dhëna e dokumenta për historinë dhe artin kombëtar.
Instituti do të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, letrave dhe arteve. Nga ana tjetër ai do të përpiqej të zhvillonte kulturën kombëtare duke u kujdesur ta pasuronte atë edhe me botime të autorëve të huaj lidhur me Shqipërinë, por jo vetëm. Kështu ai synonte të ngrinte punën e tij ashtu si institutet e tjera në vendet europiane por duke ruajtur indentitetin. Instituti ishte i strukturuar qartë dhe me një hierarki të admirueshme dhe një pozitë të mirëpërcaktuar të çdo anëtari dhe komisioni në përbërje të tij.
Veprimtaria e Institutit drejtohej nga Këshilli Shkencor i përbërë nga kryetari, nënkryetari dhe katër këshilltarë si Senator Mustafa Kruja (Kryetar), Prof. Carlo Tagliavini (Nënkryetar), dhe këshilltarët Prof. Eqerem Çabej, Padre At Zef Valentini, Dom Lazer Shantoja, Prof. Aleksandër Xhuvani.
Një risi që solli Xhuvani pranë Institutit të Studimeve ishte studimi për veshjet e grave ilire dhe ndikimi që kishin nga kultura greke, duke i bërë kështu një analizë përfundimeve të kërkimeve të Ugolinit.
Nga studimet e bëra nga Maria Luigi Ugolini në vitin 1927 dhe të botuara në vëllimin e tij “Albania Antica”, Xhuvani një nga anëtarët e brendshëm të Institutit thotë se Ugolini na ka sjellë një skulpturë të rrallë e cila u gjend në Vlorë, por që për vitet që flasim ajo ishte zhdukur. Kjo skulpturë paraqet një figurë gruaje që njihet me emrin “vajza e Vlorës” dhe që ka një veshje që ndryshon prej veshjeve të tjera të kohëve të vjetra dhe që sipas Ugolinit kjo ishte një veshje kombëtare e Ilirëve (në tokat e të cilëve gjendet sot Shqipëria). Por i rëndësishëm është fakti se një monument i ngjashëm me këtë veshje gjendet në Berat dhe që ruhet me koleksionin “Vlora të Vlorës”.
Por ajo që e thellon studimin është edhe ekzistenca e tre monumenteve të tjera mbi të cilat paraqitet kjo:
- Shtylla e e varrimit të Lepidisë Salvisë prej Durrësi,
- Shtylla e Klosit me katër figura, nga tëcilat dy janë prej gruaje
- Një fragment relievi që është i pabotuar akoma, nga Apollonia që u gjend nga gërmimet e vitit 1941.
Skulpturat e Durrësit, Klosit, Pojanit (Apolloni) bashkë me atë të Vlorës dhe Beratit janë një shenjë se veshja që ato paraqesin ka pasur një përhapje të madhe. Nga studimi i këtyre veshjeve Profesor Aleksandër Xhuvani arriti në përfundimin se :
Veshja ilirike siç shihet tek 3 monumentet e mësipërme megjithëse kanë tiparet dhe veçoritë e veta dhe është rregullluar prej elementësh të veçantë, kjo veshje është thurrur, realizuar mbas veshjes greke, pra me imitime nga veshja greke, ku dallime më së shumti paraqet pjesa e sipërme e cila në qoftë se nuk do të ishte ruajtur, studiuesit do ta kishin të vështirë të dallonin atë nga veshja greke. Kjo ngjashmëri padyshim lidhet me faktin e kolonizimit prej grekëve të bregut lindor të Adriatikut ku qytetërimi helenik kishte depërtuar thellë në Iliri. Ky depërtim duket edhe në monedhat e Shkodrës që ishin shkruar greqisht. Megjithatë duhet pasur prasysh që këto 5 monumente me elementë edhe të veçantë ilirë janë gjetur në ato zona ose vise që kanë qenë të greqizuara krejt pasi vetëm ajo e Klosit nuk i dihet emri i vjetër, por që edhe ky qytet ka qenë organizuar sipas mënyrës greke.
Nga gërmimet arkeologjike të vitit 1941, është zbuluar në Apoloni një trung shtylle varrimi i kushtuar Nikajës, bijës së Agronit, mbretit më të shquar ilir të shek.III. Burri i saj nga Pojani (Apolloni), duhet të ketë qenë një ilirijan i helenizuar, meqënëse i ka vendosur vajzës së tyre një emër grek.
Në këtë mënyrë nga studimi A. Xhuvani i ndan këto monumente në dy grupe veprash:
a) Të punuar nga mjeshtër grekë (si “vajza e Vlorës” busti i Finigjisë dhe shtylla e Lepidisë
b) Vepra mjeshtrish vendas të helenizuar (relievi i Klosit, fragmenti i Apolonisë)
Sipas A. Xhuvanit si busti i Finigjisë dhe shtylla e Durrësit edhe pse janë të kohës romake ato vepra janë ndërtuar sipas frymës greke. Pra në pikpamje artistike ato i përkasin helenizimit.
Këtu ai sjell edhe kriterin mbi bazën e të cilit bën dallimin mes dy grupeve të këtyre skulpturave. Ky kriter mbështetet së pari në punimin më pak ose më shumë të hollë të tipareve të relievit. Kështu Relievi i Klosit dhe i Apolonisë janë më shumë të trasha se veprat e tjera, prandaj mund të themi që janë bërë nga mjeshtër vendas të cilët janë frymëzuar nga modele greke.
Kjo shtrirje e kufizuar e kësaj veshje nga Vlora në Durrës dhhe më në brendësi në Klos dhe në Berat (parthinët dhe taulantët) na bën të mendojmë thotë Xhuvani se nuk kemi të bëjmë me një veshje të karakterit kombëtar të popullit lirjan. Për të vërtetuar këtë duhen zbulime të reja në Shqipërinë e Sipërme (Shkodër) por edhe në Lindje. Por megjithatë këtë veshje nuk mund ta përziejmë me atë greke.
Pra monumentet e shqyrtuara që i përkasin shek. III-I pr.k (pra kohëve të ndryshme dhe vendeve të ndryshme) kanë karakteristika të përbashkëta se të ndërtuarit e petkut tregon një frymëzim prej modelesh greke të shek. IV, por megjithatë nuk janë kurrë imitime të modeleve të vjetra. Studimi gjithsesi tregon se gjithë monumentet na tregojnë një tip të veshjes ilirike ashtu si ajo ishte formuar në një epokë të caktuar, në shek.IV duke u afruar me modën greke, më pas u caktua definitivisht, por që ruajti të pandryshueshme elementët ndërtues të veshjes.
Komisioni i terminologjisë i përbërë nga Kol Kamsi, Vangjel Koça, Xhevat Korça, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, At Zef Valentini mori në shqyrtim mënyrën e të shkruarit të emrave të vendeve të Mbretërisë Shqiptare dhe doli në një vendim, sipas të cilit në shkrimin e emërtimeve të ndryshme do të përdoret emri i caktuar i vendeve shqiptare, model i cili është bërë publik edhe në shtypjen e hartës së re “Shqipnija” të Prefekturave dhe Nënprefekturave, Bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Kjo formë përdorimi i emërtimeve të vendeve do t’i vinte në ndihmë edhe shkrimtarëve, gazetarëve e studiuesve të huaj të cilët duke mos njohur mirë gjuhën shqipe përdorin përgjithësisht formën e emrit të pacaktuar edhe atje ku mund të përdorej fare mirë forma e caktuar e emrit, p.sh “Shkoj në Tiranë” dhe jo “Shkoj Tiranë”, sepse forma e pacaktuar duhet të përdoret gjithnjë kur mbas emrit të vendit vjen një datë.
Komisioni i terminologjisë shpesh mblidhej për të gjetur noelogjizmat të cilat kishin filluar të përdoreshin dendur në jetën e përditshme e si rrjedhim ato duhet të zëvendësoheshin me fjalë shqipe. Këto neologjizma për tu kuptuar në masën më të gjerë do të shpjegoheshin me anë të shtypit kombëtar si për kuptimin që kishin edhe për mënyrën e përdorimit dhe rrënjën e saj.
Si rrjedhim i çrregullimit të madh të toponamistikës shqiptare u ngrit edhe një komision i dytë i përbërë nga Prof. Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Mati Logoreci, Namik Resuli, Ndue Paluca, për caktimin dhe ndreqjen e e toponimeve të krahinave të lirueme, kërkesë e bërë kjo nga vetë Kryesia e Këshillit të Ministrave. Nga puna e komisionit të Toponomastikës mund të sjellim këto shembuj:
Balldreni Kryekuqi Nenshati
Buzmadhja Kryemadhi Perbregu
Buzmadhi Kryemdhaj Qafmolla
Dardhëzeza Kryevidhi Shëngjergji
Gurrazezi Kryeziu Sheshluga
Gurishta Kryezezi Shengjini
Gurriza Lanabregasi Tajkodra
Kryegjata Nderfandëna Vidhishta
Shinavlashi Shinapremtja Vreshtazi
Po kështu u punua edhe për përpilimin e rradhitjes së toponomastikës së kryeqytetit.
Nga puna e Komisionit të Terminologjisë rezultoi zëvendësimi i disa fjalëve të huaja që gjenden në fjalorin e përditshëm popullor me fjalët koresponduese të tyre në gjuhën shqipe si për shembull:
Fjalë e huaj Zëvendësimi në Shqip
Hotel bujtinë
Locanda manore(bujtinë e vogël)
Rifugio bun(fjalë e përdorur në bjeshkë)
Hospizio – Hospice strehë
Orfantrofio – orphelinat vorfnore
Instituti vendosi botimin e veprës “Opera Omnia”, një përmbledhje e veprës së Naimit. Komisioni i hartimit të kësaj vepre do të përbëhet nga E. Haxhiademi, L. Poradeci, A. Xhuvani, Resuli, Bernardin Palaj.
Pas disa bisedimesh komisioni vendosi që të paraqiten të gjitha veprat e Naimit dhe do të preferoheshin sidomos ato të shtypit të vjetër të Bukureshtit, sepse kishin më pak gabime dhe ishin punuar më mirë dhe se për botimin e veprës do të përdoret një orthografi e njëjtë për të gjitha veprat në mënyrë që ato të jenë uniforme jo vetëm nga formati i jashtëm dhe nga veshja hipografike por edhe nga orthografia. Për kopjimin dhe shqyrtimin e këtyre veprave u vendos që secili nga këta anëtarë të marrë përsipër disa vepra. Kështu për vetë punën dinjitoze, serioze që bëntë A. Xhuvani, por edhe për shkak të nivelit të gjerë intelektual të tij iu besua të shqyrtonte veprat: “Histori e Shqipërisë”, “Histori e Përgjithshme”, “Dituritë”, “Gjithësia”, “ Mësimet”, “Këndimi i Çunavet”.
Por meqënëse Instituti u krijua dhe u mbështet nga Italia fashiste dhe më pas nga Gjermania Naziste, pikpyetjet ngrihen sa dhe si A. Xhuvani si anëtar i brendshëm i Institutit përmes veprimtarisë së tij i shërbeu fashizmit dhe makinacioneve të tij?
Nga studimi i veprimtarisë së tij në Institut, por edhe si një ndër figurat kryesore të fushës së arsimit, figura e tij është e pastër. Këtë e dëshmojnë edhe një sërë korespodencash dhe letërkëmbimesh qe ai ka mbajtur me digastere të larta qeveritare. Edhe pse duke qenë në poste drejtuese, ai kundërshtonte në forma të ndryshme përpjekjet për zbatimin e reformave fashiste në shkollë.
Pra veprimtaria e Aleksandër Xhuvanit në zhvillimin e kulturës shqiptare ka qenë e gjithanshme, e shtrirë në kohë, në drejtime të ndryshme gjuhësore-historike, folklorike, pedagogjike, psikologjike duke sjellë kontributin e tij të pakursyer.
Përfundime:
Nisur nga kontributi dhe rëndësia e veprimtarisë së Aleksandër Xhuvanit në disa fusha, por sidomos në fushën e zhvillimit të mëtejshëm të arsimit, arrijmë në këto përfundime që do të shërbenin si pika referimi edhe në ditët e sotme për t’u aplikuar në shkolla.
1-Nevoja për hapjen në Shqipëri të një shkolle të mesme pedagogjike për përgatitjen e mësuesve ashtu siç ka qenë Normalja e Elbasanit. Mësuesi duhet të jetë njohës i mirë i pedagogjisë përpara se të fillojë studimin për mësues historie dhe çdo lënde tjetër me qëllim që mësuesi të realizojë njohjen e mirë të tipareve psiko-fizike të nxënësit.
2-Mendimi dhe veprimtaria në aspektin pedagogjik e A. Xhuvanit është aktual edhe sot, dhe mund të heqim shumë vija paralele siç është rëndësia e formimit pedagogjik të mësuesit, mësimdhënia dhe edukimi të shkojnë në të njëjtin kah dhe shpejtësi, formimi.
3-Pesha e mësuesit në krijimin e shpirtit të lirë, qytetar, demokratik e human të fëmijës dhe në formimin e tij si personalitetështë i pazëvendësueshëm, është modeli, udhërrrëfyesi dhe busulla e orientimit për nxënësin.
4-Etika. Që në vitet e para të fillimit të shkollës Normale, Xhuvani vuri në zbatim një kod etike për institucionin arsimor, i cili në formë dhe përmbajtje i qëndron kohës edhe në ditët e sotme. Ndaj qasja dhe përshtatja e tij në ditët e sotme do të përbënte vlerë të shtuar në arsim.
Bibliografia:
- AQSH, F. 200, V. 1941, D. 11, fl.119
- Fletore zyrtare 30 Prill 1940
- Koliqi, Hajrulla. Aleksandër Xhuvani, “Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike”, Prishtinë: ETMM-KSAK, 1987
- Xhuvani, Aleksandwr. Fillime të pedagogjisë, pjesa e parë: “Psikologji për shkollat normale e për mësuesit e fillorevet”. Tiranë: Luarasi 1933
- Koliqi, Hajrulla. Historia e pedagogjisë botërore II, UP. Prishtinë: 1997
- Koliqi, Hajrulla. Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Libri shkollor, Prishtinë: 2002
- Osmani, Shefik. Fjalor i pedagogjisë. 8 Nëntori, Tiranë: 1983
- Baku, Pasho. Fjalor enciklopedik, Bscchus, Tiranë: 2004
- Instituti i Studimeve Shqiptare, “Studime dhe Tekste” Dega II, Arkeologjike Nr.1, V.1943
- Agjensia e Sigurimit të Cilëssë së Arsimit Parauniversitar, “Standartet Profesionale të Formimit të Përgjithshëm dhe të formimit lëndor të mësuesit”, Tiranë, Korrik 2020
- Instituti i Kurrikulës dhe i Trajnimit “Mësuesit dhe cilësia e arsimit, sfidë globale e shekullit XXI” Tiranë: 2009
- Musai, Bardhyl. Psikologji edukimi:”Zhvillimi kognitiv dhe gjuha”, Tiranë: 1999
- Rexhepagiç, Jashar. “Aleksandër Xhuvani përfaqësues, në thelb, i mendimit pedagogjik shkencor dhe vazhdues i denjë i pedagogjisë së Rilindjes”, Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit, Tiranë: 1986
foto: wikipedia.org