• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Përmasat e vërteta të Fan Nolit vijnë përmes librit “Apostulli” të gazetarit dhe studiuesit, Ilir Ikonomi

November 9, 2023 by s p

Albert Vataj/

Fan Noli politikan, klerik, përkthyes, veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, nuk është i panjohur, por diapazoni i gjerë i asaj që rrëmbeu praninë dhe kontributin e tij, është e atyre përmasave që gjithnjë kemi për të zbuluar, për të njohur, për të udhëprirë te një trajtim shterues të kësaj figure shumëdimensionale. Për të përmbushur njohjen tonë për Fan Nolin, kryesisht atë të Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ardhur gazetari dhe studiues, Ilir Ikonomi, ambicia e të cilit ka dhënë prova se shquhet për një qasje shumë origjinale për të rikthyer në vëmendje figurat historike dhe për t’i trajtuar me një prizëm tjetër personazhe dhe ngjarje, zhvillime dhe kapërcyell në rrugëtimin tonë në si identitet kombëtar. Ai është i njohur për lexuesin përmes librave; “Faik Konica, jeta në Uashington”, Esat Pashë Toptani- Njeriu, lufta , pushteti’’ , ‘’ Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit ‘’, ‘’ Pushtimi ‘’. Secili prej këtyre botimeve përfshi edhe “Apostulli” është një punë cilësisht e vlerësuar dhe e mirëpritur, sepse është mënyra se si Ikonomi rreket t’i risjellë figurat që njihnim dhe ngjarjet që na janë bërë prezent, në një ngulmim më të themeltë.

Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besën”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësishtë e dokumentuar.

“Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press, shkruan Ikonomi në profilin e tij në Facebook.

UET Press në prezantimin promovues të librit kumton përmes një prezencë telegrafisht kumton se “Apostulli” është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin me autor studiuesin Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, i cili premton për një seri me tre vëllime, të cilat sjellin dritë mbi dimensionet e një prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar.

Vëllimi i parë me 430 faqe, botim i UET Press, jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri.

Libri mban në koperinë një foto tepër shprehëse të personalitetit të Nolit, shkrepur dy ditë pas meshës së parë të tij në Boston, SHBA, stilizuar nga dizajneri Besnik Frashni.

Biografia dallon nga detaji dhe elementët konkretë me të cilët Ikonomi ka ndërtuar figurën e Fan Nolit. Ai ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshin Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare.

“Apostulli” i Ilir Ikonomit do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të njohur Fan Nolin në një dimension tjetër, ndoshta për ta shpërfaqur këtë figurë dhe veprimtarinë e tij me përmasat reale dhe përmes disa të vërtetave që autori i ka të ballafaquara me fakte dhe dëshmi, me dokumente dhe referenca. Noli ka gjithnjë diçka për të na thënë, diçka për të na kumtuar, dhe Ikonomi, me përgjegjësinë e një studiuesi, me elokuencën dhe skrupuloziteti e një gazetari, ka mirësinë që duke na risjellë Fan Noli, të dëshmojë edhe ato të vërteta me të cilat ai u përball për të përmbushur ambicien e tij si një zë dhe zemër shqiptarie. Atje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku lindën vatra të mendimit, ku triumfoi fjala shqipe, ku çështja kombëtare kishte mbledhur zemrat dhe tubuar krejt shqiptarinë. Atje ku atëditë e sot, shqiptarët punojnë e luftojnë, përpiqen dhe sfidojnë, kontribuojnë dhe ngadhënjejnë për flamur e për komb.

Filed Under: LETERSI

AT SHTJEFËN GJEÇOVI NË 75-VJETORIN E THEMELIMIT TË ARKEOLOGJISË SHQIPTARE

November 9, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence
Shtjefën Gjeçovi, hartues i Kanunit të Lekë Dukagjinit | SHKODER INFO MEDIA

Themeluesi i arkeologjisë shqiptare

“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”.   At Shtjefën Gjeçovi

Ditën e mërkurë, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë filloi punimet “Konferenca Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”, organizuar nga Akademia e Shkencave të  Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, njofton Gazeta Telegraf e Tiranës. Çelet Konferenca “Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva” organizuar nga Akademia e Shkencave të  Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës | Gazeta Telegraf

Sipas artikullit të mësipërm, me këtë rast, përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Gjinushi theksoi, sipas gazetës Telegraf, se gjithçka filloi nga viti 1948. Çdo gjë u “institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948…”, ndërkohë që “brenda dy dekadash u kapërcy romantizmi shkencor”,  citon Gazeta Telegraf,  Gjinushi, i cili përmend emrat e disa arkeologëve të kohës komunizmit, pa dyshim për meritat e tyre në fushën e arkeologjisë shqiptare. Më ra në sy se Z. Gjinushi nuk përmendi At Shtjefën Gjeçovin, françeskanin shqiptar i cili konsiderohet nga shumë ekspertë, të brendshëm dhe të jashtëm, si babai i arkeologjisë shqiptare – “I pari arkeolog shqiptar”, e ka cilësuar Gjeçovin At Zef Pllumi në librin e tij Françeskanët e Mëdhej”. At Zef Pllumi shprehet se mund të thuhet se At Gjeçovi, “pa dyshim që kurrnji udhëtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë që nga Veriu deri në Jug ma shumë se ai”. Siç duket Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Z. Gjinushi e konsideron punën dhe veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit si një “romantizëm shkencor” që duhej, jo vetëm të “kapërcehej”, sipas tij, gjatë kësaj konference, por që edhe të zhdukej e të mos përmendej në vazhdimësinë e historisë “shkencore” të komunizmit. Çdo gjë filloi nga ne, nga viti 1948, thotë Gjinushi me shokë – ne jemi fillimi, ne vazhdojmë të jemi!

Por për fat të mirë, gjithçka nuk është e humbur se Z. Gjinushi e pa të arsyeshme të “kapërcente” emrin e At Shtjefën Gjeçovit në konferencën kushtuar 75-vjetorit të themelimit të Arkeologjisë Shqiptare. Sepse sipas përshkrimit tek Gazeta Telegraf në atë konferenncë mori pjesë e përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, Akad. Mehmet Kraja.  Gazeta Telegraf shkruan se Akademiku Kraja shprehu respekt për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë zbuluar se në këtë hapësirë, edhe përkundër furtunave dhe erozioneve të mëdha, toka flet shqip!  Ai foli për arkeologjinë në Kosovë — në trojet dardane — ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë iliro-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e (At Shtjefën) Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologut hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi iliro-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje. Në lidhje me këtë, sipas Telegraf, Akademiku Kraja theksoi kontributin e “At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare”, siç e cilësoi ai. 

“Prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi-theksoi akad.Kraja, sikundër e dini, ka lindur në Janjevë, ku më pas, gjatë kohës që unë mbaj mend, jetonte një komunitet i krishterë katolik. Shtëpia e tij e lindjes gjendet atje edhe sot, vetëm se pushteti jugosllav — ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh — nuk e desh Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as nderimet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjinit”, ka thenë Kryetari i Akademisës ë Shkencave dhe Ar teve të republikës së Kosovës Dr. Mehmet Kraja.

Dr Kraja njoftoi të pranishmit – ndoshta një lajm që ata të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përfshir Z. Gjinushi– nuk donin të dëgjonin me rastin e 75-vjetorit të Arkeologjisë Shqiptare.  “Ju bëjë me dije, ka thënë Kraja se “Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit”.  Kjo është më e pakta që mund të bëjmë në respekt të atij që i pari ndër shqiptarët dëgjoi zërat nga thellësia e tokës sonë që flet, ka citohet (nga Gazeta Telegraf), të ketë thenë Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës.  Uroj që ky njoftim i përmasave kombëtare nga Dr Mehmet Kraja të mos ketë ra në veshë të shurdhë të akademikëve të Tiranës zyrtare. Por që vitin që vjen, me rastin e 150-vjetorit të At Shjtefën Gjeçovit të kujtohet së bashku në Prishtinë dhe në Tiranë “Emëri i këtíj njeriu të rrallë”, siç e ka cilësuar Faik Konica. 

Ka mundësi që Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe enti akademik e shkencor që ai kryeson të kenë zgjedhur që me këtë rast të anashkalojnë emrin e At Shtjefën Gjeçovit – të cilin disa ekspertë dhe akademikë e quajnë themeluesi i Arkeologjisë Shqiptare – vetëm e vetëm se ishte prift katolik. Se emri, puna dhe veprimtaria e At Shjtefën Gjeçovit, në sytë, mendjen dhe në përgatitjen e tyre shekncore marksiste-leniniste, mund të jetë një “romantizëm shkencor” që duhet të “kapërcehet” në minimum ose të zhduket fare nga kujtesa, në maksimum.

E vërtetë se At Shtjefën Gjeçovi – për veçse ka qenë prift katolik dhe arkeolog, ai, sipas Dr Syrja Pupovcit, duhet të shikohet dhe të vlerësohet edhe si, mësues e arsimues , puntëror i kulturës dhe shkencës, për kohën në të cilën ka jetuar. “Shtjefën Gjeçovi i ka dhënë kontribut të rëndësishëm kulturës kombëtare dhe shkencës dhe ka lënë në trashëgimi vepra që do të mbeten edhe në të ardhmen gurrë e pashterrur për studime”, ka shkruar pedagogu dhe akademiku i njohur nga Kosova, Dr. Syrja Pupovci (1937-1998)

Ndërsa një admirues i deklaruar i At Shtjefën Gjeçovit, Faik Konica i madh është shprehur kështu për Gjeçovin:

Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár.  Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípja dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.”

“Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”.

“Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje.  Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”  — Faik Konica –Kujtime mbi At Gjeçovin — Gazeta “Dielli” e organizatës Panshqiptare Vatra, 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)

Frank Shkreli

                91 vjet më parë - shovinistët serbë e vranë Atë Shtjefën Gjeçovin Françeskani At Shtjefën Gjeçovi, “themeluesi i arkeologjisë shqiptare” ishte dhe mbetet pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit shqiptar, të cilat u bënë për ‘të vlera shpirtërore dhe qëndrese deri në frymën e fundit.

Prifti që shpëtoi këmbanën e Skënderbeut. – Bashkimi i Shqiperise

 “Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë…”   

            Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, Akademik Mehmet Kraja duke folur dje në Tiranë me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Arkeologjisë Shqiptare.  

A group of people sitting in chairs

Description automatically generated

Foto nga konferenca dy ditore me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë.

Filed Under: Opinion

Me 9 nëntor 1917 ekzekutohet në Selanik pas një gjyqi fars, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Themistokli Gërmenji

November 9, 2023 by s p

Më 9 nëntor 1917 u vra Themistokli Gërmenji, atdhetari dhe komandanti i çetave kryengritëse çlirimtare shqiptare. Rrethanat e arrestimit, gjyqi dhe ekzekutimi i tij, ishin dhe mbetën një mister. Pavarësisht teorive, të vërtetave të pretenduara, atyre që referohen asaj kohe, vrasja e tij ishte dhe mbeti një njollë e errët padrejtësie. Këtë e vërteton më së miri letra që ai i dërgon të shoqes ku e bën me dije se është i pafajshëm.

Dikush e shiti dhe dikush e bleu kokën e tij. Por ajo që mbeti nga vepra dhe përpjekjet e tij prej atdhetari, as nuk u shitën dhe as nuk u blenë, por mbeten një faqe në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, një dëshmi e pakontestueshme e vlerave dhe atributeve që emri dhe akti i tij prej mëmëdhetari skaliti në kujtesë.

Para pushkatimit Themistokliu shfaqi tri dëshira të padëgjuara ndonjëherë:

1. Te vishem me kostum kombëtar shqiptar.

2. Të mos me lidhni sytë.

3. Komandën për zjarr e jap unë.

Pushkatohet nga një togë franceze pas shpalljes fajtor nga gjyqi ushtarak për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët, më dt. 9 dhjetor 1917. I shkruan të shoqes:

“E dashura ime Evdhoksi,

Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.

Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.

Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.

Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri

Themistokli Gërmenji u lindi në Korçë në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, i biri i Thanasit dhe Katarina. I ati qe themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra në Thrakë. Më 1892 mërgon për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve, dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, Manastir. Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Qe pikë mbledhjeje për rininë shqiptare që shkollohej atëkohë në qytet. Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në hotelin e tij. Në fillim të prillit të vitit 1911, Th. Gërmenji shkoi në Sofje, ku e priti Nikollë Ivanaj.

Gjatë kohëve të Luftës Ballkanike përpiqet me Ismail Kemal bej Vlorën dhe emërohet nënprefekt në Skrapar. Me ardhjen e Princ Vidit është shef policie në Korçë deri që me ardhjen e grekëve shtrëngohet të dalë në Bullgari. Me vrasjen e të vëllasë, Telemakut, do kujdesej për rritjen e të birit, Vasilit. Vjeshtën e vitit 1916 gjendet në Pogradec në lidhni me autoritetet bullgare dhe shërbimin e kundërzbulimit austro-hungarez. I ndërgjegjshëm për synimet bullgare dhe duke parë krahinën e Korçës që përjetonte përleshje mes çetave të Sali Butkës dhe trupave paraushtarake venizeliste, i propozon francezëve për vendosjen e një administrate shqiptare. Më dt. 8 dhjetor 1916 në krye të dy-treqind vetëve hyn në Korçën e spastruar prej grekëve nga prania franceze dhe ndërmerr formimin e një këshilli administrativ dhe u shpall formimi i Republikës Shqiptare të Korçës më 10 dhjetor me bekimin e Henri Deskuen kom. i garnizonit francez në qytet.

Sipas protokollit të 10 dhjetorit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Si u bënë këto biseda, të cilat u përkthyen nga dr. Noke, protokolli u firmos nga të dyja palët. Pastaj, Themistokliu doli në ballkon dhe ngriti flamurin. Ushtria franceze i rrinte për nder flamurit, kurse populli thërriste me gëzim: – Rroftë Shqipëria !

Krahina “autonome” e Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare. Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë e Jugut.

Por gjatë vitit 1917 edhe Qeveria venizeliste ishte forcuar. Ushtria e saj ishte shtuar dhe kishte filluar te peshonte rëndë, prandaj Venizelua kishte filluar të lozte me intrigat e tij kundra Republikës, të cilën e kishte halë në sy dhe e shihte si një pengesë serioze për realizimin e aspiratave të tij mbi Korçën.

Sureteja franceze (sigurimi) administrohej nga vellezëria Galvani. Këta filluan intrigat kundër Themistokliut duke shfrytëzuar mërinë dhe pakënaqësine që kishin kundër tij disa persona me influencë në Korçë. Ky grup i të pakënaqurve kryesohej nga bejlerët e Dishnicës. Këta organizuan disa mbledhje të fshehta, ku edhe u përgatit një peticion kundër Themistokliut, i cili akuzohesh si njeri që mbante marrëveshje të fshehta me kundershtarin. Komploti u përgatit si duhet. Mbasi u muar gjithashtu edhe pëlqimi i gjeneral Sarailit. Në tetor 1917, një mbrëmje, një kamion solli disa oficerë të sigurmit nga Follorina në Korçë, të cilët u drejtuan për në shtepinë e Themistokliut dhe e ftuan këtë për në Selanik, ku gjoja e thirrte gjeneral Saraili. Themistokliu kishte kohë të fshihej dhe të arratisej, e të mos u dorëzohej atyre që kishin ardhur ta arrestonin, por duke e ditur vehten te pafajshëm, e duke patur besim në drejtësinë franceze, u dorëzua dhe u nis bashke me ta për në Selanik. Atje, brenda tri katër ditëve u nxuar para gjyqit ushtarak duke u akuzuar për aktivitetin qa ai kishte zhvilluar në favor të shërbimit informativ austro-bullgar, kur ndodhej në Pogradec, para marrëveshjes me francezët. Themistokliu nuk e mohoi këtë aktivitet. Ai insistoi duke thënë se pas marrëveshjes kish vepruar besnikërisht dhe si një aleat i vërtetë me francezet dhe kërkoi që të mos merrej para sysh veprimtaria e tij para marrëveshjes. Gjykata ushtarake nuk i përfilli justifikimet dhe e deklaroi fajtor për aktivitetin e tij te mëparshëm, duke e dënuar me vdekje. Mbasi dënimi u aprovua nga gjeneral Saraili, i cili ushtronte te drejtën e Presidentit te Republikës Franceze, Themistokliu u pushkatua në Selanik padrejtësisht dhe tradhëtisht. Populli i Korçës dhe veçanërisht shoket e Themistokliut ishin të shqetësuar për fatin e tij. Në mëngjes kur pritnin ndonjë lajm mbi fatin e tij, panë që shëtitnin nëpër rrugët e qytetit patrulla të shumta franceze, te cilat kishin vënë nëpër dritaret mitralozë. Ne orën 9 të asaj ditë, u thirren nga ana e gjeneralit francez, pjestarët e Këshillit Qeveritar. Gjeneral Sali ishte një person i ashpër e gjysmeanormal, mbasi kishte humbur në luftë pesë djem. Pra, me brutalitetin e tij që e karakterizont,e i njoftoi këshillit qeveritar pushkatimin e Themistokli Gërmenjit dhe i kërcënoi ata, se në rast te ndonjë manifestimi, kishin për t’u marrë masa të rrepta. Gjithashtu i porositi që të këshillonin popullin të mbante gjakftohtësinë dhe të qëndronte i urtë. Sigurisht nuk ngjau asgjë.

Rilindasi i shquar Themistokli Gërmenji

Themistokli Gërmenji u ekzekutua në Selanik të Greqisë më 9 Nëntor 1917 me vendim të një gjykate ushtarake franceze. Në atë kohë u miratua “Protokolli i Republikës së Korçës”, i cili pati vetëm një vit jetë, por edhe me kaq pak kohë kjo periudhë do të linte gjurmë të mëdha në jetën e kazasë së Korçës. Me vrasjen e Themistokliut kish ndryshuar edhe qëndrimi politik i Francës. Qe atë ditë u shpall mosekzistenca e Republikës se Korçës. Emri i Republikës u ndërrua në emrin e kazave-qeveritare e Korçës. Këshilli qeveritar u suprimua dhe mori emrin e Këshillit te Parësisë (Conseil del notables). Ky këshill u formua nga persona të tjerë me konservatorë. Kompetencat e këshillit u kufizuan.

Lufta ballkanike dhe “Lufta e Madhe” përfundon në vitin 1918. Më 20 Maj 1920, Parisi vendosi që trupat franceze të lënë kazanë e Korçës deri në 28 maj kur filloi tërheqja e tyre. Republika “autonome” e Korçës, megjithë sukseset që pati, nuk jetoi gjatë. Që kur u krijua, u prit në mënyrë armiqësore dhe të ashpër nga shovinistët grekë dhe qeveria italiane.

Në 24 Maj 1920 u mbajt në fshatin Kapshticë protokolli greko-shqiptar i njohur si protokolli i Kapshticës, i cili në atë kohë siguroi kufijtë e Korçës dhe detyroi të mbante larg forcat shoviniste greke. Po këtë muaj populli dhe qeveria e Korçës u bashkua me atë të Tiranës duke zyrtarizuar kështu bashkimin e Korçës me Shqipërinë.

Me 1998, Republika Franceze vendosi të njohe pafajësinë e Themistokli Germenjit dhe Ambasadori Francez ne Tiranë, Krismant vendosi një tufë me lule mbi varrin e tij në Korçë. Kaq për të kujtuar një aleat të ndershëm, por edhe një nga Shqiptaret e pakte që diti të nxjerre nga turbullirat e luftës botërore dhe nga pretendimet fqinje, të paprekur qytetin e tij. Për Republikën Autonome të Korces ka shkruar me vërtetësi funksionari kolonjar Sejfi Vllamasi.

Referime

(http://sq.xn--ikipedia-s1a.org/ëiki/Krahina…r%C3%A7%C3%ABs) (http://xn--cdaaa.albasoul.com/vjeter/modul…ticle&sid=1286)

(http://xn--cdaaa.peshkupauje.com/comment/223627) .

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Histori

Na mbani ndërmend!

November 9, 2023 by s p

Merita B. McCormack/

Komuniteti Shqiptar në zonën e Washington DC  është sensitiv ndaj çështjeve madhore për kombin tonë , ndaj dhe kësaj here morri pjesë në një aktivitet që përkujtoi  të gjithë viktimat e regjimeve totalitare komuniste organizuar në sallat e  muzuemit  amerikan për viktimat e komunizmit në Washington DC.  

Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra ishte në listën e koalicionit mbështetës  të këtij aktiviteti dhe logoja e Vatrës ishte në ekran përkrah organizatave të tjera amerikane.  Ishte bukur të shihje dy logo të dy organizatave shqiptaro- Amerikanë në kuadrin e gjithë partnerëve. 

Më çdo 7 Nëntor për vite me radhë tashmë, në ditën përkujtimore të viktimave të komunizmit, mbahen në forma të ndryshme aktivitete të larmishme. Sivjet ishte  organizuar një Panair ndërkombëtar kulturor e ushqimor nga vendet që kanë qenë apo janë ende të robëruar nga komunizmi.

Presidenti i Fondacionit Amb. Bremberg foli për të këqiat e të komunizmit, shtypjen e lirisë së individit, për pakicën e ushqimit, uniformitetin dhe keqpërdorimin e burimeve . Ai foli për përpjekjet për të shtuar në menynë komuniste “mencat kolektive” . 

Ambasadori Bremberg foli  edhe për diversitetin e bukurinë e ushqimeve dhe pijeve etnike, për artin kulturën e çdo kombi dhe se si komunizmi mundohet ta uniformizojë, ta njësojë e zhdukë varietietin e shumëllojshmërinë e pasur. Për mbijetesën e për forcën e qenies njerëzore dhe për shpirtin e pathyer njerëzor.

Folës të tjerë theksuan edukimin e brezit të ri me bëmat e komunizmit, rëndësia e së vërtetës historike për çka ndodhi në botë në shekullin e 20-të përmes rregjimeve komuniste dhe se se si makineria ideologjike kontrollonte e shtypte mendimin e lirë.

Aktivitetin  e përshëndeti edhe Senatori i shtetit Texas Z. Ted Cruz. 

Tavolinat me ushqime të shumëllojshme e multietnike ishin dëshmi e mbijetesës dhe qëndresës! 

Natyrisht Vendet e Evropës Lindore  ishin më të përfaqësuarat , por edhe Azia dhe Amerika Latine gjithashtu  ishin prezente.

Disa vende u pëefaqësuan nga ambasadat përkatëse e disa nga orhanizata të

Ndryshme etnike në SHBA. 

Në aktivitet morrën pjesë shumë

njerëz  mes tyre politikanë në

qeverinë federale apo shtetërore amerikane, drejtues organizatash, ish të persekutuar nga komunizmi, por pati edhe vizitorë shqiptaro -amerikanë. 

Mes tyre edhe pianistja Elida Dakolli, Këshilltare e Bordit të Fondacionit.

Gjithashtu edhe disa studjues shqiptarë në DC. 

Amvisat shqiptaro- Amerikane që ishin pjesë e grupit që përfaqësoi  kulturën Shqiptare, përmes dy organizatave,  gatuan ushqime tipike  të cilat konsumoheshin në ato vite kur shqiptarët ishin nën regjimin diktatorial.

Ira Mehani  , pronare e “ Sweet Treats by Irene”  gatoi ëmbëlsira të ndryshme dhe po ashtu Ehsen Zajmi. 

Mes ushqimeve dalloheshin byreku, “Ingranazhet- kulaçat” “ Kurabiet” “Syltiash”  Gruri i ëmbël- Hashure,   bukë misri ,  etc. 

Ushqimet u shijuan e u konsumuan përgjatë pyetjeve plot kureshtje për mëmëdheun tonë. Bledar Mehani dhe ne që ndodheshim aty, u munduam të përfaqësonim sa më mirë kulturën tonë. Në një bisedë me themeluesin e fondacionit mësuam edhe detajet e gjenezës së  kësaj organizate jetike. 

Kryetari I Vatrës Elmi Berisha dhe bashkëpunëtori i tij Dr. Pashko Camaj u interesuan për përfshirjen e Vatrës si bashkëpunëtorë në aktivitet dhe shprehën mbështetje për aktivitetin dhe autorizuan përdorimin e Logos dhe emrit të Vatrës. 

Kryetari i Nderit i Vatrës Z. Agim Rexhaj, që ka vizituar shpesh VOC dhe ka marrë pjesë në aktivitetet  vjetore, u shpreh se përmes të ndjerit Agim Karagjozi, ai  ka mësuar shumë për të këqiat e komunizmit në Shqipëri dhe se e mbështet fuqimisht hapjen e një

Programi për studimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. 

Agustin Mirakaj, në mbështetje të këtij aktiviteti ndau historitë e dhimbshme familjare , tregoi se si babai i tij u burgos kur Agustini ishte foshnje dhe kur e takoi për herën e parë dhe se si ishte jeta në kampet e internimit. 

Çezar Ndreu, një mbështetës i përhershëm i VOC , përmes mundësive të tij  ndihmoi fuqimisht para disa muajsh një webinar kushtuar Shqipërisë dhe shprehu mbështetjen e tij për aktivitetin e 7 Nëntorit .

Ervin Dine, po ashtu i lindur në internim, mbështeti e  përgëzoi pjesëmarrjen e shqiptaro amerikanëve në aktivitet dhe mbetet aktiv në tregimin e të vërtetave historike duke qenë një panelist , së bashku me Frank Shkrelin, Matilda Murakaj dhe dr. Enriketa Pandelejmoni në vebinarin mbi Shqipërinë.

Përfaqësuesit e kulturës shqiptare përgatitën një tavolinë të bollshme ushqimore, dekoruan e me simbolet kombëtare, ndanë literaturë historike me vizitorët dhe shpjeguan kulturën e pasur shqiptare. 

Gjithashtu violinistja e njohur Ehsen Zajmi  ishte veshur me kostumin  popullor kombëtar tiranas.   Një Kostum dardhar  ishte ekspozuar në anë, përballë hartës së Shqipërisë.

Ajo që ra në sy së tepërmi ishte fakti që shumë vizitorë nuk e dinin që Nënë Tereza ishte shqiptare dhe se ata që kishin mësuar për Shqipërinë , e kishin mësuar nga vizitat në vendet fqinje gjatë shekullit të 20.

Tek  del nga muzeu e mundohesh të kërkosh diçka  për historinë e shqiptarëve , e vetmja gjë në shqip është: “Na mbani ndërmend” – kjo thirrje e gjithë atyre heronjve që guxuan ti thonë Jo rregjimit komunist…

I përjetshëm kujtimi i tyre!

Filed Under: Komunitet

DEMOKRISTIANËT E KOSOVËS, FESTOJNË 33 VJETORIN

November 8, 2023 by s p

Morina: PSHDK, u krijua në moment historik, në sherbim të Kosovës!

Agron Prebibaj

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës festoi 33 vjetorin ditëlindjes, si parti pluralistie, që vjen pas LDK e në sherbim të çështjes kosovare nën represonin serb. Qysh kur u themelua PSHDK, nga akademikët e profesorët kosovarë, qellimi ishte më shumë sesa partiak, ishte politik e diplomatik, së pari; për treguar se Kosova ka demokristian dhe identitet kombëtar, së dyti; të ndikoi fort me argumenta para faktorit ndërkombëtar përballë propogandës antishqiptare nga politika serbe, duke provuar se shqiptarët janë në trojet e veta shekullore, së treti; trokiti në dyert e kancelarive euroAtlantike nën petkun demokristian për mbështetjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Aleanca LDK & PSHDK kulmoi me historinë e vet vllazërore, me një qellim ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, asaj kosovare në veçanti.

Prof.Rugova dhe Ak.Mark Krasniqi me stafet e tyre, u shëndrruan në atletët vëndimtarë drejt dyerve të përendimit, por me një barrë të tre fishtë mbi supe; largimin e sistemet komunist, sjelljen e demokracisë dhe largimin e okupatorit serb nga Kosova, ky misioni i mundur me piknisje në Rambuje.

Ndërsa PSHDK në këtë 33 vjetor shënon historinë e vet si pasuri kombëtare në politikëbërjen kosovare.

Në këtë 33 vjetor PSHDK ka nderuar me titullin e mirënjohjes disa pësonalitete që ndihmuan e kontribuan për Kosovën në shtetformim.

Ndërsa kryetari PSHDK z.Zef Morina, pasuesi i denjë Dr.Rugovës e Ak.Mark Krasniqit, dy herë minister i infrastruturës dhe n/kryetari potent i parlamentit të Kosovës, në përshëndetjen e tij të ngrohtë e historike, veçoi: “Partia Shqiptare Demokristiane u themelua në momente historike për ti sherbyer Kosovës, ishim nën okupator, nën diktaturë, nuk kishim liri, ndaj dhe vëndosëm ta nisim betejën brenda e jashtë Kosovës për liri e shtet të pavarur”!

Në tubimin festiv morën pjesë partitë aleate tradicionale, nderoi përsonalisht me mesazhin e tij z.Skender Hyseni, gjithashtu ka përshendetur edhe kryetari I PDK nga Shqipria z.Nard Ndoka dhe plotë të tjerë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT