Ledio Xhoxhi/
Shumë persona e kujtojnë puthjen e parë, emocionin dhe tensionin e përzjerë me gëzimin dhe frikën e zbulimit apo dështimit. Shumë të tjerë e përdorin puthjen duke u shndërruar në njohës (shijues) të hollë të saj. Industria e filmit jeton me puthjen. Tek filmat të prodhuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, nuk gjen dot një puthje të vertetë (çliruese) nëse dy persona kishin gjetur njëri-tjetrin në çift.
Mos bëhej për t’i lënë më shumë hapësirë fantazisë së spektatorit apo fshihej diçka tjetër pas këtij ndalimi?
Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, kulti i individit ishte i rëndësishëm. Nevojat dhe emocionet e individit duhet t’i shërbenin politikës së partisë, ku slogani ishte “Partia ka gjithmonë të drejtë”. Regjimi ndëshkonte shfaqjen në publik të intimitetit mes një gruaje dhe një burri. Ndërkohë, kontaktet fizike mes burrave, edhe si shembull sjelljesh të trashëguara nga kultura osmane mesdhetare, dilnin në plan të parë.
Të puthesh në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës ka qenë diçka e pazakontë. Çiftet shëtisnin nëpër rrugët e Tiranës, por ata nuk putheshin në publik. Ndalimin e puthjes e përforcon fakti që në realitetin socialist, pasqyrohej edhe në filmat e kontrolluara dhe të cesuruara nga shteti.
Filmat shqiptarë të prodhuara në vitet 1960-1992 paraqesin histori dashurie. Momentet erotike të çiftit të dashuruar kufizoheshin në shikime, në prekje të lehta, përqafime të shkurtra dhe puthje të lehta miqësore. Ajo që bie në sy është që ka më shumë prekje dhe puthje miqësore ndërmjet meshkujve, sesa ndërmjet një femre dhe një mashkulli. E ashtuquajtura “puthje vëllazërore”, e cila pasqyron miqësinë, paqen dhe solaritetin, shfaqej edhe ndërmjet politikanëve të shtetit socialist.
Për të pasqyruar jetën private, po shkëpus sekuenca nga momentet erotike tek disa nga filmat e kohës së diktaturës.