• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

PUTHJET E NDALUARA

November 9, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi/

Shumë persona e kujtojnë puthjen e parë, emocionin dhe tensionin e përzjerë me gëzimin dhe frikën e zbulimit apo dështimit. Shumë të tjerë e përdorin puthjen duke u shndërruar në njohës (shijues) të hollë të saj. Industria e filmit jeton me puthjen. Tek filmat të prodhuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, nuk gjen dot një puthje të vertetë (çliruese) nëse dy persona kishin gjetur njëri-tjetrin në çift.

Mos bëhej për t’i lënë më shumë hapësirë fantazisë së spektatorit apo fshihej diçka tjetër pas këtij ndalimi?

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, kulti i individit ishte i rëndësishëm. Nevojat dhe emocionet e individit duhet t’i shërbenin politikës së partisë, ku slogani ishte “Partia ka gjithmonë të drejtë”. Regjimi ndëshkonte shfaqjen në publik të intimitetit mes një gruaje dhe një burri. Ndërkohë, kontaktet fizike mes burrave, edhe si shembull sjelljesh të trashëguara nga kultura osmane mesdhetare, dilnin në plan të parë.

Të puthesh në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës ka qenë diçka e pazakontë. Çiftet shëtisnin nëpër rrugët e Tiranës, por ata nuk putheshin në publik. Ndalimin e puthjes e përforcon fakti që në realitetin socialist, pasqyrohej edhe në filmat e kontrolluara dhe të cesuruara nga shteti.

Filmat shqiptarë të prodhuara në vitet 1960-1992 paraqesin histori dashurie. Momentet erotike të çiftit të dashuruar kufizoheshin në shikime, në prekje të lehta, përqafime të shkurtra dhe puthje të lehta miqësore. Ajo që bie në sy është që ka më shumë prekje dhe puthje miqësore ndërmjet meshkujve, sesa ndërmjet një femre dhe një mashkulli. E ashtuquajtura “puthje vëllazërore”, e cila pasqyron miqësinë, paqen dhe solaritetin, shfaqej edhe ndërmjet politikanëve të shtetit socialist.

Për të pasqyruar jetën private, po shkëpus sekuenca nga momentet erotike tek disa nga filmat e kohës së diktaturës.

Filed Under: Fejton

“Faksmile”, Mjeshtrit i Madh” Helidon Haliti rikthen për artëdashësit poetin Faslli Haliti

November 9, 2023 by s p

Nga Dash Frashëri dhe Albano Kolonjari/

“Mjeshtrit i Madh” Helidon Haliti, hapi në Galerinë FAB, ekspozitën “Faksmile” kushtuar poetit të njohur lushnjar Faslli Haliti, i cili ka qënë edhe një nga bashkëpuntorët e ngushtë te Gazetës Dielli. Artistë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, drejtues institucionesh artistike, titullarë të lartë të bashkive të ndryshme, deputetë dhe diplomatë vendas dhe të huaj, morën pjesë dhe shijuan një nga ekspozitat më guximtare me tematikë, stilin e pikturimit të bashkuar me vargjet lirike në mesazhe.

“Faksimile” është një koncept që ka zënë fill nga bisedat e mia me Poetin Faslli Haliti, i cili është edhe babai im, njeriu që më ka krijuar fizikisht, por edhe më ka mbrujtur shpirtërisht dhe artistikisht. Ne kemi pasur një ëndërr të përbashkët: Që babai të kuronte një ekspozitë timen, me një koncept fare të thjeshtë, për të vënë në dukje faktin se në të gjitha pikturat e mia gjen pjesë nga lirikat e poezisë së tij, nga shqetësimet e tij sociale dhe altruizmi i padiskutueshëm i tij si njeri”, thotë piktori Haliti.

Ekspozita përmban rreth 40 punime në pikturë, kryesisht kompozim, por të shoqëruara me një peizazh onirik.

Vizitorja më e rëndësishme e ekspozitës ishte nëna e Helidonit, Nirvana, një zonjë fisnike, të cilën e pame të përlotur nga gëzimi i madh për suksesin e të birit.

Piktor Helidonin e riktheu babain e vet. Që kur ka qenë i vogël fare kishte bërë një vizatim, siç bëjnë gjithë fëmijët, dhe më tha mua Faslliu: ‘Kush e ka bërë këtë?’ I thashë: ‘Doni’. ‘Ky do të bëhet piktor’, më tha. Ai ka ndjekur në vazhdimësi. Unë sot nuk e di si jam, Jam shumë shumë e lumtur, se ai që është atje, është ngritur nga varri dhe ka ardhur këtu, në ekspozitë”, më thotë e përlotur nënë Nirvana.

Niçja – Antikrisht / Krishtërimi = shpikje e të dobëtit, apologji e frikës, disfatës, vuajtjes, vdekjes. Niçja = shkatërrn Krishtin e kryqëzuar që simbolizon: dobësinë, nënështrimin, pritshmërinë. Formula: u bëftë vullneti i tij, kuptohet: abdikimi i vullnetit të njeriut”, thuhet në një prej shënimeve të Faslli Halitit, autor i mbi 20 librave.Në tre sallat e ekspozitës publiku shikon një mini muze, ku dimensioni është i larmishëm, shqetësimet do të shfaqen lakuriq, siç janë, përpara tij, por pa u konkretizuar në një portret të caktuar.

“Ekspozita është konceptuar si një lloj instalacioni, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij para 4 vitesh, dhe sot është i gatshëm për t’u përballur dhe bashkëbiseduar me publikun, për të kuptuar se shpirti vijon”, thotë Helidon Haliti. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, erdhi së bashku edhe me bashkëshorten e tij, i shoqëruar nga drejtuesja e “Gallery 70”, Lauresha Basha. Kam dëgjuar fjalët më të mira për piktorin Haliti. Kjo është me të vërtetë një ekspozitë e mrekullueshme”, tha ambasadori Bergner.

Faslli Haliti u nda nga jeta tre vjet më parë dhe ky koncept po bëhet realitet vetëm tani. Ekspozita është e përbërë prej copëzash kujtimesh, të cilat unë i quaj “Faksimile”. Janë copëza poezish, figurash – edhe figura të plota, pse jo – copëza shqetësimesh sociale dhe zhvillimesh që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait tim për shkak të Covid19.

Kjo ekspozitë vjen si një plotësim i filozofisë se arti shtegton edhe pa krijuesin, për të thënë se shpirti nuk humbet asnjëherë dhe se komunikimi ynë vijon ende përmes ëndërrash e vargjesh poetike, në një bisedë, e cila zhvillohet prej më shumë se 55 vitesh, edhe pas vdekjes së tij. Poezitë e tij janë si tituj të pikturave të mia, kurse ekspozita është e thurur me përrallat që më ka treguar kur isha fëmijë.

Kush eshte poeti dhe bashkepuntori i gazetes Dielli Faslli Haliti.

Faslli Haliti

U lind në Lushnjë më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 ishte anëtar i LSHASH. Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi. U nda nga jeta më 16 tetor 2020.Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.

Filed Under: Kulture

Dëshmi dhe Kujtesë

November 9, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Parathënie

“Jeta është e lehtë symbyllur”

“…nëse s’bëhet për të gjithë, ai s’është Atdhe”

Në fjalët paraqitëse për librin e Astrit Lulushit, prozatori dhe studuesi shumë-planesh Dashnor Kokonozi citon shprehjen e Horace Gril, “Shko në Perëndim, rritu bashkë me vendin.”

Pas librit “Ndjenjë realiteti”, lexuesi do të shtonte “shko në Perëndim, rritu dhe provo të kthehesh ndryshe në vend-Lindje.” Astrit Lulushi më në fund e “vizitoi” Atdheun, pas 35 vitesh.

Dhèrat e huaj për këdo kanë shërbyer “bankë-provë” për njeriun si qytetar të botës. Historia shqiptare është inspiruar e ri-dimensionuar gjithnjë prej mërgatës, prej individëve që kanë mbajtur ngritur antenat për zërin e botës.

Njerëzit e mëdhenj të kulturës shqip (prej Buzukut, Budit, Bogdanit e Rilindësit, natyrshmëri që rezistoi edhe me shkollimet evropianë në vitet ’30) kanë ardhur prej të kulturuarve e arsimuarve shpirtërisht ndryshe prej countrymen-ve që edhe kur u dërguan për studime në Perëndim (Francë) nuk arritën të njohin as veten.

Si Shtëpi e mbyllur, lyer me të kuqe, Shqipërisë iu desh ta kishte një aradhë mendjesh të hapura, të mos mbetej “as Lindje as Perëndim”, gjer edhe kur shpalli muze një “Shtëpi me Gjethe”!

Me “dhera të huaj” kuptojmë ikjen prej mjedisit aty, ndjerjen ngushtë në një gjuhë të lexuari, daljen prej rrethit vicioz të mendimit uniform, gjer tek ideja se edhe planeti vetë është realitet për tu braktisur si imazh i izoluar.

Dherat e huaj nisin të rikthejnë mesazhin që pritej për aftësitë e shqiptarit verifikuar në botë, pas mbylljes totale. Me status e banim të ri, mes faktorësh të tjerë, merr tjetër dukje e thelb tjetër, që kurrë s’do kishte mundur të çelte e shfaqte fruta në vendlindje, nëse do kish mbijetuar.

Astrit Lulushi kthehet nëpërmjet librash, atje nga ku iu desh “të ikte natën” ujërash të ftohtë. Pa e pasur kurrë ndërmend Kthimin si revansh të Ikjes, “historia” s’do t’i interesonte më si E Shkuar, nëse s’do kishte lidhje me Të Sotmen që inspiron të mbetet E Nesërme në dhèun/dhimbje lindore.

Nëse perifrazojmë një frazë të tij, në krye të librave të Astrit Lulushit do të shkonte mbishkrimi: “Nëse s’ke dëshirë të dish e të mendosh ndryshe, nëse s’je gati për të ndryshuar, s’ke pse e shfleton këtë libër”.

Shqipëria e kohës “me qeveri pa pëlqimin e të qeverisurve” shihte si të dyshimtë çdo të huaj, shpallte armik çdo shqiptar që mendonte për andej matanë dhe padyshim që jetonte jashtë. Tanimë dhimbja ka marrë trajtë tjetër: Shqipëria e sotme endè s’është gati si Atdhè Real për tërë qytetarët e saj. Edhe pas dekadash lirie formale, i gëzohemi etjes së qytetarëve për tu larguar nga vendi.

Për dikë që ka ikur dhe bën të kthehet ndryshe, heshtja është e pamundur: “Menjëherë pas rënies së diktaturës, të gjithë u bënë ‘të djathtë’, askush nuk fliste a të gjithë heshtnin për filmat, këngët, pikturat, skulpturat, librat, gjithë ky art i detyruar, i realizuar pa frymëzim gjatë periudhës së errët; bustet e pikturat u mbyllën bodrumeve, ndërsa emrin e diktatorit askush nuk guxonte, të paktën moralisht, t’ia zinte në gojë për të mirë…!”

Ajo kohë, që më në fund u quajt diktaturë nga thuajse të gjithë, për të cilën deklarojmë se ka rënë pa kthim, duket se ka humbur vetëm kreun e dikurshëm. Ne të tjerët jemi thuajse po ata. Ia vlen të na kujtojnë për këtë…

“…Kohët kanë ndryshuar pak, mendësia edhe më pak…Vështirë të quhet lajthitje kur lihet jashtë qoftë edhe një figurë…që ka lënë emër të nderuar nëpër botë, që ka punuar e është flijuar vetë e me familje për kulturën shqipe. Është fjala për eruditin e diasporës, profesor Isuf Luzajn (1913-2000)”.

Ngrirjen e vëmendjes tek idolët e vjetër, te ngjarjet e kujtimet e kohës pa ngjarje, te humania e kohës pa humanizëm, te letërsia pa njeriun si qenie njerëzore, A. Lulushi e vëren si veçori të periudhës pa diktaturë:

“Njerëz të lindur në kafaz, e kanë vështirë të dallojnë ndryshimin…Kjo sjell këmbënguljen e tyre për të vlerësuar pikërisht ata që ulin kokat se ndjejnë turp kur kujtojnë punët e tyre të dikurshme, sot të ripunuara…”

Të justifikohesh se këto punë “duan kohë”, s’e ‘gjërat kanë radhën e tyre”, do të thotë se diçka tjetër ka përparësi për ty (paraja, pushteti, vetja?!) Lulushi e sheh të nevojshme artikulimin e pyetjeve të tilla, të cilat e kanë përgjigjen vetiu. Në sistem lirie, përgjegjësia merr përmasë individuale.

Pse s’po bëhemi dot? Është pyetje që e themi të gjithë. Do duhej që sekush të përgjigjet për veten e tij. Por ne merremi me shqiptarin vetëm kur vërejmë se nuk është bërë endè qytetar; merremi me deputetin, politikanin apo shtetarin, kur provojmë se ai s’është dot i tillë. Shpallemi “pro” apo “kundër” tij, kur ai shkon e hedh gurë te zyrat e shtetit. Shkrimtari, gazetari, intelektuali, prononcohen vetëm kur shpjegimi bëhet absurd, zgjidhja kërkohet për “nyjen gordiane”.

Zyra nuk është prona jote, i nderuar pushtetar, është vendi i punës ku je deleguar për të shërbyer për një periudhë.

Gazeta, s’është thjesht e drejta dhe mundësia për të folur, por edhe provë e qytetarisë, mundësia për ta pohuar atë dhe atdhetarizmin. Titulli intelektual s’është nxitimi për të marrë dekorata apo çmime, gara mes rivalësh, beteja si sedërllinj ballkanik, por përgjegjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë…

“S’mund të bëhen pronarë të gjithë, shprehet Lulushi, por askush s’duhet të jetë i shtypur apo skllav, botë pa dhimbje s’mund të ketë, pa vuajtje të panevojshme po. Tragjedi gjithmonë do të ketë për sa kohë-jeta s’është e përjetshme, por mjerimi mund të zhduket, padrejtësi do ketë por tirani s’duhet; intoleranca do zërë vend në mendjet e disave, por mirësjellja a mirësia është veti njerëzore, prandaj është e mundur që një ditë të mbizotërojë jetën e përditshme, por jo pa arsyen, fuqinë e mendjes…Dhe arsyeja, jo rastësisht, është individuale…”

Duket sikur të gjithë e dimë se pas verbërive partiake s’shkohet, por pas tyre shkojmë!

E dimë se prej tranzicionit fitojnë vetëm fragmente afër partive, por s’pyesim: përse lulëzon militantizmi?

Këto të gjitha dihen, por shtypi merret me viktimat si viktima, jo si krijesa të tërë kësaj shoqërie që i largohet të vërtetave. Të gjithë mjaftohen të përfitojnë diçka sot, pa le t’i dalë flaka lagjes, por jo shtëpisë sime…

“Shumë njerëz, përfshi ata që ende kanë plagët e diktaturës – se askush s’është përpjekur t’ua mjekoj, dhe të tjerë që e ndjejnë veten fyer a poshtëruar prej saj – se askush s’ka kërkuar ndjesë publike, mendojnë se demokracia ku ata jetojnë nuk i bind të paktën për një gjë…Si rregull, njeriu gëzon të drejtën e pronës, por kjo pronë është zaptuar ose i është dhënë një personi tjetër me arsyetimin se aty ka punuar a jetuar, në kohën kur pronari i vërtetë…dergjej burgjeve a baltrave të internimit…”

Autori nuk e fshehë anshmërinë: edhe pse e la atdheun dikur, asnjëherë s’ka ikur prej tij; nëse s’bëhet për të gjithë, ai s’është Atdhè; nëse s’ka vend për qytetarin, shqiptari do marrë udhët e botës, që sigurisht s’janë të lehta, dhe që sërish tek udhët e vendlindjes do kthehet në shpirt…

“Me gëzim festohet çdo përvjetor i rrëzimit të shtatores së diktatorit, vëren Lulushi, por që një tiran vërtetë të bjerë, njerëzit duhet të sigurohen që piedestali brenda vetes së tyre të jetë shkatërruar…Më keq akoma, kur statusi i të favorizuarve duket i përcaktuar: “kush ishte është…”

Kriteri i këqyrjes së fjalëve dhe veprimeve vjen vetiu: “Kush kufizon fjalën sot, gjuhën njerëzve do t’ua priste, nesër. Kush s’pranon mendimin ndryshe ndryshon vetëm në kohë, nga ata që i quanin opozitarët tradhtarë…”

Njerëzit pa kulturën e nevojshme s’janë në gjendje të dallojnë. “Jeta është e lehtë me sy mbyllur”, këndonte John Lennon, na kujton “Ndjesi realiteti”. Po të mundim, le të ndjejmë…

Astrit Lulushi vështron përtej dukjes: “Kush përpiqet të mësojë, përqeshet a përçmohet, shoqëria ka krijuar zgjidhje të shpejta, rrugë të shkurtra si televizioni, kompjuteri e interneti… Ka njerëz që ngjiten në Pushtet se besojnë se tjetri ka nevojë vetëm për aq informacion sa të shpjegojë a mbeshtesë pikëpamjen e tyre…

Janë një varg personash, e personazhesh në shënimet e Astrit Lulushit, shqiptarë e të huaj, që shfaqen e zhvendosen bashkë me kohën e tyre, kultura shqiptare thirret në paraqitjet e saj sa më dinjitoze, pandashëm nga fjala si kumt, letërsia si fisnikërim. Mes realitetit si privim dhe dhimbje për autorë apo figura publike shqiptarësh në vendin e tyre,

Librat e Astrit Lulushit janë një varg shkrimesh, esesh, shqyrtimesh, analizash ku autori shfaqet si njohës i thellë, por edhe para-thënës i ç’mund të ndodhë, nëse nuk ndodh ç’dëshirojmë. Nëse për lexuesin autori i ka plotësuar mungesat e dikurshme in propria persona, çfarë vazhdon të sjellë pohon të anasjellën. Gjithkujt i mungon diçka, gjithkund mungon diçka, sikur thotë me këtë lloj kthimi në vendlindje. Le të ndihim veten edhe tek tjetri…

Faruk Myrtaj, Toronto, Canada

Filed Under: Reportazh

Dashuria false e trumbetuar në kafazet e emisioneve televizivë

November 9, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Është fjala për emisione ku vajza e djem të bukur, të veshur ose gjysmë të zhveshur, mbyllen nëpër kafazë për muaj të tërë apo studio televizive dhe aty bëjnë gallatë derisa të bien në dashuri më njëri- tjetrin. Dashuria e vërtetë nënkupton një familje të shëndoshë, e pasuar kjo me fëmijët në të ardhmen, që do të lindin si rjedhojë e kësaj dashurie. Nuk ka përkufizim sesi mund të biesh në dashuri, as rregulla e as ligje. Shpikësit e këtyre formateve, në rang global, (shqiptarët vetëm imitojnë  si majmunë)  kanë gjetur një metodë të tyre të mbylljes në kafazë, ku ata filmohen pa ndërprerë ditë e natë ose pjesërisht. Jo rrallë kur aty nuk lind dashuri apo marrëdhënie në çift (shpesh ka thjesht kurvëri e shtirje lapërdharësh) hartuesit e programeve sajojnë skena artificiale me gjoja dashuri, ku banaliteti, gënjeshtra  e padija mbushin ekranin si ato kanalet e ujërave të zeza, kur shpërthejnë fekalet e  pisllëku merr dhenë rrugëve të lagjeve e gjithë qyetit.

Një djalë i zgjuar do të marrë për grua patjetër një vajzë të zgjuar me të cilën do të krijojë familje. Ndryshe nuk funksionon. Do të rrokulliset tenxherja e do të gjej kapakun, thotë populli. Unë mendoj se vajzat dhe djemtë që mbyllen nëpër kafazë dhe prej aty shndërrohen ne yje të ekranit apo lidhin martesa të lumtura janë sa të neveritshme aq dhe artificiale.Te ‘Princi i Kaltër,” princi, pasi shijon si frutat e stinës nja tre dyzina bukuroshesh që jo rrallë i fut në krevat si pjesë e emisionit, zgjedh vetëm një, për të krijuar familje.Tjetra është së këta bukuroshë e bukuroshe, që marrin pjesë në këto shfaqje paraqesin përgjithësisht vajza e djem që nuk u kërcet për asgjë veç qejfit, (harxhohen miliarda për këto emisione) dhe janë nën mesataren mendore të njeriut të zakonshëm. Veç gërmëreve neveritëse ( ma çorre, ta çorra) dhe ekspozimit të shalëve e të  cicave ata nuk kanë ç’të tregojnë tjetër. Aty nuk flitet për jetën e zakonshme të shqiptarëve, për problemet e sjelljet e brezit të ri, papunësinë, largimin nga atdheu, për familjen që do të krijojnë, për nevojat apo kufizimet, për dashurinë njerëzore, si dukuri, etj etj. Nuk flitet për historinë, kulturën, letërsinë, traditën dhe as ia kanë haberin asaj ane. Madje në raste të veçanta si në “Përputhen” apo diku tjetër një super bukuroshe nuk dinte se kur ishtë shpallur Pavarësia apo kush ishte Skënderbeu. Po ndërkaq dinte mirë se me një trup të bukur e një dashnor me para mund të kapje majat. Nga kjo pikëpamje aty ekspozohet një llum i vërtetë njerëzor. Janë një prerje vajzat e djemtë e kafazeve. Dikush i zgjedh me kujdes, që të tredhin trutë e njerëzve e të kësaj rinie mjerane, që rrugën ë lumturisë e gjen te servilizmi, gënjeshtra, humbja e dinjitetit, kurvërimi për një vend pune apo te droga. Rinia e sotme e konstaton të keqen por në vend të luftojë për ta mundur atë i nënshtrohet ose ia mbath nëpër botë. A mundemi të kemi emisione me kafazë të hapura apo të mbyllura ku të debatohet për të gjitha problemet e rinisë së sotme, por me përfaqësues djem e vajza që të jenë jo vetëm të bukur e të palestruar por edhe të mënçur e atdhetarë? Ky është problemi. Dua të pohoj së drejtuesit apo analistët e këtyre emisioneve janë me të vërtetë njerëz të mënçur. Ata e zgjedhin me kujdes “lëndën e parë,” kuptojnë kotësinë ë vajzave e djemve të kafazëve dhe jo rrallë tallin trapin me ta në mënyrë të stërholluar. Kafazllinjtë as kuptojnë fare e qeshin e qeshin dhe kthehen në majmunë e kllounë. Duket hapur që organizatorët dhe analistët kanë një qëllim të vetëm: Të bëjnë para dhe të tredhin trutë e rinisë shqiptare.

Në një status të vetin Pastor Akil Pano u shpreh se djemtë e sotëm “duan një vajzë për shtëpi.” Dhe hopa hidhen të shpjegojnë e të kritikojnë grerëzat e ekraneve e fb-së si maskilist e të prapambetur. “Për shtëpi” duhet kuptuar më gjërë. Po sigurisht, një vajzë nga “Ishulli i dashurisë,” “Përputhen,” “Grande fratello” e “Princi i Kaltër” nuk e mban dot për shtëpi, pra të krijosh një familje. Sepse ajo do shumë para dhe seks të lirë, do martesë të hapur, ku çiftet ndërrojnë partnerët për qejf e dado për fëmijën që mund të lindë. Familja është qeliza e një shoqërie të shëndetëshme, është zemra e atdheut, dhe i jep kuptim lumturisë njerëzore. Pa familje të shëndetëshme Atdheu merr rrokullimën si po e merr Shqipërinë këto tridhjetë vjet. Dashuria dhe familja nuk lindin e krijohen artificialisht, duk i mbyllur njerëzit nëpër kafazë për t’u çiftuar e shtuar me së s’bën, si kafshët në kopshtin zoologjik. 

PS. Shumë njerëz pyesin: Pse shikueshmëria është kaq e madhe kur qenkan të pështira dhe artificiale? Jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, ku bëhen këto eksperimente me njerëz-kavie, mendoj se ata që i ndjekin nga jashtë, janë me të njëjtin nivel me ata që janë në kafaze. Publiciteti i jashtëzakonshëm në TV të krijon prshtypjen e rrremë se janë të shumtë.

Filed Under: ESSE

GAZETA “DIELLI” NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN

November 9, 2023 by s p

Gazeta “Dielli” – Organ zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njofton vatranët, abonentët, komunitetin dhe dashamirësit rreth Numrit Special të gazetës “Dielli” me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar:

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese, botimeve specifike, shpalljeve të ndryshme në gazetë do të jenë si më poshtë:

1 Faqe me ngjyra – 600 Usd

½ Faqes me ngjyra – 400 Usd

¼ Faqes me ngjyra – 250 Usd

1 Faqe pa ngjyra – 400 Usd

½ Faqes pa ngjyra – 300 Usd

¼ Faqes pa ngjyra – 200 Usd

Gazeta “Dielli” fton të gjithë patriotët shqiptarë në Amerikë, Kanada e më gjërë, organizatat, shoqatat, grupimet atdhetare, shkollat shqipe, shoqëritë kulturore, klubet patriotike, rrjetin e bizneseve në mërgatë e mëmëdhe që ti bashkohen kësaj fushate për forcimin e gazetës “Dielli” dhe promovimin e identitetit, vlerave e historisë sonë kombëtare.

Çdo njoftim duhet të vijë në gazetën “Dielli” përpara datës 20 Nëntor 2022 bashkë me pagesën përkatëse.

Të gjitha njoftimet duhet të dërgohen në adresën elektronike zyrtare të gazetës “Dielli”:

gazetadielli@gmail.com dhe pagesat përkatëse të postohen në Adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.

Mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për të gjithë ata që do i bashkohen kësaj fushate.

Për pagesat e shpejta kontaktoni Arkëtarin e Federatës “Vatra” z.Besim Malota cel.+12034557167.

RESPEKTE DHE NDERIME

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT