Astrit Lulushi/
Parathënie
“Jeta është e lehtë symbyllur”
“…nëse s’bëhet për të gjithë, ai s’është Atdhe”
Në fjalët paraqitëse për librin e Astrit Lulushit, prozatori dhe studuesi shumë-planesh Dashnor Kokonozi citon shprehjen e Horace Gril, “Shko në Perëndim, rritu bashkë me vendin.”
Pas librit “Ndjenjë realiteti”, lexuesi do të shtonte “shko në Perëndim, rritu dhe provo të kthehesh ndryshe në vend-Lindje.” Astrit Lulushi më në fund e “vizitoi” Atdheun, pas 35 vitesh.
Dhèrat e huaj për këdo kanë shërbyer “bankë-provë” për njeriun si qytetar të botës. Historia shqiptare është inspiruar e ri-dimensionuar gjithnjë prej mërgatës, prej individëve që kanë mbajtur ngritur antenat për zërin e botës.
Njerëzit e mëdhenj të kulturës shqip (prej Buzukut, Budit, Bogdanit e Rilindësit, natyrshmëri që rezistoi edhe me shkollimet evropianë në vitet ’30) kanë ardhur prej të kulturuarve e arsimuarve shpirtërisht ndryshe prej countrymen-ve që edhe kur u dërguan për studime në Perëndim (Francë) nuk arritën të njohin as veten.
Si Shtëpi e mbyllur, lyer me të kuqe, Shqipërisë iu desh ta kishte një aradhë mendjesh të hapura, të mos mbetej “as Lindje as Perëndim”, gjer edhe kur shpalli muze një “Shtëpi me Gjethe”!
Me “dhera të huaj” kuptojmë ikjen prej mjedisit aty, ndjerjen ngushtë në një gjuhë të lexuari, daljen prej rrethit vicioz të mendimit uniform, gjer tek ideja se edhe planeti vetë është realitet për tu braktisur si imazh i izoluar.
Dherat e huaj nisin të rikthejnë mesazhin që pritej për aftësitë e shqiptarit verifikuar në botë, pas mbylljes totale. Me status e banim të ri, mes faktorësh të tjerë, merr tjetër dukje e thelb tjetër, që kurrë s’do kishte mundur të çelte e shfaqte fruta në vendlindje, nëse do kish mbijetuar.
Astrit Lulushi kthehet nëpërmjet librash, atje nga ku iu desh “të ikte natën” ujërash të ftohtë. Pa e pasur kurrë ndërmend Kthimin si revansh të Ikjes, “historia” s’do t’i interesonte më si E Shkuar, nëse s’do kishte lidhje me Të Sotmen që inspiron të mbetet E Nesërme në dhèun/dhimbje lindore.
Nëse perifrazojmë një frazë të tij, në krye të librave të Astrit Lulushit do të shkonte mbishkrimi: “Nëse s’ke dëshirë të dish e të mendosh ndryshe, nëse s’je gati për të ndryshuar, s’ke pse e shfleton këtë libër”.
Shqipëria e kohës “me qeveri pa pëlqimin e të qeverisurve” shihte si të dyshimtë çdo të huaj, shpallte armik çdo shqiptar që mendonte për andej matanë dhe padyshim që jetonte jashtë. Tanimë dhimbja ka marrë trajtë tjetër: Shqipëria e sotme endè s’është gati si Atdhè Real për tërë qytetarët e saj. Edhe pas dekadash lirie formale, i gëzohemi etjes së qytetarëve për tu larguar nga vendi.
Për dikë që ka ikur dhe bën të kthehet ndryshe, heshtja është e pamundur: “Menjëherë pas rënies së diktaturës, të gjithë u bënë ‘të djathtë’, askush nuk fliste a të gjithë heshtnin për filmat, këngët, pikturat, skulpturat, librat, gjithë ky art i detyruar, i realizuar pa frymëzim gjatë periudhës së errët; bustet e pikturat u mbyllën bodrumeve, ndërsa emrin e diktatorit askush nuk guxonte, të paktën moralisht, t’ia zinte në gojë për të mirë…!”
Ajo kohë, që më në fund u quajt diktaturë nga thuajse të gjithë, për të cilën deklarojmë se ka rënë pa kthim, duket se ka humbur vetëm kreun e dikurshëm. Ne të tjerët jemi thuajse po ata. Ia vlen të na kujtojnë për këtë…
“…Kohët kanë ndryshuar pak, mendësia edhe më pak…Vështirë të quhet lajthitje kur lihet jashtë qoftë edhe një figurë…që ka lënë emër të nderuar nëpër botë, që ka punuar e është flijuar vetë e me familje për kulturën shqipe. Është fjala për eruditin e diasporës, profesor Isuf Luzajn (1913-2000)”.
Ngrirjen e vëmendjes tek idolët e vjetër, te ngjarjet e kujtimet e kohës pa ngjarje, te humania e kohës pa humanizëm, te letërsia pa njeriun si qenie njerëzore, A. Lulushi e vëren si veçori të periudhës pa diktaturë:
“Njerëz të lindur në kafaz, e kanë vështirë të dallojnë ndryshimin…Kjo sjell këmbënguljen e tyre për të vlerësuar pikërisht ata që ulin kokat se ndjejnë turp kur kujtojnë punët e tyre të dikurshme, sot të ripunuara…”
Të justifikohesh se këto punë “duan kohë”, s’e ‘gjërat kanë radhën e tyre”, do të thotë se diçka tjetër ka përparësi për ty (paraja, pushteti, vetja?!) Lulushi e sheh të nevojshme artikulimin e pyetjeve të tilla, të cilat e kanë përgjigjen vetiu. Në sistem lirie, përgjegjësia merr përmasë individuale.
Pse s’po bëhemi dot? Është pyetje që e themi të gjithë. Do duhej që sekush të përgjigjet për veten e tij. Por ne merremi me shqiptarin vetëm kur vërejmë se nuk është bërë endè qytetar; merremi me deputetin, politikanin apo shtetarin, kur provojmë se ai s’është dot i tillë. Shpallemi “pro” apo “kundër” tij, kur ai shkon e hedh gurë te zyrat e shtetit. Shkrimtari, gazetari, intelektuali, prononcohen vetëm kur shpjegimi bëhet absurd, zgjidhja kërkohet për “nyjen gordiane”.
Zyra nuk është prona jote, i nderuar pushtetar, është vendi i punës ku je deleguar për të shërbyer për një periudhë.
Gazeta, s’është thjesht e drejta dhe mundësia për të folur, por edhe provë e qytetarisë, mundësia për ta pohuar atë dhe atdhetarizmin. Titulli intelektual s’është nxitimi për të marrë dekorata apo çmime, gara mes rivalësh, beteja si sedërllinj ballkanik, por përgjegjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë…
“S’mund të bëhen pronarë të gjithë, shprehet Lulushi, por askush s’duhet të jetë i shtypur apo skllav, botë pa dhimbje s’mund të ketë, pa vuajtje të panevojshme po. Tragjedi gjithmonë do të ketë për sa kohë-jeta s’është e përjetshme, por mjerimi mund të zhduket, padrejtësi do ketë por tirani s’duhet; intoleranca do zërë vend në mendjet e disave, por mirësjellja a mirësia është veti njerëzore, prandaj është e mundur që një ditë të mbizotërojë jetën e përditshme, por jo pa arsyen, fuqinë e mendjes…Dhe arsyeja, jo rastësisht, është individuale…”
Duket sikur të gjithë e dimë se pas verbërive partiake s’shkohet, por pas tyre shkojmë!
E dimë se prej tranzicionit fitojnë vetëm fragmente afër partive, por s’pyesim: përse lulëzon militantizmi?
Këto të gjitha dihen, por shtypi merret me viktimat si viktima, jo si krijesa të tërë kësaj shoqërie që i largohet të vërtetave. Të gjithë mjaftohen të përfitojnë diçka sot, pa le t’i dalë flaka lagjes, por jo shtëpisë sime…
“Shumë njerëz, përfshi ata që ende kanë plagët e diktaturës – se askush s’është përpjekur t’ua mjekoj, dhe të tjerë që e ndjejnë veten fyer a poshtëruar prej saj – se askush s’ka kërkuar ndjesë publike, mendojnë se demokracia ku ata jetojnë nuk i bind të paktën për një gjë…Si rregull, njeriu gëzon të drejtën e pronës, por kjo pronë është zaptuar ose i është dhënë një personi tjetër me arsyetimin se aty ka punuar a jetuar, në kohën kur pronari i vërtetë…dergjej burgjeve a baltrave të internimit…”
Autori nuk e fshehë anshmërinë: edhe pse e la atdheun dikur, asnjëherë s’ka ikur prej tij; nëse s’bëhet për të gjithë, ai s’është Atdhè; nëse s’ka vend për qytetarin, shqiptari do marrë udhët e botës, që sigurisht s’janë të lehta, dhe që sërish tek udhët e vendlindjes do kthehet në shpirt…
“Me gëzim festohet çdo përvjetor i rrëzimit të shtatores së diktatorit, vëren Lulushi, por që një tiran vërtetë të bjerë, njerëzit duhet të sigurohen që piedestali brenda vetes së tyre të jetë shkatërruar…Më keq akoma, kur statusi i të favorizuarve duket i përcaktuar: “kush ishte është…”
Kriteri i këqyrjes së fjalëve dhe veprimeve vjen vetiu: “Kush kufizon fjalën sot, gjuhën njerëzve do t’ua priste, nesër. Kush s’pranon mendimin ndryshe ndryshon vetëm në kohë, nga ata që i quanin opozitarët tradhtarë…”
Njerëzit pa kulturën e nevojshme s’janë në gjendje të dallojnë. “Jeta është e lehtë me sy mbyllur”, këndonte John Lennon, na kujton “Ndjesi realiteti”. Po të mundim, le të ndjejmë…
Astrit Lulushi vështron përtej dukjes: “Kush përpiqet të mësojë, përqeshet a përçmohet, shoqëria ka krijuar zgjidhje të shpejta, rrugë të shkurtra si televizioni, kompjuteri e interneti… Ka njerëz që ngjiten në Pushtet se besojnë se tjetri ka nevojë vetëm për aq informacion sa të shpjegojë a mbeshtesë pikëpamjen e tyre…
Janë një varg personash, e personazhesh në shënimet e Astrit Lulushit, shqiptarë e të huaj, që shfaqen e zhvendosen bashkë me kohën e tyre, kultura shqiptare thirret në paraqitjet e saj sa më dinjitoze, pandashëm nga fjala si kumt, letërsia si fisnikërim. Mes realitetit si privim dhe dhimbje për autorë apo figura publike shqiptarësh në vendin e tyre,
Librat e Astrit Lulushit janë një varg shkrimesh, esesh, shqyrtimesh, analizash ku autori shfaqet si njohës i thellë, por edhe para-thënës i ç’mund të ndodhë, nëse nuk ndodh ç’dëshirojmë. Nëse për lexuesin autori i ka plotësuar mungesat e dikurshme in propria persona, çfarë vazhdon të sjellë pohon të anasjellën. Gjithkujt i mungon diçka, gjithkund mungon diçka, sikur thotë me këtë lloj kthimi në vendlindje. Le të ndihim veten edhe tek tjetri…
Faruk Myrtaj, Toronto, Canada