Bledi Filipi/
Formula e Pagëzimit (1462). Dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot. Është një fjali e shkurtër shqip (Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut. Është një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund ti çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij. Dorëshkrimi latinisht me Formulën e pagëzimit u gjet në Bibliotekën Laurenziana të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij më 1915. ( Mahir Domi, 1975:25)
FORMULA E PAGEZIMIT – dokumenti parë shqip i 8 nëntorit 1462 shkruar nga imzot Pal Engjëlli.
Sot bie 561 vjetori i dokumentit më të hershëm të gjuhës shqipe, “Formulës së Pagëzimit” që ka datën e 8 nëntorit të vitit 1462, shkruar nga kryeipeshkvi i Durrësit imzot Pal Engjëlli.
Më 8 nëntor, kujtojmë datën e shkrimit të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, latinisht, në të cilin gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet, e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462. Pra, sot bie 561 vjetori i dokumentit më të hershëm të gjuhës shqipe.
Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. (Shuteriqi,1976:12)
Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kishat famullitare dhe viset e kryedioqezës së Durrësit.
Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Sakramentit te Pagëzimit.
“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve. Dokumenti më i vjetër që e kemi shqip, pra, i përket kohës së Skënderbeut. Formula e Pagëzimit është një frazë shqip në mesin e një shkrimi latinisht prej 37 faqesh, shkruar nga argjipeshkvi i njohur i Durrësit, imzot Pal Engjëlli (1416-1469).
Photo: vaticannews.va