Analizë satirike nga Rafael Floqi
La Stampa: Mes Shëngjinit dhe Gjadrit, ju italianët do shpenzoni miliona, por ne do të humbim bumin e turizmit”
Zonja dhe zotërinj, është koha për të festuar heroin e padëgjuar të migracionit në BE, Kryeministrin e Shqipërisë! Ndërsa liderët e tjerë mund të humbin kohën dhe energjinë e tyre duke u përpjekur t’i pengojnë qytetarët e tyre të emigrojnë në vendet më të pasura të BE-së, Kryeministri ynë i dashur ka marrë një qasje revolucionare. Në vend që të pengojë përparimin, ai e ka përqafuar fluksin e emigrantëve që shkojnë në Itali me krahë hapur.
Në një botë plot me politikë përçarëse dhe ksenofobi, Kryeministri ynë ka treguar një gatishmëri freskuese për t’i lënë njerëzit e tanë të eksplorojnë botën, ose të paktën një pjesë të vogël të saj, përkatësisht Italinë dhe nga tjetër ata që duan të explorojnë Italianë, le të explorojnë Shqipërinë. Paçka se turizmin tonë do ta marrë lumi,
Le të marrim një moment për të vlerësuar politikat e zgjuara që e kanë bërë Shqipërinë pikën më të mirë para të nisjes për ëndrrat e emigrantëve për të pirë kapuçino në Romë dhe për të ngrënë pica në Napoli. Është një lëvizje e guximshme për të pranuar se italianët mund t’u mësojnë shqiptarëve një ose dy gjëra për makaronat. Kush ka nevojë për kufijtë gjithsesi? Shëngjini , no mans land…
Kryeministri ka eksportuar me zgjuarsi barrën e mirëqenies sociale të Shqipërisë në Itali, duke lejuar taksapaguesit italianë të kujdesen për njerëzit e tyre në tokën tonë. Çfarë ka më mirë se të kesh qytetarët punëtorë të Italisë të sponsorizojnë ëndrrat shqiptare të la dolce vita? Kush ka nevojë për prosperitet dhe përparim kur mund të kesh joshjen e ëmbël të emigrimit të pafund në Itali? Grazie, Kryeministër, që na tregoi rrugën drejt madhështisë në mënyrat më të papritura.
Buono per Albania ka qenë një shprehje e para Luftës së Dyte Botërore, me karakter pexhorativ, dhe marrëveshja Meloni – Rama nuk është as më pak e as më shumë, po zhvendosje e problemeve italiane në territorin shqiptar.
Një marrëveshje për të pritur në Shëngjin emigrantë nga vendet e treta më shumë se për mungesën e transparencës ngre pyetje për procesin që na solli në situatën ku e pa imagjinueshmja bëhet e pashmangshme. A ka pasur një proces për këtë marrëveshje?
Është e rëndësishme të theksohet se transparenca dhe informacioni publik janë thelbësore për një proces të tillë. Është e zakonshme që marrëveshje të tilla të kërkojnë një gradë të caktuar konfidencialiteti, por një debat dhe transparencë e qartë duhet të jenë përbërës thelbësorë të një procesi demokratik dhe të mirëqeverisjes. Për këtë arsye, është e rëndësishme që opozita dhe opinioni publik të jenë të informuar më shumë rreth përmbajtjes dhe pasojave të kësaj marrëveshjeje.
Çfarë interesi ka Shqipëria në këtë marrëveshje është një pyetje e rëndësishme që duhet të shqyrtohet në mënyrë të hollësishme. Shqipëria mund të ketë interesa strategjike, ekonomike ose politike që lidhen me këtë marrëveshje, por duhet të ekzaminohen më thellë për të kuptuar se çfarë është në lojë. Kjo është një pyetje që mund të jetë objekt i debatit dhe analizës së mëtejshme.
Asnjë vend në kontinent nuk pranonte muxhahedinët, dhe me një turr si ai atleti që ka para vijën e finishit, i morëm të gjithë. Ja pamë sherrin në një mënyrë të pa imagjinueshme. Fatura për dëmin e krijuar për shkak të aktivitetit të tyre dhe përplasjes me Iranin është e pallogaritshme. Shteti digjital i ndërtuar me aq shumë mund e miliona përfundoi në xhepin e gardistëve iranianë.
Edhe për refugjatet afgane nxituam për të qenë të vetmit që i marrim të gjithë. Për fat ky operacion ka dalë më pozitiv, por nuk mund të quhet “mision i përfunduar”. U tha që do të jenë përkohësisht dhe një pjesë janë sot e kësaj dite dhe mund të qëndrojnë gjithë jetën. Asnjë problem, por…
Pse ky ngut për të marrë një barrë që mund të mos na e mbajnë gjunjët?
Solo per un Baccio, Meloni t’i do la spiaggia. Boungiorno Italia bongiorno Giorgia …
Shqipëria nuk është se shkëlqen në menaxhimin e flukseve migratore. Kapaciteti maksimal që mund të përballojmë është 450 shtretër. Shqipëria nuk është ende një shtet që sundon ligji dhe kapacitetet institucionale në rastin më të mirë lenë për të dëshiruar.
Më shumë se çështje kapacitetesh dhe evokimin e besës dhe mikpritjes tradicionale të shqiptari ne kemi një tjetër PPP -(problemin e protagonizmit personal) të Kryeministrit. Per un baccio …
Ajo që është e qartë këto 10 vite është se Kryeministri ngatërron ose mbivendos miqësitë personale me interesin shtetëror. Mjaft të kujtojmë mbivendosjen e interesit të vendit/kombit me miqësitë personale me Vuçiç, Erdogan dhe së fundmi me Melonin.
Pse Kryeministri merr vendime të tilla jo popullore dhe me kosto politike?
Në kushtet e shkatërrimit të opozitës, topitjes së medias me biseda hajgare nga mëngjesi në darkë dhe mpirjes se opinionit publik.
Nëse do të ketë protesta për këtë marrëveshje ato i presim nga Italia. “Bongiorno Italia , Bon Giorno Giorgia me occhi pieni di malinconia”
Dhe duket se fundi politik i Kryeministrit nuk do të vijë nga përballja me opozitën, por nga tekat e tij personale si rasti i kthimit të Shëngjinit në parkim për emigrante nga Afrika dhe Azia!
Deri tani dimë që haleja do të mbajë flamurin italian; kapanonet do t’i ndërtojë Italia; dimë që do ketë vetëm burra që do të bëjnë shurrën në këmbë, të ndarë nga gratë dhe fëmijët më keq se në vitet e Holokaustit ashtu sikurse ka rrezik që sapunërat, letrat dhe ujin ta paguajmë vetë. Apo do t’i futin në tunelet e Gjadrit. “ O sole mio!
Ngado që ta shikosh këtë marrëveshje, është e cenueshme.
Eshtë jo vetëm e paligjshme, por dhe kriminale t’i ndash burrat nga gratë dhe fëmijët në këtë mënyrë.
Si ekspert i së drejtës ndërkombëtare, kjo marrëveshje është në kundërshtim me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Për disa juristë, dhënia madje e ekstra-territorialitetit mund të shkojë deri në tradhti kombëtare, që mund të dënohet dhe me burg.
Për një ekspert të sigurisë kjo është një minë me sahat që nuk cenon thjesht turizmin te Mrrizi i Zanave. Ndaj, automatikisht bie dhe teoria “Zero probleme me fqinjët” – sidomos për Greqinë si vend kufitar i BE-së. Marëveshja e nënshkruar nga dy kryeministrat, ai shqiptar dhe ajo italiane, për të pritur në Shëngjin dhe në ish aeroportin e Gjadrit refugjatët që nuk do ti pranojë Italia, e zbret vendin tonë në kategorinë e një republike bananesh. Pavarësisht se gjatë konferencës së nënshkrimit të protokollit, Edi Rama foli për borxhet që i kemi Italisë dhe detyrimit që na lind nga aspirata për të aderuar në BE, të gjitha këto janë argumenta të dobët për të fshehur një të vërtetë të madhe. Po dhurohen territore shqiptare, për nderet personale të një kryeministri që nuk jep më llogari askund.
Faktet e tregojnë hapur se kjo është një “qokë” për Georgia Melonin. Shefja e ekzekutivit të gadishullit Apenin, që erdhi në pushtet me kartën anti emigracion, po dështonte në sy të publikut të saj përballë flukseve të pandalshme që zbarkonin në Lampeduza. Jo rrallë herë, vetë Meloni është shfaqur në media për të dhënë alarmin se valët emigrantëve të këtij viti janë të pa përballueshme dhe se Italia është e paaftë ti presë ato.
Më pas ajo shtyu dhe shpresoi shumë në një marrëveshje mes BE dhe Tunizisë, që do ti jepte këtij shteti të Afrikës veriore, 127 milionë euro në këmbim të frenimit valëve me refugjatë. Kur edhe ky propozim nuk u pranua nga Tunizi, pozicioni i qeverisë së ekstremit të djathtë italian u përkeqësua. Meloni e vuri këtë shtator theksin e fjalimit të saj në OKB, te lufta ndaj trafiqeve klandestine dhe mendohet se nga ky moment ka filluar të hedhë sytë nga Shqipëria.
Ai që njihet si “modeli ruandez”, i pranuar nga diktatori i fisit tuci, Kagame, u mendua fillimisht nga Meloni të zbatohej në ndonjë vend afrikan. Deri sa në lojë do jetë shfaqur Edi Rama, i cili pa pikë turpi deklaronte dy vite me parë se vendet e pasura nuk do ngrinin kurrë këtu, kampe refugjatësh. Gazeta konservatore britanike Telegraph njoftonte se gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Granada, në 5 tetor, u zhvillua një sesion i paparashikuar i kryesuar nga kryeministri britanik Shunak dhe Meloni. Aty merrte pjesë dhe Edi Rama. Telegraf e quajti atë si mbledhjen më të frytshme të samitit pasi aty i’u hap rrugë modelit Ruanda. Pra Shqipëria pranoi të sillet si një vend i Afrikës dhe kryeministri ynë si Pol Kagame.
“Këtu në Itali ka një problem që kanë gjetur dy argumente, që për Shqipërinë është tmerr; kjo është “politikë deterrence”, që ti të kesh frikë, shkruan Fatos Lubonja. Shqipëria po përdoret si deterrencë. Këta emigrantë që do të marrin anijen, do të mendohen dy herë, dhe s’do të duan të vinë, se e dinë se s’do të shkojnë në Itali. Përdoret Shqipëria për t’i trembur emigrantët.
Thonë se e ka bërë Rama se e i ka premtuar Meloni që ta ndihmoj që të hyjë në BE. Por këtë se ka Meloni në dorë. Ky njeri ka një problem (Rama), kërkon që të legjitimohet. Ai ka bërë mbi të gjitha politika që të ketë legjitimitet nga ndërkombëtarët.” Ndaj, në këtë situatë nuk ka pikë rëndësie pse po e bën Rama këtë, çfarë do të mbulojë apo çfarë të zbulojë!
Ka reagim në Itali, La Republica shkuante, Nëse e djathta duartroket marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, lind kundërshtimi. “Marrëveshja që ka arritur qeveria Meloni me qeverinë shqiptare duket të jetë një rrëmujë e rrezikshme, shumë e paqartë. Në fakt, nëse jemi, siç duket, përballë azilkërkuesve, duket absolutisht e paimagjinueshme ta kryejmë këtë detyrë me italianët. personelit dhe pa shpenzime burimesh, siç është paralajmëruar, procedurat për verifikimin e kërkesave për azil”, sulmon Pier Francesco Majorino, kreu i Politikave të Migracionit të Sekretariatit Kombëtar të Partisë Demokratike. “Po krijohet praktikisht një lloj Guantanamo italiane, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, jashtë BE-së pa pasur mundësinë e kontrollit të gjendjes së ndalimit të personave të mbyllur në këto qendra”, proteston Riccardo Magi, sekretari i More Europe. Dhe Angelo Bonelli i Alleanza Verdi e Sinistra shton: Ajo që qeveria e ka përcaktuar si një “memorandum shumë të rëndësishëm mirëkuptimi” nuk është gjë tjetër veçse një politikë shtytjeje e maskuar si bashkëpunim ndërkombëtar. Qeveria italiane – vazhdon ai – po delegon menaxhimin. të migrantëve të parregullt, duke i transferuar në mënyrë efektive përgjegjësitë e tyre, me rrezikun e krijimit të kampeve të paraburgimit të cilat mund të mos sigurojnë standarde të përshtatshme të pritjes dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”.
Për ty si shqiptar ka vetëm një pyetje që do urgjent përgjigje: A do pranosh të jesh një Guantanamo Italiane dhe ndoshta nesër, dhe më keq?! Një hale, un bagno, buona per Albania.