• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

561 vjet nga “Formula e Pagëzimit”

November 8, 2023 by s p

Bledi Filipi/

Formula e Pagëzimit (1462). Dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot. Është një fjali e shkurtër shqip (Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut. Është një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund ti çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij. Dorëshkrimi latinisht me Formulën e pagëzimit u gjet në Bibliotekën Laurenziana të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij më 1915. ( Mahir Domi, 1975:25)

FORMULA E PAGEZIMIT – dokumenti parë shqip i 8 nëntorit 1462 shkruar nga imzot Pal Engjëlli.

Sot bie 561 vjetori i dokumentit më të hershëm të gjuhës shqipe, “Formulës së Pagëzimit” që ka datën e 8 nëntorit të vitit 1462, shkruar nga kryeipeshkvi i Durrësit imzot Pal Engjëlli.

Më 8 nëntor, kujtojmë datën e shkrimit të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, latinisht, në të cilin gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet, e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462. Pra, sot bie 561 vjetori i dokumentit më të hershëm të gjuhës shqipe.

Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. (Shuteriqi,1976:12)

Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kishat famullitare dhe viset e kryedioqezës së Durrësit.

Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Sakramentit te Pagëzimit.

“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve. Dokumenti më i vjetër që e kemi shqip, pra, i përket kohës së Skënderbeut. Formula e Pagëzimit është një frazë shqip në mesin e një shkrimi latinisht prej 37 faqesh, shkruar nga argjipeshkvi i njohur i Durrësit, imzot Pal Engjëlli (1416-1469).

Photo: vaticannews.va

Filed Under: Interviste

ÇFARË NUK ËSHTË IZRAELI

November 8, 2023 by s p

Nga ALDO CAZZULLO – “Corriere della Sera”, 4 nëndor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Kundërsemitizmi ekziston, rritet, duhet pranuar e luftuar. Është në të majtën skajore e në të djathtën skajore (shumë më e shpeshtë, mjafton të mendohen lakoret e disa stadiumeve). Ekziston edhe në rrjeshtimet pro-Palestinës: nëse nuk është kundërsemitizëm grisja e flamurit të Izraelit, pra mospranimi i të qënit, çfarë është? Megjithatë nuk mund t’i shënojmë me gisht në tërësi si kundërsemitë gjimnazistët dhe universitarët italianë, siç orvatet ndonjëri të bëjë. Do t’ishte e padrejtë e nuk do të ndihmonte njohjen e luftimin e kundërsionizmit, atij të vërtetit.

Mbas shumë prej kritikave Izraelit, përtej mëshirës së sinqertë për civilët e Gazës, është edhe kritika që i bëhet Perëndimit, e në veçanti kolonializmit, historisë së tij, trashëgimisë së tij. Nuk është një qëndrim i ri. Duke urryer Perëndimin, në sheshet e viteve të para 70 të rinjtë e së majtës skajore hymnizonin Pol Potin dhe Maon, ndërkohë që ata masakronin milionë bashkatdhetarë të tyre. Kritika e Perëndimit prej kohësh ishte një klasike e mendimit të së djathtës skajore, e pandjeshme ndaj idesë së demokracisë e barazisë mes njerëzve. Qëndrimi që zotëron sot në universitetet anglosaksone por edhe në shumë gjimnaze dhe universitete italiane, është kritika e trashëgimisë së kolonializmit. Dhe këtu duhet të dallojmë ndërmjet teprive ideologjike – duke filluar nga marrëzia e rrëzimit të statujave të Kristofor Kolombit – dhe rishikimit të pashmangshëm të së shkuarës sonë.

Karli III në Kenia kërkon falje për “prapësitë e  kolonializmit”, Scholz bën të njëjtën gjë me Tanzaninë – e lindur nga bashkimi i Zanzibarit me Tanganikën, koloni gjermane deri në luftën e parë botërore, Macroni në fushatën zgjedhore të 2017 shkoi në Algjeri dhe e përcaktoi kolonializmin si “krim kundër njerëzimit”. Nuk jemi duke folur  për skajorë të qëndrave shoqërore por për mbretin e Anglisë, Kançelarin gjerman, presidentin e Republikës franceze. Në fakt të vdekurit e luftës së Algjerisë numërohen në qindra mijra, ata të kolonializmit belg në Kongo me milionë (ne italianët, dihet, jemi njerëz të mirë: dhjetra mijrat viktima në Libi dhe Etiopi janë krejtësisht të munguar në kujtesën kombëtare, madje i kemi ngritur një mauzole “guvernatorit të Adis-Abebës”, Graziani, që bëri të masakrohen priftërinjtë e krishterë të Debra Libanos).

Sigurisht historia nuk është vetëm llogari e përmortëshme. Sepse, duke arsyetuar kështu duhej kujtuar se anglezët e mbanin Hindinë me ushtri të përbërë më së shumti me ushtarë indianë, dhe ploja e Amritsarit ku më 13 prill 1919, gjenerali Dyer hapi zjarr mbi civilët – “një vurratë shënake e turpëshme” ka thënë kryeministreja konservatore Thereza May – është një pikë uji në detin e gjakut të derdhur nga hindutë dhe myslimanët në ditët e Ndarjes; edhe se kritikët skajorë të kolonializmit do të thoshin se edhe ato ploja ishin pasojë e pushtimeve. Por nëse sot Hindia shpallet si një fuqi e madhe, është edhe në sajë të gjuhës së kolonizatorit, amglishtes, që e bën gjuhë të zakonshme  të nënkontinentit dhe e vë në komunikim me botën globale. Rrahja e mendimeve mund të vazhdonte deri në pafundësi. Ajo që është e rëndësishme sot, për t’u përballuar me të rinjtë tanë e për të përsosur aftësinë e të lexuarit të luftës së Gazës e të çështjes izraelo-palestineze, është për të ritheksuar se historia e Izraelit nuk është një histori kolonializmi. Studentët e  mendojnë Izraelin  si pararojën e Perëndimit, e në një farë drejtimi është: por për fat të mirë me që përfaqëson një ishull demokracie, ku qeveritarët kritikohen lirisht kur gabojnë, siç ndodh sot me Netaniahun. Veçanërisht lindja e Izraelit është mjaft e ndryshme nga kolonializmi. Hebrenjtë arritën në Lindjen e Mesme si refugjatë të shpëtuar nga pogromet e Evropës së Lindjes, të mbijetuar të Shoahut. Fuqia koloniale n’atë çast Anglia, mundohej të pengonte ardhjen e tyre, e jo rastësisht u sulmua nga luftëtarët hebrenj, herë herë me metoda terroriste. Pastaj sigurisht arritën ngulimet e kolonëve në Gaza, që u hoqën, e në Çizjordani , ku me Netaniahun janë nxitur; por kjo është një tjetër histori.

Rishikimi i historisë sonë, diskutimi lirisht, është tregues i kulturës kritike e pjekurisë. Është tipike e demokracive e parimeve të tyre, ndërmjet të tyre lirisë së mësimit. Urrejtja, pasiguria mbi vlerat e saj, është shënjë e dobësisë: sepse liria dhe demokracia nuk mund të eksportohen me armë, kryesisht nëse janë të dhëna si një mbrojtje të një zotërimi ekonomik e ushtarak; por liria dhe demokracia mbeten shumë më të mira se sa shtypja dhe tirania. Po ashtu sikurse intoleranca fetare që frymëzon Hamasin dhe aleatët e tij iranianë, dhe agresivitetin e atyre që janë sot kolonializmi i vërtetë: jo ai perëndimor , por ai kinez e rus. Kina shtyp pakicat tibetane dhe ujgure, blen porte  e toka në Afrikë, n’Azi deri n’Evropë, xhvat konçesione dhe monopole. Rusia ndërhyn në Siri e në Libi, ku është shumë aktive Turqia e Erdoganit, që lakmon të risjellë ndikimin e saj në të gjitha provincat e hershme të perandorisë otomane. Nëse ka sot artileri në afërsi të zonave të krizave, nuk mbajnë vetëm flamurët e Perëndimit.

“Corriere della Sera”, 4 nëndor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Komente

“Hungarissimo 2023” | Java e Kulturës Hungareze mbyllet me një mbrëmje gala magjike në qytetin e Durrësit

November 8, 2023 by s p

Koncerti Grand Gala “Liszt 212 Vjet” në Durrës nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore, por një urë kulturore që lidh Shqipërinë me Hungarinë, kulminacioni i merituar i “Hungarissimo 2023” | Javës Kulturore Hungareze që përfshiu Shqipërinë. Hapësira e shenjtë e teatrit u pushtua nga kompozimet e fuqishme të Franz Liszt, teksa performuesit, me çdo goditje të harkut dhe çdo notë të luajtur, sollën për publikun shqiptar pasionin dhe vrullin e klasikut të madh hungarez.

Teatri “Aleksandër Moisiu” u gjallërua nga jehona e kompozimeve të Franz Liszt, teksa Orkestra Simfonike e RTSH performonte para një publiku të mahnitur. Interpretimet e pianistes së mirënjohur Almira Emiri u pritën me duartrokitje entuziaste, duke mishëruar frymën dhe kompleksitetin e kompozimeve të Liszt. Ndërkohë, udhëheqja mjeshtërore e dirigjentit Oleg Arapi dhe drejtimi artistik i Liman Malokut siguruan një përvojë gjithëpërfshirëse që elektrizoi të pranishmit.

Përzgjedhja e programit të mbrëmjes ishte e kuruar me kujdes dhe solli pjesë që luheshin për herë të parë në vendin tonë. “Rapsodi Hungareze Nr. 2”, me melodinë e saj të njohur, paraqiti një pamje të gjallë të shpirtit hungarez, ndërsa forca orkestrale pas “Les Preludes” pikturoi një peizazh zanor me përmasa epike. Dramaticiteti dhe veçanësia e “Totentanz” ishin gjithaq drithëruese për dëgjuesit. Këto pjesë, të përjetshme në bukurinë dhe kompleksitetin e tyre, jo vetëm u interpretuan, por erdhën me një frymë të re në skenën shqiptare, duke rezonuar me një publik që ishte i etur për një udhëtim muzikor në zemrën e romantizmit hungarez.

Jo vetëm kaq, por bukuria e mbrëmjes u shtua dhe nga një dhuratë e posaçme për teatrin e Durrësit, i cili përgjatë 15-viteve të fundit nuk ka pasur një piano për performuesit e ndryshëm. Nisur nga ky fakt, “Hungarissimo”, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Shqipëri, mundësuan riparimin dhe risjelljen në skenë të një instrumenti funksional, që do u shërbejë jo vetëm pianistëve të afirmuar, por edhe gjithë talenteve të reja durrsake që do të marrin përsipër peshën e performimit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Kujtojmë që “Hungarissimo” e këtij viti ishte veçanërisht domethënëse pasi shënoi gjithashtu 200 vjetorin e poetit kombëtar të Hungarisë Sándor Petőfi. Ndikimi i tij dhe festimi i jetës dhe veprave të tij kanë qenë një fenomen global dhe Java e Kulturës Hungareze në Shqipëri kontribuoi në këtë përkujtim ndërkombëtar.

Seria e ngjarjeve në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Tirana, duke kaluar nëpër Vlorë, Pogradec, Korçë, e më në fund duke kulmuar në Durrës, ishin më shumë se një vitrinë e kulturës hungareze. Ato ishin një dëshmi e fuqisë së shkëmbimit kulturor dhe promovimit të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kombeve. Suksesi i Javës Kulturore Hungareze mund të matet jo vetëm në pjesëmarrjen dhe duartrokitjet, por edhe me ndikimin e qëndrueshëm që ka pasur në nxitjen e dialogut ndërkulturor. Në fakt, eventi u përqafua jo vetëm brenda Shqipërisë, por u celebrua edhe nga miqtë e shumtë hungarezë në Hungari dhe jo vetëm. Entuziazmi dhe vlerësimet e larta nga pjesëmarrësit dhe audienca nënkuptojnë se eventi arriti qëllimin e tij për të festuar dhe thelluar lidhjet kulturore që ndajnë Hungaria dhe Shqipëria. Për këtë arsye, grupi organizator i Festival Academy është thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që na u bashkuan në këtë rrugëtim.

Java e Kulturës Hungareze ka lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u dëshmuar si një histori e pabesueshme suksesi. Gama e gjerë e ngjarjeve, me muzikë, art dhe letërsi, jo vetëm që nderoi trashëgiminë hungareze, por gjithashtu hapi rrugën për bashkëpunime të ardhshme dhe përpjekje kulturore midis dy vendeve. Pashmangshmërisht, kjo festë ka vendosur një standard të lartë për ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Filed Under: Kulture

S’Ka Ndal- Shqipëria, Ruanda e Italisë 

November 8, 2023 by s p

Analizë satirike nga Rafael Floqi

La Stampa: Mes Shëngjinit dhe Gjadrit, ju italianët do shpenzoni miliona, por ne do të humbim bumin e turizmit”

Zonja dhe zotërinj, është koha për të festuar heroin e padëgjuar të migracionit në BE, Kryeministrin e Shqipërisë! Ndërsa liderët e tjerë mund të humbin kohën dhe energjinë e tyre duke u përpjekur t’i pengojnë qytetarët e tyre të emigrojnë në vendet më të pasura të BE-së, Kryeministri ynë i dashur ka marrë një qasje revolucionare. Në vend që të pengojë përparimin, ai e ka përqafuar fluksin e emigrantëve që shkojnë në Itali me krahë hapur. 

Në një botë plot me politikë përçarëse dhe ksenofobi, Kryeministri ynë ka treguar një gatishmëri freskuese për t’i lënë njerëzit e tanë të eksplorojnë botën, ose të paktën një pjesë të vogël të saj, përkatësisht Italinë dhe nga tjetër ata që duan të explorojnë Italianë, le të explorojnë  Shqipërinë. Paçka se turizmin tonë do ta marrë lumi,

Le të marrim një moment për të vlerësuar politikat e zgjuara që e kanë bërë Shqipërinë pikën më të mirë para të nisjes për ëndrrat e emigrantëve për të pirë kapuçino në Romë dhe për të ngrënë pica në Napoli. Është një lëvizje e guximshme për të pranuar se italianët mund t’u mësojnë shqiptarëve një ose dy gjëra për makaronat. Kush ka nevojë për kufijtë gjithsesi?  Shëngjini , no mans land…

Kryeministri ka eksportuar me zgjuarsi barrën e mirëqenies sociale të Shqipërisë në Itali, duke lejuar taksapaguesit italianë të kujdesen për njerëzit e tyre në tokën tonë. Çfarë ka më mirë se të kesh qytetarët punëtorë të Italisë të sponsorizojnë ëndrrat shqiptare të la dolce vita? Kush ka nevojë për prosperitet dhe përparim kur mund të kesh joshjen e ëmbël të emigrimit të pafund në Itali? Grazie, Kryeministër, që na tregoi rrugën drejt madhështisë në mënyrat më të papritura.

Buono per Albania ka qenë një shprehje e para Luftës së Dyte Botërore, me karakter pexhorativ, dhe marrëveshja Meloni – Rama nuk është as më pak e as më shumë, po zhvendosje e problemeve italiane  në territorin shqiptar. 

Një marrëveshje për të pritur në Shëngjin emigrantë nga vendet e treta më shumë se për mungesën e transparencës ngre pyetje për procesin që na solli në situatën ku e pa imagjinueshmja bëhet e pashmangshme. A ka pasur një proces për këtë marrëveshje?

Është e rëndësishme të theksohet se transparenca dhe informacioni publik janë thelbësore për një proces të tillë. Është e zakonshme që marrëveshje të tilla të kërkojnë një gradë të caktuar konfidencialiteti, por një debat dhe transparencë e qartë duhet të jenë përbërës thelbësorë të një procesi demokratik dhe të mirëqeverisjes. Për këtë arsye, është e rëndësishme që opozita dhe opinioni publik të jenë të informuar më shumë rreth përmbajtjes dhe pasojave të kësaj marrëveshjeje.

Çfarë interesi ka Shqipëria në këtë marrëveshje është një pyetje e rëndësishme që duhet të shqyrtohet në mënyrë të hollësishme. Shqipëria mund të ketë interesa strategjike, ekonomike ose politike që lidhen me këtë marrëveshje, por duhet të ekzaminohen më thellë për të kuptuar se çfarë është në lojë. Kjo është një pyetje që mund të jetë objekt i debatit dhe analizës së mëtejshme.

Asnjë vend në kontinent nuk pranonte muxhahedinët, dhe me një turr si ai atleti që ka para vijën e finishit, i morëm të gjithë. Ja pamë sherrin në një mënyrë të pa imagjinueshme. Fatura për dëmin e krijuar për shkak të aktivitetit të tyre dhe përplasjes me Iranin është e pallogaritshme. Shteti digjital i ndërtuar me aq shumë mund e miliona përfundoi në xhepin e gardistëve iranianë.

Edhe për refugjatet afgane nxituam për të qenë të vetmit që i marrim të gjithë. Për fat ky operacion ka dalë më pozitiv, por nuk mund të quhet “mision i përfunduar”. U tha që do të jenë përkohësisht dhe një pjesë janë sot e kësaj dite dhe mund të qëndrojnë gjithë jetën. Asnjë problem, por… 

Pse ky ngut për të marrë një barrë që mund të mos na e mbajnë gjunjët?

Solo per un Baccio, Meloni t’i do la spiaggia. Boungiorno Italia bongiorno Giorgia …   

Shqipëria nuk është se shkëlqen në menaxhimin e flukseve migratore. Kapaciteti maksimal që mund të përballojmë është 450 shtretër. Shqipëria nuk është ende një shtet që sundon ligji dhe kapacitetet institucionale në rastin më të mirë lenë për të dëshiruar.

Më shumë se çështje kapacitetesh dhe evokimin e besës dhe mikpritjes tradicionale të shqiptari ne kemi një tjetër PPP -(problemin e protagonizmit personal) të Kryeministrit. Per un baccio …

Ajo që është e qartë këto 10 vite është se Kryeministri ngatërron ose mbivendos miqësitë personale me interesin shtetëror. Mjaft të kujtojmë mbivendosjen e interesit të vendit/kombit me miqësitë personale me Vuçiç, Erdogan dhe së fundmi me Melonin.

Pse Kryeministri merr vendime të tilla jo popullore dhe me kosto politike?

Në kushtet e shkatërrimit të opozitës, topitjes së medias me biseda hajgare nga mëngjesi në darkë dhe mpirjes se opinionit publik.

Nëse do të ketë protesta për këtë marrëveshje ato i presim nga Italia. “Bongiorno Italia , Bon Giorno Giorgia me occhi pieni di malinconia” 

Dhe duket se fundi politik i Kryeministrit nuk do të vijë nga përballja me opozitën, por nga tekat e tij personale si rasti i kthimit të Shëngjinit në parkim për emigrante nga Afrika dhe Azia!

Deri tani dimë që haleja do të mbajë flamurin italian; kapanonet do t’i ndërtojë Italia; dimë që do ketë vetëm burra që do të bëjnë shurrën në këmbë, të ndarë nga gratë dhe fëmijët më keq se në vitet e  Holokaustit ashtu sikurse ka rrezik që sapunërat, letrat dhe ujin ta paguajmë vetë. Apo do t’i futin në tunelet e Gjadrit. “ O sole mio!

Ngado që ta shikosh këtë marrëveshje, është e cenueshme.

Eshtë jo vetëm e paligjshme, por dhe kriminale t’i ndash burrat nga gratë dhe fëmijët në këtë mënyrë. 

Si ekspert i së drejtës ndërkombëtare, kjo marrëveshje është në kundërshtim me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.  Për disa juristë, dhënia madje e ekstra-territorialitetit mund të shkojë deri në tradhti kombëtare, që mund të dënohet dhe me burg. 

Për një ekspert të sigurisë kjo është një minë me sahat që nuk cenon thjesht turizmin te Mrrizi i Zanave.  Ndaj, automatikisht bie dhe teoria “Zero probleme me fqinjët” – sidomos për Greqinë si vend kufitar i BE-së.  Marëveshja e nënshkruar nga dy kryeministrat, ai shqiptar dhe ajo italiane, për të pritur në Shëngjin dhe në ish aeroportin e Gjadrit refugjatët që nuk do ti pranojë Italia, e zbret vendin tonë në kategorinë e një republike bananesh. Pavarësisht se gjatë konferencës së nënshkrimit të protokollit, Edi Rama foli për borxhet që i kemi Italisë dhe detyrimit që na lind nga aspirata për të aderuar në BE, të gjitha këto janë argumenta të dobët për të fshehur një të vërtetë të madhe. Po dhurohen territore shqiptare, për nderet personale të një kryeministri që nuk jep më llogari askund.

Faktet e tregojnë hapur se kjo është një “qokë” për Georgia Melonin. Shefja e ekzekutivit të gadishullit Apenin, që erdhi në pushtet me kartën anti emigracion, po dështonte në sy të publikut të saj përballë flukseve të pandalshme që zbarkonin në Lampeduza. Jo rrallë herë, vetë Meloni është shfaqur në media për të dhënë alarmin se valët emigrantëve të këtij viti janë të pa përballueshme dhe se Italia është e paaftë ti presë ato. 

Më pas ajo shtyu dhe shpresoi shumë në një marrëveshje mes BE dhe Tunizisë, që do ti jepte këtij shteti të Afrikës veriore, 127 milionë euro në këmbim të frenimit valëve me refugjatë. Kur edhe ky propozim nuk u pranua nga Tunizi, pozicioni i qeverisë së ekstremit të djathtë italian u përkeqësua. Meloni e vuri këtë shtator theksin e fjalimit të saj në OKB, te lufta ndaj trafiqeve klandestine dhe mendohet se nga ky moment ka filluar të hedhë sytë nga Shqipëria. 

Ai që njihet si “modeli ruandez”, i pranuar nga diktatori i fisit tuci, Kagame, u mendua fillimisht nga Meloni të zbatohej në ndonjë vend afrikan. Deri sa në lojë do jetë shfaqur Edi Rama, i cili pa pikë turpi deklaronte dy vite me parë se vendet e pasura nuk do ngrinin kurrë këtu, kampe refugjatësh. Gazeta konservatore britanike Telegraph njoftonte se gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Granada, në 5 tetor, u zhvillua një sesion i paparashikuar i kryesuar nga kryeministri britanik Shunak dhe Meloni. Aty merrte pjesë dhe Edi Rama. Telegraf e quajti atë si mbledhjen më të frytshme të samitit pasi aty i’u hap rrugë modelit Ruanda. Pra Shqipëria pranoi të sillet si një vend i Afrikës dhe kryeministri ynë si Pol Kagame.

“Këtu në Itali ka një problem që kanë gjetur dy argumente, që për Shqipërinë është tmerr; kjo është “politikë deterrence”, që ti të kesh frikë, shkruan Fatos Lubonja. Shqipëria po përdoret si deterrencë. Këta emigrantë që do të marrin anijen, do të mendohen dy herë, dhe s’do të duan të vinë, se e dinë se s’do të shkojnë në Itali. Përdoret Shqipëria për t’i trembur emigrantët.

Thonë se e ka bërë Rama se e i ka premtuar Meloni që ta ndihmoj që të hyjë në BE. Por këtë se ka Meloni në dorë. Ky njeri ka një problem (Rama), kërkon që të legjitimohet. Ai ka bërë mbi të gjitha politika që të ketë legjitimitet nga ndërkombëtarët.” Ndaj, në këtë situatë nuk ka pikë rëndësie pse po e bën Rama këtë, çfarë do të mbulojë apo çfarë të zbulojë! 

Ka reagim në Itali, La Republica shkuante, Nëse e djathta duartroket marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, lind kundërshtimi. “Marrëveshja që ka arritur qeveria Meloni me qeverinë shqiptare duket të jetë një rrëmujë e rrezikshme, shumë e paqartë. Në fakt, nëse jemi, siç duket, përballë azilkërkuesve, duket absolutisht e paimagjinueshme ta kryejmë këtë detyrë me italianët. personelit dhe pa shpenzime burimesh, siç është paralajmëruar, procedurat për verifikimin e kërkesave për azil”, sulmon Pier Francesco Majorino, kreu i Politikave të Migracionit të Sekretariatit Kombëtar të Partisë Demokratike. “Po krijohet praktikisht një lloj Guantanamo italiane, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, jashtë BE-së pa pasur mundësinë e kontrollit të gjendjes së ndalimit të personave të mbyllur në këto qendra”, proteston Riccardo Magi, sekretari i More Europe. Dhe Angelo Bonelli i Alleanza Verdi e Sinistra shton: Ajo që qeveria e ka përcaktuar si një “memorandum shumë të rëndësishëm mirëkuptimi” nuk është gjë tjetër veçse një politikë shtytjeje e maskuar si bashkëpunim ndërkombëtar. Qeveria italiane – vazhdon ai – po delegon menaxhimin. të migrantëve të parregullt, duke i transferuar në mënyrë efektive përgjegjësitë e tyre, me rrezikun e krijimit të kampeve të paraburgimit të cilat mund të mos sigurojnë standarde të përshtatshme të pritjes dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”.

Për ty si shqiptar ka vetëm një pyetje që do urgjent përgjigje: A do pranosh të jesh një Guantanamo Italiane dhe ndoshta nesër, dhe më keq?!  Një hale, un bagno, buona per Albania.

Filed Under: Ekonomi

Poetesha  bashkëkohore arbëreshe Giuseppina  Demetra Schirò  

November 8, 2023 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi kërkimet e studimet e gjuhës dhe kulturës arbëreshe themeluar nga A. Bellusci 1980\ Frascineto\Cs. Itali

Giuseppina Schirò, lindi në Piana degli Albanesi\Hora shqiptare themeluar në 30 gusht 1488 nga shqiptarët e Ballkanit shqipfolës rreth shekujve XIV. U lind dhe u rrit në një familje arbëreshe dhe si e tillë u ushqye me ndjenjën e krenarisë që i përket këtij komuniteti të lavdishme si për historikun e tij, ashtu edhe në ruajtjen e gjuhës amëtare më tepër se 550 vjetësh karakteristika bazë për ruajtjen e identitetit. 

Arbëreshët e Horës, për më tepër se 300  vjet nuk lejuan që asnjë etni apo popullsi tjetër të hynte në territorin e tyre, me përjashtim të ditëve të para të shtatorit kur bëhej kremtimi për nder të festave të Virgjëreshës së shën Mërisëk këtë fakt na e konfirmon akti notaril i 30 gusht 1488 ku rradhiten 16 kapituj\marrëveshje. Në akt thuhej  edhe që Zyrat publike sipas marrëveshjeve të firmosur duhej të zinin vetëm qytetarët shqiptarë të ritit grek bizantin. Ky privilegj, i njohur vetëm për arbëreshët e Piana degli Albanesi, mbeti në fuqi deri në vitin 1819. 

Në Piana degli albanesi\ Hora arbëreshe u hap edhe shkolla e parë arbëreshe nga Lekë Matrënga më 1587.  Marrveshjet e vitit 1488 lejuan mërgimtarët të mbronin traditat e tyre etno-gjuhësore dhe mbi të gjitha fetare. Hora Arbërshe njihet për figura të shquara që dhanë dhe japin një kontributë të madh botës arbëreshe si: Lekë Matrënga, Giorgio Guzzetta, Marco La Piana, Nilo Borgia Tommaso Manzone, Papas Sepa Petta ,Lorenzo Petta, Antonio Brancato, Giuseppe Musacchia, Paolo Schirò, Nikola Barbato,Giorgio Costantini,Papas Demetrio Camarda, Zef Kamarda, Gaetano Petrotta, Sotir Ferrara, Giuseppe Bennici, Carlo Dolce, Rosolino Petrotta, Zef Skiroi, Gjergj Nikollë Brankati, Giuseppe Schirò Di Maggio, Prof Matteo Mandalà  etje 

Midis këtyre figurave spikasin edhe poeteshat arbëreshe Cristin Gentile(Mandalà) 1856-1919, e parë poeteshë arbëreshe në Sicili,  argherita Scilippa, Paola Guzzetta, Giuseppina Schirò  etje.   

Giuseppina\ Giusi Schirò.Studimet e para i mori  në Sicili, gjimnazin e kreu në Palermo, ndërsa studimet universitare i përfundoi në degën gjuhë letërsi pranë Universitetit të Palermos. 

Giusi është pjesë e komunitetit arbëreshë të ritit bizantin. Ajo është njohëse shumë e mirë e kostumit arbëresh,frekuentuese e seminareve në gjuhën shqipe në Kosovë,autore e shumë artikujve shkruar në revistën “ Biblos”, aktiviste e botës arbëreshe në Hora.

Giuseppina Schirò, sot është punonjëse e bibliotekës, përgjegjëse e asaj pjese e departamentit  të autorëve të gjuhës arbëreshe-shqipe në Piana degli Albanesi\ Hora arbëreshe .

Libri i saj me poezi titullohet “Te dejti i Zemrës”, botuar në 2019.  

Shumë autor botëror shkruan për detin; Ernest Hemingway –  në valët e tij do të na çonte në Karaibe “Plaku dhe deti”, Melville, do të na dhuronte  emocionet e Moby Dick,

Alessandro Baricco në Oceano, në kërkim të shpëtimit të vetvetes,ndërsa poetja Giuseppina Demetra Schirò do të na përcjellë te Dejti i Zemrës, me valë sa antike aq edhe moderne,  gërshetat e së cilës na përcjellin në Peleponez, lundrojmë me  Odesenë drejt Itakës, biem në kthetrat magjepse të Ligheas, ndalojmë në Sicili, mbathim mantelin nobël të Gatobardit, e me fije të arta në Hora arbëreshe qendis kostumin e Afërditës. 

I interiorizon këto valë, krijon me ta  një amplitudë sa mitologjike  aq edhe aktuale, e na përcjellë  terthorazi tek Dea e Boticelljane, e cila nuk është  thjesht një Afroditë e bukur që krijohet nga shkuma e detit me degët korali që si diademë i qëndrojnë mbi kokë si perëndi e Olimpit. Ajo është  disi më tepër, është simbol  paqe e prosperitet e umanitetit, është pjesë illuminizmi ku harmonia e natyrës, mbërthehet me dridhjet shpirtit  në kërkim të shpëtimit të vetvetes, ku “dejti” bëhet një metaforë ekzistenciale në sintoni me bukurinë universale.  

Ky det në zemrën e saj janë valë dhe herë herë dallgë pa zhurmë. E magjepsur nga “Lighea”,  lokalzon Ade-n e lundron jo si një Karonte por një “Sirenë- arbëreshë” veshur me kostumin plot. Herë herë na mbështjellë në tingullin e Symendronit  me mantelin e të premtes së zezë. 

Nuk ndalon në pllajën  e Pezzutës, nuk kufizohet në tokën e Portellës, po  na çon te “Kafeja e rrugës “Po”, ku djelli zhurit e martirë josh.     

Në poezinë e Giusit stuhitë kanë festë, Posejdoni me tredhëmbëshin pulson pasion, ndërsa “Gatopardi” elegant e fatal, njeri i botës së vjetër, i detyruar të jetojë në të renë, fiton vedijen në detin e paepur. 

Sicilia, në vargjet e Giusit paraqitet një grua qerpikë me onde, e mërthyer në meridjanët e tre kontinenteve,  spërkat dritë e profum, por sa sublime aq edhe poetike.  

Për Giusin kufijët tejkalojnë atë pjesë ujdhesë joniane mbushur me amfora e  psherëtima elegji, besnik i hijes së Argos, dizenjon mozaik e forma gjeometrike, copëza që bashkojnë në shkuarën, themele që kërkojnë rrënjët,  meteorë që lidhin të ardhmen, kafshojnë kontraste dhe disonante, por gjithmonë e gjen veten në ekuilibër midis qenies së saj njerëzore dhe dëshirës për të evokuar hyjnoren.

Introspektive, evokon me ëndërrat vertikal, zhytet horizontal “te dejti i zemrës së saj” dhe nën buzët perpendikolare të qiellit kërkon të ndjej deri ku arrijnë ëndërrat. 

Vargu i saj, i butë “alkimi shkume”,  tretur në“erën e algave”,metamorfozuar “në kollona shpirti të rralla” ngyer në kaltërsinë e valve brënda vetës, pa gurgullima klithmash, pa psherëtima ngjirjesh, pa dritë të ngopura galvanizohet në stilin e saj “labor limae” ku ndihen studimet e saj të klasikëve Catulo,Orazio etje

Giusi në poezinë e saj përdor një pend rrëshqitëse nën puhizën e Zefirit. Nuk  vendos sistemin e pikësimit në vargjet e sa, “serfon” si delfin, dhe herë përpëlitet si një  mbytur, por mjaftohet të mbahet tek “shkronja e madhe”  sa herë  kapërcen njërën  valë tek  tjetëra, për ti dhënë jetë vargut të saj në det të hapur.

Elementet mitologjik në poezitë e saj janë vetëm një pikënisje, harmonike, dhe kanë vetëm vlerën e një kornize. Ata nuk janë një seri inerte legjendash konvencionale, por një trashëgimi modelesh  shembujsh pas të cilave mund të zbulohet e vërteta e poezisë, forca e esencës së saj mbi qënien njerëzor.

​ 

Poezitë janë në dy gjuhë, italisht dhe arbërisht, në të njëjtën kohë spjegimet janë në gjuhën standarte. Tokfjalëshat arbërshe si ; “Kënetave të murrta, “stërpikën dejtin”,” Narënxat harlisjen”, menatë\ Agimi, Rrashti\ Kafka, Lurin\Ulurin,  kriptë\flokët, etje  japin bukuri stilistike e hijeshimnë vargut në gjuhën arbëreshe.  

Bukurinë tingëlluese e shtojnë  edhe forma karakteristike në të folmen e arbëreshëve të Sicilisë që i gjejmë si në trajtat më antike: klarash\të qarash, apo në mungesa e zanores Y si tek fjala  zhitje\zhytje etje

Kultura bizantine, liturgjia kanë lënë gjurmë  në poezinë e Giust, gjë të cilin e shohim në përdorimin e alfabetit grek antik, në tituj  greqisht, apo në ndonjë shprehje  të cilën e përdor si sintezë. Kultura bizantine arbëreshe e shohim në simbolin e kopertinës; një rozario, pesull, në  thhellësinë e heshtje mes dallgëve blu, si një sperancë për humanitetin ku shpirti profan e besimtar, arbitër të lirë, por ordinar të një ekuilibri kozmik sa i kuq dhe i art. 

Giusi përfundon vëllimin me fjalët: 

Unë thesh time, tani thoni ju tuajën 

Kush më bukur se Baudelair te Njeriu dhe Deti do të thoshte të tijën:  

Ti, njeriu i lirë, do ta duash gjithmonë detin!

Deti është pasqyra juaj: ju sodisni shpirtin tuaj

në lëvizjen e pafundme të valës

Dhe shpirti juaj nuk është më pak humnerë e hidhur.

Sukusese të mëtejshme poetesha Giuseppina Demetra Schirò në krijimtarinë tuaj!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT