Nga Albert Vataj/
Artistë të përmasave të Marie Krajës i vijnë rrallë botës artistike shqiptare. Ajo është simbol i artit muzikor shqiptar, një nga më të shquarat e këtij zhanri. Kudo ku ajo dha kontributin e saj, si në interpretimet e këngëve popullore, virtuozitetin e vokalit operistik, edhe në fushën e pedagogjisë dhe mëkimit të brezit të ri me pasionin për këngën, ajo u dha me mish e me shpirt, me kohë të plotë e me zemër të madhe. Sespe ajo kishte ardhur me një mision dhe nuk mund të largohej pa lënë pas një repertor të pasur, një galeri të mrekullueshme interpretative, gjenerata të tërë artistësh që e patën idol atë dhe e pavdekësuan. Marie Kraja, ishte, është dhe do të mbetet një prej pasurive tona kombëtare të artit. Me të jemi krenuar, jemi nderuar dhe përfaqësuar denjësisht në botën e madhe të artit të madh, në skenat gjigande të virtuozëve të magjishëm.
Prologu
Tradita e skenës opertistike shqiptare, me Marie Krajën hyn në një etapë të re. Zërat e mëhershëm dhe ato të mëvonshmit, së bashku me kontributin e pashoq që ajo dha, ndërtuan atë përmendore të mburrjes tonë nacionale, atë shkas krenarie që e ka ndërkombëtarizuar zërin operistik shqiptar, në skenat më prestigjoze, duke e transformuar në një potencial të jashtëzakonshëm konkurrues.
Marie Kraja do të mbetet një gurë themeli në traditën e këngës operistike shqiptare. Një talent që ngriti në mit femrën e asokohshme. Një sprovë që triumfoi duke i atribuar famë dhe mirënjohje shpirtit të sakrificës dhe vullneteve ngadhnjimtare. Zëri dhe shpirti i saj do të kërshërijnë ëndjet e brezave, të cilët do t’i jenë mirënjohës aktit të saj krijues, virtuozitetit me të cilin ajo përfaqësoi shqiptaren në skenën e kushtimeve të mëdha operistike botërore. Opera shqiptare, ngulmi i ëndrrës së çdo sopranoje, marrin dritën më të shndritshme tek ky yll, duke u bërë vazhdues të asaj udhe të gjatë, që e madhja Marie Kraja e nisi, atëherë kur ndër më të shumtat pamundësi, çdo e mundshme ishte një mrekulli, të cilën ajo e jetësoi në emrin dhe veprën e saj.
Nga jeta dhe rrugëtimi sfidues i artistes
Marie Kraja u lind në Xara, Dalmaci, të Kroacisë më 24 shtator 1911. Me nënën nga Prizreni dhe të atin nga Gjakova, Anton Paluca, veteran i arsimit kombëtar, hulumtues i përkushtuar i visareve të krijimtarisë shpirtërore të popullit, aktivist i shoqatave patriotike kulturore. Pas një viti familja largohet për në Shkup dhe më vonë në Austri, ku qëndruan dy vite. Në moshën 6-vjeçare Maria dhe familja e saj, kujtojmë se Maria ishte fëmija i parë nga shtatë fëmijët, dy vëllezër e pesë motra, vendosen përfundimisht në Shkodër. Pasi kreu shkollën fillore 5 klasë, Maria shkon në Vjenë, ku kryen shkollën e mesme, plus edhe një kurs për kanto në vitet 1926-1928. Nga viti 1928 deri në vitin 1934, Maria ndoqi studimet e larta në Konservatorin e Gracit, ku dhe u diplomua për kanto. Kur u kthye në atdhe emërohet mësuese fiskulture, ndërsa kishte mbaruar për kanto. Tre muaj në Tiranë, pastaj tre muaj në Shkodër. Kthehet sërish në Tiranë për të mos u larguar më që aty. Në vitin 1938 fillon punë pranë Radio Tiranës, ku punoi për disa vite rresht si soliste, e si redaktore muzike, madje edhe në vitet e luftës. Në vitin 1944 sëmuret rëndë dhe për dy vjet ndërpret çdo aktivitet artistik. Më 1946 fillon sërish punë pranë, Radio Tiranës dhe njëkohësisht angazhohet si pedagoge pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në degën e Kantos. Së bashku me Jorgjie Trujën, Gjyzepina Kosturin, etj, ajo është pedagoge e parë e këtij Liceu, ku për vite me radhe deri në 1960 përgatiti dhjetëra breza artistësh, që më vonë u bënë nga më të njohurit e skenës shqiptare.
Me krijimin e Institutit të Lartë të Arteve ajo përsëri është e para pedagoge dhe njëkohësisht shefe katedre për disa vite. Edhe këtu vazhdon kontributi i çmuar i artistes së madhe, Marije Kraja, në degën e kantos. Në vitin 1974 deli në pension, kur i kishte kaluar të 60-tat ajo qëndroi përsëri pedagoge. Edhe më vonë ajo dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e artisteve të rinj.
Shkëlqimi i një ylli
Aktiviteti artistik i Marie Krajës është jashtëzakonisht i madh dhe i mbushur me një paraqitje të denjë si artiste e kalibrit. Ishte kënga popullore, ajo që zgjoi talentin dhe artin e saj. Fare e re, në interpretimet e saj ajo zgjoi interes e fitoi admirimin e publikut. Në vitet e studimeve të larta në Grac të Austrisë, fitoi vlerësimet më të larta për mënyrën interpretative, për zërin e saj të kultivuar e timbrikën vokale, e diksionin e pastër. Pa u shkëputur nga kënga popullore, Marie Kraja studioi pjesë nga Shumani, Shuberti, Veberi, Bethoveni, Mozart, Shtraus, Bah, etj.
Gjatë këtyre viteve Maria u njoh me artistë të mëdhenj e të njohur të kohës si dhe mori pjesë në koncertet e organizuara nga Konservatori i Gracit për çdo muaj. Në vitin 1934 kur ishte ende studente me këngët “Çili ju, moj lule çilni”, “O bilbil, i mjeri bilbil”, përfaqëson Shqipërinë në “Mbrëmjen e Kombeve” që u zhvillua në Vjenë, krahas artistëve me emër në botë.
Vitet 30-të janë vite, ku lëvizja artistike amatore u bashkua me pionierët e tjerë të artit tonë muzikor, si Kristaq Antoniu, Tefta Tashko Koço, Tonin Guraziu, Lola Gjoka, etj.
Në një situatë të tillë filloi aktiviteti artistik i Marie Krajës në Shqipëri. Me t’u kthyer në atdhe, Maria më 1 shtator 1934 jep koncertin e saj të parë në Tiranë, shoqëruar në piano nga pianisti Tonin Guraziu. Në mars të vitit 1936 jep koncert në Shkodër, që u prit mjaft mirë nga publiku artdashës shkodran. Pas dy muajsh me ftesë të shoqërisë “Rinia Korçare”, ajo përsëri e shoqëruar nga pianisti Tonin Guraziu dha një koncert tjetër në qytetin e Korçës, që u prit me ovacione dhe duartrokitje të gjatë nga publiku. Nga pritja që ju bë në koncertet e para Marisë, ju shtua besimi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Pas koncerteve të para të shoqëruar nga pianisti Tonin Guraziu, artistja e madhe Marie Kraja njihet me pianisten, Lola Gjoka dhe ndodh kështu një kthesë e rëndësishme në jetën artistike të saj.
Gjatë jetës së saj artistike të mëvonshme do të shoqërohej në piano nga Lola Gjoka. Emrat e Maries dhe Lolës do të bëheshin të pandara për vite me radhë. Në vitin 1938 së bashku japin një koncert të suksesshëm në qytetin e Vlorës. Interpretimet e këngës popullore nga Marie Kraja ishin të mrekullueshme dhe kanë mbetur edhe sot shembuj në llojin e vet. Një ngjarje e shënuar në jetën artistike të Marie Krajës ishte edhe “Mbrëmja e Këngës pleqërishte”, që u dha në 1 mars 1939 dhe që bëri bujë të madhe. Marie Kraja së bashku me Tefta Tashkon, Tonin Guraziun, Lola Gjokën, morën pjesë në festivalin e Venecias në vitin 1939, kur një vit më parë më 1938 kishte marr pjesë e vetme në “Fiera del Levante”. Ndër koncertet e tjera të periudhës së parë artistike të Marie Krajës bën pjesë edhe koncerti që u dha në 1942 në Tiranë.
Shpërfaqja dhe shpërthimi i talentit
Pas vitit 1946, Marie Kraja ka marrë pjesë në shumë koncerte si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Më 1949 merr pjesë në një festival në Budapest, në vitin 1955 në turneun në vendet aziatike; Kinë, Mongoli, Kore e Veriut, Vietnam, etj. Ajo realizon 64 koncerte në 5 muaj. Një përfaqësim dinjitoz i artistes se së madhe dhe i këngës dhe artit shqiptar. Me krijimin e TOB (sot TKOB), ajo u shua edhe si një artiste e madhe e skenës operistike shqiptare.
Rolin e saj të parë operistik, Marie Kraja e realizoi në vitin 1953, kur Filarmonia Shqiptare vuri në skenë operen “Rusallka” të Dargomizhskit, opera e parë e vënë në skenën shqiptare. Në këtë vepër operistike ajo interpreoi në rolin e Ollas, një rol jo kryesore por që personazhi i saj ishte ndër më të realizuarit. Pas një viti, kur aftësia dhe talenti i saj në opera dolën në pah që në provën e parë, ajo realizon një tjetër rol të bukur, atë të Antonida në operën “Iva Susanjin” të Gliknkës. Tek kjo opera, ajo interpretoi rolin e një fshatareje ruse, e që më pas u pasua nga një rol tjetër fshatareje, në operën “Nusja e shitur” e Smetanas. Këtë rol Marie Kraja e interpretoi me shumë sukses edhe në skenën e Teatrit të Operas së Bratislavës.
Në vitin 1956, Marie Kraja interpreton një rol të vështirë, Violetën në operën e Verdit, “Traviata”. Por përsëri me talentin dhe artin e saj, ajo e përballoi me sukses gjë që u vu re edhe në Teatrin e Operas në Budapest, ku u duartrokit gjatë nga publiku i këtij qyteti me traditë në artin operistik. Më pas ajo interpreton edhe në operën “Jollanta” të Çajkovskit.
Pas interpretimit që i bënë operës “Mrika” të Prenk Jakovës me interpretuesit shkodranë. Në vitin 1959 ajo u vu në skenë nga TOB (Sot, TKOB). Marie Kraja edhe këtu interpreton rolin e kryesor të Mrikës, në operën e parë shqiptare, një nga perlat e muzikës operistike shqiptare një prej sfidave të traditës sonë të artit operistik. Në vitin 1954, Marie Kraja kishte interpretuan edhe në rolin e Hënës, në operetën “Agimi” të Kristaq Konos.
“Mrika” e Marie Krajës ka qenë në një ninel të lartë artistik dhe, edhe pse ky rol është interpretuar edhe më vonë nga solistë të tjerë, askush nuk ka arritur të japë forcën dhe bukurinë këtij roli, përveçse Marie Kraja. Një opera tjetër shqiptare, ku Marie Kraja interpretoi me sukses ishte edhe “Lulja e Kujtimit” e Kristaq Konos.
Marie Kraja një diva, kombetare dhe ndërkombëtare
Marie Kraja në artin operistik nuk shquhej vetëm për zërin e mrekullueshëm e bukurinë, mjeshtërinë e të kënduarit, por edhe për interpretimin me nivel të lartë artistik të roleve që i besoheshin. Kjo e bënte atë një artiste të kompletuar e të paarritshme. Ndonëse ajo iu përkushtua për një kohë të gjatë artit operistik, ajo përsëri nuk hoqi dorë nga koncertet, muzika popullore dhe ajo e përpunuar, ku ajo i dha vlera të çmuara këngës popullore, e ngriti atë në art të vërtetë. Janë shumë koncerte, të dhëna si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit nga artistja e madhe. Në koncertet jashtë Shqipërisë si në Austri, Gjermani, Itali, BRSS (Rusi), Hungari, Bullgari, Kinë, Mongoli, Vietnam, etj, Marie Kraja përfaqësoi denjësisht vendin e saj.
Artistja në opus dhe optikë
Për Artisten e Popullit Marije Kraja janë shkrue shumë artikuj, shkrime e vlerësime nga autorë të ndryshëm. Muzikologu dhe kritiku muzikor, Spiro Kalemi, autor i një monografie për Marije Krajen shkruen: “Marija, përmes këngës, arriti të zbulojë dinamikën e jetës qytetare, nxori në pah motivet e ndryshme shoqërore, botëkuptimin e një epoke e deri shijet e një mjedisi të caktuar, meqë pasqyro- heshin me besnikëri në këto kangë, njëkohësisht mënyra se si ajo përdori teknikën e të kënduarit dhe zërin, krijoi një shtrirje harmonike në mes për bërësve poetikë e muzikorë të këngës. Maria ishte e brumosur në ndërgjegjen e saj me këngën popullore. Që në rininë e hershme ajo dëgjonte ahengxhinjtë shkodranë me vëmendje mësoi prej tyre këngët që i shkonin për shtat vokalit e teknikës saj. Jo vetëm kaq, por ajo në atë moshë të re filloi të ndante rolin e instrumentistit shoqërues nga ai primar, që merrte melodinë, siç ishte violina, klarineta etj. Ajo vërejti se trilli nuk ndërtohej me gjysmë zëri si në muzikën e kultivuar, por me intervale të zvogëluara, deri në një të katërtën e tonit, e këtë e bënte zakonisht në glisandot e ngushta në ngjitje a në zbritje, jo vetëm në këngë me shtrirje e kurbacione të mëdha, por edhe në këngët e vogla si p.sh. Kënga e Halilit, Kënga e Rexhës, Mollë e vogël top sheqere etj.” Ndërsa pedagogu e studiuesi Ferid Bala, në “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”, Shkodër, 2014, shkruen: “Për mendimin tonë, Marije Kraja i nxori këngët popullore nga auditori i ngushtë familjar dhe i solli në mjedise të hapura koncertale, pranë publikut të çdo moshe e gjinie. Duke kapërcyer kufizimet vokale të këngëtarëve të rëndomtë të ahengut dhe, duke i’u shmangur teprimeve të shumë artistëve profesionistë, lidhur me frazën e dendësinë e zërit të përdorur, mënyrat e matura dhe të sakta të të kënduarit të Maries, u kthyen në shembull për të tjerët. Arsyet që këto këngë të interpretuara nga Marie Kraja i qëndruan kohës, janë të lidhura në një masë të mirë me dy faktorë, me vlerën e vetë këngës dhe së dyti me mënyrën e interpretimit te tyre nga Marie Kraja”.
Nderime dhe mirënjohje
Për gjithë aktivitetin e gjatë artistik, Marie Kraja është nderuar me çmime, tituj, urdhra e medalje të ndryshme. Në vitin 1961 ajo është ndër e para që merr urdhrin e lartë “Artiste e Popullit”. Ndonëse kanë kaluar vite, Marie Kraja mbetet simbol i muzikës shqiptare. Më 1986 me rastin e 85-vjetorit të lindjes i’u akordua urdhëri “Mjershtre e Madhe e Punës”. Në kuadër të këtij vlerësimi veprën dhe emrin e kësaj artisteje të madhe, është edhe Festivali Nëdrkombëtarë Operistik “Marie Kraja” që në maj të këtij viti realizoi me sukses edicionin e saj 19-të.
Epilogu
Ajo çfarë ishte Marie Kraja, ajo çfarë ajo dha në lëmin e këngës popullore, lirike, por kryesisht në sfidën operistike, një zhanër sa i vështirë aq dhe përfaqësues, ka qenë, është dhe do të jetë një obligim për nderim dhe mirënjohje. Zëri i saj i jashtëzakonshëm, arti dhe shpirti i saj janë në repertorin e këngës shqiptare, në traditën e shkëlqyer operistike, një prej gurëve më të shndritshëm në gjerdanin e kulturës tonë kombëtare dhe artin e pavdekshëm që ajo la si një amanet.
Vdiq në Tiranë më 21 nëntor të vitit 1999.
Telegrafisht veprimtaria dhe vlerësimet e marie Krajës
Koncerte:
1934: Koncert, Grac, Austri, 1934 “Mbrëmjen e Kombeve” që u zhvillua në Vjenë,
1934: Koncert në Tiranë,
1936: Koncert në Shkodër e Korçë,
1937: Fiera Del Levante, Bari,
1938: Deutshe Akademi, Munih,
1939: Festivali: Magio Fiorentino, Firence
1949: Festivali i Budapestit,
1955: Turne i madh në Kinë, Mongoli, Vietnam, Kore e veriut, (64 koncerte),
Budapest,
1959: Koncert në Moskë, 1960: “Nusja e shitur”, në Bratislavë, etj
Opera:
1953: “Rusallka”,
1954: “Ivan Susanjin”,
1954: “Agimi”
1955: “Nusja e shitur”
1956: “Traviata”,
1957: “Jollanta”,
1959: “Mrika”,
1960: “Lulja e kujtimit”,
1961: “Dasma e figaros”, etj.
Çmime:
1961: “Artiste e popullit”
1956: “Laureat i Çmimit të Republikes”, Urdhëri “Naim Frashëri” kl I.,
1996: “Mjeshtre e madhe e punës”
Disku i artë me 50 këngë popullore
Përgatiti: Albert Vataj
Referenca:
Libri “55×2 portrete artistësh” nga Flori Slatina, botimi i gazetës “55”, F.59-62
“Shkodra, kontribute në traditat kulturore e artistike shqiptare” nga Marian Z. Shestani, F. 389-392.