Nga Dash Frashëri dhe Albano Kolonjari/
“Mjeshtrit i Madh” Helidon Haliti, hapi në Galerinë FAB, ekspozitën “Faksmile” kushtuar poetit të njohur lushnjar Faslli Haliti, i cili ka qënë edhe një nga bashkëpuntorët e ngushtë te Gazetës Dielli. Artistë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, drejtues institucionesh artistike, titullarë të lartë të bashkive të ndryshme, deputetë dhe diplomatë vendas dhe të huaj, morën pjesë dhe shijuan një nga ekspozitat më guximtare me tematikë, stilin e pikturimit të bashkuar me vargjet lirike në mesazhe.
“Faksimile” është një koncept që ka zënë fill nga bisedat e mia me Poetin Faslli Haliti, i cili është edhe babai im, njeriu që më ka krijuar fizikisht, por edhe më ka mbrujtur shpirtërisht dhe artistikisht. Ne kemi pasur një ëndërr të përbashkët: Që babai të kuronte një ekspozitë timen, me një koncept fare të thjeshtë, për të vënë në dukje faktin se në të gjitha pikturat e mia gjen pjesë nga lirikat e poezisë së tij, nga shqetësimet e tij sociale dhe altruizmi i padiskutueshëm i tij si njeri”, thotë piktori Haliti.
Ekspozita përmban rreth 40 punime në pikturë, kryesisht kompozim, por të shoqëruara me një peizazh onirik.
Vizitorja më e rëndësishme e ekspozitës ishte nëna e Helidonit, Nirvana, një zonjë fisnike, të cilën e pame të përlotur nga gëzimi i madh për suksesin e të birit.
Piktor Helidonin e riktheu babain e vet. Që kur ka qenë i vogël fare kishte bërë një vizatim, siç bëjnë gjithë fëmijët, dhe më tha mua Faslliu: ‘Kush e ka bërë këtë?’ I thashë: ‘Doni’. ‘Ky do të bëhet piktor’, më tha. Ai ka ndjekur në vazhdimësi. Unë sot nuk e di si jam, Jam shumë shumë e lumtur, se ai që është atje, është ngritur nga varri dhe ka ardhur këtu, në ekspozitë”, më thotë e përlotur nënë Nirvana.
Niçja – Antikrisht / Krishtërimi = shpikje e të dobëtit, apologji e frikës, disfatës, vuajtjes, vdekjes. Niçja = shkatërrn Krishtin e kryqëzuar që simbolizon: dobësinë, nënështrimin, pritshmërinë. Formula: u bëftë vullneti i tij, kuptohet: abdikimi i vullnetit të njeriut”, thuhet në një prej shënimeve të Faslli Halitit, autor i mbi 20 librave.Në tre sallat e ekspozitës publiku shikon një mini muze, ku dimensioni është i larmishëm, shqetësimet do të shfaqen lakuriq, siç janë, përpara tij, por pa u konkretizuar në një portret të caktuar.
“Ekspozita është konceptuar si një lloj instalacioni, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij para 4 vitesh, dhe sot është i gatshëm për t’u përballur dhe bashkëbiseduar me publikun, për të kuptuar se shpirti vijon”, thotë Helidon Haliti. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, erdhi së bashku edhe me bashkëshorten e tij, i shoqëruar nga drejtuesja e “Gallery 70”, Lauresha Basha. Kam dëgjuar fjalët më të mira për piktorin Haliti. Kjo është me të vërtetë një ekspozitë e mrekullueshme”, tha ambasadori Bergner.
Faslli Haliti u nda nga jeta tre vjet më parë dhe ky koncept po bëhet realitet vetëm tani. Ekspozita është e përbërë prej copëzash kujtimesh, të cilat unë i quaj “Faksimile”. Janë copëza poezish, figurash – edhe figura të plota, pse jo – copëza shqetësimesh sociale dhe zhvillimesh që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait tim për shkak të Covid19.
Kjo ekspozitë vjen si një plotësim i filozofisë se arti shtegton edhe pa krijuesin, për të thënë se shpirti nuk humbet asnjëherë dhe se komunikimi ynë vijon ende përmes ëndërrash e vargjesh poetike, në një bisedë, e cila zhvillohet prej më shumë se 55 vitesh, edhe pas vdekjes së tij. Poezitë e tij janë si tituj të pikturave të mia, kurse ekspozita është e thurur me përrallat që më ka treguar kur isha fëmijë.
Kush eshte poeti dhe bashkepuntori i gazetes Dielli Faslli Haliti.
Faslli Haliti
U lind në Lushnjë më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 ishte anëtar i LSHASH. Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi. U nda nga jeta më 16 tetor 2020.Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.