• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

PANAIR I LIBRIT APO PANAIR I AUTORËVE?

November 17, 2023 by s p

Dom Gjergj Meta/

Gjatë këtyre viteve të fundit, kam vënë re një lloj “agresiviteti” të autorëve, që në ditët e Panairit t’i tërheqin lexuesit-blerës sa më fort drejt librave të tyre, të cilët mbajnë ende erën e tipografisë. Kësisoj Panairi është bërë një “Panair autorësh” më shumë se sa një “Panair Libri”. Libri është flijuar e vazhdon të flijohet mbi altarin e unit autorial…

I kuptoj disi autorët e rinj, që janë akoma në ethet e publikimeve të para dhe si fëmijët e vegjël bërtasin kthinave të shtëpisë që të tërheqin vëmendjen, por është pak e vështirë të kuptosh autorë që tashmë kanë një karrierë krijimtarie mbi supe.

Me të dalë prej duarve të autorit, çdo libër ka fatin e vet dhe rrugëtimin e vet. Ka një jetë të vetën, të pavarur prej asaj të krijuesit të tij. Do ta promovojnë vetë lexuesit duke folur për të me miqtë e tyre, duke shkruar përshtypjet e tyre për të nëpër profilet e tyre në rrjetet sociale, duke bërë reçensa, duke shkruar kumtesa, etj. Sado reklamë të mirë t’i bësh librit, ai është i vetmi prodhim që nuk varet aspak prej saj.

Ky lloj fiksimi deri në mani i reklamimit të librit (lexo i autorit), në fakt fsheh gjëmën e madhe ekzistenciale në të cilën ka rënë kultura aktuale në përgjithësi: kultura (pra edhe libri) si konsum. Kërkohet medoemos që nëpërmjet “promovimit” komercial, edhe libri të hyjë në produktet e konsumit. Kjo është vdekje e librit, vdekje e kulturës.

Do të ishte bukur që takimet rreth librave në Panair, të bëheshin rreth atyre që janë botuar në vitet e kaluara. Një libër nuk peshohet me shitjet e tij, por me lexuesit e tij. Me ata që ndoshta e marrin hua në Bibliotekat publike se nuk munden ta blejnë, por e lexojnë edhe tri e katër herë. Matja e tij me anë të shitjeve e barabit librin me një smartphone, me një çantë a me një rrobë firmato.

Nuk promovon autori librin, por libri autorin. Vetëm kështu autori dhe libri bëhen klasikë dhe kjo do kohën e vet. Është lexuesi ai që e bën klasik një autor apo një libër dhe jo konsumimi i tij komercial.

Dhe një shënim anash fletës. Kur do t’i krijojë kultura jonë e librit përkthyesit nga gjuhët klasike? Ndoshta ka ardhur koha që të ripërkthehen disa vepra nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër.

Filed Under: ESSE

111th Anniversary of Albanian Independence

November 17, 2023 by s p

Please join the Albanian American community in celebrating the 111th Anniversary of Albanian Independence with NYC Mayor Eric Adams, NYC Council Speaker Adrienne E. Adams, and Councilmembers on 11/27 & 11/28.

11/27 Flag-Raising Ceremony – Wall Street Charging Bull

with NYC Mayor Eric Adams

Date: November 27, 2023

Time: Arrive at 2 P.M., program starts at 2:30 P.M. SHARP

Location: 25 Broadway, New York, NY, 10004

(FREE: OPEN TO THE PUBLIC)

11/28 City Hall Celebration

with NYC Council Speaker Adrienne E. Adams, CM Holden, CM Borelli, CM Carr, CM Feliz, & CM Velazquez

Date: November 28, 2023

Time: Arrive at 5 P.M., event starts at 5:30 P.M SHARP

Location: 1 City Hall, New York, NY, 10007

(FREE: MUST RSVP)

RSVP at https://council.nyc.gov/events/rsvp/?event=ALB2023 or call 212-482-4121.

I look forward to celebrating with you all.

Respectfully,

Mark Gjonaj

(347) 398-6161

“If you want to go fast, go alone.

If you want to go far, go together.”

Filed Under: Komente

FESTA E FLAMURIT DHE KUJTIMET PËR VEPRIMTARËT NË ÇIKAGO

November 17, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

28 Nëntori-Dita e Pavarësisë së Shqipërisë apo si thonë në diasporën shqiptare në Amerikë-Festa e Flamurit, është një ditë e veçantë me plot emocione dhe kujtime për veprimtarët tashmë në amshim që, për festën dhe çështjen kombërare kanë bër udhën me shokët siç thoshte Ismail Qemali.

Në Çikago tash e një shekull në krah të atdheut e të kombit shqiptar, kur e kur nga vatrat tona etnike në Ballkan erdhën breza-breza shqiptarë në Amerikë për të mbrojtur substancën kombëtare e familjare nga dora armiqësore të fqinjve tanë grabitqarë të tokave tona nga serbët, grekët, malazezët dhe boshti pansllavistë të Moskës, të Athinës, të Beogradit dhe të Podgoricë.

Erdhën djemë të rinj dhe u plakën në Amerikë, thonë në kujtimet e kronikave të kohës së diasporës shqiptare…Erdhën dhe bën punë e veprimtari kombëtare në krah të atdheut e të kombit shqiptar në hapësirën etnike në Ballkan.

Për këto vite, pjesa më e dhimbshme ishte fati i Kosovës nën regjimin e krijesës Jugosllavia dhe tutela fashiste e Serbisë, që për një shekull u përgjakën shqiptarët në kërkim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës!

Në Çikago, më shokët e udhës tashmë në amshim, që,kanë lënë gjurmë në historinë e diasporës shqiptare për atdheun dhe kombin shqiptar ishin veprimtarët Hydajet Bregu,Faik Ajroja,Ajet Rushiti,

Jusuf Azemi, Qazim Ismaili, Tefik Ashiku e tjerë.

Në kujtimet tona ishte nderim të jemi bashkë në KSHA në udhën kombëtare me veprimtarin dhe nxënësin e Normales së Elbasanit Hydajet Bregu, i cili përmes testamentit dhe të djersës së tij pati lënë në një llogori 5 milion dollar për të hapur shkollë, për të botuar libra për gjuhën shqipe apo ndonjë katedër për shqipen si gjuhë e lashtë indo-evropiane për brezin e ri shqiptar në Amerikë dhe për miqtë tanë amerikan që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe!

Në ditën e manifestimit të Festës së Flamurit e të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë tonë, i përkujtojmë veprimtarët në Çikago që ndër vite ishin në udhën e madhe të atdheut e të kombit për sublimimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, ëndrra shekullore e brezave shqiptarë në diasporën në Amerikë…!

Veprimtarët e devotshëm në Çikago,historia e tyre do të shënohet në kronikat e historisë kombëtare dhe,ata do të jenë program i jetës e veprimtarisë për brezat e rinj që lindin dhe rritën në Amerikë ,miken tonë të përjetshme për hapësirën shqiptare…!

E paçim për jetë të jetëve Shqipërinë tonë !Gëzuar Festa e Flamurit!

Çikago, nëntor të motit 2023

Filed Under: ESSE

Lef Nosi: Kujtesa e kombit

November 17, 2023 by s p

Çelo Hoxha/

Ekzekutimin e Lef Nosit, në shkurt 1946, mishëron thelbin e komunizmit shqiptar: zhdukjen e kombit shqiptar. Lef Nosi ishte profili kombi shqiptar në miniaturë: paqësor, dashamirës, punëtor, konservator dhe zotërues i koleksioneve të rralla historike.

Lef Nosi lindi në Elbasan në 9 prill 1877 në një familje të njohur tregëtare. Kreu gjimnazin në Athinë dhe dy vjet universitet në degën e farmacisë. Në 1902, në moshën 25 vjeç, u arrestua për veprimtarinë e tij politike. Në maj 1908, ai bëri një udhëtim në Filandelfia, SHBA. Në 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”. Një vit më vonë, Lef Nosi themeloi gazetën “Tomorri”, e cila doli në Elbasan dhe ishte e para në historinë e këtij qyteti. Për shkak të disa artikujve të botuar në gazetën e tij, të cilat nxitën reagimin e qeverisë xhonturke, Lef Nosi u arrestua dhe u dënua me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim. Në 1911, Nosi u lirua nga intenimi dhe u kthye në Elbasan. Aleksadër Xhuvani i shkroi nga Kajroja të bënte kujdes, ose të largohej nga Elbasani nëse do të vazhdonte botimin e gazetës.

Në 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte njëri nga delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Mid’hat bej Frashërin, Shefqet bej Daiun dhe Qemal bej Karaosmanin. Më 25 nëntor 1912, delegacioni i Elbasanit, së bashku me një pjesë të delegacionit të Kosovës, iu bashkuan delegacionit e prijësit të historisë, Ismail Bej Vlorës, te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit. Në 28 nëntor, Lef Nosi dhe Shefqet bej Daiu shkëmbyen disa telegrame me Elbasanin, duke i nxitur që dhe ata, ashtu si Durrësi, të ngrinin flamurin. “Ngrini-e sa ma shpejt. Mbë nj’anë i dërgoni ushtëriës serbe komision të posaçëm e më tjetërt anë flamurin nuk e ngrini. Si bahet kjo punë,” pyeste telegrami i Lef Nosit. Më tej, thuhej se kongresi (Kuvendi i Vlorës) nuk kishte filluar ende, “ndashti hapet”. Elbasani e kishte ngritur qeverinë e përkohshme pa ngitur ende flamurin. Kryetar i saj ishte zgjedhur Aqif Pashë Elbasani.

Pak më vonë, Lef Nosi ishte një nga personazhet kryesorë të ngjarjes më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë: shpalljes së pavarësisë. Në 4 dhjetor, me votimin me dytë, ku mori 37 vota, Lef Nosi u zgjodh anëtar i Qeverisë. Ai mori postin e ministrit të Postë-Telegrafës.

Sipas baroneshës Marie Amelie Frein von Godin, dëshmitare okulare e ngjarje të shpalljes së pavarësisë, Lef Nosi “dallohej për një atdhetarizëm të padyshimtë”. Ajo vlerëson shumë rolin e Lef Nosit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit, një fakt që në burime të tjera nuk gjendet. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar thuhet që në 1908 ai ka dhënë mësim në një shkollë nate në Elbasan dhe që “dha ndihmesë” në punimet e Kongresit të Elbasanit, 1909, dhe në hapjen e Shkollës Normale. Kurse baronesha thotë: “Do të gëzohesha shumë, nëse në muajt dhe vitet e ardhshëm do të dëshmohej se ai do ta gjejë veten dhe do të japë prova si ministër për Prostën dhe Telegrafën, ashtu siç e kishte gjetur veten dhe kishte dhënë prova si drejtor shkolle.”

Në 25 dhjetor 1918, Lef Nosi ishte delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit së bashku me Shefqet bej Vërlacin dhe Ahmed Daklin. Ai propozoi t’i dërgohej një përshëndetje falënderimi qeverisë italiane “për ndihmë qi asht tyke i bamë Shqipnis”. Kongresi zgjodhi një qeveri të përkohshme, e cila do të dërgonte një delegacion në Konferencën e Paqes. Lef Nosi ishte njëri nga anëtarët e delegacionit në Paris.

Në vitet 1918-1919 Lef Nosi ishte një nga drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi letrar”, e cila dilte në Elbasan.

Ai është një nga koleksionistët më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë. Koleksionet që ai grumbulloi gjatë gjithë jetës, objekte antike, etnokulturore, dokumente historike, dorëshkrime, pulla e të tjera, janë objekti diskutimi edhe sot, sepse nuk dihet ende fati i tyre. Dihet vetëm që, kur erdhën komunistët në pushtet, Lef Nosi i mbylli ato në Bankën e Shqipërisë, dhe komunistët nuk dihet çfarë i kanë bërë. “Ai nuk e kishte për gjë që të merrte paketën bosh të cigareve e ta koleksiononte si një gjë të rrallë. Shtëpia e tij në Elbasan ishte kthyer në një muze me vlera të patjetërsueshme,” shkruan historiani Kastriot Dervishi. Sipas Dervishit, “pas Lufte (e Dytë Botërore), në Arkivën e Partisë së Punës kishte shumë pak trakte të kësaj partie të hedhura gjatë viteve 1941-1944. Për faktin se askush nuk kishte menduar ruajtjen e tyre, ky aspekt ishte pothuajse në shifra të papërfillshme. Por kur komunistët hapën shtëpinë e Lef Nosit gjetën atje koleksionet e trakteve të tyre që Nosi i kishte grumbulluar në mes të luftës si koleksione.”

Mund të thuhet, pa frikë, se pa kujdesin e Lef Nosit prej koleksionisti, do të kishim një histori të mangët të fillimeve të shtetit shqiptar. Në 1924, Lef Nesi botoi revistën historike “Dokumenta historike, për t’i shërbye historiës tonë kombëtare”. “Rastet e mira dhe kujdesi qi kam pasun, u banë shkak me futë në dorë dal nga dalë, nji numër të math dokumentash, të cilët janë një visar i paçmueshëm i Rilindjes tonë Kombëtare,” shkruan Nosi në parathënien e botimit të parë të revistës. Botimi i dokumentave u nxit nga shqetësimi i tij se mos i humbiste ose nga droja se mos dëmtoheshin. Revista (Fletorja e quante Nosi) ishte e përmuajshme. Me anën e saj, ai synonte të nxiste dhe botimin e dokumenteve të tjera, të cilat mund t’i zotëronin njerëz që ua kishte “sjellë puna me u ra në dorë”. Shumica e dokumenteve ishin në gjuhën osmane. Ai botoi vetëm përkthimin e tyre me shpresën se në të ardhmen mund të realizonte botimin e origjinaleve në një libër të veçantë. Ky botim që nuk u realizua, për shkak të historisë së trazuar të Shqipërisë dhe fatit të tragjik të Lef Nosit.

Lefi Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar nga delegatët. Origjinali i dokumentit që duhet të kishte indeksin “Fondi 1, Viti 1912, Dosja 1, Fleta 1”, nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Nuk dihet ku është. Në arkivë ndodhen vetëm kopje të tij. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të Lef Nosit, fati i të cilave është gjithashtu ende i pasqaruar. “Një pjesë u vodh. Studiues që sot mbahen “profesorë” në kohën kur nuk lejohej njeri t’i prekte studimet e tij, i vodhën ato dhe morën tituj të pamerituar,” shkruan historiani Kastriot Dervishi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore jeta e Lef Nosit ngjan shumë me fatin tragjik të Shqipërisë që nga pushtimi fashist dhe gjerman ra në duart e komunistëve, duke vuajtur më dhumë e për një kohë më të gjatë. Fashistët e internuan në Itali Lef Nosin. Deri në 1943, ai nuk pati asnjë aktivitet politik. Pas rënies së fashizmit, ai mori pjesë si anëtar i Këshillit të Naltë (Regjenca), institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit, në një shtet shqiptar që i ishte kthyer pavarëia që i morën fashistët. “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët,” deklaroi në gjyq Lef Nosi. Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Kundrejt aleatëve Regjenca mbante qëndrim asnjëanës. Ai shpjegon dhe dallimin mes gjeneral francez që u dënua si kolaboracionist dhe anëtarëve të regjencës. “Pëteni në Francë kishte bërë aleancë me gjermanët. Regjenca nuk mori ushtri t’ua dërgonte gjermanëve për të luftuar aleatët,” tha Lef Nosi në Gjyq.

Kur komunistët erdhën në pushtet, përmes luftës civile, Lef Nosi u arrestua dhe u ekzekutua në 1946. Rreth një vit, ai qëndroi në arrati. Ai nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Sipas rrëfimit të nipit të tij, Lef Nosi, gjatë kohës që ishte në arrati, mbante në dorë një bllok ku kishte të shkruar të gjithë biografinë e tij. Gjatë kohës që Lef Nosi ishte anëtar i Këshillit të Naltë e mbante me vete koleksionin e pullave të postës. Në Bankën e Shtetit kishte depozituar dokumentet e rralla historike. Çelësin e kasafortës e kishte Aleksandër Xhuvani. Librat e Lef Nosit u grabitën nga një komision i krijuar nga Ministria e Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, në mars 1945. Drejtuesi i komisionit, më vonë u bë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Në Shqipëri qëndrova me qëllim që të dorëzohesha kur të normalizohej koha e të zbuteshin gjakërat, pse kishte njerëz që vepronin me pasion,” deklaroi Lef Nosi në gjyq. Ai qëndroi një periudhë i fshehur, por gjakrat nuk u zbutën kurrë. Kështu një moment Lef Nosi vendosi të bënte atë që kishte refuzar ta bënte më herët, kur e ftoi Mehdi Frashëri: të largohej nga Shqipëria për të cilën ai kishte punuar me përkushtim. E vetmja mënyrë për të dalë nga Shqipëria e shkelur gjithandej nga partizanët ishte vetëm ndihma e ndonjë misioni ushtarak të huaj. Lef Nosi shkoi te misioni britanik, por ata nuk nuk pranuan ta ndihmonin. Kështu i erdhi fundi një njeriu që gjatë gjithë jetës së tij kishte bërë vetëm mirë.

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Burimet e konsultuara janë: Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; AMPB, Dosja N1086-A; AQSH, Fondi MSHPKP, V 1945, Dosja 126; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Marie Amelie Frein von Godin, Nga Shqipëria e re, Botimet Koçi, Tiranë, 2007; Akademia e Shkncave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Arbënia, Nr. 427, 28 nëntor 1936; Gazeta 55, 28, 29, 30, 31 mars 2008; Gazeta “Standard”, 15 shtator 2012.

Foto: elbasani.org

Shenja/ 2012

Filed Under: Histori

EKZEKUTIMI KOMUNIST I  INTELEKTUALEVE SHQIPTAR 28 TETOR- 17 NËNTOR 1944

November 17, 2023 by s p

BESIM NDREGJONI/

U  mbushen 79 vite kur u krye masakra masive në Tiranë nga data 28 tetor deri me 16 nëndor 1944. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani… Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. (AQSH, F.14, d. 2/Av.1944.) Natyrisht, ky genocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga kryeterroristi Enver Hoxha.Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Në njësitin terrorist merrnin pjesë edhe dy shtetas jugosllavë që ishin sjellë në Pezë nga D.Mugosha: Papa Hasani nga Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, që sipas dokumentit të Arkivit të Shtetit, f.279, d.10,Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigadën e Parë për të luftuar bashkë me të kundër gjermanëve, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Këtë intelektual i lauruar në Austri dhe Vatikan dhe nacionalist të njohur sipari i masakrës masive hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë te shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën.“Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Një nga ata ushtarakë të zhdukur, jo të dorës së dytë, siç thotë Hoxha, por ushtarakë të kalibrit të lartë, si Rakip Kalenja, nga Mallakastra, i lauruar shkëlqyeshëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, dega e xhenjos. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i gjindërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në Rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar, bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vjenë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, oficerë në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret. Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. i shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri.Po atë natë terroristët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Ai ndihmoi në modernizimin e ushtrisë shqiptare. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg. Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit, të dy bij të një familjeje të madhe. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëritjetrin në një përrua pesë viktima të tjera: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafiz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist. Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria. Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq e 11 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!” Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre, Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë, terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, gazetarin, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të vdekur e të mbuluar me gjak.Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës.. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes. Kështu u mbyll kjo masakër, që përgjaku Tiranën, më tutje edhe masakrave të tjera të përgjakshme në Shqipërinë e Veriut, që i hapën rrugën pushtetit komunist, që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë. 39 intelektualë shqiptarë, mes të cilëve, deputetë, gazetarë, juristë, ushtarakë, por edhe studentë, u pushkatuan në rrethinat e Tiranës, midis datave 28 tetor dhe 16 nëntor 1944, në emër të “Pushtetit Popullor”

Në 65 vjetorin e vrasjes së intelektualve Ambasadori i SHBA-së, John Withers e cilësoi makabre ngjarjen e ndodhur 65 vjet më parë, duke u shprehur se “ata u ekzekutuan vetëm sepse i shërbenin borgjezisë anglo-amerikane dhe jo proletariatit. Kjo mund të jetë një përgjigje midis një debati, por jo t’i merrej jeta atyre”.
Ndër të tjera, ambasadori Withers bëri një paralelizëm mes “të djeshmes” dhe “së sotmes”, ku beteja e njerëzve me ideale, sipas tij, duhet të jetë më aktive.
“Beteja që ata intelektualë u përballën dikur, është e njëjta me atë që po përballemi edhe sot. Sa herë që shohim censurë nga qeveria, duhet t’a kundërshtojmë atë, ashtu edhe kur kanoset apo intimidohet shtypi i lirë. Ne duhet t’i ndalojmë të gjitha këto akte. Ne nuk mund t’i japin pavdekësinë atyre, por përkushtimin tonë në nderim të intelektualëve që sakrifikuan jetën për ato ideale”, tha Withers. 

Kush ishin 39 intelektualët!? Ata ishin në Tiranë , në profesionet e tyre, në shërbim të strukturave të shtetit shqiptar, dhe jo në shërbim të pushtuesve! Ata nuk ishin pajtuar me pushtuesin! Ata  i shërbenin shtetit të tyre, dhe pse ishte luftë, ata ishin në shërbim të qytetarve shqiptar! Njihuni me cv e tyre.

Foto: Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK

. 

I 

. 

.    

.

FAIK SHKUPI

NDUE PALI

MINELLA KOTKOCI

FARI DOBULLA

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT